Liga Profesionale Saudite po përgatit një ofensivë të madhe në tregun e transferimeve këtë verë, me Mohamed Salah dhe Vinicius Jr të identifikuar si dy objektivat kryesorë.
Klubet saudite kanë shqyrtuar tashmë mundësinë e transferimit të Salah gjatë këtij afati, por Liverpooli nuk ka treguar asnjë gatishmëri për negociata. Sulmuesi egjiptian, tashmë 33 vjeç, ende nuk ka vendosur nëse është gati të largohet nga futbolli elitar evropian në fund të sezonit.
Interesi nga Arabia Saudite pritet të intensifikohet gjatë verës, kur klubet do të kenë më shumë fleksibilitet për të realizuar transferime të bujshme, për shkak të skadimit të disa kontratave të profilit të lartë.
Situata e Vinicius Jr po ndiqet gjithashtu nga afër, pasi bisedimet për një kontratë të re me Real Madridin kanë ngecur. Marrëveshja aktuale e brazilianit skadon në vitin 2027, çka e mban ende të hapur të ardhmen e tij.
Ndërsa disa brenda Ligës Saudite e shohin Salah si një ikonë globale që do ta ngrinte ndjeshëm profilin e kampionatit, të tjerë besojnë se Vinicius Jr përfaqëson një investim më strategjik dhe afatgjatë.
Vera pritet të jetë vendimtare për ambiciet e Ligës Profesionale Saudite, e cila synon të vazhdojë afrimin e yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror./Telegrafi
Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo po e konsideron seriozisht pensionimin nga futbolli vitin e ardhshëm.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë që ka fituar thuajse të gjitha trofetë në futboll është duke konsideruar të ardhmen, ndërsa një nga opsionet më të mundshme është largimi nga Al Nassr si dhe t’i “varë këpucët”.
Sipas asaj që raporton gazetari i njohur Ben Jacobs, Ronaldo pritet të largohet nga Al Nassr në verën e vitit 2027 dhe po konsideron seriozisht pensionimin nga futbolli.
Në bazë të raportimit, Ronaldo tashmë ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me klubin arab, me këta të fundit që po shpresojnë ta mbajnë duke i ofruar përqindje në aksionet e skuadrës.
Arabia Saudite po shpreson ta mbajë Ronaldon si ambasador, si dhe t’i jap plotë 15 për qind të aksioneve të Al Nassr, aty ku do të bëhet drejtuesi i klubit, një objektiv që portugezi e ka shprehur publikisht disa herë.
Cristiano Ronaldo is likely to leave Al Nassr in the summer of 2027, and the five-time Ballon d’Or winner could potentially retire from football.
Even if he extends by a further year, plans are being put in place to prevent a sharp decline in global interest when… pic.twitter.com/n5r3duQgA3 — The Nassr Tribune™️ (@AlNassrTribune) January 22, 2026
Kujtojmë, Ronaldo aktualisht është i fokusuar për ta fituar titullin në Arabinë Saudite, si dhe Kupën e Botës me kombëtaren e Portugalisë, trofeu i vetëm që ende nuk e ka shijuar.
Përpos tyre, ish ylli i Real Madridit ka bërë të qartë se ka për objektiv të bëhet golashënuesi i parë që shkon në shifrën e 1 mijë golave./Telegrafi
Paris Saint-Germain po përgatit një ofertë të madhe verore për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez, por “Blutë” kanë vendosur një çmim shumë të lartë për reprezentuesin e Argjentinës, që varion nga 100 deri në 140 milionë euro.
Me kontratën e tij të vlefshme deri në vitin 2032, Chelsea ndodhet në një pozitë shumë të fortë për të kërkuar një shumë të konsiderueshme për njërin nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa çdo marrëveshje e mundshme do të renditej ndër transferimet më të mëdha të afatit të ardhshëm kalimtar.
PSG ka shfaqur interes konkret për fituesin e Kupës së Botës dhe tashmë ka pasur kontakte joformale me përfaqësuesit e lojtarit, megjithatë ende nuk është dorëzuar asnjë ofertë zyrtare.
Kampionët e Francës e pranojnë se transferimi i Enzo Fernandez nuk do të jetë aspak i lehtë, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e kontratës së tij në “Stamford Bridge” dhe vlerësimin e palëkundur të Chelseat.
