Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 11 January 2026Main stream

Andrea Bocelli do të performojë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore

11 January 2026 at 13:41

ROMË, 11 janar /ATSH-DPA/- Tenori i njohur italian, Andrea Bocelli do të performojë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Milano/Cortina d’Ampezzo, muajin e ardhshëm, 20 vjet pasi këndoi në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Torinos në vitin 2006.

Organizatorët olimpikë e quajtën Bocelli, një nga zërat më të njohur në skenën artistike ndërkombëtare dhe një simbol të përsosmërisë italiane në të gjithë botën.

Ceremonia e hapjes është planifikuar më 6 shkurt në stadiumin “San Siro” të Milanos.

Artistë të tjerë të konfirmuar janë ylli amerikan, Maria Carey dhe këngëtarja italiane, Laura Pausini.

“Bocelli do të shprehë sërish shpirtin e Lojërave përmes trashëgimisë muzikore të Italisë, të njohur botërisht”, thuhet në deklaratë.

Andrea Bocelli, 67 vjeç, ka performujar disa herë në ngjarje sportive. Përveç ceremonisë mbyllëse në Torino, ai ka performuar në hapjen e turneut të futbollit “Euro 2020”, në një finale të Ligës së Kampionëve dhe në shortin e Kupës së Botës, muajin e kaluar në Uashington.

Lojërat Milano/Cortina do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt dhe do të pasohen në mars nga Lojërat Paralimpike. //a.i/

The post Andrea Bocelli do të performojë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bob Weir, themeluesi i “Grateful Dead” vdes në moshën 78-vjeçare

11 January 2026 at 13:09

LONDËR, 11 janar /ATSH-DPA/- Anëtari themelues i grupit “Grateful Dead”, Bob Weir ka vdekur në moshën 78-vjeçare.

Sipas një deklarate në Instagram-in e kitaristit dhe këngëtarit, Weir vdiq nga probleme të mushkërive pasi së fundmi kishte luftuar dhe mposhtur kancerin.

“Me trishtim të thellë ndajmë lajmin për ndarjen nga jeta të Bobby Weir,” thuhej në deklaratë.

“Për më shumë se 60 vjet ishte kitaristi, vokalisti dhe anëtari themelues i “Grateful Dead” Bobby do të jetë përgjithmonë një forcë udhëheqëse, arti unik i të cilit riformësoi muzikën amerikane”, sipas deklaratës.

Weir iu bashkua grupit “Grateful Dead”, të njohur fillimisht si “Warlocks”, në San Francisko në vitin 1965 kur ai ishte vetëm 17 vjeç.

Ai është nderuar si fitues i çmimit “Kennedy Centre Honors”, me një çmim “Grammy Lifetime Achievement” dhe si anëtar i “Rock & Roll Hall of Fame”.

“Grateful Dead” u bënë të njohur për bashkimin e zhanreve – duke përfshirë rock, xhaz dhe folk, të cilat kontribuan në gjeneratën kundërkulturore të viteve 1960 – me këngët “Uncle John’s Band”, “Casey Jones” dhe “Touch Of Grey”.

Në qershor të vitit të kaluar, Weir performoi në koncertin e tij të parë në Londër në më shumë se dy dekada, në Royal Albert Hall, së bashku me orkestrën “Royal Philharmonic Concert Orchestra” dhe grupin e tij, “Wolf Bros”. //a.i/

The post Bob Weir, themeluesi i “Grateful Dead” vdes në moshën 78-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Stuhia e dëborës shkakton kaos në Evropë, ndërpritet transporti hekurudhor dhe ajror

11 January 2026 at 12:50

AMSTERDAM, 11 janar /ATSH/- Stuhia në të gjithë Evropën po shkakton ende anulime të transportit hekurudhor dhe ajror në Holandë, pezullim të trafikut të mallrave në Francë dhe trageteve në Greqi, ndërsa një paralajmërim i verdhë për borë është në fuqi në Britaninë e Madhe, si dhe rrezik për shira të rrëmbyeshëm, erëra të forta dhe përmbytje, sipas “NL Times”.

Në aeroportin Schiphol të Amsterdamit sot, katër fluturime hyrëse u anuluan dhe katër të tjere u vonuan, një situatë shumë më e mirë krahasuar me qindra fluturime të anuluara në ditët e mëparshme.

Transporti hekurudhor në Holandë është prekur gjithashtu, me vonesa të raportuara në disa linja, ndërsa shërbimet midis Maastricht dhe Liège janë pezulluar deri nesër në mbrëmje.

Sipas parashikimeve sot në Holandë pritet të bjerë borë, fillimisht në provincat veriore, qendrore dhe lindore, përpara se të shndërrohet gradualisht në shi.

Që prej ditës së djeshme, rreth 700 shoferë kamionësh kanë mbetur të bllokuar në autostradën qe lidhet me Francën verilindore, pasi reshjet e dëborës që goditën pjesën lindore të vendit.

Mbrëmë, vetëm borëpastrueset ishin në funksion në këtë autostradë, dhe automjetet e Kryqit të Kuq mbërritën me furnizime ushqimore për të ndihmuar shoferët e kamionëve gjatë natës.

“Tragetet për në Greqi rifilluan gradualisht shërbimin sot, pasi erërat e forta u lehtësuan mjaftueshëm për të lejuar nisjet”, thanë autoritetet greke, duke theksuar se përmirësimi i kushteve pritej të ishte jetëshkurtër.

“Shumica e linjave të trageteve filluan të operonin normalisht që nga mëngjesi i sotëm, me shumicën e tyre që u nisen nga porti i Pireut”, raporton “Kathimerini”.

Zyrtarët dhe operatorët e trageteve u kërkuan pasagjerëve të kontrollonin oraret përpara se të udhëtonin, duke vënë në dukje se kompanitë ende mund të anulonin disa itinerare për shkak të kushteve të motit që ndryshojnë me shpejtësi.

