TIRANË, 12 janar/ATSH/ Tregu i automjeteve shënoi rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025, ku u regjistruan 98,927 mjete për herë të parë.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bëri të ditur sot se krahasuar me vitin 2023, shënohet një rritje prej 27% e mjeteve të regjistruara.
Sipas DPSHTRR-së, 80,739 prej tyre janë autovetura, që përbëjnë 81.6% të totalit të mjeteve të regjistruara.
Edhe tregu i sigurimit të detyrueshëm motorik ka vijuar trendin pozitiv. Gjatë periudhës janar-shtator 2025 u reflektua një rritje e qëndrueshme si në vlerën e primeve të shkruara bruto, ashtu edhe në numrin e kontratave të sigurimit. /j.p/
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi sot kërkesën për pajisjen me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm për shfuqizimin e ligjit “Për barazinë gjinore”.
Kërkesa është paraqitur nga grupi nismëtar për referendumin e përgjithshëm për çështje të rëndësisë së veçantë, mbrojtja e familjes, i përbërë nga 16 anëtarë: Erald Aga, Ilir Zmalaj, Alberto Konti, Fatjon Softa, Petrit Levendi, Lirim Fëlluza, Armando Vrushi, Andi Tepelena, Etleva Merko, Igli Zepishta, Perparim Gjeka, Olsi Çaushi, Vladimir Kera, Besnik Muçi, Ada Lushi, Kastriot Çipi.
Konkretisht përfaqësuesit e komitetit nismëtar për referendumin “Pro Familjes”, kanë paraqitur pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kërkesën për fillimin e procedurave për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e ligjit “Për barazinë gjinore”.
Shqyrtimi i kësaj kërkese u shty për në seancën e radhës dhe iu la kohë grupit nismëtar për qartësimin e çështjeve të rëndësisë së veçantë.
Gjithashtu, në mbledhjen e sotme u plotësua edhe vakanca në Këshillin e Bashkisë Vlorë, me kandidatin nga lista shumemërore e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, Rozina Kormuzi.
TIRANË, 12 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se portofoli energjetik i vendit ka nisur tashmë të diverisifikohet, ndërsa objektivi është që deri në fund të kësaj dekade, 30% e prodhimit të jetë nga era dhe dielli.
Gjatë prezantimit të projektit për parkun eolik të Tropojës, Rama u shpreh se nëse arrihet ky objektiv deri në vitin 2030, Shqipëria do ta ketë plotësisht të garantuar një sistem elektroenergjetik të vetëmjaftueshëm.
Ndërkohë, Rama tha se “çdo gjë që do të prodhojmë përtej nevojave do ta eksportojmë”.
“Nuk do të kemi më para të hedhura jashtë vendit për të blerë energji, por do të kemi shitje të energjisë për të sjellë më shumë të ardhura për ekonominë dhe familjet shqiptare”, tha Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se “koha kur Shqipëria duhet të dalë në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit”.
“Ne do të jemi në kategorinë e atyre jo shumë vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te energjia”, shtoi Kryeministri.
Parku i energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë do të ketë kapacitet 600 MW.
Kryeministri Rama u shpreh se sot finalizohet një përpjekje e përbashkët rreth 2-vjeçare me kompaninë e mirënjohur për të gjithë procesin parapërgatitor.
Ndërtimi i këtij parku, sipas kryeministrit Rama pritet të realizohet në harkun kohor të 12 muajve.
“Ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë do të hyjë në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë, rrugëtimin e saj të suksesshëm dhe hartën e pranisë së saj në Europë kam shumë besim se do të përfitojmë edhe dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe të veprimit në një sektor kaq strategjik sa sektori energjetik”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se ky investim shkon në rrugën e përmbushjes së objektivit të madh strategjik për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë.
“Ne kemi pasur për një periudhë të gjatë varësi të plotë nga uji i shiut dhe ndërkohë kemi trashëguar një sistem me aq shumë të çara sa që kur na ka munguar shiu na është dashur të dalim në tregun ndërkombëtar dhe të blejmë sasi të mëdha me çmime të kripura”, tha Rama.
Ndërkohë sipas tij, e kundërta ka ndodhur kur ka pasur reshje me shumicë dhe ka pasur shkarkime uji nga HEC-et që ndonjëherë kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme.
TIRANË, 12 janar/ATSH/ Bashkia e Lezhës ka ndërmarrë masa të menjëhershme për pastrimin e vijës bregdetare, pas depozitimit të mbetjeve nga prurjet e shumta të lumenjve.
