Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Main stream

FOKUS – Gjermania kërkon marrëveshje energjetike me Arabinë Saudite

31 January 2026 at 19:03

BERLIN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Ministrja gjermane e Ekonomisë, Katherina Reiche udhëtoi sot drejt Arabisë Saudite, ku shpreson të përfundojë një partneritet energjetik që synon të forcojë marrëdhëniet dypalëshe.

Para nisjes, Reiche tha se partneriteti i planifikuar energjetik do të përfshijë blerjen e produkteve të naftës dhe gazit nga Arabia Saudite, si dhe investime të synuara në energji të rinovueshme.

Ministrja përmendi teknologjitë e magazinimit dhe hidrogjenin e qëndrueshëm.

Reiche udhëton e shoqëruar nga përfaqësues të 35 kompanive dhe 11 startup-eve nga sektorët e energjisë konvencionale dhe të rinovueshme.

Arabia Saudite, e pasur me naftë, po përqendrohet gjithashtu fort në dekarbonizim.

Vizita, që pritet të zgjasë deri të martën, reflekton gjithashtu përpjekjet e Gjermanisë për të zgjeruar partneritetet ndërkombëtare në një kontekst të rritur pasigurie gjeopolitike.

“Kur partneritetet, mbi të cilat kemi mbështetur për dekada, fillojnë të bëhen pak të brishta, duhet të kërkojmë partnerë të rinj”, tha Reiche, duke iu referuar tensioneve në marrëdhëniet trans-atlantike që nga kthimi i presidentit amerikan Donald Trump në detyrë.

“Si një vend me orientim eksporti, Gjermania duhet të zgjerojë bazën e saj”, shtoi ajo. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Gjermania kërkon marrëveshje energjetike me Arabinë Saudite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – Starmer: Japonia aleate e rëndësishme e BM-së

31 January 2026 at 18:18

LONDËR, 31 janar /ATSH – DPA/– Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbërritur në Tokio përpara një takimi me homologen e tij japoneze, në përfundim të vizitës së tij në Azinë Lindore.

Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit nga Shanghai drejt Tokios, kryeministri tha se mezi priste të diskutonte çështje të mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe tregtinë dhe ekonominë me kryeministren japoneze, Sanae Takaichi.

Duke përshkruar vizitën tek aleati i G7-s dhe G20-s si “shumë të rëndësishme”, Starmer tha se “përtej Evropës dhe SHBA-së, Japonia është investitorja më i madhe në ekonominë tonë dhe ka 1 000 kompani japoneze që mbështesin 150 000 vende pune në Britaninë e Madhe Pra, ka shumë çështje për t’u diskutuar”.

“Takaichi, e cila erdhi në pushtet në tetor të vitit të kaluar, ka qenë shumë e shpejtë për t’u bashkuar me ‘koalicionin e të gatshmëve’ të udhëhequr nga Britania dhe Franca, që po përgatit një forcë paqeruajtëse për Ukrainën”, shtoi ai.

Starmer pritet të takohet sot me Takaichi në zyrën e saj, Kantei për një darkë pune.

Vizita e tij vjen pas një udhëtimi katër ditor në Kinë, ku ai vazhdoi përpjekjet për të rikthyer marrëdhëniet e Britanisë së Madhe  me Pekinin.

Duke udhëtuar me një delegacion prej më shumë se 50 liderësh biznesi dhe kulturore, Starmer arriti një reduktim të tarifave për uiskin dhe futjen e udhëtimit pa vizë në Kinë për qytetarët britanikë.

Pas një takimi me Presidentin kinez, Xi Jinping, Pekini gjithashtu ra dakord të heqë sanksionet ndaj parlamentarëve britanikë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post LONDËR – Starmer: Japonia aleate e rëndësishme e BM-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROMË – Një afresk i restauruar habit me engjëllin që i ngjan Melonit

31 January 2026 at 17:39

ROMË, 31 janar /ATSH-DPA/ – Një afresk i restauruar së fundmi në një kishë në qendër të Romës po tërheq vëmendje të veçantë, pasi vëzhguesit kanë vënë re se një prej engjëjve ka një ngjashmëri të habitshme me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.

Bazilika e “San Lorenzo in Lucina” është një nga kishat më të vjetra kristiane në Romë dhe njihet për bustin e mermerit të mbretit të fundit italian, Umberto II, i cili shkoi në mërgim në vitin 1946.

Mbi bust ndodhet një afresk me dy engjëj, të cilët nuk ishin shumë të njohur para restaurimit.

Tani, megjithatë, një prej tyre ka një ngjashmëri të pazakontë me Meloni, kryeministren italiane.

