Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Tri lokale në Shtime ndëshkohen për prishje të rendit dhe qetësisë publike

25 January 2026 at 14:51


Me datën 25 janar 2026, rreth orës 02:15, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj tri lokaleve në Shtime, pas ankesave të qytetarëve për zhurmë të madhe nga muzika me volum të lartë.

Sipas njoftimit të Policisë, patrullat kanë reaguar menjëherë në rrugën “Imer Devetaku” dhe, në përputhje me autorizimet ligjore, janë shqiptuar tre gjoba kundërvajtëse ndaj pronarëve të lokaleve, secila në vlerë prej 500 euro, sipas Ligjit 03/L-142.

Lokalet në fjalë, ku zhvillohej aktivitet i lojërave kompjuterike, janë urdhëruar të mbyllen, ndërsa lënda do t’i përcillet Inspektoratit të Komunës së Shtimes për procedura të mëtejshme ligjore.

“Policia e Kosovës vazhdon të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe efektive për të garantuar rendin dhe qetësinë publike në të gjitha komunat,” thuhet në njoftimin zyrtar. /Telegrafi/

Rama vizitë dy ditore në Izrael, zbardhet axhenda

25 January 2026 at 14:20


Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jerusalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Zyra e shtypit e Kryeministrisë bën me dije se kreu i qeverisë nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Axhenda e vizitës së kryministrit Edi Rama në Israel

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jerusalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit./euronews/

Peci: Nuk ndalemi as gjatë vikendit për rend dhe pastërti

25 January 2026 at 13:35


Komuna e Mitrovicës ka vijuar angazhimin intensiv edhe gjatë vikendit, duke ndërmarrë një sërë intervenimesh konkrete në funksion të përmirësimit të rendit, rregullit dhe cilësisë së jetës për qytetarët.

Sipas një postimi nga kryetari Faton Peci, aksionet janë realizuar përmes bashkëpunimit të drejtorive komunale, me fokus në mirëmbajtjen e përgjithshme të qytetit dhe ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët.

“Nëse duam një qytet normal, kërkohet angazhim institucional, por edhe mbështetja dhe përgjegjësia e secilit qytetar,” ka shkruar Peci, duke theksuar përkushtimin maksimal për ligj dhe rregull.

Gjatë këtij vikendi janë realizuar disa ndërhyrje të rëndësishme, përfshirë largimin e një deponie ilegale pranë kopshtit të fëmijëve, e cila për vite me radhë kishte qenë problem i pazgjidhur për banorët e zonës.

Po ashtu, është bërë largimi i shitësve nga trotuaret dhe rrugët publike, duke i sistemuar ata në hapësira të dedikuara që garantojnë siguri ushqimore dhe qarkullim të lirë për këmbësorët.

Peci ka njoftuar se në kuadër të aksioneve mjedisore, është realizuar pastrimi i lumit Trepça, ndërsa në zonën e Lisicëve është intervenuar për të parandaluar shembjen e rrugës si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Një tjetër veprim ka qenë edhe rrënimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në hapësira publike.

“Mitrovica do të jetë qytet funksional, i pastër, i gjelbër dhe i sigurt për të gjithë qytetarët", ka shkruar Peci, duke u bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe respektim të ligjit. /Telegrafi/

Nga lufta në Kosovë te maja e industrisë kimike në SHBA, historia e suksesit të Teuta Elshanit

25 January 2026 at 13:26


Një histori force, këmbënguljeje dhe suksesi vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Teuta Elshani, shqiptare nga Kosova, ka arritur një nga pozicionet më të larta në fushën e inxhinierisë kimike, në një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare.

Teuta Elshani pas një rrugëtimi 26-vjeçar pune të palodhur, ka arritur të marrë pozitën e Udhëheqëse Teknike e Kërkimit dhe Zhvillimit (R&D Technical Leader) në Kimberly-Clark Professional – Amerika e Veriut, duke ushtruar rolin e inxhinieres strategjike, një nivel elitar në industrinë e saj.

Në një postim Elshani thekson se jeta e saj ndryshoi rrënjësisht më 17 prill 1999, kur lufta në Kosovë i mori familjen dhe e la të vetme në moshën 23-vjeçare.

Përballë humbjes dhe dhimbjes së thellë, ajo u gjend përpara një zgjedhjeje vendimtare: të dorëzohej apo të vazhdonte përpara.

Me një diplomë të fituar në Kosovë në kushte lufte dhe në një fushë delikate si kimia, ajo nisi karrierën e saj në Shtetet e Bashkuara si teknike laboratori.

Paralelisht me punën, iu desh të mësonte një gjuhë të re dhe të punonte në ekipe ku shumica e kolegëve ishin doktorë të inxhinierisë kimike.

