Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

KQZ vendos të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit

13 January 2026 at 16:14


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në 10 komuna rinumërimi do të bëhet në tërësi, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10 për qind e vendvotimeve.

Sipas KQZ-së, vendimi u mor pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ), i cili gjatë kontrollit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit kishte evidentuar mospërputhje mes votave të numëruara dhe atyre të shënuara në fletëvotime.

Më pas, SKQZ-ja ka kryer verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve në 2 për qind të vendvotimeve, ose 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.

“Kuptohet se deri më 12 janar janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me ato të evidentuara në fletëvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.

Në bazë të këtyre gjetjeve, KQZ-ja ka vendosur që rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të bëhet në 10 komuna: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.

Ndërsa në 28 komunat e tjera do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve. Këto janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë anëtarët e ekipeve të numërimit.

Rinumërimi do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nis sot, më 13 janar, në orën 18:00. /Telegrafi/

IKShPK: Uji nga Badoci nuk rekomandohet për pije

13 January 2026 at 16:09


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se, për shkak të rritjes së vlerave të turbullirës në ujin e prodhuar nga fabrika për trajtimin e ujit “Badoc”, qytetarët nuk duhet ta konsumojnë atë deri në njoftimin e ardhshëm nga autoritetet shëndetësore.

Sipas IKShPK-së, rritja e turbullirës mund të ndikojë në cilësinë e ujit dhe për këtë arsye instituti paralajmëron që uji të mos përdoret për pije derisa situata të normalizohet.

“IKShPK, në bashkëpunim të ngushtë me KRU ‘Prishtina’, po e monitoron situatën me ujë të pijshëm dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar që qytetarët të kenë akses në ujë të sigurt për konsum,” thuhet në njoftimin për media.

Instituti thekson se qytetarët duhet të tregojnë kujdes dhe të ndjekin rekomandimet zyrtare deri në përmirësimin e cilësisë së ujit.

Autoritetet po vazhdojnë analizat laboratorike dhe do të njoftojnë publikun menjëherë pas normalizimit të situatës. /Telegrafi/


Pas dy dekadash, Shyhrete Berisha fiton përfundimisht të drejtën pronësore mbi shtëpinë

13 January 2026 at 15:27


Pas 20 vitesh betejë ligjore me familjen e bashkëshortit, Shyhrete Berisha ka fituar të drejtën e shtëpisë në të cilën jetoi me bashkëshortin dhe fëmijët, të cilët u vranë gjatë luftës.

Rasti është aprovuar nga shkalla përfundimtare e Gjykatës së Apelit.

Gjatë luftës, Shyhrete Berisha, ishte detyruar që të kërcej nga një kamion i ushtrisë serbe që po barte aro 50 viktimat e familjes Berisha nga Suhareka, si formë e vetme për të shpëtuar.

Nga krejt viktimat në kamion, Shyhrete Berisha kishte shpëtuar së bashku me djalin, Gramosin dhe kushëriren Vjosa. Ajo kishte arritur që të mbes gjallë, të kalojë edhe sfida të tjera me rrezik vdekjeprurës deri në përfundim të luftës.

Por lufta, për Shyhrete Berishës nuk kishte përfunduar.

Ajo kishte humbur bashkëshortin dhe katër fëmijët të cilët ishin vrarë barbarisht nga forcat e ushtrisë serbe, e bashkë me të kishte kuptuar se ka humbur edhe shtëpinë

Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë. Kështu kishte vendosur në 2017-tën Gjykata Themelore e Prizrenit – Dega në Suharekë, në aktgjykimin e saj për këtë çështje.

Dy të paditurve, Arben e Xhelal Berishës, u ishte lënë mundësia alternative që Shyhrete Berishës t’ia paguajnë shumën prej 130 mijë eurosh, aq sa është vlerësuar pjesa e shtëpisë.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, përveç gjysmës së shtëpisë ku kishte jetuar, ka vërtetuar se Berisha gëzon të drejtën e pronësisë edhe në dy prona të tjera./GAZETA10/

Përleshje mes të miturve në Gjakovë, njëri prej tyre theret me thikë

13 January 2026 at 15:15


Një përleshje fizike mes disa personave të mitur ka ndodhur sot rreth orës 12:30, në rrugën “Beqir Kastrati” në Gjakovë, ku si pasojë një person ka mbetur i plagosur.

Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi e cila bëri të ditur se viktima ka pësuar lëndime trupore nga një mjet i mprehtë.

Sipas saj, i mituri i lënduar ka marrë trajtim mjekësor fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Gjakovës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejmë.

Krasniqi shtoi se viktima është intervistuar në prani të prindit, ndërsa njëri nga të dyshuarit është duke u intervistuar nga policia.

“Njësitë relevante policore kanë reaguar menjëherë ndaj rastit dhe po vazhdojnë me veprime hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit”, ka deklaruar ajo.

Hetimet lidhur me këtë rast janë në vazhdim. /Telegrafi/

Si u besua fotografia e rreme e “Fantazmës së Prishtinës”? Ekspertët flasin për rrezikun e imazheve të gjeneruara nga AI

13 January 2026 at 15:05


Rasti i fundit i “Fantazmës së Prishtinës”, e cila ishte një fotografi e fabrikuar u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale dhe u publikua edhe nga disa media pa verifikim të fakteve, ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqesin imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale (AI) dhe ndikimin e tyre në perceptimin e publikut për realitetin.

Ky rast, tregoi se sa lehtë një përmbajtje e rreme vizuale mund të merret si e vërtetë dhe të prodhojë dezinformim masiv.

Lidhur me këtë rast, për Telegrafin kanë folur Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID, dhe Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike dhe zhvillues i softuerit për kompaninë amerikane The Daily Wire, të cilët shpjegojnë pse imazhet e gjeneruara nga AI janë gjithnjë e më bindëse dhe pse publiku shpesh u beson atyre.

Sipas Rizanajt, besueshmëria e fotografive të krijuara nga AI varet shumë nga tema që ato paraqesin.

“Kjo varet nga përmbajtja që publikohet. Nëse përmbajtja lidhet me tema për të cilat ka shumë informacion vizual në internet, atëherë mundësia që këto foto të duken origjinale, reale dhe më të besueshme është shumë më e madhe. Megjithatë, ekzistojnë edhe raste kur gjenerohen përmbajtje me cilësi të ulët, të njohura si ‘slop AI’,” thotë ai.

Festim Rizanaj nga HIBRID

Edhe Fetahaj thekson se zhvillimi teknologjik e ka bërë dallimin mes reales dhe të rremes gjithnjë e më të vështirë.

“Fotot dhe videot e gjeneruara nga AI mund të duken shumë të besueshme, sidomos për një sy të patrajnuar. Teknologjia ka avancuar ndjeshëm dhe në shumë raste e bën të vështirë dallimin mes përmbajtjes së gjeneruar dhe asaj reale, veçanërisht kur imazhet shihen shpejt dhe pa verifikim,” shprehet ai për Telegrafin.

Një nga arsyet pse raste si “Fantazma e Prishtinës” arrijnë të bindin një pjesë të publikut lidhet me mënyrën se si njerëzit e përpunojnë informacionin.

Rizanaj shpjegon se “forma e komunikimit përmes imazheve është më e lehtë sepse nuk kërkon shumë angazhim të trurit për t’u kuptuar, ndërsa teksti i shkruar kërkon përqendrim dhe analizë për të kuptuar faktet që përmban”.

Në të njëjtën linjë, Fetahaj vëren ndikimin e rrjeteve sociale në këtë sjellje.

“Sot është bërë trend që informacioni të merret më shumë nga imazhet dhe videot sesa nga artikujt e shkruar. Rrjetet sociale kanë ndikuar shumë në këtë sjellje, sidomos platformat me përmbajtje të shpejtë si TikTok, ku njerëzit konsumojnë informacion në pak sekonda dhe rrallë ndalen të lexojnë burime të plota”, ka theksuar Fetahaj për Telegrafin.

