Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

Policia bllokon segmentin Bogë-Qafë Thore-Theth gjatë natës, rrezik nga orteqet

10 January 2026 at 20:36

TIRANË, 10 janar /ATSH / Policia e Shtetit njofton se, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe rrezikut nga orteqet e dëborës, segmenti rrugor Bogë–Qafë Thore–Theth do të mbetet i bllokuar gjatë natës.

“Sipas analizës së riskut dhe komunikimeve me inxhinierët e firmës kontraktore për mirëmbajtjen e rrugës, qarkullimi i automjeteve nuk do të lejohet gjatë orëve të natës, për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe kufizimit të fushëpamjes.

Kalimi i automjeteve do të lejohet vetëm në raste emergjence dhe vetëm në shoqërim të mjeteve borëpastruese dhe shërbimeve policore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Shtetit apelon drejtuesit e mjeteve që të respektojnë vendimin dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat me rrezik nga orteqet.

/r.e/

The post Policia bllokon segmentin Bogë-Qafë Thore-Theth gjatë natës, rrezik nga orteqet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta e 24 janarit synon bashkimin e frontit opozitar për largimin e qeverisë

10 January 2026 at 20:35

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi sot se protesta e ardhshme e opozitës është caktuar në datën 24 janar. Ai theksoi se kjo protestë nuk ka për qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, por është një shprehje e revoltës qytetare dhe një mesazh i qartë për largimin e qeverisë aktuale, të cilën e cilësoi si “narkoshtet”.

Gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha deklaroi se zemërimi popullor ndaj qeverisë është i jashtëzakonshëm dhe i pakufishëm, ndërsa opozita është e vendosur të vazhdojë deri në fund për largimin e qeverisë dhe denoncimin e korrupsionit dhe amnistimit të fondeve publike.

Ai garantoi gjithashtu se protesta e 24 janarit nuk do të ngjajë me ngjarjet e 21 Janarit dhe nuk do të përdoret dhuna.

“Opozita ka vetëm protesta të llojeve nga më të ndryshmet. Pra, mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë! Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. 21 Janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Rama. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë më datën 12 dhjetor të vitit 1990”, tha Berisha.

Berisha theksoi se pjesëmarrja në protesta nuk lidhet me poste partiake dhe ftoi individët, organizatat dhe forcat politike që nuk ishin të pranishme në takimet e fundit të bashkohen me frontin opozitar, të cilin e përshkroi si një forum të përbashkët për largimin e qeverisë. Ai shtoi se përgjegjësinë për ndryshimin e situatës politike duhet ta marrin qytetarët shqiptarë dhe se zhvillimet e fundit në krahun e opozitës janë pozitive.

“Dje ishte një forum, të themi një takim i gjerë, shumë i gjerë, i të gjitha forcave politike, personaliteteve të botës akademike, shoqërisë civile dhe medieve, personalitete me reputacion, të cilët janë të gatshëm ose janë të vendosur në betejën kundër të keqes që quhet Rilindja apo Edi Rama. Pra, ajo që patë ju dje, aty u mblodhën të gjithë ata të cilët janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati nënvizoi gjithashtu se protestat e vazhdueshme janë e vetmja rrugë për largimin e qeverisë, ndërsa variantet e tjera, sipas tij, janë iluzive. Fronti opozitar, shtoi ai, synon bashkimin e të gjitha forcave që kundërshtojnë qeverinë dhe promovimin e një përpjekjeje mbarëkombëtare për ndryshimin e situatës politike në vend.

/r.e/

The post Berisha: Protesta e 24 janarit synon bashkimin e frontit opozitar për largimin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKT: Riparohet defekti në linjën 400 mm

10 January 2026 at 18:18

TIRANË, 10 janar /ATSH / Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT) njofton banorët e zonave të Institutit dhe Kodër Kamzës se defekti në linjën 400 mm pranë Praktiker – Ura e Institutit është riparuar dhe furnizimi me ujë të pijshëm është rikthyer në normalitet.

Defekti kishte shkaktuar ndërprerje të përkohshme në furnizimin me ujë, ndërsa ekipet teknike të UKT kishin ndërhyrë menjëherë në terren për riparimin e tij.

UKT falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë kohës së ndërprerjes dhe u siguron se po vijon monitorimi i vazhdueshëm i rrjetit të ujësjellësit për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm.