“Me dhimbjen në gjoks dhe kujtimet që më rëndonin, mësova të merrja frymë mes trishtimit dhe të vazhdoja përpara, edhe kur çdo shpresë ishte zhdukur. Por noti nuk mbaroi me mbijetesën. Pas frymëmarrjes së parë erdhi barra e punës dhe e mbajtjes gjallë të trungut familjar që lufta e kishte prerë deri në rrënjë”, shprehet ajo.

Pavarësisht vështirësive të mëdha personale dhe profesionale, Teuta Elshani nuk u ndal. Me përkushtim, disiplinë dhe profesionalizëm, ajo u ngjit gradualisht në hierarkinë profesionale, duke marrë sot një rol strategjik dhe drejtues në një kompani globale me ndikim të madh ndërkombëtar.

Historia e saj përfaqëson jo vetëm një sukses profesional individual, por edhe një shembull frymëzues se si, edhe pas humbjeve më të mëdha është e mundur të ndërtohet një e ardhme e fortë. /Telegrafi/

Osmani për BBC: Kosova e di si arrihet paqja

25 January 2026 at 13:07


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar për BBC se Kosova e di se si arrihet paqja, duke theksuar përvojën e saj historike dhe rolin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Osmani, një nga lideret botërore që i është bashkuar Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trup dhe tha se ka shumë arsye pse Kosova është bërë pjesë e këtij mekanizmi.

Ajo kujtoi se 26 vjet më parë Kosova ishte e shkatërruar nga lufta dhe se ndaj popullit të saj po kryhej gjenocid, ndërsa ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, shpëtoi jetë dhe i hapi rrugë paqes, lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Osmani sot në një intervistë për BBC, tha se ka shumë arsye pse Kosova është bërë pjesë Bordit të Paqes.

“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, natyrisht me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë vendeve demokratike në mbarë botënm jetët tona u shpëtuan. Na u dha një shans për paqe. Na u dha një shans për të jetuar të lirë. Dhe sot, ne jemi sovranë, jemi demokratikë, jemi të pavarur dhe, më e rëndësishmja, fëmijët tanë janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që nuk e ka njohur luftën dhe që po e shijon paqen”, tha ajo.

Sipas saj, ne e dimë se si mund të arrihet paqja, dhe ajo arrihet përmes veprimit. “Në atë kohë, unë isha një fëmijë lufte, duke u rritur nën granata dhe, si të gjithë të tjerët në brezin tim, jetët tona ishin në rrezik. Por thelbi është ky: ajo që po dëgjonim atëherë ishin rezoluta të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ishin copa letre, ishin fjalë, por nuk kishte asnjë veprim, derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën për të na ardhur në ndihmë”, theksoi ajo, raporton RTKLive.

Duke shtuar se arsyeja e parë është ky dallim mes krijimit të paqes dhe ruajtjes së paqes. “Ne kemi nevojë për një organizatë të fuqishme ndërkombëtare që merret me krijimin e paqes dhe arritjen e saj. Pastaj, natyrisht, OKB-ja do të përfshihej në ruajtjen e paqes, gjë që është ajo që bën më së miri dhe që e ka bërë me mbështetjen e shumë shteteve, këtu në Kosovë për më shumë se dhjetë vjet”, tha ajo.

Osmani u pyet se a synon ta zëvendësohet OKB-në me këtë? “Jo. Jo. Krejt e kundërta. Siç thashë, këto organizata mund të punojnë dorë për dore, njëra duke u përfshirë në krijimin e paqes dhe arritjen e saj”, tha Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani./RTK/

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës: Mbrojtja e Thaçit synon të dëshmojë mungesën e qëllimit kriminal

25 January 2026 at 13:00


Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp, vlerëson se dëshmitë e dëshmitarëve të nivelit të lartë të thirrur nga mbrojtja në procesin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara në Hagë, kanë pasur një qëllim të qartë: të dëshmojnë mungesën e qëllimit kriminal të të akuzuarve.

Sipas Tromp, zgjedhja e emrave me peshë diplomatike e ushtarake nuk ishte rastësi, por pjesë e një strategjie të mirëllogaritur të mbrojtjes për të goditur elementin kyç të aktakuzës – “mens rea”, pra qëllimin kriminal.

Dëshmitari i parë ishte James Rubin, ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit. Pas tij ka dëshmuar ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka dëshmuar edhe ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan.

Më pas, James Peter Covey, i cili ishte zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Në mbrojtje të Thaçit dëshmoi edhe ish-diplomati amerikan. Christopher Hill e Michael Durkee në cilësinë e ish-këshilltarit politik të Wesley Clark.

Një nga dëshmitë më kryesore ka qenë edhe ajo e gjeneralit Wesley Clark.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Nevenka Tromp për KosovaPress flet për rëndësinë e këtyre dëshmive në këtë proces gjyqësor.

