Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka vlerësuar rolin dhe përkushtimin e efektivëve të Forcave të Armatosura, duke theksuar se zhvillimi dhe aftësimi i personelit mbetet prioritet kyç i Ministrisë së Mbrojtjes.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Vengu ka theksuar se misioni i Forcave të Armatosura avancon çdo ditë falë punës dhe përkushtimit të ushtarakëve, si nëntoger Ersi Mollaj dhe ushtare IV Erato Buzalli.
“Misioni ka emër. Forca avancon çdo ditë përmes zhvillimit dhe aftësimit të çdo efektivi të përkushtuar”, ka shkruar Vengu.
Sipas tij, efektivët e Forcave të Armatosura shërbejnë në zona të ndryshme të vendit, nga Burrel në Poshnje, e nga Vau i Dejës në Bunavi, duke u angazhuar në përballimin e emergjencave civile, stërvitje ushtarake, detyra operacionale, si dhe në përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në misione ndërkombëtare.
Ministri ka theksuar se kapitali njerëzor i Mbrojtjes mbetet aseti më i rëndësishëm dhe baza për ringritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. /Telegrafi/
Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së hënës në rrugën “Ali Hadri” në Prizren.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se rreth orës 22:50 policia ka pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në këtë zonë.
“Sipas informatave fillestare, si pasojë e të shtënave dy persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Sipas ekipit mjekësor, viktimat ( F.T. dhe V.H. nga Prizreni) janë jashtë rrezikut për jetë dhe vazhdojnë trajtimin e mëtejmë mjekësor,” ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka shtuar se në vendngjarje kanë dalë njësitet policore, hetuesit kujdestarë, si dhe prokurori kujdestar, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.
Po ashtu, sipas Policisë, janë identifikuar tre persona të dyshuar, janë bastisur tre lokacione, ndërsa një armë zjarri është gjetur dhe sekuestruar.
Të dyshuarit aktualisht ndodhen në kërkim.
“Rasti është duke u hetuar intensivisht nga njësitet përkatëse policore,” ka bërë të ditur Bytyqi. /Telegrafi/
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar të dhënat e fundit mbi gjendjen në pikat e kalimit kufitar, ku vërehet se pika kufitare e Merdarës paraqet fluksin më të madh në dalje nga Kosova.
Sipas përditësimit të fundit (ora 08:05), në Merdar pritjet në dalje arrijnë deri 30 minuta, ndërsa kolona e automjeteve në dalje shkon deri në 600 metra, duke e bërë këtë pikë kalimi më të ngarkuarën aktualisht.
Në të gjitha pikat e tjera kufitare, si Bërnjaku, Dheu i Bardhë, Glloboçica, Hani i Elezit, Jarinja, Kulla, Muçibaba, Mutivoda, Qafë e Morinës, Qafë e Prushit, Stançiq dhe Vërmica, fluksi në dalje mbetet i ulët.
Në këto pika, pritjet për dalje variojnë nga 3 deri në 5 minuta, pa kolona të theksuara automjetesh.
Sa i përket qarkullimit të kamionëve, nuk raportohet për pritje apo kolona të konsiderueshme në dalje në asnjë pikë kufitare. /Telegrafi/
Ditën e Martë, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me reshje shiu gjatë gjithë ditës në pjesën më të madhe të territorit.
Reshjet do të jenë kryesisht të vazhdueshme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në zonën e veriperëndimit, veçanërisht në qarkun Shkodër, priten reshje me intensitet mesatar deri lokalisht të lartë, të shoqëruara me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike.
Në zonën e Alpeve dhe në relievet malore të verilindjes, në lartësitë mbi 1500 metra, priten reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar./tch/
Këshilli Prokurorial i Kosovës, që rëndom kthen vëmendjen kryesisht për çështje procedural dhe teknike, muajin e fundit të vitit 2025 u shndërrua në shkas për akuza e kundër akuza mes figurave të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, duke nxitur reagime të niveleve të shumta.
Hapin e parë e shënoi, vendimi i anëtarëve të Këshillit Prokurorial më 20 nëntor me shkarkimin e Besim Kelmendit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, një ditë pas paraqitjes së tij në Prokurorinë Speciale, si dëshmitar lidhur me punën e tij në gjykatë, gjatë periudhës së Masakrës së Reçakut në vitin 1999.
Pavarësisht se Kelmendi e dërgoi rastin për shqyrtim në gjyq, me pretendimet se vendimi ishte i jashtëligjshëm, kryesuesi i KPK-së Ardian Hajdaraj, publikisht tha se vendimi është në përputhje me ligjin, raporton RTK.
Shumë organizata që monitorojnë sistemi e drejtësisë, u deklaruan se vendimi ndaj Kelmendit ishte i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv, ndërkohë që nuk u anashkaluan as vlerësimet për “përbërje korporatiste” dhe një “grup i stërvjetër i interesit” brenda KPK-së, tendenca që kanë zënë vend edhe në disa vlerësime të Komisionit të Venecias, duke ngritur alarmin për ndryshime dhe reforma brenda institucionit.
E zbatim të plotë të reformave ka kërkuar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, pas një takimi me anëtarët e Këshillit Prokurorial.
Nga ky këndvështrim, reformat pritet të fuqizohen në janar, kur edhe ju skadon mandate pesë anëtarëve aktual, pa mundësi për t’u rizgjedhur.
“Duhet të ketë drejtësi brenda atij institucioni është degë e ndarë e pushtetit është degë në kushtetutë e pavarur dhe kësisoj duhet të funksionoj degë, mënyra se si është ndarë 5/5 e dëmton funksionimin kushtetues të këtij organi”, tha Blerim Sallahu, ud ministër I drejtësisë.
Por për çfarë reformash bëhet fjalë konkretisht?. Ndryshimet në Ligjin për Këshillit Prokurorial të Kosovës , që janë në fuqi nga qershori vitit 2025, parashohin që institucioni t’i ketë 7 anëtarë, për dallim nga 13 sa janë aktualisht, dhe të ketë edhe anëtarë joprokurorë, të cilët do të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.
“Nëse i krahasojmë veprimet e dy grupeve, grupi që po rrin në mbledhje dhe grupit që dilte nga takimi haptas tregon tendencat për mirëmbajtjen e koorporatizimit edhe në janar të vitit 2026 ku reforma në KPK pritët që të jap efektet e para”, tha Gzim Shala nga IKD.
E reforma pritet të fuqizohet plotësisht në janar, kur edhe u përfundon mandati pesë anëtarëve aktualë, të cilët nuk kanë mundësi për t’u rizgjedhur. Me ndryshimet e reja të parapara, kuorumi për të mundësuar vendimmarrjen arrihet në formatin pesë plus një anëtar.
Numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta ka nisur të hënën në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Kjo fazë është pjesë e përpunimit të fundit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të KQZ-së, deri në momentin e përditësimit janë numëruar 18 nga 57 vendvotime, apo 31.58% e totalit të votave me kusht.
Deri tani Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kryeson bindshëm me 49.81% (1,313 vota). Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.45% (539 vota).
E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.65% (307 vota) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 8.95% (236 vota).