/e.xh/r.e/

The post UKT: Riparohet defekti në linjën 400 mm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: 130 mjete borëpastruese dhe 800 punonjës të ARRSH në terren për të mbajtur hapur akset rrugore

10 January 2026 at 17:48

TIRANË, 10 janar /ATSH / Kryeministri Edi Rama bëri të ditur pasditen e të shtunës se, në kushtet e motit të keq me reshje intensive shiu dhe dëborë të denduar, ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) janë në terren pa ndërprerje, duke punuar ditë e natë për të mbajtur akset rrugore të hapura dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve në lëvizje.

Kryeministri Rama apeloi që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në zonat malore ku reshjet kanë krijuar vështirësi të lëvizshmërisë.

Sipas të dhënave nga ARRSH, Rama tha se, “aktualisht janë në terren: 130 mjete borëpastruese; 577 mjete të tjera për menaxhimin e rrugëve;  800 punonjës të angazhuar për sigurimin e qarkullimit; 5300 tonë kripë; 1800 tonë granil”.

Kryeministri Rama theksoi se këto mjete dhe punonjës po veprojnë në zonat ku paraqitet nevoja për normalizimin e situatës, duke garantuar qarkullimin dhe sigurinë e qytetarëve në të gjithë vendin.

Rama bëri të ditur gjithashtu se punimet do të vijojnë pa ndërprerje deri në normalizimin e plotë të situatës.

/e.xh/r.e/

The post Rama: 130 mjete borëpastruese dhe 800 punonjës të ARRSH në terren për të mbajtur hapur akset rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: Shkarje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, qarkullimi në një krah

10 January 2026 at 17:40

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Qarku i Gjirokastrës është ndër zonat më të goditura nga reshjet intensive të ditëve të fundit.

Në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, tri ditë më parë ndodhi një shkarje masive e dherave që bllokoi qarkullimin e mjeteve.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli inspektoi sot situatën në terren dhe bëri të ditur se, pas ndërhyrjes së menjëhershme së ARRSH dhe kompanisë kontraktore të mirëmbajtjes, qarkullimi i mjeteve është rikthyer me një kah, për shkak se rreshqitja vazhdon të jetë aktive dhe paraqet rrezik.

Shkaku i kësaj situate janë reshjet intensive dhe erozioni i tokës.

Kozeli bëri të ditur se, ARRSH dhe kontraktori do të mbajnë nën monitorim të plotë dhe janë në gadishmëri për të ndërhyrë në çdo kohë që paraqitet nevoja, deri në normalizimin e plotë të situatës, për të eliminuar çdo rrezik për qytetarët.

Kozeli bëri të ditur se, menjëherë pas përmirësimit të situatës ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, duke siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të sigurt për qarkullimin.

/e.xh/r.e/

The post Kozeli: Shkarje dherash në aksin Tepelenë-Gjirokastër, qarkullimi në një krah appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Shtetit apelon për kujdes në qarkullim

10 January 2026 at 17:24

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të automjeteve dhe motomjeteve që të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit për shkak të motit të keq, me reshje shiu, breshëri dhe dëbore, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Sipas njoftimit të policisë, në zonat malore, drejtuesit e automjeteve këshillohen të përdorin goma dimërore dhe të kenë me vete mjetet antirrëshqitëse.

Shërbimet e Policisë po koordinojnë veprimet me firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve në të gjitha zonat e prekura, për të siguruar pastrimin dhe lëvizshmërinë e rrugëve në kohë.

Policia apelon për respektimin e rregullave bazë të qarkullimit: Moderim të shpejtësisë; Mos kryeni parakalime të gabuara; Mos përdorni celularin gjatë drejtimit të mjetit; Mos drejtoni automjetin nën efektin e alkoolit.

Për çdo emergjencë, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin 112, thuhet në njoftimin e policisë.

/e.xh/r.e/

The post Policia e Shtetit apelon për kujdes në qarkullim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve

10 January 2026 at 17:16

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur se në kushtet e reshjeve intensive dhe dëborës, efektivët e Forcave të Armatosura po garantojnë sigurinë e banorëve nga veriu në jug.

Sipas ministrit, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile po koordinojnë dhe menaxhojnë situatën, ndërsa skuadrat xheniere po riparojnë infrastrukturën dhe sigurojnë lëvizshmërinë në të gjitha zonat e prekura.

