Një fotografi jo vërtet e një “fantazme” duke shëtitur në Prishtinë u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale, përfundoi në disa media online dhe u kthye në temë debati publik.
Imazhi, i krijuar me inteligjencë artificiale, Photoshop apo montazh, nuk ishte real, por ndikimi i tij ishte.
Pa asnjë verifikim, pa burim dhe pa konfirmim zyrtar, një imazh i pavërtetë krijoi hutim, shqetësim dhe madje panik, sidomos te fëmijët dhe prindërit.
Kjo tregoi se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik dhe sa shpejt dështojnë filtrat bazë të informimit në gazetari.
Raste të tilla rikthejnë në vëmendje rrezikun e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe nevojën urgjente për edukim medial.
Në një kohë kur imazhet dhe videot po bëhen gjithnjë e më bindëse, verifikimi para shpërndarjes nuk është më zgjedhje, është përgjegjësi.
Kjo ishte një “fantazmë”. Nesër mund të jetë diçka shumë më serioze.
Prandaj, para se të besoni apo të shpërndani një lajm: verifikoni burimin, autorin dhe median.
Thjesht, verifikoni. Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.
Raportimi në disa media për një “fantazmë” që “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës është i pasaktë, pasi që bëhet fjalë për një përmbajtje të gjeneruar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (AI).
“Mediat duhet të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik”, thuhet në reagimin e KMShK-së me datën 12 janar.
KMShK bën thirrje që raportimet të bëhen kujdesshëm, të jenë korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës./Telegrafi/.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar se më 12 shkurt 2026, duke filluar nga ora 09:00, do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj disa të akuzuarve për vrasje të rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit H.B., R.M., V.Ç., E.L. dhe Sh.K. akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.9, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërkaq, i pandehuri D.G. akuzohet për veprën penale “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 380 paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 2 të KPRK-së.
Seanca do të mbahet në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në katin e parë, salla numër I, dhe do të udhëhiqet nga gjyqtari Ilir Bytyqi.
Nga Gjykata bëhet e ditur se seanca është e hapur për publikun, duke ftuar mediat dhe qytetarët e interesuar ta përcjellin atë./Telegrafi/.
Zgjedhja e Presidentes apo Presidentit të ri të Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk pritet të shoqërohet me bllokadë institucionale, pavarësisht debateve politike që mund të zhvillohen.
Sipas tij, bazë për këtë është vendimi i Gjykata Kushtetuese e Kosovës në rastin e Behgjet Pacollit, i cili përcakton qartë obligimin e deputetëve për të marrë pjesë në procesin e votimit.
“Deputetët janë të obliguar me marrë pjesë në votim. Edhe nëse nuk arrihet zgjedhja në dy rundet e para, në rundin e tretë Presidenti zgjidhet me 61 vota, por deputetët duhet të jenë të pranishëm”, u shpreh Demi në “Përballje Podcast”, shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se partitë politike nuk kanë më hapësirë për manovra apo bllokada të qëllimshme, pasi përvoja e kaluar ka treguar se zvarritjet institucionale nuk u kanë sjellë përfitime politike.
“Bllokada disamujore, edhe pse realisht përgjegjësia ishte kryesisht e partisë në pushtet, në perceptimin publik përfundimisht nuk e dëmtoi Vetëvendosjen”, tha Demi, duke shtuar se kjo parti ka arritur ta menaxhojë narrativën politike në favor të saj.
Sipas analistit, një raund i ri zgjedhjesh parlamentare nuk do t’u konvenonte as partive opozitare.
Ai përmendi se Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të hyjë në procese të brendshme zgjedhore, ndërsa një lidership i ri nuk do të rrezikonte përballjen me zgjedhje të reja brenda pak muajsh.
Një situatë e ngjashme, sipas tij, vlen edhe për Partinë Demokratike të Kosovës dhe AAK-në, të cilat nuk kanë interes të futen sërish në një cikël zgjedhor të shpejtë.
