“Atje, në atë zonë, problemet zgjidhen vetëm me punë miqësore. Ligji nuk funksionon. Nuk ka fuqi fare.”
Këto nuk janë fjalë të thëna në errësirë, as rrëfime të një kohe të largët. Janë fjalë të thëna publikisht, në vitin 2018, nga një ish-oficer policie i shtetit shqiptar.
Një dëshmi tronditëse që solli në dritë rastin “Xhisiela” dhe zbuloi se në zemër të Shqipërisë ekzistonin territore ku ligji nuk hynte dot. Pesë vite më pas, realiteti ka dëshmuar se ajo që u tha atëherë, nuk ishte një përjashtim. Ishte rregull.
Ishte ora 11 e datës 6 korrik 2023. Dy kushërinj, Jashar dhe Bilbil Maja, u ulën për të diskutuar me përfaqësuesit e një guroreje që po u shkatërronte shtëpitë. Ata kishin bërë ankesa në institucione. Kishin ndjekur rrugën ligjore. Kishin besuar se shteti funksiononte.
Por përballë tyre nuk qëndronte thjesht një biznes. Qëndronte një fis. Një pushtet paralel. Fisi Rraja.
Biseda nuk përfundoi kurrë. Sepse për Rrajat, problemet nuk zgjidheshin me letra, me ankesa apo me ligj. Zgjidheshin me dhunë. Me shkopinj bejsbolli. Me hunj. Me shqelma. Me kërcënime armësh.
Atë dite, brenda pak sekondash, 13 apo 14 persona zbritën nga automjete luksoze. Njëri filmonte. Të tjerët godisnin. Një minutë e 39 sekonda dhunë e pastër. Sharje, kërcënime, goditje. Derisa njëri nga kushërinjtë humbet ndjenjat. Por dhuna nuk u ndal.
Katërmbëdhjetë kundër dy. Dhe pas largimit, videoja e dhunës u shpërnda si trofe. Si mesazh. Si presion. Dhe si sfidë e hapur ndaj Policisë së Shtetit.
Kjo nuk ndodhi në mesjetë. As në kohë anarkie. Ishte viti 2023. Ndodhi në Thumanë. Vetëm disa kilometra larg Tiranës.
Një fshat ku prej vitesh sundonte një fis. Një familje që nuk ishte prekur kurrë realisht nga ligji. Një familje që kishte ndërtuar pushtetin e saj mbi një përzierje të frikshme aktivitetesh të ligjshme dhe të paligjshme: politikë, gurore, dhunë, drogë dhe krim.
Në qendër të kësaj historie qëndronte për më shumë se 20 vite një emër: Rrahman Rraja. Deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy legjislatura. Një politikan që nuk u bë i njohur për fjalimet, nismat apo debatet në Parlament, sepse nuk foli kurrë, por për dhunën e ushtruar nga njerëzit e tij.
Djali që dhunoi ish-të dashurën. Nipi që dhunoi një grua para QSUT-së. Kushëriri i arrestuar për atentat ndaj një prokurori. Nipi tjetër i përfshirë në përgjime ndërkombëtare për trafik droge. Një familje që u bë e famshme jo për ligjet që hartoi, por për ligjet që shkeli.
Vëllai i tij, Xhelal Rraja, aktualisht i arrestuar, në vitin 2022 guxoi të kërcënonte publikisht drejtorin e Policisë Kriminale, përpara kamerave, përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Një akt që simbolizonte më së miri bindjen e këtij fisi se shteti nuk kishte forcë mbi ta.
Dhe për vite me radhë, kjo bindje u vërtetua.
Derisa sot, për herë të parë, emrat e këtij fisi nuk shfaqen vetëm në kronika dhune, por në dosje të SPAK-ut. Akuza të rënda për trafik ndërkombëtar droge. Tri linja. Kanabis nga Shqipëria në Gjermani e në Turqi. Dhe kokainë nga Ekuadori drejt Holandës.
Nga hunjtë te kokaina. Nga guroret te politika. Nga dhuna në rrugë te rrjetet ndërkombëtare të narkotrafikut.
Kjo është historia e një pushteti paralel që u ndërtua në sy të shtetit. Por goditjet radhazi ndaj anëtarëve të këtij fisi gjatë 3 viteve të fundit, ngritën një pyetje: A po përfundon më në fund epoka e të paprekshmëve?
HISTORIKU I ARRESTIMEVE
Përfshirja e anëtarëve të fisit Rraja në ngjarje kriminale nuk është episodike. Nuk është as e rastësishme. Ajo shtrihet në vite dhe ndërtohet si një zinxhir ngjarjesh, arrestimesh, hetimesh dhe lirimesh, që nga viti 2016 e në vijim.
Rasti i parë që shënon një pikë kthese është ai i Redjan Rrajës, kushëri i ish-deputetit Rrahman Rraja. Në vitin 2016, Redjan Rraja, atëherë stomatolog, dënohet me 8 muaj burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Ai u shpall fajtor për fshehjen e armës dhe telefonit të viktimës Elton Çiça, mik i tij, i vrarë në atentat. Një ndërhyrje direkte në një skenë krimi, për të zhdukur prova.
