Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Interi e refuzon ofertën e gjigantit turk për yllin e skuadrës

16 January 2026 at 18:43


Inter raportohet se ka refuzuar një ofertë nga Galatasaray për Hakan Calhanoglu, por e ardhmja e mesfushorit turk përtej këtij sezoni mbetet ende në pikëpyetje.

Klubi nga Stambolli po shikon seriozisht tregun e Serie A, duke pasur në radar disa mesfushorë, përfshirë Youssouf Fofana të Milanit dhe pikërisht yllin e Interit.

Sipas një raportimit të fundit nga “Calciomercato.com”, situata e Calhanoglu vazhdon të monitorohet me vëmendje, ndërsa një transferim i mundshëm te Galatasaray ishte diskutuar edhe gjatë verës së kaluar. Interesi i klubit turk nuk është zbehur, por pengesa kryesore mbetet qëndrimi i fortë i Interit.

“SportsDigitale” ka raportuar se Inter ka refuzuar një ofertë nën 25 milionë euro për Calhanoglu. Nerazzurrët nuk kanë asnjë dëshirë ta shesin yllin e mesfushës gjatë afatit kalimtar të janarit, duke e konsideruar atë një element kyç në projektin sportiv aktual.

Megjithatë, e ardhmja e Calhanoglu në “Stadio Meazza” pas verës nuk është aspak e sigurt. Agjentët e lojtarit pritet të ulen në bisedime me drejtuesit e Interit për një rinovim të kontratës, pasi marrëveshja aktuale skadon në vitin 2027.

Në këtë fazë, Inter nuk është i gatshëm të heqë dorë nga Calhanoglu gjatë dimrit, por mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për zgjatjen e kontratës./Telegrafi

Jo vetëm transferim, por status ylli: Man City e shpërblen Guehin me superpagë

16 January 2026 at 18:22


Manchester City është shumë pranë finalizimit të transferimit të kapitenit të Crystal Palace, Marc Guehi, por ajo që po tërheq vëmendjen më të madhe është paga që pritet të përfitojë qendërmbrojtësi anglez në “Etihad”.

Sipas raportimeve të fundit, Guehi ka arritur tashmë një marrëveshje verbale për kushtet personale dhe pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare e gjysmë me kampionët e Anglisë.

Me këtë kontratë, 25-vjeçari do të futet menjëherë në mesin e dhjetë lojtarëve më të paguar në skuadrën e Pep Guardiolës.

Raportohet se paga e Marc Guehi do të jetë rreth 300 mijë funte në javë, një shifër që e vendos atë në elitën e hierarkisë financiare të Manchester Cityt dhe që reflekton besimin e madh të klubit në cilësitë dhe rëndësinë e tij për të ardhmen.

Sa i përket marrëveshjes mes klubeve, City dhe Crystal Palace kanë një akordim në parim për një shumë fillestare prej rreth 20 milionë funte, me bonuse që mund ta çojnë vlerën totale të transferimit afër 30 milionë funteve. Palace ka pranuar ofertën duke pasur parasysh edhe rrezikun e humbjes së lojtarit pa pagesë në fund të kontratës.

Me këtë lëvizje, Manchester City jo vetëm që forcon mbrojtjen me një nga qendërmbrojtësit më të vlerësuar në Angli, por gjithashtu dërgon një sinjal të qartë se Marc Guehi shihet si një figurë kyçe e projektit afatgjatë të klubit./Telegrafi

MKRS me shkresë zyrtare në drejtim të FFK-së

16 January 2026 at 17:21


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i ka dërguar email zyrtar Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) para Kuvendit Zgjedhor, që do të zhvillohet më 5 shkurt.

MKRS-ja e ka paralajmëruar FFK-në të bëjë disa ndryshime statutare para se ta zhvillojë Kuvendin Zgjedhor.

“Para se të procedohet me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor të paralajmëruar për datën 05 shkurt 2026 është e domosdoshme që FFK të ndërmarrë harmonizimin e disa çështjeve thelbësore të Statutit dhe akteve të tejra normative konkretisht:”.

“Harmonzimi sipas dakordimit të arritur gjatë procesit të licencimit në vitin 2023 në mes të përfaqësuesve të UEFA-s, FIFA-s dhe MKRS dhe harmonizimin e Statutit të FFK-së me Ligjin për Sport dhe Udhëzimin Administrativ përkatës që rregullon procedurat e lejimit të ushtrimit të veprimtarisë sportive të federatave”.

Ndër të tjera, MKRS-ja i ka kujtuar FFK-së që të përfundojë edhe procesin e lincencimit për shtatë lidhje rajonale si dhe licendimin për shoqatat profesionale, me këtë të fundit që thuhet se ka qenë kusht nga MKRS edhe gjatë vitit 2025.

Më poshtë lexoni emailin e plotë./Telegrafi/.