Real Madridi, i cili më herët ishte lidhur me ish-yllin e Benficas, ka hequr dorë nga ndjekja e tij, duke e lënë PSG-në si pretenduesen më serioze në këtë fazë./Telegrafi
Manchester United janë gati të nisin bisedimet me Kobbie Mainoo për një kontratë të re.
Në të njëjtën ditë kur United konfirmuan se një mesfushor kyç do të largohet nga “Old Trafford” – me Casemiron, që së shpejti mbush 34 vjeç, i cili do të largohet në fund të këtij sezoni – klubi po synon tani të sigurojë të ardhmen e një tjetër mesfushori, shumë më të ri, përmes një marrëveshjeje të përmirësuar ndjeshëm.
Raportohet se tashmë ka pasur kontakte fillestare me përfaqësuesit e Mainoos, me planin për t’u ulur dhe për të diskutuar detajet e një kontrate të re dhe më të favorshme, e cila do ta sillte pagën e tij më afër nivelit të bashkëlojtarëve dhe statusit që ai gëzon në skuadër.
Si produkt i akademisë së Manchester United, paga e Mainoos aktualisht është ndër më të ulëtat në mesin e lojtarëve të ekipit të parë. Megjithatë, duke qenë se 20-vjeçari nuk ishte pjesë e planeve të ish-trajnerit Ruben Amorim dhe me 18 muaj të mbetur në kontratën ekzistuese – plus një opsion për një vit tjetër – hapja e negociatave të reja nuk ishte parë më herët si prioritet nga klubi.
Napoli ishte mes disa klubeve të mëdha evropiane të interesuara për Mainoon, por pavarësisht raportimeve se reprezentuesi i Anglisë ishte i gatshëm të shqyrtonte një huazim këtë muaj për të fituar më shumë minuta, “Sky Sports News” mësoi se Manchester United nuk kishte ndërmend ta pranonte një mundësi të tillë dhe e konsideron Mainoon si pjesë kyçe të së ardhmes së klubit.
Mainoo nuk e nisi asnjë ndeshje të Ligës Premier këtë sezon nën drejtimin e Amorim, por u aktivizua si titullar në mundësinë e parë nga trajneri i ri, Michael Carrick, fundjavën e kaluar.
Mesfushori i ri dha një paraqitje shumë bindëse në fitoren 2–0 të United ndaj Cityt në derbin e Mançesterit, duke forcuar edhe më shumë bindjen e klubit për ta lidhur atë me një kontratë afatgjatë./Telegrafi
Përzgjedhësi i kombëtares rumune, Mircea Lucescu, është shtruar me urgjencë në spital këtë javë dhe aktualisht ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.
Problemet shëndetësore të teknikut 80-vjeçar kanë nisur nga një ftohje e rëndë që ai pësoi pas Krishtlindjeve, e cila më pas ka ndikuar edhe në zemër. Lucescu përfundoi në shtrat spitali pasi u shtrua urgjentisht nga mjekët në Bukuresht.
Ai u godit nga një ftohje e fortë gjatë pushimeve dimërore, por situata u komplikua për shkak të problemeve kardiake dhe moshës së avancuar. Fillimisht, trajneri iu nënshtrua një trajtimi shumë intensiv, por nuk arriti të rikuperohej dhe, përkundrazi, gjendja e tij u rëndua më tej.
Mircea Lucescu kishte përgatitur një program shumë të detajuar për këtë periudhë, duke pasur parasysh se pas dy muajsh kombëtarja e Rumanisë do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e playoffit kualifikues për Kupën e Botës, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Trajneri i “trengjyrëshave” kishte planifikuar të ishte i pranishëm në Antalya gjatë muajit janar, aty ku shumica e skuadrave të Superligës turke po zhvillonin përgatitjet dimërore, për të ndjekur nga afër lojtarët që kishte në vëzhgim. Megjithatë, problemet shëndetësore ia pamundësuan praninë, ndaj ai u detyrua t’i dërgonte bashkëpunëtorët e tij për të mbledhur informacion në terren.
Gjendja e dobët shëndetësore nuk i ka lejuar Lucescus të ndjekë asnjë ndeshje të Superligës turke, ku tashmë është zhvilluar një javë kampionati.
Për më tepër, tekniku rumun kishte planifikuar ta studionte me shumë kujdes kundërshtarin, por nuk arriti ta realizojë këtë plan./Telegrafi
Bashkimi e ka siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës duke eliminuar GO+ Pejën në përballjen mjaftë dramatike.
