Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Main stream

Durmishi i reagon Komunës së Prishtinës për rrugën "Mon Balaj": Nuk është përgjegjësi e ministrisë

2 February 2026 at 11:50


Ministri në detyrë i Infrastruktures, Hysen Durmishi, ka reaguar lidhur me situatën në segmentin e rrugës “Mon Balaj”, në Kodrën e Trimave, duke theksuar se mirëmbajtja e këtij segmenti nuk i përket Ministrisë së Infrastrukturës, Por Të Punëve dhe Transportit (MMPHI).

“Nuk është e vërtetë se segmenti i rrugës ‘Mon Balaj’ është në përgjegjësi të MMPHI-së për mirëmbajtje”, ka shkruar ministri në një postim në Facebook.

Ai shton se: “Jemi të përgatitur dhe plotësisht të përgjegjshëm për mirëmbajtjen e rrugëve që janë në kompetencë të Ministrisë gjatë sezonit dimëror. Mbrëmë, me fillimin e reshjeve të borës, ekipet tona janë aktivizuar menjëherë dhe kanë hedhur kripë në të gjitha rrugët nën përgjegjësinë tonë, me qëllim të garantimit të qarkullimit të sigurt dhe të papenguar”.

Ministri Durmishi ka sqaruar se segmenti i rrugës “Mon Balaj” është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës, e cila ka ndërhyrë duke vendosur pengesa, ndërsa MMPHI është përgjegjëse për segmentin rrugor nga Bernica drejt Komunës së Podujevës, ku po realizohet edhe projekti i rrugës Prishtinë–Podujevë.

“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj”, ka përfunduar ministri reagimin e tij. /Telegrafi/


Inspektim i pronës publike komunale në Zonën Kadastrale Vaganicë në Mitrovicë

2 February 2026 at 11:19


Drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Nazmi Kelmendi, ka realizuar një inspektim në terren të pronës publike komunale në Zonën Kadastrale Vaganicë, përkatësisht në hapësirën e Zonës së Lirë Ekonomike.

Qëllimi i këtij inspektimi ishte verifikimi i gjendjes aktuale të pronës komunale, evidentimi i kufijve kadastralë dhe krijimi i një pasqyre të qartë për menaxhim efikas dhe planifikim të ardhshëm zhvillimor.

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe menaxhimin e përgjegjshëm të pronës publike, duke siguruar që të shërbejë për zhvillimin ekonomik dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve. /Telegrafi/


Arbnorë Uka-Osmani emërohet drejtoreshë e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Podujevë

2 February 2026 at 11:14


Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Arbnorë Uka-Osmani drejtoreshë të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, duke i besuar drejtimin e sektorit kyç financiar të komunës.

Arbnorë Uka-Osmani ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet, dhe ka një përvojë 16-vjeçare në sektorin bankar.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka punuar si analiste për individë dhe biznese, si dhe si menaxhere për marrëdhënie me biznese.

Kryetari Bulliqi i uroi drejtoreshës Uka-Osmani suksese dhe punë të mbarë në detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të përgjegjshëm të burimeve financiare të komunës. /Telegrafi/


KRM “Pastrimi” apelon për largimin e veturave për të mundësuar mbledhjen e mbeturinave

2 February 2026 at 11:07


Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave “Pastrimi” ka apeluar te qytetarët e lagjes “Lakrishte”, pranë tregut “Tregtia”, për të mos parkuar veturat në rrugë ose afër kontejnerëve, pasi kjo pengon kryerjen e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave.

Nga KRM “Pastrimi” bëhet e ditur se për shkak të veturave të parkuara në mënyrë të parregullt, ekipet shpesh presin me orë, dhe ndonjëherë edhe deri në dy ditë, derisa institucionet përkatëse ose qytetarët të largojnë automjetet, duke penguar kryerjen e shërbimit sipas standardeve.

Kompania rikujton qytetarët se respektimi i këtij apeli është i domosdoshëm për të mundësuar mbledhjen efikase të mbeturinave dhe ruajtjen e pastërtisë në qytet.