“Çfarë mund të them nga numri dhe sfondi i dëshmitarëve të mbrojtjes është se është shumë e qartë që të akuzuarit zgjedhën dy nga të akuzuarit kryesorë, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, të shkojnë për dëshmitarë të nivelit të lartë, që mund të dëshmonin për qëllimin e tyre, pra mungesën e qëllimit kriminal. Dhe pse është e rëndësishme? Në rastet penale, të dyja palët, duke filluar me prokurorinë, duhet të sjellin prova mbi aktet kriminale, që quhen prova ‘actus reus’, çfarë krimesh ndodhën, janë të provuara, si provohen. Dhe sapo të kesh një krim, duhet të shihet kush e bëri dhe pse. Të akuzuarit e bënë, dhe kjo quhet prova e qëllimit kriminal ose ‘mens rea’”, shprehet Tromp.

Ajo shton se mbrojtja vendosi të mos sfidojë nëse krimet ndodhën apo jo.

“Ata pranuan se krimet ndodhën në Kosovë, por duke zgjedhur dëshmitarët e mbrojtjes, ata theksojnë se nuk kishin qëllim kriminal dhe nuk janë përgjegjës për krimet që mund të kishin ndodhur siç thuhet në aktakuzë. Kjo është një mënyrë shumë e mençur për të prezantuar provat e mbrojtjes”, shton Tromp për KosovaPress.

Ndër tjera, Tromp flet për pritjet nga vendimi që pritet të shqiptohet, ani pse pohon se është vështirë të dihet.

“Sistemi i drejtësisë është interesant sepse vendimi i instancës së parë mund të apelohet nga të dyja palët. Nëse vendimi është lirimi, prokuroria mund të apelojë dhe hyjmë në pjesën e ankimimit të gjyqit. Nëse vendimi i instancës së parë jepet vitin tjetër [vitin 2026], nëse lirohen ose nëse gjenden fajtorë, mund të presim që të paktën disa pjesë të prokurorisë ose mbrojtjes të apelojnë vendimin. Ka disa skenarë: të lirohen të gjithë pa apel, gjë që është e vështirë, të lirohen por prokuroria apelon, ose të gjenden fajtorë dhe të dyja palët apelojnë. Kështu, probabiliteti i lirimit pa apel është rreth 20 për qind, lirimi me apel nga prokuroria rreth 40 për qind, dhe gjykimi me apel nga të dyja palët 40%. Në këtë mënyrë, tregohet se sa e vështirë do të ishte të bëhej një bast për rezultatin”, deklaron ajo.

Derisa flet për rëndësinë e fundit të këtij gjyqi të madh, Tromp përmend edhe Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ajo thotë se TPNJ nuk konstatoi asnjëherë se “shqiptarët kishin themeluar ndërmarrje të përbashkët kriminale me qëllim që të dëmtojnë serbët’

“Pse ky vendim do të kishte rëndësi më të madhe se thjesht rezultati ligjor për këta katër të akuzuar është kjo: Lufta e Kosovës ishte objekt i përcaktimit ligjor në Tribunalin e Jugosllavisë, i quajtur TPNJ, Tribunali Ndërkombëtar Penal për Jugosllavi. Në atë tribunal, ndryshe nga Dhomat Speciale të Kosovës për konfliktin e Kosovës, të dyja palët u akuzuan, pala serbe dhe pala kosovaro-shqiptare, pra udhëheqësit, gjithsej gjashtë prej tyre, u gjykuan në dy procese të ndryshme: rasti Haradinaj et al. dhe rasti Fatmir Limaj. Nga pala serbe, Slobodan Milosheviq u akuzua, po ashtu Vlajko Stojiljkoviq dhe Vlastimir Dordeviq në procese të ndara, ndërsa në rastin Milutinoviq et al. ishin pesë të pandehur. Millosheviq vdiq gjatë gjykimit. Milutinoviq, president i Serbisë në atë kohë, u shpall i pafajshëm. Të gjithë të pandehurit e tjerë serbë, të akuzuar për krime në Kosovë, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me dënime shumë të larta me burg, mbi 20 vjet”, shprehet ajo.

Tromp shton se TPNJ nuk konstatoi kurrë se kosovarët shqiptarë kishin formuar një ndërmarrje të përbashkët kriminale me qëllim të përbashkët për t’i dëmtuar serbët.

“Krimi i këtij të pandehuri të vetëm u cilësua si incident i izoluar. Pra, TPNJ në mënyrë absolutisht të qartë tregoi se ishte në gjendje të bënte dallimin ndërmjet agresorit – forcave serbe dhe jugosllave të sigurisë që kryen krime kundër popullsisë civile në Kosovë në periudhën 1998–1999 – dhe faktit se kosovarët shqiptarë u vetë-organizuan për t’u mbrojtur dhe se gjatë këtij procesi individë të caktuar kryen krime”, shprehet ajo ndër tjera.