Skuadra prizrenase triumfoi me rezultat 70-73 (22-20, 17-22, 11-12, 20-19).
Peja e nisi më mirë për ta mbyllur çerekun e parë me dy pikë avantazh, mirëpo Bashkimi u këndell në çerekun e dytë duke e përmbysur rezultatin, për të shkuar tre pikë përpara.
Çereku i tretë ishte tepër i baraspeshuar, ku Bashkimi e mbylli me një pikë avantazh (11-12), ndërsa pavarësisht përpjekjeve Peja nuk arriti të shkaktonte ndonjë përmbysje për t’i thyer mysafirët (20:19).
Vlen të ceket së në minutën e fundit, ndeshja u ndëprrerë për disa minuta shkaku i pakënaqësive të tifozëve të Pejës që hodhën gjësende në parket.
Tifozët vendas në shenjë proteste gjuajtën mjete tymosëse si dhe bënë fyerje në drejtim të kryesisë së klubit pejan.
Më i dalluari në këtë sfidë ishte Lake me 17 pikë, ndihmuar nga Armstead me 13 sosh. Ndërsa te Peja më i dalluari doli të jetë Flatten me 17 pikë./Telegrafi/
Arsenal dhe Barcelona po udhëheqin garën për nënshkrimin e Julian Alvarez verën e ardhshme, me të dy klubet që e shohin sulmuesin argjentinas si një pjesë kyçe për ambiciet e tyre madhore.
Sipas ekspertit të transferimeve Ekrem Konur, Arsenali e konsideron Alvarezin si sulmuesin që i mungon për ta fituar më në fund titullin e Ligës Premier, ndërsa Barcelona e sheh atë si zëvendësuesin ideal afatgjatë të Robert Lewandowskit.
Atletico Madridi ka vendosur një çmim shumë të lartë për kartonin e lojtarit, që tejkalon 150 milionë euro, me mundësinë që shifra të rritet deri në 200 milionë euro, në varësi të bonuseve dhe negociatave.
Alvarez iu bashkua Atletico Madridit nga Manchester City në vitin 2024 për një shumë prej 82 milionë funtesh dhe ka qenë në formë të shkëlqyer që nga transferimi. Në sezonin e tij të parë, ai shënoi 29 gola, ndërsa në këtë edicion ka shtuar edhe 11 të tjerë.
Megjithë suksesin personal, 25-vjeçari ende nuk ka fituar trofe madh nën drejtimin e Diego Simeones. Atletico e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e tretë në La Liga dhe aktualisht renditet i katërti, tetë pikë prapa liderëve të Barcelonës.
Interesi i Arsenalit dhe Barcelonës pritet ta bëjë verën e ardhshme jashtëzakonisht të nxehtë në merkato, por mbetet të shihet nëse ndonjë klub do të jetë i gatshëm të përmbushë kërkesat financiare të Atletico Madridit për njërin nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë./Telegrafi
Tensioni po rritet në Kataluni përpara ndeshjes së fundit të Barcelonës në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, që do të luhet të mërkurën, më 28 janar.
Barcelona e mbylli fazën e ligës sezonin e kaluar në vendin e dytë pa shumë vështirësi, por këtë edicion gjërat kanë qenë dukshëm më të komplikuara. Para ndeshjes finale, katalanasit ende nuk e kanë të sigurt kualifikimin automatik në fazën e 1/8 së finales përmes një renditjeje në tetëshen e parë.
Hansi Flick dhe lojtarët e tij janë të vendosur ta shmangin raundin e playoffit, por paraqitjet e paqëndrueshme në Evropë do të thonë se gjithçka do të vendoset në përballjen e tetë të kësaj faze.
Ja çfarë duhet të arrijë Barça për të siguruar kalimin direkt në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve:
Barcelona hyn në ndeshjen e fundit të fazës së ligës jashtë tetëshes së parë, por fitorja 4–2 ndaj Slavia Prague e ka ngritur në vendin e nëntë të renditjes. Aktualisht, katalunasit kanë 13 pikë, po aq sa edhe shtatë skuadra të tjera, përpara përballjes së favorshme ndaj FC Copenhagen në “Camp Nou”.
Për të siguruar një vend në top tetë, fitorja ndaj danezëve është e domosdoshme. Tri pikë të tjera do t’i jepnin Barcelonës shanse shumë të mira për kualifikim direkt, sidomos duke pasur parasysh se dy skuadra që janë mbi ta në renditje, Paris Saint-Germain dhe Newcastle United, do të përballen mes vete në xhiron e fundit.
