Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

Bolonja kërkoi yllin e Kosovës, problem kërkesa financiare e klubit polak

2 February 2026 at 14:22

PRISHTINË, 2 shkurt /ATSh/ Bolonja ka shprehur interesim për mbrojtësin e majtë të Kosovës, Dion Gallapenin. Klubi italian synonte të forconte skuadrën në ditën e fundit të afatit të transferimeve dimërore dhe kishte në shënjestër lojtarin e kombëtares së Kosovës.

Transferimi konsiderohet i pamundur për shkak të kërkesave financiare të vendosura nga klubi polak.

Klubi polak Widzew Lodzi në të cilin shërben Gallapeni i ka kërkuar 8 milionë euro, shifër kjo që nuk është e përballueshme për Bolonjan.

Sipas “Transfermarkt”, vlera e Gallapenit në tregun e transferimeve është 2.5 milionë euro.

21-vjeçari iu bashkua Lodzit në verën e kaluar nga Prishtina për 250 mijë euro, ku është paraqitur në 12 ndeshje dhe ka shënuar një gol.

Ndryshe, Gallapeni është pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe deri më tani ai ka bërë nëntë paraqitje për Dardanët por ende nuk e ka gjetur rrugën e golit.

/KosovaPress/

The post Bolonja kërkoi yllin e Kosovës, problem kërkesa financiare e klubit polak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tri medalje bronzi për Kosovën në garën ndërkombëtare “European Open”

2 February 2026 at 14:18

PRISHTINË, 2 shkurt /ATSh/ Përfaqësuesja e Kosovës në xhudo ka shënuar një paraqitje shumë të suksesshme në garën ndërkombëtare “European Open”, duke u kthyer nga Sofja me tri medalje bronzi dhe disa rezultatet të larta, në një turne ku konkurrenca për medalje ishte më e madhe se kurrë.

Në këtë garë, sportistët kosovarë fituan tri medalje të bronzta përmes Erza Muminoviqit në kategorinë deri në 48 kilogramë, Fatjona Kasapit në 52 kilogramë dhe Flaka Loxhës në 57 kilogramë. Krahas medaljeve, Laurina Gashi (52 kg), Dardan Cena (73 kg) dhe Shpati Zekaj (100 kg) u renditën në vendin e pestë, ndërsa Enise Zijade (57 kg) përfundoi në vendin e shtatë.

Edhe pse pa medalje, Sidorela dhe Anesi regjistruan fitore të rëndësishme gjatë garës, duke dëshmuar potencialin e tyre për të ardhmen dhe

Paraqitja në Sofje vlerësohet si një provë shumë e mirë dhe nxemje ideale për sfidën e radhës, Grand Slamin e Parisit, që do të zhvillohet javën e ardhshme, ku xhudistët kosovarë pritet të synojnë rezultate të tjera të mëdha në arenën ndërkombëtare.

/KosovaPress//r.e/

The post Tri medalje bronzi për Kosovën në garën ndërkombëtare “European Open” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bogujevci: Kosova do t’i organizojë me sukses Lojërat Mesdhetare dhe do të fitojë medalje

2 February 2026 at 10:55

PRISHTINË, 31 janar /ATSh/Mehmet Bogujevci, ish-boksier dhe kampion i Lojërave Mesdhetare, vlerëson se Kosova ka potencialin dhe kapacitetet njerëzore për të organizuar me sukses Lojërat Mesdhetare.

Bogujevci, i cili në vitin 1979 fitoi medaljen e artë në kategorinë welterweight (deri në 67 kilogramë) për përfaqësuesen e Jugosllavisë në Lojërat Mesdhetare të mbajtura në Split, ka ndarë vlerësimet e tij për sfidat organizative dhe pritshmëritë nga sportistët kosovarë.

Sipas Bogujevcit, organizimi i Lojërave Mesdhetare përbën një obligim të madh për çdo shtet pritës, pasi kërkon kushte të shumta infrastrukturore dhe logjistike. Ai ka theksuar se rritja e numrit të shteteve pjesëmarrëse e shton edhe më shumë kompleksitetin e organizimit, duke e bërë të domosdoshëm ndërtimin e fshatit olimpik, sigurimin e akomodimit dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për pritje dhe shoqërim të delegacioneve.

Bogujevci ka shprehur bindjen se KOK-u posedon ekipin e duhur profesional për të përballuar një ngjarje të përmasave të Lojërave Mesdhetare, ndërsa ka theksuar se mbështetja institucionale e shtetit do të jetë vendimtare për suksesin e këtij organizimi.

“Është shumë angazhim i madh. Kërkohen shumë kushte sepse këtu janë 25 a 26 shtete, sepse 24 kanë qenë atëherë kur kam luajtur. Tash 26 shtete, rritet numri i pjesëmarrësve. Është shumë problem, kushtet, fshati olimpik duhet, vendosja. Tani pritja, shoqërimi, duhet pasur njerëz që dinë me fol edhe gjuhën e tyre. Ka obligime, probleme të mëdha, por shpresoj që me ndihmën e shtetit mund t’i organizojmë. Komiteti Olimpik i Kosovës është një organizatë jashtëzakonisht e mirëorganizuar…edhe shpresoj dhe jo vetëm që shpresoj, por jam i bindur se do t’i organizojmë mirë se ka ekipin e njerëzve Komiteti Olimpik, të cilët janë të aftë për t’i organizuar”, thotë Bogujevci.

