DAVOS – Bessent: Marrëdhëniet SHBA-Evropë më të forta se kurrë, pavarësisht krizës së Groenlandës
DAVOS, 20 janar /ATSH/ – Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent deklaroi sot se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës mbeten të forta, duke u bërë thirrje partnerëve tregtarë që të marrin frymë thellë dhe të lejojnë që tensionet e nxitura nga kërcënimet e reja tarifore të administratës Trump lidhur me Groenlandën të marrin rrjedhën e tyre, sipas AP.
“Unë mendoj se marrëdhëniet tona kurrë nuk kanë qenë më të afërta”, tha Bessent, duke folur në kuadër të takimit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.
Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën vendosjen e një takse importi prej 10%, duke nisur nga shkurti, për mallrat që vijnë nga tetë vende evropiane që janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës, pas thirrjeve të intensifikuara të tij që SHBA-ja të marrë kontrollin e territorit gjysmautonom të Groenlandës.
Trump ka këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për Groenlandën për arsye sigurie, duke përmendur kërcënime të mundshme nga Kina dhe Rusia.
Kërcënimet e presidentit amerikan kanë shkaktuar indinjatë dhe një valë aktiviteti diplomatik në mbarë Evropën, ndërsa liderët po shqyrtojnë kundërmasa të mundshme, përfshirë tarifa hakmarrëse dhe përdorimin për herë të parë të instrumentit kundër shtrëngimit të Bashkimit Evropian./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post DAVOS – Bessent: Marrëdhëniet SHBA-Evropë më të forta se kurrë, pavarësisht krizës së Groenlandës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.