Megjithatë, me Chelsea, Sporting CP, Manchester City, Atletico Madrid dhe Atalanta që kanë gjithashtu nga 13 pikë, diferenca e golave pritet të jetë vendimtare nëse skuadrat përfundojnë me pikë të barabarta. Barcelona ka aktualisht golavarazh +5, por është më e dobët në këtë aspekt krahasuar me PSG, Newcastle dhe Chelsea, ndërsa është në të njëjtin nivel me Sportingun.
Për këtë arsye, Flick dhe skuadra e tij nuk do të kërkojnë vetëm fitoren ndaj Copenhagen, por një fitore sa më bindëse për të rritur gjasat e përfundimit në tetëshen e parë.
Një barazim do t’i zvogëlonte ndjeshëm shpresat e Barcelonës për kualifikim automatik, pasi do të varej nga dështimet e skuadrave të tjera me pikë të barabarta, si dhe nga rezultatet e Interit, Juventusit dhe Borussia Dortmundit. Një humbje do të ishte pothuajse fatale.
Sa u përket rivalëve direkt me nga 13 pikë, Chelsea ka përballjen më të vështirë, pasi udhëton te kampioni aktual i Serie A, Napoli. Sporting do të ketë një transfertë të komplikuar te Athletic Club, ndërsa Manchester City pret Galatasarayn. Atletico Madridi pret Bodo/Glimt, Atalanta udhëton te Union Saint-Gilloise, ndërsa PSG pret Newcastle në Francë.
Gjithsesi, Flick e di se Barcelona e ka të sigurt të paktën kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Fitorja ndaj Slavia Prague ka garantuar një vend në raundin playoff, por në “Camp Nou” janë të vendosur të shmangin edhe dy ndeshje shtesë.
Mungesa e një vendi në tetëshen e parë nuk do të ishte fundi i botës. Kampioni aktual i Evropës, PSG, sezonin e kaluar e mbylli fazën e ligës vetëm në vendin e 15-të, ndërsa Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Real Madridi arritën deri në çerekfinale pa u kualifikuar automatikisht në 1/8 e finales./Telegrafi
Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard ka vlerësuar trajnerin aktual të klubit, Arne Slot, për paraqitjen bindëse ndaj Marseille, por njëkohësisht e ka paralajmëruar trajnerin holandez se duhet të ndalojë së foluri vazhdimisht për vështirësitë kundër skuadrave që mbrohen thellë.
Skuadra e Slot përfitoi maksimalisht nga loja e hapur dhe stili progresiv i Marseille, duke regjistruar një fitore të qetë 3–0 në Ligën e Kampionëve, në një sezon që përndryshe ka qenë problematik për Liverpoolin.
Vetëm fundjavën e kaluar, Burnley arriti të nxirrte një barazim 1–1 në “Anfield”, një rezultat që u shoqërua me fishkëllima nga tifozët vendas, por që, sipas Slot, ishte një ndeshje pozitive për skuadrën e tij.
“E di pse nuk jemi konstantë dhe kjo lidhet kryesisht me faktin se një ndeshje e hapur është krejtësisht ndryshe nga përballja me një bllok të ulët”.
“Nuk mund ta krahasosh këtë ndeshje me atë të sonte, kur të dyja skuadrat duan të presojnë dhe të ndërtojnë lojën nga prapavija. Nëse jemi jokonsistentë, kjo ndodh sepse hasim vështirësi kundër blloqeve të ulëta”.
Megjithatë, Gerrard mendon se Slot duhet ta mbyllë këtë diskutim.
“Ai duhet të ndalojë së përmenduri blloqet e ulëta. Këto blloqe kanë ekzistuar kundër Liverpoolit që kur luaja unë. Kjo është thjesht mënyra se si skuadrat përballen me Liverpoolin”.
Pavarësisht kritikës, ish-kapiteni i Liverpoolit pati edhe fjalë pozitive për trajnerin aktual.
“Jam vërtet i lumtur për të. Nuk është aspak e lehtë të punosh nën atë presion. Taktikat e tij ishin perfekte sonte. Ai meriton shumë lavdërime dhe respekt”./Telegrafi
Mesfushori Casemiro do të largohet nga Manchester United në fund të këtij sezoni, sapo t’i skadojë kontrata aktuale.
