Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 3 February 2026Main stream

KQZ nuk ia shpalli rezultatin përfundimtar Listës Serbe, PZAP del me vendim

3 February 2026 at 16:25


Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk shpalli rezultatet përfundimtare për këtë parti.

PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.

Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme LZp.

Vendimin e PZAP-së mund ta shikoni këtu. /Telegrafi/

Dënohet me burgim dhe gjobë E.K. për vjedhje të rëndë në Pejë

3 February 2026 at 16:14


Gjykata Themelore në Pejë, departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.

Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim. /Telegrafi/

Një person theri me thikë kushërirën dhe veten e tij në Gjakovë, rasti po hetohet

3 February 2026 at 14:56


Një person i moshës madhore pas një mosmarrëveshjeje ka lënduar veten dhe kushërirën e tij sot rreth orës 11:00 në fshatin Osek Hilë – Gjakovë.

Lajmi për Telegrafin është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.

Sipas saj, bëhet e ditur se lëndimet dyshohet se janë shkaktuar me mjet të mprehtë (lëndime të lehta trupore), të dy personat e përfshirë kanë marrë trajtim mjekësorë.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, ka thënë Krasniqi. /Telegrafi/

Aksident trafiku në Prishtinë, motoçiklisti godet zyrtarin policor

3 February 2026 at 14:07


Rreth orës 11:30, në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime, ku janë përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtar policor.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana.

Sipas tij, gjatë përpjekjeve të zyrtarit policor për ta ndaluar motoçiklistin, ky i fundit e ka goditur zyrtarin dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e incidentit, zyrtari policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

"Rreth orës 11:30 ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime në rrugën Garibaldi në Prishtinë. Në aksident janë të përfshirë një motoçikletë dhe një zyrtarë policor. Gjatë përpjekjeve për ta ndaluar, motoçiklisti ka goditur zyrtarin policor dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Zyrtari policor ka pranuar tretman mjekësor dhe rasti është duke u trajtuar nga njësitet relevante", ka thënë Pllana. /Telegrafi/


Policia në veri gjen sërish armë, antiplumb ushtarak, municion dhe mjete të tjera ilegale

3 February 2026 at 13:41


Në vazhdën e pranimit të informacioneve nga ana e qytetarëve, sot më datë 03.02.2026, Policia e Kosovës ka pranuar informacion se në një bodrum të një ndërtese në rrugën “Vasilije Ostroshki”, në Mitrovicë Veri, mund të ketë mjete te dyshimta ilegale.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas pranimit të informacionit, policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, ku gjatë kontrollit, përkatësisht në një bodrum kolektiv të ndërtesës, ka gjetur dhe sekuestruar armë.

Armët e sekuestruara janë: 3 armë të gjata, 1 tytë vazhduese, 1 Kondak për armë të gjatë, 764 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 14 karikatorë, 10 krehër për fishek, 1 granat dore tymuese, 2 antiplumb ushtarak, 2 jakne ushtarake, bluzë e uniformes ushtarake, 1 palë pantallona ushtarak, Mbështjellës me material tekstili, shirita ngjitës.

Ndërkaq, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Tutje bëhet e ditur se në lidhje me këtë rast nuk ka persona të arrestuar, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, si dhe i inkurajon që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor. Vetëm përmes bashkëpunimit të ndërsjellë mund të sigurojmë një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët, pa dallim. /Telegrafi/


Përvjetori i masakrës së 3–4 shkurtit 2000, Osmani: Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë

3 February 2026 at 11:40


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në përvjetorin e masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, ka kujtuar me dhimbje dhe respekt një nga plagët më të rënda të pasluftës.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Osmani ka shkruar se: “Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 mijë e 564 familje me gjithsej 11 mijë e 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”.

Ajo tha se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti.

“Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/


U raportua i zhdukur, gjendet personi në Zveçan

3 February 2026 at 09:53


Një person është raportuar se është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihej për vendndodhjen e tij, por rreth orës 13:40 viktima është gjetur dhe është dërguar për tretman mjekësor pasi kishte lëndime të lehta.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 01.02.2026, ndërsa viktima është gjetur më 02.02.2026 në Zveçan.

“Me 02.02.2026 është raportuar se viktima mashkull serb është larguar nga shtëpia dhe se nuk dihej për vendndodhjen e tij, ndërsa rreth orës 13:40 viktima është gjetur dhe është dërguar për tretman mjekësor pasi kishte disa lëndime të lehta”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Arrestohet një person në kërkim, kanosi verbalisht zyrtarët policorë në Pejë - dërgohet në mbajtje

3 February 2026 at 09:27


Një person i cili ishte në kërkim policor është arrestuar dhe i njëjti gjatë shoqërimit duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion i ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 08:50 në rrugën “Qerim Muriqi”, në Pejë.

Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Rr. Qerim Muriqi, Pejë/ 02.02.2026 – 08:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ishte në kërkim policor dhe i njëjti gjatë shoqërimit, duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion, i ka kanosur verbalisht zyrtarët policor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Ish-të burgosurat e keqtrajtuara ballafaqohen në gjykatë me serben, ish-gardiane

2 February 2026 at 16:13


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca fillestare ndaj Nadica Cepkenoviq, e akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile, lidhur me keqtrajtimin sistematik të të burgosurave shqiptare gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998–1999.

Ish-e burgosura Jehona Krasniqi-Morina tha se ballafaqimi me të akuzuarën pas gati tri dekadash nuk i ka sjellë emocione pozitive, por ka rikthyer kujtimet e dhunës së vazhdueshme fizike dhe psikike që, sipas saj, ushtrohej ndaj të burgosurave që nga momenti i arrestimit e deri në lirimin e tyre.

Ajo theksoi se procesi gjyqësor përbën një pikë kthese për viktimat, duke vlerësuar se pas më shumë se dy dekadash po dërgohet një mesazh se drejtësia po përpiqet të trajtojë krimet e kryera. Krasniqi-Morina shtoi se dhuna në burgjet serbe mund të krahasohet me kampet e nazizmit dhe se përgjegjësia, sipas saj, nuk duhet të kufizohet vetëm te një person, por edhe te gardianet e tjera të përfshira.

Ndërkohë, ish-e burgosura tjetër, Mevlyde Saraçi, deklaroi se dhuna e përjetuar i ka lënë pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë dëmtim të dëgjimit, duke e bërë të vështirë edhe ndjekjen e seancës gjyqësore. Ajo kërkoi dënim meritor për të akuzuarën dhe për gardianet e tjera që, sipas saj, kanë marrë pjesë në keqtrajtim.

“Sot për mua është një ditë fitoreje, sepse ajo ndodhet në pozitën ku kemi qenë ne dikur. Megjithatë, drejtësia duhet të jetë e plotë dhe e merituar”, tha Saraçi, duke përshkruar fyerjet, dhunën dhe poshtërimin që, sipas saj, janë ushtruar ndaj grave shqiptare të burgosura për shkak të përkatësisë kombëtare dhe mbështetjes për lirinë e Kosovës.

Nadica Cepkenoviq është deklaruar e pafajshme për aktakuzën e ngritur ndaj saj. Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se, në cilësinë e ish-gardianes në Burgun e Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, në bashkëkryerje me Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sladjana Arsiq dhe Biljana Stoliq, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare duke keqtrajtuar në mënyrë sistematike të burgosurat shqiptare.

Në aktakuzë thuhet se viktimat janë torturuar në mënyrë çnjerëzore, përfshirë rrahje me mjete të forta, kërcënime serioze për jetë dhe ushtrim të vazhdueshëm të dhunës psikike, duke u shkaktuar pasoja të rënda fizike dhe emocionale, të cilat, sipas Prokurorisë, vazhdojnë t’i bartin edhe sot.KP/Telegrafi.

​Dënimi i Alidemajt për krime lufte, familjarët e viktimave do të ankohen

2 February 2026 at 15:55


Familjarët e viktimave të masakrës në Izbicë, kanë reaguar pasi gjykata shqiptoi dënim me 13 vjet burgim ndaj Muhamet Alidemajt, duke e cilësuar si dënim shumë i ulët, derisa ka paralajmëruar se do të ushtrojnë të drejtën e ankesë.

Familjari Islam Dani ka thënë se personalisht e ka parë e kam parë që iu ka prirë serbëve për të hyrë në fshatin Izbicë të Drenasit.