Punëtorë dhe mjete të shërbimeve të bashkisë janë angazhuar në terren për largimin e mbetjeve nga bregdeti i Shëngjinit dhe Tales.
Drejtori i Shërbimeve Publike në bashkinë Lezhë Jurgen Marku u shpreh për mediet se monitorimi dhe ndërhyrjet do të jenë të vazhdueshme, për të pasur një bregdet të pastër nga Rana e Hedhur deri në Kune.
“Reshjet intensive të shiut që ranë ditët e fundit dhe prurjet e shumta të lumenjve sollën në bregdetin e Lezhës mbetja të shumta. Me përmirësimin e motit, Drejtoria e Shërbimeve Publike në bashkinë Lezhë ka nisur ndërhyrjen për pastrimin. Këto ndërhyrje do të jenë të vazhdueshme gjatë gjithë kohës”, tha Marku.
Prurjet e lumenjve Drin dhe Mat vijojnë të sjellin ndotje të madhe në bregdetin e Lezhës, sa herë ka shtim të prurjeve nga reshjet e shiut, duke i kthyer në shqetësim për zonat turistike të Shëngjinit dhe Tales.
TIRANË, 12 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria ka avantazhin se prodhon 100% energji të gjelbër, vlera e së cilës në portofolin energjetik të Europës është shumë e lartë, krahasimisht me energjinë që vjen nga burimet fosile
Gjatë prezantimit të projektit për ndërtimin e parkut eolik në Tropojë, Rama u ndal te një tjetër marrëveshje e rëndësishme në fushën e energjisë, ajo mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Shqipëria sot është në një nivel krejt tjetër. Nuk besoj se një dekadë më parë do ta imagjinonte dot ndokush që Shqipëria do të bëhej palë me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë për të ndërtuar një bashkëpunim trilateral në funksion të energjisë të Europës dhe Shqipërisë”, tha Rama.
Duke folur për projektet në fushën e energjisë, Rama tha se “kemi në proces dhe rreth 1500 megavat të tjera që janë në ndërtim dhe proces licencimi”.
Me këto kapacitete, Rama tha se vendi plotëson nevojat e brendhshme për sovranitetin energjetik, ndaj dhe sipas tij, “jemi më ambicioz se kaq”.
“Kur them energjinë në Europë, kam parasysh rritjen e kapacitetit këtu në Shqipëri në mënyrë që ne nga njëra anë të kontribuojmë për sigurinë energjetike të Europës, por nga ana tjetër të bëjmë edhe ne para për fondin e Republikës së Shqipërisë njësoj si të tjerët, jo thjesht mbledhje më të mirë të taksave dhe shpenzim të taksave për të blerë energji jashtë siç u bë për shumë e shumë vite me radhë”, tha Rama.
Rama theksoi se Shqipëria ka avantazhin që prodhon energji 100% të gjelbër.
“Ne nuk kemi barrën t’i paguajmë të shkuarës taksën e karbonit e cila me sa di unë është shumë e rëndë. Për këtë arsye kompanitë e shikojnë me shumë interes Shqipërinë”, shtoi Rama.
Duke folur për partneritetin tripalësh me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, Rama tha se “arsyeja pse këto dy vende janë të fokusuara te ky partneritet me Shqipërinë është se Shqipëria prodhon dhe shet energji të pastër”.
“Shqipëria është treg i vogël, por Shqipëria është një pikë me një kapacitet të madh strategjik, sepse dihet ju do prodhoni këtu nga era dhe do eksportoni. Kështu që tregu juaj është Europa. Se po mos të ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët që janë civilizimi më i vjetër edhe tregtarët më të padiskutueshëm nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideroni Shqipërinë si “pikën e mjaltit” në gjithë Europën apo jo? Kështu që duke u bazuar tek mençuria mijëravjeçare e Kinës edhe duke u bazuar tek eksperienca dhe uria për fitim e Amerikës, ne jemi fiks vendi i duhur, në kohën e duhur për ju edhe për të gjithë të tjerët që duhet të vijnë këtu në këtë treg të vogël, për të kapur tregun e madh që është jashtë kufijve të këtij vendi të vogël”, u shpreh kryeministri. /j.p/
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Prej ditës së djeshme Parku Kombëtar i Llogorasë, i ndodhur 40 km në juglindje të Vlorës, është mbuluar nga reshjet e borës.