Sipas KQZ-së, në total janë rreth 9,900 votues të regjistruar për votim me kusht nga 57 vendvotime në 38 komuna, si dhe 2,860 votues të regjistruar për votim për persona me nevoja të veçanta, të cilat janë sjellë për verifikim dhe do të numërohen gjatë këtij procesi. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se aktivitetet e numërimit të votave po përfundojnë më herët sesa ishte planifikuar, duke lënë të hapur mundësinë që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shpallen para afatit të paraparë, më 19 janar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se përfundimi i aktiviteteve në Qendrat Komunale të Numërimit ishte planifikuar deri më 7 janar, mirëpo dinamika e punës ka bërë që ky proces të përmbyllet që në mesditën e 3 janarit.
Po ashtu ai ka theksuar se numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike dhe votimi me postë, i planifikuar të fillonte më 7 janar, ka përfunduar po ashtu më 3 janar dhe pjesa e më e madhe e votave me postë është kryer.
KQZ ka bërë të ditur se edhe numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, i planifikuar të fillonte më 16 janar, pritet të nisë gjatë ditës së sotme.
“Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna të vendit, janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për votim me kusht. Ndërkaq, numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit për personat me nevoja të veçanta është 2,860”, ka thënë Elezi.
Si rezultat i këtyre zhvillimeve, KQZ vlerëson se rezultatet përfundimtare mund të shpallen shumë më herët sesa afati maksimal i paraparë.
Ndërkohë, në QNR po vazhdon numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht përmes postës. Deri më tani janë numëruar fletëvotime nga mbi 28 mijë pako, të cilat janë tërhequr para Vitit të Ri nga kutitë postare të KQZ-së në Berlin dhe Bern.
Gjithashtu, më 2 janar janë tërhequr edhe 8,180 pako të tjera me fletëvotime nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë, të cilat pritet të arrijnë në Kosovë gjatë ditës. Procesi i tërheqjes së pakove nga jashtë vendit përmbyllet sot.
Të gjitha fletëvotimet, pasi të mbërrijnë në Kosovë, do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit dhe verifikimit, ndërsa ato që miratohen do të përfshihen në numërim. /Telegrafi/
Serbia ndodhet në një krizë të thellë politike ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiq, po mbijeton në pushtet “me frymëmarrje artificiale”, thotë deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Ai paralajmëron se 2026-ta do të jetë vit i zgjedhjeve në Serbi, dhe se të njëjtat mund të shënojnë fundin e pushtetit të Vuçiqit, derisa ka kërkuar mbështetje më konkrete nga Prishtina dhe Tirana zyrtare, si dhe shpalljen e Luginës së Preshevës si çështje me rëndësi kombëtare për Kosovën.
Kreu i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi në intervistën për KosovaPress flet edhe për diskriminimin institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe rrezikun që brenda pak vitesh, të tri komunat të mbesin pa përfaqësim shqiptar në polici dhe institucione të tjera.
Ai thotë se diskriminimi shtetëror i Serbisë ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë po vazhdon dhe se “vëmendja e qeverisë qendrore është e orientuar kryesisht në mbijetesën në pushtet”.
“Shumëkush ka pritur që me një vit protestash, pushteti i Aleksandër Vuçiqit do të bie. Por, thjesht ai po mbahet, po mbijeton. Po mbijeton me një frymëmarrje artificiale, me atë që ka fut Serbinë me një krizë ndër më të thellat politike prej vitit 2003 kur është vrarë kryeministri i atëhershëm. Është bërë një delegjitimim total i pushtetit të Vuçiqit, se këto që po ndodhin ditëve të fundit po dëshmojnë që politika e jashtme e Vuçiqit, e balancimit, e ekuilibrimit, e bazuar në katër shtylla, në Kinë, në Moskë, në Uashigton e Bruksel, po pëson degradim total sepse tashmë mund të thuhet shumë konkret pas aprovimit të Raportit të Progresit për Serbinë për vitin 2025, Bashkimi Evropian ka dhënë vërejtjet më seriozet deri më tani, në raport me ngecjen e Serbisë”, tha Kamberi.
Kamberi shtoi se ligji që aprovuan së fundmi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që ka nënshkruar presidenti Trump flet qartë për ngecjet në demokraci në Serbi, dhe Serbia etiketohet si i vetmi vend në Ballkan me emër që ka ngecje të demokracisë.
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi konsideron se viti 2026 do të jetë vit zgjedhor në Serbi dhe se Vuçiqi do ta humbë pushtetin.
“Ndërkohë që duke qenë i përballur me krizën e brendshme, Vuçiq aktualisht po përballet edhe me krizën e jashtme. Dhe me shumë gjasë viti 2026 do të jetë vit i zgjedhjeve në Serbi. Zgjedhje që siç paralajmëron ai do të jenë udhëkryq, por me shumë gjasë Vuçiq në këto zgjedhje do humb pushtetin. Për të bile, sipas vlerësimit tim do të jetë edhe më e vështirë nëse arrin t’i fitojë zgjedhjet me manipulimet e zakonshme që i ka bërë deri më tani dhe kjo do të na sjellë në një situatë ku askush, as opozita, as Lëvizja Studentore, as segmentet tjera të shoqërisë nuk do të ja njohin ato zgjedhje. Ky është një hap që Serbinë do ta fut edhe në një krizë edhe me të thellë. Nuk mund të themi se do të ketë një stabilitet as në vitin 2026 dhe kjo natyrisht flet qartë se Serbia nuk do të ketë edhe kohë edhe mundësi të merret me procesin e integrimeve”, shton ai.
Kamberi thotë se nevojitet organizim i partive politike në Luginë që shqiptarët të kenë përfaqësim më të mirë në Parlamentin e Serbisë.
Ai pret që në këto zgjedhje të ketë dalje të madhe të qytetarëve në votime, për shkak të tri poleve që garojnë në Serbi.
“Koordinimi i politikave dhe përkrahja apo mbështetja që duhet dhënë për një vijë të caktuar politike në Luginë të Preshevës apo për një orientim të caktuar në Luginë të Preshevës do të duhet të jetë shumë më konkrete edhe nga Prishtina edhe nga Tirana, në mënyrë që të arrijmë të mobilizohemi sepse fragmentizimi i skenës politike është i skajshëm këtu, ai fragmentizim sjell dobësimin e pozitës tonë politike por njëkohësisht dobësimin edhe të pozitës tonë në vota. Nëse dalim me dy lista, e dimë në zgjedhjet e kaluara kemi arritur të kemi me një deputet, një listë ka dështuar total. Prandaj mund të na pret një situatë e ngjashme apo mund ta përsërisim suksesin e vitit 2020 që të kemi së paku tre deputetë”, thotë Kamberi.
Ai paralajmëron se për shkak të mosrekrutimit të shqiptarëve në polici që nga viti 2016, Lugina e Preshevës rrezikon të mbetet pa policë shqiptarë në dekadën e ardhshme.
“Ne kemi një situatë ku Kosova si shteti më i ri, si demokracia më e re në Ballkanin Perëndimor për pakicat atje ofron standarde që nuk i ka asnjë shtet, jo vetëm i Ballkanit, por mund të them lirisht edhe shumë shtete në Evropë nuk i kanë këto standarde. Ndërkohë, që duke kërkuar për serbët diçka që nuk është e gatshme t’i jap pakicave brenda territorit të vet, Serbia luan sa i përket sferës së të drejtave të pakicave, me standarde të dyfishta dhe kjo duhet të ndërkrehet”, shprehet deputeti shqiptar.