Sa i përket ndikimit në perceptimin e ngjarjeve reale, hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj thekson se besimi i publikut shpesh lidhet me bindjet personale.

“Varet nga rastet. Për shembull, në aspektin politik, nëse përmbajtja i përshtatet bindjeve ose qëndrimeve të personit që e sheh, atëherë mundësia për t’i besuar është më e madhe. Po ashtu, edhe në raste të krizave të caktuara, kur publikohen imazhe që lidhen me ngjarjen, besueshmëria e tyre mund të rritet,” thotë ai.

Ndërkaq inxhinieri i kibernetikës, Kastriot Fetahaj paralajmëron se pasojat mund të jenë serioze.

“Këto imazhe mund të shkaktojnë konfuzion dhe të deformojnë perceptimin e publikut, sepse shumë njerëz nuk e marrin mundin të lexojnë kontekstin, burimin apo sqarimet. Shpesh, ajo që shohin e marrin si ‘informacionin e parë’ dhe kanë prirje t’i besojnë, edhe kur është e rreme ose e manipuluar”, ka shtuar Fetahaj.

Të dy ekspertët pajtohen se nevojiten mekanizma rregullues, por qasjet dallojnë. Rizanaj thekson domosdoshmërinë e rregullimit dhe transparencës.

“Po, duhet të ketë rregullim të qartë për përmbajtjet e krijuara nga AI, sidomos në platformat e mediave sociale, duke kërkuar që ato të identifikohen dhe etiketohen si përmbajtje të gjeneruara nga AI. Përveç kësaj, është e nevojshme të ketë edhe edukim për publikun, për ta njohur dhe kuptuar natyrën e këtyre përmbajtjeve”, ka deklaruar Rizanaj.

Kastriot Fetahaj

Ndërsa Fetahaj vlerëson se kufizimet ligjore janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë.

“Vendosja e kufizimeve ligjore është e vështirë, sepse edhe identifikimi i imazheve të gjeneruara nga AI nuk është gjithmonë i lehtë dhe shpesh kërkon analiza të detajuara ose mjete të specializuara,” thotë ai.

Fetahaj ka shtuar se një qasje më efektive mund të jetë ndalimi dhe penalizimi i shpërndarjes mashtruese (kur paraqitet si e vërtetë), si dhe përmirësimi i raportimit dhe heqjes së shpejtë të përmbajtjes nga platformat sociale sapo identifikohet.

Në fund, çështja e përgjegjësisë mbetet kyçe. Rizanaj thekson se përgjegjësinë duhet ta mbajë faqja ose llogaria në mediat sociale që e publikon imazhin duke nënvizuar vështirësinë e identifikimit të autorëve të vërtetë.

“Për këtë arsye, rregullime ligjore dhe mekanizma mbikëqyrës janë të nevojshme për të siguruar që përmbajtjet mashtruese të jenë të ndëshkueshme dhe për të mbrojtur publikun nga dëmet që mund të shkaktojnë”, shprehet ai.

Kurse Fetahaj shton se përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë personi që e shpërndan imazhin duke e paraqitur si të vërtetë, sidomos kur kjo shkakton dëm, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të madh mes institucioneve të sigurisë dhe platformave sociale.

“Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me platformat e rrjeteve sociale për të ndalur përhapjen, për të kërkuar të dhëna kur ka raste dëmi, dhe për të mundësuar identifikimin e personave përgjegjës. Në praktikë, kjo nuk po funksionon gjithmonë si duhet, dhe në shumë raste institucionet kanë qenë të kufizuara ose joefektive për të ndërmarrë veprime konkrete”, u shpreh inxhineri i kibernetikës.

Rasti i “Fantazmës së Prishtinës” mbetet një shembull konkret se si mungesa e verifikimit dhe fuqia e imazheve të rreme mund të çojnë në dezinformim, duke nxitur debat për përgjegjësinë e mediave, platformave dhe vetë publikut në epokën e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/


Krim i organizuar dhe trafikim narkotikësh - kërkohet paraburgim për të dënuarin para ekstradimit në Shqipëri

13 January 2026 at 14:47


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj E.Th., para pranimit të kërkesës për ekstradim, në bazë të Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit, kërkesa për paraburgim është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, mbi dyshimin e bazuar se E.Th. është i dënuar nga gjykata kompetente në Republikën e Shqipërisë për disa vepra të rënda penale.