Ajo flet për pasojat e mëdha që do të kishte shteti dhe historia e pastër e luftës çlirimtare nëse Gjykata Speciale do të mbështeste akuzën e prokurorisë se katërshja e UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

“Ajo që Dhomat e Specializuara të Kosovës mund të bëjnë me aktgjykimin e tyre vitin e ardhshëm në rastin Thaçi dhe të tjerët është, për shembull, të përcaktojnë se kosovarët shqiptarë të organizuar në UÇK ishin pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Kjo do ta barazonte historikisht dhe politikisht rolin e tyre me rolin e forcave serbe të sigurisë. Dhe të gjithë ju në Kosovë, edhe nëse i përkisni brezit të ri të lindur pas vitit 1999, jeni rritur me rrëfime për luftën. Ju vetë e dini se kjo nuk mund të jetë e vërtetë”, tha Tromp.

Tromp ka shtuar se kjo gjykatë mund t’jua imponojë një narrativë të tillë juve dhe pjesës tjetër të botës.

“Kjo do të ketë jehonë në narrativat politike dhe historike, sepse pala serbe nuk do të humbasë kohë për ta përfshirë këtë në versionet e saj të së kaluarës, me qëllim që ta shfajësojë veten dhe t’i relativizojë krimet e saj. Krimet do të relativizohen duke u krahasuar me krimet e forcave kosovaro-shqiptare, si UÇK-ja; por çdo grup i vetë-organizuar i kosovarëve shqiptarë që mbrojti shtëpitë, fshatrat, rrugët dhe familjet e veta, do të futeshin në këtë ekuacion. Pikërisht për këtë arsye, kjo gjykatë – Dhomat e Specializuara të Kosovës – duhet të merret shumë seriozisht përtej fatit dhe asaj që po u ndodh individëve. Ajo do të ndikojë në kualifikimin e luftës suaj çlirimtare dhe të lirisë suaj, ashtu siç e njihni”, përfundon ajo.

Gjatë vitit të kaluar në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.

Një tjetër protestë do të organizohet më 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Me moton “Drejtësi, jo politikë” do të protestohet në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në përvjetorin e 18-të të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

Kjo protestë kësaj radhe organizohet nga organizata “Liria ka emër”, e cila pret që të ketë pjesëmarrje masive.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 - gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me përgjegjësi për krime të pretenduara të luftës, pati sjell rreth 125 dëshmitarë, ndërkaq është mbështetur në mbi 100 dëshmi me shkrim. /KP/

Furnizonin me kokainë disa grupe në Tiranë - 3 të arrestuar, u sekuestrohen mbi 120 mijë euro

25 January 2026 at 12:40


Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cargo 2”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, kundër shitjes të lëndëve narkotike.

Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në vijim të operacioneve policore kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas një pune të mirëorganizuar organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cargo 2”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– Elvi Meta, 26 vjeç, Igli Canaj, 33 vjeç dhe Alban Kopaçi, 32 vjeç, banues në Tiranë.

Në Unazë të Madhe, në afërsi të rrethrrotullimit të Tegut, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “Escalade” me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjerë shtetasit E. M, dhe I. C. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë 1 kg e 36.6 gramë.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe më pas furnizonin disa grupe shpërndarësish, në zona të ndryshme të Tiranës.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit A. K, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, municion luftarak, 121 000 euro, 60 milion lekë, 5000 paund të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me lëndën narkotike, automjetin dhe 5 aparate celular.

Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tch/

Kurti takohet me poetë shqiptarë nga Mali i Zi

25 January 2026 at 12:05


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me deputeten Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka takuar një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi, pjesëmarrës të edicionit IV të Festivalit Poetik të Prishtinës, që po mbahet nga 21 deri më 25 janar 2026 dhe organizohet nga ObserverKult.

Në takim u diskutua për bashkëpunimet kulturore dhe lidhjet që letërsia i mban të gjalla mes hapësirave shqiptare.

Kurti theksoi rëndësinë e festivalit në “forcimin e komunikimit përmes fjalës artistike, me theks të veçantë në prezantimin e letërsisë shqipe në Malin e Zi brenda programit të festivalit.”

Poezia shqipe nga Plava e Gucia, Ana e Malit dhe Kraja, Tuzi e Ulqini, sipas Kurtit përfaqëson “dëshmi e qëndrueshmërisë së gjuhës dhe e dinjitetit kulturor, një mënyrë për ta ruajtur kujtesën dhe për ta shtrirë praninë tonë shpirtërore ndër breza, duke e bërë vargun urë nga një vendbanim te tjetri, nga një kujtim te një e ardhme e përbashkët.”

Ky takim thekson përpjekjet për promovimin e kulturës dhe letërsisë shqipe dhe rolin e festivalit si një platformë për dialog dhe bashkëpunim ndërkufitar. /Telegrafi/

Shefi i EULEX-it: Situata në veri stabile, ka nxitës të mundshëm për tensione

25 January 2026 at 11:10


Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano deklaron se situata e sigurisë në veri të vendit është e qetë dhe stabile, megjithatë konsideron që ka ende sfida dhe “nxitës të mundshëm për tensione”.