Priten reshje dëbore në zonat malore dhe veriore, dhe disa rajone me lartësi më të ulët në Greqinë veriore janë të kërcënuara, dhe parashikohet një rënie e ndjeshme e temperaturës, veçanërisht në veri të vendit. //a.i/

The post FOKUS – Stuhia e dëborës shkakton kaos në Evropë, ndërpritet transporti hekurudhor dhe ajror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEHERAN – Irani kërcënon me kundërsulm ndaj Izraelit dhe bazave amerikane

11 January 2026 at 10:59

TEHERAN/UASHINGTON, 11 janar /ATSH-DPA/- Irani ka kërcënuar Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kundërsulme në rast të një sulmi amerikan në mbështetje të lëvizjes protestuese mbarëkombëtare kundër udhëheqjes autoritare të shtetit.

“Çdo sulm amerikan do të çonte në sulme ndaj Izraelit dhe bazave ushtarake rajonale amerikane si objektiva legjitime”, tha zëdhënësi parlamentar iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf për transmetuesin arab “Al Araby”, sipas një postimi sot në X.

Presidenti amerikan Donald Trump, pak më parë i kishte siguruar pjesëmarrësit në protestat masive që po zhvillohen në Iran për mbështetjen e tij.

“Irani po shikon LIRINË, ndoshta si kurrë më parë”, tha Trump.

“SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë!!!”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Duke cituar zyrtarë amerikanë, “New York Times” raportoi se Trump ishte informuar ditët e fundit mbi opsionet e reja për sulme ushtarake në Iran.

“Trump po shqyrton përmbushjen e kërcënimit të tij për të sulmuar vendin për shkak të shtypjes së protestave”, raportoi gazeta.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me qendër në SHBA, numri i personave të vrarë në protestat masive që kanë vazhduar prej dy javësh është rritur në 116, ndërsa më shumë se 2 600 persona të tjerë janë arrestuar.

Pavarësisht një ndërprerjeje pothuajse të plotë të internetit, tani në ditën e katërt sipas monitoruesit të internetit “NetBlocks”, HRANA tha se ka pasur demonstrata në 185 qytete në të gjithë vendin.

Reza Pahlavi, djali i monarkut që u rrëzua në Revolucionin Islamik të vitit 1979 dhe i cili është në mërgim në SHBA, bëri thirrje për greva mbarëkombëtare në Iran dhe protesta të reja sot në orën 18:00 pasdite për të pushtuar sheshet qendrore në qytete. //a.i/

The post TEHERAN – Irani kërcënon me kundërsulm ndaj Izraelit dhe bazave amerikane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TEL AVIV – Izraeli përgatitet për operacione të reja ushtarake në Gaza

11 January 2026 at 10:20

TEL AVIV, 11 janar /ATSH/- Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) po përgatiten të nisin operacione të reja intensive ushtarake në Rripin e Gazës në mars, me fokus kryesor, Qytetin e Gazës, sipas “The Times of Israel”.

Qëllimi është që vija e armëpushimit e njohur si “Vija e Verdhë” të shtyhet më tej në perëndim, drejt bregdetit, duke zgjeruar kontrollin territorial të Izraelit në enklavë.

Një zyrtar izraelit dhe një diplomat arab tha se operacioni nuk mund të zhvillohej pa mbështetjen e SHBA-së dhe konkretisht pa një “dritë jeshile” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

SHBA-ja po vazhdon përpjekjet për të mbajtur në fuqi armëpushimin e arritur në tetor 2025 për të kaluar në fazën e tij të dytë, e cila përfshin çarmatimin e Hamasit.

Nga ana e tij, kryeministri Benjamin Netanyahu, gjatë një takimi me presidentin Trump muajin e kaluar, u zotua se do të bashkëpunonte në avancimin e armëpushimit, ndërsa theksoi se çarmatimi i Hamasit nuk do të kishte sukses.

Për këtë arsye, ai ka urdhëruar IDF-në të përgatitet për një plan rezervë në rast dështimi.

“Më shumë se 400 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit”, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza, kryesisht në përgjigje të shkeljeve të dyshuara nga Hamasi.

Faza e dytë e planit të Trump, e cila përfshin çarmatimin, tërheqjen e mëtejshme të Izraelit dhe rindërtimin ndërkombëtar, po përballet me pengesa të mëdha.

Netanyahu dhe zyrtarët izraelitë kanë shprehur skepticizëm në lidhje me dorëzimin e armëve nga Hamasi.

Ndërsa Hamasi këmbëngul se çarmatimi mund të ndodhë vetëm brenda kornizës së një shteti palestinez. //a.i/

The post TEL AVIV – Izraeli përgatitet për operacione të reja ushtarake në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizjet e syve mund të relaksojnë qafën dhe sistemin nervor

11 January 2026 at 10:00

TIRANË, 11 janar /ATSH/- Lëvizjet e syve mund të relaksojnë qafën dhe sistemin nervor. Jo në mënyrë metaforike. Anatomikisht, sytë tuaj nuk janë të ndarë nga trupi juaj, sipas National Institutes of Health (NIH).

Ato janë të lidhura drejtpërdrejt me muskujt e qafës dhe sistemin nervor autonom.

Neuroanatomia tregon se muskujt e syrit ndajnë rrugë refleksesh me shtyllën kurrizore të qafës përmes reflekseve vestibulo-okulare dhe cerviko-okulare.

Kur sytë tuaj lëvizin, sinjalet udhëtojnë në trungun e trurit, e njëjta qendër kontrolli që rregullon tonin e muskujve, qëndrimin dhe përgjigjet ndaj stresit.

Kjo është arsyeja pse lëvizjet e ngadalta dhe të kontrolluara të syve mund të:

  • zvogëlojnë tensionin e muskujve të qafës
  • qetësojnë sinjalizimin tepër aktiv (lufto ose ik)
  • përmirësojnë koordinimin kokë-qafë
  • ulin stresin dhe ankthin e perceptuar

Kjo është arsyeja pse fizioterapistët dhe neurologët përdorin ushtrime okulomotore për të trajtuar dhimbjen e qafës, marramendjen dhe çrregullimin e sistemit nervor.