Prokuroria Speciale bën të ditur se E.Th. është dënuar për veprat penale sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, përfshirë: Trafikimin e narkotikëve, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, futjen ose mbajtjen e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Sipas Prokurorisë, masa e paraburgimit është kërkuar me qëllim të sigurimit të pranisë së të dyshuarit deri në përfundimin e procedurave për ekstradim drejt Republikës së Shqipërisë. /Telegrafi/

Lëshonte raporte të rreme mjekësore për para, aktakuzë ndaj mjekut në Vushtrri

13 January 2026 at 14:41


Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj mjekut nga Vushtrria, A.V., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në vazhdim”, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se gjatë periudhës 20 korrik 2025 – 28 tetor 2025, në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Vushtrri, në cilësinë e specialistit të mjekësisë familjare, ka vepruar me dashje me qëllim të përfitimit material.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se mjeku ka lëshuar raporte mjekësore pa bazë shëndetësore, duke u mundësuar pacientëve përfitime të kundërligjshme.

“I pandehuri ka lëshuar raporte mjekësore sipas kërkesës së pacientëve, duke e ditur se personat në fjalë nuk vuajnë nga sëmundje të tilla, madje i ka pyetur se çfarë diagnoze t’ua shënojë, me qëllim që këto raporte të përdoren për hapjen e pushimeve mjekësore në kundërshtim me Ligjin e Punës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, A.V. dyshohet se ka përshkruar barna sipas rekomandimeve të agjentëve farmaceutikë dhe më pas ka pranuar përfitime financiare.

“Pas lëshimit të raporteve mjekësore, i pandehuri ka pranuar dobi pasurore – para në shuma që variojnë nga pesë (5) deri në pesëdhjetë (50) euro”, thekson Prokuroria.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë i ka propozuar gjykatës që mjeku A.V. të shpallet fajtor dhe ndaj tij të shqiptohet sanksioni penal i paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Plagosja e trefishtë në Deçan, i dyshuari me histori kriminale të mëparshme

13 January 2026 at 13:16


Tre persona mbetën të plagosur mbrëmë në një lokal në qendër të Deçanit.

Të plagosurit (një shqiptar dhe dy serb) u dërguan fillimisht për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës, ku dy prej tyre për shkak të lëndimeve të pësuara nga arma e zjarrit janë transferuar në QKUK.

Në mesin e personave të plagosur është avokati Daut Cacaj.

Reagimi i njësiteve policore ishte i shpejtë ku menjëherë arrestuan të dyshuarin lidhur me incidentin.

I dyshuari, Ismet Zukaj është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit kujdestar.

Telegrafi nga burime mëson se Zukaj është recidivist i veprave penale, dhe se i njëjti ishte dënuar edhe më parë me burgim për një vepër tjetër të plagosjes.

Lidhur me këtë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes kërkesës për paraburgim të gjithë të kaluarën kriminale të të dyshuarit.

“Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, Prokurori i Shtetit do t’ia bashkangjes të gjithë të kaluarën kriminale personit të dyshuar, si rrethanë që do të paraqitet para gjyqtarit të procedurës paraprake kur do të marrë vendimin lidhur me kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit”, tha Nikçi.

Rasti ndodhi mbrëmë pas mesnate në një kafiteri në rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan.

Nga hetuesit në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë pistoletë Zoraki 9mm, një karikator i së njëjtës armë, nëntë fishekë të kalibrit 9mm dhe tri gëzhoja. /Telegrafi/

LDK mbledh sot Kryesinë në orën 14:00, a do të diskutohet dorëheqja e Abdixhikut?

13 January 2026 at 12:15


Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë sot një takim duke filluar nga ora 14:00.

Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një mbledhje të Kryesisë së ngushtë, ku do të marrin pjesë nënkryetarët dhe sekretarët e partisë.