Autoritetet vendore, ai thotë se duhet t’i adresojnë këto dhe të zgjidhen përmes dialogut. Në intervistën për KosovaPress, Barbano thotë se ani pse nuk ka më mandat ekzekutiv, roli i EULEX-it në rast të tensioneve është i reaguesit të dytë të sigurisë.

Ai flet edhe për manipulimin me vota në zgjedhjet e fundit, sundimin e ligjit dhe nëse po arrin Kosova të luftojë korrupsionin.

Nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit ka ndryshuar udhëheqësia në komunat veriore. Atje udhëheq Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen nga Beogradi zyrtar.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tregon nëse mund të ketë ndikim kjo në situatën e sigurisë në veri.

“Situata e sigurisë në Kosovë në periudhën e fundit mund të konsiderohet e qetë dhe stabile. Ne e shohim pozitivisht kthimin e kryetarëve serbë të Kosovës në detyrë pas zgjedhjeve lokale dhe hapjen e kanaleve të komunikimit mes tyre dhe Policisë së Kosovës. Sigurisht që ka ende sfida dhe nxitës të mundshëm për tensione, por përmes dialogut dhe mbështetjes së institucioneve evropiane, besojmë se ato mund të adresohen në mënyrë paqësore....

Ka ende sfida që duhet adresuar, sidomos në integrimin e plotë të komuniteteve pakicë dhe garantimin e të drejtave të tyre brenda sistemit të Kosovës. Kjo kërkon rregullore, marrëveshje dhe diskutime që mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”, deklaron Barbano.

Në rast të tensioneve dhe përshkallëzimit të situatës në veri, Barbano tregon se cili është roli i EULEX-it.

“Roli ynë është ai i reaguesit të dytë të sigurisë. Nëse, shpresojmë jo, ndodhin trazira serioze civile dhe Policia e Kosovës kërkon ndihmë, ne mund të dislokohemi për ruajtjen e rendit publik dhe kontrollin e turmave. Por kjo është masa e fundit; më parë përdorim mjete dialogu, ndërmjetësimi dhe negocimi”, shprehet ai.

Në anën tjetër, në gjithë Kosovën po vazhdon rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë, pasi është vërtetuar që ka pasur manipulim të votave.

Madje, të premten në Prizren është zhvilluar një aksion nga Prokuroria Themelore, ku janë ndaluar 109 persona.

Barbano thotë për KosovaPress se “është për të ardhur keq”, që ka pasur raste të tilla të keqpërdorimeve.

“Sa u përket zhvillimeve pas zgjedhjeve të fundit, nuk do të komentoja shumë në këtë fushë, pasi nuk është pjesë e mandatit tonë dhe ka institucione të tjera përgjegjëse. Megjithatë, një vërejtje e vetme është se është shumë pozitive që institucionet e Kosovës kanë qenë në gjendje t’i identifikojnë vetë mangësitë dhe t’i adresojnë ato. Kjo dëshmon se sistemi demokratik është i qëndrueshëm.

Është për të ardhur keq që kjo ka ndodhur, por, siç e kam theksuar gjatë takimit tim me koordinatoren nacionale të Prokurorisë së Shtetit, znj. Laura Pula, fakti që është zbuluar dhe po trajtohet në nivelin e duhur është një zhvillim shumë pozitiv. Përgjegjësia për trajtimin e këtyre çështjeve u takon plotësisht autoriteteve të prokurorisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thotë ai.

Më 28 dhjetor janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme, për çka Barbano thotë se po ndjekin me vëmendje këto zhvillime dhe se presin formim sa më të shpejt të institucioneve.

“Së pari, ne presim që konstituimi i kuvendit të bëhet shpejt dhe pa pengesa, në përputhje me udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e disa çështjeve, dhe që një qeveri funksionale të formohet sa më parë. Natyrisht, ekzistojnë disa sfida që lidhen me rinumërimin e votave, si dhe me afatet e shkurtra para zgjedhjes së presidentit. Prandaj, ne po i ndjekim me vëmendje këto zhvillime, pasi zgjidhja e tyre është thelbësore për ndërtimin e institucioneve dhe të kornizës ligjore për të ardhmen.......

Nga qeveria dhe institucionet e reja, përfshirë Kuvendin e ri, ne presim që pozitat drejtuese që për një kohë të gjatë janë mbajtur me ushtrues detyre të plotësohen me menaxherë të rregullt, në mënyrë që të sigurohet një vizion afatgjatë për projektet dhe nevojat në vazhdim”, thekson ndër tjera ai.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë nuk ka mandat ekzekutiv në Kosovë që nga viti 2018. Tani, Barbano thotë se qëllim kryesor kanë monitorimin e të gjithë zinxhirit të drejtësisë.