Demi foli edhe për faktorë të jashtëm që mund të ndikojnë në kalkulimet politike, përfshirë vendimet e mundshme nga Haga për ish-krerët e UÇK-së dhe PDK-së.
Në përmbyllje, Demi theksoi se rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe pjesëmarrja e mërgatës kanë treguar se Vetëvendosje, veçanërisht lideri i saj Albin Kurti, ka qenë disa hapa përpara në menaxhimin e skenarëve politikë.
“Edhe zvarritjet institucionale, në fund, janë shndërruar në avantazh elektoral për partinë në pushtet”, tha ai, duke shtuar se dalja më e ulët në votime në disa raste ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin final.
Grenlanda po shndërrohet në një nga pikat më të ndjeshme gjeostrategjike të dekadës.
Arktiku nuk është më periferi, por qendër e interesave të fuqive të mëdha.
Evropa mund të ballafaqohet në këtë aspekt me Amerikën e NATO mund të ndahet në qëndrime ndërsa lufta në Ukrainë, zhvillimet e fundit në Iran, tensionet rreth Tajvanit dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme po e formësojnë globin.
Kina dhe Rusia, çuditërisht, po qëndrojnë në heshtje për Venezuelën. Një heshtje që nuk është neutrale, por mund të jetë strategjike.
Ndërkohë, në Kosovë, dy javë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas daljes së rezultateve, debati publik vazhdon të sillet rreth një teme kryesore: numri i ulëseve në Kuvend.
A i ka Lëvizja Vetëvendosje 57 apo 58 deputetë? A mund t’i kishte Partia Demokratike e Kosovës 23 ulëse? Pse Lidhja Demokratike i ka vetëm 15 e jo 20 sa kishte?
Ndërkaq, diskutimet për qeverisjen e ardhshme, për prioritetet katërvjeçare, për programin politik, për ministritë dhe për politikat konkrete që do ta prekin jetën e qytetarëve, janë pothuajse të padukshme.
Në vend të pyetjes çfarë do të bëjmë?, vazhdojmë të pyesim sa i kanë?
Kjo do të ishte thjesht një anomali politike, po të mos ishte problem serioz strategjik.
Sepse, Kosova, ndonëse shtet i vogël, është jashtëzakonisht e ekspozuar ndaj zhvillimeve globale.
Çdo lëvizje në NATO, çdo tension mes fuqive të mëdha, çdo ndryshim në raportet ShBA–BE, çdo situatë në Lindje e në Ukrainë mund të këtë ndikim edhe në sigurinë e politikën e jashtme të vendit.
Qeveria e ardhshme e Kosovës do të përballet me një botë më të pasigurt, më të polarizuar dhe më pak të durueshme ndaj improvizimit.
Ajo do të duhet të ketë qasje të qartë ndaj sigurisë, diplomacisë, energjisë, ekonomisë dhe marrëdhënieve me aleatët. Këto nuk janë çështje teknike, por ekzistenciale.
Megjithatë, diskursi publik mbetet i ngujuar në rreth parlamentar dhe ironia është e pashmangshme: teksa bota po digjet, ne numërojmë karriget.
Natyrisht, rezultati zgjedhor ka rëndësinë e vet dhe respektimi i procedurave është thelbësor për demokracinë. Por, nuk mbaron gjithçka te numërimi i mandateve. Demokracia vazhdon pikërisht aty, te vizioni, te përgjegjësia dhe te përgatitja për sfidat që vijnë.
Pyetja reale nuk është kush ka një ulëse më shumë në Kuvend. Pyetja është: a jemi gati për botën që po vjen?
Qeveria e re e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, duhet ta shfrytëzojë vitin 2026 për të vendosur themele të qarta zhvillimore dhe për të shmangur politikat afatshkurtra që nuk prodhojnë rezultate të qëndrueshme.