Sistemi juaj nervor nuk dëgjon vetëm frymëmarrjen dhe posturën. Ai dëgjon edhe shikimin.

Shumë pacientë që përjetojnë probleme me shikimin ose vështirësi në fokusim, vënë re se qafa e tyre ndihet gjithashtu e tensionuar.

Kjo lidhje nuk është e rastësishme. Është rezultat i mënyrës se si truri koordinon lëvizjen e syve dhe qafës për të mbajtur shikimin të qëndrueshëm.

Kur sytë kanë vështirësi të fiksojnë me saktësi një objektiv, muskujt e qafës shpesh kontraktohen për të ndihmuar në stabilizimin e kokës dhe fushës vizuale.

Ky reagim njihet si shkëputje cervikale e ndërmjetësuar neurologjikisht dhe shpesh shihet tek njerëzit me dismetri okulare.

Dismetria okulare

Dismetria okulare ndodh kur sytë nuk fokusohen te objektivi por e tejkalojnë atë. Këto lëvizje të parregullta të syve mund ta bëjnë të vështirë mbajtjen e një pamjeje të qartë ose të qëndrueshme të një objekti.

Meqenëse sistemi ynë vizual punon ngushtë me muskujt e qafës dhe pjesës së sipërme të trupit, çdo shqetësim në lëvizjen e syve mund të krijojë tendosje shtesë ndërsa trupi përpiqet të balancojë.

Kjo mund të çojë në tension të vazhdueshëm të qafës, lodhje ose edhe marrje mendsh.

Lidhja sy-qafë

Refleksi cerviko-okular (REQ) është mekanizmi që koordinon lëvizjet e syve dhe qafës për të stabilizuar shikimin.

Kur sistemi okular përpiqet të ruajë fokusin, ky refleks rekruton muskujt e qafës për ndihmë. Si rezultat, tensioni grumbullohet në rajonin cervikal.

Përveç kësaj, trungu i trurit përmban rrjete që lidhin shtigjet e lëvizjes së syve me neuronet motorike të qafës.

Këto shtigje të përbashkëta nënkuptojnë se mosfunksionimi në muskujt e syrit mund të ndikojë drejtpërdrejt në tonin dhe aktivitetin e muskujve të qafës. //a.i/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

The post Lëvizjet e syve mund të relaksojnë qafën dhe sistemin nervor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kafshët shtëpiake rol thelbësor në mirëqenien emocionale dhe psikologjike

11 January 2026 at 09:01

TIRANË, 11 janar /ATSH/- Kafshët shtëpiake kanë qenë prej kohësh shoqëruese të çmuara për individë dhe familje të panumërta, duke ofruar më shumë sesa thjesht shoqëri dhe argëtim, sipas National Institutes of Health (NIH).

Vitet e fundit, një numër gjithnjë e në rritje studimesh kanë nënvizuar rolin e rëndësishëm që luajnë kafshët shtëpiake në mbështetjen e shëndetit mendor.

Nga përmirësimi i humorit deri te nxitja e lidhjeve shoqërore, kafshët shtëpiake ofrojnë një mori përfitimesh që mund të përmirësojnë mirëqenien emocionale dhe psikologjike.

Si ndihmojnë kafshët shtëpiake me shëndetin mendor?

Kafshët shtëpiake luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit mendor duke rritur çlirimin e hormoneve të lumturisë si serotonina, prolaktina dhe oksitocina.

Këta neurotransmetues mund të lehtësojnë ndjenjat e depresionit dhe stresit, duke krijuar një ndjenjë mirëqenieje tek pronarët e tyre.

Kur merren me kafshët shtëpiake, individët shpesh përjetojnë një reduktim të dukshëm të vetmisë dhe një rritje të kënaqësisë nga jeta, duke ofruar një ndjenjë qëllimi që është e dobishme në luftimin e simptomave depresive.

Roli i kafshëve në reduktimin e vetmisë

Shoqëria e kafshëve shtëpiake ndihmon ndjeshëm në reduktimin e izolimit social.

Studimet tregojnë se rreth 80% e pronarëve të kafshëve shtëpiake raportojnë kafshët e tyre shtëpiake si ngushëllues gjatë kohërave të vetmuara.

Kafshët shtëpiake mund të shërbejnë si zëvendësues për miqësitë njerëzore, veçanërisht për njerëzit me rrjete të kufizuara shoqërore.

Duke ofruar dashuri të pakushtëzuar, kafshët shtëpiake mund të zbusin ndjenjën e vetmisë që shpesh shoqërojnë shqetësimet e shëndetit mendor.

Nxitja e aktivitetit fizik për mirëqenie mendore

Rutina e përditshme e përfshirë në kujdesin për kafshët shtëpiake shpesh promovon aktivitetin fizik, i cili është thelbësor për shëndetin mendor.

Pronarët e qenve, për shembull, janë më të prirur të angazhohen në ushtrime në natyrë si ecja ose vrapimi, duke kontribuar ndjeshëm në mirëqenien e tyre të përgjithshme.

Ky aktivitet fizik i shtuar jo vetëm që përmirëson shëndetin kardiovaskular, por gjithashtu rrit rezistencën emocionale duke nxitur lirimin e endorfinës gjatë ushtrimeve.

Rolet terapeutike të kafshëve

Rolet terapeutike të kafshëve, veçanërisht përmes programeve të strukturuara, shfrytëzojnë ndikimin qetësues të kafshëve shtëpiake për të ndihmuar individët të përballen me sfidat e shëndetit mendor.

Kafshët e terapisë kanë dokumentuar sukses në mjediset klinike, duke ofruar ngushëllim për individët që përballen me stresin, ankthin dhe depresionin.