Dy vite më vonë, në vitin 2018, Shqipëria përballet me rastin që do të nxirrte publikisht në dritë emrin e fisit Rraja. Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit, arrestohet pas denoncimit të ish-të dashurës së tij, Xhisiela Maloku, për dhunë dhe përndjekje. Arrestimi vjen vetëm pas një presioni të jashtëzakonshëm mediatik dhe publik. Edhe pse dokumentet zyrtare flisnin për disa vepra të mundshme penale, Rexhep Rraja arrestohet vetëm për një akuzë: përndjekje. Pas një kohe të shkurtër, ai lirohet.
Në vitin 2019, dhuna shfaqet sërish, këtë herë në oborrin e spitalit “Nënë Tereza”. Një video që qarkullon në media tregon Ramazan Rrajën, nipin e ish-deputetit, duke dhunuar brutalisht një grua në prani të punonjësve të Policisë. Reagimi zyrtar i Policisë vjen me vonesë, ndërsa Ramazan Rraja procedohet penalisht, por nuk përballet me masa të forta ndëshkuese.
Po në vitin 2019, emri i fisit Rraja lidhet me një nga atentatet më të rënda ndaj drejtësisë shqiptare. Redjan Rraja arrestohet si një nga personat e përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku. Rraja ndalohet në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria dhe më pas dënohet me burgim të përjetshëm, duke u shndërruar në një nga figurat kyçe të kësaj dosjeje kriminale.
Në vitin 2022, Shqipëria tronditet nga atentati i trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku humbën jetën Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Dhjetëra persona shoqërohen, mes tyre kërkohej edhe shoqërimi për t’u marrë në pyetje i Ramazan Rraja, i cili mohon çdo përfshirje dhe deklaron se ndodhej jashtë vendit. Pasi kthehet nga jashtë, ai paraqitet vullnetarisht në Polici, dëshmon dhe lihet i lirë.
Po në vitin 2022, Policia ndalon Ramazan Rrajën dhe Rexhep Rrajën teksa lëviznin me mjete të blinduara. Familjarët e tyre reagojnë publikisht, duke akuzuar Policinë për sulme personale dhe duke mohuar çdo status kërkimi.
Ndërsa në prill të vitit 2023, Ramazan Rraja arrestohet sërish, këtë herë me urdhër të SPAK, për përfshirje në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja. Gjatë arrestimit i gjendet një armë pa leje. Paralelisht, në shkurt të vitit 2023, gjykata belge e dënon Ramazan Rrajën me 12 vite burg për trafik ndërkombëtar kokaine, duke e shpallur pjesë të një organizate kriminale të nivelit të lartë. Hetimet në Belgjikë zbulojnë komunikime të përgjuara, ku Rraja diskuton për kontejnerë me banane të mbushur me kokainë, që kalonin në mënyrë të sigurt kontrollet doganore. Një hallkë direkte në zinxhirin e trafikut ndërkombëtar të drogës.
Kulmi arrihet në vitin 2024, kur Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit Rrahman Rraja, arrestohet në kuadër të operacionit “Revanshi”. SPAK e akuzon për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim kushtesh për vrasje. Ai përmendet në dosjen “Metamorfoza”, si përdorues i telefonit të enkriptuar SKY, dhe sipas Prokurorisë, ka bashkëpunuar me emra të njohur të botës së krimit për atentate ndaj figurave publike.
Të gjitha këto raste, të shpërndara në më shumë se një dekadë, ndërtojnë një panoramë të qartë. Një fis i ekspozuar vazhdimisht në dhunë, atentate dhe trafik droge, që për vite me radhë ka lëvizur në një zonë gri mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë selektive.
Sot, për herë të parë, kjo histori nuk lexohet vetëm si kronikë e zezë. Por si dosje penale ndërkombëtare, me tri linja trafiku droge që po hetohen nga SPAK.
LINJAT E TRAFIKUT
Më 10 dhjetor 2025, SPAK zhvilloi një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, duke goditur disa grupe kriminale që vepronin nga Fushë-Kruja drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Në kuadër të këtij operacioni u lëshuan 14 masa sigurie, nga të cilat 10 u ekzekutuan, ndërsa 3 persona mbeten ende në kërkim.
Në pranga ranë 7 persona, mes tyre edhe tre anëtarë të fisit Rraja: Rexhep, Përparim dhe Gazmir Rraja. Rexhep Rraja është djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, ndërsa dy të tjerët janë kushërinj të tij. U arrestuan gjithashtu Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja dhe Zamir Aliaj.
Tre persona të tjerë, Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ndodheshin në burg, ku iu komunikua masa e re e arrestit. Në kërkim u shpallën Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vidjan Baroka, të cilët dyshohet se ndodhen jashtë vendit. Bujar Sefa u arrestua në Dubai më 26 janar 2026.
