Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 January 2026Main stream

Familjet me fëmijë nën 18-vjeç do të përfitojnë kompensim tatimor nga marsi 2026

By: V K
2 January 2026 at 08:47

Familjet që kanë në ngarkim fëmijë të moshës nën 18-vjeç në mars të vitit 2026 do të përfitojnë nga tatimet kompensimin për rritjen dhe arsimimin e fëmijëve. Por kujdes, kompensimi nuk do të jepet si vlerë fikse, por do të përfitohet vetëm pas rillogaritjes së tatimit të paguar për 2025. Rillogaritja e tatimit do të bëhet nëpërmjet plotësimit në muajin Mars 2026 të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA).

Më konkretisht skema e kompensimit parashikon që rillogaritja e tatimit të bëhet pasi bazës së tatueshme që janë të ardhurat bruto vjetore që një individ ka gjeneruar nëpërmjet pagës në vitin 2025, t’i zbriten shpenzimet prej 48 mijë lekë për rritjen e fëmijëve (për çdo fëmijë shpenzimi është 48 mijë lekë) dhe shpenzimi fiks prej 100 mijë në vit për arsimimin e tyre (pavarësisht numrit të fëmijëve shuma e shpenzimeve të arsimimit është fikse).

Individët që nga rillogaritja, do të rezultojnë me tatim të mbipaguar, do të kompensohen për diferencën. Pra vlera e kompensimit është diferenca e tatimit të paguar në 2025 nga tatimi i rillogaritur në 2026 pas zbritjes së shpenzimeve.

Ligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikon hyrjen në fuqi nga viti 2026 të zbritjes së shpenzimeve prej 48 mijë lekë në vit për çdo fëmijë në ngarkim për individët me të ardhura vjetore mbi 1,2 mln lekë në vit dhe zbritje shpenzimesh për arsimimin e fëmijëve me vlerë 100 mijë lekë për individët më të ardhura deri 1,2 mln lekë në vit.

Në një çift bashkëshortësh të drejtën për zbritjen e shpenzimeve të fëmijëve në ngarkim dhe për arsimimin nëse plotësohet kufiri i të ardhurave e ka anëtari me të ardhura më të larta vjetore. Pra zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga baza vjetore e tatueshme nuk përfitohet nga të dy prindërit e fëmijëve në ngarkim, por vetëm ai që ka të ardhurat më të larta të deklaruara.

Prej individëve përfitues tatimi mbi të ardhurat nga paga është paguar çdo muaj për vitin 2025, por zbritja e shpenzimeve për fëmijët nga totali i të ardhurave vjetore të fituara nga punësimi, do të bëhet në Mars 2026 përmes plotësimit të Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA). Nëse në DIVA pas zbritjes së shpenzimeve do të shfaqet gjendje teprice kreditore, do të thotë se tatimet ndaj këtij individi kanë një borxh parash për të kthyer.

Pra nëse tatimi i paguar gjatë vitit 2025 rezulton se është më i lartë se tatimi i llogaritur pas zbritjeve të shpenzimeve në DIVA, që do të plotësohet deri më 31 Mars 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) më herët ka sqaruar për Monitor se në këtë rast individi ka të drejtë që brenda 3 muajve të kërkojë rimbursimin e parave, pra kthimin e tyre.

Si do të rillogaritet tatimi pas zbritjes së shpenzimeve për fëmijët

Sipas shembullit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëse një individ X me të ardhura mujore 70 mijë lekë apo të ardhura vjetore prej 840 mijë lekë për 2025-n ka paguar tatim prej 5,200 lekë në muaj apo tatimin vjetor prej 62,400 lekë. Individi ka dy fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç dhe të ardhurat vjetore nuk kalojnë kufirin e 1,2 milionë lekëve, për të cilat do të përfitojë zbritje shpenzimesh prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë dhe shumën fiske prej 100 mijë lekë në vit për arsimimin e tyre.

Pas zbritjes së shpenzimeve nga totali i të ardhurave për 2025, tatimi i ri për këtë individ llogaritet në vlerën e 29,120 lekë. Por ndërkohë individi X për 2025 kishte paguar një tatim vjetor prej 62,400 lekë. Këtij detyrimi të paguar do t’i zbritet tatimi i ri llogaritur me vlerë 29,120. Diferenca prej 33,2 mijë lekë është shuma që i takon të kërkojë për rimbursim brenda 3 muajve, pas plotësimit të DIVA-së.

Individi X ka këto të dhëna:

Të ardhura mujore nga punësimi: 70,000 lekë

Të ardhura vjetore: 70,000 × 12 = 840,000 lekë

Tatimi i paguar gjatë vitit (pa zbritje):

Tatimi mbi pagën llogaritet kështu: (70,000 – 30,000) × 13% = 5,200 lekë/muaj apo tatimi vjetor i paguar është 62,400 lekë.

Zbritjet që përfiton në DIVA:

Individi më të ardhura nën 1,200,000 lekë në vit ka 2 fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç.

Individi për të përfituar zbritjet për arsimin e fëmijëve duhet të plotësojë dhe dorëzojë deklaratën e të arshurave personale deri në datë 31 mars të vitit pasaadhës (viti I fillimit që përfiton zbritjet për arsim dhe kompensimin për fëmijë është vitit 2025), pra deri në 31 mars 2026.

Shuma fikse që zbritet për arsimin e fëmijëve është 100,000 lekë pavarësisht nga numri i fëmijëve në moshë nën 18 vjeç.

Individi me të ardhurat personale nga punësimi dhe/ose biznesi me më shumë se 1,200,000 lekë në vit nuk përfiton nga zbritje shpenzimesh për arsim.

Zbritje për arsimin = 100,000 lekë

Zbritja për fëmijët në ngarkim = 48,000 lekë

Në këtë rast zbritja për 2 fëmijë në ngarkim që ka individi X = 48,000 × 2 = 96,000 lekë

Zbritje totale = 100,000 + 96,000 = 196,000 lekë

Nga 840,000 lekë, hiqet 196,000 lekë zbritje

Baza e tatueshme bëhet: 644,000 lekë

Tatimi i ri që duhet të kishte paguar:

(644,000 – 420,000) × 13% = 29,120 lekë (420,000 lekët e para nuk tatohen nëse të ardhurat janë mbi 600,000 lekë deri në 720,000 në vit sipas skemës së re të përcaktuara në pikën 1 të nenit 22).