Sipas këtyre burimeve, takimi vjen në vazhdën e paralajmërimeve të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për mbajtjen e mbledhjeve të strukturave drejtuese të partisë.

Për momentin nuk dihet agjenda zyrtare e takimit, ndërsa pritet që temat e diskutimit të lidhen me zhvillimet e fundit brenda LDK-së.

Ndonëse është pritur dorëheqje morale nga Abdixhiku si shkak i rezultatit të dobët, kjo nuk është konfirmuar as mohuar nëse pritet të jetë në rend dite në këtë takim dorëheqja e të parit të LDK-së.

Duhet theksuar se kjo është hera e parë që LDK-ja si subjekt politik po organizon mbledhje pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. /Telegrafi/

Therje me thikë në një lokal në Klinë

13 January 2026 at 11:49


Dy persona raportohet se janë therur me thikë në një lokal në qendër të Klinës.

Sipas mediave lokale të lënduarit thuhet se janë dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Për momentin nuk ka detaje rreth këtij rasti.

Telegrafi ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për një konfirmim zyrtar të rrethanave dhe gjendjes së të plagosurve, dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare. /Telegrafi/

Plagosja në Deçan, Spitali i Pejës: Një i plagosur po trajtohet tek ne dhe është jashtë rrezikut për jetë

13 January 2026 at 11:36


Tre persona kanë mbetur të plagosur mbrëmë pas mesnate në një lokal në Deçan.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Luan Haradinaj” rreth orës 00:18, ka njoftuar policia.

Lidhur me këtë Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka dalë me një njoftim ku ka bërë të ditur të tre të plagosurit janë sjellë mbrëmë për trajtim mjekësor.

“Mbrëmë, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë pranuar tre pacientë të plagosur me armë zjarri.

Pas dhënies së ndihmës së nevojshme mjekësore, dy pacientë janë bartur për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)”, thuhet në njoftimin e Spitalit.

Spitali i Pejës ka shtuar se një pacient po vazhdon trajtimin dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën.

Ndryshe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka njoftuar se të plagosurit janë një shqiptar dhe dy serb.

I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje pёr 48 orë. /Telegrafi/

Maqedonci takon zyrtarë të NATO-s, diskutohet siguria rajonale dhe zhvillimi i FSK-së

13 January 2026 at 10:38


Ministri nq detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, si dhe Komandantin e misionit të KFOR-it, Gjeneralmajor Ozkan Ulutaş.

Maqedonci bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me KFOR-in.

Ai theksoi përkushtimin institucional për forcimin e kapaciteteve të FSK-së, përmes edukimit dhe trajnimit të oficerëve sipas doktrinës së shteteve perëndimore.

Po ashtu, ai nënvizoi rëndësinë e modernizimit të FSK-së me sisteme të armatimit të prokuruara nga shtetet anëtare të NATO-s, në funksion të rritjes së sigurisë për qytetarët dhe avancimit të aspiratës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

"Diskutuam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimin e FSK-së dhe bashkëpunimin me KFOR-in. Theksova angazhimin për forcimin e kapaciteteve të FSK-së përmes edukimit të oficerëve sipas doktrinës së shteteve perëndimore si dhe modernizimit me sisteme të armatimit të prokuruara nga shtetet anëtare të NATO-s, në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe aspiratës për anëtarësim në NATO", ka shkruar Maqedonci. /Telegrafi/


Dronë të dyshimtë raportojnë qytetarë të Novosellës, hynë nga territori i Serbisë

13 January 2026 at 10:08


Dy dronë të dyshimtë që pretendohet se janë parë duke hyrë nga territori i Serbisë brenda territorit të Kosovës.

KALLXO.com ka siguruar disa komunikime të Qendrës Operative Komunikuese Koordinuese Operative Kufitare, pika kufitare Muqivërc.

