City futet në garë për Guehin
Manchester City po shqyrton një transferim në janar të kapitenit të Crystal Palace, Marc Guehi, pasi shqetësimet për lëndimet në repartin defensiv janë shtuar në Etihad.
Sipas BBC-së, City po analizon mundësinë e nënshkrimit me qendërmbrojtësin anglez, pasi Josko Gvardiol dhe Ruben Dias u lënduan në barazimin ndaj Chelseat. Edhe John Stones është jashtë fushave, duke e lënë Pep Guardiolën me pak alternativa në mbrojtje.
Ndërsa klubi po pret rezultatet e plota mjekësore për Gvardiol dhe Dias, interesimi për Guehin është rritur ndjeshëm dhe një lëvizje gjatë këtij afati kalimtar nuk mund të përjashtohet.
Mbrojtësi 25-vjeçar është pa kontratë këtë verë dhe pritej të largohej nga Crystal Palace si lojtar i lirë, por ndërhyrja e mundshme e City mund të ndryshojë planet.
Guehi ka tërhequr vëmendjen edhe të disa gjigantëve evropianë, si Bayern Munich, Real Madrid, Barcelona, Inter dhe Atletico Madrid. Sipas rregullave, ai tashmë mund të nënshkruajë një parakontratë me një klub jashtë Anglisë.
Edhe Liverpooli mbetet në garë, pasi verën e kaluar ishte pranë transferimit të tij për 35 milionë funte, para se marrëveshja të dështonte në minutat e fundit. Të Kuqtë vazhdojnë ta ndjekin, duke parë edhe mundësinë që ta marrin si lojtar të lirë në verë. /Telegrafi/