Ndërkohë, pavarësisht problematikave të raportuara dje me bllokimin e një pjese të rrugës, ditën e sotme aksi është plotësisht i kalueshëm.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se rruga për në Parkun e Llogarasë është plotësisht e hapur për të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt këtij destinacioni, gjatë fundjavës.
Por, sipas tij, “përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm”.
Qytetarë të shumtë kanë zgjedhur Parkun Kombëtar të Llogarasë, i cili është veshur nga bora e parë duke ofruar pamje mahnitëse.
Llogaraja vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të preferuara jo vetëm gjatë stinës së verës, por edhe në dimër.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bëri të ditur sot se prodhimi ditor në tre HEC-et e kaskadës së Drinit është 24,000 MWh, ndërkohë që vijojnë shkarkimet nga HEC-et e Komanit dhe Vaut të Dejës.
Sipas KESH, prurjet natyrore në HEC-in e Fierzës janë 1200m3/s, në HEC-in e Komanit 350 m3/s dhe në HEC-in e Vaut të Dejës 100 m3/s.
Ndërsa nivelet në liqenet e kaskadës së Drinit janë: HEC Fierzë 290.8mmnd; HEC Koman 172 mmnd; HEC Vau Dejës 74.5 mmnd.
Aktualisht nga HEC-i i Fierzës nuk ka shkarkime, ndërsa nga HEC-i i Komanit janë 300m3/s dhe nga HEC-i i Vaut Dejës 700 m3/s.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Prefektura e qarkut Lezhë bëri të ditur sot se aktualisht ka reduktim të hartës së përmbytjes në bashkinë e Kurbinit, ndërsa problematike mbetet rrëshqitja e tokës në disa zona.
Sipas prefekturës së qarkut Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit territori i këtij qarku është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të dobët me 23.4 mm shi dhe dëborë në lartësi mbi 700 metra nga niveli i detit.
Nga bashkia Kurbin raportohet reduktim i hartës së përmbytjes që prej ditës së djeshme, duke lënë si pikë më me shumë probleme, vetëm zonën e Adriatikut. Po ashtu është punuar me mjete të FA-s dhe bashkisë në aksin Skuraj-Vinjollë, për rehabilitimin e shtratit të lumit Skuraj dhe përforcim të trasesë së rrugës.
Sipas Prefekturës së qarkut Lezhë, sot do vijojë puna për sjelljen e materialeve mbushëse për këmbët e urës në Gallatë në drejtim të fshatit Vinjollë, si dhe për të bërë të mundur kalimin e mjeteve të rënda për hapjen dhe zhbllokimin e dherave në aksin Gallatë –Vinjollë, në njësinë administrative Milot.
“Problematikë e theksuar mbeten rrëshqitjet e tokës dhe të dherave. Grupet e punës po evidentojnë të gjitha zonat ku ka rrëshqitje dherash. Po vijojmë po ashtu verifikimet dhe evidentimet e dëmeve”, thuhet në njoftim.
Po ashtu ka rritje të nivelit të lumit Mat, pasi nga HEC-i Shkopet po shkarkohen rreth 700 m³/s.
Në bashkinë Lezhë është ndërhyrë në një pallat në lagjen “Besëlidhja” për largimin e ujit në katin e nëndheshëm të një pallati.
Nga OSHEE raportohet se aktualisht ka probleme në furnizimin me energji elektrike në zonën e Dajçit, si dhe njësinë administrative Fan në Mirditë, ku grupet e punës janë në terren për riparimin e defekteve.
Po ashtu në hidrovorin e Gocajve ka pasur mungesë energjie nga ora 00:30- 06:00, duke sjellë problematika në përmbytje të tokave në zonën Gocaj-Kakarriq, njësia Balldren.
“Gjatë mbrëmjes në Rrugën e Kombit është djegur një trailer autobot me karburant, ku si rezultat i ndërhyrjes në kohë mjeteve zjarrfikëse Mirdite është arritur të vihet nën kontroll situata”, thuhet në njoftim.
Prefektura njofton se të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, që ka pasur mungesë energjie 00:30-06:00.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot mbështetjen për protestat masive në Iran kundër regjimit teokratik të ajetullahëve.
Ai thekson se kryengritja po përballet me dhunë të rëndë shtetërore dhe dhjetëra viktima, duke dënuar ashpër represionin e autoriteteve iraniane.