“Lutemi që të bashkëpunoni me ne dhe të mos parkuani veturat në rrugë, laurë ose afër kontejnerëve,” thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Premiera e shfaqjes “KABARE 99” në Teatrin e Qytetit në Gjilan zgjon interesim të madh

2 February 2026 at 10:29


Teatri i Qytetit në Gjilan njofton se pak ditë na ndajnë nga premiera e shfaqjes “KABARE 99”, nën regjinë e Zana Hoxhës, një kabare që sjell në skenë kujtesën kolektive të viteve të para pas luftës.

Sipas njoftimit, “KABARE 99” zhvillohet në një qytet që quhet Prishtinë, në një kohë të trazuar, plot shpresa, absurditete, ëndrra dhe zhgënjime. Shfaqja përdor humorin, muzikën dhe dramaturgjinë për të reflektuar mbi një epokë të vështirë, duke krijuar një hapësirë ku e kaluara dialogon me të tashmen.

“KABARE 99” është bashkëprodhim mes Teatrit të Gjilanit dhe organizatës Artpolis, dhe premiera ka shkaktuar interesim të jashtëzakonshëm të publikut: bileta për datën 5 shkurt janë shitur të gjitha, ndërsa për datat 6 dhe 7 shkurt janë ende disa bileta të disponueshme.

Shfaqja kthehet si një rikthim në shpirtin e teatrit, si vend i rrëfimit, i kujtesës dhe i rezistencës artistike, duke ofruar një eksperiencë të veçantë për publikun e Gjilanit dhe më gjerë. /Telegrafi/


KRM “Pastrimi” denoncon hedhjen e mbeturinave inerte nga dy qytetarë

2 February 2026 at 10:15


Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave “Pastrimi” ka reaguar ndaj rastit të hedhjes së papranueshme të mbeturinave inerte në zona jo të autorizuara, duke theksuar se ky veprim pengon punën e ekipeve dhe nuk respekton rregulloren komunale për menaxhimin e mbeturinave.

Nga KRM “Pastrimi” bëhet e ditur se institucionet përkatëse janë kontaktuar dhe pritet që të ndërmerren veprime të shpejta lidhur me këtë rast.

Kompania apelon që mbeturinat inerte të mos hidhen afër kontejnerëve dhe të respektohet orari dhe lokacioni i caktuar nga Komuna e Prishtinës.

“Kjo mënyrë e hedhjes së mbeturinave është e papranueshme dhe pamundëson punën e ekipeve tona. Ju lutemi, hidhni mbeturinat vetëm në lokacionet dhe oraret e përcaktuara”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

KRM “Pastrimi” rikujton qytetarët për rëndësinë e respektimit të rregulloreve komunale, në mënyrë që të ruhet pastërtia dhe funksionaliteti i sistemit të menaxhimit të mbeturinave. /Telegrafi/


Gazmend Asllani emërohet Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë

2 February 2026 at 10:07


Gazmend Asllani ka marrë detyrën e Drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke u zotuar për punë të përkushtuar në zhvillimin e sektorëve kulturor, rinor dhe sportiv të qytetit.

Asllani ka falënderuar Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë dhe ka deklaruar se prioritetet e tij do të jenë fuqizimi i të rinjve, mbështetja e sportistëve, krijimi i hapësirave të reja për aktivitete rinore dhe sportive, si dhe promovimi i kulturës dhe trashëgimisë lokale.

“Do të punoj me transparencë, bashkëpunim dhe përkushtim, duke dëgjuar idetë dhe nevojat e qytetarëve. Dyert e mia do të jenë të hapura për të rinj, artistë, sportistë, shoqëri civile dhe qytetarë të thjeshtë që duan të kontribuojnë,” ka thënë Asllani.

Ai ka theksuar se Mitrovica ka potencial të jashtëzakonshëm në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, dhe se me bashkëpunim dhe energji pozitive, qyteti mund të bëhet më dinamik, kreativ dhe më i hapur për mundësi të reja. /Telegrafi/


Komuna e Prishtinës me akuza ndaj Ministrisë së Infrastrukturës për mirëmbajtjen e rrugëve

2 February 2026 at 09:29


Komuna e Prishtinës ka njoftuar se segmenti i rrugës Mon Balaj në lagjen Kodra e Trimave është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës, por për shkak të situatës së krijuar ka ndërhyrë menjëherë me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve.