Kjo qasje terapeutike pasqyron një njohje të gjatë të përfitimeve të ndërveprimeve me kafshët, siç dëshmohet nga terapia e ndihmuar nga kafshët që nga shekulli XVIII.

Prania e tyre mund të shkëpusë në mënyrë efektive vëmendjen nga faktorët që shkaktojnë stres dhe t’i ndihmojë individët të menaxhojnë shëndetin e tyre mendor dhe të jenë rezistentë. //a.i/

The post Kafshët shtëpiake rol thelbësor në mirëqenien emocionale dhe psikologjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Itzae, një nga vetëm katër pumat albino që po magjepsin botën!

11 January 2026 at 08:30

TIRANË, 11 janar /ATSH/ – Itzae, është një nga vetëm katër pumat albino të regjistruara ndonjëherë, që po magjepsin zemrat në të gjithë globin!

E lindur në një kopsht zoologjik të Nikaraguasë, albinizmi i saj i rrallë – i gjetur vetëm tek katër puma  – i jep tipare të mrekullueshme rozë dhe një qime delikate, të ndjeshme ndaj diellit.

Itzae është një këlysh i rrallë pume i bardhë borë, pamja e të cilit e dallon menjëherë.

E lindur me albinizëm, ajo ka lesh të zbehtë, sy blu të çelët dhe hundë e veshë rozë, tipare që e bëjnë atë tepër të pazakontë midis maceve të mëdha.

Ndërsa vëllezërit e motrat e saj mbajnë tonet dhe shenjat tipike më të errëta të pumave, ngjyra delikate e Itzae e bën atë të duket pothuajse joreale.

Për shkak të gjendjes së saj, ajo kërkon kujdes të veçantë, duke përfshirë mbrojtjen nga rrezet e forta të diellit që mund të dëmtojnë lëkurën dhe sytë e saj të ndjeshëm.

Ekzistenca e saj është një kujtesë e habitshme se sa e paparashikueshme dhe e jashtëzakonshme mund të jetë natyra, dhe pse kafshë të rralla si Itzae vazhdojnë të magjepsin njerëzit në mbarë botën.

Ndryshe nga pumat e zakonshme me ngjyrë bezhë dhe me njolla, Itzae është një mrekulli e gjallë, një kujtesë marramendëse se natyra ende mban mrekulli të mahnitshme dhe të papritura.

Një shembull jashtëzakonisht i rrallë i albinizmit tek macet e mëdha, Itzae është një nga vetëm katër pumat albino të regjistruara ndonjëherë.

Albinizmi është një gjendje gjenetike e karakterizuar nga mungesa e melaninës, që rezulton në lesh të bardhë ose të zbehtë dhe sy me ngjyrë të çelët.

Kjo gjendje është e rrallë në popullatat e egra, veçanërisht midis grabitqarëve kryesorë si pumat, për shkak të sfidave të mbijetesës, duke përfshirë kamuflazhin dhe ndjeshmërinë ndaj dritës së diellit.

Vëzhgimi i pumave albino u ofron shkencëtarëve njohuri mbi gjenetikën, përshtatjen dhe fiziologjinë e kafshëve.

Gjithashtu rrit ndërgjegjësimin për ruajtjen e natyrës, pasi këta individë janë më të prekshëm në habitatet natyrore.

Pamja e rrallë mbresëlënëse e Itzae, e bëjnë atë një shembull të dukshëm të diversitetit gjenetik brenda popullatave të pumave.

Rastet e tilla nxjerrin në pah si bukurinë ashtu edhe brishtësinë e jetës së egër unike. //a.i/

 

The post Itzae, një nga vetëm katër pumat albino që po magjepsin botën! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Cece, macja që jeton brenda mureve të tempullit të lashtë egjiptian

11 January 2026 at 08:00

TIRANË, 11 janar /ATSH/- Në Tempullin e Denderës, pranë Luksorit, në Egjipt, një mace e vogël me emrin Cece, endet nëpër vendin arkeologjik, duke u bërë një atraksion më vete për turistët dhe vizitorët!

Cece, tashme njihet si maskota popullore në Tempullin e Denderës në Egjipt.

Ajo është e famshme në mediet sociale, dhe shumë postime të shpërndara, tregojnë macen duke lëvizur midis kolonave të gdhendura të tempullit, duke rrëshqitur në qoshet e qeta të kompleksit apo duke pushuar pranë mureve prej guri ndërsa turnetë me guidë vazhdojnë rreth saj.

Cece jeton midis kolonave mijëravjeçare, duke ofruar një pamje të jetës së përditshme në një vend arkeologjik të shenjtë për perëndeshën Hathor dhe duke evokuar nderimin e egjiptianëve të lashtë për macet dhe perëndeshën mace Bastet.

Kush është Cece?

Cece, është një mace banuese në Tempullin e Denderës, pranë Luksorit, Egjipt.

Ajo është bërë një figurë e dashur për turistët dhe vizitorët, duke ndarë jetën e saj të përditshme në tempullin me një histori miliona vjeçare.

Tempulli i Denderës dhe i maceve

Dendera ishte një qendër e rëndësishme kulti, e dedikuar kryesisht perëndeshës Hathor, shpesh e lidhur me macet.

Egjipti i lashtë i nderonte macet si krijesa të shenjta, të mbrojtura nga perëndesha Bastet, mbrojtëse e shtëpisë, pjellorisë dhe amësisë, e përshkruar si një grua me kokën e një maceje.

Pse është Cece kaq e veçantë?

Prania e Ceces krijon një kontrast magjepsës midis madhështisë së rrënojave të lashta dhe thjeshtësisë së jetës së përditshme.

Fotot dhe videot në mediet sociale tregojnë macen – e cila shfaqet e rehatuar midis kolonave të gdhendura, duke pushuar ose duke vëzhguar vizitorët, duke e bërë atë një atraksion më vete.