Zbatimi i ligjit në Kosovë, sipas tij, shpesh has në sfida për arsye siç i përmend ai “procedurale dhe ndërhyrjeve të papërshtatshme”. Këto sfida, Barbano thotë se janë cekur qartazi edhe në raportin e vitit të kaluar për monitorimin e drejtësisë.

“Sistemi i drejtësisë në Kosovë mbështetet në një kornizë ligjore shumë të zhvilluar dhe të avancuar, të frymëzuar nga standardet më të larta në Evropë dhe në botë. Megjithatë, ekziston një dallim ndërmjet kornizës ligjore dhe zbatimit të saj, i cili herë pas here rezulton sfidues për arsye strukturore, procedurale, për shkak të ndërhyrjeve të papërshtatshme apo faktorëve të tjerë”, thotë ndër tjera Barbano.

Ndër tjera, Barbano në intervistën për KosovaPress, tregon nëse ka pasur rritje të rasteve që kërkojnë ndërhyrjen e EULEX-it.

“Edhe pse nuk kemi më funksion ekzekutiv, veçanërisht në fushën e sigurisë, ne ende kemi rolin e reaguesit të dytë të sigurisë, i cili aktivizohet vetëm me kërkesë të shprehur nga Policia e Kosovës. Ky rol kërkon edhe aftësinë për të pasur vetëdije për situatën dhe për të identifikuar tensione të mundshme në terren. Për këtë arsye, kemi prani të njësive tona policore, kryesisht në veri, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës kur është e nevojshme, përmes patrullimeve vëzhguese.

Ne trajnohemi vazhdimisht me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in për të garantuar ndërveprueshmëri dhe bashkëpunim në raste nevoje. Gjatë zgjedhjeve lokale kemi dislokuar edhe njësinë rezervë policore, por fatmirësisht nuk pati nevojë për ndërhyrje, pasi zgjedhjet u zhvilluan qetë dhe pa incidente serioze”, shprehet ai.

Shefi i EULEX-it në Kosovë, po ashtu përmend edhe vonesat në gjykim në rastet e profilit të lartë.

“Gjatë këtij monitorimi kemi identifikuar disa mangësi, përfshirë kapacitetin për trajtimin e rasteve të profilit të lartë, kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, rigjykimet e shpeshta, trajtimin e korrupsionit, drejtësinë për të mitur dhe dhunën në familje. Po ashtu, kemi monitoruar kapacitetin e policisë për të garantuar llogaridhënie në raste të trajtimit të keq, si dhe mënyrën se si rregulloret për gjuhën e urrejtjes zbatohen dhe interpretohen në raport me lirinë e shprehjes”, deklaron Barbano./KP/

18 të arrestuar dhe 11 policë të lënduar gjatë protestës së PD-së në Tiranë

25 January 2026 at 10:50


Gjatë protestës së zhvilluar më 24 janar 2026 nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, disa pjesëmarrës hodhën lëndë djegëse dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë së Shtetit.

Policia njoftoi se ka identifikohen 37 shtetas, ku ka arrestuar 18 prej tyre, ku 17 janë proceduar penalisht 17 në kërkim janë shpallur 2 të tjerë.

Gjatë tubimit janë lënduar 11 zyrtarë të policisë.

Sipas njoftimit, grupi hetimor ka identifikuar shtetasit që kryen veprime të kundërligjshme.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 33 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. U arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 19 vjeç, A. Ll., 26 vjeç, A. L., 24 vjeç, A. M., 30 vjeç, T. K., 25 vjeç, E. Sh., 24 vjeç, S. S., 21 vjeç, E. M., 30 vjeç, A. T., 50 vjeç, R. H., 24 vjeç, B. S., 48 vjeç, E. H., 22 vjeç, A. T., 47 vjeç, L. Xh., 26 vjeç, B. B., 48 vjeç, E. H., 40 vjeç, R. B., 40 vjeç dhe H. C., 20 vjeç; -nisi procedimi penal për shtetasit:B. N, E. V, A. P, K. K., F. P, M. K, D. B, R. K, A. Z, R. T, dhe 3 të mitur, u shpallën në kërkim shtetasit S. D dhe E. Ll”, ka njoftuar Policia e Shtetit.

Po ashtu, Policia e Shtetit theksoi se 11 punonjësit e Policisë që mbetën të lënduar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e pjesëmarrësve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme. /Telegrafi/

Mbeturinat pushtojnë Liqenin e Badocit

25 January 2026 at 10:39


Liqeni artificial i Badocit, burim uji për një pjesë të Prishtinës dhe Graçanicës, është mbushur me mbeturina, duke përfshirë shishe plastike dhe gjësende të tjera që pluskojnë mbi sipërfaqen e tij.

Për shkak të turbullirës së ujit, autoritetet shëndetësore kanë këshilluar që nga 13 janari që qytetarët të mos e konsumojnë ujin e këtij liqeni, shkruan REL.