Tatimi vjetor i paguar: 62,400 lekë

Tatimi i ri pas zbritjeve: 29,120 lekë

Diferenca: 33,280 lekë (ky është rimbursimi që i takon)

Kompensimi për fëmijët nën 18 vjeç do përfitohet edhe me 1 muaj punësim; Shembulli i ri

Me hyrjen në fuqi në muajin nëntor 2025 të ndryshimeve të udhëzimit për ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” kompensimin për fëmijët nën 18 vjeç do ta përfitojnë edhe ata individë që kanë qenë të punësuar vetëm për një muaj të vetëm.

Zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim, për fëmijët deri në moshën 18 vjeç, do ta përfitojnë edhe ata individë që rezultojnë të punësuar qoftë edhe për vetëm një muaj gjatë vitit 2025.

Skema do të vijojë të jetë e njëjtë nëpërmjet rillogaritje së tatimit, duke zbritur shpenzimet prej 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim të moshës deri 18 vjeç.

Kusht për përfitimin është plotësimi i Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA). Zbritjet e shpenzimeve nga totali i të ardhurave vjetore do të llogariten me DIVA-n që do të plotësohet brenda 31 Marsit 2026. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” detyrimin ligjor për plotësimin e DIVA e kanë vetëm individët e punësuar me të ardhura vjetore mbi 1,2 milionë lekë në vit.

Në shembullin e ri paraqitet rasti i individi të punësuar vetëm në muajin Maj 2025 me pagë bruto 500,000 lekë, i cili ka në ngarkim një fëmijë të moshës 10 vjeç, i cili do të përfitojë kompensimin për fëmijën në ngarkim, sipas ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat.

Për vitin 2025 këtij individi i është mbajtur tatim prej 91,100 lekësh, por nga rillogaritja e tatimit, rezulton se pas zbritjeve te lejuara deri në 600,000 lekë (zbritjet janë të përcaktuara sipas nenit 22 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat) dhe kompensimit prej 48,000 lekësh për fëmijën, baza tatimore rezulton negative. Por sipas shembullit të ri, ku  baza e tatueshme pas zbritjeve të lejuara rezulton negative do të konsiderohet 0 lekë. Për rrjedhojë edhe tatimi i rillogaritur është 0 lekë.

Si rezultat, individi ka të drejtë të marrë rimbursim të plotë të tatimit të paguar gjatë vitit 2025 për 1 muaj punë, pra me vlerë prej 91,100 lekë.

Shembull i ri që shtohet në udhëzim

Individi “C” gjatë vitit 2025 rezulton i punësuar vetëm në muajin maj dhe paga bruto që ka marrë në këtë muaj është 500,000 lekë. I punësuari ka një fëmijë në ngarkim të tij në moshën 10 vjeç dhe ka të ardhurat më të larta në familje, nuk ka aplikuar për zbritje si kontribut në ndonjë fond pensioni privat, por ndërkohë ka nënshkruar Deklaratën e Statusit Personal.

a) Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi i llogaritur dhe paguar në listëpagesën mujore Të ardhurat e tatueshme – zbritjet e parashikuara në nenin 22, të ligjit = Baza e tatueshme e të ardhurës nga punësimi të individit në muajin maj: 500,000 lekë – 30,000 lekë = 470,000 lekë Tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi = (170,000 lekë * 13%) + [(470,000 lekë – 170,000 lekë) * 23%] = 22,100 lekë + 69,000 lekë= 91,100 lekë

b) Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi i llogaritur mbi të ardhurat vjetore Në kushtet që individi nuk ka të ardhura të tjera përveçse të ardhurës nga punësimi, ky individ nuk ka detyrim ligjor për të deklaruar Deklaratën Vjetore të të Ardhurave Personale (DVAP), sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Megjithatë, nëse ky individ zgjedh dhe deklaron DVAP, ku të ardhurat vjetore nga punësimi janë 500,000 lekë, atëherë zbritja nga baza e tatueshme do të jetë e gjithë shuma prej 500,000 lekësh.

Sipas nenit 22, të ligjit nr. 29/2023 për pagat vjetore deri në 600,000 lekë, lejohet një zbritje deri në 600,000 lekë nga baza vjetore, si dhe një kompensim prej 48,000 lekësh për fëmijën në ngarkim të tij, por në çdo rast baza tatimore nuk mund të jetë më e vogël se zero lekë. Në rastet kur diferenca midis të ardhurave vjetore të tatueshme dhe shumës totale të kompensimeve dhe zbritjeve është negative, baza tatimore vjetore konsiderohet të jetë zero. Në rastin konkret diferenca ndërmjet të ardhurës vjetore të tatueshme nga punësimi me shumën totale të zbritjeve rezulton negative prej -148,000 lekësh [500,000 lekë – (600,000 lekë + 48,000 lekë)], prandaj në këtë rast baza e tatueshme do të konsiderohet 0 lekë dhe detyrimi tatimor rrjedhimisht është 0 lekë.

c) Deklarata vjetore DVAP rezulton me tatim të mbipaguar: Nëse individi zgjedh të deklarojë DVAP atëherë tatimi i paguar në listëpagesën e muajit Maj, do t’i rimbursohet. Konkretisht administrata tatimore duhet të rimbursojë individin me diferencën ndërmjet tatimit të paguar me tatimin e llogaritur në DVAP = 91,100 lekë – 0 lekë = 91,100 lekë rimbursim për vlerën e mbipaguar nga tatimi mbi të ardhurat personale nga punësimi.