S’ndalen problemet për Real Madridin, Kylian Mbappe edhe për një kohë jashtë fushës

16 January 2026 at 16:59


Sulmuesi Kylian Mbappe vazhdon të ankohet për dhimbje në gju dhe mbetet në dyshim për ndeshjen e Real Madridit ndaj Levantes këtë të shtunë, sipas raportimeve të fundit.

Sulmuesi francez e pësoi problemin në fillim të dhjetorit, por pavarësisht shqetësimit vendosi të luajë për të ndjekur rekordin e golave në një vit kalendarik të Cristiano Ronaldos, duke e barazuar përfundimisht portugezin me 59 gola.

Megjithatë, drejt fundit të muajit, klubi madrilen konfirmoi se Mbappe do të kishte nevojë për kohë pushimi për t’u rikuperuar.

Fillimisht u vendos një afat rreth trejavësh për rikthimin e tij, çka e bënte pothuajse të sigurt mungesën në Superkupën e Spanjës. Megjithatë, ai u rikthye më herët se sa pritej, duke hyrë nga stoli në finalen e humbur ndaj Barcelonës, më pak se dy javë pas diagnozës fillestare.

Sipas “Marca”, Mbappe ka vazhduar të stërvitet me grupin, por pasi u pushua për humbjen në Kupën e Mbretit ndaj Albacetes, ai ende po ndjen parehati në gju.

Sulmuesi është grumbulluar për ndeshjen kundër Levantes dhe trajneri Alvaro Arbeloa ka këmbëngulur se gjendja e tij është përmirësuar.

“Gjendja e tij është më e mirë”, ka deklaruar Arbeloa, duke lënë të hapur mundësinë e aktivizimit të kujdesshëm.

Megjithatë, raportimet sugjerojnë se roli i Mbappe mund të jetë i kufizuar në javët në vijim. Shkalla e saktë e shqetësimit aktual nuk dihet, por brenda klubit ekziston bindja se ai nuk e ka përkeqësuar lëndimin në gju dhe thjesht ka nevojë për pak më shumë kohë për t’u rikuperuar plotësisht, ashtu siç ishte parashikuar fillimisht.

Sipas “L’Equipe”, vetë Mbappe ka pranuar se nxitimi për t’u rikthyer mund të mos ketë qenë vendimi më i mençur.

“E dija se po rrezikoja disi, por nuk pendohem, sepse doja të ndihmoja Real Madridin të fitonte një trofe kundër Barcelonës”, raportohet të ketë thënë ai.

Në këtë kontekst, thuhet se Mbappe mund të pushojë ndaj Levantes dhe madje të mungojë edhe në ndeshjen pasuese kundër Monacos, për t’u rikthyer më vonë gjatë muajit, në udhëtim ndaj Villarrealit.

Mbrojtja e gjendjes fizike të yllit francez do të jetë kyçe për Real Madridin, edhe nëse kjo do të thotë një goditje afatshkurtër për Arbeloan./Telegrafi

“Kam punë të pakryer me Dritën sepse më mposhtën dy herë”, Milot Avdyli komenton përballjen ndaj “Intelektualëve”

16 January 2026 at 16:14


Ylli i Celje Milot Avdyli thotë se ka punë të pakryer ndaj Dritës pasi e kanë mposhtur dy herë kur ishte pjesë e Trepçës, ndërsa beson se skuadra sllovene do t’i eliminojë.

Drita të premten mësoi se në 1/16 e finales të Ligës së Konferencës do të përballet me Celje, skuadër ku edhe luan që prej verës ish kapiteni i Kosovës U21.

Në një intervistë për faqen zyrtare të Celjes, Avdyli deklaroi se kishte dëshirë për t’u përballur me klubin kosovar, ndërsa tani synon t’i “hakmerret” sepse kishte pësuar dy humbje prej tyre kur ka qenë pjesë e Trepçës.

“Doja që të luaja ndaj Dritës në fazën e ligës dhe dëshira ime tash është bërë realitet. Ndeshja do të jetë e veçantë sepse do të përballem me një klub nga vendlindja. Kam disa punë të pakryera me Dritën, sepse luajta dy herë ndaj tyre kur isha lojtar i Trepçës dhe humba në dy rastet”.

“Jam i sigurt se këtë herë do të jetë ndryshe. I njoh shumicën e lojtarëve të Dritës, i kam ndjekur edhe ndeshjet e tyre në Evropë, kanë kualitet por janë padyshim skuadër që mund të mposhtet”.

Në fund, Avdyli shtoi se Celje do të kualifikohet në fazën tjetër sidomos me ndihmën e tifozëve.

“Një atmosferë e mirë na pret në Prishtinë, por do të adaptohemi. Është mirë që luajmë ndeshjen kthyese në stadiumin tonë, ku gjithnjë kemi pasur mbështetje të zhurshme dhe me ndihmëne tifozëve arritëm t’i mposhtim AEK Athens dhe Legian në fazën e ligës, si dhe mbetet të pamposhtur në përgjithësi. Besoj se kualifikohemi”.