“Vendimi na duket shumë i ulët, mirëpo gjykata ka marrë vendim edhe çka kemi na me thënë përtej gjykatës. Më anku kemi me u anku, sa kemi me arrit qëllimin tonë, mbetet me u pa.. Kodi penal i Jugosllavisë e përcakton kështu, bie në maksimum. Se për neve edhe 15 vjet normalisht që është pak… Unë personalisht nuk e kam parë që e ka vrarë askënd. Unë e kam parë që iu ka prirë serbëve me hy në fshatin Izbicë. Çka s'e kam parë nuk mundem me thanë që e kam parë duke vrarë. Mirëpo atë ditë në Izbicë nuk ka pasur dasmë, atë ditë janë ndjerë krisma të tenkave, topave, kallashave, pushkëve edhe janë masakruar 137. Edhe dy herë mbasandaj na janë vrarë ka dy-trembëdhjetë. Edhe u djeg krejt fshati Izbicë, edhe u plaçkit. Janë djeg dy të paralizuar në prokolica të traktorit. Nuk mundet me iu ikë ky prej përgjegjësie, as s'mundet me thënë që s'kam qenë unë. Normalisht, familjet që i kanë ndarë, gratë i kanë ndarë, iu ka shtirë thikën në fyt, i ka plaçkitur, i ka rrahur. Kanë dëshmuar këto në gjyq”, tha Dani.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar sot me 13 vjet burgim, Muhamet Alidemajn, të akuzuarin për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë 99-ës ne fshatin Izbicë.

Sipas aktakuzës, Alidemaj kishte marrë pjesë bashkë me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe në vrasjen e civilëve shqiptarë në masakrën e Izbicës që kishte ndodhur në mars 1999.Në këtë masakër ishin vrarë dhe masakruar 130 shqiptarë. /Telegrafi/

Ish-gardianja Cvetkoviq deklarohet e pafajshme për akuzën se i torturoi në mënyrë çnjerëzore të burgosurat shqiptare

2 February 2026 at 15:23


Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e akuzuara Nadica Cvetkoviq u deklarua e pafajshme lidhur me akuzën se në cilësinë e gardianes në burgun e Prishtinës- paralelen për gra në Lipjan, ka kryer krime lufte.

Deklarimin rreth fajësisë, Cvetkoviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Atdhe Dema, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska njoftoi të akuzuarën dhe mbrojtësen e saj, avokaten Jovana Filipoviq se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 16 janar 2026 ka ngritur aktakuzë ndaj Nadica Cvetkoviq të cilën e akuzon se në cilësinë e ish-gardianes në burgun e Prishtinës- paralelja për gra në Lipjan, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të burgut në fjalë: Ljiljana Seliq, Danica Lukiq, Sllagjana Arsiq, Biljana Stoliq, ish-gardiane të burgut për gra në Lipjan, duke vepruar me dashje dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç’njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Aktakuza thotë se siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psikike, i kanë kanosur seriozisht për jetën e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme, kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë, është cenuar rëndë dinjiteti njerëzor, pasoja të cilat i bartin edhe më tej viktimat, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Me këtë, Cvetkoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së. /BetimipërDrejtësi/

U përmend emri i saj në dosjen e Epstein, reagon Atifete Jahjaga

2 February 2026 at 13:49


Ish presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka reaguar pasi në mesazhet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, dosja Jeffrey Epstein, përmendet emri i saj.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook Jahjaga ka shkruar: “Raportimet mediatike për 'lidhjen time' me dosjen 'Epstein' janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë”.

Tutje Jahjaga ka shkruar se përmendja e emrit të saj nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me të.

“Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar. Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj. Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet”, ka shkruar Jahjaga.

Tutje ajo ka shkruar se: "Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani". /Telegrafi/


“Infarkti nuk zgjedh moshë”, pse shëndeti i zemrës duhet të jetë prioritet? Flet doktoresha Fjolla Zhubi-Bakija

2 February 2026 at 13:35


Sëmundjet e zemrës nuk janë më vetëm problem i moshës së shtyrë. Infarktet dhe problemet serioze kardiovaskulare po shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe te personat e rinj, madje në të 30-tat dhe të 40-tat e tyre.

Kështu tha në episodin e 61-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Fjolla Zhubi Bakija, specialiste e Mjekësisë Interne dhe Kardiologjisë.

- YouTube www.youtube.com

Në këtë episod, doktoresha Zhubi Bakija thekson se rritja e rasteve të infarktit në moshë të re nuk lidhet me ndryshime gjenetike, por kryesisht me stilin e jetesës moderne.

Jeta sedentare, mungesa e aktivitetit fizik, ushqimi i përpunuar me shumë kripë, sheqer dhe yndyra të dëmshme, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe stresi kronik janë faktorët kryesorë që po e përshpejtojnë shfaqjen e sëmundjeve të zemrës.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua kontrolleve preventive, të cilat shpesh neglizhohen, sidomos nga të rinjtë që ndihen “mirë” dhe nuk kanë simptoma të dukshme.