33-vjeçar ka në kontratë një opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër, por skuadra angleze përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se bashkëpunimi nuk do të vazhdojë.
"The Athletic" kishte raportuar në janar se klauzola e zgjatjes njëvjeçare mund të aktivizohej edhe automatikisht nëse Casemiro do të niste si titullar një numër të caktuar ndeshjesh, që besohet të jetë 35, gjatë sezonit 2025/26.
Megjithatë, pas eliminimeve të hershme të Manchester United nga të dyja kupat vendase, braziliani do të duhej të ishte titullar në të gjitha 16 ndeshjet e mbetura të Liga Premier për ta arritur këtë shifër, diçka që konsiderohet shumë pak e mundshme.
Reprezentuesi i Brazilit iu bashkua Manchester United nga Real Madridi në verën e vitit 2022, në një transferim që i ka kushtuar klubit anglez të paktën 60 milionë funte (rreth 80.9 milionë dollarë).
Paga e Casemiros ka qenë 15 milionë funte në vit për tre sezonet (përfshirë edhe aktualin) në të cilat United nuk ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka shkuar në 18 milionë funte në sezonin e vetëm kur klubi ka qenë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm të klubeve në Evropë.
Këtë sezon, Casemiro ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve të Manchester United nën drejtimin e Ruben Amorim, Darren Fletcher dhe Michael Carrick. Ai ka munguar vetëm në dy humbjet në kupa për shkak të rotacionit, si dhe në ndeshjet e Liga Premier ndaj Brentford dhe Aston Villa për shkak pezullimi.
Që nga ardhja nga Madridi, ai ka qenë një figurë konstante në formacionin e United, edhe pse paraqitjet e tij kanë qenë herë pas here objekt kritikash.
Casemiro will leave Manchester United when his contract expires at the end of the season.
Gjatë këtij sezoni, Casemiro ka regjistruar 21 paraqitje, duke e çuar numrin total të ndeshjeve me fanellën e Manchester United në 146.
Braziliani mbetet gjithashtu pjesë e rregullt e përfaqësueses së Brazilit dhe pritet me shumë gjasë ta përfaqësojë vendin e tij në Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë./Telegrafi
Kërkimi i Celtic për një sulmues të ri ka hyrë në javën e tretë të afatit kalimtar të janarit.
Raportohet se Martin O’Neill, Michael Nicholson dhe figura të tjera kyçe të klubit kanë zhvilluar një takim të posaçëm për transferimet të hënën, teksa koha po shkon dhe skuadra duhet të përforcohet për garën për titull.
Gjatë 24 orëve të fundit, në internet kanë qarkulluar thashetheme se sulmuesi shqiptar i Plymouth Argyle, Lorent Tolaj, është shfaqur si një opsion i mundshëm për Celtic gjatë këtij muaji.
Sulmuesi 24-vjeçar është një nga golashënuesit më të mirë të League One këtë sezon, pasi u transferua te Argyle nga Port Vale gjatë verës.
Tolaj është produkt i akademisë së Brighton, por pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar në futbollin anglez të niveleve më të ulëta, duke luajtur edhe për Cambridge United dhe Salford City.
Megjithatë, sipas “Daily Record”, Tolaj nuk është i disponueshëm për një transferim në janar dhe është jashtë tregut të paktën deri në verë.
Arsyeja lidhet me rregullat e pranueshmërisë së lojtarëve, pasi ai ka bërë tashmë paraqitje për Port Vale këtë sezon, përpara se të transferohej te Plymouth në fund të afatit veror.
Kjo do të thotë se Tolaj nuk mund të aktivizohet për tre klube të ndryshme brenda të njëjtit sezon, duke e bërë të pamundur një lëvizje në janar.
Thashethemet kishin përmendur një çmim rreth 5 milionë funte për sulmuesin, i cili është edhe përfaqësues i grupmoshave të reja të Zvicrës, por emri i tij tashmë është fshirë nga lista e objektivave të Celtic për këtë afat kalimtar.
Kujtojmë, Tolaj ka ende të drejtë ta përfaqësojë Kosovën dhe Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar./Telegrafi
Thierry Henry ka deklaruar se shkarkimi i shpejtë i Xabi Alonsos nga Real Madridi përputhet plotësisht me kulturën e ashpër të klubit, edhe pse ai beson se trajnerëve duhet t’u jepet më shumë kohë për të ndërtuar ekipin.