Dokumentacioni që duhet të ruhet

Për të dyja rastet si për përfitimin e zbritjes së shpenzimeve për rritjen e fëmijëve dhe shpenzimit fiks për arsim (këto të fundit përfitohen vetëm nga individët me të ardhura vjetore deri në 1,200,000 lekë) duhet të bëhet ruajtja e dokumentacionit, dukë përfshirë certifikatën familjare për fëmijët në ngarkim, kontratat me institucionet arsimore, përfshirë pagesat për gjuhët e huaja.

Tatimet më herët sqaruan se mënyrë të hollësishme dokumentacioni justifikues për shpenzimet përcaktohet edhe në pikën 23.1 të Udhëzimit nr.26, datë 08.09.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”.

“Kompensimi për fëmijën në ngarkim të tij dhe shpenzimet për arsim kërkohen nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme. Ai duhet të paraqesë dokumente justifikues, të tilla si: certifikatën e gjendjes familjare, kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj”, sqarohet në udhëzim.

Dokumentacioni justifikues për shpenzimet nuk do të ngarkohet në sistem në momentin e plotësimit të DIVA, por do të ruhet nga individi përfitues në rast kontrolli tatimor.

“Tatimpaguesi individ deklarues i DIVA-s duhet vetëm të dorëzojë deklaratën tatimore vjetore dhe dokumentacionin vërtetues të të dhënave që ka deklaruar duhet ta disponojë për ta vënë në dispozicion të administratës tatimore në rast kërkese nga administrate”, sqaroi më herët Administrata Tatimore për Monitor.

Ligji për procedurat tatimore parashikon ruajtjen e dokumentacionit deri në 5 vite. “Periudha e ruajtjes së dokumentacionit është përcaktuar në ligjin 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 48 “Mbajtja dhe ruajtja e dokumenteve të të dhënave tatimore”, pika 2. Afati është të paktën 5 vjet duke filluar nga fundi I vitit tatimor të cilit I përkasin dokumentet”, sqaron DPT.

Në rast se individi deklarues nuk disponon dokumentacion që justifikon zbritjen për arsimin dhe në rast kontrolli deklarimi do të konsiderohet i gabuar, atëherë individi deklarues sipas DPT-së do të penalizohet në referim të dispozitave të ligjit nr. 9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Fëmijët që ndjekin arsimin publik nuk përfitojnë nga kjo zbritje, për shkak se nuk ka pagesë të dokumentuar. Administrata Tatimore sqaron se vetëm shpenzimet reale, të justifikuara me fatura për arsimin e fëmijëve, mund të zbriten nga baza tatimore.

15 mln euro llogaritet efekti për kompensimin e shpenzimeve për fëmijët

Më herët Ministri i Financave Petrit Malaj deklaroi në Komisionin e Ligjeve, gjatë prezantimit të paketës fiskale, se vitin e ardhshëm nga zbatimi i kompensimit për shpenzimet e fëmijëve deri nën 18 vjeç, nëpërmjet deklaratës DIVA efekti financiar llogaritet 15 mln euro.

“Duke filluar nga viti 2026 do të fillojë zbatimi i lehtësive të parashikuar në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, që nëpërmjet Deklaratës Individuale të të Ardhurave/DIVA, t’ju vijmë në ndihmë edhe familjeve me fëmijë nën 18 vjeç.

Çdo familje që ka në ngarkim fëmijë nën moshën 18 vjeç, do të ketë të drejtën që të zbresë nga Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave 48.000 lekë për çdo fëmijë.

Kjo do të thotë se norma efektive e tatimit që paguhet (raporti i tatimit të paguar mbi të ardhurat bruto)  ulet ndjeshëm.

Sipas llogaritjeve paraprake, efekti financiar i kësaj nisme do të jetë 1.5 mld lekë ose 15 milionë euro më shumë në buxhetin e familjeve shqiptare”./Monitor.al

The post Familjet me fëmijë nën 18-vjeç do të përfitojnë kompensim tatimor nga marsi 2026 appeared first on Albeu.com.

Tragjedia me 47 viktima në Zvicër/ Dëshmia tronditëse e të riut: Zjarrfikësit po qanin, ishte më keq se…

By: V K
2 January 2026 at 08:23

Pak pas orës 01:30 të mëngjesit të Vitit të Ri, një zjarr i fuqishëm përfshiu barin “Le Constellation” në vendpushimin Crans-Montana, duke shkaktuar mbi 47 viktima dhe 115 të plagosur.

Dëshmia e një 19-vjeçari italian, i cili ndodhej aty pranë, ka tronditur opinionin publik.

I riu Gianni, student i inxhinierisë mekanike në Gjenevë, thotë se mori vesh ngjarjen nga një shoqe e tij, e cila kishte mbërritur në bar pak minuta pas shpërthimit.

“Ajo dëgjoi shpërthime të forta dhe pa flakë. E kuptova menjëherë se ishte diçka shumë serioze”, rrëfen ai për gazetën L’Essentiel.

Ai arriti në vendin e ngjarjes përpara se të mbërrinin ekipet e emergjencës. Sipas tij, situata përkeqësohej minutë pas minute.

“Njerëzit ishin shtrirë përtokë, të plagosur dhe të djegur”, kujton i riu, i cili ofroi ndihmën e tij duke qenë se kishte pak përvojë në mbrojtjen civile.

Për të ndihmuar të plagosurit, kalimtarët krijuan barela të improvizuara me pajisje nga lokali, ndërsa mungesa e personelit dhe pajisjeve e bëri situatën edhe më të vështirë.

“Ndonjëherë na duhej t’i linim njerëzit në tokë për të shpëtuar ata që ishin ende brenda”, tregon ai, duke folur për skena kaotike.

Operacionet e shpëtimit zgjatën deri në orën 05:00, në temperatura deri në –11°C.

“Po kërkoja batanije në baret aty pranë”, thotë i riu, i cili shton se plagët e rënda bënë thuajse të pamundur identifikimin e viktimave.

Gianni beson se ndihma e tij shpëtoi jetë, edhe pse pranon se përjetimet e asaj nate do ta shoqërojnë gjatë. Ai shprehet i zhgënjyer që nuk iu ofrua asnjë mbështetje psikologjike apo mjekësore pas ngjarjes, pavarësisht se kishte qenë i ekspozuar ndaj tymit.