Sipas një raporti të gazetës “La Repubblica”, restauratori Bruno Valentinetti ka lidhje të gjatë me të djathtën italiane.

Engjëlli me krahë, i quajtur “Engjëlli Meloni”, mban një rrotull që tregon formën e Italisë në formë çizme, ndërsa engjëlli i dytë i dorëzon një kurorë sundimtarit të përbuzur.

“Ka një ngjashmëri të caktuar”, tha prifti i bazilikës, Daniele Micheletti.

“Por, do t’ju duhej të pyesnit restauratorin pse e bëri kështu. Unë nuk e di”, shtoi ai.

Megjithatë, Valentinetti tha se nuk sheh asnjë ngjashmëri me lideren italiane, duke theksuar se ai vetëm “ka restauruar atë që ishte aty 25 vjet më parë”.

“La Repubblica” shkruante se Valentinetti më parë ka punuar për punime të brendshme në San Lorenzo dhe thuhet se ishte punësuar edhe nga i ndjeri populist i djathtë Silvio Berlusconi, ish-kryeministër i Italisë, për të kryer punime rinovuese në një vilë.

Meloni postoi një foto të engjëllit në faqen e saj në Instagram me shënimin “Jo, sigurisht që nuk dukem si një engjëll”, e shoqëruar me një emoji gazmor./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post ROMË – Një afresk i restauruar habit me engjëllin që i ngjan Melonit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Shpërthime në mbarë vendin mes rritjes së tensioneve rajonale

31 January 2026 at 17:03

TEHERAN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Disa shpërthime u raportuan sot në pjesë të ndryshme të Iranit duke shtuar frikën për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit në rajon.

Në qytetin portual Bandar Abbas, një person humbi jetën dhe 14 të tjerë u plagosën si pasojë e një shpërthimi, njoftoi agjencia e lajmeve “Tasnim”, e afërt me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC).

Dëshmitarë okularë raportuan gjithashtu për të paktën një shpërthim pranë kryeqytetit Teheran, megjithëse detaje të mëtejshme nuk janë bërë ende publike.

Në jugperëndim të Iranit, portali online ”Nur News” bëri të ditur, duke cituar shefin e zjarrfikësve në qytetin Ahvaz, se një shpërthim gazi atje shkaktoi vdekjen e katër personave.

Agjencia “Tasnim” hodhi poshtë thashethemet se shpërthimi në Bandar Abbas kishte qenë një tentativë sulmi ndaj komandantit të marinës së IRGC-së, Alireza Tangsiri.

Ndërkohë, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi një fotografi që tregon fasadën pjesërisht të shkatërruar të një ndërtese shumëkatëshe banimi, duke theksuar se shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë.

Ngjarjet vijnë në prag të nisjes së një manovre detare triditore të Gardës Revolucionare, ku pritet të marrin pjesë edhe Kina dhe Rusia.

Ky mision zhvillohet në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka dislokuar një flotë ushtarake, përfshirë aeroplanmbajtëse, në rajon, ndërsa më herët ka kërcënuar udhëheqjen iraniane me ndërhyrje pas shtypjes së ashpër të protestave nga regjimi iranian./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post IRAN – Shpërthime në mbarë vendin mes rritjes së tensioneve rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHKUP – Qytetarët protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit

31 January 2026 at 16:23

SHKUP, 31 janar /ATSH-AA/ – Qytetarët e Shkupit kanë dalë në rrugë në një marshim të organizuar nga iniciativa qytetare ”Stop për Çimentoren Usje”, duke kërkuar mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga ndotja e ajrit.

Marshimi filloi para godinës së qeverisë e më pas  pjesëmarrësit vazhduan drejt parlamentit dhe përfunduan protestën në mënyrë paqësore para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku përsëritën kërkesat e tyre për veprime urgjente dhe kontroll më të madh mbi ndotësit.

Me mesazhe të tilla ”Fitim për ta, sëmundje për ne”, ”Ne thithim helm” dhe ”Ajri nuk është luks, është e drejtë”, pjesëmarrësit thanë se interesat ekonomike nuk duhet të jenë më të rëndësishme se shëndeti i njerëzve.

 “Institucionet e kanë për detyrë të veprojnë në interes të qytetarëve dhe se çështjet që lidhen me ndotjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik kërkojnë masa urgjente dhe specifike”, tha Aleksandar Todeski, një aktivist nga iniciativa ”Stop për Çimentoren Usje”.

