Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 January 2026Main stream

Salla dhe Cara në Mamurras: Ndihmë për evakuimin e bagëtive, verifikim dëmesh nga reshjet

11 January 2026 at 14:45

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetaren e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, vizituan sot fermën e fermeres Flora Brozi në Mamurras.

Ferma mbarështon rreth 120 krerë bagëti dhe shpendë dhe është prekur nga reshjet intensive të ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar vështirësi për vijimin normal të aktivitetit blegtoral.

Si pasojë e situatës së krijuar, u bë e mundur evakuimi i tufës së bagëtive, duke u sistemuar përkohësisht në zonën e Fushë Milot, në kushte më të sigurta.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se në bashkëpunim me grupet e verifikimit të bashkive, ndodhet në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, rezervat ushqimore për kafshët dhe në sektorin bujqësor.

“Procesi i vlerësimit do të shërbejë për të përcaktuar masat e mbështetjes për të gjithë fermerët e prekur nga kushtet e pafavorshme atmosferike në zonë”, tha Salla. /j.p/

The post Salla dhe Cara në Mamurras: Ndihmë për evakuimin e bagëtive, verifikim dëmesh nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje bore deri në 60 cm në zonat malore në Librazhd

11 January 2026 at 14:22


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonat malore të Librazhd, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe në jetën e përditshme të banorëve.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Maringlen Disha, bëri të ditur se në disa zona trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 centimetra.

Sipas tij, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, strukturat vendore janë në terren për përballimin e situatës.

“Ekipet e Bashkisë Librazhd dhe të Emergjencave Civile ndodhen në terren gjatë gjithë kohës, duke punuar për mbajtjen e rrugëve të hapura dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve që kanë nevojë”, tha ai.

Disha u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të lëvizin vetëm kur është e domosdoshme dhe të respektojnë udhëzimet e dhëna nga strukturat përgjegjëse.

Në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë numrat e emergjencës 129, 128 dhe 112. /j.p/

The post Reshje bore deri në 60 cm në zonat malore në Librazhd appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: ARRSH do të ndërhyjë për zgjidhje të qëndrueshme në aksin Tepelenë-Gjirokastër

11 January 2026 at 12:49

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi sot nga afër aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, i shoqëruar nga drejtori Rajonal i ARRSH-së, Andi Shkurta, për të vlerësuar situatën e krijuar pas shkarjes së dherave në këtë segment.

Inspektimi u fokusua në zonën e njohur si “Shkalla e Zezë”, ku tre ditë më parë një rrëshqitje masive dheu bllokoi plotësisht qarkullimin rrugor.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të ARRSH-së dhe mjeteve të kontraktorit, u bë e mundur hapja e përkohshme e rrugës dhe garantimi i kalimit të mjeteve.

Aktualisht, qarkullimi në këtë aks kryhet me një kalim të alternuar, pasi rrëshqitja vijon të jetë aktive dhe paraqet rrezikshmëri.

Kreu i ARRSH-së, Kozeli bëri të ditur se shkaku kryesor i situatës lidhet me reshjet e shumta, erozionin dhe formacionin gjeologjik argjilor të zonës.

Sipas tij, situata do të mbahet në monitorim të vazhdueshëm.

“Menjëherë pas kalimit të situatës së emergjencës, ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, me qëllim dhënien e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për këtë segment rrugor”, tha Kozeli. /j.p/

The post Kozeli: ARRSH do të ndërhyjë për zgjidhje të qëndrueshme në aksin Tepelenë-Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tomini: Mbi 238 mijë qytetarë të vaksinuar kundër gripit nga shtatori deri në janar

11 January 2026 at 12:43


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Përballë rritjes së virozave sezonale, strukturat shëndetësore po intensifikojnë vaksinimin si masë kryesore për mbrojtjen e popullatës, si në qendrat shëndetësore ashtu edhe në banesat e personave që nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në to.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, gjatë një inspektimi në Qendrën Shëndetësore Nr. 2 dhe një vizitë në familjen Berxolli, u shpreh se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të parandaluar komplikacionet dhe simptomat e rënda të viruseve gripale, veçanërisht te grupet më të rrezikuara.