Duke folur për aspektin sportiv, Bogujevci ka deklaruar se Kosova nuk do të mbetet pa medalje në Lojërat Mesdhetare. Ai ka veçuar xhudon si disiplinë me nivel të lartë botëror, falë rezultateve të vazhdueshme ndërkombëtare, veçanërisht në konkurrencën e femrave. Po ashtu, ai ka përmendur edhe sporte të tjera individuale si boksi, mundja, atletika dhe noti, duke theksuar se përgatitjet për sportistët potencialë duhet të nisin menjëherë.

“Ne e kemi xhudon pa problem, e kemi Driton Kuka, nuk kemi problem, pa medalje nuk mbetemi sepse kemi nivel botëror, vajzat tona janë, xhudistet, është në kulmin e sportit botëror, kështu që, por kemi edhe të tjera sporte, boksi e, sporte të tjera, mundja, sportet individuale, atletike, noti, kemi kandidatë të cilët duhet të përgatiten. Koha është të fillohet me përgatitje që kandidatët potencial, ata që premtojnë, duhet të fillojnë tani. Sot, nesër është vonë. Sot duhet të fillojnë”, deklaron Bogujevci.

Duke folur për KosovaPress, Bogujevci ka ndarë përvojën e tij personale nga Lojërat Mesdhetare në Split, ku garoi në rrethana të veçanta, pasi në atë kohë ishte ushtar. Ai ka kujtuar se, pavarësisht angazhimeve ushtarake, arriti të stërvitej dhe të paraqitej në garë, ku suksesi i tij i siguroi medaljen dhe kualifikimin për Lojërat Olimpike.

Bogujevci ka theksuar se përgatitja e tij ishte kyçe për suksesin, duke përmendur një periudhë tre mujore përgatitjeje intensive në një qendër sportive në Beograd.

Ai ka rikujtuar edhe përballjet e forta në ring, përfshirë një gjysmëfinale problematike, e cila u mbyll me diskualifikimin e kundërshtarit, duke e çuar atë drejt medaljes.

Lojërat Mesdhetare janë një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive shumëdisiplinore në rajon, që përtej garës sportive bartin mesazhe bashkëpunimi, zhvillimi dhe diplomacie sportive. Organizimi i tyre në Kosovë në vitin 2030 paraqet një moment historik për sportin dhe shtetin, duke e vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare dhe duke hapur rrugë për investime afatgjata në infrastrukturë, përvojë organizative dhe promovim të imazhit të Kosovës përmes sportit.

/KosovaPress/

The post Bogujevci: Kosova do t’i organizojë me sukses Lojërat Mesdhetare dhe do të fitojë medalje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Schieder: Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipëria në BE brenda vitit 2029

31 January 2026 at 12:17

TIRANË, 31 janar/ATSh/ Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, deklaroi sot nga Vlora se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mund të realizohet brenda kësaj dekade.

Sipas tij, nëse Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria vijojnë me këtë ritëm përmbushjen e reformave, anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të realizohet brenda mandatit aktual të Parlamentit Evropian, që është në vitin 2029.

I pranishëm në forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, organizuar nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, ndërsa pjesë ishin edhe ambasadorët të BE të akredituar në vend, ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, Schieder tha se Evropa do të jetë e plotë vetëm kur i gjithë Ballkani Perëndimor dhe veçanërisht Shqipëria të jenë pjesë e saj.

“BE mbetet projekti më i madh politik ndonjëherë,” tha Schieder në fillim të fjalës së tij.

Ai më tej vlerësoi se: “Procesi i anëtarësimit në BE është shansi i vetëm që kemi në këtë brez. Plotësimi i BE-së nuk do të përfundojë derisa Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e tij dhe veçanërisht Shqipëria, që ka qëndruar gjatë në sallën e pritjes, të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Shqipëria natyrisht vendosi që nga momenti që iu dha statusi i vendit kandidat të ecte shpejt dhe të ndërmerrte reforma. Prandaj ne shohim mënyrën sesi flitet në Bruksel, me grupkapituj, të cilët nuk janë dëgjuar më parë, si dhe miratimin e ligjeve në Shqipëri që na afrojnë më pranë BE-së,” shtoi Schieder.

Sipas raportuesit të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, integrimi në BE lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Përtej teknikaliteteve, që lidhen me sistemin gjyqësor, modernizimin e ekonomisë, administratën publike, rritjen e transparencës në media, arsimin etj., anëtarësimi në BE do të thotë që qytetarët të kenë një standard jetese më të lartë, sidomos të rinjtë, duke sjellë përfitime, sfida, por edhe përgjegjësi në çdo fushë,” tha Schieder.

“Integrimi në BE nuk është vetëm projekt i qeverisë, por i të gjithë shoqërisë: biznesit, të punësuarve, studentëve, nxënësve, pedagogëve, i çdo qytetari. Të gjithë duhet të flasin për këtë projekt. Kjo ishte një ëndërr në vitet ’90 dhe ne si Austri e kishim këtë ëndërr kur para se të ishim pjesë e BE. E gjej këtë ëndërr edhe në Shqipëri. Besoj se zgjerimi nuk është vetëm përpjekje e Shqipërisë, por një shans për të gjithë BE-në,” shtoi ai.