Protestat do të vazhdojnë. Është e rëndësishme që qytetarët të dalin në protestë dhe ky numër i qytetarëve është dëshmi e mjaftueshme se duhet tashmë të trajtohen gjërat që të gjithë të thithim ajër të pastër”, shtoi Todeski.

Qyteti i Shkupit ka miratuar një iniciativë për dislokimin e fabrikës jashtë zonave urbane, por kompania mohon se është shkaktar i ndotjes, duke theksuar se emetimet janë nën vlerat ligjore dhe monitorohen vazhdimisht.

Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke u renditur mes qyteteve me ajrin më të ndotur në botë.

Fabrika e çimentos “Usje”, e cila ndodhet në periferi të kryeqytetit, është një nga kompanitë kryesore të prodhimit të çimentos dhe materialeve të ndërtimit për tregun vendas dhe atë rajonal./   /Ad.Ab./  a.jor.

 

 

The post SHKUP – Qytetarët protestojnë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VENEZUELË – Amnisti për të burgosurit politikë

31 January 2026 at 15:41

BUENOS AIRES, 31 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e Venezuelës shpalli një amnisti gjithëpërfshirëse për të burgosurit politikë duke e paraqitur masën si një hap drejt pajtimit kombëtar pas viteve të përplasjeve politike.

“Ne kemi vendosur të ecim përpara me një ligj të përgjithshëm amnistie që mbulon të gjithë periudhën e dhunës politike nga viti 1999 deri në ditët e sotme”, deklaroi presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez.

Ajo shtoi se, si pjesë e këtij procesi, do të mbyllet edhe burgu famëkeq i shërbimit sekret, ”El Helicoide”, në Karakas, i njohur ndër vite si simbol i ndalimeve dhe persekutimit politik.

Që nga kapja e liderit venezuelian Nicolás Maduro nga Shtetet e Bashkuara më 3 janar, autoritetet në Karakas kanë liruar tashmë qindra të burgosur politikë, nën presionin e Uashingtonit.

Sipas Rodríguez, amnistia synon të ndihmojë në shërimin e plagëve të shkaktuara nga konfrontimet politike në vendin e Amerikës së Jugut dhe të krijojë kushte për stabilitet politik dhe shoqëror.

Në të njëjtën kohë, ambasada amerikane në Bogota, Kolumbi, e cila mbulon edhe Venezuelën, njoftoi se “të gjithë shtetasit amerikanë të njohur si të ndaluar në Venezuelë” janë liruar tashmë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VENEZUELË – Amnisti për të burgosurit politikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Pistorius: Nuk shoh shenja të gatishmërisë së Putinit për paqe

31 January 2026 at 15:07

BERLIN, 31 janar /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka vënë në dyshim nëse presidenti rus Vladimir Putin dëshiron realisht të arrijë paqen përmes negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë për grupin mediatik RND, të publikuar sot, Pistorius tha se presidenti amerikan Donald Trump ka sjellë njëfarë dinamike në përpjekjet diplomatike, por theksoi se veprimet e Moskës tregojnë një realitet tjetër.

“Deri tani, nuk shoh asnjë shenjë që Rusia e dëshiron seriozisht paqen”, tha Pistorius.

Gjatë negociatave mes palëve ndërluftuese nën ndërmjetësimin e SHBA-së në Abu Dabi fundjavën e kaluar, Putin bombardoi Ukrainën “në një mënyrë që mezi është parë gjatë kësaj lufte”.

Sipas tij, këto sulme shkojnë përtej objektivave ushtarake.

“Ky është terror i drejtuar ekskluzivisht kundër popullsisë civile, gjatë një dimri me temperatura minus 20 gradë Celsius”, tha Pistorius.

“Putin nuk ka treguar asnjë gatishmëri për kompromis”, shtoi ai.

Në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në qytete të tjera, miliona njerëz kanë përjetuar javë të tëra errësire dhe të ftohti pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të ngrohjes.

Gjatë bisedimeve, sulme të reja me dronë dhe raketa vonuan sërish riparimet e furnizimit me energji në Kiev për disa ditë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi dje se Rusia do të respektojë kërkesën e Trump për një armëpushim të kufizuar dhe të përkohshëm në Ukrainë deri të dielën.

I pyetur për përpjekjet për ndalimin e sulmeve, Pistorius tha se nëse Putin do t’i merrte seriozisht bisedimet në Abu Dabi, nuk do të kishte nevojë që t’i kërkohej një armëpushim./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post GJERMANI – Pistorius: Nuk shoh shenja të gatishmërisë së Putinit për paqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik

31 January 2026 at 14:24

UASHINGTON, 31 janar /ATSH/ – Shkencëtarët kanë konfirmuar se Afrika po ndahet gradualisht në dy pjesë, si pasojë e një procesi të fuqishëm tektonik që po përparon më shpejt nga sa mendohej më parë, sipas Euronews.