Përballja mes Dritës dhe Celjes do të zhvillohet më 19 shkurt./Telegrafi/

Real Madridi përgatitet për epokën e dytë të “Galaktikëve”, Perez e kërkon Erling Haalandin qysh në verë

15 January 2026 at 23:41


Presidenti i Real Madridit Florentino Perez e ka bërë prioritet afrimin e yllit të Manchester Cityt Erling Haaland në verën e vitit 2026.

Real Madridi aktualisht po kalon një krizë në aspektin sportiv, ndërsa bordi ka nisur punën që të gjejë problemin, si dhe të përforcohet për vitin e ardhshëm.

Sipas asaj që raporton gazetari i besueshëm Florian Plettenberg, dëshira e madhe njëkohësisht objektivi, është askush tjetër përpos Haaland, që po vazhdon të shkëlqejë te City.

Në bazë të këtij raportimi, Perez e sheh norvegjezin si “shpëtimtari” i Real Madridit, megjithatë është në dijeni se klubi madrilen nuk do ta ketë të lehtë një afrim të tillë.

Haaland ka kontratë afatgjatë me Cityn dhe një nënshkrim i mundshëm padyshim do ta tejkalonte shifrën prej 150 milionë eurove.

Mirëpo, lajmi pozitiv për gjigantin spanjoll është se Haaland nuk do ta refuzonte kalimin në “Santiago Bernabeu”, pasi e sheh Realin si klubi i ëndrrave është fans tepër i madh i futbollit spanjoll.

Mbetet të shihet nëse do të realizohet një transferim i tillë që padyshim do të niste një epokë të re galaktikësh te klubi më i madh në botë./Telegrafi/

Barcelona me mund eliminon Racing dhe kualifikohet tutje

15 January 2026 at 23:10


Barcelona është kualifikuar në fazën tjetër të Kupës së Mbretit për ta eliminuar Racing Santander.

Katalunasit triumfuan me rezultat 0-2, sfidë që e dominuan në përgjithësi por dështuan të shënojnë më shumë se një herë.

Barcelona rrezikoi fillimisht përmes Dani Olmos dhe Marcus Rashford, por të dy dështuan t’i konkretizojnë.

Vendasit gjithashtu krijuan një rast fantastik përmes Guliashvilit, megjithatë goditja e tij përfundoi mbi portë.

Heroi i Barcelonës rezultoi të jetë Ferran Torres, i cili shënoi përballë portierit pas asistimit të Fermin (66’).

Racing bëri atë që s’pritej, shënoi dy herë përmes Manex Lozanos, megjithatë në të dy rastet ishte në pozitë jashtë loje.

Krejt në fund, Barcelona e vulosi fitoren përmes Lamine Yamal (90+5').

Kësisoj, Barcelona nuk vepron si Real Madridi dhe kualifikohet tutje në Kupën e Mbretit./Telegrafi/

Yesterday — 15 January 2026Main stream

Çmenduri, Albacete i pushoi shtatë lojtarë të formacionit të parë dhe e eliminoi Real Madridin nga Kupa e Mbretit

15 January 2026 at 22:50


Albacete ishte të mërkurën mbrëma në vëmendjen e të gjithëve, kur arriti ta eliminojë Real Madridin në 1/8 e finales në kuadër të Kupës së Mbretit.

Skuadra që garon në divizionin e dytë fitoi me rezultat 3-2, duke e shënuar golin e fitores në minutën e fundit përmes Betancor (90+5’).

Sidoqoftë, ajo që e ka bërë edhe me të çmendur këtë fitore është fakti që vendasit kishin pushuar shtatë nga lojtarët e formacionit të parë sepse nuk besonin se mund ta eliminonin 15 herë kampionin e Evropës.

Albacete i kishte larguar nga formacioni lojtarët si Marino, Vallejo e Gomez, të cilët janë të padiskutueshëm në 11-she pasi iu janë dashur për divizionin e dytë, ku po luftojnë për mbijetesë.

Fitorja e Albacete vlerësohet si më e madhja në historinë e klubit, e më e bukura tani që llogaritet se ka qenë ekipi “B”. Përndryshe, skuadra e divizionit të dytë një xhiro më parë kishte eliminuar Celta Vigon.

Ndërkohë, Real Madridi vazhdon krizën e madhe pavarësisht ardhjes së Arbeloas në krye. “Los Blancos” tashmë kanë nisur punën për një trajner të ri, i cili do ta marrë drejtimin e klubit madrilen në verë./Telegrafi/

Shkëlqen Adrien Rabiot, AC Milan fiton me përmbysje ndaj Comos

15 January 2026 at 22:43


AC Milan ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Comos, duke përmbysur rezultatin dhe triumfuar me shifrat 1-3, në një ndeshje ku Adrien Rabiot ishte figura kryesore.

Vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 10-të, kur Marc Oliver Kempf u shkëput më lart se mbrojtja pas një goditjeje nga këndi dhe me kokë realizoi për 1-0.

Como vazhdoi të rrezikojë, por në minutën e 41-të Mike Maignan shpëtoi Milanin me një pritje vendimtare ndaj një goditjeje nga afërsia të Lucas Da Cunha.