“Jam i sigurt se kam ndihmuar njerëz. Shumë pak civilë erdhën për të ndihmuar, vetëm tre ose katër”. Edhe profesionistët, thotë ai, u tronditën.

“Zjarrfikësit po qanin. Ishte më keq se një film horror. Adrenalina më mbajti gjallë gjithë natën. Ende nuk e kam kuptuar”, thotë ai, duke shprehur zhgënjimin e tij për mungesën e mbështetjes pas incidentit.

“Nuk më ofruan asnjë ndihmë apo kujdes mjekësor, edhe pse isha ekspozuar ndaj tymit. I vetmi person që më foli ishte një oficer policie i cili më kërkoi të largohesha”.

Zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore raportuan se situata ka qenë një nga më të rëndat e dekadave të fundit në zonë. Hetimet për shkaqet e tragjedisë vijojnë.

The post Tragjedia me 47 viktima në Zvicër/ Dëshmia tronditëse e të riut: Zjarrfikësit po qanin, ishte më keq se… appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 2 Janar 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
2 January 2026 at 07:55

Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 81.2 lekë, në shitje me 82.7 lekë.

Euro, do të blihet me 95.6 lekë, do të shitet me 97.1 lekë.

Franga zvicerane, blihet me 102.4 lekë dhe shitet me 103.9 lekë.

Ndërsa paundi britanik, blihet me 109 lekë dhe shitet me 111 lekë.

Dollari kanadez, këmbehet me 59 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor 2 Janar 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë/ Nis sot numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora

By: V K
2 January 2026 at 07:48

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se ditën e sotme do të nis numërimin e mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora.

Konkretisht, do të numërohen fletëvotimet nga votimi përmes postës, të cilat janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë Kosovës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, u shpreh se numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë, ndërsa shtoi se ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare.

Ndaj për këtë arsyeje, ende nuk dihet se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës.

“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dijmë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas tij, deri më tani, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime, nga dy kutitë postare në Berlin dhe Bernë.

“Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”, tha Elezi.

Në fund ai tha se nga votimi jashtë Kosovës, kanë votuar nga 29 përfaqësi diplomatike 16,165 persona.

The post Zgjedhjet parlamentare në Kosovë/ Nis sot numërimi i mbi 27 mijë fletëvotimeve nga diaspora appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit 2 Janar 2026, reshje shiu dhe dëbore

By: V K
2 January 2026 at 07:27

Ditën e sotme vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, si dhe intervale afatshkurtra me diell përgjatë ultësirës perëndimore në pjesën e parë të ditës.

Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Në periudha afatshkurtra dhe në mënyrë lokale reshjet në formën e shtrëngatave, ndërsa në zonën e Veriperëndimit reshjet me intensitet mesatar dhe lokalisht deri të lartë.

Në zonën e Alpeve dhe relievet malore në Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 700-800 metër, reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Jugperëndim me shpejtësi mesatare 10 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 18 m/s

The post Parashikimi i motit 2 Janar 2026, reshje shiu dhe dëbore appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 1 January 2026Main stream

Zbardhet DRAFTI i Amnistisë Penale: 380 të dënuar lirohen menjëherë, 1.300 përfitojnë ulje dënimi

By: V K
1 January 2026 at 15:52

Është zbardhur drafti i amnistisë penale, sipas të cilit pritet që rreth 380 të dënuar të lirohen menjëherë, ndërsa afro 1.300 persona të tjerë të përfitojnë ulje të dënimit.

Sipas draftit paraprak, amnistia parashikon përfitime për disa kategori të dënuarish: Të dënuar burra, me vendim gjyqësor të formës së prerë, me dënim deri në 3 vite burg, si dhe ata të dënuar mbi 3 vite, por që kanë deri në 3 vite dënim të mbetur pa vuajtur.

Të dënuara gra, me vendim gjyqësor të formës së prerë, me dënim deri në 4 vite burg, si dhe ato të dënuara mbi 4 vite, por që kanë deri në 4 vite dënim të mbetur pa vuajtur.

Gra të dënuara, të cilat në datën e hyrjes në fuqi të ligjit janë 50-vjeç ose më të mëdha. Burra të dënuar, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të ligjit janë 60-vjeç ose më të mëdhenj.

Efektet e kësaj amnistie pritet të hyjnë në fuqi në fund të muajit janar ose në fillim të shkurtit, pas përfundimit të diskutimeve dhe votimit në Kuvend.

The post Zbardhet DRAFTI i Amnistisë Penale: 380 të dënuar lirohen menjëherë, 1.300 përfitojnë ulje dënimi appeared first on Albeu.com.

Mehdi Malkaj: Viti më i bukur i jetës sime, djali s’është më përdorues dr*ge

By: V K
1 January 2026 at 15:19

Aktori i njohur Mehdi Malkaj, ka bërë një rrëfim të guximshëm mbrëmjen e 31 Dhjetorit në emisionin Now me moderatoren Erla Mëhilli.

Aktori ka ndarë me publikun një nga momentet më të ndjera të jetës së tij, duke e cilësuar vitin që sapo lamë pas si më të bukurin që ka përjetuar ndonjëherë.

Ndryshe nga pritshmëritë që lidhen me sukseset profesionale apo vlerësimet artistike, arsyeja e këtij vlerësimi është personale dhe shumë e fortë: djali i tij ka arritur të heqë dorë nga droga pas shumë vitesh beteje.

Në një dëshmi të sinqertë, Malkaj shprehet se kjo ka qenë sprova më e vështirë e jetës së tij si prind.

“Unë mendoj se ky është viti më i bukur i jetës dhe familjes time. Për një arsye shumë të fortë: unë kam dy fëmijë, djalë edhe vajzë. Djali ka qenë përdorues droge për shumë vite, tani nuk është më. Nëse e urren dikë shumë, mos e mallko kurrë “të pafsha fëmijët të përdorin drogë”. Kam vite të tëra që kam luftuar, familja… Nëse ke një gjë të tillë kështu, nuk ka asnjëherë shtëpi…”.