Në “Përballje Podcast”, me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu, Demi theksoi se fokusi i institucioneve të reja duhet të jetë funksionalizimi i shtetit dhe orientimi drejt reformave që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi dhe shoqëri.
Sipas tij, prioriteti i parë duhet të jetë stabiliteti institucional dhe miratimi në kohë i buxhetit.
“Miratimi i buxhetit është pika e parë dhe më e rëndësishme, sepse pa të bllokohen pagesat dhe funksionimi normal i shtetit”, tha Demi, duke nënvizuar se vonesat politike krijojnë kosto të drejtpërdrejta ekonomike.
Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Demi vlerësoi se Qeveria e re duhet të rikthejë vëmendjen te investimet kapitale dhe projektet zhvillimore.
“Investimet kapitale kanë qenë për vite motor i zhvillimit ekonomik, krijimit të vendeve të punës dhe rritjes afatgjatë”, u shpreh ai, duke shtuar se pa projekte konkrete infrastrukturore është e vështirë të flitet për zhvillim real.
Një tjetër fokus i domosdoshëm, sipas Demit, është digjitalizimi i administratës publike dhe modernizimi i shërbimeve shtetërore.
“Digjitalizimi duhet të ndikojë mënyrën se si funksionon shteti – nga arsimi dhe shëndetësia, te projektet kapitale dhe raporti i qytetarëve me institucionet”, tha ai shkruan Telegrafi.
Foto:Ridvan Slivova
Demi theksoi gjithashtu se arsimi dhe inovacioni duhet të trajtohen si shtylla të zhvillimit afatgjatë. Sipas tij, ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale po e transformojnë tregun global të punës, ndaj Kosova duhet të përgatisë kapitalin njerëzor për këto sfida.
“Nuk kemi luksin të vazhdojmë me politika të vjetra në një botë që po ndryshon kaq shpejt”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Demi tha se suksesi i Qeverisë së re do të matet me aftësinë për të kaluar nga menaxhimi i përditshëm drejt një vizioni zhvillimor.
“Këto janë vitet kur duhet të vendosen themelet për dekadat e ardhshme, sepse vendimet e sotme do ta përcaktojnë zhvillimin e Kosovës në të ardhmen”, përfundoi ai. /Telegrafi/.
Ekonomia e Kosovës, sipas analistit të politikave Agron Demi, nuk përballet vetëm me sfidën e miratimit të buxhetit, por edhe me bllokimin e marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Duke folur në “Përballje Podcast”, Demi theksoi se një nga rastet më domethënëse është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
Sipas tij, Kosova nuk ka arritur të përfitojë asnjë euro nga fondet në vlerë prej 882 milionë eurosh, të garantuara nga Bashkimi Evropian për vendet e rajonit, me fokus fillestar zbatimin e agjendës së gjelbër dhe më pas projekte të tjera zhvillimore.
“Kosova është një ndër vendet e vetme në rajon, pas Bosnjës, që nuk ka arritur të marrë asnjë milion nga këto fonde”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.
Ai paralajmëroi se një pjesë e këtyre mjeteve tashmë mund të konsiderohen të humbura.
“Vetë kryeministri Kurti ka deklaruar se rreth dhjetë për qind e këtyre fondeve vetëm se janë humbur, ndërsa ato mjete shpërndahen më pas te vendet e tjera të rajonit”, tha Demi, duke theksuar se rikthimi i plotë i shumës prej 882 milionë eurosh tashmë është i vështirë.
Demi shtoi se mbetet e paqartë nëse, edhe në rast të miratimit të buxhetit në fillim të vitit, Kosova do të arrijë t’i rikthejë këto mjete.
“Nuk dihet nëse në janar, edhe nëse aprovohet buxheti, do të ketë ende hapësirë që këto fonde të kthehen”, theksoi ai.