“I gjithë aparati i mbrojtjes është i angazhuar maksimalisht në mbështetje të strukturave lokale. Aktualisht, mbi 100 efektivë dhe dhjetëra mjete janë angazhuar në qarqet Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Kurbin, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe menaxhimin e situatave emergjente”, u shpreh Vengu.

Sipas tij, në Durrës janë angazhuar 62 efektivë, 18 mjete, 5 motogomone, 12 agregate, 7 motopompa, nga të cilat 4 janë me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.

Në Gjirokastër janë angazhuar 34 efektivë, ndërsa një motopompë po ndihmon forcat për normalizimin e situatës në lagjen “Granicë”.

Në fshatin Obot, në Shkodër, po punojnë 9 efektivë me 2 mjete dhe një varkë, në ndihmë të komunitetit.

Ndërkohë, në Kurbin u zhvillua një operacion xhenier për pastrimin e rrugëve, me angazhimin e 3 efektivëve dhe 2 mjeteve.

Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

Ministri Vengu theksoi se strukturat janë të bashkuara dhe gati për të reaguar në çdo situatë emergjente.

/e.xh/r.e/

The post Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura në terren në ndihmë të qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIE: Probleme nga dëbora në disa akse rrugore, po punohet për hapjen e tyre

10 January 2026 at 17:12

TIRANË, 10 janar/ATSH/ Strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës të shkaktuar nga përkeqësimi i motit.

Pavarësisht kushteve të vështira me reshje shiu dhe dëbore, ekipet e strukturave përkatëse kanë ndërhyrë kudo ku janë raportuar problematika.

Sipas informacionit të MIE-s, reshje dëbore janë regjistruar në akset: Bogë–Theth, Hani i Hotit–Vermosh, Qafë Mali–Fierzë, Surel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar, Ibë–Krrabë–Elbasan, Dardhë dhe Korçë–Voskopojë.

Akset me probleme janë Maliq–Moglicë, hyrja e rrugës nacionale në Himarë, Elbasan–Gjinar (shkarje skarpatash), Ersekë–Leskovik km 6, Kalimash–Fushë Dukagjin, Librazhd–Elbasan dhe Subash, Tepelenë–Gjirokastër.

Sa i takon furnizimit me energji elektrike, në rang vendi janë 22 fidera jashtë pune. Rajonet më të prekura janë Tirana (rrethinat), Lushnja dhe Gjirokastra. Të gjitha linjat 35 kV dhe nënstacionet, si dhe rrjeti që furnizon hidrovoret, funksionojnë normalisht.

Linja 220 kV Burrel–Elbasan 1 vazhdon të jetë e stakuar. Brigadat e OST-së janë në terren për riparimin e defektit. Konsumatorët nuk preken.

Situata në kaskadën e Drinit është: HEC Fierzësasia e prurjeve është 1200 m³/s; në HEC Koman: 350 m³/s; në HEC Vau i Dejës: 100 m³/s.

Lidhur me furnizimin me ujë, MIE bën të ditur se në qarkun Vlorë: Në zonat Trevllazër dhe Karbunarë po kryhen verifikime teknike për vijueshmërinë e shërbimit. Në Himarë është dëmtuar një tub me diametër 40 mm dhe po punohet për zëvendësimin e tij. Në qarqet e tjera nuk raportohen problematika.

Në Portin e Durrësit përpunimi në Terminalin Perëndimor, atë të Kontejnerëve dhe atë Lindor është ndërprerë, por tragetet akostojnë sipas orareve. Në Portin e Vlorës trageti me Brindisin është ankoruar në orar, vazhdon bllokimi i mjeteve të vogla brenda Gjirit të Vlorës. Trageti me Korfuzin nuk u nis nga Porti i Sarandës.

Ndërsa në aeroportin “Nënë Tereza” operimet vijojnë normalisht.

/e.xh/r.e/

The post MIE: Probleme nga dëbora në disa akse rrugore, po punohet për hapjen e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe

10 January 2026 at 16:33

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot se reshjet intensive të shiut gjatë orëve të fundit kanë krijuar problematika në disa qarqe të vendit, përfshirë rritje të prurjeve në lumenj, përmbytje të tokave bujqësore, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.

Situata paraqitet më e rënduar në Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat, ndërsa në qarqet e tjera problemet janë të kufizuara ose situata është e qëndrueshme.

Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe monitorojnë vazhdimisht situatën, ndërsa hidrovoret punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit mbeten nën kuotat kritike.