Kamberi thekson se nuk mund të pajtohemi me Beogradin, vetëm të financojë ndonjë projekt infrastrukturor, ndërkohë që të heshtim sa i përket përfaqësimit tonë në gjykatë, në polici, sepse ne e dimë çfarë solli situata kur në Polici kishte pak ose aspak shqiptarë.
“Me trendin aktual, duke marrë parasysh që Ministria e Punëve të Brendshme nuk rekruton shqiptarë në policinë lokale prej vitit 2016, ne për dhjetë vitet e ardhshme do të mbesim pa policë shqiptar këtu. Dhe kjo na kthen me automatizëm në situatën 1999-2000, ku nuk kishte policë shqiptarë”, deklaron ai.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi kërkon nga Qeveria e ardhshme e Kosovës të shpall Luginën e Preshevës si çështje me rëndësi kombëtare.
“Serbia është e interesuar që të prolongojë marrëveshjen finale me Kosovën. Dhe këtu sipas meje ka vetëm një zgjidhje. Zgjidhja është që Kosova të pranohet dhe të anëtarësohet në NATO. Kjo do ta përmbyll përdundimisht cështjen e kufijve, çështjen e statusit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe do të ndikojë që Kosova të ketë fuqinë më të madhe të luftojë për pakicat e veta në rajon. Kështu që ajo që pritet, ndërtimi i një qeverie efikase në Prishtinë, kush do ta bëjë varet nga populli i Kosovës, sepse ata janë që janë të zotit e vullnetit dhe natyrisht për neve është me rëndësi që Kosova ta ketë një qeveri stabile, një qeveri e cila Luginën e Preshevës nuk e ka diku prioritet diku të shtatë, tetë apo dhjetë. Por ta ketë ndër prioritet e para”, thotë ai në intervistën për KosovaPress.
Kamberi shprehet se ajo që për ne është me rëndësi, është që qeveria, parlamenti i ardhshëm të Kosovës, ta shpall Luginën e Preshevës si çështje me rëndësi kombëtare dhe konform asaj të ndërtojë edhe politikat edhe ndaj nesh.
“Por, kjo do të ishte e mangët nëse nuk përfshihet edhe qeveria në Tiranë”, tha ai.
Gjatë vitit të kaluar, Kamberi thotë se ka bërë disa propozime për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Këtu, ai përmend kërkesën që Presheva e Bujanoci të kenë një prokurori, sepse aktualisht është në Vranjë, por gjithashtu edhe Gjykatën e Apelit. Të gjitha këto, ai thotë se nuk po përfillen nga institucionet në Serbi.
“Parlamenti për vite me radhë, sidomos në këto pesë vitet e fundit është një ambient toksik. Një ambient në të cilin shumicën absolute e kanë, e ka Vuçiqi me partitë e tij satelite, duke mos përjashtuar SPS-in dhe disa parti të vogla të tjera, ka arritur t'i bindë edhe disa pakica siç janë hungarezët dhe një pjesë e boshnjakëve që ta mbajnë në anën e tij. Dhe në kuadër të asaj mundësie, bashkë me deputetët e SDA-së ose, ose vetë si deputet, kam nisur disa iniciativa që janë të rëndësishme, por që mjerisht nuk po hasin në mirëkuptim në Beogradin zyrtar. Në radhë të parë, jo vetëm për t'i krijuar shqiptarëve hapësirë më të mirë të veprimit, të drejtave, por edhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Por duket se Serbia nuk është akoma e gatshme të marrë hapat gjigant drejt anëtarësimit në BE, sepse ajo vetë po i prolongon”, thotë ai.
Megjithatë, ai thekson se në shumë takime Bruksel, Strasburg, Berlin e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, koncepti politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka mbështetje absolute.
Kamberi thekson se gjendje më e rënduar e diskriminimit është në Medvegjë, ku përmes pasivizimit të adresave, Serbia po tenton të bëjë spastrim etnik.
“Po në Medvegjë të jesh shqiptar është vërtetë vështirë. Nuk është lehtë as në Bujanoc, as në Preshevë, sepse je, i përjashtuar nga vendimmarrja në organet e institucioneve të shtetit. Por në Medvegjë, ku përmes pasivizimit, mosnjohjes së diplomave dhe shumë proceseve të tjera, gati se e kanë kryer spastrimin etnik, të jesh shqiptar është shumë vështirë. Natyrisht, çështja e parë që, në një proces të ardhshëm ku do të diskutohet tema e shqiptarëve, është Medvegja me procesin e pasivizimit dhe rikthimit të adresave të gjithë njerëzve që pa arsye u janë marrë”, tha ai.
Ai u shpreh se kjo është dokumentuar disa herë, jo vetëm nga politika jonë, por edhe nga raportet e shoqërisë civile të Serbisë, nga bashkësia ndërkombëtare, nga rezolutat që Parlamenti Evropian i ka aprovuar, se procesi i pasivizimit të Serbisë ka qenë selektiv, me target të veçantë ndaj popullatës shqiptare.
“Medvegja, si një komunë me më pak shqiptarë, ishte target i veçantë dhe atje siç e thashë është arritur që përmes këtij procesi të legjitimohet një spastrim etnik që e ka krijuar Millosheviqi”, përfundon ai.
Kamberi thotë se problemi ekonomik në tri komunat e Luginës së Preshevës shkaktohet nga politika, meqë nuk ka ndarje të barabartë të kapaciteteve që ofrojnë organet shtetërore.
Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë gjatë vitit 2024 janë organizuar tri protesta gjithëpopullore me thirrjet “Kthema adresën” dhe kundër veprimeve diskriminuese të autoriteteve të Serbisë ndaj shqiptarëve.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022, janë mbi 60 mijë shqiptarë të cilët jetojnë në Serbi. /KP/
GJKKO ka rrëzuar sërish kërkesën e presidentit të PL-së, Ilir Meta për zbutje të masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin me burg ndaj tij. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani duke folur për mediat tha se klienti i tij nuk mund të mbahet në paraburgim.
Ai theksoi se çështja e Metës po zvarritet nga prokuroria ose gjykata. Cakrani shtoi se Meta nuk mund të lërë dot garanci pasurore për të dalë nga qelia sepse sipas tij ai nuk disponon pasuri.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor të vitit 2024. Meta dhe Monika Kryemadhi dyshohen se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe me funskionarë të tjerë shtetërorë kanë shfrytëzuar postet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private.
Ata akuzohen gjithashtu për veprimtari të tjera me lobime në SHBA dhe shitblerje banesash në këmbim të përfitimit të shumave të konsiderueshme parash, të cilat janë përpjekur t’i fshehin, duke mos i deklaruar në ILDKPI dhe KQZ./euronews/
Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim nga prokuroria kompetente, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar, i cili shihet në një fotografi të publikuar nga Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, personi i dyshuar kërkohet për përfshirje në veprën penale “Vjedhje”.
Policia u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informatë që mund të ndihmojë në identifikimin e tij, të kontaktojnë autoritetet.
Të gjitha informatat mund të raportohen në numrin emergjent 192 ose përmes adresës elektronike info@kosovopolice.com.
