Tregtonin lëndë narkotike në Pogradec/ Jepet pretenca për grupin kriminal, sa vite burg kërkon prokuroria (EMRAT)
Nga; Elton Qyno
Plot 45 vite burgim, ka kërkuar në gjykatë prokuroria e Korçës për grupin e Pogradecit që tregtonin heroinë dhe kokainë në disa zona të qytetit, si Volorekë, Tushemisht, zona e ish-turizimit dhe vende të tjera.
Dhjetë të pandehur janë përballur me akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Ndërkohë që në pretencën e saj prokuroria shpalosi një sërë provash të siguruara nga hetimi, që tregonin një sërë raportesh vëzhgimi dhe përgjime ambientale, të cilat vërtetonin aktivitetin kriminal të 10 të pandehurve.
Disa prej tyre janë arrestuar nga policia qysh prej muajit shtator 2023, ndërsa disa të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se 10 të pandehurit kanë pranuar akuzën dhe gjendjen e akteve të paraqitura nga prokuroria, duke hyrë në këtë proces gjyqësor me procedurën e gjykimit të shkurtuar me qëllim përfitimin e uljes së dënimit në masën 1/3.
Mësohet se për personin në kërkim Andrea Pilinçi, prokuroria ka kërkuar 8 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar masa përfundimtare e kërkuar ndaj tij, është 5 vite e 4 muaj burgim.
Për personat e tjerë si Leonard Dervishllari, Dhimitër Buli, Rudi Shaho, Naum Çbani, Erion Bardho, Andrea Barmashi, është kërkuar dënimin e tyre me 7 vite burgim. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, kjo masë dënimi përfundimisht është ulur në 4 vjet e 8 muaj burgim.
Për Marko Zikon, prokuroria kërkoi 6 vjet burgim ku me gjykim të shkurtuar u kërkua përfundimisht dënimi me 4 vjet burgim. Me 5 vjet heqje lirie u kërkua për Klavio Prishtinën dhe Edison Hidrin, të cilët nga gjykimi i shkurtuar përfituan uljen e dënimit në masën përfundimtare në 3 vjet e 4 muaj burgim.
Sipas dosjes hetimore, rezulton se një agjent i infiltruar dhe autorizuar nga prokuroria e Korçës, ka blerë disa herë kokainë në ambientet e Bar-Restorant “Kashta 1” në Tushemisht.
Në 22 Gusht 2023 agjenti i infiltruar, ka telefonuar përmes aplikacionit “WhatsApp” Andrea Pilinçi, të cilin personi ka kërkuar ta takojë.
Andrea Pilinçi, ka pranuar të takohet dhe i ka thënë agjentit që të shkojë te lokali, “Kashta” në Tushemisht. Në orën 16:10, agjenti ka shkuar në ambientet e lokalit dhe pasi është ulur te një nga tavolinat, aty është ulur dhe Andrea Pilinçi.
Ky i fundit pasi bisedon disa sekonda me personin e autorizuar, ka thirrur kamerierin e lokalit Endrit Hafesllari, të cilin e ka dërguar për të marrë dozën e lëndës narkotike.
Pasi Endriti, e ka çuar dozën në tavolinë ka shkuar përsëri brenda lokalit dhe ka marrë një tjetër dozë ja ka dhënë agjentit të policisë.
Nga procesi i vëzhgimit vihet re se Andrea Pilinçi, në bashkëpunim me punonjësit e lokalit ”Kashta 1”, Endrit Hafesllari dhe Naum Çobani, kryejnë aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike kokainë.
Këtë aktivitet këta persona e ushtrojnë në ambientet e lokalit, te persona të njohur dhe të pa njohur.
Andrea është personi që ka kontaktet me klientët ndërsa Endriti dhe Naumi, janë personat që shesin lëndën narkotike sipas porosive që i jep, Andrea.
Por kjo bazë e shitjes së drogës në Pogradec nuk është e vetmja. Një tjetër grup tjetër mjaft aktiv që tregon kokainë, heroinën dhe hashashin në qendër të qytetit, është ai i Alfons D.
Tregtia e kokainës realizohej në qendër të Pogradecit, pranë hotel “Enkelana”, ku në një episod prokuroria ka provuar shitjen e lëndës narkotike nga Klavio Prishtina tek Renato Musollari.