Një lidhje historike

Njohja e Ceces me tempullin është një kujtesë se macet ishin një pjesë integrale e jetës egjiptiane, si në tempuj ashtu edhe në shtëpi, të mbrojtura me ligj dhe një simbol i fatit të mirë. //a.i/

The post Cece, macja që jeton brenda mureve të tempullit të lashtë egjiptian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 10 January 2026Main stream

KIEV – Zelensky: Rusia kërkon të shkatërrojë qytetet e Ukrainës

9 January 2026 at 22:55

KIEV, 9 janar /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se kërkon të shkatërrojë qytetet e Ukrainës përmes sulmeve të saj të pamëshirshme ajrore.

“Rusët po shfrytëzojnë motin – valën e të ftohtit – dhe po përpiqen të godasin sa më shumë nga objektet tona energjetike”, tha sot Zelensky.

Kohët e fundit, Rusia sulmoi kryeqytetin Kiev, Dnipron, Zaporizhian, Krivyi Rih dhe Odesën.

“Taktika kryesore e Rusisë është të përpiqet të shkatërrojë plotësisht qytetet”, tha Zelensky.

Ai kërkoi që të gjitha administratat e qytetit të ishin të përgatitura dhe të mbronin qytetarët e tyre.

“Në qytetet nën sulm, furnizimet me energji elektrike, ujë dhe ngrohje kanë dështuar. Sulmet treguan se Moskës nuk i intereson diplomacia dhe përpjekjet paqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Zelensky.

“Përdorimi i raketës me rreze të mesme veprimi “Oreshnik” në Ukrainën perëndimore, në kufirin e jashtëm të BE-së dhe NATO-s, ishte një sfidë po aq e madhe për Varshavën, Bukureshtin, Budapestin dhe shumë kryeqytete të tjera”, shtoi ai.

Dje në mbrëmje, ushtria ruse lëshoi raketën “Oreshnik” me kapacitet bërthamor në një objektiv në rajonin e Lvivit.

Kjo është hera e dytë që forcat ruse përdorin këtë armë, e cila ka një rreze veprimi që mund të arrijë Evropën Perëndimore, në luftën e Ukrainës. //a.i/

The post KIEV – Zelensky: Rusia kërkon të shkatërrojë qytetet e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Udhëheqësit e BM-së, Gjermanisë dhe Francës dënojnë vrasjen e protestuesve iranianë

9 January 2026 at 22:25

LONDËR, 9 janar /ATSH-DPA/- Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës kanë dënuar vrasjen e protestuesve në Iran dhe i kanë kërkuar Teheranit të ushtrojë vetëpërmbajtje mes shtypjes së demonstratave kundër regjimit.

Të paktën 62 persona raportohet të jenë vrarë dhe 2 300 të tjerë janë arrestuar gjatë javëve të protestave të nxitura fillimisht nga ekonomia e dobët të vendit.

Udhëheqësit e Iranit kanë mbyllur gjithashtu aksesin në internet dhe thirrjet telefonike ndërkombëtare në përgjigje të protestave.

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë se ishin thellësisht të shqetësuar për raportet e dhunës nga forcat iraniane të sigurisë dhe dënuan fuqimisht vrasjen e protestuesve.

“Autoritetet iraniane kanë përgjegjësinë për të mbrojtur popullsinë e tyre dhe duhet të lejojnë lirinë e shprehjes dhe protestat paqësore pa frikën e hakmarrjes”, thanë udhëheqësit.

“Ne i nxisim autoritetet iraniane të ushtrojnë vetëpërmbajtje nga dhuna dhe të mbështesin të drejtat themelore të qytetarëve të Iranit”, sipas deklaratës.

Protestat në Iran filluan më 28 dhjetor dhe janë shndërruar në sfidën më të rëndësishme ndaj regjimit për disa vite.

Demonstratat kanë ripërtërirë gjithashtu konfrontimin midis Iranit dhe SHBA-së, ndersa presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se Teherani do ta paguante shtrenjtë nëse autoritetet vrisnin protestuesit. //a.i/

The post FOKUS – Udhëheqësit e BM-së, Gjermanisë dhe Francës dënojnë vrasjen e protestuesve iranianë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

ZVICËR – Prokurorët urdhërojnë arrestimin e pronarit të barit në resortin Crans-Montana

9 January 2026 at 20:13

ZVICËR, 9 janar /ATSH-DPA/-  Prokurorët zviceranë kanë kërkuar paraburgim për pronarin e barit të resortit të skive Crans-Montana – ku 40 persona vdiqën për shkak të një zjarri gjatë festës së Vitit të Ri, duke përmendur rrezikun që ai të mund të arratisej.

“Bazuar në deklaratat e tij, historikun e tij të mëparshëm të punës dhe situatën e tij personale në Zvicër dhe jashtë vendit, zyra e prokurorit e konsideroi rrezikun e arratisjes si konkret”, tha zyra e prokurorit në Valais.

“Bashkëshortja e pronarit, e cila gjithashtu drejtonte lokalin, nuk konsiderohet si rrezik për arratisje dhe nuk do të vendoset në paraburgim”, thanë prokurorët.

Zjarri shpërtheu në orët e para të 1 janarit në barin “Le Constellation” në qytetin e Crans-Montana. Përveç viktimave, gati 120 persona u plagosën, shumica prej tyre rëndë.

Hetuesit besojnë se katastrofa u shkaktua nga një fishekzjarr i bashkangjitur në një shishe që i vuri flakën tavanit. //a.i/

The post ZVICËR – Prokurorët urdhërojnë arrestimin e pronarit të barit në resortin Crans-Montana appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: Masat e ashpra në Iran tregojnë një regjim që ka frikë nga populli i vet

9 January 2026 at 19:49

BRUKSEL, 9 janar /ATSH-DPA/- Masat e ashpra të udhëheqjes iraniane ndaj protestuesve ekspozon një regjim që ka frikë nga populli i vet, tha sot shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

“Populli iranian po lufton për të ardhmen e tij. Duke injoruar kërkesat e tyre të ligjshme, regjimi tregon fytyrën e tij të vërtetë”, shkroi Kallas në X.