“Unë them se Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria kanë bërë një punë shumë të mirë. Nëse ritmi vijon kështu dhe nis mbyllja e kapitujve, duke i kthyer reformat në punë konkrete në shoqëri, në fund të kësaj dekade do të mund të arrijmë objektivin. Mandati ynë në Parlamentin Evropian është deri në vitin 2029, dhe duam që Shqipëria të bëhet shtet anëtar brenda këtij mandati të parlamentit Evropian, pra deri në vitin 2029,” përfundoi Schieder.

Sakaq, Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, të premten mori titlluin “Doktor” nga Universiteti i Vlorës, Ismail Qemali.

The post Schieder: Nëse vijon me këtë ritëm reformash, Shqipëria në BE brenda vitit 2029 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjidhet sot kryetari i ri i LDK, kandidatët në garë

31 January 2026 at 09:52

PRISHTINË, 31 janar /ATSh/ 355 delegatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen sot për të diskutuar dorëheqjen e kryetarit, Lumir Abdixhiku dhe hapjen e garës për kreun e ri të partisë.

Kuvendi nis në orën 12:00 në njërën nga hotelet në Prishtinë. Megjithëse Kuvendi është thirrur vetëm për votëbesimin ndaj Abdixhikut, anëtari i Kryesisë së LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, shpalli kandidaturën e tij për kryetar të kësaj partie më 25 janar.

Hoti është zotuar se nëse merr besimin për ta udhëhequr LDK-në, do të drejtojë një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, në përputhje të plotë me Statutin e partisë, duke garantuar pjesëmarrje aktive të të gjitha strukturave dhe forumeve.

Ai ka theksuar se synimi i tij është ndërtimi i një LDK-je të hapur, të drejtë dhe konkurruese, ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim, me fokus të veçantë në përfshirjen e profesionistëve, grave dhe të rinjve.

Ambicie të tilla janë konsideruar legjitime nga bashkëpartiakë të Hotit, megjithatë theksojnë se ky është një proces tjetër që derivon nga vota pro apo kundër Abdixhikut.

Kurse, ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka deklaruar se nuk ka dashur të përfshihet në debatet publike lidhur me rezultatin zgjedhor dhe zhvillimet aktuale brenda LDK-së, duke theksuar se përgjegjësia për rezultatet është çështje etike dhe duhet të trajtohet brenda organeve vendimmarrëse të partisë.

Sipas Mustafës, Kuvendi i LDK-së, si organi më i lartë vendimmarrës, duhet të garantojë orientimin e qartë ideologjik të partisë si subjekt konservator i qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik, si dhe të shmangë përdorimin e LDK-së si platformë për interesa të tjera politike.

“Në LDK askush nuk është i tepërt. Përgjegjësia duhet të trajtohet si standard normal i etikës demokratike, ku rezultati ka pasojë,” ka përfunduar Mustafa.

Përndryshe, anëtarët e kryesisë së LDK-së kanë thënë se edhe Ismet Beqiri ka paralajmëruar se sot në Kuvend do ta bëjë publike kandidaturën e tij për kryetar.

/KosovaPress/

The post Zgjidhet sot kryetari i ri i LDK, kandidatët në garë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urban: Shqipëria, rival i fortë në “play-off”-in e Botërorit

31 January 2026 at 09:34

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Kombëtarja Shqiptare e futbollit do të përballet më 26 mars me Poloninë në Varshavë. Sfida e vlefshme për “play-off”-in e Kupës së Botës, që do të zhvillohet këtë verë në ShBA, Kanada dhe Meksikë, e sheh ekipin kuqezi përballë një transfere të vështirë, në përpjekje për të siguruar një biletë mes finalistëve të Botërorit të futbollit.

Trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka komentuar situatën në ekipin e tij, ndërsa thekson se Shqipëria është një rival i fortë dhe që nuk duhet nënvlerësuar.

Në një intervistë për “TVP Sport”, me gazetarin Robert Błoński, Urban vëren se Shqipëria u ka shkaktuar probleme polakëve në përballjet e fundit.

“Shqipërinë e njohim më së miri, sepse u përballëm me të në eliminatoret e EURO 2024 dhe të Kupës së Botës 2022. Është kundërshtari më i rëndësishëm, pasi me të luajmë ndeshjen e parë. Ata kanë një ekip me lojtarë teknikisht të përgatitur mirë, që pëson pak gola, por edhe shënon pak. Janë të organizuar dhe të disiplinuar, luajnë në Itali, por edhe në klube aziatike. Janë futbollistë solidë dhe jo rastësisht na shkaktuan probleme rreth dy vite më parë, kur na mundën 2:0 në Tiranë”, theksoi Urban.

Sa i përket Suedisë dhe Ukrainës, ai shtoi se ende nuk është e qartë se me cilën skuadër do të ishte më e favorshme përballja në finale.