Momenti kyç i pjesës së parë erdhi në minutën e 44-të, kur Kempf shkaktoi penallti. Christopher Nkunku u tregua i saktë nga pika e bardhë në minutën 45+1, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Në pjesën e dytë, Milani mori kontrollin e lojës dhe në minutën e 55-të përmbysi rezultatin. Adrien Rabiot përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë realizoi për 1-2.

Francezi e vulosi fitoren në minutën e 88-të me një supergol nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës për rezultatin përfundimtar 1-3.

Milani me këtë fitore zë pozitën e dytë me 43 pikë, derisa Como zë vendin e gjashtë me 34 sosh./Telegrafi

Luis Enrique u bën thirrje lojtarëve të PSG-së ta shfrytëzojnë eliminimin befasues nga Kupa e Francës si motivim për vazhdimin e sezonit

15 January 2026 at 22:20


Luis Enrique shpreson që eliminimi i hershëm dhe befasues i Paris Saint-Germain nga Kupa e Francës të shërbejë si motivim për skuadrën e tij në vazhdim të sezonit.

Jonathan Ikone shënoi golin e vetëm të ndeshjes, teksa Paris FC triumfoi 1-0 në “Parkun e Princave”, duke bërë që PSG të eliminohej para fazës së 1/8 së finales vetëm për herë të dytë në 20 vitet e fundit.

Para përballjes me skuadrën që mban vendin e katërt, Luis Enrique u bëri thirrje lojtarëve të tij që të japin një reagim të fortë, për të rikonfirmuar ambicien për të konkurruar në të gjitha frontet këtë sezon.

“Pas një humbjeje, të gjithë duan të rikthehen menjëherë. Ne e analizuam ndeshjen”.

“E dimë se bëmë gjithçka për të fituar kundër Paris FC, por ndonjëherë përballesh me një portier që ndalon gjithçka. Kështu është futbolli, por duhet të vazhdosh përpara”.

“Të premten luajmë kundër një prej skuadrave më të mira të kampionatit dhe është detyra jonë t’i japim ndeshjes të gjithë përbërësit e nevojshëm”.

“Është e rëndësishme të dimë se e merituam fitoren. Qartë. E humbëm ndeshjen, e pranojmë rezultatin dhe i uruam Paris FC fat për vazhdimin e kompeticionit”.

“Por shpresoj që kjo të na shërbejë si motivim për të dhënë edhe më shumë në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve”.

Lille, megjithatë, do të jetë një provë shumë e fortë për PSG-në. Skuadra e drejtuar nga Bruno Genesio ka fituar shtatë nga dhjetë ndeshjet e fundit në Ligue 1 dhe synon rikthimin në Ligën e Kampionëve.

Takimi i fundit mes dy ekipeve në kampionat u zhvillua në tetor, kur Ethan Mbappe, vëllai i ish-yllit të PSG-së, Kylian Mbappe, shënoi golin e barazimit në minutën e 85-të për rezultatin 1-1.

“Kur e analizuam Lille, pamë se ata bëjnë shumë gjëra mirë, si me topin ashtu edhe pa të. Ka shumë cilësi në ekipin e tyre”.

“Do të luajmë në shtëpi dhe do të jetë një test i mirë për të parë se si do të reagojmë pas humbjes. Shpresojmë të bëjmë një paraqitje të mirë”.

“Po luajmë kundër një skuadre të madhe pas një humbjeje dhe e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, gjithmonë ka qenë e tillë sa herë jemi përballur me ta”.

“Duam të fitojmë për të vazhduar përpara në kampionat”./Telegrafi

Vedat Muriqi: Nuk kam asnjë dyshim se RCD Mallorca do të qëndrojë në La Liga

15 January 2026 at 21:39


Ka qenë java më e vështirë për RCD Mallorca dhe tifozët e saj, pas paraqitjeve zhgënjyese në dy ndeshjet ndaj Gironës dhe Rayos. Të dielën pati edhe përplasje verbale me tifozët, ndërsa skuadra ndodhet shumë pranë zonës së rënies nga kategoria.

Në këtë situatë të tensionuar, sulmuesi Vedat Muriqi ka folur për radion “COPE”, duke iu drejtuar drejtpërdrejt tifozëve të Mallorcas dhe duke bërë thirrje për bashkim.

“Nëse i prishim lidhjet me tifozët me edhe 19 ndeshje për t’u luajtur, atëherë kemi mbaruar”.

Muriqi theksoi se e kupton plotësisht frustrimin e tifozëve për paraqitjet e dobëta dhe kritikat se skuadra nuk po lufton mjaftueshëm. Ai është i bindur se gjërat do të ndryshojnë, edhe pse paradoksalisht 11 golat e tij rekord në gjysmën e parë të sezonit nuk kanë mjaftuar për ta përmirësuar pozitën e ekipit, diçka që e ka pranuar publikisht edhe trajneri Jagoba Arrasate.