Sipas njoftimit, pavarësisht ndarjes së kompetencave institucionale, Komuna ka realizuar dy ndërhyrje gjatë mbrëmjes në këtë segment rrugor, duke vepruar me përgjegjësi dhe vendosmëri për të parandaluar rrezikun në qarkullim.

Nga Komuna e Prishtinës është bërë e ditur se siguria e qytetarëve mbetet prioritet absolut dhe se ndërhyrjet janë realizuar për të shmangur çdo rrezik potencial për pjesëmarrësit në trafik.

Tutje, Komuna ka theksuar se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë aktive, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve, duke vënë interesin publik dhe sigurinë mbi çdo procedurë administrative. /Telegrafi/


Hetime për vdekjen e një personi në Rahovec

2 February 2026 at 08:40


Policia e Kosovës ka njoftuar se më 1 shkurt 2026, rreth orës 15:32, është raportuar një rast i vdekjes në komunën e Rahovecit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, një mashkull kosovar dyshohet se është lënduar aksidentalisht gjatë prerjes së një lisi, ndërsa pas lëndimeve të marra është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjakovës.

Me vendim të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente dhe hetimet janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm në Han të Elezit

2 February 2026 at 08:33


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka njoftuar se gjatë ditës së sotme do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm për konsumatorët e Komunës së Hanit të Elezit.

Sipas njoftimit, ndërprerja është shkaktuar si pasojë e një defekti të paraqitur në rrjetin kryesor të ujësjellësit në fshatin Glloboçicë, nga i cili furnizohen edhe konsumatorët e Hanit të Elezit.

Nga KRU “Bifurkacioni” bëhet e ditur se ekipet janë në terren dhe po punojnë në sanimin e defektit, me qëllim që furnizimi me ujë të pijshëm të rikthehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kompania ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve të zonës për këtë ndërprerje të përkohshme. /Telegrafi/


Komuna e Prishtinës apelon për kujdes të shtuar në trafik për shkak të temperaturave të ulëta

2 February 2026 at 08:29


Komuna e Prishtinës ka njoftuar se ekipet komunale janë në terren dhe të gatshme për të vepruar sipas nevojës, me qëllim garantimin e sigurisë në rrugët e Kryeqytetit.

Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta, Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat rurale dhe malore, ku ekziston rreziku nga ngricat dhe rrëshqitjet e rrugëve.

Në këtë kuadër, qytetarëve u rekomandohet përdorimi i pajisjeve dimërore, ngasja me shpejtësi të reduktuar, si dhe respektimi i sinjalizimit rrugor dhe udhëzimeve të autoriteteve.

Nga Komuna e Prishtinës është bërë e ditur se ekipet komunale do të vazhdojnë monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes në terren dhe do të ndërhyjnë sipas nevojës, për të siguruar një qarkullim sa më të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Shtyhen afatet për tatimin në pronë për vitin 2026

30 January 2026 at 15:24


Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur të shtyjë afatet për tatimin në pronë për vitin 2026, vendim i cili vlen për të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.

Sipas këtij vendimi, afati për lëshimin e faturave të tatimit në pronë është shtyrë deri më 31 mars 2026, ndërsa pagesa e këstit të parë do të mund të bëhet deri më 30 qershor 2026.

Nga Ministria bëhet e ditur se shtyrja e afateve ka për qëllim t’u ofrojë qytetarëve më shumë kohë për përmbushjen e obligimeve tatimore, si dhe të sigurojë zbatim të drejtë dhe efikas të legjislacionit në fuqi.

Komunat janë obliguar që këtë vendim ta zbatojnë në mënyrë të njëjtë dhe të informojnë qytetarët për afatet e reja lidhur me tatimin në pronë për vitin 2026. /Telegrafi/


Kastrati nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me IADK për mbështetjen e bujqësisë në Malishevë

30 January 2026 at 15:16


Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë IADK, e cila synon mbështetje konkrete për sektorin e bujqësisë në këtë komunë.

Kastrati ka bërë të ditur se kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për fermerët, gratë, të rinjtë dhe studentët që merren dhe jetojnë nga bujqësia në Malishevë.