Legjenda franceze theksoi se në “Santiago Bernabeu” nuk ka vend për durim të tepërt kur gjërat nuk funksionojnë.
“Real Madridi nuk ngurron të heqë qafe një trajner nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet. Ata kanë një mënyrë të caktuar se si i trajtojnë situatat në Madrid dhe kjo nuk do të ndryshojë”.
Henry bëri edhe dallimin mes të qenit trajner dhe menaxher në klubet elitare, duke theksuar presionin ekstrem që ekziston në nivelet më të larta.
“Kur je në një klub si Real Madridi apo Barcelona, gjykohesh nga rezultatet dhe nga mënyra se si luan. Aty respektohet fitorja dhe, fatkeqësisht, kur je trajner, nëse nuk fiton, atëherë je gabim”.
“Nga zhurmat që po dëgjojmë, disa nga lojtarët nuk ishin të kënaqur. Nuk po them se Xabi Alonso kishte gabim, por kur humb dhomat e zhveshjes, je në disavantazh të madh dhe gjithçka bëhet shumë e vështirë”.
Ai shtoi se në klube të tilla gjykimi është i pamëshirshëm dhe shumë i shpejtë.
“Në këto klube, nuk gjykohesh për atë që ke bërë, por për atë që nuk po bën. Ata do të të gjykojnë menjëherë”.
Manchester United kanë marrë një kërkesë nga Ajaxi për Manuel Ugarte, teksa afati kalimtar i janarit 2026 po hyn në javën e fundit.
Mesfushori uruguaian ka pasur rol dytësor këtë sezon në “Old Trafford”, duke u aktivizuar në 18 nga 24 ndeshje të mundshme në të gjitha garat, por vetëm në nëntë prej tyre si titullar.
Situata e tij mund të ndërlikohet edhe më shumë pas largimit të Ruben Amorim dhe emërimit të Michael Carrick si trajner i përkohshëm, zhvillim që i ka hapur rrugë Kobbie Mainoos për t’u rikthyer në formacionin bazë, pasi më herët ishte lënë në hije nga trajneri i mëparshëm.
Sipas “The Athletic”, Ajax kanë kontaktuar Manchester United për mundësinë e marrjes së Ugarte në formë huazimi deri në fund të sezonit. Gjiganti nga Amsterdami është në kërkim të një mesfushori tipik të pozicionit numër 6 për të forcuar repartin e mesit të fushës, por nuk dëshiron një zgjidhje afatgjatë.
Kjo lidhet me faktin se Jordi Cruyff, ish-sulmues i Barcelonës dhe Manchester United, pritet të nisë punën si drejtori i ri sportiv i Ajaxit nga fillimi i muajit të ardhshëm, çka e bën klubin të kujdesshëm në vendimet strategjike.
Megjithatë, Manchester United nuk duken të gatshëm të dobësojnë thellësinë e skuadrës në një moment kur nuk planifikohet afrimi i lojtarëve të rinj.
Djajtë e Kuq synojnë të transferojnë një mesfushor qendror përpara sezonit të ardhshëm, por muaji janar rrallëherë është i përshtatshëm për nënshkrime të mëdha. Negociatat për emra si Elliot Anderson, Carlos Baleba apo Adam Wharton konsiderohen tepër të ndërlikuara në këtë fazë.
Secili prej tyre vlerësohet potencialisht rreth 100 milionë funte (134.2 milionë dollarë), ndaj një operacion i tillë kërkon kohën dhe fleksibilitetin që ofron afati i verës.
Transferimi i vetëm për të cilin United raportohej se kishin interes këtë muaj ishte Antoine Semenyo, më shumë si një mundësi e favorshme për shkak të klauzolës së tij tërheqëse të lirimit sesa si nevojë emergjente.
Largimi i Ugarte në këtë moment do ta detyronte klubin të sillte një zëvendësues për të mbushur boshllëkun në skuadër. Edhe pse ka nisur pak ndeshje si titullar këtë sezon, uruguaiani mbetet alternativa e parë në mesfushën qendrore pas Casemiros dhe Mainoos./Telegrafi
Sulmuesi Ermal Krasniqi ka shënuar gol ndaj ish klubit, Sparta Pragë në miqësoren që zhvilloi Legia e Varshavës të enjten.
Legia barazoi në shtëpi me Spartën, sfidë që përfundoi me rezultat 3-3, ku ishin titullarë të dy yjet e Kosovës, Albion Rrahmani dhe Krasniqi.