Në këto komunikime SPMK Muqivërcë thuhet se rreth orës 20:40 kanë pranuar një informacion nga disa banorë të fshatit Novosellë se rreth orës 19:30- 19:45 kanë vërejtur dy drona duke lëvizur nga Serbia në Kosovë mbi fshatin Novosellë rreth vijës kufitare dhe për më shumë se 20 minuta kanë qëndruar statik në afërsi të stacionit policor të Serbisë në fshatin Breznicë.

E tutje një komunikim tjetër tregon se është kontaktuar edhe KFOR në lidhje me këta dronë dhe nga ta kanë marrë përgjigje se të njëjtit u përkasin atyre.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga ana e Policisë së Kosovës për ngjarjen por deri në publikimin e këtij shkrimi të njëjtit nuk kanë ofruar përgjigje.

Të shtëna në një lokal në Prizren, arrestohen dy persona

13 January 2026 at 09:10


Një mosmarrëveshjeje verbale mes dy të dyshuarve ka rezultuar me përdorim të armës, ku njëri prej tyre dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të lokalit të të dyshuarit tjetër.

Rasti ka ndodhur në Prizren rreth orës 23:00.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku janë identifikuar 10 vrima të shkaktuara nga të shtënat në objekt.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 9 fishekë, ndërsa në veturën e tij janë gjetur dy gëzhoja.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar.

Me vendim të prokurorit të shtetit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Hajnat hyjnë në një shtëpi në Prishtinë, vjedhin para e stoli ari

13 January 2026 at 09:08


Policia ka njoftuar se nga ora 13:54 deri në 22:00 në Prishtinë, ankuesi ka raportuar se persona të panjohur duke përdorur forcë, kanë depërtuar në shtëpinë e tij.

Sipas ankuesit, nga brenda janë vjedhur një shumë e konsiderueshme parash të gatshme si dhe stoli ari.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore përkatëse, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe është në procedurë hetimore. /Telegrafi/

Iu keqësua gjendja shëndetësore, një burrë vdes në spitalin e Prizrenit

13 January 2026 at 09:04


Policia ka njoftuar se të hënën rreth orës 14:50, një burr është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkaqeve të vdekjes.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe hetimet janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Yesterday — 12 January 2026Main stream

“Fantazma” u raportua në media,  KMShK kërkon verifikim dhe kujdes nga përmbajtjet e gjeneruar me AI

12 January 2026 at 14:42


Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar lidhur me raportimet e publikuara në disa media për një të ashtuquajtur “fantazmë” që pretendohet se po shëtitet nëpër rrugët e Kosovës, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe jo të verifikuara.

Sipas KMShK-së, përmbajtjet në fjalë janë të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale (AI) dhe nuk bazohen në fakte reale. Institucioni ka bërë të ditur se ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me këto publikime, të cilat kanë shkaktuar konfuzion dhe shqetësim në opinion.

KMShK u bën thirrje mediave që të tregojnë kujdes të shtuar në raportim dhe të verifikojnë çdo përmbajtje para publikimit, veçanërisht ato që mund të shkaktojnë panik ose dezinformim te publiku.

Në reagimin e tij, Këshilli thekson se raportimet duhet të jenë të sakta, profesionale dhe në përputhje me Kodin e Etikës së Gazetarisë, duke shmangur shpërndarjen e materialeve të pavërtetuara apo të manipuluara nga teknologjitë e reja.

“Përgjegjësia mediatike është thelbësore për informimin korrekt të qytetarëve dhe ruajtjen e besimit të publikut”, thuhet në reagimin e KMShK-së./Telegrafi/

Komuna e Gjakovës hap procesin e aplikimit për familjet e dëmtuara nga vërshimet

12 January 2026 at 14:25


Komuna e Gjakovës ka njoftuar se ka hapur procesin e pranimit të kërkesave për vlerësim të dëmeve për familjet që janë prekur nga vërshimet e fundit.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme materiale ftohen që të dorëzojnë kërkesat e tyre në arkivin e komunës, duke specifikuar llojin e dëmit të pësuar.

Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshijnë kërkesën me shkrim, kopjen e letërnjoftimit, foto-dëshmi të dëmeve të shkaktuara si dhe numrin e telefonit për kontakt.