Sistemi i Riftit të Afrikës Lindore, që shtrihet nga Deti i Kuq deri në Mozambik, po çan kontinentin përgjatë vijave të thella gjeologjike dhe, brenda 5–10 milionë vjetësh, mund të krijojë një oqean të ri mes Afrikës Lindore dhe Perëndimore.

Të dhënat e fundit nga NASA, Universiteti i Rochester dhe Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tregojnë se korja e Tokës në këtë rajon po hollohet dhe po çahet në disa pika njëkohësisht.

Në disa zona janë zbuluar shenja të hershme të formimit të korës oqeanike, çka tregon se procesi ka kaluar nga faza kontinentale drejt asaj detare.

Matjet satelitore kanë regjistruar zgjerim të dukshëm të luginave dhe çarjeve me kalimin e viteve.

Ky proces, megjithëse shumë i ngadaltë për jetën e përditshme të njeriut, po matet në kohë reale falë teknologjisë GPS, e cila ndjek lëvizjet e tokës me saktësi milimetrike.

Gjeofizikanët e përshkruajnë Afrikën Lindore si një laborator natyror ku mund të vëzhgohet drejtpërdrejt ndarja e një kontinenti.

Një nga ngjarjet më të spikatura ndodhi në vitin 2005, kur në shkretëtirën e Etiopisë u hap brenda pak ditësh një çarje rreth 56 kilometra e gjatë.

Zona më aktive ndodhet në rajonin Afar të Etiopisë, ku takohen tre pllaka tektonike; Nubiane, Somaliane dhe Arabe.

Ky bashkim trefish krijon tensione të forta, shoqëruar me tërmete dhe aktivitet vullkanik.

Shkencëtarët kanë zbuluar se pulsimet e magmës nga manteli i Tokës luajnë rol kyç në përshpejtimin e procesit të çarjes.

Përveç rrezikut sizmik dhe vullkanik për zonat e banuara dhe infrastrukturën, ky proces sjell edhe mundësi ekonomike.

Aktiviteti tektonik është burim i rëndësishëm i energjisë gjeotermale, të cilën vende si Kenia po e shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë.

Në planin afatgjatë, uji i Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit pritet të përmbytë luginën e riftit, duke formuar një oqean të ri dhe duke ndryshuar përgjithmonë hartën gjeografike të Afrikës./   Ad.Ab./  a.jor.

The post GJEOLOGJI – Afrika po ndahet në dy pjesë pas një procesi të fuqishëm tektonik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së

30 January 2026 at 23:01

ZAGREB, 30 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehu skepticizëm mbi realizueshmërinë e propozimeve të gjerë për reformimin e Bashkimit Evropian, të paraqitura nga lideri i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber.

Weber ka sugjeruar që dy pozicionet kryesore të BE-së të bashkohen për të rritur efektivitetin e bllokut në çështjet ndërkombëtare.

“Të arrish ndryshime traktatesh në këtë Bashkim Evropian me 27 vende është një detyrë mjaft e vështirë”, tha Merz në fillim të samitit të EPP-së në Zagreb.

Ai shtoi se duhet të përqendrohen kryesisht tek aftësia mbrojtëse dhe konkurrueshmëria ekonomike.

Liderët e EPP-së po diskutojnë në Zagreb për rolin e Evropës në një rend botëror ku fuqitë kryesore luajnë rol dominant.

Weber, i intervistuar nga revista gjermane “Der Spiegel”, propozoi që pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2029, posti i presidentit të Komisionit Evropian të bashkohet me atë të presidentit të Këshillit Evropian.

”BE-ja nuk luajti rol udhëheqës në krizën e fundit për Ukrainën dhe Groenlandën”, theksoi ai.

Weber mbështeti gjithashtu krijimin e një ushtrie evropiane dhe vendosjen e forcave të përbashkëta paqeruajtëse në Ukrainë si bazë për këtë.

Merz nënvizoi se BE-ja ka hequr praktikisht dorë nga parimi i unanimitetit në tregun e brendshëm, ku përdoret gati kudo votimi me shumicë të kualifikuar, dhe se kjo qasje duhet të zgjerohen gradualisht edhe në politikën e jashtme dhe sigurinë.

