Dy gola të Seskos nuk mjaftojnë, Burnley i rrëmben barazimin Man Unitedit
Burnley dhe Manchester United u ndanë në barazim 2-2 në kuadër të javës së 21-të në Ligën Premier.
Skuadra vendase kaloi e para në epërsi në minutën e 13-të, kur Hannibal Mejbri asistoi për Bashir Humphreys, i cili përfitoi nga devijimi i goditjes së tij brenda zonës për të mposhtur portierin Senne Lammens dhe për ta çuar Burnleyn në avantazh prej 1-0.
Manchester United tentoi të reagojë dhe mendoi se kishte barazuar në minutën e 28-të përmes Lisandro Martinez, por pas rishikimit me VAR, arbitri Stuart Attëell anuloi golin për shkak të një faulli në ndërtimin e aksionit.
Pjesa e dytë nisi furishëm për “Djajtë e Kuq”. Në minutën e 50-të, Benjamin Sesko tregoi qetësi dhe cilësi brenda zonës, duke realizuar një gol të bukur për rezultatin 1-1.
Vetëm dhjetë minuta më vonë, sulmuesi slloven kompletoi përmbysjen, duke shfrytëzuar një krosim të saktë të Patrick Dorgu dhe duke e dërguar topin në rrjetë për epërsinë 2-1 të Unitedit.
Burnley nuk u dorëzua dhe gjeti barazimin në minutën e 66-të. Jaidon Anthony, i futur nga stoli pak minuta më parë, kontrolloi në mënyrë perfekte një pasim në kufijtë e zonës dhe me një goditje spektakolare e dërgoi topin në këndin e sipërm të portës, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2-2.
Minutat e fundit sollën edhe një moment tjetër të paharrueshëm, kur Shea Lacey, pas një veprimi individual mbresëlënës, goditi traversën në minutën e 85-të, duke i mohuar Manchester United fitoren në sekondat e fundit.
Në fund, të dyja skuadrat u detyruan të kënaqen me nga një pikë, pas një ndeshjeje që ofroi spektakël, gola dhe drama nga fillimi deri në fund./Telegrafi/