Komuna ka bërë të ditur se afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është data 23 janar 2026. Pas përfundimit të afatit, komisioni përkatës do të bëjë vlerësimin e të gjitha rasteve të paraqitura.

Nga Komuna e Gjakovës u bëhet thirrje qytetarëve të prekur që t’i përmbahen afatit të përcaktuar, në mënyrë që procesi i vlerësimit të zhvillohet në kohë dhe në mënyrë sa më efikase. /Telegrafi/

Peja shënon vitin e parë pa vrasje pas 26 vjetësh

12 January 2026 at 12:52


Pas 26 vjetësh, rajoni i Pejës ka shënuar për herë të parë një vit pa asnjë vrasje.

Lajmi u bë i ditur në një konferencë për media nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, e cila prezantoi rezultatet e punës për vitin 2025.

Ajo theksoi se rajoni i Pejës ka qenë ndër më të ndjeshmit në aspektin e veprave penale të rënda, veçanërisht të vrasjeve, por se përmes një koordinimi të ngushtë institucional është arritur ky rezultat historik.

“Sot kam nderin dhe kënaqësinë të prezantoj faktin se pas 26 vjetësh nga lufta, viti 2025 evidentohet si viti i vetëm pa asnjë vrasje në rajonin e Pejës. Ky sukses është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me Policinë e Kosovës, institucionet tjera dhe qytetarët”, u shpreh ajo.

Vuçetaj e cilësoi vitin 2025 si një nga më sfiduesit, por edhe ndër më të suksesshmit për institucionin që ajo drejton, duke theksuar se siguria e qytetarëve ka qenë prioritet kryesor.

Sipas saj, për 25 vjet në rajonin e Pejës janë shënuar 203 vrasje me gjithsej 227 viktima.

“Kam pasur si prioritet sigurinë e qytetarëve, të pasurisë së tyre dhe luftimin e veprave penale. Jemi të vetëdijshëm se luftimi i këtyre veprave kërkon polici aktive, hetime të shpejta dhe gjykim të drejtë e të paanshëm”, tha Vuçetaj.

Sipas kryeprokurores, ky rezultat e rendit Pejën si rajonin më të qetë në vend.

“Viti 2025 është zero vrasje dhe zero viktima. Nga një rajon me rastet më të ndjeshme dhe komplekse, kemi arritur që Peja të cilësohet si rajoni më i qetë dhe prokuroria e vetme në sistemin prokurorial pa asnjë rast vrasjeje”, përfundoi Vuçetaj.

Në këtë konferencë, Vuçetaj ka treguar se kjo prokurori ka pasur si synim edhe luftimin e korrupsionit.

Ajo ka thënë se Prokuroria e Pejës, ka ngritur aktakuza ndaj dhjetëra zyrtarëve publikë dhe janë arrestuar zyrtarë policorë.

Në vitin 2025, sipas Kryeprokurores Vuçetaj, janë 1766 aktgjykimeve dënuese, që vijnë si rezultat i aktakuzave të bazuara, që i ka ngritur kjo prokurori. /Telegrafi/

​Anulohet seanca për rastin e Nagip Krasniqit, shkak avancimi i kryetarit të trupit gjykues

12 January 2026 at 12:07


Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK1), Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” e cila ishte paraparë për sot nga ora 09:30 është anuluar.

Kjo pasi kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti është avancuar në Gjykatën e Apelit.

Anulimin e kësaj seance e ka konfirmuar për Kosovapress, zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi e cila tha se për këtë lëndë gjyqësore së shpejti do të caktohet gjyqtari i ri.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se gjykata ka anuluar seancën e caktuar me datë 12.01.2026 në çështjen penale kundër të pandehurit N.K., për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues – gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Lidhur me këtë, lënda në fjalë do të caktohet së shpejti tek gjyqtari bartës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës gjyqësore, për çka do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Gashit për KosovaPress.

Sipas aktakuzës Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se, operatorit i ishte mundësuar përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.

Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën më 19.08.2024 ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.

Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2024 ngriti edhe aktakuzën tjetër për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, dhe “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. /KP/

❌
❌