Policia e Kosovës njofton se reshjet e shiut kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim në disa zona të vendit, duke përfshirë: dëmtime të rrugëve, rrëshqitje të dheut dhe dëmtime në ura të caktuara.
Policia po monitoron situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe ka rritur praninë policore në terren për të siguruar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.
“U bëjmë thirrje të gjithë shoferëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përshtatin vozitjen me kushtet aktuale të rrugës dhe dukshmërinë e reduktuar,” njofton Policia e Kosovës.
Autoritetet theksojnë se siguria fillon nga ju, dhe kur kushtet në rrugë ndryshojnë, kujdesi duhet të rritet për të shmangur aksidentet e mundshme. /Telegrafi/
Procesi i numërimit të votave të ardhura me postë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 po shkon drejt përmbylljes, ndërsa kanë mbetur edhe 25 kuti për t’u numëruar.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), deri tani janë numëruar 120 nga gjithsej 145 kuti, që përbëjnë 82.76 për qind të votave me postë.
Rezultatet aktuale tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje, kryeson me 73.18 për qind të votave, apo 25,828 vota.
Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.02 për qind ose 3,536 vota, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 8.77 për qind apo 3,096 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 3.91 për qind të votave.
Nga KQZ është bërë e ditur se numërimi po vazhdon sipas planit dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të plotë të procesit dhe verifikimeve përkatëse. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha zonat e përmbytura nga reshjet e shiut.
“Ajo dramë që shohim ne sot, ajo vërtet ka si shkak natyror dhe ndaj unë kërkoj shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por këto përmasa nuk i merrte kurrë në qoftë se do ishin në gatishmëri dhe funksion hidrovoret, të cilët janë të përllogaritur për të mbrojtur zonat nga përmbytjet dhe në qoftë se do funksiononte sistemi i tyre i kanalizimeve”, u shpreh Berisha, raporton A2 CNN.
Berisha thotë se edhe qeveria ka përgjegjësi për situatën ku ndodhet vendi, duke e akuzuar për keqmenaxhim. Para gazetarëve, lideri opozitar deklaroi se investimet për hidrovore janë bërë pa studim, ndaj dhe Durrësi prej më shumë se 24 orësh ndodhet nën ujë.
“Durrësi kurrë nuk ka njohur një përmbytje të tillë. Dhe shkaqet e përmasave të kësaj përmbytje janë absolutisht vjedhja, vjedhja dhe vetëm vjedhja e fondeve. Taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për mbrojtjen e qarkut të Durrësit, Porto Romano dhe zonat e tjera, 42 milionë euro investim. Por korrupsioni ka bërë që hidrovori i Porto Romanos, kolektorin ta ketë në kuotën mbi 70 centimetra”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, lideri demokrat iu rikthye akuzave ndaj Ramës për dosjen e AKSHI-t. Berisha e quan kryeministrin si kryemafioz dhe e akuzon se në bashkëpunim me Ergys Agasin ka vjedhur të dhënat e shqiptarëve për t’ua servirur vendeve jo mike të Shqipërisë.
“Është kryemafiozi që ka vjedhur të dhënat personale të shqiptarëve. Që ka vënë në përgjim telefona, kompjutera, të të gjithë ambasadave në Shqipëri dhe përfaqësuesve të huaj. Që ka eksportuar tek armiqtë e NATO-s, të dhënat e NATO-s që i janë besuar Shqipërisë. Që ka eksportuar të dhënat më sekrete tek kartelet e drogës dhe organizatat kriminale”, theksoi kreu demokrat, raporton A2 CNN.
Situata në të cilën ndodhet vendi kërkon reagim, tha Berisha, ndaj sërish ftoi të gjitha forcat opozitare që të bashkohen në tryezën e organizuar prej ditës së premte, ku do të vendoset edhe data e protestës së radhës kombëtare.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për përjashtimin e prokurorit Bekim Kodraliu në rastin e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Vargë të Zubin Potokut.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Arbnora Luta. “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ju njofton se kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurorit special nga rasti penal në fjalë është refuzuar”, ka deklaruar Luta.
Ndryshe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe partnerët evropianë, ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave: J.V., D.V., dhe I.D., për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me “Kryerjen e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Spiunazh”.