Sipas saj, në periudhën shtator 2025-janar 2026 janë vaksinuar gjithsej 238 886 persona, një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se rritja e mbulimit vaksinor tregon ndërgjegjësim më të lartë të qytetarëve dhe angazhim të vazhdueshëm të sistemit shëndetësor për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë sezonit të virozave. /j.p/

The post Tomini: Mbi 238 mijë qytetarë të vaksinuar kundër gripit nga shtatori deri në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nikolas Bushi, shqiptari nga Amerika që solli ventrilokizmin në “Albania’s Got Talent”

11 January 2026 at 10:56

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Nikolas Bushi, i riu shqiptar që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po tërheq vëmendje me një talent të veçantë dhe pak të njohur në Shqipëri, ventrilokizmin, artin e të folurit pa lëvizur buzët.

Nikolas ka ardhur disa herë në Shqipëri, ndërsa këtë tetor u rikthye për të marrë pjesë në Albania’s Got Talent, ku u shndërrua në një nga emrat më të komentuar të finales. Ai interpreton përkrah kukullës së tij, Chris, një personazh plot sarkazëm dhe humor, që sipas Nikolasit, është pjesa më argëtuese e këtij arti.

Në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ai rrëfen se pasioni për ventrilokizmin nisi rreth tetë vite më parë, i frymëzuar nga spektakli America’s Got Talent, të cilin e ndoqi për herë të parë në vitin 2017. Që nga ajo kohë, Nikolas ka praktikuar vazhdimisht këtë disiplinë artistike, duke e kthyer nga një kuriozitet në një profesion të mirëfilltë.

Sot, ai e sheh veten si një kontribuues në njohjen dhe përhapjen e këtij arti në Shqipëri, ku ventrilokizmi ka qenë pothuajse i panjohur.

Nikolas tregon se po punon për projekte të reja dhe se në të ardhmen mund të realizojë edhe bashkëpunime surprizë.

Mes Shqipërisë dhe Amerikës, Nikolas Bushi po ndërton një rrugëtim artistik të veçantë, duke sjellë për publikun shqiptar një formë argëtimi ndryshe, ku iluzioni, humori dhe kreativiteti ndërthuren në një eksperiencë unike skenike. j.p

The post Nikolas Bushi, shqiptari nga Amerika që solli ventrilokizmin në “Albania’s Got Talent” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pensionet hynë nga ky janar në fazë rritjeje afatgjatë

11 January 2026 at 10:15

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme për pensionet në Shqipëri, duke konfirmuar nisjen e rritjes graduale të tyre, në përputhje me angazhimin e marrë gjatë fushatës zgjedhore dhe të miratuar nga Kuvendi.

Në podkastin “Flasim”, Kryeministri u shpreh se rritja e pensioneve ka nisur që nga ky janar, sipas kategorive përkatëse, ndërsa shtesa do të dyfishohet çdo vit. Sipas tij, pensionistët në janarin e ardhshëm do të përfitojnë dyfishin e shtesës së këtij viti, në janarin pasues trefishin, më pas katërfishin, ndërsa në Shqipërinë 2030 ky progresion do të ndalet te pesëfishimi i shtesës së janarit 2026.

Rama e cilësoi këtë proces si një çlirim personal dhe institucional, duke theksuar se ai është rezultat i viteve reformash, rritjes ekonomike dhe përmirësimit rrënjësor të mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave. Sipas Kryeministrit, këto reforma e kanë sjellë vendin në një pikë ku rritja e pensioneve realizohet pa cenuar stabilitetin financiar të shtetit.

Ai kujtoi se për vite me radhë qeveria ka treguar përmbajtje, duke mos ndërmarrë rritje të nxituara, për të mos rrezikuar financat publike.

“Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi”, deklaroi Rama.

The post Rama: Pensionet hynë nga ky janar në fazë rritjeje afatgjatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga përmbytjet, prioritet

11 January 2026 at 09:58

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore është prioritet i qeverisë, bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se procesi do të vijojë pas përfundimit të verifikimeve në terren. Nē podcast-in “Flasim” në rubrikën “Shënimet e javës”, Rama u ndal te situata e fundit e shkaktuar nga reshjet e dendura duke vënë në dukje se askush nuk do të mbetet pa përkujdesje.

Kryeministri u shpreh se motoja “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm” është parim udhëheqës sa herë që vendi dhe njerëzit përballen me fatkeqësi, që nga tërmeti shkatërrues e deri te dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, zjarret apo situata të tjera emergjente.

Ai siguroi familjet e dëmtuara nga përmbytjet e fundit se shteti qëndron pranë tyre me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik, duke përmbushur çdo detyrim, si për banesat ashtu edhe për gjënë e gjallë.

Sipas Kryeministrit, puna e institucioneve nuk do të ndalet me përmirësimin e kushteve të motit, por do të vijojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe dëmshpërblimin e familjeve të prekura.

“Ekipet e verifikimit janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur paraprakisht planin me skenarët e dëmshpërblimit dhe po pret përfundimin e verifikimeve për të kaluar në fazën e kompensimit”, tha ai.

Duke iu referuar përvojave të mëparshme, Kryeministri nënvizoi se qeveria ka shlyer borxhet e trashëguara nga përmbytjet e mëparshme dhe nuk ka krijuar më detyrime të tilla ndaj qytetarëve, duke theksuar se kjo është një Shqipëri që nuk i lë më vetëm njerëzit e saj.

“E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më”, deklaroi Rama. J.p

The post Rama: Dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga përmbytjet, prioritet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qarkullimi me zinxhir në disa akse rrugore

11 January 2026 at 09:50


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se reshje dëbore janë regjistruar në zonën veriore dhe juglindore të vendit, duke prekur akse të rëndësishme si Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Razëm, Kukës-Shishtavec, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë, Qafë Bualli-Krastë, Ersekë-Leskovik, Maliq-Kufi Gramsh, Libonik-Rëmbec-Plasë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Zemblak-Dog. Goric dhe Qafë Thanë.

Në disa segmente rrugore qarkullimi kryhet me zinxhir, konkretisht në degëzimin Vermosh-Dogana, aksin Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë-Trau-Teleferik, Krujë-Sarisalltik, si dhe në Qafë Mali-Fierzë.

Ndërkohë, problematika më të theksuara paraqiten në aksin Qafë Thore-Theth, ku rruga është e bllokuar si pasojë e rënies së orteqeve, në Qafë Dushk-Sevaster në kilometrat 10-11, ku qarkullimi zhvillohet me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, si dhe në aksin Përmet-Tre Urat, në zonën e Urës së Petranit, ku janë konstatuar shkarje masive aktive.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë të shtuar, për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore, me qëllim garantimin e qarkullimit normal dhe shmangien e problematikave për përdoruesit e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht kur lëvizin drejt zonave malore ku ka prezencë dëbore.

The post Qarkullimi me zinxhir në disa akse rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vijon puna nga ekipet në këto ditë moti të keq

11 January 2026 at 09:13

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Të gjitha strukturat e shtetit janë angazhuar në terren për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga përmbytjet të shkaktuara si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit që kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se strukturat e emergjencave civile, forcat e ushtrisë, policia, pushteti vendor dhe institucionet e tjera përgjegjëse po punojnë pa ndërprerje për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Sipas Kryeministrit, përveç ndërhyrjeve për evakuimin e banorëve nga zonat më të rrezikuara, ekipet në terren kanë kryer edhe evakuimin e gjësë së gjallë, duke shmangur dëme të mëtejshme për familjet që jetojnë me blegtori. Paralelisht, janë siguruar furnizime me ushqime dhe ndihma bazë për banorët në zonat ku qarkullimi ka qenë i vështirë ose i pamundur, si dhe ushqim për bagëtinë.