Sipas analistit, kjo situatë tregon se sfidat ekonomike të vitit 2026 nuk lidhen vetëm me politikat e brendshme fiskale, por edhe me aftësinë institucionale të Kosovës për të përmbushur obligimet dhe për të shfrytëzuar mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, të cilët mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin e gjelbër të vendit./Telegrafi/
Numërimi i votave ka përfunduar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me 192,407 vota.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas përmbylljes së procesit zgjedhor, duke theksuar se ky rezultat përfaqëson një përgjegjësi të madhe për partinë.
“Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe”, ka shkruar Hamza, duke vlerësuar ruajtjen e votës së PDK-së si dëshmi të mbështetjes së qytetarëve për punën dhe vlerat që partia përfaqëson.
Ai ka theksuar se gara ka qenë e vështirë dhe e pabarabartë, ndërsa ka nënvizuar se rezultati i obligon strukturat e partisë për angazhim edhe më të madh.
“Ky besim na obligon më shumë se kurrë që të riorganizohemi, t’i konsolidojmë radhët tona dhe ta intensifikojmë veprimin politik”, ka shkruar ai transmeton Telegrafi.
Hamza ka bërë të ditur se PDK do të vazhdojë angazhimin për qytetarët pa dallim.
“PDK do të vazhdojë të punojë për çdo qytetar, pa dallim, në çdo platformë ku jemi të pranishëm, me këmbëngulje dhe me bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë”, ka përfunduar ai, duke falënderuar qytetarët për besimin e dhënë./Telegrafi/.
Kosova hyn në vitin 2026 me pritje për institucione të reja dhe me pritshmëri të larta për stabilitet politik dhe zhvillim ekonomik.
Në “Përballje Podcast”, analisti i politikave Agron Demi ka folur për gjendjen ekonomike të vendit, prioritetet që e presin Qeverinë e re dhe rreziqet që mund ta shoqërojnë vitin 2026 nëse nuk ka ndryshim qasjeje.
Demi vlerëson se proceset zgjedhore tashmë kanë përfunduar, por sfida kryesore mbetet faza paszgjedhore dhe funksionalizimi i institucioneve.
Sipas tij, formimi i shpejtë i Kuvendit dhe Qeverisë është parakusht për stabilitet ekonomik.
“Nëse tejkalohet shkurti pa u konstituuar Kuvendi dhe Qeveria, mund të rrezikohen linjat buxhetore dhe të krijohen pengesa serioze financiare”, tha ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Fokusi kryesor për vitin 2026, sipas Demit, duhet të jetë zhvillimi ekonomik.
Ai theksoi se vitet e fundit janë karakterizuar nga vendime të përkohshme dhe mungesë e projekteve zhvillimore afatgjata.
“Ka pasur shumë vendime ad-hoc dhe shpërndarje të mjeteve buxhetore, por investimet kapitale, që dikur ishin shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, kanë rënë në plan të tretë”, u shpreh Demi shkruan Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Në këtë kontekst, ai vlerëson se buxheti i vitit 2026 duhet të ketë karakter më zhvillimor.
Sipas tij, rritja e shpenzimeve për paga dhe skema sociale nuk mjafton për të nxitur rritje ekonomike afatgjatë.
“Nëse nuk rikthehet fokusi te investimet kapitale dhe projektet infrastrukturore, do të jetë e vështirë të flasim për zhvillim real ekonomik”, theksoi ai.
Demi foli edhe për marrëveshjet dhe fondet ndërkombëtare, duke përmendur Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.
“Kosova nuk ka arritur të përfitojë nga fondet e garantuara prej BE-së, ndërsa një pjesë e tyre rrezikon të humbet nëse nuk ka veprime të shpejta institucionale”, tha ai, duke e cilësuar këtë si një mundësi të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe për zbatimin e agjendës së gjelbër.
Sa i përket gjendjes sociale, Demi theksoi se inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës.
“Rritja e çmimeve, deficiti tregtar dhe varësia nga importet vazhdojnë të jenë sfida serioze për ekonominë e Kosovës”, u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e matjeve të rregullta të varfërisë e bën më të vështirë adresimin e problemeve reale.