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, të pandehurit J.V. dhe D.V., së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, kanë vendosur rreth 20 kilogramë trinitrotoluene (TNT) brenda kanalit “Ibër Lepenc”. Ata e aktivizuan lëndën shpërthyese përmes një çante të lidhur me një shtyllë betoni, duke dëmtuar rëndë strukturën e kanalit, ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm, rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike dhe shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh ndërmarrjes “Ibër Lepenc”., njofton zyra për informim e kësaj prokurorie.
Aktakuzat gjithashtu përfshijnë veprat penale të armëmbajtjes pa leje për tre të pandehurit dhe veprën penale të spiunazhit për J.V., i cili dyshohet se ka vepruar në favor të Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë, duke mbledhur dokumente dhe informacione të klasifikuara për qëllime të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton se situata me vërshime në territorin e Kosovës paraqitet dinamike, me raste të lokalizuara në disa komuna si pasojë e reshjeve të shumta.
Një nga zonat më të prekura është Anadrinisa në Komunën e Prizrenit, ku uji i Drinit të Bardhë ka dalë mbi rrjedhën normale dhe ka përmbytur dy anët e rrjedhës.
Sipas policisë, rruga Gjonaj-Krajk është e bllokuar pasi uji ka arritur mbi 1.5 metra në rrugë, duke pamundësuar qarkullimin.
“Në pjesën tjetër të vendit, gjendja mbetet stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm,” njofton AME.
Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me strukturat komunale dhe Qendrën Operative të Agjencisë, janë angazhuar për pompim të ujit dhe largim të përmbytjeve, sigurimin e objekteve të rrezikuara dhe monitorimin e pikave kritike.
Numri unik emergjent 112 është funksional dhe në shërbim të qytetarëve. AME thekson se nuk raportohet për humbje jete, ndërsa dëmet materiale janë të kufizuara dhe po vlerësohen nga autoritetet lokale.
“Ekziston mundësi për përkeqësim të situatës në rast të reshjeve të reja, por rreziku aktual vlerësohet i menaxhueshëm,” thonë nga AME.
AME ka apeluar te qytetarët që të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në 112.
AME konfirmon se situata mbetet nën monitorim aktiv dhe është e përkushtuar të informojë publikun 24/7 për çdo zhvillim të ri. /Telegrafi/
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar vështirësi të mëdha për disa familje në komunën e Rahovecit, duke i lënë disa prej tyre të ngujuara në shtëpitë e tyre.
Sot, bashkë me trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), u realizua evakuimi i dy familjeve në fshatin Xërxë, duke siguruar daljen e tyre të sigurt nga zonat e rrezikuara.
“Siguria e qytetarëve është prioritet. Evakuimi u krye me sukses, dhe familjet tashmë janë në vend të sigurt,” thuhet në njoftimin e komunës.
Për gjendjen shëndetësore të qytetarëve të evakuuar u kujdes stafi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Rahovec, i cili ofroi ndihmën e parë mjekësore dhe i dërgoi ata për trajtim të mëtejshëm, nëse ishte e nevojshme.
Komuna e Rahovecit apelon tek qytetarët që të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin zonat e rrezikuara për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe përmbytjeve të mundshme. /Telegrafi/
Bizneset dhe individët e industrisë së turizmit tashmë mund të regjistrohen për të marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit – Kosova 2026, ngjarja më e madhe e turizmit në vend.
Ky panair ofron një mundësi unike për të promovuar produktet dhe shërbimet turistike para partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe për të krijuar rrjete bashkëpunimi dhe mundësi të reja biznesi.
“Ky panair synon të fuqizojë sektorin e turizmit në Kosovë dhe të lidhë aktorët vendorë me partnerët ndërkombëtarë, duke promovuar potencialin turistik të vendit tonë,” thonë organizatorët.
Ngjarja pritet të tërheqë kompani turistike, agjenci udhëtimesh, operatorë hotelesh dhe profesionistë të industrisë nga vendi dhe jashtë, duke bërë të mundur prezantimin e ofertave turistike në një platformë ndërkombëtare të promovimit. /Telegrafi/
Situata në disa komuna të Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve, duke shkaktuar dëme serioze në ekonomi, infrastruktura publike dhe bujqësi.