Krasniqi në fakt edhe gjeti rrugën drejtë rrjetës, duke shënuar nga afërsia për ta ngushtuar epërsinë e mysafirëve.
Pas këtij goli, Legia arriti të shënojë edhe dy herë për ta përmbysur rezultatin prej 0-2 të Spartës, falë Zeëlakoë (18’) dhe Augustyniak (40’). Mirëpo, çekët arritën ta nxjerrin një barazim përmes Kuol (43’).
Ndërkohë, ndeshje të plotë zhvilloi edhe Albion Rrahmani, që pavarësisht disa përpjekjeve fatkeqësisht s’e gjeti rrugën drejtë golit.
Kujtojmë, sa i përket Krasniqit, Sparta ende ka kartonin e plot pasi vetëm e ka dërguar në formë huazimi te skuadra polake, me këta të fundit që ende nuk dihet nëse do ta aktivizojnë klauzolën e blerjes shkaku i gjendjes financiare./Telegrafi/
Marc Casado mund të largohet nga Barcelona gjatë këtij muaji, me Atletico Madrid që po shfaq interes serioz për mesfushorin katalanas.
Sipas gazetarit Ferran Martínez të “Mundo Deportivo”, situata e Casado në skuadrën e Hansi Flick është bërë gjithnjë e më e vështirë.
Mesfushori spanjoll ka humbur totalisht vendin në formacion, duke mbetur pas Frenkie de Jong, Pedri dhe madje edhe Eric Garcia në hierarkinë e mesfushës.
Ai nuk ka qenë titullar në asnjë ndeshje që prej muajit nëntor. Kjo mungesë hapësirash ka shtuar zërat për një largim të mundshëm para mbylljes së afatit kalimtar dimëror.
Atletico Madrid shihet si një nga destinacionet më konkrete. Drejtori Mateu Alemany e konsideron Casadon si zëvendësues ideal të Conor Gallagher dhe lojtari tashmë është në dijeni të interesimit të klubit madrilen.
Raportohet se ai nuk e sheh këtë opsion në mënyrë negative, pavarësisht se gjithmonë ka pasur prioritet qëndrimin te Barça.
Ndërkohë, edhe Manchester United dhe Wolverhampton janë duke monitoruar nga afër situatën e tij, në pritje të një mundësie për të ndërhyrë./Telegrafi
Një rast tronditës ka goditur futbollin e femrave në Angli, pasi Federata Angleze (FA) ka dënuar me 12 vite pezullim një ish-trajner të një skuadre të kategorisë së katërt.
Ryan Hamilton u shpall fajtor për dërgimin e mesazheve, fotografive dhe videove me përmbajtje eksplicite ndaj lojtareve dhe një anëtareje të stafit, sipas vendimit të publikuar nga FA pas një seance disiplinore muajin e kaluar.
Sipas dokumenteve të publikuara (përmes BBC), Hamilton përdori rrjetet sociale Snapchat dhe WhatsApp për të dërguar fotografi të organeve gjenitale dhe video ku shfaqej duke kryer akte seksuale me veten. Ai gjithashtu bëri në mënyrë të përsëritur sugjerime për marrëdhënie seksuale me lojtare, duke përmendur edhe ambientet e zhveshtoreve dhe zyrave të klubit.
Paneli disiplinor konstatoi se sjellja e tij nuk ishte vetëm me natyrë seksuale, por edhe psikologjikisht abuzive. Hamilton u përshkrua si një trajner me stil menaxhimi agresiv dhe bullizues, duke poshtëruar dhe nënçmuar lojtare deri në pikën që disa prej tyre refuzuan të vazhdonin të përfaqësonin klubin.
🚨 𝗡𝗘𝗪: Football coach banned for 12 years for sending explicit messages.
Pesë gra, përfshirë katër lojtare, dorëzuan ankesa në tetor 2024, duke ofruar atë që FA e cilësoi si “prova të besueshme dhe bindëse” për një periudhë dyvjeçare abuzimi.
Hamilton mohoi akuzat, por nuk bashkëpunoi plotësisht me hetimin dhe e ndërpreu intervistën e tij me FA përpara përfundimit.
Komisioni rregullator theksoi se ai nuk tregoi “asnjë reflektim, pendesë apo ndërgjegjësim” për dëmin e shkaktuar. Si rezultat, 23 nga 24 akuzat për sjellje të papërshtatshme u vërtetuan.
