ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore
ROMË, 28 janar /ATSH-DPA/ – Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi deklaroi sot se oficerët nga agjencia amerikane e imigracionit ICE, që do të jenë të pranishëm gjatë Lojërave Olimpike Dimërore në Milano dhe Cortina d’Ampezzo, nuk do të kenë ndonjë autoritet operativ jashtë misioneve diplomatike amerikane dhe nuk do të veprojnë në territorin italian.
Ai theksoi se vetëm Italia është përgjegjëse për sigurinë jashtë hapësirave diplomatike, duke i qetësuar disa nga shqetësimet rreth pranisë së tyre.
Vendimi për të përfshirë ICE-në në sigurinë që lidhet me Lojërat Olimpike, të cilat fillojnë më 6 shkurt, u njoftua dje nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS).
Sipas DHS-së, një njësi do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit, dhe nuk do të kryejë veprime të zbatimit të ligjit të imigracionit gjatë ngjarjeve.
Kjo nismë ka shkaktuar shqetësim dhe reagime të ashpra në Itali, sidomos pas një periudhe të tensionuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku oficerë të ICE-së u përfshinë në dy incidente që rezultuan me vrasjen e dy qytetarëve amerikanë nga oficerë federalë në Mineapolis, MinnEsota.
Këto ngjarje kanë nxitur protesta të gjera dhe debate në SHBA mbi taktikat e ICE dhe përdorimin e forcës nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, ka qenë kundër pranisë së një force të tillë amerikane në qytetin e tij.
Ai e quajti ICE një “forcë policore private që vepron në mënyrë të paligjshme”, duke iu referuar incidenteve të fundit në SHBA, dhe tha se nuk dëshiron që kjo njësi të jetë prezent në Milano.
Qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, e cila njihet si një aleate e ngushtë e presidentit amerikan Donald Trump, ka tentuar të zbusë reagimet duke theksuar se roli i ICE-së do të jetë i kufizuar dhe i kontrolluar këtu në Itali.
Piantedosi gjithashtu u takua me ambasadorin amerikan në Romë për të diskutuar këtë çështje dhe për të sqaruar rolin e zyrtarëve amerikanë në lidhje me sigurinë e Lojërave Olimpike./ /Ad.Ab./
The post ITALI – Piantedosi: Agjentët e ICE-së nuk kanë fuqi operacionale gjatë Lojërave Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.