Vitet e mbushura me ankth, dhimbje dhe frikë kanë lënë gjurmë të thella tek aktori, por ai tregon se sot ato janë zëvendësuar nga shpresa dhe lehtësimi që sjell një fillim i ri.

Për Malkajn, rikuperimi i djalit nuk është vetëm një fitore familjare, por edhe një mesazh për të gjithë prindërit që përballen me sfida të ngjashme: durimi, mbështetja dhe dashuria janë çelësi për të tejkaluar varësinë.

The post Mehdi Malkaj: Viti më i bukur i jetës sime, djali s’është më përdorues dr*ge appeared first on Albeu.com.

Paralizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Elbasan, trafik i rënduar në ditën e parë të vitit

By: V K
1 January 2026 at 14:48

Radhë të gjata trafiku janë raportuar në autostradën Tiranë-Elbasan, në vendin e njohur si rrethrrotullimi i Bradasheshit, zonë kjo thuajse gjithmonë problematike.

Sipas informacioneve, radha e makinave në trafik është kilometrike.

Trafiku në këtë aks është prezent në çdo sezon si veror ashtu dhe dimëror dhe si pasojë është kthyer në një makth për të gjithë udhëtarët të cilët mbeten për orë të tëra të bllokuar në këtë pikë, në trafik.

The post Paralizohet qarkullimi në autostradën Tiranë-Elbasan, trafik i rënduar në ditën e parë të vitit appeared first on Albeu.com.

Vendimi më i papritur, pretendentët e Premier Ligës njoftojnë largimin e trajnerit që i futi në histori

By: V K
1 January 2026 at 14:29

Klubi i Çelsit nuk ka pritur më dhe ka bërë të ditur se trajneri Enco Mareska, është larguar nga drejtimi i skuadrës

Një vendim që ka ardhur pas pakënaqësisë publike që shfaqi tekniku italian rreth mungesës së mbështetjes nga klubi në një moment kur ai po përballej me kritika.

Kjo nuk u ka pëlqyer londinezëve, të cilët vendosën të largonin trajnerin me të cilin fituan Ligën e Konferencës e sidomos Botërorin e parë për Klube, duke hyrë në historinë e futbollit botëror.

“Klubi i Futbollit Çelsi dhe trajneri Enco Mareska kanë ndarë rrugët.

Gjatë kohës së tij në Klub, Enco e udhëhoqi ekipin drejt suksesit në Ligën e Konferencës dhe Botërorin e Klubeve. Këto arritje do të mbeten një pjesë e rëndësishme e historisë së kohëve të fundit të Klubit, dhe ne e falënderojmë atë për kontributet e tij në Klub.

Me objektiva kyçe ende për t’u luajtur në katër kompeticione, përfshirë kualifikimin për Ligën e Kampionëve, Enco dhe Klubi besojnë se një ndryshim i jep ekipit shansin më të mirë për ta rikthyer sezonin në rrugën e duhur.

Ne i urojmë Encos gjithë të mirat për të ardhmen”, shkruhej në njoftimin klubit duke zyrtarizuar largimin e trajnerit italian.

The post Vendimi më i papritur, pretendentët e Premier Ligës njoftojnë largimin e trajnerit që i futi në histori appeared first on Albeu.com.

Aksidenti tragjik që përgjaku nisjen e Vitit të Ri në Gjirokastër/ Mes viktimave, instrumentisti 24-vjeçar Klejdi Myftari

By: V K
1 January 2026 at 14:07

 

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, një aksident tragjik u regjistrua në Gjirokastër në vendin e quajtur “Bypass”, ku për pasojë humbën jetën tre të rinj si dhe një 19-vjeçare u plagos rëndë.

Sipas uniformave blu, mes viktimave nga aksidenti tragjik ishte edhe Klejdi Myftari, 24-vjeçari i cili punonte si instumentist muzikor.

Aksidenti tragjik që la pas tre viktima dhe një vajzë të plagosur, ndodhi rreth orës 03:18, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”.

Ai po udhëtonte së bashku me Anxhelo Rucin 27 vjeç, ku të dy kanë humbur jetën nga plagët e marra dhe u përplasën me mjetin tjetër tip Mercedes Benz ku udhëtonin shtetasit Martin Dulaj 25 vjeç i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe Arsida Demiri 19 vjeç, e cila është transportuar në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë.

The post Aksidenti tragjik që përgjaku nisjen e Vitit të Ri në Gjirokastër/ Mes viktimave, instrumentisti 24-vjeçar Klejdi Myftari appeared first on Albeu.com.

E rëndë në Gjermani/ Dy të rinj humbin jetën pas shpërthimit të fishekzjarreve, disa të tjerë…

By: V K
1 January 2026 at 13:51

Festimet e Vitit të Ri 2026, kanë lënë pasoja tragjike edhe në Gjermani. Dy 18-vjeçarë vdiqën pasi iu nënshtruan lëndimeve në fytyrë të pësuara gjatë një shfaqjeje fishekzjarrësh në qytetin gjerman të Bielefeldit, tha policia në orët e para të mëngjesit.

Aksidentet ndodhën në natën e Vitit të Ri në vende të ndryshme në qytet, në shtetin e North Rhine-Westphalia.

Njëri nga dy adoleshentët vdiq në vendngjarje në lagjen Baumheide. I dyti, i cili u plagos në lagjen Brake, u dërgua në spital, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin.

Sipas policisë, kishte dëshmitarë okularë për të dy aksidentet dhe askush tjetër nuk u gjet përgjegjës.

Në të njëjtën kohë, një djalë 14-vjeçar humbi krahun e majtë në Rendelich, pranë qytetit të Rostock-ut (verilindje), për shkak të një shpërthimi fishekzjarrësh, sipas policisë.

Në Berlin, pesë persona u shtruan në spital me lëndime nga fishekzjarrët deri në orën 22:30. Dy prej tyre ishin në gjendje të rëndë.

Në Leipzig, një vajzë 16-vjeçare humbi gishtin e vogël dhe një pjesë të gishtit unazor kur u përpoq të ndizte një fishekzjarr të bërë në shtëpi, tha policia.