Sulmuesi kosovar është i bindur se Mallorca do të ketë një gjysmë të dytë sezoni shumë më të mirë dhe kujton mbështetjen e tifozëve në momentet më të vështira, veçanërisht mbijetesën dramatike nën drejtimin e Javier Aguirres.

“Më kujtohet gjithmonë ai vit kur Granada na mposhti rëndë. Dola për darkë dhe disa tifozë më inkurajuan, duke më thënë se kishim edhe tri ndeshje dhe mund të shpëtonim. U habita shumë. Dua që tifozët të vazhdojnë të jenë kështu, sepse kjo na ndihmon të qëndrojmë në kategori. Nuk kam asnjë dyshim se kjo skuadër do të mbetet në elitë”.

Muriqi foli edhe për përvojën e tij me presionin e madh në Turqi.

“Kam luajtur edhe në Turqi, ku presioni është shumë më i madh dhe nuk ta falin asnjë gabim. Për shembull, te Fenerbahce duhet të jesh si robot. Është e pamundur”.

Debatet me tifozët të dielën, sipas tij, kanë qenë më konstruktive nga sa është raportuar. Edhe pse u përfol për një përplasje të ashpër mes disa tifozëve dhe Mojicas, Muriqi dhe disa bashkëlojtarë të tij patën biseda të qeta me pjesën tjetër të tifozëve.

“Disa prej nesh lojtarëve ishim aty, ashtu si Alfonso Diaz, duke biseduar me tifozët. Thirrëm edhe një drejtues për të qetësuar situatën. U thashë se askush në skuadër nuk dëshiron të humbasë pas vetëm pesë minutash lojë. Askush nuk dëshiron të jetë në këtë situatë. Na thanë se nuk po dukej pasioni. I kuptoj dhe jam dakord, sepse rezultatet nuk po na shkojnë mbarë. Është detyra jonë ta ndryshojmë këtë”.

“Nëse fillojmë të përçahemi me 19 ndeshje të mbetura, kemi mbaruar. Duhet të fillojmë të fitojmë dhe ta kthejmë situatën. Me shtatë pikë mund të jesh i dhjeti. Tifozët duhet të na mbështesin siç kanë bërë gjithmonë. E përsëris, nëse i shkatërrojmë të gjitha, nuk ka kuptim”.

Muriqi pranon se skuadra vuan nga mungesa e besimit dhe se duhet të krijohen më shumë raste.

“Ka pak mungesë besimi. Nëse shikon renditjen, të gjithë jemi shumë afër. Nuk po them se marrëdhënia me tifozët është prishur, por më parë nuk na fishkëllenin. Duhet të ndërtojmë më shumë lojë, ndonjëherë na mungon pasimi final. Këto janë gjëra që duhet t’i përmirësojmë. U flas gjithmonë shokëve të skuadrës, e dinë që unë jam aty për çdo top në zonë dhe përpiqem t’i bind të fusin më shumë topa”.

Muriqi shprehu pakënaqësi edhe për gjykimin, veçanërisht për penalltinë e dhënë ndaj Valjentit në Vallecas dhe për faullet që i akordohen vazhdimisht kundër tij në duelet ajrore.

“Është diçka që as nuk dua ta mendoj, sepse më zemëron shumë. Më thonë që jam më i fortë dhe, për shkak se jam më i fortë, faulli qenka i imi? Shpeshherë më bëjnë faull dhe nuk fishkëllitet asgjë”.

Sa i përket lidershipit, sulmuesi i Mallorcas thekson se nuk ka nevojë për shiritin e kapitenit për të udhëhequr ekipin.

“Gjithë jetën time, pas vdekjes së babait, kam qenë lider i familjes sime. Isha shtatë vjeç kur ai vdiq dhe fillova të punoja në moshën tetëvjeçare. Gjithmonë kam qenë lider. Në fushë kemi kapitenë si Rai dhe Martin, unë nuk kam nevojë për shiritin. Përpiqem të ndihmoj, të flas, të bërtas në fushë. Qëllimi i vetëm është fitorja dhe shokët e skuadrës më respektojnë”./Telegrafi

Vendos çereku i fundit, Ylli e fiton dramën ndaj Prishtinës

15 January 2026 at 21:22


Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në shtëpi ndaj KB Prishtinës, sfidë që u vendos në çerekun e fundit.

Skuadra suharekase triumfoi me rezultat 94-82 (26:14, 17:30, 23:22, 28:16).

Pas vetëm shtatë minutave lojë kishte ndërprerje, pasi “Plisat” hodhën gjësende në parket, duke fyer bordin e Prishtinës që vendosën ta bënin Bekë Berishën kryetar të klubit.

Policia pastaj ndërhyri duke i larguar nga palestra, ku pastaj vazhdoi ndeshja. Ylli e fitoi çerekun e parë me plot 12 pikë dallim, pra 26:14.

Prishtina u këndell në çerekun e dytë, ku e mbylli me 13 pikë epërsi (17:30), si dhe kompletuar përmbysjen në pjesën e parë 33:34.