“Kemi të gjitha strukturat në gatishmëri të plotë”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se monitorimi i situatës vijon në mënyrë të pandërprerë.

Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në zonat pranë lumenjve dhe përrenjve, ndërsa strukturat përgjegjëse po ndjekin nga afër ecurinë e reshjeve dhe nivelin e ujërave, për të ndërhyrë menjëherë në rast nevoje.

Në zonat ku situata paraqitet më e stabilizuar autoritetet kanë nisur edhe procesin e vlerësimit të dëmeve, me qëllim ndërmarrjen e hapave përkatës për dëmshpërblimin e familjeve dhe rikuperimin e zonave të prekura.

Kryeministri shprehu mirënjohje të veçantë për të gjitha ekipet e angazhuara këto ditë.

“Puna po vijon, mirënjohje për të gjithë ekipet e angazhuara këto ditë në mot të keq”, u shpreh Rama. j.p

1 nga 18
Screenshot
Screenshot
Screenshot

The post Rama: Vijon puna nga ekipet në këto ditë moti të keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Arbana: Strukturat në terren, mbështetje banorëve të prekur nga përmbytjet

9 January 2026 at 20:55

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana bëri të ditur sot se të gjitha strukturat e bashkisë janë të angazhuara për të menaxhuar situatën pas reshjeve të fundit dhe për të mbështetur banorët e prekur nga përmbytjet.

“Bashkia është në terren dhe po punon pa ndërprerje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme familjeve të prekura”, deklaroi ai.

Arbana informoi se tashmë është punuar për pastrimin dhe sistemimin e rrugëve dhe kanaleve kulluese, për të siguruar qarkullimin e lirë dhe sigurinë e qytetarëve. Po ashtu, është bërë kontroll dhe pastrim i pusetave, për parandalimin e përmbytjeve dhe funksionimin normal të rrjetit kullues.

Nga ana tjetër, Arbana tha se është bërë edhe shpërndarja e pakove ushqimore dhe ndihmave për familjet e prekura. Ndërkohë ka nisur edhe puna për vlerësimin dhe dokumentimin e dëmeve në banesa, biznese dhe infrastrukturë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo problematikë pranë strukturave përgjegjëse.

“Bëni vetëdeklarimin e dëmeve nëse nuk jeni kontaktuar ende nga grupet e terrenit”, apeloi Arbana.

1 nga 3

/r.e/

The post Arbana: Strukturat në terren, mbështetje banorëve të prekur nga përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arens Çela emërohet drejtues i Prokurorisë Tiranë, Altin Dumani do të ofrojë ekspertizë në Kosovë

9 January 2026 at 20:40

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi sot prokurorin Arens Çela në drejtimin e Prokurorisë Tiranë për një mandat 3-vjeçar, që përfundon në vitin 2029.

Gjithashtu, Këshilli miratoi kërkesën e prokurorit Altin Dumani për të marrë pjesë si folës dhe ekspert kryesor në trajnimin për prokurorë, hetues dhe gjyqtarë nga Kosova, të organizuar nga ambasada britanike në Prishtinë.

Në vijim, Këshilli nisi procedurat e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatin për drejtues në Prokurorinë e Lezhës, Arben Nika, dhe për kandidatin për riemërim në drejtimin e Prokurorisë Fier, Elion Mustafaj.

Po ashtu, u miratua pezullimi i procedimit disiplinor ndaj magjistratit Dritan Gripshi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

/r.e/

The post Arens Çela emërohet drejtues i Prokurorisë Tiranë, Altin Dumani do të ofrojë ekspertizë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta regjisori i njohur i Teatrit “Migjeni”, Edmond Mëhilli

9 January 2026 at 19:33

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Aktori dhe regjisori i mirënjohur shkodran, Edmond Mëhilli, një figurë e njohur e skenës dhe kulturës shqiptare ndërroi jetë sot, në moshën 79-vjeçare.