Policia garanton konfidencialitet për qytetarët që ofrojnë informata./Telegrafi/
Paralajmërimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për zgjedhje të reja në pranverë, në rast të bllokimit të zgjedhjes së presidentit, po interpretohen nga analistët politikë si një strategji presioni ndaj opozitës dhe jo si një synim real për ta çuar vendin sërish në zgjedhje.
Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, në një deklaratë për Telegrafin, thotë se deklaratat e Kurtit duhet interpretuar në funksion të balancave parlamentare dhe interesave politike aktuale.
“Paralajmërimet e Kurtit për zgjedhje të tjera në pranverë, në rast se bllokohet zgjedhja e presidentit, duhet interpretuar më shumë si një strategji politike dhe një formë presioni ndaj opozitës, sesa si një synim real për ta çuar vendin sërish në zgjedhje,” shprehet Emini.
Ajo thekson se Kurti është i vetëdijshëm për kufizimet numerike në Kuvend.
“Ai e di se, edhe pse ka një shumicë të qëndrueshme për formimin e qeverisë, nuk mund të garantojë kuorumin prej 80 deputetësh për zgjedhjen e presidentit pa bashkëpunimin e opozitës,” thekson ajo.
Sipas Eminit, mënyra se si Kurti e ka adresuar këtë çështje tregon qartë natyrën pragmatike të qasjes së tij.
“Në fjalimin e tij të fitores, Kurti e adresoi këtë çështje me maturi, duke mos kërkuar bashkëpunim të përgjithshëm politik, por duke e lidhur çdo koordinim vetëm me rastet kur është i nevojshëm kuorumi dhe vota e opozitës. Kjo nuk ishte thirrje për bashkëpunim, por një qasje numerike dhe pragmatike,” vlerëson Emini.
Ajo rikujton se paralajmërime të tilla nuk janë të reja dhe janë përdorur edhe më herët si mjet politik.
“Kurti ka përmendur edhe më herët zgjedhje në dhjetor ose në pranverë, duke i dërguar opozitës mesazhin se mosvotimi për presidentin nuk është një strategji efektive,” shprehet ajo.
Emini sjell si shembull edhe situatën pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.
“Një situatë e ngjashme u pa gjatë bllokadës pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, e cila në fund i kushtoi më shumë opozitës sesa qeverisë. Paralajmërimi i Kurtit sinjalizon se një skenar i tillë mund të përsëritet,” thekson ajo.
Sipas saj, edhe konteksti rajonal tregon se zgjedhjet e shpeshta shpesh përdoren si instrument për dobësimin e opozitës.
“Në rajon, liderë me pozitë të fortë politike shpesh kanë organizuar zgjedhje të njëpasnjëshme për të dobësuar opozitën. Në këtë kontekst, paralajmërimi i Kurtit nuk është i rastësishëm,” deklaroi Emini për Telegrafin.
Ajo shton se opozita aktualisht ndodhet në një pozicion të pafavorshëm.
“PDK është ende në fazë tranzicioni me udhëheqje të re, ndërsa LDK po përjeton ndryshime të brendshme dhe ka pak kohë për rikalibrim politik. Zgjedhje të reja në këtë moment do të ishin shumë më të dëmshme për opozitën sesa për qeverinë,” vlerëson ajo.
Emini paralajmëron se vazhdimi i bllokimit institucional do të kishte kosto politike.
“Vazhdimi i bllokimit të zgjedhjes së presidentit do të zemëronte elektoratin dhe Kurti e di se pakënaqësia e publikut do të kanalizohej kryesisht kundër opozitës,” thotë ajo.
Ajo përmend edhe sinjale për një koordinim institucional mes Kurtit dhe presidentes Osmani.
“Ekzistojnë sinjale për një afrim pragmatik mes Kurtit dhe presidentes Osmani. Të dy kanë treguar se, pavarësisht dallimeve politike, kanë një interes të përbashkët për funksionimin institucional të Kosovës,” shprehet Emini, duke shtuar se kjo e vështirëson më tej justifikimin e një bllokade të re nga opozita.
Në fund, Emini thekson se paralajmërimi i Kurtit është i kalkuluar politikisht.
“Më shumë sesa paralajmërim për zgjedhje të shpeshta, kjo është një lëvizje e kalkuluar politike. Kurti e di se zgjedhjet e shpeshta mund të krijonin pakënaqësi edhe ndaj tij, por në këtë fazë opozita ka shumë më tepër për të humbur. Për pasojë, bllokimi i procesit të zgjedhjes së presidentit nuk do të ishte një strategji efektive dhe ka shumë gjasa të dështojë dhe krijoje kriza te panevojshme politike.,” përfundon ajo.
Ndërkohë, njohësi i qështjeve politike Dritëro Arifi, në një deklaratë për Telegrafin, gjithashtu e sheh paralajmërimin e Kurtit si një mesazh të qartë politik, të ndërtuar mbi disa qëllime.
“Me këtë paralajmërim, Kurti po e paketon idenë e një presidenti apo presidenteje që duhet të jetë nën komandën e tij 100 për qind, pavarësisht se kush do të jetë kandidati,” thotë Arifi.
Sipas tij, mesazhi drejtuar opozitës është i drejtpërdrejtë.
“Këdo që Kurti e propozon për president, opozita duhet të qëndrojë në sallë dhe të sigurojë kuorumin, përndryshe shkohet në zgjedhje, ku fitorja mund të jetë edhe më e madhe për Vetëvendosjen,” shprehet Arifi.
Ai nuk përjashton as mundësinë që zgjedhjet e jashtëzakonshme të përdoren si instrument për shmangie të obligimeve ndërkombëtare.
“Si probabilitet më i vogël, zgjedhjet mund të jenë të qëllimshme për t’ju ikur obligimeve të marrëveshjeve ndërkombëtare, duke e shtyrë procesin deri në shtator,” thekson Arifi, duke shtuar se kjo varet nga rrethanat e brendshme dhe të jashtme politike.
Të dy analistët vlerësojnë se paralajmërimet për zgjedhje nuk janë rastësore, por pjesë e një kalkulimi politik, ku opozita aktualisht ka më shumë për të humbur sesa qeveria.
Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se ekziston mundësia jo vetëm teorike, por edhe praktike që Kosova të shkojë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin e ri.
“Nëse nuk arrijmë ta zgjedhim presidentin, ose ta rizgjedhim presidenten, e afati i fundit për këtë gjë është 4 marsi, nëse nuk e kemi të kaluar paraprakisht buxhetin për vitin 2026, ne as nuk mund të mbajmë zgjedhje të reja. Se natyrisht ekziston mundësia, jo vetëm teorike, por edhe praktike, që ne të shkojmë prapë në zgjedhje, në rast se nuk arrijmë ta rizgjedhim presidenten. Por në një situatë të tillë duhet të jemi të gatshëm, pikërisht duke e pasur buxhetin e votuar. Prandaj unë po them, nuk është e shëndetshme të flasim për hapin e katërt pa i trajtuar mirë dhe kaluar këta tre të parët”, u shpreh Kurti. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka bërë të ditur se në ditën e parë të punës për këtë vit ka marrë dy vendime me rëndësi të veçantë për qytetarët, duke vënë në zbatim premtime të dhëna për mandatin e ri.
Sipas Ramosajt, komuna do të subvencionojë me 500 euro të gjithë personat që përballen me sëmundje malinje, si formë mbështetjeje morale dhe financiare gjatë periudhave të vështira.