“Nëse shohim vetëm eliminatoret, përgjigjja do të ishte e thjeshtë: Suedia ishte më e dobët, pasi nuk fitoi asnjë nga gjashtë ndeshjet. Por ata kanë ende lojtarë shumë të mirë që aktivizohen në klube të forta evropiane. Kohët e fundit diçka nuk funksiononte, por nuk e di çfarë. Në vjeshtë ndërruan trajnerin dhe nën drejtimin e Graham Potter mund të rikthehen në çdo moment në nivelin që u përshtatet aftësive të lojtarëve. Ajo që bënë në eliminatore – katër humbje dhe dy barazime – nuk ishte normale”, tha ai.

Trajneri vijoi më tej duke theksuar se Ukraina paraqet një nivel të ngjashëm me Poloninë, Suedinë dhe Shqipërinë.

“Për kualifikimin do të vendosin detajet, aftësitë dhe individualitetet. Sot mund të themi se lojtarët tanë po luajnë mirë në klube, por ‘play-off’-et janë vetëm pas dy muajsh. Prandaj të mos jetojmë me ditën e sotme, sepse situata mund të ndryshojë në çdo moment – dhe ndryshon. Është dinamike. Nuk duhet të lejojmë të na befasojë asnjë rrethanë”, nënvizoi Urban.

/a.f/

The post Urban: Shqipëria, rival i fortë në “play-off”-in e Botërorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot i qëndrueshëm, vranësira dhe reshje të dobëta lokale në zonat malore

31 January 2026 at 07:30

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se gjatë ditës së shtunë moti në vendin tonë pritet të jetë kryesisht i qëndrueshëm.

Një rënie e lehtë e temperaturave parashikohet në qarqet Dibër dhe Korçë, ku temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë në rreth 8 gradë Celsius.

Në pjesën tjetër të territorit, moti pritet të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Parashikohen vranësira mesatare deri të dendura, me alternime të herëpashershme me kthjellime. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu afatshkurtra, të izoluara dhe të dobëta, kryesisht në zonat malore të vendit, nga orët e mesditës deri në ato të pasdites.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e saj do të arrijë deri në 12 m/s, duke shoqëruar valëzimin në dete të forcës 1-3 ballë.Parashikimi i motit për të shtunën datë 31 janar 2026

/r.e/

The post Moti sot i qëndrueshëm, vranësira dhe reshje të dobëta lokale në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përparim Rama mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt

30 January 2026 at 20:27

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.

Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Rama me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.

Sipas një njoftimi, përfaqësuesja e platformës, Eliza Hoxha e vlerësoi mbështetjen institucionale që po merr marshi nëpër Kosovë.

“Mbështetja nga kryeqyteti është dëshmi se kjo kauzë i përket ndërgjegjes qytetare. Marshi “Drejtësi, jo politikë” është thirrje paqësore për drejtësi të paanshme dhe për respektimin e së vërtetës sonë historike”, tha Hoxha.

Edhe përfaqësuesi tjetër i platformës, Ismail Tasholli theksoi rëndësinë e mobilizimit gjithëpërfshirës.

“Ky Marsh nuk është kundër drejtësisë, por kundër politizimit të saj. Më 17 shkurt marshojmë si qytetarë, për dinjitetin e luftës çlirimtare dhe për drejtësi joselektive”, tha Tasholli.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama tha se lufta e e UÇK-së ishte luftë e drejtë e lindur nga populli.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Prishtinës t’i bashkohen masovisht Marshit për drejtësi, në shenjë solidarizimi me çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, shtoi Rama.

Platforma “Liria ka Emër” do të vazhdojë takimet dhe aktivitetet në tërë komunat e Kosovës, me synimin e një mobilizimi sa më të gjerë qytetar për Marshin e 17 shkurtit në Prishtinë, nën moton “Drejtësi, jo politikë”.

/KosovaPress//r.e/

The post Përparim Rama mbështet Marshin “Drejtësi, jo politikë” më 17 shkurt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Asllani drejt firmës me Beshiktash

30 January 2026 at 19:57

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Mesfushori i Kombëtares Shqiptare, Kristjan Asllani është pranë transferimit te Beshiktash në Superligën turke të futbollit.

Futbollisti 23-vjeçar, pas transferimit në formë huazimi në fillim të sezonit nga Interi te Torino në Serinë A, tashmë ndryshon sërish skuadër, duke u bërë gati të hedhë firmën për ekipin turk të Beshiktashit.

Asllani ka mbërritur sot në Stamboll, ku pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore dhe më pas të firmosë kontratën 6-mujore me klubin turk, i cili ka publikuar edhe pamjet e para të mesfushorit shqiptar me fanellën e Beshiktashit.

“Kristjan Asllani, futbollisti profesionist me të cilin kemi nisur negociatat për transferimin, ka mbërritur në Stamboll për të vijuar bisedimet dhe për të kaluar kontrollin mjekësor”, njofton klubi turk.

23-vjeçari me origjinë nga Elbasani nuk arriti të shkëlqejë në fazën e parë të sezonit te Torino, por tashmë do të ketë në dispozicion gjithë fazën e dytë për të bindur trajnerin Sergen Yalçın dhe drejtuesit e klubit turk për një transferim përfundimtar.

Beshiktashi do të paguajë pagën e plotë të futbollistit shqiptar për periudhën që do ta ketë në dispozicion, ndërsa gjatë verës së ardhshme mund ta blejë nga Interi, pasi palët kanë përfshirë në kontratë edhe një opsion për blerjejen përfundimtare të të drejtave sportive të mesfushorit, por jo me detyrim.