Në Qarkun Durrës janë verifikuar 5 477 banesa, nga të cilat 1 711 kanë pësuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Në Lezhë, niveli i ujit në tokat bujqësore ka shënuar rënie, por disa banesa vijojnë të jenë të prekura. Lumi Drin është në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë-Mollë.

Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore dhe largimin e ujit nga disa objekte, ndërsa në qarqet Berat dhe Elbasan rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të tokave bujqësore.

Në terren janë angazhuar efektivë të Forcave të Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët asistojnë në transportimin e banorëve, shpërndarjen e ndihmave dhe mbështetjen e operacioneve emergjente sipas nevojave.

Ministria u bën thirrje banorëve të zonave të prekura të kontaktojnë autoritetet vendore për çdo nevojë dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren për menaxhimin sa më efektiv të situatës.

/e.xh/r.e/

The post MM: Situatë e rënduar nga reshjet në disa qarqe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata në bashkinë Shkodër e qëndrueshme, nivelet e ujit nën kuotat kritike

10 January 2026 at 15:30

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Situata në territorin e bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme, me nivele uji nën kuotat kritike dhe pa problematika të evidentuara, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës.

Kështu shkruan sot kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, duke shtuar se, “nivelet e ujit në lumenjtë Bunë dhe Drin mbeten të kontrolluara dhe brenda parametrave të sigurisë. Megjithatë, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar një rritje e niveleve me rreth 10–20 centimetra krahasuar me një ditë më parë, pa sjellë pasoja për zonat e banuara”.

Kryeministri theksoi se në të gjithë territorin e bashkisë Shkodër nuk raportohet asnjë banesë e përmbytur dhe nuk ka prezencë uji në banesa. Ai shtoi se situata po ndiqet nga afër nga strukturat vendore dhe qendrore, të cilat janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast nevoje.

Rama informoi gjithashtu se bashkia Shkodër ndodhet në monitorim të vazhdueshëm dhe se po vërehet një tendencë e tërheqjes së ujit nga zonat ku ka pasur prani të tij në ditët e mëparshme.

Institucionet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave përgjegjëse, ndërsa monitorimi i situatës hidrike do të vijojë në mënyrë të pandërprerë.

/e.xh/r.e/

The post Situata në bashkinë Shkodër e qëndrueshme, nivelet e ujit nën kuotat kritike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhvillohet faza e dytë e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë

10 January 2026 at 15:18

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kjo e shtunë i gjen në banka nxënësit olimpiadistë të Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë, të cilët po marrin pjesë në fazën e dytë të këtij konkurrimi kombëtar, që zhvillohet njëkohësisht në Tiranë, Vlorë, Berat, Shkodër dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro e cilësoi këtë aktivitet si një moment të rëndësishëm për nxitjen e dijes dhe pasionit për shkencën, veçanërisht për Biologjinë.

Sipas saj, kjo fazë e olimpiadës përfaqëson një hap të rëndësishëm në evidentimin e talenteve të reja dhe potencialeve akademike të nxënësve shqiptarë.

“Është një ditë në të cilën investimi në dije dhe pasioni për shkencën e Biologjisë do të përkthehen në rezultate konkrete, që zbulojnë potencialet e nxënësve”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi se aktivitetet shkencore do të vijojnë edhe në javët në vijim, me Festivalin e Shkencës, ku idetë më të mira të nxënësve do të kenë mundësinë të transformohen në produkte dhe projekte frymëzuese.

Sipas ministres, këto iniciativa kontribuojnë në konsolidimin e një modeli suksesi në shkollat shqiptare, duke nxitur mendimin kritik, kërkimin shkencor dhe inovacionin që në moshë të hershme.

Olimpiada Kombëtare e Biologjisë synon të identifikojë dhe mbështesë nxënësit më të talentuar në këtë fushë, si dhe të promovojë interesin për shkencat natyrore në sistemin arsimor shqiptar.

/e.xh/r.e/

The post Zhvillohet faza e dytë e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: 1600 punonjës dhe 186 mjete të OSHEE-së ndodhen në terren

10 January 2026 at 15:12

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës dhe temperaturat e ulëta kanë sjellë vështirësi në veri dhe verilindje të vendit, por furnizimi me energji elektrike po garantohet falë angazhimit të vazhdueshëm të ekipeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur se OSHEE ka angazhuar 1600 punonjës dhe 186 mjete në terren, të cilët po punojnë në kushte të vështira atmosferike për përballimin e problematikave të shkaktuara nga moti dhe për riparimin e rrjetit energjetik.