Prokuroria e Posaçme
Nga tërësia e akteve të kryera për interesa të këtij procedimi penal, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova për konsumimin e elementëve të veprave penale të trafikimit të lëndëve narkotike, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal. SPAK ka mundësuar individualizimin e autorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, që kanë marrë pjesë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal e për rrjedhojë ka konkluduar se personat, të cilët kanë organizuar, financuar, transportuar, fshehur dhe shitur sasinë e lëndëve narkotike janë personat në hetim: Islam Sefa (Xaka), Bujar Sefa (Xaka), Hajdar Sefa (Xaka alias Lala), Ervis Shuli, Rexhep Rraja, Aldo Gjini (Iamandi), Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Vidjan Baroka, Zamir Aliaj (Çoku), Sokol Qaja, Agim Nina, Jani Çavo dhe Marvin Bushati, në bashkëpunim dhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar.
Sipas SPAK, financues dhe organizator kryesor i aktivitetit kriminal është Islam Sefa, i cili dyshohet se në më pak se dy vite ka trafikuar lëndë narkotike me vlerë rreth 3.3 milionë euro. Grupet vepronin që prej vitit 2020 dhe ishin të përfshira në disa episode trafikimi në vende të ndryshme të Evropës.
Gjatë kontrolleve në 12 banesa dhe ambiente të tjera, u sekuestruan mbi 415 mijë euro, mijëra paund dhe dollarë, 1 milion lekë, armë zjarri, municion, automjete luksoze, jelek antiplumb, celularë dhe sende me vlerë, përfshirë edhe një orë Rolex.
Hetimi, i drejtuar nga prokurori i SPAK Adnan Xholi, u bazua kryesisht në komunikimet e zbërthyera në platformën e koduar SKY. Sipas dosjes hetimore, droga trafikohej nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, drejt Turqisë, si dhe nga Amerika e Jugut drejt vendeve të BE-së.
SPAK zbardhi tri episode madhore të trafikut: Sekuestrimin e 1.7 ton marijuanë në Mal të Zi në nëntor 2020, 475 kg kokainë në Holandë po atë muaj, dhe 236 kg marijuanë të kapur në Turqi në janar 2021.
Ndaj të arrestuarve rëndojnë akuzat për trafik ndërkombëtar të narkotikëve, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale.
LINJA SHQIPËRI – GJERMANI
Më datë 3 nëntor 2020, Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedim penal nr.1380, për trafikimin e 1722 kilogramë marijuanë, të sekuestruar nga autoritetet e Malit të Zi. Personi i dënuar nga drejtësia malazeze në lidhje me trafikimin e kësaj sasie droge ishte Ervis Çalliku. Ndërsa personat e përfshirë më pas, si pjesë e këtij procedimi ishin: Islam Sefa, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vidjan Baroka. Prokuroria e Posaçme, thotë se përsa i përket këtij episodi, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se këta persona tashmë në hetim, në bashkëpunim me të dënuarin Ervis Çalliku, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar, dyshohen për “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Referuar akteve të administruara me anë të kërkesës për ndihmë të ndërsjelltë juridike nga autoritetet ligjzbatuese të Malit të Zi, rezulton se më datë 3 nëntor 2020, rreth orës 03:20, në aksin rrugor Tuz – Bozhaj, është ndaluar për verifikim nga shërbimet doganore një kamion “Volvo”, që drejtohej nga Ervis Çalliku, i cili kishte destinacion final Gjermaninë. Pas verifikimeve dhe kontrolleve të kryera në Malin e Zi, rezultoi se në këtë kamion ndodhej sasia prej 1722 kg bimë narkotike, marijuanë, e paketuar në 108 pako të mëdha, me peshë afërsisht të njëjtë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në periudhën përpara datës 3 nëntor 2020, gjatë vlerësimit të të dhënave të komunikimit në SKY, konkretisht mes përdoruesve Bujar Sefa, Vidjan Baroka, Islam Sefa, Hajdar Sefa dhe personave të tjerë të paidentifikuar, zhvillohen biseda që pohojnë faktin e përfshirjes, organizimit dhe bashkëpunimit në trafikimin e lëndëve narkotike nëpërmjet Malit të Zi, me destinacion Gjermaninë. Siç rezulton nga komunikimet mes të dyshuarve, më 29 tetor 2020, Islam Sefa ka shkuar në Lushnjë, ku edhe është ngarkuar sasia me bimë narkotike në kamionin që më pas u kap në Malin e Zi.
Vidjan Baroka: E pashë rrush mram, e mora pak me vete. Jeshil është boçe vogël. Po qe ia jap Bujarit ta shohë.
Islam Sefa: Ok rrush. Me sa ta la?
Vidjan Baroka: S’tha pazar rrushi. M’tha shihe vetë. Po me ç’a kuptova, ata çunat ke 900…
Ismal Sefa: Rrush a keni ec?
Vidjan Baroka: Tu arrit në Lushnje rrush. E mori njoni nga kta çunat makinën tani në dalje të Lushnjës.
Islam Sefa: O rrush thuj t’i kalojnë një herë për merak ato me ndonjë natriban a me ndonjë gjë. Si kanë për t’i fut ato, t’i fshijnë, t’i pastrojnë.