/a.f/r.e/

The post Asllani drejt firmës me Beshiktash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku tërhiqen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës

30 January 2026 at 18:54

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka miratuar sot vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës, me 12 vota pro dhe dy vota kundër. Aty është anuluar edhe vendimi i Kuvendit Komunal të mëparshëm që kishte shumicë shqiptare, me të cilin ishin emëruar 87 rrugë.

Në seancën e kaluar, të mbajtur më 18 dhjetor, me kërkesë të kryetarit të sapozgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, ishte miratuar kërkesa për daljen e komunës nga AKK. Megjithatë, sot u votua sërish për të njëjtën kërkesë, pasi ajo ishte kthyer nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, me arsyetimin se “procedura nuk kishte qenë si duhet”.

Zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Aida Doli Ferati, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet vendimi për tërheqje nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke thënë se ky veprim nuk po bëhet në interes të qytetarëve.

Ajo theksoi se vendimi po shtyhet më shumë për arsye politike, duke e konsideruar të papranueshme që të përdoret retorika e “të mirës së qytetarëve”, ndërkohë që, sipas saj, veprimet nuk janë në atë drejtim.

Anëtari i Kuvendit të Komunës i iniciativës “Veriu për të gjithë”, Marko Jakshiç, tha se mbështet vendimin dhe procedurat e ndjekura, por vuri në dukje se ka situata të komplikuara kur disa komunitete nuk pajtohen me shumicën.

Gjatë seancës së sotme në Kuvendi Komunal të Mitrovicës së Veriut është miratuar edhe propozim-vendimin për shfuqizimin e Vendimit për miratimin e listës për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave të tjera publike në këtë komunë, i cili ishte marrë nga përbërja e kaluar e kuvendit, më 25 gusht të vitit të kaluar, kur ishin ndryshuar emrat e 87 rrugëve.

Për shfuqizimin e këtij vendimi votuan 12 asamblistë, ndërsa dy ishin kundër.

Marko Jakshiç nga iniciativa “Veriu për të gjithë”, gjithashtu theksoi se vendimi ishte marrë pa konsultime dhe se disa emra rrugësh ishin të papërshtatshëm, duke kërkuar rikthimin e gjendjes në mënyrë që të mos dëmtohej asnjë qytetar, pavarësisht komunitetit.

Jakshiç gjithashtu kërkoi që procedura të bëhet më me kujdes në mënyrë për të shmangur refuzimin e vendimit nga Ministria.

Asamblisti nga Partia Demokratike e Kosovës, Emir Azemi tha se emërtimi i rrugëve ku jetojnë komunitete të ndryshme është i ndërlikuar dhe se problemi nuk është vetëm i serbëve, por edhe i shqiptarëve.

Po ashtu, edhe Komuna e Zubin Potokut ka miratuar vendimin për tërheqjen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës (AKK).

Këtë e konfirmoi për KosovaPress asamblisti nga rradhët e Vetëvendosjes, Vedat Mehmeti, i cili tha se për këtë vendim është votuar dhe vetëm dy asamblistë kanë qenë kundër.

/Kosovapress/

The post Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku tërhiqen nga Asociacioni e Komunave të Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mitrovica e Veriut shfuqizon vendimin e kuvendit të kaluar komunal për emërtimin e 87 rrugëve

30 January 2026 at 18:48

PRISHTINË, 30 janar /ATSh/ Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut në seancën e sotme ka miratuar propozimin për shfuqizimin e vendimit për miratimin e listës për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe hapësirave publike në këtë komunë, i cili ishte marrë nga përbërja e kaluar e kuvendit.

Për shfuqizimin e këtij vendimi votuan 12 asamblistë, ndërsa dy ishin kundër.

Vendimi për rrugët ishte marrë më 25 gusht të vitit të kaluar, kur kuvendi përbëhej nga shumica shqiptare, vendim ky me të cilin ishin ndryshuar emrat e 87 rrugëve, gjë që proceduralisht ishte pranuar nga ministria.

Megjithatë, me të marrë pushtetin, Lista Serbe kërkoi që ai vendim të shfuqizohet, gjë që ndodhi sot.

Lidhur me këtë, ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Nexhat Ugljani, ka deklaruar për KosovaPress, se procesi i emërtimit të rrugëve është zhvilluar në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit të qeverisjes lokale.

Ai thekson se Lista Serbe do të ndjekë rrugën juridike për vendimet e kontestuara dhe se të gjitha vendimet e marra nga Kuvendi kanë qenë në përputhje me ligjin për vetëqeverisjen lokale.

Ish-kryesuesi shtoi se ministria do të vendosë për sa i përket vendimit të sotëm, pasi emërimi i rrugëve për 10 vite ka përfunduar.

/KosovaPress//r.e/

The post Mitrovica e Veriut shfuqizon vendimin e kuvendit të kaluar komunal për emërtimin e 87 rrugëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Veliaj kërkon në GjKKO ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”

30 January 2026 at 18:14

TIRANË, 30 janar/ATSh/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar në Gjykatën Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GjKKO) kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Veliaj i cili ndodhet në “arrest me burg”, që prej 10 shkurtit 2025, kërkon rishimikimin e masës së sigurisë. Kërkesa do të shqyrtohet nga gjyqtarja Etleva Deda.