Sipas Ballukut, ekipet janë të shpërndara në të gjitha zonat e prekura, duke ndërhyrë në kohë reale për të shmangur ndërprerjet dhe për të rikthyer sa më shpejt furnizimin me energji elektrike aty ku janë evidentuar probleme.

“Pavarësisht kushteve të vështira të motit, strukturat e OSHEE-së ndodhen në gatishmëri të plotë për të garantuar furnizim pa ndërprerje për abonentët kudo në vend”, u shpreh Balluku.

Ajo theksoi se situata po monitorohet në mënyrë të pandërprerë dhe se ka koordinim të vazhdueshëm mes strukturave qendrore dhe atyre në terren, me qëllim reagimin e menjëhershëm ndaj çdo defekti të mundshëm.

MIE u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në kushtet e motit të keq dhe të raportojnë çdo problematikë të konstatuar në rrjetin energjetik, ndërsa ekipet e OSHEE-së vijojnë punën për të siguruar furnizim normal me energji elektrike në të gjithë vendin.

/e.xh/r.e/

The post Balluku: 1600 punonjës dhe 186 mjete të OSHEE-së ndodhen në terren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protestat e vazhdueshme, rruga e vetme për largimin e qeverisë

10 January 2026 at 14:36

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se fronti opozitar nuk ka si qëllim dominimin e një force politike mbi të tjerat, por krijimin e një fryme të gjerë bashkimi për largimin e qeverisë aktuale nga pushteti.

Në mbledhjen e sotme të kryesisë së PD-së, Berisha u ndal te takimi i zhvilluar një ditë më parë me përfaqësues të shoqërisë civile dhe forca të ndryshme politike, të cilin e cilësoi si jashtëzakonisht të rëndësishëm.

“U bashkuam kundër një të keqeje të përbashkët dhe aty erdhën të gjithë ata që besojnë se Edi Rama është e keqja më e madhe e këtij vendi. Ishte një akt i guximshëm dhe i përgjegjshëm qytetar”, u shpreh Berisha, duke shtuar se opozita do të vijojë dialogun me këto grupe për të dëgjuar zërin dhe këshillat e tyre.

Ai ftoi individë, organizata dhe forca të tjera politike që nuk ishin të pranishme në takim t’i bashkohen frontit opozitar, të cilin e përshkroi si një forum të përbashkët për largimin e qeverisë aktuale. Sipas Berishës, ky front synon institucionalizimin dhe shtrirjen e tij edhe në rrethe e qarqe, në funksion të një përpjekjeje mbarëkombëtare.

Gjatë fjalës së tij, Berisha njoftoi gjithashtu se kryesia e PD-së do të përcaktojë datën e protestës së ardhshme, duke theksuar se protestat e vazhdueshme janë e vetmja rrugë për largimin e qeverisë.

“Koha për protestë ka kaluar. Rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është kalimi në protestë të vazhdueshme. Variantet e tjera janë iluzive”, deklaroi ai.

Berisha shtoi se përgjegjësinë për ndryshimin e situatës politike duhet ta marrin qytetarët shqiptarë, ndërsa u shpreh se zhvillimet e fundit në krahun e opozitës janë pozitive.

/e.xh/r.e/

The post Berisha: Protestat e vazhdueshme, rruga e vetme për largimin e qeverisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 9 January 2026Main stream

Salla: Hidrovoret funksionojnë me kapacitet të plotë, vijon rehabilitimi i argjinaturave

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se situata e krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit po shënon përmirësim të ndjeshëm, si pasojë e uljes së reshjeve gjatë 24 orëve të fundit, por edhe punës së kryer nga strukturat e emergjencave në terren.

Sipas ministrit, në disa prej lumenjve kryesorë janë regjistruar ulje të niveleve të ujit, ndërsa strukturat e kullimit dhe hidrovoret po funksionojnë me kapacitet të plotë për të përballuar situatën dhe për të tërhequr ujërat nga zonat e prekura bujqësore.

“Ndërhyrjet në terren vijojnë pa ndërprerje. Mjetet e rënda janë angazhuar në rehabilitimin e argjinaturave, duke ndihmuar në mbrojtjen e tokave bujqësore dhe në rikthimin gradual të normalitetit”, u shpreh ministri Salla.