Vidjan Baroka: Ç’a je tu bo ti rrush, nga je?
Islam Sefa: Rrugës për në Fushë-Krujë.
SPAK ka analizuar edhe komunikime të tjera mes Islam Sefës dhe Vidjan Barokës, mes datave 3 nëntor 2020 dhe 6 nëntor 2020, që i përkasin kohës pasi është sekuestruar ngarkesa me kanabis në Malin e Zi. Islam Sefa i dërgon Barokës foton e një lajmi të publikuar në media, në lidhje me kapjen e sasisë prej 2 ton marijuanë në Malin e Zi. Moment gjatë të cilit është arrestuar shoferi i kamionit.
Islam Sefa: O Vidjon… ku mo bos? E hëngri kali rrush. Mbyll makinën, shko fshihe.
Vidjan Baroka: Po rrush. A po fol me Tan Konin e t’i thuash a ka kush me e hap grilën ke garazhet poshtë 7 yjeve, me shku me e mçef atje?
Qenkan arrestu edhe dy të tjerë në Lushnje rrushi, e dhanë lajmet. Qenka dhe një tjetër në kërkim.
Islam Sefa: A i dha me emra rrush?
Vidjan Baroka: Po rrush me emra. Varja se ata janë pronar të magazinës dhe ai tjetri që është në kërkim është ndonjë punëtor aty.
Islam Sefa: Ai që është në kërkim, është në Gjermani. Shoku i atyre tiransve.
Komunikimet e tyre i referohen arrestimit të Përparim Shurdhit dhe Arlind Tabakut në Lushnjë, për të cilët në atë kohë kishte dyshime se ishin pronar të magazinës ku ishte ngarkuar kamioni me bimë narkotike.
Islam Sefa: Nuk na njohin ata ne rrush. Ata të Lushnjës, fare. Gazetat kshu bëjnë përherë.
Vidjan Baroka: Jo ne, jo. Po thashë …Ne s’kanë ç’na bëjnë se ashtu i bie me shku krejt Fushë-Kruja në burg. Po ata që kanë pasë kontakt drejtpërdrejt me ata është i fije problem.
Islam Sefa: Po, po, ata direkt.
Në të tjera komunikime, mes datave 4 dhe 8 nëntor 2020, Vidjan Baroka komunikon me Bujar Sefën dhe shprehin shqetësimin për pamjet filmike në një lokal dhe një karburant në Lushnjë, pasi dyshojnë se kamerat e këtyre bizneseve kanë regjistruar momentin kur ata të dy kanë shkuar në Lushnjë. Kamioni që u kap në Malin e Zi dyshohet se është furnizuar atje, në magazinën e marrë me qira nga Ervis Çalliku. Ata nuk ishin të qartë se në cilin karburant kishin shkëmbyer furgonët me personat e tjerë. Automjete, të cilat dyshohet se shërbenin për të transportuar bimët narkotike deri në magazinë. Kjo magazinë ishte në Lushnjë dhe ishte në pronësi të Përparim Shurdhit, vend ku dyshohet se u ngarkua marijuana.
Bujar Sefa: Kanë ra kutitë dje në Podgoricë. Na marrshin të keqen.
Vidjan Baroka: Plak nami. Dy makina civile me kapuçë të zi. Dy furgona, dy fuoristrada. Kam dalë me sekonda.
Bujar Sefa: Si thu, ta kishim pasë heq atë kasetë te kamerave.
Vidjan Baroka: Po duhet me i gjen ndonjë rob atij në Lushnjë me fshi kamerat kur i këna dhënë makinat. I them nesër në mjes herët atyre në Lushnjë, ke lokali e ke karburanti, se i kena dhënë makinat dhe na kanë kap krejt.
Bujar Sefa: E di po me shku puna deri aty… kena marrë fund.
Vidjan Baroka: Rrushi qenkan arrestu edhe dy të tjerë në Lushnjë e dhanë lajmet. Qenka dhe një në kërkim.
Bujar Sefa: Për zotin s’duhet me fjet në shpi.
Vidjan Baroka: Thonë kamioni u mush në Lushnjë.
Bujar Sefa: Po thonë se kanë mbledh shumë prova.
Vidjan Baroka: Për zotin duhet me pasë kujdes, se në paçin marrë kamerat ku kena ndrru makinat ne plak është i fije problem.
Bujar Sefa: O rrushi me të pyt, atë natë kur këna dhënë makinën edhe kur kena marrë makinën nëpër karburante a të kujtohen emrat e karburanteve?
Vidjan Baroka: Për të mu kujtu emrat e karburanteve nuk më kujtohen, po si ven e dimë ne. Po emrat s’më kujtohen për zotin e madh.
Bujar Sefa: Problem do jetë ai i funit që kemi marrë makinat.
Ashtu siç shprehen edhe vetë të dyshuarit, pamjet e kamerave te sigurisë janë marrë si provë nga Prokuroria. Fillimisht në magazinën në Lushnjë, ku dyshohet se është ngarkuar kamioni me bimë narkotike. Gjithashtu janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të lokalit dhe karburantit ku janë ndërruar makinat, ashtu siç shprehen në komunikimet e tyre vetë të dyshuarit.