Sipas doktoreshës, matja e tensionit të gjakut, analizat e kolesterolit dhe sheqerit në gjak, si dhe një EKG e thjeshtë, mund të japin informacione jetike dhe të parandalojnë pasoja serioze në të ardhmen.

Ajo foli edhe për simptomat e infarktit, duke sqaruar se ato nuk paraqiten gjithmonë me dhimbje të forta në gjoks.

“Te gratë dhe personat me diabet, infarkti mund të shfaqet me lodhje ekstreme, djersitje të ftohta, vështirësi në frymëmarrje apo thjesht me ndjesinë se ‘diçka nuk shkon’. Këto simptoma nuk duhet të injorohen dhe kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor”, ka sqaruar Zhubi-Bakija.

Zhubi Bakija thekson se shëndeti i zemrës ndërtohet që në fëmijëri dhe se parandalimi është gjithmonë më i fuqishëm se trajtimi.

Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë” e mbështetur nga United Hospital. /Telegrafi/

Kurti mbledh drejtuesit e qendrave të LVV-së, diskutohet për situatën aktuale politike në vend

2 February 2026 at 13:03


Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të dielën ka mbajt mbledhjen e përbashkët me drejtuesit e qendrave të kësaj partie.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se kjo ishte mbledhja e parë me qendrat pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe përmbylljes së cikleve zgjedhore lokale, si vazhdim i organizimit dhe angazhimit të tyre në terren.

“Në mbledhje ishin të pranishëm kryeministri, njëherazi kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, si dhe koordinatori i qendrave, Salih Zyba. Gjatë takimit u diskutua gjerësisht për situatën aktuale politike në vend dhe për fushatën tonë zgjedhore të suksesshme, e cila u kurorëzua me mbështetje qytetare prej 51.10% dhe 57 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, u trajtuan çështje që lidhen me procesin e certifikimit të rezultatit zgjedhor dhe konstituimin e institucioneve të reja”, thuhet në postim.

Tutje bëhet e ditur se një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe aspektit organizativ të Lëvizjes, funksionimit dhe organizimit nëpër qendra, si dhe çështjeve të tjera të rëndësishme për forcimin e mëtejmë të strukturave tona. /Telegrafi/


Nga ATK thonë se regjistrimi i aktivitetit ekonomik është obligim ligjor - do të shtojnë inspektimet në terren

2 February 2026 at 12:31


Administrata Tatimore e Kosovës ka rikujtuar edhe një herë për të gjithë personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik, se regjistrimi i aktivitetit është obligim ligjor dhe shmang pasoja serioze financiare dhe ligjore.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në kuadër të projektit për formalizimin e ekonomisë dhe vendosjen e etiketave identifikuese për bizneset e regjistruara, ATK do të shtojë inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“ATK u bën thirrje të gjithë personave që ende zhvillojnë aktivitet të paregjistruar që të veprojnë menjëherë dhe të regjistrohen vullnetarisht në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përpara se të identifikohen nga inspektorët tatimorë”, thuhet në njoftim.

Nga ATK po ashtu thonë se në rast se gjatë inspektimeve identifikohen aktivitete të paregjistruara, ATK, në përputhje me Ligjin në fuqi, do të ndërmarrë pa përjashtim këto veprime: “Regjistrimin e detyrueshëm të aktivitetit dhe pajisjen me Numër Fiskal; Aplikimin e gjobave dhe sanksioneve ligjore të parapara”.

Tutje bëhet e ditur se regjistrimi vullnetar shmang penalitetet dhe kontribuon në një konkurrencë të drejtë në treg.

“Po ashtu, ATK kërkon nga të gjithë tatimpaguesit e regjistruar që të verifikojnë dhe përditësojnë të dhënat e tyre në sistemin tatimor, pasi mos-përditësimi i informatave përbën shkelje ligjore.

Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e ekonomisë joformale dhe në ndërtimin e një sistemi tatimor të drejtë, transparent dhe të barabartë për të gjithë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Realizohet për herë të parë ndërhyrja kirurgjikale për Sindromën Eagle

2 February 2026 at 12:12


Realizohet për herë të parë me sukses ndërhyrje kirurgjikale për Sindromën Eagle (një patologji e rrallë dhe komplekse), në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se sindroma Eagle shkaktohet nga zgjatja jonormale e procesit stiloid në bazën e kafkës dhe manifestohet me dhimbje të forta në qafë dhe fyt, vështirësi në gëlltitje, si dhe, në raste të caktuara, me çrregullime të qarkullimit të gjakut për shkak të afërsisë me arteriet karotide.