Kërkesë vjen pas përfundimit të hetimit ndaj Veliajt dhe dërgimit të dosjes në gjykatë për fillimin e gjykimit të dosjes në ngarkim të tij dhe të pandehurve të tjerë në themel.

Sipas SPAK ndaj Veliajt rendojnë 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Po ashtu për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri.

/a.f/r.e/

The post Veliaj kërkon në GjKKO ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partizani zyrtarizon një tjetër sulmues, Shabani firmos për 18 muaj

30 January 2026 at 15:55

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Partizani ka zyrtarizuar përforcimin e radhës në repartin e avancuar. Bëhet fjalë për sulmuesin Laorent Shabani, i cili gjatë karrierës së tij ka përfaqësuar edhe Kombëtaren shqiptare U-21.

Klubi i kuq njofton se ka nënshkruar me lojtarin një kontratë 18-mujore, ndërsa afrimi i tij vjen me kosto zero për “demat e kuq”, pasi futbollisti, i formuar në Suedi, ka përfunduar kontratën që e lidhte me skuadrën e Norrköping.

“Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me Laorent Shabanin. Ish-sulmuesi i ekipit tonë përfaqësues U-21 është zyrtarisht pjesë e të kuqve. 26-vjeçari ka nënshkruar një kontratë për një vit e gjysmë.

Sulmuesi i krahut, i prezantuar sot nga drejtori sportiv Agim Ibraimi, është formuar si lojtar në Suedi, ku ka aktivizuar për shumë vite në futbollin nordik dhe ka spikatur me paraqitjet e tij. Shabani i bashkohet Partizanit si lojtar i lirë, pasi mbylli së fundmi bashkëpunimin me ekipin e Norrköping”, njofton klubi i Partizanit.

Partizani firmos me Laorent Shabanin
1 nga 4
Partizani firmos me Laorent Shabanin

/a.f/

The post Partizani zyrtarizon një tjetër sulmues, Shabani firmos për 18 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot mot i paqëndrueshëm, rritje e lehtë e temperaturave

30 January 2026 at 07:30

TIRANË, 30 janar/ATSh/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se gjatë ditës së sotme do të ketë një përmirësim të lehtë të temperaturave në krahasim me të enjten, teksa kushtet atmosferike mbeten të paqëndrueshme.

Sipas parashikimit, moti pritet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe intervale të herëpashershme me diell, kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Reshjet e shiut parashikohen të jenë të herëpashershme që prej orëve të para të 24-orëshit deri në orët e mesditës, në pjesën më të madhe të vendit, me intensitet të ulët. Pas orëve të mesditës, reshjet e shiut me intensitet të ulët mbeten prezente në veri dhe në qendër të vendit.

Në lartësitë mbi 700–800 metra, në veri dhe verilindje, priten reshje bore me intensitet të ulët deri mesatar.

Era do të fryjë me drejtim jugperëndim-perëndim, me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e erës do të arrijë deri në 12 m/s, duke u shoqëruar me valëzim në det të forcës 2-3 ballë.

Temperaturat minimale pritet të regjistrohen në Dibër, 4 gradë Celsius, dhe në Korçë, 3 gradë Celsius. Temperatura maksimale pritet të regjistrohet në Gjirokastër, 15 gradë Celsius, ndërsa në Sarandë dhe Vlorë maksimalja do të jetë 14 gradë Celsius.

Parashikimi i temperaturave sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak/a.f/r.e/

The post Sot mot i paqëndrueshëm, rritje e lehtë e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kontingjenti i ri bullgar niset për në Kosovë në kuadër të KFOR-it

29 January 2026 at 21:06

PRISHTINË, 29 janar /ATSh/ Me një ceremoni solemne të enjten në Pleven, një kontingjent i ri bullgar u dërgua në Komandën Rajonale të KFOR-it-Perëndim (RC-Ë).

Në ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Mbrojtjes Radoslav Iliev, zëvendësshefi i Mbrojtjes gjenerallejtënant Krasimir Kanev, komandanti i Forcave Tokësore gjeneralmajor Deyan Deshkov, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta, kundëradmirali Galin Manev dhe përfaqësues të autoriteteve lokale dhe shtetërore.

Në fillim të ceremonisë, Kanev shqyrtoi trupat. Një bekim për shëndet dhe sukses në mision u krye nga Ati Krasimir Krastev nga Kisha e Trinisë së Shenjtë në Pleven. “Shërbimi i paqes është shërbim i Zotit”, tha prifti. “Është një nder dhe privilegj i madh për mua të jem me ju në këtë moment solemn. Pjesëmarrja në operacionin e NATO-s në Kosovë është një detyrë shumë e përgjegjshme me rëndësi për sigurinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Misioni juaj është të siguroni, garantoni dhe demonstroni aftësitë e Aleancës për të ruajtur sigurinë dhe rendin në rajon. Ju do t’i kryeni detyrat tuaja në një format aleat. Rëndësia e misionit tuaj theksohet gjithashtu nga realitetet e reja, kompleksiteti, dinamika dhe mjedisi i vështirë i sigurisë në të cilin jetojmë sot”, tha Iliev në përshëndetjen e tij drejtuar personelit ushtarak.