“Çdo dhunë kundër demonstruesve paqësorë është e papranueshme. Mbyllja e internetit, ndërkohë që shtypen me dhunë protestat, ekspozon një regjim që ka frikë nga populli i vet”, tha ajo.

Kallas akuzoi forcat e sigurisë se kanë përdorur taktika joproporcionale dhe të rënda kundër demonstruesve.

Protestat për përkeqësimin e kushteve ekonomike shpërthyen më 28 dhjetor në Teheran dhe u përhapën shpejt në pjesë të tjera të vendit. //a.i/

The post BRUKSEL – Kallas: Masat e ashpra në Iran tregojnë një regjim që ka frikë nga populli i vet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – Mbi 50 protestues të vrarë në mbarë vendin

9 January 2026 at 19:19

TEHERAN, 9 janar /ATSH-DPA/- Sipas aktivistëve, 51 demonstrues janë vrarë në gati dy javë protesta mbarëkombëtare në Iran.

“Qindra njerëz të tjerë raportohet se janë plagosur në përleshjet me forcat e sigurisë”, sipas organizatës “Iran Human Rights” (IHRNGO), me qendër në Oslo.

Organizata po heton gjithashtu raportet për dhjetëra demonstrues të vrarë në qytetet kryesore të Teheranit, Mashhadit dhe Hamadanit, të cilat ende nuk janë përfshirë në shifrat aktuale.

“Rreziku i një përshkallëzimi të dhunës dhe vrasjeve masive të demonstruesve pas mbylljes së internetit është shumë serioz”, paralajmëroi drejtori i organizatës, Mahmood Amiry-Moghaddam.

Dje në mbrëmje, Irani përjetoi demonstratat më të mëdha që nga fillimi i valës aktuale të protestave.

Këto protesta shpërthyen në fund të vitit të kaluar, të shkaktuara nga një tronditje në kursin e këmbimit valutor.

Në përgjigje të protestave dje në mbrëmje, autoritetet pezulluan aksesin në internet.

Burime të pakonfirmuara kane raportuar shumë njerëz të vrarë pasi forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve. //a.i/

The post IRAN – Mbi 50 protestues të vrarë në mbarë vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOGOTA – Petro: Është i mundur një operacion ushtarak amerikan kundër Kolumbisë

9 January 2026 at 19:13

BOGOTA, 9 janar /ATSH-DPA/- Presidenti kolumbian, Gustavo Petro tha se kishte frikë nga një veprim i mundshëm ushtarak amerikan kundër vendit të tij – pas një bisede telefonike me presidentin e SHBA-se, Donald Trump, mes tensioneve midis Bogotës dhe Uashingtonit.

Në një intervistë per gazetën “El País”, Petro tha se presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte thënë gjatë një bisede telefonike se po mendonte të ndërmerrte operacione të këqija në Kolumbi.

Udhëheqësi i krahut të majtë tha se mesazhi i sugjeronte se përgatitjet për një veprim ushtarak ishin tashmë në proces, megjithëse nuk e dinte se çfarë veprimi specifik mund të ishte planifikuar.

“Treguesi ishte se ata tashmë po përgatiten për diçka, një operacion ushtarak”, tha Petro.

Petro tha se ngjarjet në Venezuelë e kishin bërë të shqetësohej se ai vetë do të prekej personalisht.

Kur u pyet nëse kishte frikë se mos vuante një fat të ngjashëm me atë të udhëheqësit venezuelian Nicolás Maduro, i cili u arrestua nga ushtarët amerikanë dhe u dërgua në SHBA, Petro u përgjigj: “Pa dyshim”.

Megjithatë, pas një bisede telefonike njëorëshe të mërkurën me Trump, situata është qetësuar për momentin.

Gjatë bisedës, Petro tha se ishte në gjendje të shpjegonte qëndrimet e tij, veçanërisht në luftën kundër drogës. Pas telefonatës, Trump njoftoi një takim në Shtëpinë e Bardhë, pa specifikuar një datë.

Trump e ka paralajmëruar më herët Kolumbinë – pas veprimeve ushtarake në Venezuelë.

Duke folur me gazetarët menjëherë pas operacionit kundër Maduros, Trump e përshkroi Kolumbinë si “shumë të sëmurë” dhe tha se drejtohej nga një “njeri i sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kolumbia, një fqinj i Venezuelës, konsiderohet një qendër e madhe prodhimi për kokainën. //a.i/

The post BOGOTA – Petro: Është i mundur një operacion ushtarak amerikan kundër Kolumbisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Pse Trump ia ka vënë syrin Groenlandës?

9 January 2026 at 18:55

UASHINGTON, 9 janar /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dyfishuar qëllimin e tij për të marrë Groenlandën, duke shqyrtuar mundësinë e përdorimit te forcës nëse është e nevojshme. Çfarë fshihet pas këtij veprimi, i cili mund të përfundojë duke i larguar aleatët më të ngushtë të Uashingtonit?

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshkallëzuar retorikën e tyre mbi Groenlandën ditët e fundit, duke shkaktuar shqetësim të madh tek aleatët e tyre evropianë, me bisedime që tani do të zhvillohen midis sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarëve danezë javën e ardhshme.

Groenlanda, e cila i përket Mbretërisë së Danimarkës, por ka një status kryesisht autonom, ka qenë në shënjestrën e Trump që nga mandati i tij i parë në detyrë.

Megjithatë, marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Groenlandës daton shumë më herët.

Vendndodhja e Groenlandës është shumë strategjike, duke u shtrirë në rrugën më të shkurtër për raketat midis Rusisë dhe SHBA-së. Prandaj, është një pjesë thelbësore e mburojës anti-raketore të SHBA-së.