Edmond Mëhilli lindi më 23 gusht 1947 në Shkodër. Në vitin 1970 përfundoi Institutin e Lartë të Arteve dhe filloi karrierën si regjisor në Pukë (1970-1974), më pas në Estradën e Shkodrës për 15 vite (1974-1989). Ai ka punuar gjithashtu në Radio Shkodra dhe në Shtëpinë e Kulturës së rrethit të Shkodrës, ndërsa pas vitit 2003 u angazhua në Teatrin “Migjeni”.

Si regjisor, Mëhilli u dallua për trajtimin e hollësishëm të gjestit, fjalës dhe situatave komike, duke i dhënë publikut karaktere të besueshme dhe mizanskena të balancuara.

Në vitin 1980 cilësohet si regjisori më i mirë në Festivalin e Estradave Profesioniste të vendit.

Seria e shfaqjeve “Ditë buzëqeshjesh” në vitet 1983-1984 fitoi çmimin e parë, ndërsa sezonin 1985-1986 u vlerësua si ndër më të mirët në takimet e humorit mes estradave profesioniste të Shkodrës.

Edmond Mëhilli ka vënë në skenë komedinë “Gomari i Baba Tasit” të Gjergj Fishtës (1992) së bashku me trupën e aktorëve të Teatrit “Migjeni”.

Përveç regjisurës, Mhilli ka shkruar disa pjesë skenike, ku spikat drama “Një histori e thjeshtë”. Ndër shfaqjet e tij të njohura pas vitit 2000 është edhe “Ylli i mëngjesit”.

Kontributi i tij ka lënë një gjurmë të rëndësishme në teatrin dhe humorin shqiptar, duke e bërë emrin Edmond Mëhilli një referencë për gjeneratat e reja të artistëve.

Gjithashtu ka luajtur në një rol të vogël në filmin “Militanti”.

Homazhet për Edmond Mëhillin do të zhvillohen më 10 janar, nga ora 09:00 deri në 12:00, në hollin e Teatrit “Migjeni”.

Në një reagim zyrtar, Teatri shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe komunitetin e artistëve.

/r.e/

The post Ndahet nga jeta regjisori i njohur i Teatrit “Migjeni”, Edmond Mëhilli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Riparohet argjinatura e Drojës

9 January 2026 at 19:08

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla bëri të ditur sot se ka përfunduar mbyllja e argjinaturës së lumit të Drojës, duke garantuar funksionimin e plotë të infrastrukturës dhe sigurinë e zonës përreth.

Salla theksoi se ndërhyrja u realizua nga ekipi i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Durrës, i cili punoi pa ndërprerje në terren, pavarësisht kushteve atmosferike jo të favorshme, me përdorimin e dy ekskavatorëve krahëgjatë.

“Falë ndërhyrjes në kohë dhe angazhimit maksimal të strukturave përgjegjëse, u shmangën rreziqe të mëtejshme për përmbytje, duke garantuar mbrojtjen e tokave bujqësore dhe të banesave në zone”, tha ai.

Salla siguroi se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijojnë monitorimin e situatës, në koordinim me institucionet përkatëse.

/r.e/

The post Salla: Riparohet argjinatura e Drojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Cara: Ulet niveli i ujit në fshatrat Adriatik dhe Fushë-Kuqe

9 January 2026 at 18:39

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Shqalsi Cara bëri të ditur sot për ATSH-në se pas ndërhyrjeve për riparimin e argjinaturës së Drojës dhe aktivizimit të kapacitetit të plotë të hidrovoreve, është vënë re një rënie e nivelit të ujit në toka bujqësore dhe kanale kulluese në fshatrat Adriatik dhe Fushë-Kuqe.

“Punimet vijojnë për heqjen e inerteve dhe mbetjeve të grumbulluara në grykëderdhjet e përrenjve dhe kanaleve, si dhe për sistemimin e rrugëve rurale në Fushë-Gjorm dhe Skuraj”, u shpreh ajo.