Komunat kanë njoftuar se situata është alarmante në lumin Mirusha në Malishevë, ku diga është në gjendje të rrezikshme dhe kërcënon jetën dhe pronat e qytetarëve.
Në një prononcim për Telegrafin, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka theksuar se komunat nuk kanë kapacitetet financiare për të përballuar dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ka kërkuar krijimin urgjent të një Fondi Emergjent për Komuna.
“Gjatë ditës së sotme isha në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të Gjakovës, Drenasit, Malishevës, Deçanit, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Junikut dhe komunave të tjera të prekura nga vërshimet. Nga informacionet e pranuara dhe vlerësimet në terren, dëmet janë serioze, si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe në mënyrë shumë më shqetësuese për infrastrukturën publike. Si AKK kemi kërkuar dhe kërkojmë themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm që u mundëson komunave reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se komunat janë institucionet e para në terren që reagojnë gjatë fatkeqësive natyrore.
“Pa fond emergjent, reagimi vonohet, rrezikohen jetët e qytetarëve, rriten dëmet materiale,” tha Ibrahimi, duke nënvizuar nevojën për një mekanizëm të përhershëm që mundëson reagim të shpejtë dhe profesional në raste emergjencash.
Ibrahimi ka rikujtuar se komunat nuk kanë buxhet për t’i mbuluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë tjera, duke shtuar se për këtë arsye niveli qendror duhet të lejojë rishikimin e buxheteve komunale dhe të sigurojë fonde të menjëhershme.
“Është e rëndësishme të theksohet se komunat kanë intervenuar me mjete vetanake për parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente. Megjithatë, ekonomitë familjare dhe bizneset nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë në vitet e kaluara. Një shembull konkret është komuna e Drenasit, ku nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë (7) ura, dhe deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje për sanimin e tyre. Kjo gjendje është e papranueshme dhe tregon qartë dështimin e mekanizmave aktualë të kompensimit”, tha ai.
Ibrahimi shtoi se nëse kuvendet komunale, mbi bazën e vlerësimeve profesionale të komisioneve komunale, miratojnë vendime për dëmet dhe kompensimin, atëherë niveli qendror duhet t’i ekzekutojë këto vendime.
“Në rast se niveli qendror nuk u beson këtyre vlerësimeve, atëherë le të formojë komisione vlerësuese nga niveli qendror, por vlerësimet e tyre duhet të ekzekutohen, e jo të mbesin peng i procedurave burokratike që zgjasin me vite. Nuk mund të vazhdojmë të kemi situata ku dëmet mbesin të pakompensuara për vite të tëra, ndërsa qytetarët dhe komunat mbajnë barrën financiare të fatkeqësive natyrore. Kjo gjendje duhet dhe duhet të ndryshojë”, u shpreh Ibrahimi. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se situata pas vërshimeve në këtë komunë po shkon drejt stabilizimit, pas ndaljes së reshjeve të shiut.
Në një njoftim drejtuar qytetarëve, Lladrovci ka falënderuar për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës gjatë menaxhimit të situatës.
“Ju falënderoj për respektimin e vendimeve të Drejtorisë së Emergjencave dhe Policisë së Kosovës në situatën e vërshimeve”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht vetëm një rrugë mbetet e bllokuar, ndërsa rrugët e tjera janë të kalueshme, megjithëse kërkohet kujdes i shtuar.
“Aktualisht, janë ndalur reshjet dhe rruga e vetme e bllokuar është rruga Drenas–Guri i Plakës. Rrugët tjera, të cilat kanë qenë të bllokuara, janë të kalueshme, por kërkohet kujdes”, ka theksuar ai.
Sipas Lladrovcit, ekipet komunale janë të angazhuara me prioritet në disa zona problematike, ku po shënohen përmirësime të dukshme.
“Angazhimet me prioritet për ujin te Lokalet e reja, afër Stacionit të Autobusëve, po japin rezultat dhe së shpejti situata do të përmirësohet”, ka deklaruar kryetari i Drenasit.
Në fund, Lladrovci u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë udhëzimet e institucioneve dhe të tregojnë solidaritet në tejkalimin e situatës.