Ylli e barazoi rezultatin në çerekun e tretë, duke e fituar çerekun me një pikë epërsi 23:33. Krejt në fund, suharekasit dominuan plotësisht me 12 pikë dallim (28:16).

Lis Soshi e Bamforth ishin më të dalluarit te Ylli me 20 pikë, ndërsa te Prishtina u dallua Burns me 29 sosh./Telegrafi/

Zyrtare: Lirim Kastrati bëhet me klub të ri, i bashkohet skuadrës hungareze

15 January 2026 at 21:14


Mbrojtësi Lirim Kastrati pas një viti e gjysmë pa klub, i është bashkuar zyrtarisht skuadrës hungareze DVTK.

Pas largimit nga skuadra polake, Kastrati ka qenë agjent i lirë ndërsa ka vendosur të rikthehet në elitën e futbollit hungarez.

DVTK përmes një komunikate zyrtare e njoftoi afrimin e mbrojtësit të Kosovës, me këtë të fundit që deklaroi se është i lumtur dhe mezi pret të jep më të mirën në fanellën e kuqe.

“Jam i lumtur që jam këtu. Arrita me pritje të mëdha sepse e di që Diogyor është një ndër klubet me më traditë në futbollin hungarez”.

“Kam luajtur shpesh kundër DVTK dhe secila ndeshje ishte e vështirë, më kujtohet edhe atmosfera e shkëlqyer që ishte krijuar nga tifozët”.

“Pasi u largova nga Hungaria luajta në Poloni për një vit e gjysmë, ku mësova një kulturë të re. Në dhjetor nisa stërvitjet në Ujpest dhe u përgatita me skuadrën, luajta edhe në fazën parapërgatitore, prandaj arrita në kampin e dimrit me kushte plot 100 për qind, thuajse perfekte. Mezi pres të vesh fanellën e kuqe më të bardhë”, deklaroi ai.

Kastrati ka pasur shumë sukses në Hungari, ku edhe e fitoi Kupën në edicionin 2020/21./Telegrafi/

Juventusi synon të përfitojë edhe 20 milionë euro nga dy brazilianët e harruar

15 January 2026 at 19:46


Afati kalimtar i janarit ka hyrë në fazën më intensive dhe raportimet nga Italia bëjnë të ditur se Juventusi shpreson të arkëtojë rreth 20 milionë euro përmes shitjes së dy brazilianëve që prej kohësh kanë dalë nga planet kryesore të klubit.

Njëri prej tyre është Arthur Melo, i cili vazhdon të jetë nën kontratë me Juventusin, pavarësisht se pjesën më të madhe të tre viteve e gjysmë të fundit e ka kaluar larg Torinos, në formë huazimi te Liverpool, Fiorentina, Girona dhe së fundmi te Gremio në Brazil.

29-vjeçari iu bashkua Juventusit në një marrëveshje shkëmbimi me Miralem Pjanic, transferim që në atë kohë u raportua se kishte një vlerë prej 72 milionë eurosh, plus deri në 10 milionë euro bonuse dhe shtesa.

Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, La Gazzetta dello Sport raporton se Arthur ende vlerësohet rreth 10 milionë euro në bilancin financiar të Juventusit, shifër që pritet të bjerë në rreth 6.5 milionë euro gjatë verës.

Sipas të njëjtës gazetë, Arthur tashmë ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e Gremios për një transferim të përhershëm, pas një periudhe pozitive gjatë vitit 2025.

Përveç Arthurit, Juventusi mund të përfitojë së shpejti edhe nga aktivizimi i një klauzole përqindjeje nga shitja e Kaio Jorge.

Sulmuesi 23-vjeçar u transferua te Juventusi nga Santos në vitin 2021, ndërsa eksperienca e tij në Serie A u nda mes ekipit të parë, skuadrës U23 dhe një huazimi te Frosinone në sezonin 2023/24. Në verën e vitit 2024, ai u lejua të largohej nga Juventusi, duke iu bashkuar Cruzeiros për një shumë të raportuar prej 7.2 milionë eurosh.

Kaio Jorge e mbylli sezonin 2025 të kampionatit brazilian (që zhvillohet nga marsi deri në dhjetor) si golashënuesi më i mirë i ligës, me 21 gola në 33 paraqitje. Ai regjistroi gjithashtu tetë asistime në kampionat, si dhe pesë gola dhe një asist në tetë ndeshje të Kupës së Brazilit.

Paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha në Brazil, përfshirë Flamengon, e cila raportohet se ka paraqitur një ofertë prej 32 milionë eurosh për ta transferuar sulmuesin nga Cruzeiro.

Në reagim ndaj interesimit, Cruzeiro ka rinovuar kontratën e Kaio Jorge deri në vitin 2030, gjë që nënkupton se një largim i mundshëm në të ardhmen e afërt do të ndodhte për një shumë edhe më të lartë se oferta aktuale e Flamengos.