Fishekzjarrët lejohen vetëm në natën e Vitit të Ri dhe Ditën e Vitit të Ri në Gjermani.

Lëndimet, ndonjëherë fatale, janë të zakonshme kur merren me fishekzjarrë, pasi fishekzjarrët e paligjshëm të prodhuar në shtëpi ndonjëherë përmbajnë eksplozivë të fuqishëm dhe janë jashtëzakonisht të rrezikshëm.

Në natën e Vitit të Ri 2025, pesë persona humbën jetën në incidente të ngjashme.

Sipas një analize nga kompania e sigurimeve AOK, pranimet në spital për njerëzit e lënduar në aksidente me fishekzjarrë gjatë dhjetë viteve të fundit në natën e Vitit të Ri dhe Ditën e Vitit të Ri, kanë qenë mesatarisht 530, 2.6 herë më shumë se në çdo ditë tjetër jave dhe 4.4 herë më shumë se në çdo fundjavë tjetër normale.

Çdo vit, ekspertë mjekësorë, oficerë policie, ambientalistë dhe aktivistë të të drejtave të kafshëve bëjnë thirrje për ndalimin e shitjes së fishekzjarrëve dhe materialeve piroteknike.

The post E rëndë në Gjermani/ Dy të rinj humbin jetën pas shpërthimit të fishekzjarreve, disa të tjerë… appeared first on Albeu.com.

Aksidenti i rëndë në Gjirokastër/ Një nga viktimat nipi i ish-kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit

By: V K
1 January 2026 at 13:04

Personi që shihni në foto, është i ndjeri Anxhelo Ruçi, i cili u nda nga jeta nga një aksident tragjik në orët e para të mëngjesit të 1 janarit 2026, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë.

27-vjeçari ishte djali i shefit të policisë, Rami Ruçi, si dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçit.

Aksidenti që ktheu festën në tragjedi, ndodhi nga përplasja e dy mjeteve.

Mjeti tip Volkswagen ku udhëtonin Klejdi Myftari 24-vjeç dhe Anxhelo Ruci 27-vjeç, ku të dy kanë humbur jetën nga plagët e marra dhe mjeti tjetër tip Mercedes Benz, ku udhëtonin shtetasit Martin Dulaj 25-vjeç, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje dhe Arsida Demiri 19-vjeç, e cila është transportuar në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

The post Aksidenti i rëndë në Gjirokastër/ Një nga viktimat nipi i ish-kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit appeared first on Albeu.com.

Hyn në fuqi sot rritja e pensioneve çdo muaj, ja sa përfitohet sipas kategorive

By: V K
1 January 2026 at 12:57

Duke nisur nga dita e sotme, hyn në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pensioneve nëpërmjet bonuseve mujore, ashtu sic njoftoi më herët edhe kryeministri Edi Rama.

Rritja do të jetë e përmuajshme sipas kategorive të ndryshme të pensionistëve. Përfituesit në qytet do të marrin shtesë rreth 1.800 lekë në muaj, 800 lekë/muaj për pensionet urbane të pjesshme, 1000 lekë në muaj për pensionet rurale, 700 lekë në muaj për pensionet familjare dhe 600 lekë për pensionet e invaliditetit.

Kjo skemë e re e panjohur më parë, synon të përmbushë angazhimin e qeverisë për të çuar pensionin minimal, në vend 20 mijë lekë dhe pensionin mesatar në qytet 40 mijë lekë.

Por cfarë do të përfitojnë konkretisht një pensionist i cili sot merr 27 mijë lekë në muaj?

Në vitin 2029, ai do të marrë 40 mijë lekë në muaj. Edhe për pensionin e dalë nga kontributet në fshat, një individ që sot merr 11 mijë lekë, pas 4 vitesh ai do të ketë pension mujor 18 mijë lekë.

Sot përfitues në skemë e kontributeve shoqërore janë rreth 730 mijë individë, numri i të cilëve shtohet çdo vit me 15 mijë pensionistë.

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, ka lajmëruar se brenda vitit 2026 pritet reformimi i skemës së pensioneve me synim rritjen e qëndrueshmërisë dhe përfitimit.

 

The post Hyn në fuqi sot rritja e pensioneve çdo muaj, ja sa përfitohet sipas kategorive appeared first on Albeu.com.

E trishtë/ Ndahet nga jeta ish-kryeparlamentari Nexhat Daci

By: V K
1 January 2026 at 12:31

Politikani dhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, është ndarë nga jeta. Lajmin për vdekjen e tij e bëri Dimal Basha, kryetar i Kuvendit në legjislaturën e nëntë.

“Me vizion, maturi dhe përkushtim, z. Daci kontribuoi në ndërtimin e institucioneve demokratike, në forcimin e Kuvendit si zë i qytetarëve dhe në avancimin e proceseve politike në prag të shtetësisë së Kosovës”, shkroi Basha në Facebook.

Akademik Nexhat Daci, kishte qenë deputet i Kuvendit të Kosovës nga viti 2001 deri më 2011, ndërkaq e kishte udhëhequr organin ligjvënës për dy mandate në periudhën 2000-2004 dhe 2004-2006.

The post E trishtë/ Ndahet nga jeta ish-kryeparlamentari Nexhat Daci appeared first on Albeu.com.

Të dëmtuar nga fishekzjarret dhe të dehur, 55 raste në urgjencën e spitalit të Sarandës

By: V K
1 January 2026 at 12:13

Festimet e ndërrimit të viteve në Sarandë, kanë kaluar me pak raste plagosjesh që kanë pasur si shkak nga përdorimi i fishekzjarreve.

Për dy raste sipas bluzave të bardha, është dashur ndërhyrja e kirurgut në sallë. 44-vjeçarit Arjan Braho, banor i Sarandës i ka plasur kapsolla duke i dëmtuar tre gishta të dorës së djathtë.

E plagosur në dorë me dëmtimin e dy gishtave të dorës së djathtë nga fishekzjarret, ka marrë ndihmën mjekësore në spital edhe 32-vjeçarja Visilda Jakupi.