Berisha shprehu gjithashtu solidaritetin me popullin iranian në përpjekjen për liri dhe demokraci.
“Prej dy javësh në Teheran dhe qytete të tjera të Iranit, populli iranian është ngritur në protesta të fuqishme kundër regjimit obskurantist të ajetullahëve. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit, opozita më e fuqishme e popullit iranian që lufton prej dekadash për një Iran të lirë dhe demokratik, po udhëheq këtë kryengritje të fuqishme”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur te situata në Iran, Berisha theksoi se “në disa qytete të vendit pushteti është në duart e kryengritësve”.
“Ajetullahët kanë marrë mercenarë nga vende të tjera. Garda Islamike dhe mercenarët kanë hapur zjarr kundër protestuesve dhe deri sot janë mbi 44 martirë të rënë për lirinë dhe dinjitetin e kombit të tyre. Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka paralajmëruar ajetullahët: ‘“Mos qëlloni, se do t’ju qëllojmë””, u shpreh Berisha.
TIRANË, 10 janar/ATSH-Maela Marini/ Situata nga përmbytjet në qarkun e Fierit paraqitet në përmirësim ndërsa ka tërheqje të nivelit të ujërave nga tokat bujqësore që u përmbytën si rezultat i daljes nga shtrati i lumit Vjosë.
Në një prononcim për ATSH-në, prefekti i qarkut Fier, Anduel Xhindi bëri të ditur se deri në këto momente akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht.
Sipas tij, gjatë natës dhe në vazhdim në qarkun Fier ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët.
“Po ashtu edhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet. Hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë”, bëri të ditur Xhindi për ATSH-në.
Sipas prefektit të Fierit, prurjet në lumin Vjosë janë në tendencë ulje.
“Vazhdon tërheqja e ujërave edhe nga tokat bujqësore të prekura nga përmbytja e lumit Vjosë. Prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritje dhe në zona të caktuara përgjatë rrjedhës kanë dalje nga shtrati, por brenda argjinaturave”, bëri të ditur Xhindi.
Gjatë ditës së sotme, sipas prefektit Xhindi, po vijon puna në terren nga strukturat e bashkisë Fier, pas tërheqjes së ujërave në fshatin Ferras.
Prefekti theksoi se po monitorohet në vazhdimësi situata në lumin Seman, referuar edhe faktit të rritjeve të shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Shqipëria renditet në vendin e 81 në nivel global në “Government AI Readiness Index” të publikuar nga “Oxford Insights”, duke u vlerësuar pozitivisht në disa nga shtyllat kryesore të gatishmërisë ndaj inteligjencës artificiale.
Sipas Agjencisë për Medie dhe Informim, vendi shënon rezultate të mira në adoptimin e inteligjencës artificiale (IA) në shërbimet publike (68.95 pikë), qeverisjen (51.67 pikë) dhe zhvillimin e infrastrukturës (48.44 pikë).
Në të njëjtën kohë, Shqipëria vlerësohet ndër vendet më aktive për sa i takon digjitalizimit, për emërimin e Diellës si ministrja e parë e Inteligjencën Artificiale.
Po ashtu vlerësohet edhe për miratimin e Strategjisë së parë Kombëtare për inteligjencën artificiale në muajin gusht, hapa që forcojnë më tej kornizën institucionale dhe strategjike të vendit në këtë fushë.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot ndaj deklaratave të gazetarit Blendi Fevziu, i cili u shpreh në emisionin “Opinion” se “të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër televizione sikur janë në punë”.
Rama tha se “Blendi Fevziu ka gënjyer fort, kur duke e parë në sy publikun nga ekrani i “Opinion”, ndërsa u shpreh se pikërisht publikut të “Opinion” duhet t’i kërkonte ndjesë për gënjeshtrën me 7 bishta.
Ditën e djeshme, kryeministri deklaroi se ministrat e kabinetit qeveritar edhe kur dalin për arsye personale jashtë vendit e bëjnë këtë me një kërkesë për leje dhe vetëm me miratim.
Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit:
Pra, Blendi Fevziu ka gënjyer fort, kur duke e parë në sy publikun nga ekrani i Opinionit ai tha, ‘kam fakte që të paktën 7 ministra janë në udhëtime private jashtë shtetit të shtunave e të dielave, dhe lënë kasetat me inspektime nëpër tv sikur janë në punë… Ju’a garantoj’!