Kjo situatë është në favor të Juventusit, pasi bardhezinjtë raportohet se kanë të drejtë në 30 për qind të shumës që do të përfitohet nga transferimi i ardhshëm i Kaio Jorge, duke e bërë këtë operacion një burim të rëndësishëm të ardhurash për klubin italian./Telegrafi

“Plisat” hedhin gjësende në parket, ndërpritet ndeshja Ylli – Prishtina

15 January 2026 at 19:16


Ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe KB Prishtinës është ndërprerë pas vetëm shtatë minutave lojë.

Ishin tifozët e Prishtinës “Plisat” që hedhen gjësende në parket, prandaj edhe gjyqtari përkohësisht e suspendoi lojën.

E tërë kjo situatë erdhi si pakënaqësi e tifozëve kundër vendimit të Prishtinës për ta emëruar Bekë Berishën si kryetar të klubit.

MKRS-ja e kundërshtoi këtë vendim, megjithatë mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet situata në ditët e ardhshme.

Kujtojmë, aktualisht Ylli ishte në epërsi të madhe prej nëntë pikëve 17-8, ndërsa kishin mbetur edhe 3 minuta e 12 sekonda për t’u mbyllur çereku i parë./Telegrafi

FC Prishtina përforcohet me futbollistin holandez

15 January 2026 at 19:09


FC Prishtina e ka kompletuar transferimin e mbrojtësit të djathtë, Sylian Mokono nga klubi holandez VVV-Venlo.

26-vjeçari ka një karrierë të madhe në Holandë, ku ka mbrojtur fanellën e disa klubeve.

Përmes një komunikate zyrtare, Prishtina i uroi mirëseardhje futbollistit më të ri.

“Sylian Mokono i bashkohet FC Prishtinës. Mbrojtësi i djathtë holandez është përforcimi më i ri i skuadrës sonë në këtë afat kalimtar dimëror”.

“26-vjeçari është produkt i akademisë së FC Utrecht, ku ka kaluar disa grupmosha deri te ekipi i parë. Mokono ishte pjesë e Heracles Almelo, me të cilin u shpall kampion në ligën e dytë të Holandës, ndërsa së fundmi ka qenë pjesë e skuadrës VVV-Venlo.

Sylian Mokonos i dëshirojmë mirëseardhje dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër”, shkroi klubi.

Ndërkohë, nën drejtimin e Afrim Tovërlanit – Prishtina po synon që këtë edicion të rikthejë titullin kampion./Telegrafi

Ylli i Man Cityt drejt largimit përkundër dëshirës së Pep Guardiolas

15 January 2026 at 18:52


Sipas “Manchester Evening News”, Bernardo Silva pritet të largohet nga Manchester City si lojtar i lirë në verë, pavarësisht dëshirës së Pep Guardiolës për ta mbajtur atë në skuadër.

Duke folur pas fitores ndaj Newcastle, trajneri i Cityt e bëri të qartë se dëshiron ta mbajë Silvën për aq kohë sa të jetë e mundur në klub.

“Ne duam ta mbajmë Bernardon këtu sa më gjatë që të jetë e mundur”, kishte deklaruar Guardiola pas ndeshjes.

Megjithatë, raportimi thekson se Guardiola është i vetëdijshëm për dëshirën e mesfushorit portugez për t’u larguar në fund të sezonit.

Bernardo Silva kishte folur më herët gjatë këtij sezoni për të ardhmen e tij, duke pranuar se vendimi tashmë është marrë, por pa dhënë detaje.

“Vendimin e kam marrë, por nuk është momenti për ta zbuluar”, ishte shprehur Silva.

Nëse ky largim konfirmohet, Manchester City do të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të epokës së Guardiolës, ndërsa e ardhmja e portugezit pritet të jetë një nga temat më të diskutuara të merkatos verore./Telegrafi

“Le të shohim”, edhe Andy Robertson s’e mohon mundësinë e largimit nga Liverpooli

15 January 2026 at 18:14


Andy Robertson ka zbuluar dëshirën e tij për të qëndruar te Liverpooli, por njëkohësisht ka pranuar se e ardhmja e tij mbetet e paqartë, për shkak të nevojës së madhe për më shumë minuta në fushë.

31-vjeçari është zhvendosur në një rol dytësor në Anfield këtë sezon, pas ardhjes së Milos Kerkez gjatë verës, duke nisur vetëm 11 ndeshje në të gjitha garat dhe vetëm katër në Ligën Premier.

Robertson ka qenë kryesisht i besueshëm sa herë që ka hyrë në formacion, madje në disa raste ka lënë përshtypje më të mira se Kerkez, por situata e tij për të ardhmen mbetet e hapur. Kontrata e reprezentuesit të Skocisë skadon këtë verë dhe ai ende nuk ka firmosur një marrëveshje të re me “The Reds”.

Robertson ka folur hapur për të ardhmen e tij në Liverpool, duke konfirmuar se ka pasur bisedime me klubin për një kontratë të re, por pa ndonjë vendim përfundimtar.