“Në kontekstin e ndryshimeve gjithnjë e më dinamike në peizazhin politik dhe ekonomik global, me konfliktet ekzistuese që po dëshmohen të vështira për t’u zgjidhur dhe faktorin ushtarak që po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, përvoja që fitoni në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit do të bëhet gjithnjë e më e vlefshme”, tha Kanev në përshëndetjen e tij drejtuar pjesëmarrësve në kontingjentin ushtarak. Ai shtoi se përvoja e fituar në misione të tilla është e rëndësishme jo vetëm për detyrat që personeli ushtarak do të ketë në Kosovë, por edhe për karrierën e tyre të ardhshme profesionale.

Ceremonia përfundoi me një marshim solemn të kontingjentit ushtarak përmes Sheshit Vazrazhdane, shkruan BTA.

Formacioni, me komandant Kapiten Georgi Valkanov, përbëhet nga 97 personel ushtarak. Ai do të vendoset në Kampin Villaggio Italia, i vendosur pranë Pejës në pjesën perëndimore të Kosovës.

Për gjashtë muaj, personeli ushtarak bullgar do të kryejë detyrat e tij në pozicione brenda elementit të mbështetjes kombëtare, si personel ushtarak në selinë e Komandës Rajonale të KFOR-it-Perëndim (RC-W) dhe si një kompani manovrimi me një seksion logjistik dhe një njësi mjekësore brenda batalionit shumëkombësh të RC-W të misionit ndërkombëtar paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

/KosovaPress/

The post Kontingjenti i ri bullgar niset për në Kosovë në kuadër të KFOR-it appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pret të ngarkuarën me punë të ShBA: Kosova e përkushtuar për paqe dhe siguri ndërkombëtare

29 January 2026 at 17:52

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, njofton zyra e shtypit e Presidencës së Kosovës.

Sipas njoftimit për mediet, gjatë takimit u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për zhvillimet e fundit në vend.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani theksoi se linjëzimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë gjithmonë vendimi i duhur dhe strategjik. Ajo nënvizoi se Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe mbetet e gatshme të japë kontribut konkret dhe të përgjegjshëm në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë.

Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në kuadër të bashkëpunimit bilateral, si dhe për agjendën ndërkombëtare të Presidentes në muajt në vijim.

Presidentja e Kosovës, Osmani priti të ngarkuarën me punë të ShBA në Kosovë
1 nga 2
Presidentja e Kosovës, Osmani priti të ngarkuarën me punë të ShBA në Kosovë

/a.f/r.e/

The post Osmani pret të ngarkuarën me punë të ShBA: Kosova e përkushtuar për paqe dhe siguri ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rifillon lëvizja e kamionëve nga Kosova drejt Malit të Zi pas heqjes së bllokadës

29 January 2026 at 17:26

PRISHTINË, 29 janar /ATSh/ Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar (QKMK) e Kosovës ka njoftuar se kanë filluar lëvizjet e kamionëve në drejtim të Malit të Zi, pas heqjes së bllokadës në territorin e këtij shteti.

Sipas njoftimit zyrtar, situata në pikat kufitare është normalizuar dhe qarkullimi i mjeteve të rënda po zhvillohet pa pengesa.

Nga QKMK u bëhet thirrje operatorëve dhe qytetarëve që për informata shtesë të kontaktojnë në numrat +383 45 198 000, +383 45 198 606, ose në numrin pa pagesë 0800 500 95.

/KosovaPress//r.e/

The post Rifillon lëvizja e kamionëve nga Kosova drejt Malit të Zi pas heqjes së bllokadës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulmuesi Fadairo firmos me Partizanin

29 January 2026 at 17:24

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Partizani përforcon sulmin. Klubi kryeqytetas bën të ditur në një njoftim për mediet se ka nënshkruar me sulmuesin David Fadairo.

25-vjeçari ka firmosur kontratë për një vit e gjysmë, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.

“FK Partizani me kënaqësi zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me David Fadairo. Sulmuesi 25-vjeçar i bashkohet të kuqve pas aventurës gjatë këtij sezoni me Teutën, skuadër me të cilën u aktivizua 20 ndeshje në kampionat dhe Kupë. Fadairo pritet të sjellë më shumë cilësi dhe konkurrencë në repartin ofensiv”, përfundon njoftimi i klubit.

1 nga 5

/r.e/

The post Sulmuesi Fadairo firmos me Partizanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i paqëndrueshëm, reshje shiu dhe dëbore në zonat malore

29 January 2026 at 07:30

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Temperaturat do të variojnë nga 2 gradë Celsius minimalja, në qarqet Dibër dhe Korçë, deri në 14 gradë Celsius maksimalja në Ultësirën Perëndimore, përfshirë Tiranën dhe Durrësin.

Reshjet parashikohen në të gjithë territorin e vendit. Në zonat malore, konkretisht në Kukës, Dibër dhe Korçë, do të ketë edhe reshje dëbore. Moti do të shoqërohet me intervale të herëpashershme me diell, kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore.

Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në zonat jugore, reshjet do të shfaqen në periudha afatshkurtra, me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave.