Në raportin e vëzhgimit në teren Klavio Prishtina, rezulton të jetë pasagjer në automjetin e markës “Range Rover” me targa AA888UM, ndërsa drejtues i këtij mjeti ka qenë, Alfons Demollari.
Në vijim të vëzhgimit, automjeti i mësipërm ka ndaluar te vendi i quajtur “Enkelana”, paralel me automjetin “Mercedes Benz” me targa AA445YV, i cili kishte ndaluar në anë të rrugës, në momentin që “Range Rover”, ka ndaluar një person i cili më pas është identifikuar si Renato Musollari.
Ai është afruar te xhami i parë i automjetit “Range Rover” dhe ka shkëmbyer diçka me pasagjerin Klavio Prishtina, pasi ka marrë sendin nga Klavio, e ka futur në xhep, ka ulur kofanon e mjetit dhe është futur brenda makinës, ku është ulur në sedilje, ndërsa automjeti “Range Rover” është larguar në drejtim të qytetit të Pogradecit.
Në këtë moment kanë ndërhyrë punonjësit e policisë, të cilët nga kontrolli personal i ushtruar Renato Musollarit, i kanë gjetur një mbështjellje plastmasi, brenda të cilës ka pasur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë.
Përmes agjentëve të infiltruar, policia ka dokumentuar disa raste të tregtisë së kokainës, ku në këtë aktivitet kriminal janë futur një grup personash me precedentë penalë si Leonard Dervishallari, Erion Bardho, Andrea Barmashi, Marko Ziko, Klavio Prishtina, Dhimitër Buli, Edison Hidri dhe Rudi Shaho.
Ky i fundit është shok i Firdeus Berberit, djalit të “Lilit të Rushkës” i arrestuar në Janinë së bashku me Laert Haxhiun dhe tashmë të dy janë ekstraduar në Shqipëri.
Rudi Shaho, është proceduar nga gjykata e Korçës për “Moskallëzim Krimi” dhe “Përkrahje e autorit të krimit”, lidhur me ngjarjen e muajit Prill 2022, ku mbeti i plagosur me armë dhe thikë, Johan Muçllari.
Në dosjen hetimore të operacionit “Tempulli”, jepet një tablo e qartë se si tregtohet kokaina në rrugën “Rinia”, Tushemisht dhe “Kisha e Re” në Pogradec.
Sipas hetimeve Rudi Shaho, ka zhvilluar një takim me agjentin e policisë tek vendi i quajtur “Kisha e Re” në qytetin e Pogradecit, momenti i parë i takimit.
Në këtë takim Rudi Shaho, është me motor dhe se ka ndodhur në orën 22:31 minuta. Ky takim zgjati rreth një minutë, ku subjekti fillimisht është takuar dhe ka rënë dakord për sasinë dhe çmimin me blerësin e simuluar.
Pas disa minutash, personi i autorizuar ka komunikuar përsëri me shtetasin Rudi Shaho dhe pas këtij komunikim ky i fundit ka ardhur përsëri te vendi ku janë takuar herën e parë, të dy personat kanë shkëmbyer diçka me njëri tjetrin dhe më pas janë larguar.
Pretenca e prokurorisë:
1. Leonard Dervishllari me 7 vite burgim, dënimi përfundimtar 4 vite e 8 muaj burgim.
2. Dhimitër Buli me 7 vite burgim, dënimi përfundimtar 4 vite e 8 muaj burgim.
3. Rudi Shaho me 7 vite burgim, dënimi përfundimtar me 4 vite e 8 muaj burgim.
4. Andrea Pilinçi me 8 vite burgim, dënimin përfundimtar me 5 vite e 4 muaj burgim.
5. Naum Çobani me 7 vite burgim, dënimin përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj burgim.
6. Erion Bardho me 7 vite burgim, dënimin përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj burgim.
7. Andrea Barmashi me 7 vite burgim, dënimin përfundimtar me 4 vjet e 8 muaj burgim.
8. Marko Ziko me 6 vjet burgim, dërgimin përfundimtar me 4 vjet burgim.
9. Klavio Prishtina me 5 vjet burgim, dërgimin përfundimtar me 3 vjet e 4 muaj burgim.
10. Edison Hidri me 5 vjet burgim, dërgimin përfundimtar me 3 vjet e 4 muaj burgim. /Syri.net
The post Tregtonin lëndë narkotike në Pogradec/ Jepet pretenca për grupin kriminal, sa vite burg kërkon prokuroria (EMRAT) appeared first on Albeu.com.