“Respektoni vendimet e organeve kompetente, jepni ndihmë ku mundeni për tejkalim të situatës dhe shtoni kujdesin”, ka apeluar ai./Telegrafi/
Rezultati në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, ka bërë që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lidershipi i saj të jenë në qendër të kritikave.
Së fundmi pakënaqësitë kanë filluar të shpërfaqen në publik edhe nga anëtarë e ish-anëtarë të këtij subjekti.
Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca ka reaguar publikisht duke kërkuar ndryshim dhe unifikim urgjent brenda LDK-së.
Sipas tij, zhvillimet e brendshme po e pengojnë reformimin e partisë.
“LDK-ja ka nevojë urgjente të ndryshojë dhe të unifikohet”, ka deklaruar Grainca, duke akuzuar një grup brenda partisë se po e bllokon këtë proces.
“Gupi i mashtruesve, sorosistëve dhe humbësve të tri palë zgjedhjeve, si dhe shërbëtorët e partive të tjera brenda LDK-së, po e pengojnë ndryshimin”, është shprehur ish-deputeti.
Grainca ka theksuar se LDK-ja nuk duhet të dorëzohet përballë asaj që ai e quan krim dhe ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm politik brenda partisë.
“LDK-ja nuk mund të dorëzohet para krimit”, ka përfunduar ai.
Ky reagim vjen ndërsa brenda LDK-së kanë shpërthyer debate të forta pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku partia u rendit e treta me një rënie të dukshme të votave.
Ishte kandidatja për deputete, Shqipe Pantina, e cila kritikoi drejtpërdrejt udhëheqjen e LDK-së duke thënë se “u fokusua shumë në opozitë ndaj Qeverisë Kurti dhe la pas dore ofrimin e një alternative konkrete për qytetarët”.
Pantina gjithashtu vuri në pikëpyetje reformën e nisur nga kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, duke deklaruar se “reforma është lënë në gjysmë” dhe se vendimet e fundit për pozicionimin e individëve pa përvojë politike “kanë krijuar rezistencë brenda partisë”.
Komentet e Pantinës shkaktuan reagime brenda radhëve të LDK-së, ku kandidati për deputet Sokol Havolli e sulmoi atë nëpërmjet një postimi, duke sugjeruar se ajo po i bënte “goditje pas shpine” partisë dhe se kritikat e saj reflektojnë dështime politike personale. /Telegrafi/
Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë reaguar lidhur me situatën e krijuar në shumë shkolla të vendit pas reshjeve të shumta të shiut dhe përmbytjeve të ditëve të fundit, duke e cilësuar gjendjen si rrezik serioz për sigurinë e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit.
Sipas SBASHK-ut, kjo situatë ka dëshmuar edhe një herë se infrastruktura shkollore në Kosovë mbetet e pambrojtur, ndërsa reagimi institucional shpesh ndodh vetëm pas presionit dhe shqetësimit publik.
"SBASHK përkrah vendimet e disa Drejtorive Komunale të Arsimit, si dhe vendimin e MAShTI-t për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë deri më 12 janar 2026, duke vlerësuar se siguria e nxënësve dhe punëtorëve të arsimit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër", thuhet në njoftim.
Megjithatë, sindikata vlerëson se shtyrja e mësimit nuk është e mjaftueshme nëse nuk shoqërohet me veprime konkrete në terren.
Për këtë arsye, SBASHK ka kërkuar urgjentisht inspektime të menjëhershme dhe të detajuara në të gjitha shkollat, vlerësim real të gjendjes së objekteve shkollore, sanim të menjëhershëm të dëmeve dhe eliminim të çdo rreziku potencial për nxënësit dhe mësimdhënësit, si dhe transparencë e përgjegjësi institucionale.
Në veçanti, SBASHK ka kërkuar inspektime urgjente në komunat më të prekura nga përmbytjet, përfshirë Drenasin, Malishevën, Suharekën, Fushë Kosovën, Klinën, Gjakovën, Dragashin dhe komunat e tjera ku janë raportuar dëme serioze në objektet shkollore.
Në reagimin e saj, sindikata ka lëshuar edhe paralajmërim sindikal, duke theksuar se nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi.