Po ashtu, është marrë vendim që çdo nënë lehonë të përfitojë subvencion prej 300 eurosh për secilën lindje, si shenjë përkrahjeje dhe respekti për rolin dhe sakrificën e tyre në familje dhe shoqëri.
“Këto vendime janë dëshmi e fjalës së mbajtur dhe e përkushtimit tonë për politika sociale në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar Ramosaj.
Ai ka shtuar se komuna do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve përmes politikave sociale që synojnë përmirësimin e mirëqenies dhe përkrahjen e kategorive në nevojë. /Telegrafi/
Mesditën e së hënës, një objekt është përfshirë nga zjarri në zonën pranë stadiumit në Prishtinë.
Menjëherë pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve, të cilat janë duke punuar për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të panjohura.
Telegrafi ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Shërbimin e Zjarrfikësve për të marrë më shumë detaje lidhur me rastin dhe është në pritje të informacioneve zyrtare. /Telegrafi/
Një shtetas kosovar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Lituanisë, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, teksa tentonte të hynte në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi u krye nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me DVP Kukës, gjatë kontrolleve të shtuara në hyrje dhe dalje të vendit.
“Si rezultat i kontrolleve me përzgjedhje dhe verifikimeve në hyrje/dalje, me objektiv goditjen e paligjshmërive në kufi dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin shtetasi B. K.”, njofton Policia e Shtetit.
I arrestuari është B. K., 39 vjeç, banues në Kosovë. Nga verifikimet e kryera dhe informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, ka rezultuar se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vilnius.
“Gjykata e Vilniusit e ka dënuar këtë shtetas me 2 vjet e 3 muaj burgim, për veprën penale ‘Dëmtimi i papërfillshëm i shëndetit, kërcënimi për të vrarë ose për t’i shkaktuar një personi dëmtim të rëndë shëndeti’”, thuhet më tej në njoftim.
Aktualisht, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet lituaneze, po vijon procedurat ligjore për ekstradimin e 39-vjeçarit drejt Lituanisë. /Telegrafi/
Një raport i KOSTT-it si pjesë e hetimeve të nisura në energjetikë, jep dyshime të forta për manipulim të çmimit të energjisë elektrike nga importi për Kosovën. Ekspertët e KOSTT-it gjetën se me ankande në SEECAO gjatë vitit 2025 bashkëpunuan kompanitë “Noa Energy Trade” dhe kompania në pronësi të shtetit serb – “Elektroprivreda Srbije”.
Dyshohet se të dyja bashkëpunuan dhe e manipuluan sistemin në SEECAO për t’i ngritur kostot e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën.
Kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”, gjatë vitit 2025, në dhjetëra raste kishin bashkëpunuar si të vetme në ankandet për shitblerjen e linjave të transmisionit që kishin destinacion Kosovën, shkruan Buletini Ekonomik.
Një raport i brendshëm i KOSTT-it, si pjesë e hetimeve të nisura në energjetikë, jep dyshime të forta për manipulim të çmimit të energjisë elektrike nga importi për Kosovën nga këto dy kompani.
Ekspertët e KOSTT-it gjatë hetimeve të sjelljes së palëve tregtare në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë (SEECAO), gjetën se me kapacitetet ndërkufitare në ankandet në SEECAO, gjatë vitit 2025, bashkëpunuan kompanitë “Noa Energy Trade” dhe kompania në pronësi të shtetit serb, “Elektroprivreda Srbije”.
Dyshohet se të dy këto kompani falë bashkëpunimit dhe “marrëveshjeve” paraprake, e manipuluan sistemin në SEECAO për t’i ngritur kostot e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën.
Raporti i KOSTT-it që ka analizuar sjelljet e palëve tregtare në SEECAO, është përpiluar në kuadër të hetimeve të nisura nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) pas një hulumtimi në seri të publikuar në Buletini Ekonomik gjatë vitit 2025, rreth importit të energjisë elektrike për Kosovën.
Gjatë vitit 2024, kostot për bartje të energjisë elektrike për Kosovën shkuan deri në 800 euro për megavatë orë, një “anomali” që ndodhë vetëm në rastet kur ka bashkëpunime të dyshimta mes tregtarëve të energjisë elektrike.
Mirëpo, raporti i KOSTT-it mbulon vetëm periudhën janar-tetor 2025. Gjatë vitit 2025, po ashtu pati kosto të përafërta, të pazakonta në tregun e kapaciteteve ndërkufitare, ku bartja energjisë kushtoi shumëfish më shumë se vetë çmimi i energjisë elektrike.
Si i manipulua tregu?
Zyra e Ankandeve për Evropën Juglindore (SEECAO) me bazë në Podgoricë, rregullon çështjen e ankandeve për blerjen e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit, ku pjesë e saj është edhe Kosova. Përveç çmimit të energjisë elektrike, një kosto tjetër që ngarkohet në çmim është edhe kostoja për transmision, apo bartjen e energjisë.
Në SEECAO, tregtarët e energjisë elektrike i blejnë linjat e transmisionit në ankande vjetore, mujore dhe ditore.
Sipas raportit të KOSTT-it, te ankandet ditore dyshohet se kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije” gjatë vitit 2025 e manipuluan tregun duke i rritur kostot e bartjes së energjisë elektrike, shpeshherë shumëfish më të larta se vetë çmimi i energjisë elektrike.
Nga të dhënat që KOSTT ka marrë në SEECAO, doli se të ankandet që kishin destinacion Kosovën pati tendenca për “bllokim të linjave” dhe “përqëndrim të lartë” të ankandeve te vetëm dy kompani.
Në së paku 40 raste, tregu i ankandeve në SEECAO u përqëndrua vetëm te kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”.
Kompania “Noa Energy Trade”, për vitin 2025, kishte blerë linjat e transmisionit Mali i Zi-Kosovë në ankandin vjetor. Çmimi në ankand vjetor i linjave sillet pak mbi 1 euro për megavat/orë. Dyshohet se manipulimi i tregut ndodhi te ankandet ditore.
Tregtarët e energjisë që i blejnë linjat në ankande vjetore, tentojnë që linjat t’i rishesin pastaj në ankande ditore për blerësit e mundshëm. Këtë e bëjnë për të fituar nga linjat.
Kompania “Noa Energy Trade”, përveç që ishte kompania që e kishte monopolin për ta furnizuar Kosovën me energji elektrike nga importi, e kishte monopolin edhe në sigurimin e linjave të transmisionit për Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO). Kështu, linjat që “NOA” i bleu në ankand vjetor, sa herë që kishte synim të realizonte import të energjisë elektrike për KESCO-n, i riktheu për rishitje në ankande ditore.
Rregullat e SEECAO-së kërkojnë që në ankande duhet të marrin pjesë së paku dy kompani për të qenë ankandi i vlefshëm. Gati në të gjitha ankandet kur “NOA Energy Trade” i riktheu linjat vjetore për rishitje në ankand ditor, aty pjesëmarrës ishte vetëm kompania “Elektroprivreda Srbije”.
Raporti identifikon edhe kostot se sa shkoi çmimi i kapaciteteve për Kosovën në rastet kur bashkëpunuan këto dy kompani. Në të gjitha rastet kur çmimi i bartjes shkoi mbi 100 dhe mbi 200 euro për megavat/orë, në ankandet ditore për energjinë e importuar në Kosovë, ishin vetëm kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”.