“Sot kam nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Iniciativën për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë IADK, një mundësi e mirë për mbështetje konkrete të fermerëve, grave, të rinjve dhe studentëve në Komunën e Malishevës”, ka deklaruar ai.

Sipas kryetarit të komunës, marrëveshja do të kontribuojë drejtpërdrejt në fuqizimin e bujqësisë lokale.

“Kjo marrëveshje do të sjellë trajnime, grante dhe përkrahje direkte për ata që punojnë dhe jetojnë nga bujqësia”, ka theksuar Kastrati.

Ai ka shtuar se Komuna e Malishevës do të vazhdojë angazhimin për zhvillimin ekonomik dhe rural.

“Vazhdojmë me punë dhe angazhim për zhvillimin e komunës sonë”, ka përfunduar Kastrati. /Telegrafi/


Organizohet tryezë diskutimi mbi rolin e inteligjencës artificiale në integritetin e informacionit

30 January 2026 at 14:51


Hibrid.info ka organizuar sot një tryezë diskutimi me temë “Roli i inteligjencës artificiale në fushën e integritetit të informacionit”. Përfaqësues të institucioneve publike, mediave, akademisë e shoqërisë civile diskutuan për ndikimin në rritje të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale (IA) në ekosistemin e informimit publik në Kosovë, sfidat për median dhe boshllëqet ekzistuese rregullative.

Në diskutimin që u mbajt në “Europe House” u trajtua problematika e zbehjes së kufirit mes përmbajtjes së verifikuar dhe asaj sintetike, rritja e dezinformimit dhe ndikimi i këtyre zhvillimeve në besimin publik ndaj medias.



Gjatë diskutimit u theksua se përhapja e përmbajtjeve të gjeneruara me IA – përfshirë tekste, imazhe, video dhe audio – po e përshkallëzon një problem tashmë ekzistues në mjedisin mediatik, veçanërisht në kushte të mungesës së transparencës, standardeve editoriale dhe mekanizmave të qartë të llogaridhënies.

Panelistët vlerësuan se problemi nuk qëndron te teknologjia në vetvete, por te mungesa e rregullimit dhe përgjegjësisë në përdorimin e saj.

Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe krahasimit me zhvillimet në Bashkimin Evropian (BE), ku përmes akteve si EU AI Act dhe Digital Services Act (DSA) janë vendosur detyrime konkrete për transparencë dhe mbikëqyrje të përmbajtjeve të gjeneruara me IA. Në kontrast, u theksua se Kosova aktualisht nuk ka një kornizë specifike ligjore për IA në media, as detyrim për etiketimin e këtyre përmbajtjeve dhe as autoritet të dedikuar mbikëqyrës.


telegrafi.com

Panelistët diskutuan rolin dhe përgjegjësitë e aktorëve të ndryshëm në këtë situatë, duke nënvizuar se, në mungesë të rregullimit ligjor, barra kryesore bie mbi vetë redaksitë, organet e vetërregullimit, institucionet arsimore dhe organizatat e shoqërisë civile. U theksua nevoja për veprim të koordinuar dhe për ndërtimin e standardeve profesionale që mund t’i paraprijnë rregullimit formal.

Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK) tha se korniza aktuale ligjore për media është e vjetruar dhe nuk i përgjigjet zhvillimeve teknologjike. Ajo vlerësoi se Kosova është prapa në rregullimin e IA dhe se nevojitet mobilizim i aktorëve të fushës për ndërtimin e një qasjeje ligjore dhe vetërregulluese.

Nevojën për bashkëpunim më të madh ndërinstitucional dhe për vendosjen e standardeve që mbrojnë interesin publik e ka vënë në pah edhe Niman Racaj nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM). Ai vlerësoi se IA kërkon qasje të re dhe gjithëpërfshirëse.

Roli njerëzor në gazetari duhet të ruhet, tha Xhemajl Rexha nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) i cili theksoi shqetësimet e gazetarëve lidhur me përdorimin e IA. Ai vuri theksin edhe te përdorimi i përgjegjshëm dhe etiketimi i përmbajtjeve ku përdoret kjo intelegjencë.

Muhamet Hajrullahu nga Telegrafi dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK) tha se aktorët që dezinformojnë me IA janë shpesh përpara mediave tradicionale. Ai nënvizoi përgjegjësinë e mediave ndaj publikut dhe nevojën për avancim të standardeve profesionale.