Duke reaguar ndaj postimit tim pa sjellë asnjë fakt mbi këtë akuzë të rreme ose shqip, shpifje, Fevziu braktisi jo thjesht deklarimin e dhënë me garancinë se zotëronte fakte, për plot 7 ministra që bënin marifetin e lartpërmendur.
Në të vërtetë ai braktisi publikun e tij dhe u mor në tym me videot e inspektimeve, përballjet e Trumpit me gazetarët, lirinë e tij për të udhëtuar në Amerikën Latine, gjëra që s’kishin asnjë lidhje me arsyen e me përmbajtjen e reagimit tim.
Pa asnjë pendesë për fajin e tij live ndaj publikut, Fevziu u shfaq i çuditur që unë reagova ndaj shpifjes së tij, për të cilën ai në fakt mirë mua, që s’më detyrohet asnjë shpjegim, po publikut të Opinionit duhet t’ia kërkonte një ndjesë për gënjeshtrën me 7 bishta.
Dhe për të shpjeguar çudinë e vet, ai tha se gjëra më të mëdha duhet të merrnin vëmendjen time, duke filluar nga ‘1/3 e Shqipërisë nën ujë’ – vendi ynë ka 2,874,800 hektarë nga të cilat uji kishte mbuluar 13,160 hektarë, pra jo 1/3 po 1/217 – apo duke vazhduar me ‘krizën parlamentare të shkaktuar nga kërkesa e SPAKUT’, kur në fakt kriza parlamentare e Blendit është thjesht krizë e partisë së liderit të Fevziut dhe çunit të Bahri Falliut, sepse parlamenti është me pushimet e dimrit.
Por unë nuk çuditem që Fevziu nuk i kërkon ndjesë publikut të tij për gjithë atë derr gënjeshtre absurde dhe denigruese, ndaj njerëzish që Fevziu nuk ka detyrë t’i respektojë si kundërshtarë, po ka detyrimin të mos i baltosë kolektivisht duke nxitur urrejtje.
Nuk çuditem as që i zoti i Opinionit propagandon kundër qeverisë, me të njëjtat marzhe të llahtarshme gabimi në komunikimin e fakteve, si ai i Shqipërisë së mbuluar nga uji në 1/3 – e këtu Fevzo s’është as vetëm, as më i gabuari, po të kesh parasysh ca të tjerë që gënjejnë si derra të knaqun migjenianë ditë e natë.
Nuk çuditem nga asnjë çudi e mexhelisit politik e mediatik unë, sepse më shumë se sa të vërtetës që Blendi e synon kur shkruan libra si gazetar, Fevziu i Opinionit i shërben tenxheres së tij të potershme që duhet të bubullojë përnatë, e të gërrgërrojë sa më fort mes 700 tenxhereve simotra, që ziejnë në një garë të marrë se kush shkumëzon më shumë.
Poterja gjithçka, e vërteta asgjë. Asnjë çudi.
Foto e publikuar nga kryeministri Edi Rama në rrjetin sociale Facebook
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Moti i keq me reshje intensive shiu dhe bore që ka përfshirë vendin prej disa ditësh ka shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga ndërhyrjet që po kryhen përgjatë 24 orëve nga strukturat shtetërore për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga kjo situatë.
Ndërkohë, sipas kryeministrit, “puna po vijon për përballimin e situatës së krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit”.
Për përballimin e situatës së përmbytjeve, efektivë të Forcave të Armatosura janë dislokuar në zonat e prekura me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e pasojave nga situatat emergjente.
Aktualisht, mbi 155 efektivë, 37 mjete dhe 7 motopompa janë angazhuar në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Gjirokastër, si dhe në zona të tjera ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.
Ndërkohë autoritetet po punojnë edhe për pastrimin e akseve rrugore në zonat malore ku reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar problematika.
Në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, autoritetet qendrore dhe vendore po vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.
Deri tani në rang vendi regjistrohen 1587 banesa në praninë e uji, ndërsa janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje.
TIRANË, 10 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot për situatën e përmbytjeve në vend, ndërsa u shpreh se “natyra nuk mund të jetë më alibi, kur qeveria ka buxhetuar më pak se 1% të buxhetit për kanalizime dhe ujitje.
Sipas Tabakut, “fondi për Emergjencat Civile është më i vogël se sa tri kontrata inceneratorësh.