Raporti i KOSTT-it, këtë përqendrim të tregut të ankandeve te vetëm dy kompani, e sheh si mundësi të bashkëpunimit mes këtyre dy kompanive për t’i rritur kostot e bartjes së energjisë elektrike.
“Gjatë vlerësimit, SEECAO gjithashtu ka evidentuar disa orë (14) në të cilat kapaciteti është alokuar vetëm për dy pjesëmarrës të regjistruar. Edhe pse përqëndrimi i lartë nuk përbën shkelje të Rregullave, ai mund të jetë tregues i sjelljes për bllokim (hoarding) të kapacitetit (linjes)”, thuhet në raport.
Në raport, KOSTT i drejtohet ZRrE-së që të zhvillojë hetime më të thelluara për të parë se sa ishte ndikimi i këtij përqëndrimi në faturat e konsumatorëve të rrymës në Kosovë.
“Përdorimi i kapaciteteve të fituara në ankandet ditore me çmime të larta dhe efekti i tyre në çmimet e energjisë elektrike të përdoruesve fundorë duhet të analizohet më tej për të kuptuar strategjitë/veprimet e palëve tregtare, pasi të dhëna të tilla nuk i posedon KOSTT”, thuhet tutje në raport.
Kush është “Elektroprivreda Srbije”?
“Elektroprivreda Srbije” (EPS) është një kompani energjetike në pronësi të plotë të Qeverisë së Serbisë, me seli në Beograd. Të dhënat publike thonë se ajo është themeluar në vitin 1991 dhe ka 19,595 punonjës (që nga viti 2023), duke e bërë atë ndërmarrjen më të madhe në Serbi.
Kompania ka një kapacitet të instaluar prej 7,326 MW dhe gjeneron 36.461 TWh energji elektrike në vit. Kapaciteti i saj i instaluar i termocentralit me linjit është 4,390 MW, i termocentraleve të kombinuara me gaz dhe lëndë djegëse të lëngshme është 336 MW, dhe i hidrocentraleve është 2,936 MW. EPS gjithashtu operon me tre termocentrale me kapacitet total prej 461 MW, të cilat nuk janë në pronësi të kompanisë.
EPS është gjithashtu prodhuesi më i madh i linjitit në Serbi.
Në faqen zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, thuhet se ajo është themeluar nga Qeveria e Serbisë.
“Themelues i Elektroprivreda Srbije është Republika e Serbisë, dhe të drejtat ushtrohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Organet e ndërmarrjes Publike të Industrisë së Energjisë Elektrike janë Bordi dhe Drejtori. Bordi mbikëqyrës dhe Drejtori emërohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Ndërmarrja ka shtatë anëtarë të zgjedhur nga Drejtori”.
Nga të dhënat publike thuhet se “Elektroprivreda Srbije” ka bashkëpunim të mirë me kompaninë “EFT” që është në pronësi të tregtarit serb të energjetikës, Vuk Hamovic. Kompania “EFT”, sipas gjetjeve nga hulumtimi i Buletinit Ekonomik, i kishte pasur në zotërim gjatë vitit 2024 linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas, të fituara në ankandet në SEECAO, duke ngritur dyshime të forta për sabotim të ALPEX-it, bursës shqiptare.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës [ARBK], kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd” është pronare edhe e operatorit “Elektrosever”, e cila është përgjegjëse për faturimin e energjisë elektrike në komunat veriore./BuletiniEkonomik/
Gjatë vitit 2025, Instituti i Kosovës për Drejtësi/ Betimi për Drejtësi ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet e brendshme në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), duke raportuar për vendimmarrjen institucionale, menaxhimin e burimeve njerëzore, avancimet në karrierën gjyqësore, miratimin e akteve nënligjore, transparencën dhe raportimet e kryetarëve të gjykatave – veçanërisht ato raste ku u zhvilluan debate substanciale në mbledhjet e Këshillit.
Rekrutimi i gjyqtarëve të rinj: Ritëm i shpejtë dhe ndryshim i ndjeshëm i përbërjes së gjyqësorit
Rekrutimi i gjyqtarëve të rinj në Kosovë gjatë viteve të fundit është zhvilluar me një ritëm të shpejtë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përbërjen e sistemit gjyqësor. Brenda rreth pesë viteve, janë emëruar mbi 150 gjyqtarë, çka përbën një numër të konsiderueshëm në raport me përbërjen e përgjithshme të gjyqësorit dhe ka sjellë një rifreskim të dukshëm të trupës gjyqësore, veçanërisht në gjykatat themelore, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Procesi është realizuar përmes thirrjeve të njëpasnjëshme publike dhe procedurave të përzgjedhjes, të zhvilluara brenda afateve relativisht të shkurtra. Sipas të dhënave zyrtare, rekrutimi i gjyqtarëve të rinj është orientuar kryesisht drejt adresimit të mungesës së stafit gjyqësor dhe shpërndarjes së tyre në gjykatat me ngarkesë më të madhe të lëndëve.
Përbërja e gjyqësorit ka pësuar ndryshime edhe për sa i përket profilit profesional të gjyqtarëve të rinj, të cilët vijnë nga fusha të ndryshme të profesionit juridik, përfshirë avokatinë, prokurorinë dhe administratën publike.
Rekrutimi i përshpejtuar i gjyqtarëve mbetet një nga zhvillimet më të rëndësishme në funksionimin e sistemit gjyqësor në vitet e fundit dhe vazhdon të jetë në vëmendje të institucioneve, shoqërisë civile dhe mediave, përfshirë Betimin për Drejtësi, në kuadër të monitorimit të reformave në drejtësi.
KGJK tashmë tradicionalisht dërgon ftesa për monitorim të këtyre proceseve, duke theksuar se rekrutimi bazohet në objektivitet dhe transparencë të plotë.
Zhvillimi i procedurave për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të KGJK-së:
KGJK gjatë vitit 2025 pësoi ndryshime në përbërjen e tij, me zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Gjyqtarët Besnik Bislimaj dhe Mirjeta Shala fituan mandatin e anëtarit, pas përfundimit të mandatit të anëtarëve të mëhershëm, gjyqtarëve Qerim Ademaj dhe Avni Mehmeti.
Edhe për këto procese, KGJK ka dërguar ftesë për monitorim që në fillim të procedurave për zgjedhjen e anëtarëve, procese këto që janë monitoruar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Kujtojmë se së fundi, KGJK ka shpallur konkurs për zgjedhjen e anëtarëve të rinj për tri pozita, pas përfundimit të mandatit të kryesuesit Albert Zogaj, si dhe të anëtareve Drita Rexhaj dhe Teuta Ibrahimi.
Publikimi i vendimeve gjyqësore- kërkesë e vazhdueshme nga kryesuesi i KGJK-së:
Një temë që është përsëritur vazhdimisht gjatë vitit 2025 në mbledhjet e KGJK-së, dhe që është pasqyruar rregullisht në raportimet tona, ishte publikimi i vendimeve gjyqësore. Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave që të rrisin nivelin e publikimit të vendimeve, duke e cilësuar këtë si element kyç për transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit.