Të rëndësisë së madhe i vlerësoi përditësimin e kurrikulave dhe edukimit mediat, Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP). Ai vlerësoi se IA duhet të përfshihet në kornizat ekzistuese rregullative me parime të qarta etike dhe transparencë.

telegrafi.com

Mërgim Hoti nga Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP theksoi se IA nuk është rrezik në vetvete, por teknologji që përshpejton proceset ekzistuese.

Se ndërtimi i rregullativës duhet të bazohet në standardet evropiane dhe në gjithëpërfshirjen e aktorëve relevantë, e tha edhe Pajtim Gashi nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI).

Ndërkaq, Hyrije Mehmeti nga Hibrid.info prezantoi gjetje nga raporti i fundit i publikuar “Versioni i së vërtetës sipas Chatbot-it”, me fokus në tema që lidhen me Kosovën dhe rajonin. Ajo theksoi rrezikun e trajtimit të IA si burim primar informacioni.

Nga diskutimi dolën disa rekomandime kryesore, përfshirë nxitjen e etiketimit vullnetar të përmbajtjeve të gjeneruara me IA në media, përditësimin e kodeve editoriale dhe etike, trajnime për gazetarë dhe redaktorë, si dhe ndërtimin e një modeli kombëtar të vetërregullimit për IA në media dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. Po ashtu, u theksua rëndësia e harmonizimit gradual të Kosovës me standardet evropiane në këtë fushë.

Hibrid.info e sheh këtë tryezë si një nisje – ende jo të formalizuar – për të menduar së bashku për një qasje vetërregulluese dhe bashkëpunuese. Një proces ku aktorë të ndryshëm mund të kontribuojnë në ndërtimin e standardeve etike, dokumenteve orientuese, modeleve të transparencës dhe praktikave profesionale për përdorimin e AI në media.

Si përfundim, IA nuk është kërcënim për median. Mungesa e rregullimit, transparencës dhe koordinimit është rreziku real. /Hibrid.info/


Inaugurohet Premium Business Club në Rezidencën e Ambasadorit Gjerman në Kosovë

30 January 2026 at 14:43


Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare ka inauguruar Premium Business Club gjatë një ceremonie të mbajtur në Rezidencën e Ambasadorit Gjerman në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Në këtë ngjarje morën pjesë kompanitë anëtare Premium të OEGJK-së, Bordi i Odës, si dhe ekipi i saj, duke reflektuar besimin, partneritetin dhe angazhimin afatgjatë që karakterizon këtë komunitet biznesor.

Sipas OEGJK-së, Premium Business Club është një platformë e dedikuar për kompanitë Premium, e fokusuar në rrjetëzim të targetuar, bashkëpunime konkrete dhe krijimin e mundësive të reja për bashkëpunim me tregun gjerman.

Ceremonia inauguruese shënoi zyrtarisht fillimin e funksionimit të Premium Business Club dhe vendosi themelet për ndërtimin e një komuniteti biznesor më të fortë, më të lidhur dhe me ndikim më të madh në zhvillimin ekonomik. /Telegrafi/

Arrestohet një i ri në Gjonaj të Prizrenit për gjuajtje me armë zjarri, sekuestrohet pistoleta

30 January 2026 at 14:35


Policia e Kosovës ka arrestuar një të ri në fshatin Gjonaj të Prizrenit, i dyshuar për gjuajtje me armë zjarri nga automjeti, ndërsa arma e përdorur është sekuestruar.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 29 janar 2026, rreth orës 12:15, kur autoritetet kanë pranuar informata se në afërsi të një shkolle në fshatin Gjonaj janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri nga një automjet i tipit VW Golf.

Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka identifikuar automjetin e dyshuar, duke i dhënë sinjal për ndalim, por drejtuesi i mjetit nuk ka respektuar urdhrin dhe është larguar me shpejtësi. Pas kësaj, policia ka ndërmarrë ndjekje, me përfshirjen edhe të patrullave tjera.

Policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk është hasur aty. Më pas, i dyshuari është ndaluar, ndërsa arma një pistoletë me pesë fishekë, të cilën dyshohet se e kishte hedhur në tokë, është gjetur dhe sekuestruar.