Sot, BE-ja përfaqësohet në samitet ndërkombëtare nga dy figura: presidenti i Këshillit dhe presidenti i Komisionit, gjë që ndonjëherë e bën të paqartë se kujt duhet t’i drejtohen të huajt për çështje të caktuara.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, përgjigjet kryesisht për propozimet ligjore dhe respektimin e traktateve, ndërsa presidenti i Këshillit, António Costa, kryeson dhe përgatit samitet e BE-së./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 30 January 2026Main stream

FOKUS – SHBA vendos sanksione të reja ndaj politikanëve iranianë

30 January 2026 at 22:33

UASHINGTON, 30 janar /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj përfaqësuesve të lartë të udhëheqjes iraniane pas shtypjes brutale ndaj demonstruesve në Iran.

“Fokusi është tek ministri i Brendshëm iranian, Eskandar Momeni, i cili thuhet se është përgjegjës për shtypjen e dhunshme të protestave mbarëkombëtare”, tha Departamenti i Thesarit i SHBA-së në një njoftim për shtyp të lëshuar sot.

Momeni thuhet se mbikëqyr forcat iraniane të sigurisë, të cilat Uashingtoni i fajëson për vrasjen e mijëra demonstruesve.

Sanksionet synuan gjithashtu disa komandantë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) elitare të Iranit dhe investitorin Babak Morteza Zanjani.

Ai dyshohet se ka përvetësuar miliarda nga biznesi i naftës dhe i ka vënë fondet në dispozicion të qeverisë në Teheran përmes strukturave të fshehta financiare.

Për herë të parë, SHBA vendosi gjithashtu sanksione ndaj dy bursave të kriptomonedhave të lidhura me Zanjanin.

Sipas Departamentit të Thesarit, asetet në SHBA do të bllokohen, marrëdhëniet e biznesit do të ndalohen dhe kufizimet e udhëtimit do të vendosen.

Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, riafirmoi se qëndron me popullin iranian dhe do të vazhdojë të rrisë presionin mbi udhëheqjen në Teheran./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA vendos sanksione të reja ndaj politikanëve iranianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Guterres paralajmëron shtetet anëtare për kolaps financiar të OKB-së

30 January 2026 at 22:00

NJU JORK, 30 janar /ATSH–DPA/ – Për shkak të mungesës së pagesave nga ish-donatori më i madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka paralajmëruar për kolaps të menjëhershëm financiar të OKB-së.

Sipas një letre të Guterres, drejtuar 193 shteteve anëtare, thuhet se situata financiare e organizatës po përkeqësohet shpejt, dhe nëse nuk gjendet një zgjidhje, atëherë fondet për buxhetin e rregullt mund të mbarojnë në korrik.

Guterres i kërkoi të gjitha shteteve anëtare që ose të paguajnë në kohë ose të reformojnë rregullat e financimit të OKB-së.

Vetëm SHBA-ja aktualisht i detyrohet Kombeve të Bashkuara disa miliarda dollarë.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka kritikuar organizatën disa herë më parë./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post NJU JORK – Guterres paralajmëron shtetet anëtare për kolaps financiar të OKB-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Irani kërkon të përfundojë një marrëveshje me SHBA‑në

30 January 2026 at 21:23

UASHINGTON, 30 janar  /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se Iranit i intereson të arrijë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, edhe pse ai nuk zbuloi ndonjë afat të caktuar për arritjen e saj.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në Zyrën Ovale se, sipas tij, iranianët duan të bëjnë një marrëveshje.

Ai tha gjithashtu se kishte dhënë një afat për Teheranin, të cilën vetëm iranianët e dinë me siguri.

”Shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje. Nëse ndodh, është mirë. Nëse jo, do të shohim çfarë do të ndodhë”, shtoi Trump.

Presidenti Trump theksoi gjithashtu se SHBA ka dërguar një forcë të madhe ushtarake drejt rajonit përballë Iranit, duke nënkuptuar një shtim të forcave në Gji.

Zyrtarët iranianë, përfshirë ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, përsëritën se Irani është i gatshëm të rifillojë negociatat mbi programin bërthamor, por me kushte të barabarta dhe pa negociuar kapacitetet e tij të mbrojtjes.

Araghchi tha se forcat iraniane janë të gatshme të përgjigjen fuqishëm ndaj çdo sulmi amerikan, “por gjithashtu është i hapur ndaj një marrëveshjeje” që siguron të drejtën e Iranit për teknologji paqësore bërthamore dhe ndalon armët bërthamore./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Irani kërkon të përfundojë një marrëveshje me SHBA‑në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara

30 January 2026 at 20:49

LOS ANXHELES, 30 janar /ATSH/ – Aktorja kanadezo-amerikane, Catherine O’Hara, e famshme për rolet e saj në filmat klasikë “Home Alone” dhe serialin komik të suksesshëm “Schitt’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 71 vjeçare, sipas tmz.com.