Në raportimet tona kemi evidentuar se, pavarësisht këtyre kërkesave të përsëritura, praktikat e publikimit vazhdojnë të jenë të pabarabarta nga një gjykatë në tjetrën. Kjo çështje ka qenë shpesh temë diskutimi në Këshill, me theks në mungesën e kapaciteteve administrative, problemet teknike dhe mungesën e një standardi unik të zbatueshëm në të gjitha gjykatat.
KGJK ka shkuar edhe një hap më tutje duke hartuar dhe miratuar udhëzuesin e ri për publikimin e vendimeve gjyqësore, ku ndër të tjera përcaktohet se emri dhe mbiemri i të akuzuarve publikohen, përveç rasteve kur dispozitat ligjore parashohin rregulla të tjera.
Zgjedhja e kryetarëve të gjykatave dhe mbikëqyrësve të degëve:
Gjatë vitit 2025, KGJK ka zhvilluar procedurat për zgjedhjen e kryetarëve të tri gjykatave themelore në nivel vendi.Fillimisht, si kryetar i Gjykatës Themelore në Pejë u përzgjodh gjyqtari Shemsedin Haxhiaj.
Më pas, si kryetare e Gjykatës Themelore në Gjakovë u përzgjodh gjyqtarja Fëllanza Knushaj. Kujtojmë se procesi i parë për emërimin e kryetarit të kësaj gjykate kishte dështuar, ndërsa kandidatët në atë proces ishin gjyqtarët Sulltan Dobraj dhe Drilon Haraçia.
Në fund, kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë u përzgjodh gjyqtari Ngadhnjim Arrni.
Po ashtu, KGJK zgjodhi edhe mbikëqyrësit e degëve të gjykatave themelore, si dhe të Dhomave të Posaçme, por pa arritur të përfundojë në tërësi emërimin e mbikëqyrësve për të gjitha degët e gjykatave themelore.
Për këto procese, KGJK ka dërguar ftesa për monitorim të intervistave dhe ka bërë publike listat e kandidatëve, përfshirë edhe listën për kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke shënuar hapa të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës.
Avancimet në karrierën gjyqësore- vendime me ndikim afatgjatë:
Paralelisht me rekrutimet, proceset e avancimit të gjyqtarëve brenda sistemit gjyqësor kanë qenë një tjetër zhvillim kyç i vitit 2025. Betimi për Drejtësi ka raportuar vazhdimisht për listat e kandidatëve për avancim, si dhe për procedurat e avancimit të gjyqtarëve nga gjykatat themelore në ato më të larta, përfshirë shqyrtimin e aplikimeve, vlerësimet e performancës dhe vendimet e KGJK-së për emërime në pozita më të larta gjyqësore.
Gjatë vitit 2025, KGJK ka zhvilluar procese të avancimit fillimisht brenda gjykatave themelore për në Departamentin Special, e më pas në Gjykatën Komerciale, Gjykatën e Apelit, Gjykatën Supreme, si dhe në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme.
Po ashtu, nga monitorimi është vërejtur se KGJK i ka kushtuar rëndësi edhe Departamentit për Çështje Administrative, i cili funksionon brenda Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke rritur ndjeshëm numrin e gjyqtarëve në këtë departament.
Miratimi i një numri të lartë aktesh nënligjore:
Gjatë vitit 2025, KGJK ka miratuar një numër të konsiderueshëm aktesh nënligjore, përfshirë rregullore, udhëzime administrative dhe vendime që rregullojnë funksionimin e brendshëm të sistemit gjyqësor. Betimi për Drejtësi ka raportuar për këto akte, të cilat kanë prekur fusha të ndryshme, nga organizimi administrativ i gjykatave dhe menaxhimi i burimeve njerëzore, deri te trajnimi profesional dhe procedurat e brendshme disiplinore.
Raportimet e kryetarëve të gjykatave:
Një pjesë e rëndësishme e punës së KGJK-së gjatë vitit 2025 ishin raportimet e kryetarëve të gjykatave, përfshirë raportet për ngarkesën e lëndëve, vonesat procedurale, mungesën e stafit dhe kushtet infrastrukturore. Veçanërisht janë pasqyruar rastet kur këto raportime kanë nxitur debate të drejtpërdrejta në mbledhjet e Këshillit.
Raportimet e transmetuara në Facebook kanë reflektuar diskutime konkrete, duke ngritur tema të rëndësishme për rritjen e angazhimit institucional me qëllim përmirësimin e qasjes në drejtësi.
Përfundim:
Në përmbledhje, viti 2025 ka qenë një vit me zhvillime intensive brenda KGJK-së. Proceset e vazhdueshme të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, avancimet në karrierën gjyqësore, miratimi i një numri të madh aktesh nënligjore, kërkesat e vazhdueshme për rritjen e transparencës përmes publikimit të vendimeve gjyqësore dhe debatet e hapura mbi performancën e gjykatave, kanë shënuar këtë periudhë.
Këto zhvillime tregojnë për një sistem në lëvizje të vazhdueshme, por edhe për sfida që kërkojnë monitorim dhe llogaridhënie publike. Për këtë arsye, monitorimi i vazhdueshëm i KGJK-së dhe i sistemit gjyqësor mbetet thelbësor për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi. /BetimipërDrejtësi/
Mjekimi Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po përballet me mungesë të theksuar të anesteziologëve dhe infermierëve.
Kjo njësi e Klinikës së Anesteziologjisë, e cila pothuajse gjithmonë funksionon me kapacitet të plotë, vitin e kaluar trajtoi rreth 500 pacientë në gjendje të rënduar.
Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Shaqir Uka, deklaron për KosovaPress se nëntori 2025 ka qenë sfidues, pasi numri i pacientëve të pranuar ka shënuar rritje të trefishtë. Njësia, e cila ka në dispozicion vetëm 21 shtretër, gjatë gjithë periudhës së vitit paraprak ka funksionuar me shfrytëzim prej 99 për qind.
“Mjekimi Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare disponon me 21 shtretër aktiv, të cilët në 99 për qind të kohës janë gjithmonë të zënë. Neve gjatë këtij viti, nga janari deri në këtë moment kur jemi duke biseduar, kemi pasur 495 pacientë të pranuar dhe të trajtuar në njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror... Gjatë nëntorit të këtij viti, befasishëm kemi pasur 62 pacientë të pranuar në mjekimin intensiv, çka është trefishi i kapaciteteve tona”, thotë Uka.
Ai shton se në këto raste është shumë e vështirë të menaxhohen, pasi ata pacientë kanë nevojë për trajtim.
"Neve na është dashur të bëjmë një menaxhim të situatës me pacientët të cilët i kemi pasur... Kjo pastaj rëndohet edhe më tepër, kur kemi parasysh numrin e paktë të anesteziologëve që e disponon klinika jonë”, shprehet Uka.
Sipas tij, numri i pacientëve të referuar në këtë klinikë mbetet pothuajse i pandryshuar nga viti në vit, ndërsa veçanti e vitit 2025 është gjendja e rënduar e pacientëve për trajtim.
Në Mjekimin Intensiv Qendror në QKUK nga janari deri në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar rreth 120 pacientë kanë vdekur, kryesisht nga lëndime të rënda në aksidente trafiku dhe rrëzime në vendin e punës, ndërsa rastet e vdekjeve nga arma e zjarrit shënuan rënie.