Foto: Ridvan Slivova
Në fund, Demi vlerësoi se viti 2026 duhet të shënojë një orientim më të qartë drejt reformave strukturore, digjitalizimit dhe tranzicionit të gjelbër.
“Dhjetëvjeçari i ardhshëm do të jetë periudhë e tranzicionit digjital dhe energjetik. Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë me politika të vjetra në një realitet që po ndryshon shpejt”, përfundoi ai.
Sipas Demit, mënyra se si Qeveria e re do ta adresojë buxhetin, investimet kapitale dhe fondet ndërkombëtare do të përcaktojë në masë të madhe nëse viti 2026 do të jetë vit stabilizimi apo vit i humbur për zhvillimin ekonomik të Kosovës./Telegrafi/.
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhebashkëpunim me njësitet e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më datë 05.01.2026 ka bërë ekstradimin nga Kosova në Turqi të një shtetasi turk.
Në njoftimin nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se i dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Turqisë nën dyshimin e përfshirjes në veprapenale.
“Shfrytëzimi seksual i fëmijës’’ dhe ‘’Privimi i lirisë së fëmijës’’, të sanksionuar sipas kodit penaltë shtetit turk.Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre turke, shkruan në komunikatë transmeton Telegrafi.
Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojëbashkëpunimin me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimittë aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryerësve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera tëjashtëligjshme./Telegrafi/.
Për qytetarët, viti 2026 nuk është debat politik, por një pyetje e drejtpërdrejtë, a do të ketë punë, mirëqenie, shërbime më të mira dhe stabilitet institucional?
Pas një bllokade njëvjeçare, Kosova po hyn më në fund në një fazë të re politike. Zgjedhjet u përmbyllën pa incidente dhe me publikim rekord të rezultateve preliminare nga KQZ-ja, një tregues i funksionimit demokratik dhe stabilitetit institucional.
Sipas rezultateve, qytetarët i dhanë Albin Kurtit edhe një mandat tjetër. Me 56 deputetë të siguruar nga LVV dhe partnerët e saj, formimi i Qeverisë Kurti 3 duket çështje kohe. Por fitorja në zgjedhje nuk e zëvendëson përgjegjësinë e qeverisjes. Përkundrazi, viti 2026 do të jetë test politik dhe institucional.
Pesë sfida do ta përcaktojnë jo vetëm punën e Qeverisë Kurti 3, por edhe besimin e qytetarëve në politikë dhe qeverisje.
Buxheti 2026 dhe ekonomia
Sfida kryesore mbetet ekonomia. Miratimi i Buxhetit 2026 duhet të jetë urgjent, i qëndrueshëm dhe zhvillimor. Pa investime kapitale, mbështetje për sektorin privat dhe menaxhim të kujdesshëm fiskal, çdo reformë tjetër mbetet e kufizuar.
Përveç menaxhimit fiskal, qeveria duhet të adresojë çmimet e larta të energjisë, inflacionin dhe presionin mbi buxhetin e familjeve. Nevojitet mbështetje institucionale e qëndrueshme për bizneset dhe qytetarët, për të shmangur rritje të mëtejshme të çmimeve dhe pasoja të thella sociale.
Zgjedhja e Presidentit – testi real
Në pranverën e vitit 2026 pritet zgjedhja e Presidentit/es. Ky proces nuk duhet ta fusë vendin në krizë politike apo ta çojë drejt zgjedhjeve të reja. Kërkohet kompromis dhe pjekuri institucionale.
Deri tash, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur gatishmërinë e saj për një mandat të dytë. A do të ndodhë kjo apo do të kemi një figurë tjetër në krye të institucionit, do ta tregojë koha e afërt.