Në rast se institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime sindikale në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarëve të saj.
"SBASHK nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj.Siguria nuk negociohet", thuhet në reagim. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përditësuar të dhënat e fundit nga numërimi i votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) i është rikthyer sërish një mandat në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rezultateve të përditësuara, me 98.70 për qind të vendvotimeve të numëruara (2,799 nga 2,836), LDK ka arritur në 13.28 për qind të votave, që përkthehen në 15 mandate deputetësh.
Në bazë të të dhënave aktuale, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të kryesojë me 50.81 për qind të votave dhe 57 mandate, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.35 për qind dhe 22 mandate.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 5.52 për qind dhe 6 mandate, ndërsa Lista Serbe ka 4.55 për qind të votave dhe 9 mandate.
Deputeti që hyn në parlament nga rezultatet e tanishme është Fadil Haderxhonaj i LDK’së. Ndërsa deputeti nga PDK që e humb ulësen në kuvend është Bekim Haxhiu.
Ndryshe, është duke vazhduar numërimi i votave me postë, ku deri tani janë numëruar 73,79%. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet e djeshme në disa komuna të vendit është aktualisht nën kontroll, ndërsa institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara pa ndërprerë në terren.
“Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se institucionet qendrore kanë mbështetur edhe autoritetet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.
“Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike.
Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, vërshimet kanë prekur një numër të madh komunash, përfshirë: Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimen, Graçanicën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.
“Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll”, ka bërë të ditur Kurti, duke shtuar se përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.
Ai ka theksuar se gjatë natës ka pasur intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për pastrimin e pusetave të bllokuara, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gatishmëri.
Në fund, Kurti ka falënderuar të gjitha ekipet e angazhuara dhe qytetarët për bashkëpunimin.
“Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues. Falënderoj qytetarët për solidaritetin dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Pas vërshimeve të mëdha të djeshme, ura mbi lumin Drin në fshatin Gjonaj është vënë nën rrezik, duke alarmuar banorët e zonës.
Sipas banorëve më të vjetër të fshatit, lumi Drin asnjëherë nuk ka pasur prurje kaq të mëdha, dhe kjo situatë rrezikon shëmbjen e urës që lidh zonën e Hasit me Prizrenin.
Banorët po kërkojnë ndërhyrje të shpejtë nga institucionet përkatëse për të parandaluar dëme të mëdha infrastrukturore dhe për të garantuar sigurinë e komunitetit.
Autoritetet lokale dhe shtabi emergjent janë vënë në gatishmëri për monitorimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme./Telegrafi/
Për herë të parë gjatë vitit 2025, në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë identifikuar shtatë meshkuj të prekur nga kanceri i gjirit, duke shënuar një rritje krahasuar me vitin 2024, kur ishin regjistruar vetëm dy raste të tilla.
Ndërsa në total gjatë vitit që lamë pas, janë regjistruar rreth 2 mijë e 100 raste të reja të kancerit tek të rriturit, numër pothuajse i njëjtë me vitin 2024, çka sipas drejtuesve të Klinikës së Onkologjisë konsiderohet si trend stabil.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, në intervistën për KosovaPress tregon se kanceri i gjirit vazhdon të mbetet lokalizimi më i shpeshtë, me mbi 460 raste te femrat, përveç rasteve të evidentuara te meshkujt.
Sipas tij, edhe gjatë vitit 2025 vazhdojnë të dominojnë tumoret e mushkërive, veçanërisht te meshkujt, të cilat kanë prekur mbi 270 pacientë. Po ashtu, numër i konsiderueshëm i rasteve vazhdon të regjistrohet edhe te tumoret e traktit digjestiv, ku përfshihen kanceri i ezofagut, lukthit, pankreasit, mëlçisë dhe zorrëve, me theks të veçantë në kancerin e zorrës së trashë, që në total kapin mbi 450 pacientë.
Ndërkaq, bën të ditur se fluksi i pacientëve mbetet i lartë çdo ditë.