“Pacienti M. D., mashkull, i lindur më 1964, paraqiste simptoma klinike të vazhdueshme. Pas ekzaminimeve të nevojshme biokimike, radiologjike dhe të tjera, u konstatua një zgjatje e procesit stiloid me gjatësi rreth 5.5 cm, gjë që e bënte të domosdoshëm trajtimin kirurgjikal”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se duke marrë parasysh përfshirjen e strukturave vaskulare të qafës, u vendos që ndërhyrja të realizohej në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, përmes qasjes ekstraorale, e cila mundëson ekspozim optimal anatomik dhe kontroll të plotë të strukturave vitale vaskulare dhe nervore.

“Ndërhyrja kirurgjikale është realizuar me sukses, ndërsa pacienti ka shfaqur përmirësim të menjëhershëm të simptomave. Aktualisht, ai është në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lirohet për trajtim shtëpiak. Ky intervenim përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale për Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dhe një dëshmi të rritjes së kapaciteteve institucionale të QKUK-së për trajtimin e patologjive të rralla dhe komplekse, në përputhje me standardet bashkëkohore mjekësore”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Abdixhiku: Faleminderit për demokracinë maksimale dhe për besimin e ri

2 February 2026 at 10:48


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka falenderuar të gjithë delegatët për vazhdimin e udhëheqësisë së kësaj partie nga procesi i votëbesimit që iu dha të shtunën në Kuvendin e Punës.

Abdixhiku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se në jetë duhet pasur vullnet e durim për të mirat që do vijnë.

“Në jetë duhet pasur vullnet e durim, të mirat vijnë pastaj.” Ju faleminderit për demokracinë maksimale, për besimin e ri e të pastër; dhe për një fillim të ri, shumë më të ndryshëm. Ecim bashkë tani!”, ka shkruar Abdixhiku.

Ndryshe, Abdixhiku i ka mbijetuar votëbesimit të kërkuar nga vetë ai të shtunën, në Kuvendin e partisë, duke u konfirmuar me shumicë votash për të vazhduar udhëheqjen e LDK-së. /Telegrafi/


Haxhiu dorëzon dy ankesa në PZAP: Nuk kërkoj privilegj, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit

2 February 2026 at 10:35


Ish deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu dhe njëherit kandidat për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka dorëzuar dy ankesa në PZAP.

Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ankesat kanë të bëjnë me fletëvotimet me postë nga votimi jashtë Kosovës dhe llogaritja e gabuar e rezultatit përfundimar.

“Sot kam dorëzuar dy ankesa zyrtare në PZAP kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 31 janar 2026. Ankesat lidhen me: 1. Përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të pranuara pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme; 2. Llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, i cila ka ndikuar në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura me 28.12.2025. Afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, ato garantojnë barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se asnjë vendim administrativ i KQZ, nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën.

“Nuk kërkoj privilegj. Kërkoj vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka shkruar ndër të tjera Haxhiu. /Telegrafi/


​Mozaiku i Tiranës nominohet për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026” nga ArchDaily

2 February 2026 at 10:19


Mozaiku i Tiranës është nominuar për çmimin “Ndërtesa e Vitit 2026”, nga revista prestigjioze e arkitekturës, ArchDaily. Kështu ka bërë të ditur ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja.

Sipas tij, ky nominim e pozicionon Tiranën në skenën ndërkombëtare të arkitekturës si një shembull i dialogut mes historisë dhe së tashmes.

“Ky monument është një ndërthurje mes ruajtjes së trashëgimisë arkeologjike dhe arkitekturës bashkëkohore”, ka shkruar ai në Facebook.

Mozaiku i Tiranës daton që prej shek. III dhe është zbuluar në vitet ’70 të shekullit të kaluar gjatë punimeve për ndërtimin e një blloku pallatesh.

Mozaiku i Tiranës është një hapësirë e re moderne që shërben si platformë për prezantimin e mozaikëve më të rëndësishëm, ndërsa po kthehet në një destinacion të rëndësishëm kulturor për Tiranën.

Në kushte optimale konservimi dhe përmes programeve edukative me fëmijët e të rinjtë, kjo hapësirë vjen si një dritare e re e interpretimit bashkëkohor të trashëgimisë sonë arkeologjike, shkruan Atsh.

Kjo godinë, përpos historikut të saj, shërben edhe si pikë informacioni vizuale për të gjithë mozaikët që mbart nëntoka e pasur arkeologjike shqiptare. /Telegrafi/

❌
❌