Ai theksoi se ekipet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë të angazhuara në të gjithë territorin e vendit, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe institucionet përkatëse, për menaxhimin e situatës dhe për të garantuar reagim të shpejtë ndaj çdo problematike.

Ministri Salla nënvizoi se puna në terren do të vijojë deri në normalizimin e plotë të situatës, ndërsa paralelisht po kryhet vlerësimi i dëmeve në bujqësi, me qëllim pasqyrimin e saktë të ndikimit të reshjeve dhe marrjen e masave të nevojshme mbështetëse për fermerët e prekur.

/e.xh/a.f/

The post Salla: Hidrovoret funksionojnë me kapacitet të plotë, vijon rehabilitimi i argjinaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet dollari me 0,24 lekë, euroja e qëndrueshme

TIRANË, 9 janar /ATSH/  Në tregun e brendshëm të këmbimit valutor, të premten dollari amerikan fitoi pikë kundrejt lekut, ndërsa euroja ruajti nivele të qëndrueshme, krahasuar me një ditë më parë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euroja këmbehet me 96,56 lekë, duke mos patur asnjë ndryshim nga një ditë më parë. Nga krahu tjetër, dollari u ngjit me 0,24 pikë, duke u këmbyer me 82,92 lekë.

Ndërkohë, paundi britanik u forcua me 0,05 lekë dhe këmbehet me 111,16 lekë dhe franga zvicerane u nënçmua me 0,11 lekë dhe këmbehet me 103,66 lekë.

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.92 +0.24
Euro EUR 96.56 0.00
Poundi Britanik GBP 111.16 +0.05
Franga Zvicerane CHF 103.66 -0.11
Jeni Japonez (100) JPY 52.60 -0.17
Dollari Australian AUD 55.38 +0.03
Dollari Kanadez CAD 59.78 +0.20
Korona Suedeze SEK 8.99 +0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.22 +0.04
Korona Daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.32 +0.25
Ari(OZ 1) XAU 370657.38 +4,220.84
Argjend(OZ 1) XAG 6464.92 +195.63
Juani Kinez (onshore) CNY 11.87 +0.05
Juani Kinez (offshore) CNH 11.88 +0.04
Lira Turke TRY 1.93 +0.01

The post Forcohet dollari me 0,24 lekë, euroja e qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çmimet e konsumit në rritje të lehtë, inflacioni në dhjetor 2,3%

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Rritja e çmimeve të qirave dhe ushqimeve ka ndikuar në inflacionin e muajit dhjetor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Ky zhvillim pasqyron ndikimin e kostove të jetesës dhe ndryshimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të konsumit ushqimor gjatë periudhës festive.

Sipas INSTAT, çmimet e konsumit në muajin dhjetor 2025 u rritën 2,3 % nga 2,1% që ishte një vit më parë, bëri të ditur INSTAT.

Ndërsa ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin dhjetor 2025, krahasuar me nëntor 2025 është 0,7%. Rritja mesatare vjetore e çmimeve të konsumit në vitin 2025 është 2,2%, njësoj si një vit më parë.

INSTAT bën të ditur se, çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” u rritën me 0,96 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,56 pikë përqindje.

Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” kontribuuan me 0,16 pikë përqindje në rritjen e përgjithshme të çmimeve, pasuar nga grupi “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,15 pikë përqindje dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,11 pikë përqindje.

Rritje u shënuan gjithashtu edhe nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,10 pikë përqindje, “Argëtim dhe kulturë” me 0,08 pikë përqindje, “Shërbimi arsimor” me 0,06 pikë përqindje dhe “Komunikimi” me 0,03 pikë përqindje. Ndërkohë, grupet “Veshje dhe këpucë”, “Shëndeti” dhe “Transporti” ndikuan secili me 0,02 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin dhjetor 2024, rritja më e madhe e çmimeve u vërejt në grupin “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me 4,8%, pasuar nga “Argëtim dhe kulturë” me 3,6% dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,6%. Më tej, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” u rritën me 2,2%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,1%, ndërsa “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” shënuan rritje prej 1,9% secili. Rritje u shënuan edhe në grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,6%, “Komunikimi” me 0,9%, “Shëndeti” me 0,5%, “Veshje dhe këpucë” me 0,4% dhe “Transporti” me 0,3%.

Brenda grupit të ushqimeve, rritja më e lartë e çmimeve u regjistrua në nëngrupin “Qumësht, djathë dhe vezë”, me 4,4%, pasuar nga “Peshk” dhe “Vajra dhe yndyrna” me nga 3,8% secili, “Mish” me 2,3% dhe “Fruta” me 0,4%, ndër të tjera.