Gjatë natës së ndërrimit të viteve kanë marrë ndihmë në urgjencën e spitalit të Sarandës 55 raste, kryesisht nga përdorimi i fishekzjarreve dhe raste të personave të dehur.

The post Të dëmtuar nga fishekzjarret dhe të dehur, 55 raste në urgjencën e spitalit të Sarandës appeared first on Albeu.com.

Begaj uron Qipron për Presidencën në Bashkimin Evropian: Momente të rëndësishme, shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë për negociatat

By: V K
1 January 2026 at 11:32

Në këtë ditë parë të vitit 2026, në një postim në rrjetin social X, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti dhe i uroi suksese e arritje Presidencës Qipriote të Bashkimit Evropian, për gjysmën e parë të vitit 2026, në një periudhë tejet të rëndësishme për Evropën dhe mbarë botën.

Kreu i Shtetit shpreh bindjen se Presidenca Qipriote, do të jetë e përqendruar në avancimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar këtë proces si prioritet strategjik.

Presidenti i Republikës, uron që gjatë kësaj periudhe të nisë mbyllja e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si një hap i rëndësishëm drejt realizimit të aspiratës evropiane të vendit.

Postimi i Begajt:

“Shqipëria i uron suksese dhe arritje Presidencës Qipriote të Bashkimit Evropian për gjysmën e parë të vitit 2026, në këto momente tejet të rëndësishme për Evropën dhe mbarë botën.

Jemi të bindur se Presidenca Qipriote do të jetë e fokusuar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”.

The post Begaj uron Qipron për Presidencën në Bashkimin Evropian: Momente të rëndësishme, shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë për negociatat appeared first on Albeu.com.

Aksident në aksin Peqin-Rrogozhinë/ Makinat përplasen “kokë më kokë”, plagosen rëndë 3 persona

By: V K
1 January 2026 at 10:49

Ditën e sotme rreth orës 10:05, një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin e rrugës kombëtare Peqin–Rrogozhinë.

Sipas burimeve nga vendngjarja, dy automjete janë përplasur mes tyre në fshatin Karinë të Peqinit.

Si pasojë e përplasjes së fortë, të dy mjetet janë shkatërruar pjesërisht, ndërsa raportohet se të paktën tre persona kanë mbetur të plagosur rëndë.

Të lënduarit janë transportuar me autoambulancë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë dhe autoambulancat, të cilat po kryejnë veprimet e nevojshme, ndërsa qarkullimi në këtë segment rrugor ka pësuar vështirësi të përkohshme.

Policia po heton shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

The post Aksident në aksin Peqin-Rrogozhinë/ Makinat përplasen “kokë më kokë”, plagosen rëndë 3 persona appeared first on Albeu.com.

Viti i hetimeve të bujshme/ Nga Balluku dhe Veliaj, te “AKSHI” dhe kryebashkiakët socialistë, dosjet që “shkundën” politikën shqiptare

By: V K
1 January 2026 at 10:07

Viti 2025, është shënuar nga një valë e fortë hetimesh dhe goditjesh penale ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe lokalë në Shqipëri, duke e vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të vëmendjes publike.

Nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, te hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, drejtuesve të institucioneve kyçe, zyrtarëve të rendit dhe kryebashkiakëve në disa bashki të vendit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kanë tronditur skenën politike dhe institucionale.

Erion Veliaj

Më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK u arrestua kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili përballet me akuza të rënda për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa sipas SPAK ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimit të parave përmes OJF-ve që zotëroheshin nga Xoxa.

Ai u la në qeli nga GJKKO më 12 shkurt, vendim që u mbështet edhe nga vendimi i Apelit të GJKKO me 13 mars.

Më 8 korrik 2025, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj, duke rrëzuar rekursin e tij.

Më 25 shtator Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Këshillit Bashkiak dhe shkarkoi nga detyra Erion Veliajn, i cili ankimoi këtë vendim në Kushtetuese.

Përmes një seance publike ku ishte prezent edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, Kushtetuesja vendosi më 3 nëntor 2025 rikthimin e tij në detyrë, duke pezulluar kështu zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.

Belinda Balluku

Një nga skandalet më të mëdha të një zyrtari të lartë që ka rënë në rrjetën e drejtësuisë, është ai i zëvendës kryeministres dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Pas një hetimi mbi 1-vjeçar për Ballukun dhe vartësit e saj, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e pezulloi nga detyrat e zv.kryeministres dhe ministres, e cila përballet me akuzat për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe.

Po ashtu Gjykata e Posaçme vendosi edhe masën e ndalimit për daljen jashtë vendit për Ballukun, duke i bllokuar pasaportën.

Më 21 nëntor 2025 qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin e vendimit të GJKKO. Më 12 dhjetor 2025 Kushtetuesja kaloi për shqyrtim ankimimin e qeverisë dhe vendosi rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut.

Më 16 dhjetor 2025 SPAK i dorëzoi kërkesë Kuvendit për heqjen e imunitetit për zëvendëskryeministren dhe ministren Belinda Balluku.

Në mbledhjen e 19 dhjetorit 2025 Këshilli i Mandateve vendosi shtyrjen e mbledhjes pasi avokati i zëvendëskryeministres kërkoi kohë për t’u njohur me aktet.

Kujtojmë se masa sigurie u vendosën edhe ndaj drejtorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të ARRSH, Gentian Gjyli. Ndaj Gjylit dhe Elezit, GJKKO caktoi masën “arrest në shtëpi”.

AKSHI

Një tjetër skandal i zbuluar pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, është ai i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Më 16 dhjetor SPAK dhe BKH ndërmorën një aksion ku ushtruan kontrolle në banesa dhe zyra në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, ndërsa Prokuroria e Posaçme kërkoi masa arresti për drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoreshën Hava Delibashi, biznesmenët Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe tre administrator subjektesh.

Ndaj zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismaili u dhanë masat e sigurisë pezullim nga detyra dhe iu ndalua dalja jashtë vendit.