Prokuroria e Posaçme
Nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të administruara gjatë dy procedimeve penale, këqyrja e pamjeve filmike dhe nga hetimet e kryera për interes të këtij procedimi, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Islam Sefa, Bujar Sefa, Vidjan Baroka, Hajdar Sefa, si dhe persona të tjerë, kanë siguruar lëndën narkotike, me qëllim trafikimin drejt Gjermanisë nëpërmjet kalimit nga pika kufitare e Malit të Zi. Këta persona kanë lidhje të ngushtë me njëri – tjetrin pasi janë në kontakt të vazhdueshëm duke komunikuar për zhvillimin e aktivitetit kriminal të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve por edhe për jetën e tyre të përditshme. Vihet re që mënyra e funksionimit të trafikimit të narkotikëve nga ky grup kriminal, ndër të tjera zhvillohet duke përdorur mjete transporti si kamion dhe furgon. Lënda narkotike sigurohet nga anëtarët e këtij grupi kriminal në territorin e Shqipërisë, ku kultivohet nga vetë këta persona por edhe blihet në raste të caktuara.
Sipas dosjes së SPAK, gjatë komunikimeve nëpërmjet anëtarëve të këtij grupi kriminal, del në pah fakti që pjesëtarët e këtij grupi kanë detyra të caktuara me qëllim realizimin e trafikimit. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin sigurojnë lëndën narkotike dhe automjetet që do përdorin për transportin e saj. Aktiviteti i tyre në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike ka vijuar edhe pas kapjes së kamionit ne drejtues Ervis Çalliku, i cili kishte destinacion final Gjermaninë.
LINJA SHQIPËRI – TURQI
Në një operacion të kryer nga ekipet e Zbatimit të Doganave në Portën Kufitare Kapikule, në Edirne të Turqisë, më 26 janar 2021, u sekuestruan 236 kg marijuanë. Droga ishte fshehur në një ndarje të fshehtë, e krijuar në tavanin e rimorkios së një kamioni të dyshimtë. Gjatë një analize të kryer nga Drejtoria e Zbatimit të Kontrabandës dhe Inteligjencës së Doganave të Edirnesë mbi automjetet që vinin nga jashtë vendit në Portën Doganore Kapikule, një kamion me targa shqiptare, i deklaruar si bosh u konsiderua i rrezikshëm. Kamioni i dyshimtë u vu nën mbikëqyrje pasi hyri në zonën doganore dhe u drejtua për në një skaner me rreze X. Pas skanimit me rreze X, u zbulua një dendësi e dyshimtë në tavanin e rimorkios së kamionit. Kamioni u dërgua në hangarin e kërkimit dhe u kontrollua gjithashtu me qen për zbulimin e narkotikëve. Gjatë kontrollit, qentë reaguan gjithashtu ndaj zonave të dyshimta të zbuluara me rreze X, duke çuar në një fokus në tavanin e rimorkios së kamionit.
Inspektimi zbuloi se kjo pjesë ishte e mbuluar me llamarinë. Kur u hap llamarina, u përcaktua se ndarja e fshehur e krijuar në tavanin e rimorkios ishte e mbushur plotësisht me një substancë të paketuar në pllaka. Analiza e një mostre të substancës duke përdorur një pajisje testimi droge zbuloi se ishte kanabis. Autoritetet turke arrestuan në flagrancë drejtuesin shqiptar të kamionit, Elton Bogdani, i cili u dënua në Turqi.
Hetimet në lidhje me këtë rast trafiku u shtrinë edhe në Shqipëri dhe aktualisht janë në duart e SPAK. Sipas dosjes hetimore, përveç personit të arrestuar në Turqi, personat e tjerë të përshirë janë: Rexhep Rraja, Bujar Sefa, Agim Nina, Jani Çavo, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Sokol Qaja, etj. Sipas Prokurorisë së Posaçme, keta persona dhe të tjerë ende të paidentifikuar, akuzohen për “Trafikim të lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes së SPAK, nga analizimi i bisedave të zhvilluara mes Gazmir Rrajës dhe Bujar Sefës, evidentohet fakti i përfshirjes, organizimit dhe bashkëpunimit në trafikimin e lëndëve narkotike në shtetin turk. Konkretisht, Gazmir Rraja, informon Bujar Sefën se, sipas komunikimit që ka pasur me pronarin e kompanisë, me anë të së cilës është transportuar ngarkesa e dyshuar si bimë narkotike, është vënë në dijeni se drejtuesi i kamionit, rreth orës 20:00 të datës 26 janar 2021, ka hyrë në doganën turke, duke i treguar edhe vendndodhjen e mjetit, në Kapikule. Por sipas tij mjetin e kanë futur për kontroll fizik dhe nga ai moment nuk ka më asnjë përgjigje nga shoferi.