Kryetarja e panelit, Jane Bickerstaff KC, deklaroi se Hamilton kishte qenë në një pozitë besimi dhe autoriteti mbi lojtaret, të cilën e kishte keqpërdorur në mënyrë mizogjene dhe seksualisht të papranueshme. Ajo shtoi se ndalimi i menjëhershëm nga çdo aktivitet futbollistik ishte masa e vetme e duhur.
Hamilton u largua nga Sutton Coldfield Town Women në nëntor 2024. Çështja tashmë është mbyllur, ndërsa dënimi i FA dërgon një mesazh të fortë se sjellje të tilla nuk do të tolerohen në futboll./Telegrafi
Dro Fernandez do të largohet nga Barcelona gjatë këtij muaji janar për arsye thjesht sportive dhe jo ekonomike, raportojnë mediat spanjolle.
Sipas “QueThiJugues”, mesfushori i ri mendon se Barcelona nuk është ambienti i duhur për zhvillimin e tij në këtë fazë të karrierës, pasi konkurrenca në mesfushë është shumë e madhe dhe ka disa lojtarë përpara tij në hierarki.
Raporti shton se Dro ka arritur marrëveshje me PSG-në për një kontratë pesëvjeçare, pasi është bindur nga projekti sportiv i klubit francez.
Parisienët synojnë të rinovojnë mesfushën me lojtarë të rinj, ndërsa Fabian Ruiz raportohet se është shumë pranë largimit nga skuadra, çka do t’i hapë më shumë hapësira Dro Fernandez në ekipin e parë.
Ky lajm ka lënë të shtangur të gjithë te Barcelona, përfshirë edhe trajnerin Hansi Flick, që e kishte në planet afatgjatë lojtarin dhe provonte ta fuste në ekipin e parë sa herë që mundej.
Ndërkohë, edhe Barcelona raportohet se ka mbetur e zhgënjyer meqenëse e humbi lojtarin për vetëm disa miliona euro./Telegrafi/
Barcelona ka pësuar një humbje befasuese 2-1 ndaj Real Sociedad të dielën, në një ndeshje që katalunasit e dominuan pothuajse totalisht nga fillimi deri në fund.
Ky dështim i skuadrës blaugrane i dha mundësinë Real Madridit të afrohet në vetëm një pikë diferencë në garën për titull pas 20 javësh në La Liga.
Sipas raportimit të “The Athletic”, në Madrid tashmë ekziston bindja se kampionati është plotësisht i hapur dhe se “Los Blancos” mund ta përmbysin Barcelonën në pjesën e mbetur të sezonit, me edhe 18 ndeshje për t’u zhvilluar.
Humbja ndaj Sociedad i dha fund serisë prej 11 fitoreve radhazi të Barcelonës, duke rrëzuar idenë se skuadra e Hansi Flick është e pathyeshme këtë edicion.
Nga ana tjetër, edhe pse Real Madridi ka pasur luhatje në formë gjatë javëve të fundit, ardhja e trajnerit të ri ka rikthyer optimizmin në klub. Brenda skuadrës besohet se një seri pozitive është shumë pranë dhe se momenti për të marrë kreun mund të vijë shpejt.
Në “Bernabeu” tani e shohin Barcelonën si më të brishtë se më parë dhe janë të bindur se gara për titull do të marrë një kthesë të madhe në javët e ardhshme./Telegrafi
Sulmuesi Xherdan Shaqiri e ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të vitit 2025 në Basel.
Shaqiri ishte protagonisti kryesor vitin e kaluar, ku e ndihmoi Baselin ta fitojë titullin kampion si dhe Kupën e Zvicrës.
Me plot 21 gola dhe 22 asistime, ylli i Kosovës ishte çelësi që ju nevojitet Baselit për ta fituar titullin prandaj edhe me plot meritë, e mori epitetin e lojtarit më të mirë në botë për vitin 2025.
Çmimin kapitenit ia dha presidenti i Federatës Zvicerane, Peter Knabel, që e njeh Shaqën qysh prej kohës kur ishte kryesor në akademinë e Baselit.
Përpos Shaqirit, çmim mori edhe skuadra e Baselit, të cilët u shpallën “Ekipi i vitit 2025”.
Ndërkohë, Shaqa këtë edicion ka zhvilluar 20 paraqitje në të gjitha garat, ku ka kontribuar me gjashtë gola e nëntë asistime gjatë këtij procesi./Telegrafi