I dyshuari, H.B., 21 vjeç, është intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Ndaj tij kanë nisur hetimet dhe pritet të ngritet kallëzim penal për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim i armës”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për të vepruar me vendosmëri kundër çdo akti të paligjshëm dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. /Telegrafi/


Kuvendi i Ferizajt zgjodhi nënkryetarin për komunitete

30 January 2026 at 13:52


Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Xhavit Zariqi, ka kryesuar sot mbledhjen e dytë të rregullt të Kuvendit Komunal, në të cilën morën pjesë drejtorët e drejtorive komunale, anëtarët e Kuvendit, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë kësaj mbledhjeje, drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Balton Dërguti, ka paraqitur propozim-vendimin për aprovimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe Caritas Kosovës, i cili u miratua nga Kuvendi.

Po ashtu, me shumicë votash, Kuvendi i Komunës së Ferizajt ka zgjedhur Jeton Eminin nënkryetar të Komunës nga radhët e komuniteteve.

Në rend të ditës ishte edhe aprovimi dhe miratimi i Planit të Punës së Kuvendit për vitin 2026, i cili u shqyrtua nga anëtarët e Kuvendit.

Ndërkohë, pikat që kishin të bënin me plotësim-ndryshimin e vendimit për themelimin e Komitetit për Politikë dhe Financa, si dhe propozim-vendimin për plotësim-ndryshimin e vendimit për themelimin e Komitetit për Komunitete, u shtynë për mbledhjen e ardhshme të Kuvendit Komunal. /Telegrafi/


Prokuroria autorizon Policinë për hetime lidhur me votat në Obiliq

30 January 2026 at 13:45


Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka njoftuar se po e ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit, gjatë procesit të rinumërimit janë vërejtur dyshime për mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit.

Në këtë kontekst, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të nisë hetime paraprake, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve dhe të përcaktimit nëse ka pasur shkelje të mundshme nga persona përgjegjës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me synim ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimin e ligjit. /Telegrafi/


Ndërprerje e furnizimit me ujë në fshatin Doganaj

30 January 2026 at 13:39


KRU “Bifurkacioni” njofton se sot gjatë ditës do të ketë mungesë të furnizimit me ujë të pijes në fshatin Doganaj të Komunës së Kaçanikut.

Sipas njoftimit, ndërprerja ka ardhur si pasojë e një defekti të paraqitur në rrjetin kryesor të ujësjellësit, nga i cili furnizohen edhe konsumatorët e rrugës Koxha në Doganaj.

Nga KRU “Bifurkacioni” bëhet e ditur se ekipet janë në terren dhe po punojnë në sanimin e defektit, me qëllim që furnizimi me ujë të pijes të rikthehet brenda ditës.

Kompania ka kërkuar mirëkuptimin e konsumatorëve të zonës për këtë ndërprerje të përkohshme. /Telegrafi/


Dëmtim i stacionit të pompave në Berkovë, banorët mbeten pa ujë

30 January 2026 at 12:24


KRU “Hidrodrini” njofton se sot, rreth orës 09:25, stacioni i pompave në fshatin Berkovë është dëmtuar nga persona ende të paidentifikuar, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me ujë për banorët e Berkovës dhe një pjesë të fshatit Zllakuqan, përfshirë Shkollën Fillore “Atë Shtjefën Gjeçovi”.

Nga njësitë operative të KRU “Hidrodrini” është bërë me dije se dera e stacionit të pompave është hapur me dhunë, ndërsa janë dëmtuar rëndë kabllot lidhëse të sistemit automatik të pompës, frekuentori dhe njehsori elektrik.

Po ashtu, Njësia e KEDS-it në Klinë ka konstatuar dëmtime të rënda në trafon elektrike, ku është grabitur transformatori dhe kabllot ndërlidhëse.

KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se në bashkëpunim me KEDS-in do të ndërmerren të gjitha përpjekjet për riparimin e dëmeve dhe rikthimin e furnizimit të rregullt sa më shpejt të jetë e mundur.

Policia e Kosovës ka hapur rastin dhe po zhvillon hetime për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij akti kriminal. /Telegrafi/


❌
❌