/e.xh/a.f/

 

The post Çmimet e konsumit në rritje të lehtë, inflacioni në dhjetor 2,3% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Regjistri i vreshtave, dorëzimi i deklaratave nga operatorët brenda 15 janarit

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Të gjithë operatorët e regjistruar në regjistrin e vreshtave, përfshirë vjelësit, prodhuesit, përpunuesit dhe mbushësit e shisheve, janë të detyruar të dorëzojnë deklaratat e prodhimit dhe të stoqeve sipas rregullores së re të publikuar në Fletoren Zyrtare.

Deklarata e prodhimit për vitin aktual të verës duhet të dorëzohet deri më 15 janar dhe duhet të përmbajë identitetin e prodhuesit; vendin ku mbahen produktet; kategorinë e produkteve të përdorura rrush, musht rrushi ose verë në fermentim; furnizuesit dhe vëllimin e produkteve, të ndara sipas ngjyrës dhe kategorisë.

Formulari i deklaratës dorëzohet pranë Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor të qarkut përkatës dhe duhet të dorëzohet edhe nëse prodhimi ka qenë zero.

Po ashtu, deklarata e stoqeve duhet të dorëzohet deri më 10 shtator, duke përfshirë identitetin dhe vendin ku mbahen produktet. Vjelësit janë të detyruar të dorëzojnë deklaratën e vjeljes deri më 15 janar, duke specifikuar sipërfaqen e mbjellë, sasitë e rrushit të vjelë dhe destinacionin e tij.

Rregullorja parashikon kontroll të sipërfaqeve të mbjella dhe sanksione administrative për operatorët që nuk e zbatojnë atë, me qëllim mbajtjen e një regjistri të përditësuar dhe të saktë të prodhimit të verës në vend.

/e.xh/a.f/

The post Regjistri i vreshtave, dorëzimi i deklaratave nga operatorët brenda 15 janarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Mbi 50 milionë euro në dispozicion për përballimin e pasojave të motit të keq

TIRANË, 9 janar /ATSH/ Mbi 50 milionë euro janë vënë në dispozicion për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq i ditëve të fundit, si pasojë e nivelit tejet të lartë të reshjeve të shiut, bëri të ditur ministri i Financave, Petrit Malaj.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, të drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, Malaj sqaroi se këto fonde janë të ndara në disa zëra buxhetorë, të dedikuar si për menaxhimin e emergjencave, ashtu edhe për parandalimin e fatkeqësive natyrore.

“Në total, kemi mbi 50 milionë euro në dispozicion dhe të disponueshme për përballimin e situatës së krijuar nga moti i keq. Në programin e Emergjencave Civile janë parashikuar 30 milionë euro, nga të cilat 15 milionë euro janë alokuar për financimin e projekteve dhe veprave që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore”, deklaroi Malaj.

Sipas ministrit të Financave, një tjetër instrument i rëndësishëm është fondi i kushtëzuar për Emergjencat Civile, me vlerë 10 milionë euro, i cili menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e qeverisjes vendore sipas një metodologjie të bazuar mbi nivelin e riskut.

“Gjithashtu, kemi fondin rezervë të Këshillit të Ministrave, me vlerë 25 milionë euro, i cili do të vihet në dispozicion të nevojave konkrete, në bazë të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga kjo situatë”, tha Malaj.

Ai shtoi se është parashikuar edhe fondi për digat dhe rezervuarët, me një vlerë totale prej 5 milionë eurosh, i dedikuar për financimin e ndërhyrjeve dhe investimeve në infrastrukturën ujore.

Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile u mblodh sot në Tiranë, nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, për të përditësuar situatën e krijuar nga moti shumë i keq i ditëve të fundit dhe për të koordinuar masat ndërinstitucionale për përballimin e pasojave në zonat e prekura.

/e.xh/a.f/

 

The post Malaj: Mbi 50 milionë euro në dispozicion për përballimin e pasojave të motit të keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ndotja mjedisore dhe problemet e sigurisë teknike të mjeteve mbeten shqetësime kryesore në qarkullimin rrugor.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga mbi 338 mijë testime të kryera gjatë vitit, 81.065 automjete u refuzuan, duke përbërë 23,5 për qind të totalit. Arsyet kryesore të refuzimit lidhen me shkarkimin e gazrave mbi normat e lejuara, defektet vizuale, problemet në sistemin e frenimit, si dhe mangësitë në drejtim dhe pezullim.