Gazmir Rraja: O vëlla, ajo rruga që patëm nis ka hy mbrëmë në doganë nga ora 8 e darkës, na lajmëroi se jam tu hy ene janë tu më fut në kontroll fizik, tha ai shoferi. I ka thënë atij pronarit të kompanisë edhe ma çoi ai lokacionin ene bisedat e të gjitha. Domethënë ka hy mbrëmë në 8 të darkës e nuk ka dalë hala. As nuk ka kthy përgjigje asnjë lloj gjëje. Ka çu rob ai sot e ka pa kamionin aty në doganë, mirëpo as lajme s’ka dalë asgjë. Deri nesër tha ju sqaroj.
Gazmir Rraja: 99% ne menojmë se ka ra, a kupto. Se derisa ka hy mbrëmë në 8 të darkës e s’ka dalë prej kontrollit, do të thotë se e kanë kap. Mendoj se ka ra. Po nesër sqarohet sa të dalë nëpër media nëpër gjona, të tregojnë edhe lajmet. Të shohim se s’dimë gjë as ne për zotin hala.
Bujar Sefa: Gjynah për shoferin vëlla. S’kemi pasë fut shumë.
Gazmir Rraja: Të gjithë nga pak kena pasë.
Me anë të letërporosisë nga autoritetet franceze, SPAK ka administruar të dhënat e SKY edhe për kode të tjera dhe nga analizimi i bisedave, janë zbuluar edhe komunikime të tjera mes Gazmir Rrajës dhe Rexhep Rrajës, por edhe personave të tjerë në hetim. Në dosje, janë administruar si provë, edhe biseda të zhvilluara në ditët para se të nisej kamioni, kur po përgatiteshin pakot. Një bisedë e tillë zhvillohet mes Rexhep Rrajës dhe Aldo Gjinit, ku Rraja shpreh frikën se dikush mund të jetë në përgjim.
Rexhep Rraja: Po më shkrun dikush që ka fut gjana për Turqi. Se qëllo ndonjëri në përgjim o vlla, na fikën.
Ndërsa ditën që është kapur kamioni me bimë narkotike në Turqi, Rexhep Rraja komunikon me Përparim Rrajën rreth mesnatës.
Rexhep Rraja: Nja 30 minuta nuk dimë gjë tani. Telefonin e ka të ndezur.
Përparim Rraja: Po i frikshëm ky kontroll, si ka mundësi?
Rexhep Rraja: Kamioni me targa shqiptare.
Përparim Rraja: Po pra po. Shumë e frikshme është. Ç’a tha gjyshi, kishte ndonjë gjë apo jo? Do zoti s’ka gjë. Ç’a të kemi rrisk.
Përparim Rraja: Kam frikë mos e kanë hap ata telefonin e po shohin me kë ka fol se nuk ka mundësi. Varja s’kena shans. He ç’a u bo?
Rexhep Rraja: Hiç asgjë. Ka shku njoni aty tu e pa. Aty është po i parkum edhe po afrohet me stil me e pa, është i hap a s’është.
Përparim Rraja: Po nuk kanë gjet gjë me i fjalë?
Rexhep Rraja: Akoma jo. Mund t’jëni tu i bo presion shoferit.
Përparim Rraja: Kam frikë edhe po nuk e gjetën, mos e ndjekin kamionin kur të shkarkojë. Duhet shumë kujdes edhe po nuk e gjetën. Thuaja këtë Shemos që edhe po e lejuan, të shkarkojë në ndonjë vend të sigurt, jo te puna e vet.
Në një tjetër bisedë, të zhvilluar të nesërmen pas sekuestrimit të drogës në Turqi, Rexhep Rraja komunikon me Aldo Gjinin, ku ky i fundit shprehet i revoltuar, duke i thënë që t’i kërkonte paratë e mallit Jani Çavos, të cilin e kishte takuar edhe personalisht. Nga konteksti i bisedave, lajmi për sekuestrimin e bimës narkotike nuk ishte publikuar ende në asnjë media.
Rexhep Rraja: Hë vlla ç’a thotë?
Aldo Gjini: Aty po shkoj vlla, 2 minuta. Lekët e rrugës thu apo të dëmit? Se po s’erdhën letrat ka me pagu 5 vlla, s’ka llafe dhe s’e pres hiç. Sikur nuk priti ai për lekët e rrugës. O vlla, sa u nda me kët, i thashë t’më bëjë gati të më bjerë lekët e rrugës mbrapa ke lagjja. Lash kohë deri nesër o të më japë gjonat e sakta, o të paguj mallin me çmim atje. Dhe ky vetë tha, i tha vetë mo me fjalë pa ja thënë unë fare, që deri nesër me duhet kohë. Nesër tha rrini qetë komplet se ju s’keni humb asnjë gjë tha, po s’i solla letrat, po s’doli gjë në televizor.
Rexhep Rraja: Ok vlla. Hajde deri te Elda mqafsh…
Aldo Gjini: O lal se sa hypa në makinën time unë kët se më kishte lën takim këtu mes venit ky ee. I thashë t’vijë më makinë të vet deri atje. Atje i fikim kamerat vetë ne, bëjmë ç’a duam vetë. Pastaj s’jam tu e lënë me hik unë o vlla.