Në zonën e Alpeve, në verilindje mbi 900-1000 metra dhe në juglindje mbi 1000-1100 metra lartësi, priten reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar, kryesisht në juglindje.

Era do të fryjë me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore shpejtësia e saj do të arrijë deri në 15 m/s. Detet parashikohen me valëzim të forcës 2-4 ballë./r.e/

The post Mot i paqëndrueshëm, reshje shiu dhe dëbore në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha: Vendimi i Kushtetueses për Rashiçin bie ndesh me Kushtetutën

28 January 2026 at 22:43

PRISHTINË, 28 janar /ATSh/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiçit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit ka qenë antikushtetuese.

Basha e ka cilësuar këtë vendim me gabime thelbësore dhe në shpërputhje me Kushtetutën.

Në reagimin e tij, Dimal Basha ka ka shkruar se aktgjykimi bie ndesh me Kushtetutën dhe përmban, sipas tij, interpretime të gabuara të Rregullores së Kuvendit, duke shtuar se Gjykata ka tejkaluar kompetencat e saj.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, reagon lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin përzgjedhjes së Nenad Rashiçit si nënkryetar.

“Më herët pranova Njoftimin për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO325/25, dhe vlerësoj se i njejti është në shpërputhje me Kushtetutën (67.4) dhe përmban gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse. E para, Gjykata Kushtetuese nuk ka mandat për t’i dhënë interpretime Rregullores së Kuvendit, sepse Rregullorja e Kuvendit është mëse e qartë, ku në nenin 16, paragrafin 4, shprehet tekstualisht se është Kryetari i Kuvendit ai i cili “bën interpretimin përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.” Gjykata në rastin e sotëm nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka intepretuar frymën e Rregullores së Kuvendit, për të cilën nuk ka mandat“, shkruan ai.

Sipas tij, Gjykata, në njoftimin e saj thekson se “z. Nenad Rashiç në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nuk ka ardhur si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, si dhe nuk ka pasur refuzim për të shfrytëzuar këtë të drejtë nga ana e shumicës së deputetëve nga radhët e komunitetit serb”.

“Fillimisht, duhet theksuar se është e vërtetë që z. Rashiç nuk ka ardhur në pozitën e tij si propozim nga shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb, dhe kjo në vetvete e vërteton se nuk ka pasur propozim nga shumica e këtyre deputetëve. Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar z. Rashiç, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre“, thuhet në reagim.

Ai ka tha po ashtu se si Kryetar i Kuvendit, ka kërkuar tri herë radhazi që të propozohej deputeti i vetëm që nuk i ishte nënshtruar votimit për pozitën e nënkryetarit, mirëpo propozuesi i shumicës së deputetëve nga komuniteti serb refuzonte propozimin dhe kërkonte që të kthehej radha e votimit për deputetët e njëjtë nga subjekti Lista Serbe.

“Kërkesa e propozuesit nga komuniteti serb ishte që të tejkalohej (të diskriminohej) deputeti i dhjetë nga komuniteti joshumicë serb, i cili kishte mbetur pa u propozuar si kandidat për nënkryetar asnjëherë të vetme. Ky diskriminim do të ishte antikushtetues, por madje edhe në kundërshtim me mekanizmin e debllokimit për propozim në më së shumti 3 herë të një kandidati sipas Aktgjykimit të datës 18.08.2025”, shkruan ai.

Pas kërkesës sime për tri herë radhazi për ta propozuar kandidatin Rašić – por që shumica serbe refuzoi ta bënte – ky mosveprim është konsideruar si refuzim i propozimit nga ana ime (pra mospropozim), pasi nuk kishte mundësi të interpretohej ndryshe. Për pasojë, kam aktivizuar procedurën e shortit, siç parashihet në paragrafin 7 të nenit 12 të Rregullores, i cili shprehimisht përcakton se: “Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve bëhet me short… Kjo procedurë administrohet nga Kryetari i Kuvendit.”

“Rrjedhimisht, në harmoni me Kushtetutën dhe në përputhje me nenin 12, paragrafi 7 të Rregullores, vazhduam me votimin për deputetin e vetëm të papropozuar. Ky votim rezultoi i suksesshëm, ku me 71 vota “për”, deputeti Nenad Rašić u zgjodh Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e komunitetit joshumicë serb, duke u zbatuar në përpikëri Rregullorja e Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktgjykimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese që rregullojnë procedurat e konstituimit të Kuvendit“, shkruan ai.

Përfundimisht, sipas tij, zgjedhja e deputetit Nenad Rashiç për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës ka ardhur vetëm pas mospropozimit nga propozuesi i komunitetit joshumicë serb. Me fjalë të tjera, pas dështimit si pasojë e moszbatimit të nenit 12, paragrafi 6, Rregullorja më ka obliguar drejt aktivizimit të nenit 12, paragrafi 7 për propozim përmes shortit.

“Prandaj, të gjitha pretendimet në Njoftimin e Gjykatës Kushtetuese janë të pabaza, dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e deputetit Nenad Rashiç në pozitën e Nënkryetarit të Kuvendit ka qenë në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës“, shkruan ai.

Gjykata Kushtetuese, bëri të ditur se procedura e zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

/KosovaPress//r.e/

The post Basha: Vendimi i Kushtetueses për Rashiçin bie ndesh me Kushtetutën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