Cara informoi se gjatë ditës së sotme, grupet e punës janë shpërndarë në terren për evidentimin e dëmeve dhe përgatitjen e dokumentacionit për dëmshpërblim, proces që do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Megjithatë, shprehet Cara, situata mbetet e vështirë, pasi sipas njoftimeve, gjatë natës dhe ditës së shtunë priten reshje shiu me intensitet të lartë, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje të shpejta.

Cara u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre në zonat me rrezik të lartë, që të shmangin çdo lëvizje të panevojshme dhe për çdo nevojë emergjente të kontaktojnë me shtabet e emergjencave civile.

/r.e/

The post Cara: Ulet niveli i ujit në fshatrat Adriatik dhe Fushë-Kuqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prindërit me të ardhura deri në 1,2 milionë lekë përfitojnë kompensim për fëmijët përmes DIVA 2025

9 January 2026 at 17:49

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Prindërit dhe kujdestarët ligjorë me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të mund të përfitojnë këtë vit kompensim ushqimor dhe arsimor për fëmijët në ngarkim, përmes deklaratës vjetore të të ardhurave personale DIVA 2025.

Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, duke ofruar zbritje nga baza tatimore për numrin e fëmijëve dhe shpenzimet e kryera për arsimimin e tyre.

Përfitimi u takon atyre deklarojnë në DIVA 2025 fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore përkatëse, ndërsa kushti kryesor mbetet që të ardhurat e tatueshme vjetore të mos tejkalojnë 1,2 milionë lekë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç aplikohet një zbritje tatimore që korrespondon me shumën prej 48 mijë lekësh, ndërsa për shpenzimet arsimore të fëmijëve në ngarkim parashikohet një zbritje totale deri në 100 mijë lekë.

Kërkesa për përfitimin e këtij kompensimi bëhet vetëm një herë dhe paraqitet nga anëtari i familjes që ka të ardhurat më të larta vjetore, ndërkohë që autoritetet sqarojnë se e drejta për përfitim mbetet edhe në rastet kur individi nuk ka detyrim ligjor për të dorëzuar deklaratën DIVA 2025.

Procesi i rimbursimit realizohet përmes sistemit e-Filing, pas dorëzimit të deklaratës, kur nga përllogaritjet rezulton mbipagesë.

Më pas, aplikuesi duhet të paraqesë një kërkesë për rimbursim në modulin “Çështjet e mia- Pyetje e Përgjithshme”, duke bashkëlidhur dokumentet e nevojshme, përfshirë të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare dhe dokumentacionin justifikues për shpenzimet arsimore, si kontratat me institucionet përkatëse dhe faturat e pagesave, përfshirë edhe ato për kurset e gjuhëve të huaja.

1 nga 3

/r.e/

The post Prindërit me të ardhura deri në 1,2 milionë lekë përfitojnë kompensim për fëmijët përmes DIVA 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIE: Qarkullim normal në akset kryesore dhe stabilizim i furnizimit me energji

9 January 2026 at 17:08

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Strukturat në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë vijuar ndërhyrjet edhe gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme në të gjitha zonat ku janë evidentuar problematika si pasojë e kushteve të motit.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se në të gjithë territorin e vendit grupet e punës kanë qenë dhe vijojnë të jenë në terren për të siguruar mbajtjen hapur të akseve rrugore, si dhe për të garantuar furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për abonentët.

Reshje dëbore raportohen në zonat e Tropojës, Kukësit, Dibrës, Korçës, Shkodrës dhe Pukës, ndërsa kontraktorët janë në gatishmëri me mjete, staf dhe kripë, duke bërë të mundur që qarkullimi rrugor të jetë përgjithësisht normal.