Rexhep Rraja: Po hë mor vlla se aty e ke atë. Nuk ikën ai. Po t’flasim tamam me të. Ç’a vendi jeni?
Aldo Gjini: O vlla ka ardhë para ai, unë jam nga mbrapa. Unë jam këtu te pallati me shigjeta t’u ardhë për te Elda.
Më 28 janar 2021, dy ditë pas bllokimit të drogës në Turqi, Agim Nina komunikon me Jani Çavon, ku e informon se shoferi kishte marrë në telefon gruan e vet dhe i kishte thënë se e kishin kapur. Në vijim Jani Çavo i dërgon një mesazh që i kishte dërguar Rexhep Rraja, i cili shprehet i shqetësuar pasi nuk ishte i bindur nëse anëtarët e tjerë kishin pastruar apo jo qeset e aluminit ku ishte ambalazhuar lënda narkotike edhe pse ua kishte lënë porosi. Gjithashtu diskutojnë edhe për t’i siguruar mbrojtës shoferit.
Në lidhje me këtë episod, kur më 26 janar 2021, autoritetet policore turke kanë sekuestruar 236 kg marijuanë, që ishte fshehur në tavanin e rimorkios të kamionit “Iveco”, me targa shqiptare dhe që drejtohej nga Eltin Bogdani, SPAK ka zhvilluar disa hetime, duke nisur që nga kërkesa për ndihmë juridike përmes Ministrisë së Drejtësisë drejtuar autoriteteve gjyqësore turke. Atyre u janë kërkuar aktet lidhur me sekuestrimin e sasisë së drogës, të cilat i janë vënë në dispozicion SPAK. Sipas raportit të përpiluar si rezultat i numërimit dhe zbulimit të lëndëve, ishin gjithsej 99 pako me ngjyrë gri të vulosur.
LINJA EKUADOR – HOLANDË
Episodi i tretë në dosje, që në fakt është edhe linja e tretë e trafikut të drogës, më 23 nëntor 2020, flet për goditjen në Portin e Vilssingen, në Holandë, ku punonjësit e doganës sekuestruan 475 kilogramë kokainë, e cila u gjet mes një ngarkese me banane që vinte nga Ekuadori, vlera e të cilës shkon në 23 milionë euro. Me qëllim mbledhjen e provave që kanë të bëjnë me dokumentimin e aktivitetit kriminal, SPAK i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike drejtuar autoriteteve gjyqësore të Mbretërisë së Holandës, ku kërkohen aktet lidhur me sekuestrimin e sasisë së kokainës.
Nga aktet e dërguara me letërporosi nga autoritetet holandeze, rezulton se më 23 nëntor 2020, në një ngarkesë me banane me mbishkrimin “Yellow Pafic”, të cilat transportoheshin me anijen “Autumn Stream”, u gjetën 475 kg kokainë, në pako të mbështjella me ngjitës ngjyrë kafe. Pakot e dyshuara me lëndë narkotike u gjetën në dy paleta me babanë, ku ishin 48 arka të ndara në 8 shtresa. Anija vinte nga Ekuadori dhe kishte si destinacion final portin e Vilssingen, në Holandë. Në këtë rast nuk u arrestua asnjë person i dyshuar, ndërsa ngarkesa e kapur pas ekzaminimeve laboratorike është transportuar për shkatërrim drejt furrave të djegies të përdorura për këtë qëllim.
Në dosjen e SPAK, personat e përfshirë në këtë linjë trafiku, dyshohet të jenë Ervis Shuli, Zamir Çoku, Përparim Rraja dhe dy persona ende të paidentifikuar, me pseudonimet “Goodfather” ose “The Eagle” dhe “Mogli” ose “Adi moxhit”.
Prokuroria e Posaçme thotë se ekzistojnë dyshime të arsyeshme, bazuar në prova, se këta persona, dyshohet të jenë përfshirë në “Trafikim të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nga analizimi i komunikimeve mes të hetuarve Hajdar Sefa dhe Ervis Shulit, ky i fundit pohon faktin se një sasi prej 475 kg kokainë e kapur në Holandë, ishte porositur prej tij. Në një bisedë të datës 27 nëntor 2020. Ervis Shuli i dërgon me foto Hajdar Sefës lajmin e publikuar nga mediat holandeze më datë 25 nëntor 2020, në lidhje me sekuestrimin e ngarkesës në portin e Vilssingen.
Bashkëngjitur fotos së lajmit, Shuli i thotë bashkëbiseduesit se këtë ia kishin kapur para 3 ditësh në Holandë, por tani po shikonte mundësinë që të niste një ngarkesë tjetër. SPAK ka analizuar edhe komunikimet e mëparshme, para se të sekuestrohej lënda narkotike në Holandë, për të kuptuar organizimin e nisjes së sasisë nga Ekuadori.