“Vitin 2025 ne kemi evidentuar dhe regjistruar si raste të reja, në klinikën tonë, në kancer regjistri spitalor, përafërsisht numër të njëjtë të rasteve me vitin 2024 që është një shenjë e mirë. Deri tani kemi deri në 2100 raste të reja të të rriturve dhe me lokalizimet më të shpeshta sikurse 2024 me dominim të kancerit të gjirit, i cili ka atakuar më shumë se 460 femra dhe për herë të parë këtë vit e identifikojmë shtatë burra me kancer të gjirit, në 2024 dallim së paku dy persona", tha Kurtishi.
Kurtishi theksoi se lokalizimet tjera mbesin në përqindje të njëjtë, me dominim të tumoreve të mushkërisë me nëngrupet e veta te meshkujt, e cila atakon më shumë se 270 pacientë, tumoret e tubit digjestiv ku përfshihen tumoret e ezofagut, lukthit, pankreasit, mëlçisë, zorrëve të holla të trasha dhe me dominim të zorrës së trashë me numrin më të madh të këtyre rasteve dhe në total kapin më shumë se 450 pacientë... Çdo ditë në Klinikën e Onkologjisë bëhen trajtime ekzaminime dhe takime grupore.
"Një ditë e zakonshme, Onkologjinë e gjen me së paku 250 shërbime. Në shërbimin në radioterapi 130 pacientë dhe tre deri katër rrezatohen", tha ai.
Klinika e Onkologjisë, aktualisht, nuk ka listë pritjeje për shërbimet që ofron, thekson ndër të tjera Ilir Kurtishi.
Në klinikë janë angazhuar tre specialistë të rinj të onkologjisë, të cilët pritet të lehtësojnë ngarkesën e punës, ndërsa mungesa e infermierëve vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore.
“Në këtë drejtim mund të themi se jemi kampion, meqenëse nuk kemi asnjë pacient që është në listë të pritjes në asnjë shërbim që ne ofrojmë. Shërbimin e radioterapisë e kemi bërë një avancim shumë të lartë me teknika të reja të rrezatimit, jemi duke instaluar aparatin e tretë... Kemi tre specialistë të ri të Onkologjisë që do lehtësojnë barrën shumë. Puna me infermierë akoma edhe pse kemi pasur shpeshherë edhe punësime të reja të infermierëve por prapë këto problemet janë të vazhdueshme për shkak që një numër i infermierëve për shkaqe personale mund të ketë mungesa në punë”, shton ai.
Pohon se gjatë vitit 2025 ka pasur mungesa të vogla dhe të përkohshme, të cilat sipas tij kanë qenë kryesisht pasojë e problemeve me operatorët ekonomikë dhe procedurat e tenderimit.
Sfidë, sipas tij, mbetet furnizimi me disa barna të imunoterapisë që duhet të sigurohen nga shteto.
“Gjatë vitit 2025 në krahasim me 2024 kur furnizimi ka qenë gati maksimal, këtë vit ka pasur periudha ku kemi pasur mungesa të vogla, periudha të caktuara kohore, por kjo sipas raportimeve të drejtorisë dhe barnatores qendrore, në disa raste është lidhur edhe me mungesat e operatorëve ekonomikë dhe dështimet që kanë ndodhur me procedurat e tenderimit. Sa i përket planifikimit të barnave nga Onkologjia dhe SHSKUK-ja, ne kemi qenë në një vijë i cili ka përmbushur nevojat e klinikës më shumë se 90 përqind. Ne gjatë vitit 2025 e kemi pasuruar listën me barna të reja target për mjekimin e sëmundjeve të gjirit, që kanë përmirësuar më shumë cilësinë e trajtimeve onkologjike të gjirit dhe barna të trajtimit të menallomës malinje. Ajo që mbetet sfidë edhe për shtetin edhe për ne është që të kemi prezent akoma më shumë barna, të kemi indikacione të reja, disa barna të imunoterapisë dhe pacientët të cilët kanë nevojë këto barna ti sigurojnë të sigurohen nga shteti”, thotë Kurtishi.
Në Klinikën e Onkologjisë ofrohet edhe shërbimi psikologjik për pacientët, ndonëse kapacitetet janë të kufizuara për shkak të fluksit të madh të rasteve.