Problematika janë evidentuar në disa segmente rrugore, si në aksin Qafë Dushk-Sevaster, ku po kryhet pastrim dherash dhe qarkullimi vijon me një korsi në kilometrat 10-11, si dhe në aksin Berat-Çorovodë, në zonën e Bogovës, ku ka pasur rënie gurësh dhe shembje të murit pritës dhe po punohet për pastrimin e rrugës.

Aksi Përmet-Çarshovë, në zonën e Petranit, është i hapur me një korsi pas ndërhyrjes provizore, ndërsa në segmentin Valare-Erind-Çajup vijon puna për stabilizimin e një shkarjeje aktive në kilometrin 7+600.

Në aksin Korçë-Dardhë, në kilometrin 9, është konstatuar shkarje anësore e trupit të rrugës dhe situata po monitorohet nga autoritetet përkatëse.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, situata paraqitet më e stabilizuar, megjithëse disa fidera vijojnë të jenë jashtë pune, kryesisht në zonat e thella malore, ku dëbora vështirëson transportin e bazës materiale.

Të gjitha linjat 35 kV dhe nënstacionet janë në punë, ndërsa rrjeti i transmetimit funksionon normalisht, me të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV në operim. Brigadat e linjave dhe të nënstacioneve janë në gatishmëri të plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme.

Në kaskadën e Drinit, prurjet natyrore regjistrohen në nivele të kontrolluara, të cilat llogariten rreth 1400 metra kub në sekondë në HEC-in e Fierzës, 500 metra kub në sekondë në HEC-in e Komanit dhe 60 metra kub në sekondë në HEC-in e Vaut të Dejës.

Në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, në qarkun e Vlorës situata është përmirësuar, ndërsa në fshatin Trevllazër, pompa është stakuar për arsye sigurie dhe furnizimi për banorët po realizohet me orare, duke menaxhuar ujin nga depot.

Në qarkun e Fierit është vënë në funksion stacioni i pompimit në Kafaraj dhe pritet të nisë furnizimi me ujë në të gjithë qytetin e Fierit.

Qarqet e tjera të vendit nuk raportojnë problematika në këtë drejtim.

Ndërkohë, portet e vendit vijojnë aktivitetin normalisht. Në Portin e Durrësit operimet po zhvillohen pa probleme në të gjithë terminalet, ndërsa edhe në portet e Vlorës dhe Sarandës nuk raportohen vështirësi.

Po ashtu, operimet në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” vijojnë normalisht.

1 nga 5

/r.e/

The post MIE: Qarkullim normal në akset kryesore dhe stabilizim i furnizimit me energji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 155 efektivë të FA në terren për përballimin e situatës nga reshjet intensive

9 January 2026 at 16:35

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se efektivë të Komandës Mbështetëse dhe të Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut të Forcës Tokësore janë dislokuar në zonat e prekura nga përmbytjet, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe minimizimin e pasojave nga situatat emergjente.

Aktualisht, mbi 155 efektivë, 37 mjete dhe 7 motopompa janë angazhuar në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Gjirokastër, si dhe në zona të tjera ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja.

Në qarkun e Vlorës janë angazhuar 37 efektivë, 4 mjete, 3 gomone dhe një ambulancë me dy efektivë mjekësorë.

Në Durrës po operojnë 61 efektivë me 17 mjete, 5 gomone dhe 7 agregate motopompa, nga të cilat 4 me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.

Në Gjirokastër janë angazhuar 27 efektivë me 4 mjete, ndërsa në zonën e urës së Mifolit, në fshatin Ferras të qarkut Fier, po punojnë 23 efektivë me 34 mjete dhe një motovarkë.

Ndërkohë, në Kurbin është zhvilluar një operacion xhenier për pastrimin e rrugëve, ku janë angazhuar 3 efektivë dhe 2 mjete.