Në një komunikim të datës 16 nëntor 2020. Ervis Shuli informon se këtë javë do të vinte malli, por ditën e mbërritjes nuk mund ta dërgonte me mesazh, pasi referuar bisedave të mëparshme, ai nuk ka pasur shumë siguri te aplikacioni SKY. Dy ditë më vonë, ai i dërgon bashkëbiseduesit dy foto, ku dyshohet të jetë stampa e mallit që do të niset nga Ekuadori dhe i thotë se 474 ishin në total, duke i lënë porosi që mos t’ia tregonte fotot asnjë personi tjetër.
Më datë 21 nëntor 2020, lidhur me ngarkesën që do të mbërrinte në Portin e Vilssingen në Holandë, përpara se të sekuestrohej sasia prej 475 kg kokainë, Zamir Çoku i kërkon ndihmë një personi ende të paidentifikuar, të cilit i kërkon që të fliste me dajën për të bërë daljen e ngarkesës nga porti.
Zamir Çoku: Bro ç’a bone? A po ma pyet dajën a mos na ndihmon me ba një dalje me pukën. Vilsingen port, 470 copë. Se është në magazinë doganore. Ka qenë kompani me kompani, po bosi i kompanisë që e pret ka ra mren. I kanë fut me paleta. 3 ditë ka malli aty. Nga Ekuadori është nis. V e unë kemi investu 30. Pyete a ka dalje se të tregoj unë kush e ka.
Më 25 nëntor Zamir Çoku komunikon sërish me këtë person dhe i tregon se ngarkesa me lëndë narkotike ishte kapur dhe në vijim i dërgon me foto lajmin e publikuar nga mediat holandeze lidhur me sekuestrimin.
Sipas SPAK, nisur nga bisedat, rezulton se sasia e lëndës narkotike e përmendur në bisedat e Ervis Shulit përpara sekuestrimit, është e njëjta sasi me atë të sekuestruar në Portin Vilssingen në Holandë më 23 nëntor 2020. Gjithashtu, edhe fotoja e mostrës së pakos me lëndë narkotike që Ervis Shuli ua dërgonte bashkëpunëtorëve të tij, përpara se ngarkesa të nisej nga Ekuadori, përputhet me foton e pakove me lëndë narkotike të sekuestruar nga autoritetet holandeze. Karakteristikë e veçantë e këtyre fotove është se në pjesën e përparme kanë mbishkrimin “2222”.
Prokuroria e Posaçme
Numri i personave pjesëmarrës është evidentuar prania e të paktën 3 ose më shumë personave bashkëpunëtorë. Konstatojmë se, me rëndësi për arritjen e qëllimit kriminal është kontributi i dhënë nga secili prej të hetuarve në këtë proces. Në ballafaqimin e veprimeve penalisht të ndëshkueshme të të hetuarve me të drejtën e parashikuar në normat e Kodit Penal, vlen të thuhet sintetikisht se, personat pjesëmarrës, në kryerjen e krimit kanë qenë minimalisht të hetuarit, të cilët siguronin lëndën narkotike në Shqipëri dhe vende të ndryshme të Evropës, di dhe mënyrën e transportit dhe importimit të saj me mjete të ndryshme, në drejtim të territorit gjerman, në drejtim të Turqisë, si dhe nga Ekuadori në Holandë, që e shoqëronin gjatë eksportit të paligjshëm lëndën narkotike, çka vërteton një grup ku bëjnë pjesë disa persona.
Kjo dosje tregon se trafiku i drogës nuk është më një aktivitet i shpërndarë dhe spontan, por një strukturë e organizuar, me role të qarta, financim, logjistikë dhe lidhje ndërkombëtare. Hetimet e SPAK, të mbështetura në komunikimet e platformave të koduara dhe bashkëpunimin me autoritetet e huaja, po zbulojnë një hartë të re të krimit të organizuar shqiptar dhe shtrirjes së tij përtej kufijve.
Operacioni i 10 dhjetorit 2025 nuk mbyll historinë, përkundrazi, hap një fazë të re hetimesh dhe përballjesh në gjykatë, ku provat, përgjimet dhe gjurmët financiare do të peshojnë mbi fatin e të dyshuarve. Tre persona janë ende në kërkim, ndërsa akuzat janë ndër më të rëndat që parashikon ligji penal.
Pas shifrave, emrave dhe kilogramëve të drogës, kjo është historia e një rrjeti që për vite me radhë lëvizi në heshtje, përmes kodeve të fshehta dhe rrugëve të padukshme, duke kthyer krimin në biznes dhe kufijtë në formalitet. Operacioni i SPAK goditi një strukturë, por pas çdo strukture ka lidhje, interesa dhe pasoja që prekin shumë më tepër se dosja penale.
Ky operacion është një sinjal se as komunikimet e koduara dhe as distanca ndërkombëtare nuk garantojnë më mbrojtje të përhershme. Hetimet vazhdojnë, përgjegjësitë do të testohen në gjykatë dhe e vërteta do të peshohet mbi prova.
Sepse në fund, drejtësia nuk matet me bujën e arrestimeve por me qëndrueshmërinë e dënimeve.