Mbeturinat janë të dukshme jo vetëm në brigjet e liqenit, por edhe në ujë, pranë pendës së tij, e cila ka një lartësi prej 45 metrash.

Badoci është një nga pesë liqenet artificiale në Kosovë dhe shërben si burim uji për komunitetet përreth, duke e bërë situatën shqetësuese për qytetarët dhe autoritetet lokale.

Procesi i rinumërimit të votave përfundon në 23 komuna

25 January 2026 at 10:18


Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve sipas vendvotimeve që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur të riprocesohen.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, që nga fillimi i procesit të rinumërimit, të martën më 13 janar 2026 në orën 18:00, dhe deri të dielën, më 25 janar 2026 në orën 10:00, janë rinumëruar 1,591 vendvotime nga gjithsej 2,557 vendvotime, duke përfaqësuar mbi 62% të totalit.

Procesi i rinumërimit do të përfundojë plotësisht në 23 komuna.

Rezultatet e rinumërimit do të publikohen në platformën online të KQZ-së në hapësirën QNR > Rinumërim: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, ku do të paraqiten pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi./Telegrafi/

Avdullah Hoti shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

25 January 2026 at 10:00


Avdullah Hoti ka njoftuar se do të kërkojë besimin e anëtarëve të LDK-së për të marrë drejtimin e partisë në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026, pas dorëheqjes së kryetarit Lumir Abdixhiku.

“Pas dorëheqjes së Kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës", ka shkruar Hoti.

Ai falënderoi strukturat drejtuese për punën e tyre gjatë pesë viteve të fundit.

“Mirënjohja ime e thellë shkon, para së gjithash, për anëtarësinë besnike të LDK-së — shtyllën mbi të cilën kjo parti ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë", u shpreh ai.

Hoti gjithashtu premtoi një lidership gjithëpërfshirës dhe të drejtë, duke u zotuar se me përgjegjësi të plotë do të marr barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë.

“Zotohem të udhëheq një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent dhe në përputhje të plotë me Statutin, ku secili anëtar, çdo degë dhe çdo forum ka zë dhe rol aktiv në ringritjen e LDK-së dhe në vendimet që marrim si shtëpi politike e demokracisë. Zotohem se askush nuk do të mbetet në margjina. Se do të ndërtojmë një LDK të hapur, të drejtë dhe konkurruese. Një LDK ku avancimi bazohet në meritë, integritet dhe përkushtim ku profesionistët, gratë dhe të rinjtë e gjejnë hapësirën që u takon dhe ku energjia e re bashkohet me përvojën për ta kthyer LDK-në në alternativën kryesore qeverisëse të Republikës së Kosovës", ka shkruar tutje Hoti.

Hoti tha se LDK ka potencial të madh që duhet të çlirohet dhe kanalizohet.

“Është koha që këtë potencial ta çlirojmë dhe ta kanalizojmë për ta kthyer LDK-në në forcën politike kryesore në Republikën e Kosovës, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit shtetëror. Ky është momenti për bashkim. Për maturi. Për guxim politik. Për një fillim të ri që ndërtohet mbi parime, besim dhe vizion", u shpreh Hoti. /Telegrafi/

​Rama për protestën e opozitës: Shteti nuk përkulet nga dhuna dhe vandalizmi

25 January 2026 at 09:06


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar, pas protestës kombëtare të opozitës, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike, ndërsa shprehu solidaritet me punonjësit e policisë që u plagosën gjatë përplasjeve.

Rama ka shkruar në rrjetin sociali X, se protesta është e drejtë demokratike, por dhuna e organizuar nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e shprehjes.

"Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona”, ka shkruar ai.

Rama ka shtuar se këto protesta janë degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm.

"Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!", ka shkruar Rama. /Telegrafi/

Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e… pic.twitter.com/XT0HzmE98D
— Edi Rama (@ediramaal) January 25, 2026

Rrëmbehet një person në Prizren nga katër të dyshuar, viktima kishte kontaktuar në rrjetet sociale me një vajzë nga Peja

25 January 2026 at 09:01



Katër persona të dyshuar kanë futur me forcë një shtetas kosovar në një veturë të tipit Seat me targa vendore.

Ngjarja e cila nodhi të shtunën në Prizren, dyshohet se lidhet me kontakte të mëparshme të viktimës në rrjetet sociale me një vajzë nga Peja.

Sipas policisë, viktima qëndroi rreth një orë në makinë dhe pësoi lëndime të dukshme. Ai mori tretman mjekësor menjëherë pas lirimit.

Katër të dyshuarit, mes të cilëve një i mitur, janë arrestuar.

Si prova materiale janë sekuestruar vetura e përdorur në ngjarje, katër telefona dhe një elektroshok. Pas intervistimit dhe vendimit të prokurorit, tre të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa i mituri është liruar në procedurë të rregullt.

