Aliu: Projektligji rregullon mbrojtjen nga duhani në hapësira publike të hapura ku ka prani ose lëvizje të shumë personave
Ministria e Shëndetësisë njofton se me projektligjin e ri për mbrojtje nga pirja e duhanit parashikohet rregullimi i pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura ku ka prani ose qarkullim të shumë njerëzve. Më konkretisht, bëhet fjalë për hapësirat përreth institucioneve shëndetësore, arsimore dhe sociale, ngjarjeve publike, aktiviteteve sportive dhe kulturore, si dhe vendeve të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe familje.
"Ky është një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i kornizës ligjore, duke pasur parasysh se kur njerëzit ndodhen afër njëri-tjetrit, tymi dhe aerosoli thithen drejtpërdrejt, ndërsa ekspozimi është i menjëhershëm. Në hapësirat publike të hapura qytetarët nuk kanë gjithmonë mundësi reale të largohen, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ligji ndërhyn vetëm aty ku ekziston ekspozim i pashmangshëm i personave të tjerë, me qëllim që hapësira publike të jetë një hapësirë e shëndetshme për të gjithë", thekson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Siç thonë nga MSH, theks i veçantë i është kushtuar lokacioneve ku njerëzit nuk mund ta shmangin realisht ekspozimin ndaj tymit të duhanit, si për shembull gjatë pritjes në radhë, në hapësira të hapura ku qëndrohet për një kohë më të gjatë, apo në tubime të ndryshme publike në ambient të hapur.
"Për shembull, personat që presin në radhë për të blerë biletë për një institucion kulturor apo për hyrje në një ndeshje sportive, nuk kanë mundësi reale të shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit. Qëllimi i projektligjit është mbrojtja e shëndetit të kësaj kategorie të popullsisë".
"Gjithashtu, në kuadër të rregullimit të pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura, ndalohet veçanërisht pirja e duhanit në vendet e destinuara për fëmijë, të rinj dhe familje, si për shembull përpara këndeve të lojërave për fëmijë, ku më të vegjlit nuk mund ta shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit", thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