“Kemi pasur biseda që do të mbeten private; do ta shohim se çfarë do të ndodhë”.

“Më kanë mbetur edhe pesë muaj dhe duhet të shohim nëse ekziston opsioni për të qëndruar apo nëse ka mundësi për t’u larguar. Do të ulem me familjen time dhe do të vendosim”.

“Pas një vere stresuese, po përpiqem thjesht ta shijoj faktin që jam pjesë e këtij klubi dhe lojtar i Liverpoolit. Doja të kualifikohesha në Kupën e Botës dhe fatmirësisht ia dolëm. Tani duhet të shoh se çfarë duam unë dhe familja ime për të ardhmen”.

Ai shtoi gjithashtu se dëshiron të luajë sa më shumë sepse nuk i pëlqen të jetë në stol.

“Mund të përqendrohem te tetë vitet e gjysmë të fundit. Mendoj se Jurgen Klopp më la jashtë vetëm në një ndeshje dhe isha shumë i zemëruar. Unë jam një lojtar që dua të luaj”.

“Kam luajtur me lëndime. Kam luajtur edhe kur nuk kam qenë 100 për qind i gatshëm. Kam luajtur kur kam qenë vetëm 50, 40 apo 30 për qind i aftë për këtë klub dhe për kombëtaren. Gjithmonë dua të jem në fushë dhe të luaj, dhe tani kjo nuk po ndodh, prandaj kjo është ajo që ka ndryshuar”.

“Kam një rol tjetër këtë sezon, të cilin po e shijoj, por në fund të fundit, futbollistët duan të luajnë. Nëse dikush është i lumtur duke qëndruar në stol, atëherë nuk i përket asnjë klubi futbolli”./Telegrafi

E mposhti në Superkupë, Barcelona synon ta fitojë garën me Real Madridin edhe për talentin e Ajaxit

15 January 2026 at 17:55


Barcelona po monitoron mesfushorin ofensiv të Ajaxit, Rayane Bounida, si një objektiv afatgjatë për afatin kalimtar të verës 2026, sipas raportimeve nga AS.

Pas rikthimit të fundit të Joao Cancelos në formë huazimi, klubi katalanas nuk pritet të bëjë lëvizje të tjera në këtë afat kalimtar të janarit, por mbetet vigjilent ndaj talenteve në ngritje në të gjithë Evropë.

Mesfushori 19-vjeçar me origjinë belge-marokene ka tërhequr vëmendjen si të Barcelonës, ashtu edhe të Real Madridit, falë aftësive të tij teknike, krijimit të rasteve dhe fleksibilitetit në fazën ofensive.

Bounida ka zhvilluar 13 paraqitje zyrtare me Ajaxin këtë sezon, duke regjistruar pesë asistime, ndërsa ka impresionuar me qetësinë, vizionin dhe vendimmarrjen në zonën e fundit të fushës.

Produkt i futbollit të moshave në Belgjikë dhe me prejardhje marokene, ai ka marrë vlerësime edhe nga Jose Mourinho dhe konsiderohet si një nga talentet më premtuese që kanë dalë nga akademia e Ajaxit vitet e fundit.

Barcelona e sheh Bounidën si një përshtatje ideale për projektin e saj nën drejtimin e Hansi Flick, ndërsa situata e kontratës së tij po ndiqet nga afër, në një kohë kur interesi nga klubet e mëdha të Evropës vazhdon të rritet./Telegrafi

Endrick zbulon momentin më të vështirë të karrierës

15 January 2026 at 17:27


Sulmuesi Endrick ka folur hapur për vështirësitë e periudhës së tij të parë te Real Madridi, duke zbuluar se momenti më i vështirë për të ishte konfirmimi se do ta humbiste Kupën e Botës për Klube të FIFA-s, e cila u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmuesi i ri brazilian pësoi një lëndim në muskujt e pasmë të kofshës drejt fundit të sezonit të kaluar, i cili u përkeqësua gjatë seancave stërvitore para turneut.

Si pasojë, ai mbeti jashtë fushave për disa muaj dhe nuk arriti të marrë pjesë fare në këtë kompeticion. Në një intervistë së fundmi, Endrick u shpreh se ishte momenti më i rëndë i karrierës.

“Konfirmimi se do ta humbja Kupën e Botës për Klube në Shtetet e Bashkuara. Se nuk do të mund të luaja për disa muaj”.

“Është momenti kur e kupton se nuk do të mund të garosh. Humbjet janë të këqija, por janë pjesë e futbollit. Ne fitojmë dhe humbim. Të gjithë e bëjnë këtë. Pak janë ata që fitojnë trofe”.

“Askush nuk fiton gjatë gjithë kohës. Por lëndimet mund të të largojnë krejtësisht nga futbolli”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Endrick po synon të gjejë formën sa më të mirë te Lyoni, me shpresën që të merr një ftesë nga Carlo Ancelotti për Kupën e Botës 2026./Telegrafi/

❌
❌