Në vitin 1941, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja negocioi një marrëveshje për të ndërtuar dhe operuar baza ushtarake në Groenlandë, koloninë e atëhershme të Danimarkës në Arktik, për aq kohë sa do të zgjaste konflikti, në një përpjekje për të mbrojtur kontinentin amerikan.

Ambasadori i Danimarkës në Uashington, negocioi në mënyrë të pavarur marrëveshjen me SHBA-në për të mbrojtur Groenlandën, e cila është gjeografikisht pjesë e Amerikës së Veriut dhe shtrihet në Hemisferën Perëndimore.

Në fund të luftës, SHBA-ja kishte 15 baza ushtarake në Groenlandë. Sot mbetet vetëm një, baza ajrore “Pituffik” në bregdetin veriperëndimor.

Që nga viti 1951, një marrëveshje daneze me SHBA-në – e rishikuar në vitin 2004 – i jep ushtrisë amerikane praktikisht liri veprimi në territorin e Groenlandës, për sa kohë që informon Danimarkën dhe Groenlandën paraprakisht për planet e saj.

Trump ka argumentuar se Danimarka ka dështuar në garantimin e sigurisë se Groenlandës, e cila mbulon një sipërfaqe prej 2,2 milionë kilometra katrorë ose rreth një të pestën e madhësisë së të gjithë kontinentit evropian.

Kjo është e krahasueshme me Alaskën, shtetin më të madh të SHBA-së, megjithëse popullsia e Groenlandës vlerësohet në vetëm 57,000 banorë.

Integrimi i Groenlandës do ta bënte SHBA-në vendin e tretë më të madh në botë për nga masa tokësore pas Rusisë dhe Kanadasë, duke tejkaluar Kinën.

Një raport i kohëve të fundit nga shërbimi i inteligjencës ushtarake të Danimarkës tha se Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konkurronin të gjitha për të luajtur “një rol më të madh” në Arktik.

Gjatë vitit të kaluar, Danimarka ka rritur investimet e saj në Groenlandë.

“Në vitin 2025, Danimarka ofroi 1,2 miliardë euro për sigurinë në rajon”, tha të hënën kryeministrja daneze, Mette Frederiksen.

Groenlanda ka depozita të pashfrytëzuara të metaleve të rralla dhe mund të jetë një vend i rëndësishëm pasi shkrirja e akullit polar – një rezultat i ndryshimeve klimatike – hap rrugë të reja transporti detar.

“Megjithatë, një vit më parë, 85% e banorëve të Groenlandës kanë kundërshtuar bashkimin me SHBA-në”, sipas një sondazhi. //a.i/

 

The post KOMENT – Pse Trump ia ka vënë syrin Groenlandës? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE premton 620 milionë euro ndihmë shtesë për Sirinë

9 January 2026 at 18:31

BRUKSEL, 9 janar /ATSH-DPA/- Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi një ndihmë shtesë financiare të BE-së për Sirinë prej 620 milionë eurosh për këtë vit dhe vitin tjetër, gjatë një vizite sot në Damaskë .

Von der Leyen tha se financimi do të ndihmonte qeverinë siriane të rivendoste shërbimet bazë dhe të rindërtonte institucionet shtetërore, duke u mundësuar qindra mijëra refugjatëve të ktheheshin në shtëpi.

“Më shumë se një vit më parë, pas disa dekadash frikë, heshtje dhe dhunë shtetërore më në fund ka shpresë dhe mundësi për ripërtëritje”, tha ajo, duke shtuar se pajtimi dhe rimëkëmbja do të ishin një proces i gjatë dhe sfidues.

“Ne jemi këtu sot për të punuar për Sirinë dhe për të gjithë sirianët – për të arritur qëllimin e një Sirie të re, paqësore, gjithëpërfshirëse dhe të sigurt”, tha Von der Leyen.

“Refugjatët sirianë, të cilët kanë formuar një pjesë të madhe të refugjatëve që mbërrijnë në BE gjatë shumë viteve, duhet të kenë një perspektivë të vërtetë për një kthim në shtëpi dhe një fillim të ri”, tha ajo.

BE-ja ka hequr plotësisht sanksionet ndaj Sirisë që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad në fund të vitit 2024, dhe bashkëpunimi politik aktualisht po zgjerohet.

Presidenti i Këshillit Evropian António Costa, i cili udhëtoi me Von der Leyen, tha gjatë një takimi me presidentin e përkohshëm sirian Ahmed al-Sharaa se një epokë e re shprese ishte hapur për Sirinë.

“BE-ja do të mbështesë përpjekjet drejt një Sirie paqësore dhe gjithëpërfshirëse”, tha Costa.

Sipas Komisionit Evropian, do të krijohet një partneritet i ri politik që mund të fillojë në gjysmën e parë të vitit me një takim të përfaqësuesve të lartë nga të dyja palët.

Po merret në konsideratë edhe rifillimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi ekonomik. //a.i/

The post BRUKSEL – BE premton 620 milionë euro ndihmë shtesë për Sirinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Greqia veriperëndimore goditet nga reshje të dendura të dëborës

9 January 2026 at 17:53

ATHINË, 9 janar /ATSH/- Që prej orëve të para të mëngjesit, reshjet e borës kanë përfshirë të gjithë Greqinë veriperëndimore, duke bërë që autoritetet rajonale dhe bashkitë lokale të vendosin dhjetëra borëpastruese dhe të lëshojnë udhëzime sigurie për shoferët që udhëtojnë nëpër rrugët malore dhe autostradat kryesore, sipas “GreekNewsToday”.

Bora ka rënë në shumë zona të prefekturës së Janinës në Greqinë veriperëndimore, si dhe në pjesët malore të Arta-s fqinje, duke vështirësuar kushtet në pjesën më të madhe të rajonit të Epirit.