Lajmi u konfirmua sot nga menaxheri i saj.

Sipas raporteve, O’Hara ka vdekur në shtëpinë e saj në Los Anxheles pas një sëmundjeje të shkurtër.

Shkaku i vdekjes ende nuk është bërë zyrtarisht publik.

Ajo u bë e famshme në filmat e viteve ’80 e ’90, përfshirë edhe komedinë e njohur “Beetlejuice”.

U bë shumë e dashur për interpretimin e saj si Moira Rose në serialin komik “Schitt’s Creek”, ku u shqua me humorin dhe stilin unik të personazhit.

O’Hara u vlerësua me çmime të rëndësishme, duke përfshirë edhe ”Emmy Awards”.

Catherine O’Hara do të mbahet mend si një nga figurat më të mëdha të komedisë dhe kinemasë moderne, e dashur nga miliona njerëz në mbarë botën.

Ajo u lind më 4 mars 1954 në Toronto, Kanada.

Ajo u rrit në një familje me prejardhje irlandeze dhe që në adoleshencë pati një prirje natyrore për humorin dhe performancën.

Karriera e saj nisi në fund të viteve 1970, kur iu bashkua trupës së improvizimit ”The Second City” në Toronto dhe më vonë në Chicago, një vend ku shumë artistë komikë të njohur nisën emrat e tyre.

Ajo shquhej për aftësinë e jashtëzakonshme për të krijuar personazhe të çuditshme, zëra të pazakontë dhe për të improvizuar me humor të fortë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post KINEMA – Vdes aktorja e njohur kanadezo-amerikane Catherine O’Hara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit

30 January 2026 at 20:11

BEOGRAD, 30 janar /ATSH/ – Policia serbe ka sekuestruar rreth pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në vend, pas një operacioni në një kompani bujqësore, në fshatin Konjuh, pranë qytetit të Krushevcit, bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, sipas Reuters.

Sipas tij, janë arrestuar dy persona, ndërsa një i dyshuar tjetër mbetet në arrati.

”Kjo është një sasia më e madhe e kapur ndonjëherë”, tha Daçiç në një deklaratë, duke shtuar se policia ka sekuestruar gjithashtu katër armë automatike dhe një hedhës raketash antitank.

Prodhimi i kanabisit mbetet i paligjshëm në Serbi, megjithëse aktivistë të ndryshëm po promovojnë legalizimin e tij për përdorim mjekësor.

Daçiç theksoi se hetimet do të përcaktojnë origjinën e kanabisit të sekuestruar.

Serbia, e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ka intensifikuar vitet e fundit përpjekjet kundër trafikimit dhe prodhimit të drogave.

Shumica e drogave që qarkullojnë në vend vijnë nga Lindja e Mesme dhe Amerika Latine.

Në këtë aksion, i cilësuar si më i madhi në historinë e vendit, policia gjeti në fshatin Konjuh afro pesë tonë marijuanë dhe katër armë automatike.

Fotografitë nga vendngjarja tregojnë një numër të madh kutish ku ishte depozituar droga, si dhe armët e sekuestruara./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post SERBI – Policia sekuestron pesë tonë marijuanë, sasia më e madhe në historinë e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – 12 vende paralajmërojnë aksident bërthamor nga sulmet në Ukrainë

30 January 2026 at 18:28

VJENË, 30 janar /ATSH-DPA/ – Dymbëdhjetë vende kanë paralajmëruar për rritjen e rrezikut të një aksidenti bërthamor në Ukrainë, gjatë një seance të posaçme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), të mbajtur sot në Vjenë.

”Sulmet e përditshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit jo vetëm që kanë ekspozuar miliona ukrainas ndaj të ftohtit të dimrit, por po ndikojnë negativisht edhe në sigurinë bërthamore në Ukrainë, duke e afruar rrezikun e një aksidenti bërthamor shumë pranë realitetit”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre vendeve.

Sipas deklaratës, sulmet ndaj nënstacioneve dhe dëmtimi gjithnjë e më i madh i rrjetit elektrik rrezikojnë sigurinë bërthamore.

Dymbëdhjetë vendet theksuan se një furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike është thelbësor për funksionimin e sigurt të centraleve bërthamore.

Edhe drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, paralajmëroi në fjalën e tij se dëmtimi i nënstacioneve minon sigurinë bërthamore.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Rusisë në IAEA, Mikhail Ulyanov, e kundërshtoi këtë vlerësim.