“Kanë qenë pacientë të cilët kanë pasur sëmundje të cilat kanë qenë të pamundshme me u menaxhuar nga aspekti mjekësor, lëndime shumë të rënda, dëmtime shumë të rënda, qoftë të indit trunor, shumica e tyre, lëndime në aksidentet e komunikacionit. Kemi pasur shumë këtë vit rrëzime nga lartësia të punëtorëve të cilët kanë humbur jetën për shkak të lëndimit që e kanë marrë në vendet e tyre të punës. Pastaj, janë lëndimet me armë zjarri, me lëndimet me armë të ftohta, të cilat fatmirësisht, po them fatmirësisht, janë në zvogëlim e sipër për çdo vit”, thotë Uka.
Ai thotë se për një funksion më të mirë në Mjekimin Intensiv nevojitet trefishim i numrit të stafit.
“Për momentin ne disponojmë me gjashtë ekipe, nga dy anesteziologë, të cilët kryejnë punën në mjekimin intensiv, gjegjësisht, mbajnë kujdestaritë 24-orësh në mjekimin intensiv. Kjo vështirësohet edhe më tepër, domethënë na mbetet neve që kujdestaritë t'i mbajmë në çdo të gjashtën ditë… Kjo, përveç lodhjes fizike, jashtëzakonisht shumë ka reperkusione të mëdha në aspektin emocional, psikik e të tjera… Tashmë jemi në fazën kur kolegët e rinj janë në përfundim të specializimit", thotë Uka.
Ai thekson se pritet së shpejti të bëhet publik edhe konkursi për pranimin e tyre, dhe kjo sadopak do ta zbusë situatën përgjithësisht të rënduar në Klinikën e Anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv.
"Mirëpo, edhe me këtë numër të cilët do të pranohen tash, kjo mund ta zbusë pak situatën, por për të qenë plotësisht komod dhe për të kryer punë normale ishte dashur që numri i anesteziologëve të trefishohet nga numri të cilin ne e kemi tash për tash… Tani janë diku në Qendrën Klinike janë diku rreth 45-47 anesteziologë në total. Këtu te ne janë 12 janë gjashtë ekipe me nga dy anesteziologë”, thotë Uka.
Duke i konsideruar si heronj e kësaj klinike, Uka thotë se Mjekimi Intensiv Qendror lëngon edhe nga mungesa e infermierëve të cilët nuk janë të mjaftueshëm. Ai thotë se kërkesat për shtimin e stafit infermieror janë vazhdimisht për 20-25 infermierë, por që zakonisht pranohen vetëm 4-5.
“Problematikë kronike, e cila vazhdon me vite të tëra, e pazgjidhur edhe më tutje, është mungesa e stafit të mesëm, po edhe stafit ndihmës, posaçërisht stafit të mesëm. Në standarde ish dashur që një infermier për shembull të ketë aktivitetin e vet punues me dy pacientë më së shumti, ose dy infermierë me tre pacientë. E neve shumicën e kohës një infermier duhet të kryejë punën e vet me tre pacientë, nganjëherë edhe me katër pacientë”, thekson Uka për KosovaPress.
Shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, konsideron se nuk është e nevojshme rritja e kapaciteteve në këtë klinikë, por funksionalizimi i njësive të kujdesit intensiv në klinikat e tjera. Sipas Ukës, mbi 30 për qind e pacientëve janë trajtuar në këtë klinikë për shkak të mungesës së njësive të tjera intensive.
“Realisht, nuk ishte dashur që kapacitetet tona të shtohen më tepër. Ishte dashur të aktivizohen njësitë intensive nëpër klinikat e tjera, në mënyrë që edhe Klinika e Neurologjisë të ketë mundësi t’i trajtojë pacientët të cilët marrin frymë me ventilator. Klinika e Infektives ka një njësi intensive, por ka pak shtretër, edhe ata hezitojnë të marrin një pacient i cili ka nevojë për trajtim me ventilator. Klinika Interne nuk ka asnjë njësi intensive dhe ne kemi shumë pacientë, diku rreth 18% pacientëve që ne i trajtojmë këtu janë pacientë të tyre, të cilët ishte dashur të marrin trajtim atje. Kështu, në përpjekjet tona në nivel të drejtorisë qendrore, nga ana e drejtorisë së Klinikës së Anesteziologjisë, janë të drejtuar në atë kuptim që të mund të funksionalizohen intensivet e tyre”, deklaron Uka.
Nga Mjekimi Intensiv Qendror thonë se janë të pajisur me aparaturë mjekësore bashkëkohore, përfshirë ventilatorë dhe pajisje për monitorim, të cilat janë fjala e fundit e teknologjisë mjekësore. Edhe sa i takon furnizimit me barna dhe material mjekësore gjatë vitit 2025 kjo klinikë qëndroi mirë, ndonëse u theksuan se kishte mungesa të herëpashershme. /KP/
Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth plagosjes së dy personave në Podujevë.
Sipas raportit 24 orësh, rasti ka ndodhur orës 20:30, në Rrugën “Zahir Pajaziti” ku nga një përleshje e armatosur mes dy grupeve rivale, ku dy persona janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Gjatë sherrit, njëri nga të dyshuarit ka përdorur armën e zjarrit, duke qëlluar drejt personave tjerë në vendngjarje.
Palët e përfshira në konflikt ishin pjesë e dy grupeve rivale, ndërsa nga hetimet paraprake dyshohet se në përleshje kanë marrë pjesë edhe tre persona të tjerë, të cilët ende nuk janë identifikuar dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet.
Njësitet policore kanë ndërmarrë veprime të shpejta hetimore në vendin e ngjarjes, ku kanë mbledhur prova dhe kanë identifikuar disa prej të përfshirëve.
Deri më tani tre të dyshuar janë arrestuar nga policia dhe janë vendosur nën mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa dy të dyshuar të tjerë janë larguar nga vendi i ngjarjes.
"Dyshohet se në këtë rast kanë marr pjesë edhe tre persona të tjerë të cilët nuk janë identifikuar dhe gjenden në arrati. Tre nga të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy nga të dyshuarit tjerë kanë ikur nga vendi i ngjarjes", ka njoftuar policia.
Hetimet për kapjen e personave të shpallur në arrati dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti vazhdojnë nga autoritetet. /Telegrafi/
Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me incidentin e regjistruar në mesnatë ku mbeti i lënduar.
Lapaj thekson se policia në mesnatë tentoi t’i largonte nga vendi ku po zhvillojnë protesta.
“Edi Rama të bëj përgjegjës ty! Miq, mbrëmë pas mesnate dhjetëra forca të Edi Ramës u sulën të tërbuar mbi ne. I gjendur përballë dhunimit të së drejtës sime Kushtetuese për të shprehur mendimin tim përmes protestës, nuk kam lëvizur", ka shkruar Lapaj.
Lapaj thekson se do të rikthehet sërish në shesh ndërsa bëri thirrje që qytetarët t’i bashkohen në protesta.
"Kam nisur të filmoj. Nga veprimet e tyre një prej ngrohëseve më ka goditur. Ndodhem te Spitali i Traumës ku po kryej ekzaminimet. Sërish do kthehem në shesh. Edi Rama unë nuk të kam frikë. Përkundrazi! Ti je kreu i një bande dhe do mbash përgjegjësi. I bëj thirrje kujtdo të bashkohet kundër hajdutëve”, shkruan Lapaj./Telegrafi/