“Është një psikologe e cila trajton pacientët, me kapacitete që ka, meqenëse është edhe fluks i madh i pacientëve, disa nga ta kërkojnë shërbime psikologjike, disa nga ta ne i rekomandojmë por ka edhe ata që refuzojnë. Shërbimi psikologjik ofrohet në mënyrë individuale dhe grupore. Numri më i madh të cilët do të ishin të disponueshëm do të bënte më mirë qasjen psikologjike të pacientit”, nënvizon Kurtishi.
Sipas Kurtishit, diagnostikimi i hershëm, skriningu i rregullt dhe rritja e vetëdijes së qytetarëve mbeten faktorë kyç në përmirësimin e mbijetesës dhe cilësisë së jetës së pacientëve me kancer, derisa nevojitet mbështetje e vazhdueshme institucionale për sigurimin e barnave inovative dhe shërbimeve mbështetëse, përfshirë edhe ato psikologjike./KP/
Pas ditës së vështirë të djeshme ku disa zona në Rahovec, përfshirë Fortesën dhe Ratkocin, u prekën nga reshjet e mëdha dhe përmbytjet e mundshme, situata sot është më e qetë.
Kështu tha për Telegrafin Smajl Latifi, kryetari i Rahovecit.
“Situata është me qetë se dje, po kujdesemi për pasojat që janë në infrastrukturë rrugore, dhe po kujdesemi edhe për ata që po kërkojnë ndihmë. Jemi aktiv si shtab emergjent, por shpresojmë që nuk do të ketë reshje më,” tha Latifi.
Ai bëri të ditur se në Fortesë dhe Ratkoc, zona që dje u vunë më shumë nën rrezik, nuk ka pasur evakuime, ndërsa në Çifllakë ka pasur nevojë për ndërhyrje për dy gra të moshuara, por situata është tejkaluar.
“Në Ratkoc dhe Fortesë nuk ka pasur evakuime, në Çifllakë ka pas dy gra të moshuara, por e kemi tejkaluar atë situatë dhe gjithçka është në rregull tash,” shtoi kryetari Latifi.
Shtabi emergjent i Rahovecit vazhdon monitorimin e zonave të përfshira dhe po ndërmerr të gjitha masat për parandalimin e dëmeve të mëtejshme, ndërsa qytetarët mbeten të paralajmëruar për reshje të mundshme. /Telegrafi/
Qytetarë të shumtë në Kosovë po ndeshen me mesazhe mashtruese që pretendojnë se janë nga Autoritetet e Trafikut dhe kërkojnë pagesë për “gjoba trafiku”.
Ndër rastet e fundit, ish-deputetja Blerta Deliu dhe analisti Shenoll Muharremi kanë raportuar se kanë marrë mesazhe të tilla, duke treguar se fenomeni po prek qytetarë nga të gjitha shtresat.
“Sot në mëngjes u përballa me një mesazh të rremë për një ‘gjobë’. Këto mashtrime po prekin gjithnjë e më shumë qytetarë. I bëj thirrje të gjithëve të raportojnë rastet, ndërsa Policia e Kosovës duhet ta trajtojë këtë çështje me prioritet”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Muharremi ka kërkuar angazhim më të madh të policisë kibernetike.
“Më erdhi një SMS për të paguar ‘gjobë’. Nuk dija a jam në Kosovë apo në Estoni me polici kaq digjitale. Këta kriminelë nuk di a janë më shumë hajna apo komedianë. Na duhet një polici kibernetike e fortë dhe institucione proaktive të sundimit të ligjit që dinë të adaptohen me kohë ndaj krimeve digjitale”, u shpreh Muharremi.
Në kontekstin e rritjes së këtyre mashtrimeve, Policia e Kosovës ka publikuar sërish një njoftim për qytetarët, duke paralajmëruar për kujdes maksimal. /Telegrafi/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijes vazhdon të mbetet i ndërprerë, si pasojë e nivelit të lartë të turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc, i cili është mbi kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt.
Sipas njoftimit zyrtar, për shkak të këtyre parametrave të papërshtatshëm, impiantet për trajtimin e ujit të pijes nuk janë në gjendje të operojnë normalisht.