”Ky është një pretendim i rremë”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se centralet bërthamore ukrainase mund t’i përballojnë pa vështirësi sulmet ruse ndaj nënstacioneve.

Edhe pse centralet bërthamore prodhojnë vetë energji, energjia elektrike e jashtme përdoret për ftohjen e materialeve radioaktive në impiante.

Në raste emergjente përdoren gjeneratorë rezervë.

Nëse sistemet e ftohjes dështojnë, në skenarin më të keq ekziston rreziku i shkrirjes së bërthamës./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – 12 vende paralajmërojnë aksident bërthamor nga sulmet në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VARSHAVË – Polonia forcon mbrojtjen ajrore me sistem të ri antidronë

30 January 2026 at 17:44

VARSHAVË, 30 janar /ATSH-DPA/ – Polonia ka vënë në funksion një sistem të rëndësishëm mbrojtjeje kundër dronëve, të porositur nga një konsorcium norvegjezo-polak, për të mbrojtur më mirë hapësirën e saj ajrore nga dronët luftarakë, njoftoi sot qeveria.

”Sistemi ‘San’,  i zhvilluar nga kompania norvegjeze e mbrojtjes ‘Kongsberg’ dhe grupi polak i armatimeve ‘PGZ2’, përbëhet nga 18 bateri dhe gjithsej 700 mjete”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz gjatë nënshkrimit të kontratës.

Sipas medias polake, marrëveshja kap vlerën e rreth 3,6 miliardë eurove.

Kryeministri Donald Tusk e cilësoi porosinë si një hap vendimtar në përpjekjen e Polonisë për të ndërtuar mbrojtje ajrore efektive.

Ai rikujtoi një incident në shtator, kur një numër i madh dronësh hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës fqinje, duke detyruar Forcat Ajrore të Polonisë dhe aleatë të tjerë të NATO-s të rrëzonin disa raketa për herë të parë.

”Sistemi do të përfshijë një gamë të gjerë armësh, si mitralozë, raketa, dronë interceptues dhe mjete të tjera për mbrojtjen ndaj kërcënimeve ajrore”, bëri të ditur ”Kongsberg”.

Sistemi do të ketë gjithashtu pajisje për bllokimin elektronik të dronëve dhe sisteme radarësh.

Disa prej komponentëve bazohen në një frëngji të vogël luftarake, e cila mund të montohet në mjete të blinduara me rrota ose mjete terreni./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VARSHAVË – Polonia forcon mbrojtjen ajrore me sistem të ri antidronë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Norvegjia i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Iranit

30 January 2026 at 16:23

OSLO, 30 janar /ATSH-DPA/ – Norvegjia i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër “aktorëve” iranianë, pas vrasjes së protestuesve antiqeveritarë në Iran, njoftoi sot Ministria e Jashtme norvegjeze.

BE-ja e shpalli dje Gardën Revolucionare Islamike të Iranit organizatë terroriste, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave.

Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, mijëra, e ndoshta dhjetëra mijëra persona, besohet se janë vrarë.

Vendimi i BE-së për Gardën Revolucionare pasoi një hap formal për vendosjen e sanksioneve ndaj 31 individëve dhe entiteteve të tjera iraniane.

Ata akuzohen se mbajnë përgjegjësi për represionin brutal të protestave dhe për mbështetjen e vazhdueshme të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se Oslo e ka dënuar dhunën ndaj civilëve, si publikisht ashtu edhe në kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet iraniane.

“Ne kemi theksuar se përdorimi i gjerë i ekzekutimeve, arrestimeve, torturës dhe ndërprerjeve të gjata të internetit si instrumente kontrolli është plotësisht i papranueshëm”, deklaroi Barth Eide.

“Rikonfirmojmë thirrjen tonë ndaj autoriteteve iraniane për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për të garantuar qasje të lirë dhe të papenguar në informacion”, shtoi ai.

Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është e lidhur ngushtë me bllokun evropian./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Norvegjia i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SHBA – Trump: Duket se Hamasi do të çarmatoset

29 January 2026 at 22:56

UASHINGTON, 29 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi sot se duket që lëvizja palestineze Hamas do të çarmatoset, një nga hapat kyç të parashikuar në planin e tij për zgjidhjen e konfliktit në Gaza.

”Shumë njerëz thonë se ata nuk do të çarmatosen kurrë. Duket se do të çarmatosen”, u shpreh Trump gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë.

Ai theksoi gjithashtu se Hamasi na ka ndihmuar me trupat, me riatdhesimin e tyre, dhe familja u është shumë mirënjohëse, duke iu referuar kthimit të eshtrave të pengut të fundit izraelit të 7 tetorit, Ran Gvili, për të cilin Izraeli zhvilloi  dje një ceremoni funerale shtetërore.