Konkretisht, 37,6 për qind e refuzimeve erdhën për shkak të ndotjes nga gazrat, 34,4 për qind për defekte vizuale, 15,2 për qind për probleme me frenat dhe 12,8 për qind për defekte në drejtim dhe pezullim.

DPSHTRR bën të ditur se, pas ndërhyrjeve dhe riparimeve, 73.230 automjete u ritestuan dhe kaluan me sukses kontrollin teknik, ndërsa 7502 mjete vijojnë të jenë ende në pritje të riparimit. Ndërkohë, 333 automjete u refuzuan përfundimisht gjatë vitit 2025, pasi u konstatua manipulim i odometrit, një shkelje që cenon drejtpërdrejt sigurinë rrugore.

DPSHTRR thekson se kontrolli teknik mbetet një element kyç për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe reduktimin e ndotjes mjedisore, teksa i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë standardet e kërkuara për qarkullim të sigurt.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Paketë dëmshpërblimi për banesat dhe bujqësinë

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka inspektuar sot në terren situatën e rënduar nga përmbytjet në zonën e Urës së Mifolit (Fier) shkaktuar nga reshjet intensive.

Balluku bëri të ditur se prioritet është shpëtimi i gjësë së gjallë, ndërsa informoi se Kryeministri po përgatit një paketë dëmshpërblimi që do të përfshijë si banesat, ashtu edhe pasuritë bujqësore.

Ajo njoftoi gjithashtu se nesër do të zhvillohet një mbledhje e Komitetit të Emergjencave, ku Kryeministri do të bëjë një adresim për masat urgjente dhe ndërhyrjet e nevojshme.

“U bëjmë thirrje qytetarëve t’u përgjigjen thirrjeve të Emergjencave Civile dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur rreziqet, pasi situata mund të agravojë”, tha ministrja Balluku.

Ajo shtoi se pritet një rënie graduale e nivelit të Vjosës – ndikuar edhe nga reshjet në Greqi – dhe situata do të monitorohet në orët dhe ditët në vijim.

“Kemi të gjithë angazhimin e duhur për mbrojtjen dhe për shpëtimin e gjësë së gjallë në këtë moment. Duhet të jeni në dijeni se Kryeministri bashkë me Ministrinë e Financave është duke dizenjuar një paketë që do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore, dhe për banesat”, tha Balluku.

“Nesër në mëngjes, – shtoi ajo, – do ketë një mbledhje të komitetit të emergjencave ndërqeveritare, ku do të bëhet edhe një adresim nga Kryeministri, jo vetëm për zgjidhjen e situatës, por edhe për përballimin e të gjithë kësaj situate, por edhe për aspekte të tjera të rëndësishme që duhen bërë të ditura. Në këtë moment u bëj thirrje dhe u kërkojmë qytetarëve t’u përgjigjen thirrjeve të emergjencave civile.”

“Kemi shpresë për një rënie të nivelit të Vjosës që ndikohet edhe nga reshjet në vendin tonë, por edhe në Greqi në këto momente, por shpresojmë që në orët e ardhshme do të përmirësohet situata”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja informoi se sistemi energjetik ka funksionuar shumë mirë, pavarësisht kushteve të vështira të motit, pa ndërprerje të gjata të energjisë, qoftë nga linjat e transmetimit të OST, qoftë nga OSHEE.

Ndërsa theksoi se, gjatë 24 orëve të ardhshme priten erëra të fuqishme në disa zona, që mund të arrijnë deri në 17 m/s, ndërsa më vonë shpejtësia e erës pritet të arrijë deri në 25 m/s, teksa reshjet e borës kanë nisur në rajonet veriore dhe juglindore, duke krijuar një situatë kritike, ndaj ekipet janë në terren për ta përballuar.

“Situata është e ndjeshme edhe për furnizimin me ujë: në Fier, katër pompa ndodhen nën ujë, por qyteti po furnizohet normalisht, dhe do të ketë vëmendje maksimale për menaxhimin e energjisë dhe ujësjellësve”, deklaroi ajo.

Ekipet e emergjencave dhe institucionet lokale vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e banorëve të prekur.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Balluku: Paketë dëmshpërblimi për banesat dhe bujqësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