Në kuadër të këtij hetimi ndaj drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karaçanaj u lëshua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendrë dhe ankande publike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” u la edhe zëvendës drejtoresha e AKSHI, Hava Delibashi.

SPAK nuk u ndal vetëm me zyrtaret e AKSHI, por kërkoi masa sigurie edhe për dy biznesmenë, të cilët dilnin në përgjime dhe ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ndaj biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri u caktua masa “arrest në burg”, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar ende në pranga.

“21 janari”

Gjatë 2025, një rikthim i vëmendjes ka qenë edhe për dosjen e “21 Janarit”, ku u thirrën për të dëshmuar ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha he ish Presidenti Bamir Topi.

Pas marrjes në pyetje nga prokurorët e posaçëm, Berisha u shpreh se nuk ka pasur asnjë urdhër për Gardën për të qëlluar me armë mbi protestuesit dhe se Garda ka zbatuar vetëm ligjin, ndërsa zoti Topi i kurseu detajet duke u shprehur se çështja është ende nën hetim.

SPAK thirri për të dëshmuar edhe kreun e PL, Ilir meta, i cili në 2011 mbante postin e zëvendës kryeministrit. Kujtojmë se meta kishte kërkuar vetë që të thirrej për të dëshmuar, duke pretenduar se kishte informacione mbi ngjarjen.

Tërmet Peçi

SPAK ka nën hetim ish-kreun e Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi për denoncimin e Arben Ristanit, i cili depozitoi në SPAK një kallëzim penal, duke e akuzuar atë dhe drejtorin e bashkisë, Lorenc Bamin, për ngritjen e një skeme të mirëfilltë korrupsioni me tendera, fonde publike dhe pasuri shtetërore dhe një çështje që lidhet me kallëzimin e Adriana Kalasë, ku Peçi dyshohet i përfshirë në tre vepra të rënda penale, “shkelje të barazisë në tendera, Korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Jonaid Myzyri

Më 24 qershor 2025 Prokuroria e Posaçme mori të pandehur kreun e Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyrin, i cili përballet me akuzat për “Shkelje të barazisë në tenderë, të kryer në bashkëpunim”.

Ai u gjet i përfshirë në një tender për mirëmbajtjen e rrugës Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me kosto 2.2 mln euro i zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 18 shtator të vitit 2020.

Majlinda Bufi

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi u mor e pandehur nga SPAK për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike”. Bufi akuzohet se në zgjedhjet e vitit 2023 kërcënoi një qytetar që të votonte në favor të PS. Ajo mban detyrën e Kryetares së Bashkisë së Roskovecit që prej vitit 2015.

Kristian Shkreli

Më 23 tetor 2025 SPAK mbylli hetimet dhe kaloi për gjykim kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli me akuzën për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit 2025, ndërsa më 5 dhjetor GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen e kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli.

Rexhë Byberi

Më 4 mars 2025 SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësin e tij Abedin. Dy zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre me dëm financiar mbi 277 milion lekë, ku për ndërtimin e dy rrugëve rrafshuan pyjet pa u konsultuar me institucionet e tjera të mjedisit.

Benet Beci

Benet Beci më 19 dhjetor 2025 u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, pas një hetimi që zgjati për më tepër se një vit dhe tashmë po bëhet gati t’i dorëzohet Gjykatës Antikorrupsion.

Beci po hetohet për periudhën kur nuk ishte kryetari bashkie, por mbante postin e kreut të KESH. Hetimi lidhet me tenderin prej pothuajse 700 mijë euro të vitit 2019 për një projekt kërkimor në fushën e sektorit energjetik.

Erion Isai

Më 24 shtator kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai u mor i pandehur nga SPAK. Ai akuzohet për “Shkelje të parimeve të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”.

Një rast që përmendet është rikonstruksioni i digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023 si dhe për tendering e rrugës Korçë-Ersekë.

The post Viti i hetimeve të bujshme/ Nga Balluku dhe Veliaj, te “AKSHI” dhe kryebashkiakët socialistë, dosjet që “shkundën” politikën shqiptare appeared first on Albeu.com.

Ernest Muçi barazon rekordin e Kylian Mbappes dhe Foden…

By: V K
1 January 2026 at 09:49

Ernest Muçi, ka befasuar në Superligën Turke me paraqitjet dhe golat spektakolarë të tij, për klubin e ri tashmë të Trabzonsporit.

Në muajin dhjetor sulmuesi kuqezi ka shënuar 4 gola, duke u futur në një klasifikim statistikor me emrat e sulmuesve më të mirë të të gjithë Europës.

Emra si Haaland i Manchester Cityt, Torres i Barcelonës, Ekitike i Liverpool apo Harry Kane i Bayern Munich kanë bërë më mirë se sa Muçi, me nga 5 gola.

Pas tyre vjen sulmuesi kuqezi Ernest Muçi me 4 gola, është në të njëjtin nivel me emra si Phill Foden i Manchester Cityt apo ylli francez i Realit të Madridit, Kylian Mbappe.

The post Ernest Muçi barazon rekordin e Kylian Mbappes dhe Foden… appeared first on Albeu.com.

Aksident tragjik në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”/ Dy makina përplasen me njëra-tjetrën, humbin jetën 3 të rinj (EMRAT)

By: V K
1 January 2026 at 09:30

Mëngjesin e sotëm, një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në aksin Gjirokastër-Tepelenë, me pasojë humbjen e tre jetëve njerëzore në vendin e quajtur Bypass.

Dy automjete janë përplasur fort me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një bilanc tragjik që ka shënuar ditën e parë të vitit 2026.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:18. Automjeti me drejtues shtetasin Martin Dulaj, 25-vjeç, banues në Tepelenë, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi Klejdi Myftari, 24-vjeç, banues në Tepelenë.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi Anxhelo Ruçi, 2-7 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja Arsida Demiri, 19-vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment rrugor është kryer për disa orë me vështirësi.

The post Aksident tragjik në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”/ Dy makina përplasen me njëra-tjetrën, humbin jetën 3 të rinj (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

❌
❌