“Shqiptarët, çdo vit, në verë dhe në dimër, dëgjojnë të njëjtën kasetë: ‘natyra e pabesë’. Shqipëria ose shkrumbohet, ose përmbytet. Një shtet i përgjegjshëm nuk është ai që shfaqet pasi bie zjarri apo vërshon uji për të bërë ‘adetin'”, u shpreh Tabaku.
Duke iu referuar të dhënave të Emergjencave Civile, Tabaku theksoi se “dëmet ekonomike nga fatkeqësitë kapin vlerën e 2 miliardë dollarëve”.
“Ndërkohë, qeveria në katër vite ka dhënë vetëm 140 milionë euro për emergjenca. Paratë nuk shkojnë për kanale e kolektorë, por për fantazma luksi që nuk i interesojnë askujt përveç cirkut qeveritar. Skenat me qeveritarë që zbresin në terren me çizme llastiku pasi gjithçka është shkatërruar, nuk janë arritje. Janë dëshmi dështimi. Nuk është sukses të shkosh aty ku nuk mban më uji”, u shpreh ajo.
Tabaku theksoi se sot janë mijëra hektarë tokë, prona dhe jetë të shkatërruara. “Nesër do të jenë sërish. Sepse ky sistem punon për pakicën, dhe faturën e paguan shumica: me xhepin, pronën dhe të ardhmen e saj”, shtoi ajo.
TIRANË, 9 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetarja e bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini bëri të ditur sot se pas orëve të gjata dhe të vështira, fatmirësisht niveli i ujit në lumin Vjosë ka nisur të ulet ndjeshëm.
Në një prononcim për mediet, Mersini u shpreh se aktualisht niveli i Vjosës është nën 8 metra.
“Kjo ka bërë që ne të kalojmë në një fazë të dytë, duke filluar të hapim rrugët. Pavarësisht se të gjitha rrugët e fshatrave janë të aksesueshme ngel një segment rrugor në Bishan”, tha ajo.
Sipas Mersinit, ka qenë një punë e jashtëzakonshme e të gjitha strukturave. “Janë angazhuar 255 forca me 40 mjete që kanë ndihmuar edhe për evakuimin e banorëve dhe bagëtive. Fokusi ka qene te jetët njerëzore”, tha ajo.
Ndërkohë kryebashkiakja e Vlorës njoftoi qytetarët se pritet një tjetër stuhi e fortë ere gjatë ditës së sotme.
Ajo u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.
“Për çdo shqetësim apo situatë emergjente, të kontaktojnë shërbimet përkatëse, të cilat do të vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë. Prioriteti ynë mbetet shëndeti dhe siguria e çdo qytetari”, u shpreh ajo.
TIRANË, 9 janar/ATSH/ Rruga Bogë–Theth vijon të jetë e kalueshme, pavarësisht reshjeve të dëborës në këtë zonë malore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky aks rrugor, ku po punohet në vijimësi për të garantuar qarkullim pa probleme.
“Gatishmëri maksimale në aksin Bogë–Theth. Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe ndërhyrjet do të vijojnë sipas nevojës, për të garantuar lëvizje të sigurt për banorët dhe vizitorët”, u shpreh Rama.
Moti i keq me reshje intensive shiu dhe bore ka përfshirë vendin prej disa ditësh. Situata ka shkaktuar rritje të prurjeve në lumenj duke përmbytur mbi 13 mijë ha tokë bujqësore.
Ndërkohë në zonat malore po punohet në vijimësi për pastrimin e akseve rrugore nga bora dhe sigurimin e qarkullimit normal.
TIRANË, 9 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se reagimi i shtetit ndaj situatave të përmbytjeve si dhe mbrojtja dhe garancitë për familjet e dëmtuara sot është krejt tjetër krahasuar me të shkuarën.
Në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, Rama siguroi se do të çohet deri në fund gjithë procesi i transformimit të infrastrukturës që sipas tij, deri dje ishte inekzistent.
“Këtë e tregon sasia e hektarëve të mbuluar nga uji sot mbas gjithë kësaj lemerie atmosferike dhe sasitë që mbuloheshin nga uji në të kaluarën për të kuptuar ndryshimin e pakrahasueshëm”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se kemi një hartë të qartë veprimi në programin e Shqipërisë 2030 për të rritur rezistencën e infrastrukturës në tërësi, karshi këtyre fenomeneve.