Ministria siguron se Forcat e Armatosura, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

/r.e/

The post Mbi 155 efektivë të FA në terren për përballimin e situatës nga reshjet intensive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon monitorimi i situatës së reshjeve në Shkodër, vlerësimi i dëmeve në mënyrë të koordinuar

8 January 2026 at 22:34

TIRANËM 8 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur sot se situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa strukturat përgjegjëse janë angazhuar në terren për menaxhimin e emergjencës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Salla mblodhi Shtabin e Emergjencave Civile në ambientet e Prefekturës së Shkodrës, ku u analizua situata aktuale në zonat e prekura, prurjet ujore dhe ndërhyrjet e kryera deri më tani nga strukturat e emergjencave civile dhe pushteti vendor.

Sipas ministrit, prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve. Ai theksoi se të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje sipas nevojës dhe se procesi i vlerësimit të dëmeve do të kryhet në mënyrë të koordinuar, për të garantuar mbështetje sa më të shpejtë për familjet dhe subjektet e dëmtuara. /j.p/

 

The post Vijon monitorimi i situatës së reshjeve në Shkodër, vlerësimi i dëmeve në mënyrë të koordinuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Argjinatura e Ferrasit nuk është çarë, përmbytja e banesave si pasojë e nivelit të lartë të ujit

8 January 2026 at 22:27


TIRANË, 8 janar/ATSH/ Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se argjinatura e Ferrasit nuk është dëmtuar, dhe përmbytja e disa banesave ka ndodhur si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, jo për shkak të një çarjeje të argjinaturës.

Balluku bëri të ditur se në pikën e matjes që po përdoret aktualisht në Memaliaj niveli i ujit është 5,3 metra nga 8 metra që ishte në mëngjes, çka tregon për një rënie të qëndrueshme.

Balluku informoi edhe se ekipet e Emergjencave kanë ndërhyrë duke evakuuar banorët e rrezikuar, ndërsa po punohet në terren për normalizimin e situatës.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, theksoi se argjinatura është e qëndrueshme dhe me uljen e prurjeve edhe në grykderdhjen e Vjosës situata pritet të shkojë drejt përmirësimit.

Sipas tij, hidrovoret deri në Darëzezë janë në kapacitet të plotë dhe po përdoren për të krijuar rezerve në kanalet kulluese.

Sa i përket evakuimit të banorëve, ministri tha se janë krijuar akomodime edhe në Fier dhe Vlorë, në struktura shtetërore dhe hoteliere.

Sipas Vengut, janë evakuuar 20 persona në Bishan dhe 15 familje në Ferras.
Banorët e evakuuar janë strehuar në konvikte të gatshme.

Ndërkohë, një pjesë e banorëve kanë qëndruar në banesat e papërmbytura të zonës, afër banesave të tyre.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi, bëri të ditur se në orët në vijim pritet përmirësimi i situatës. /j.p/

The post Balluku: Argjinatura e Ferrasit nuk është çarë, përmbytja e banesave si pasojë e nivelit të lartë të ujit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSHEE, në gatishmëri për të riparuar çdo defekt nga moti i keq

8 January 2026 at 22:30

TIRANËM 8 janar/ATSH/ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka vendosur të gjitha strukturat në gatishmëri të plotë për riparimin e çdo defekti të mundshëm në rrjetin elektrik, si pasojë e stuhisë së dëborës që ka përfshirë disa zona të vendit, nga Kukësi në Përrenjas dhe nga Librazhdi në Skrapar.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se punonjësit e OSHEE po punojnë pa ndërprerje në terren, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, për të garantuar furnizimin normal me energji elektrike për qytetarët.

Ekipet teknike janë të shpërndara në zonat më të prekura nga reshjet e dëborës dhe era e fortë, duke ndërhyrë menjëherë në çdo rast avarie për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë.

Paralelisht, OSHEE ka vënë në funksion të plotë edhe shërbimin 24-orësh të Call Center-it, ku qytetarët mund të kontaktojnë përmes numrit 042 274 141, për të raportuar problematika apo për t’u informuar mbi situatën e furnizimit me energji elektrike. /j.p/

The post OSHEE, në gatishmëri për të riparuar çdo defekt nga moti i keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