“Ju njoftojmë se niveli i turbullshmërisë në kanalin Ibër–Lepenc vazhdon të jetë mbi kufijtë e lejuar për trajtim të sigurt të ujit, për çka Impiantet për Trajtimin e Ujit të Pijes nuk mund të operojnë. Edhe pse gjatë orëve të mbrëmjes është vërejtur një rënie e përkohshme e turbullshmërisë dhe janë bërë përpjekje për rifillimin e trajtimit të ujit, situata ka ndryshuar sërish dhe niveli i turbullshmërisë ka shënuar rritje, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procesit të trajtimit dhe shpërndarjes së ujit për konsum. Si pasojë, furnizimi me ujë të pijes mbetet i ndërprerë, ndërsa uji që eventualisht mund të arrijë në rrjet NUK duhet të përdoret për pije, por vetëm për qëllime higjienike dhe teknike, deri në një njoftim të radhës”, njofton Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”
Më tej kanë njoftuar se “Ekipet tona janë në monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe parametrave të ujit, dhe rifillimi i trajtimit do të bëhet menjëherë sapo kushtet teknike ta lejojnë këtë. Për çdo risi, ndryshim apo zhvillim të mëtejmë të situatës, konsumatorët do të informohen në kohë reale, përmes kanaleve tona zyrtare të komunikimit”. /Telegrafi/
Pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që e nxori Lidhjen Demokratike të Kosovës në vendin e tretë me rënie të dukshme të votave, disa anëtarë të partisë kanë shprehur pakënaqësi për organizimin e brendshëm.
Shqipe Pantina, anëtare e LDK-së, ka kritikuar drejtimin e partisë, duke theksuar se fokusi ekskluziv në opozitë ndaj Qeverisë Kurti ka lënë pas dore ofrimin e një alternative konkrete për qytetarët.
“Pse ekziston një parti politike? A është vetëm për të bërë opozitë apo për të përfaqësuar vlera dhe parime? Kjo është huqja e LDK-së. U fokusuan shumë në opozitë dhe harruan vlerat që përfaqësojnë. Një qytetar që nuk është pjesë e asnjë partie dëshiron të dijë se çfarë i ofron alternativa jonë,” tha Pantina, duke kritikuar gjithashtu mungesën e vizitave të drejtuesve të partisë në nëndegë.
Pantina gjithashtu ka vënë në pikëpyetje reformën e nisur nga kryetari Lumir Abdixhiku, duke theksuar se largimi i strukturave të vjetra dhe pozicionimi i individëve pa përvojë politike ka krijuar rezistencë brenda partisë.
“Reforma është lënë në gjysmë. Nuk mund të bësh ndryshime duke eliminuar strukturat ekzistuese dhe duke i dhënë hapësirë dikujt që nuk njeh LDK-në,” tha ajo në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Komentet e Pantinës shkaktuan reagime brenda partisë.
Kandidati për deputet Sokol Havolli e sulmoi atë, duke e akuzuar për “goditje pas shpine” ndaj LDK-së.
“Çka të duhen kundërshtarë jashtë kur disa janë brenda? Shqipe Pantina pas çdo dështimi politik personal ia dha edhe një goditje LDK-së,” shkroi Havolli.
Sipas rezultateve të deritanishme, ndërsa vazhdon numërimi i votave me postë, Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të ketë 14 deputetë në Kuvend. /Telegrafi/
Kompania e Ujësjellësit KRU "Prishtina" njofton qytetarët se për shkak të turbullirave të larta në kanalin Ibër-Lepenc, si pasojë e reshjeve të dendura, stacioni ITU Shkabaj është jashtë funksionit.
Si rezultat, priten reduktime në furnizimin me ujë nga ora 10:30 deri në 17:00 në Fushë Kosovë, Obiliq dhe një pjesë e lagjes Kalabria – Prishtinë, dhe Drenasi.
KRU "Prishtina" njofton se zonat e prekura do të furnizohen me ujë nga ora 17:00 deri në 22:00, ndërsa ndikime mund të ketë edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Ekipet e kompanisë janë në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa furnizimi do të rikthehet sapo të stabilizohen parametrat.
Gjatë orarit të reduktimeve, qytetarëve u rekomandohet të përdorin autobotet, të cilat do të jenë në dispozicion sipas orarit të përcaktuar nga kompania./Telegrafi/