Reshjet e dendura të borës përfshinë sot qytetin e Janinës , duke shënuar një intensifikim të ndjeshëm të motit.

Janina, kryeqyteti i Epirit dhe një qendër e madhe urbane, nuk ka përjetuar gjithmonë borë në zonat e saj, duke i bërë kushtet aktuale veçanërisht të vështira për banorët dhe vizitorët.

Për të mbajtur rrjetet e transportit të hapura, Autoriteti i Mbrojtjes Civile i Rajonit të Epirit ka vendosur 28 makina për heqjen e borës, duke punuar vazhdimisht për të siguruar që rrugët të mbeten të pastra dhe të sigurta.

Përpjekjet e tyre janë përqendruar si në rrugët urbane ashtu edhe në rrjetin më të gjerë rrugor që lidh Janinën me qytetet dhe fshatrat përreth.

Në të njëjtën kohë, autoritetet bashkiake në të gjithë rajonin po përdorin pajisjet e tyre për të garantuar që qasja në fshatrat e largëta të ruhet pavarësisht motit të përkeqësuar.

Masa shtesë janë vendosur përgjatë rrugëve kryesore të transportit, veçanërisht në Malakasi përtej qytetit malor të Metsovës. //a.i/

 

The post METEO – Greqia veriperëndimore goditet nga reshje të dendura të dëborës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Zyrtari i NATO-s kërcënon SHBA-në: Nëse merrni Groenlandën, do të marrim bazat amerikane në Evropë

9 January 2026 at 17:09

BRUKSEL, 9 janar /ATSH/- Kryetari i Komitetit të Zgjerimit të NATO-s në Austri, Gunther Fehlinger, lëshoi ​​një paralajmërim të ashpër për SHBA-në mes pretendimeve se Donald Trump mund të vendosë të marrë Groenlandën, duke mos përjashtuar ndërhyrjen ushtarake atje, sipas CBS.

Në një video të postuar në media sociale, Fehlinger tha se nëse SHBA-ja do të aneksonte Groenlandën, të gjitha bazat amerikane në Evropë do të konfiskoheshin dhe SHBA-ja do të duhej të largohej.

“Nëse merrni Groenlandën, ne do të marrim çdo bazë amerikane nga Aviano në Ramstein, nga Rumania dhe të gjitha bazat e tjera ushtarake, ato do të konfiskohen dhe ju do të humbisni pozicionet që fuqia amerikane ka pasur që nga Lufta e Dytë Botërore. Nëse merrni Groenlandën, do të duhet të largoheni”, tha Gunther Fehlinger, kryetari i Komitetit të Zgjerimit të NATO-s në Austri.

Videoja e politikanit austriak u nda në platformat X dhe “Reddit”.

Ai po i përgjigjej pjesërisht një postimi që e pa si provokues nga podkasterja e MAGA, Katie Miller, e cila ndau një imazh në internet të Groenlandës të mbuluar me një grafik të flamurit të SHBA-së, të shoqëruar me mbishkrimin “Shumë shpejt”.

“Ne mund ta mbrojmë veten shumë mirë dhe mund ta bëjmë këtë pa strehën bërthamore amerikane, pa trupat amerikane në Evropë dhe pa bazat amerikane”. Udhëheqës të tjerë evropianë kanë reaguar ndaj pretendimeve të SHBA-se për të marrë kontrollin e ishullit të madh Arktik, me disa që thonë se një veprim i tillë nga administrata Trump mund të çojë në shpërbërjen e aleancës ushtarake të NATO-s”, tha ai duke iu drejtuar drejtpërdrejt Miller. //a.i/

 

The post BRUKSEL – Zyrtari i NATO-s kërcënon SHBA-në: Nëse merrni Groenlandën, do të marrim bazat amerikane në Evropë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE hap rrugën për marrëveshjen tregtare të “Mercosur” pas 25 vitesh

9 January 2026 at 16:47

BRUKSEL, 9 janar /ATSH-DPA/-  Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhanë miratimin për nënshkrimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të “Mercosur” me Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain pas disa dekadash negociatash.

“Në një takim të përfaqësuesve nga 27 vendet e BE-së në Bruksel, një numër i mjaftueshëm pjesëmarrësish ranë dakord për nënshkrimin e planifikuar të marrëveshjes”, thanë burimet diplomatike.

“Zona e re e tregtisë së lirë, me më shumë se 700 milionë banorë, do të jetë më e madhja e këtij lloji në botë”, sipas Komisionit Evropian.

Marrëveshja kontroverse ka qenë në përgatitje për më shumë se 25 vjet.

Marrëveshja përfundimtare u bë e mundur nga lëshimet e minutës së fundit ndaj lobit bujqësor të Evropës, i cili e sheh konkurrencën nga katër vendet – të gjitha anëtare të bllokut më të gjerë tregtar të Amerikës së Jugut Mercosur – si një kërcënim për fermerët evropianë.

Në Amerikën e Jugut, produktet bujqësore si mishi i viçit mund të prodhohen më lirë se në Evropë.

Marrëveshja fillimisht duhej të nënshkruhej në Brazil në dhjetor. Megjithatë, shumica e nevojshme e shteteve anëtare të BE-së nuk u arrit në atë kohë sepse Italia e lidhi miratimin e saj me angazhime të mëtejshme mbështetëse për fermerët evropianë.

Që marrëveshja të miratohej, kërkohej një shumicë e ashtuquajtur e kualifikuar, që do të thotë se të paktën 15 nga 27 shtetet e BE-së që përfaqësojnë 65% të popullsisë së bllokut duhet ta mbështesin atë.

Miratimi i Italisë ishte i nevojshëm sepse dy vende të tjera të populluara të BE-së, Franca dhe Polonia, e kundërshtojnë marrëveshjen në formën e saj aktuale. //a.i/

The post BRUKSEL – BE hap rrugën për marrëveshjen tregtare të “Mercosur” pas 25 vitesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