Nga ana e tij, i dërguari special amerikan Steve Witkoff u shpreh i kënaqur duke thënë se “ne i kemi dëbuar terroristët prej andej dhe ata do të çmilitarizohen”.

“Ata do ta bëjnë këtë sepse nuk kanë zgjidhje. Do të dorëzohen. Do të dorëzojnë armët AK-47”, shtoi ai.

Një ditë më parë, Hamasi ishte shprehur i gatshëm për një “transferim të plotë të qeverisjes” së Rripit të Gazës sa më shpejt që të ishte e mundur.

Sipas planit të presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza, një Komitet Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG) do të administrojë përkohësisht territorin palestinez nën drejtimin e një Bordi Paqeje, i kryesuar nga vetë Trump./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Duket se Hamasi do të çarmatoset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Mbrojtja bërthamore evropiane një shtesë e përbashkët nukleare me SHBA-në

29 January 2026 at 22:31

BERLIN, 29 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz, deklaroi sot se përfshirja në një “ombrellë bërthamore evropiane” do të konsiderohej si një shtesë ndaj parandalimit të përbashkët bërthamor me SHBA-të, në një kohë kur po diskutohet për kapacitetet mbrojtëse të BE-së.

“E dimë që duhet të marrim disa vendime strategjike dhe ushtarake këtu”, tha lideri gjerman  gjatë një takimi me kryeministren lituaneze, Inga Ruginiene.

Megjithatë, sipas tij, “koha nuk ka ardhur ende” për një vendim përfundimtar.

“Po zhvillohen bisedime strategjike me vendet e përfshira, por ato janë ende në fillim”, shtoi Merz.

“Gjermania ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore sipas dy traktateve të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen ‘Dy plus katër’ që hapi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990 dhe Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, theksoi kancelari Merz.

“Në këtë kuptim, nuk është në diskrecionin tonë dhe nuk është brenda juridiksionit tonë të kemi armë bërthamore në Gjermani”, tha ai.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se “nuk flasim me shtetet e tjera evropiane për parandalimin e përbashkët bërthamor”, shtoi ai.

“Bisedimet nuk bien në kundërshtim me ndarjen bërthamore me SHBA-në”, tha Merz.

Gjermania nuk është fuqi bërthamore, ndryshe nga aleatët e NATO-s si Franca, BM dhe SHBA-ja, por kontribuon në parandalimin bërthamor të NATO-s duke ofruar avionë luftarakë që mund të pajisen me armë bërthamore amerikane të ruajtura në Gjermani në rast konflikti./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post BERLIN – Merz: Mbrojtja bërthamore evropiane një shtesë e përbashkët nukleare me SHBA-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS  – Kina: Hetimi ndaj gjeneralëve të lartë, sukses i rëndësishëm kundër korrupsionit

29 January 2026 at 22:10

PEKIN, 29 janar /ATSH-DPA/ –  Kina i ka përshkruar hetimet ndaj gjeneralëve të lartë Zhang Youxia dhe Liu Zhenli si një sukses të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

“Sa më vendosmërisht po vepron ushtria kundër korrupsionit, aq më e fortë dhe efektive do të bëhet lufta kundër korrupsionit”, shpjegoi sot në Pekin zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Jiang Bin.

Fundjavën e kaluar, ministria njoftoi hetime ndaj Zhang dhe Liu për “shkelje serioze të disiplinës dhe ligjit”.

Të dy janë anëtarë të fuqishëm të Komisionit Qendror Ushtarak, i cili udhëhiqet nga presidenti Xi Jinping.

Për shkak të hetimeve të mëparshme ndaj personelit tjetër ushtarak, komisioni, që komandon Ushtrinë Çlirimtare Popullore, mund të përbëhet së shpejti vetëm nga dy nga shtatë anëtarët e tij.

Hetimi ndaj Zhang, zëvendëskryetar i komisionit, erdhi si surprizë.

Zhang, 75-vjeç,  ishte një nga pak anëtarët e udhëheqjes së ushtrisë me përvojë luftarake, pasi kishte luftuar në konfliktin kufitar me Vietnamin që filloi në vitin 1979.

Zhang konsiderohej gjithashtu një besnik i presidenit Xi.

Ministria e Mbrojtjes refuzoi të komentonte një raport të “Wall Street Journal” që sugjeronte se Zhang mund të kishte zbuluar sekretet e programit bërthamor të Kinës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS  – Kina: Hetimi ndaj gjeneralëve të lartë, sukses i rëndësishëm kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