“Ministria e Mbrojtjes, duke u inkuadruar në kornizën e re të vendosur nga NATO, ka pjesë të funksionimit të saj dhe elementin e qëndrueshmërisë, që lidhet drejtpërdrejtë me infrastrukturën kritike. Këtu jemi në kushtet kur flasim për infrastrukturën kritike. Kështu që në bashkëpunimin e ngushtë të Ministrisë së Mbrojtjes me Ministrinë e Infrastrukturës apo me Ministrinë e Bujqësisë, lidhur me pikat ku duhet ndërhyrë, do të bëjmë që çfarë është programuar për vitin 2026, të riprogramohet edhe për të riadresuar këto pika ku kanë ndodhur dëmtime”, tha Rama.
Njëkohësisht, kryeministri kërkoi nga deputetët që të bëjnë konstatimet e tyre lidhur me dëmet në terren.
“Ju kërkoj deputetëve edhe njëherë, që të jenë të pranishëm në të gjitha zonat e tyre të përkujdesjes ndaj njerëzve, jo zgjedhësve, po njerëzve pa dallim dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht me kryetaret e bashkive dhe me strukturat në territor për të bërë të mundur që gjithë procesi i zhdëmtimit të jetë një proces sa më i plotë, sa më i drejtë dhe sa më efikas”, theksoi Rama.
TIRANË, 9 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se deri tani në rang vendi regjistrohen 1587 banesa në praninë e uji, ndërsa janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje.
Në mbledhjen e Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, kryeministri Rama bëri një përditësim të situatës së krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut.
“Aktualisht në gjithë vendin janë ulur sasitë e reshjeve të matura, përjashtuar Durrësin ku janë regjistruar 41 mm shi. Një punonjës i bashkisë së Durrësit është gjendur i mbytur. Deri tani janë numëruar në rang vendi 1587 banesa në praninë e ujit. Janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri theksoi se prani uji është konstatuar në 13 211 ha tokë bujqësore, një pjesë janë përmbytur.
“Kemi prani uji edhe në disa qendra shëndetësore apo objekte arsimore. Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme deri në 300 mm ose përndryshe më shumë se sa sasia mesatare e reshjeve që bien gjatë gjithë muajit. Pra, reshjet 30-ditore mesatare të muajit kanë rënë për një periudhë 3 apo 4 ditore”, tha Rama.
Ky fenomen, sipas tij, vjen si rezultat i ndryshimit të klimës dhe po bëhet gjithnjë e më pak i papritur në mbarë botën.
“Për shembull në disa zona të ultësirës perëndimore sasia e reshjeve në këto 4-5 ditë ka qenë rreth 25% ose sa çereku i sasisë vjetore të tyre në mesatare. Si pasojë e rritjes së këtyre prurjeve në rrjetet ujore, në kanalet e ujërave të larta, kolektorë kryesorë kullues, përrenjtë malorë dhe vetë lumenjtë e vendit ka ardhur si pasojë përmbytja”, tha Kryeministri.
Rama theksoi se kjo ka ndodhur pavarësisht infrastrukturës gjerësisht të ripërtërirë të mbrojtjes ujore si rezultat i investimeve të vazhdueshme të dekadës së fundit.
TIRANË, 8 janar/ATSH/ Në fshatin Ferras të Fierit dhe në bashkinë e Dimalit po vijon evakuimi i banorëve që rrezikohen nga përmbytjet.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau sot momente nga ndërhyrjet që po kryejnë efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut.
“Efektivët e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut janë në vijën e parë të angazhuar në evakuime dhe përballimin e emergjencave civile në Ferras të Fierit dhe Bashkinë e Dimalit”, u shpreh Vengu.
Reshjet intensive të shiut në ditët e fundit kanë krijuar problematikë të shtuar në disa qarqe të vendit, kryesisht në Durrës, Vlorë dhe Fier.
Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin në disa zona të këtyre qarqeve, konkretisht në Novoselë të Vlorës, në Ferras të Fierit, si dhe në Sukth dhe Katundin e Ri në Durrës.
TIRANË, 8 janar/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes urdhëroi sot evakuim të menjëhershëm të banorëve të njësisë administrative Ferras në bashkinë e Fierit, për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Ministria e Mbrojtjes njofton se evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Fier dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.
Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.
Ministria e Mbrojtjes njofton se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, si dhe familjet në zonat më të izoluara.
Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH), si dhe Forcat e Armatosura.
Po ashtu menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale.
Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm.
Po ashtu do të kryhet administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore, si dhe ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim.
“Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë. Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.