Policia vazhdon hetimet për privim të kundërligjshëm nga liria dhe dhunë fizike ndaj viktimës. /Telegrafi/

Punëtori lëndohet nga vinçi gjatë punës në Obiliq, arrestohet i dyshuari

25 January 2026 at 08:49


Një incident ka ndodhur të shtunën në Shkabaj, Obiliq, ku një punëtor ka pësuar lëndime pasi vinçi që po përdorte një tjetër person i doli jashtë kontrollit.

Sipas raportit të policisë, i dyshuari shtetasi i Shqipërisë gjatë punës pranë një objekti në ndërtim duke vozitur një kamion ka manipuluar vinçin në mënyrë të pa kontrolluar.

Si pasojë, vinçi është këputur dhe ka rënë duke lënduar viktimën, gjithashtu shtetas i Shqipërisë.

Viktima u dërgua menjëherë për tretman mjekësor. Ndërkohë, i dyshuari u arrestua, por pas intervistimit dhe vendimit të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Policia ka nisur hetimet për asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës, si dhe për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. /Telegrafi/

Manipulimi i votave në Prizren, një muaj paraburgim ndaj 23 të dyshuarve

25 January 2026 at 08:35


Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka caktuar paraburgim për 23 të pandehur, të dyshuar për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit, kanosje, marrje ryshfeti dhe dhënie ryshfeti.

Pas katër seancave dëgjimore, gjyqtarët e procedurës paraprake vendosën që 21 të pandehurve: O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J, t’u caktohet paraburgimi për një muaj, i cili mund të zgjasë deri më 23 shkurt 2026.

Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, nga neni 216 paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu, ndaj një të pandehure, A.V., është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, deri më 23 shkurt 2026, nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale: falsifikim i rezultateve të votimit dhe marrje ryshfeti, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.

Ndërkohë, edhe ndaj një të pandehuri, G.P., në cilësinë e vëzhguesit, është caktuar masa e paraburgimit njëmujor deri më 23 shkurt 20206, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale kanosje dhe dhënie ryshfeti

Nga Gjykata është bërë e ditur se vërtetësia e këtyre dyshimeve dhe argumentimi i fakteve do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale. /Telegrafi/

Mot i paqëndrueshëm dhe reshje shiu në Shqipëri

25 January 2026 at 08:25


Për ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë fillimisht me vranësira të dendura, pas orëve të mëngjesit deri në orët e pasdites mot me alternime kthjellimesh dhe vranësira, në mbrëmje mot i vranët.

Reshjet e shiut priten të jenë prezente që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.

Gjatë ditës reshjet e shiut me intensitet të ulët lokalizohen vetëm në ekstremin verior dhe atë jugor të vendit. Në orët e vona të mbrëmjes reshje shiu në të gjithë vendin me intensitet të ulët ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe ultësirës perëndimore reshje shiu me intensitet deri mesatar.

Në zonën e Alpeve, dhe në relievet malore në verilindje e juglindje reshje dëbore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim jug – juglindje, me shpejtësi mesatare 10 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 22 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 4-6 ballë./tch/

Vazhdon rinumërimi i votave pas manipulimeve, mbi 62% e vendvotimeve të përfunduara

25 January 2026 at 08:19


Po vazhdon rinumërimi i votave për kandidatët për deputetë që garuan në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, pas evidentimit të manipulimeve të mëdha gjatë procesit zgjedhor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri tani janë rinumëruar 1,591 nga gjithsej 2,557 vendvotime, apo 62.22 për qind e totalit. Të dhënat e fundit janë publikuar më 25 janar 2026, në ora 08:11.

Sipas KQZ-së, procesi i rinumërimit ka nisur më 13 janar 2026, në ora 18:00, ndërsa deri më tani është përmbyllur rinumërimi në 22 komuna.

Rinumërimi po vazhdon sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se institucioni “është duke u përpjekur maksimalisht që të përmbyllë në një kohë sa më të shpejtë rinumërimin e të gjitha vendvotimeve të mbetura, në mënyrë që të procedohet me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”.

Ai ka shtuar se KQZ planifikon që procesi i rinumërimit të përfundojë gjatë javës në vazhdim.

Ndërkohë, për shkak të manipulimeve të dyshuara, Prokuroria në Prizren ka arrestuar 109 komisionerë.

Për 21 prej tyre është kërkuar paraburgim për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit, ndërsa një komisionere dyshohet për dy vepra penale, falsifikim të rezultatit të votimit dhe marrje ryshfeti.

Po ashtu, një vëzhgues dyshohet për veprat penale kanosje dhe dhënie ryshfeti./Telegrafi/

Sot vranësira dhe riga shiu

25 January 2026 at 08:09


Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot në vend do të mbajë mot kryesisht i vranët, i shoqëruar me riga shiu.

Sipas parashikimit, temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 8 deri në 12 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 6 metra në sekondë./Telegrafi/

❌
❌