Kjo situatë do të jetë testi real për Qeverinë Kurti 3 dhe për qëndrimet që do të mbajnë subjektet kryesore politike – PDK, LDK dhe AAK në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi dhe agjenda legjislative
Pas bllokadave të gjata, Kuvendi duhet të funksionojë. Para deputetëve janë ligje dhe marrëveshje kyçe, përfshirë marrëveshjet financiare me Bankën Botërore, projektet për shëndetësi dhe arsim, si dhe shqyrtimi i parë i Buxhetit 2026.
Foto: Ridvan Slivova
Këto vendime përcaktojnë zhvillimin ekonomik dhe raportet ndërkombëtare të Kosovës. Çdo bllokadë e re do të ishte jo vetëm dështim politik, por edhe kosto direkte për qytetarët.
Politika e jashtme dhe partnerët
Raportet me Bashkimin Evropian dhe ruajtja e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten sfida serioze. Kosova ka nevojë për diplomaci më proaktive dhe më pak konfrontim që çon në izolim.
Izolimi diplomatik nuk është veprim i mençur, por rrezik strategjik për një shtet të vogël. Njohjet e reja dhe anëtarësimi në organizata dhe institucione ndërkombëtare mbeten prioritet kyç. Dialogu me Serbinë do të jetë në fokus, por edhe në varësi të situatës politike në Serbi.
Qeverisja e brendshme
Arsimi, shëndetësia dhe administrata publike mbeten test për çdo qeveri, e sidomos për një qeveri me mandat të dytë apo të tretë. Qytetarët presin rezultate konkrete, jo justifikime politike.
Zgjedhjet përfunduan. Tani nuk ka më arsyetime, as fajësime. Viti 2026 do të tregojë nëse mandati i ri do të mbahet mend për qeverisje, apo për një tjetër shans të humbur./Telegrafi/.
Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale ka krijuar një tronditje të thellë në ekonominë amerikane dhe në tregjet financiare globale, duke vënë në pikëpyetje epërsinë tradicionale teknologjike të Shteteve të Bashkuara. Kështu ka deklaruar eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, në “Përballje Podcast”.
Sipas Bajrës, për herë të parë pas dekadash, tregu amerikan është përballur me ndjenjën se dominimi teknologjik nuk është më i garantuar, gjë që ka reflektuar drejtpërdrejt në sjelljen e investitorëve dhe në luhatjet e forta të tregjeve gjatë vitit 2025.
“Kjo ishte një tronditje e madhe për tregun amerikan. U kuptua se epërsia teknologjike nuk është më e sigurt”, tha Bajra.
Ai shpjegoi se frika nga përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale dhe nga humbja e avantazhit teknologjik ka ndikuar drejtpërdrejt në rënien e besimit te kompanitë e mëdha teknologjike dhe në tërheqjen e shpejtë të kapitalit.
“Kur kapitali fillon të tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik. Reagimi i investitorëve ka qenë i menjëhershëm”, theksoi ai.
Bajra theksoi se inteligjenca artificiale nuk është vetëm zhvillim teknologjik, por tashmë është shndërruar në faktor kyç ekonomik dhe gjeopolitik, që po ndikon mënyrën se si alokohet kapitali dhe si ndërtohen strategjitë ekonomike globale.
“Inteligjenca artificiale sot është faktor ekonomik dhe gjeopolitik. Ajo po e ndryshon mënyrën se si funksionojnë tregjet dhe si mendohet për të ardhmen”, u shpreh Bajra shkruan Telegrafi.
Sipas tij, këto zhvillime do të vazhdojnë të ndikojnë në tregjet financiare edhe në vitet në vijim, duke e bërë inteligjencën artificiale një nga faktorët më të rëndësishëm në ekonominë globale./Telegrafi/.
Pas një bllokade totale njëvjeçare, më në fund vendi po duket se po shkon drejt një zgjidhjeje.
Zgjedhjet përfunduan, qytetarët votuan dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në kohë rekord rezultatet e para preliminare.
Vetëm 2–3 orë pas përfundimit të votimit, Kosova kishte tashmë rezultatet fillestare, çka përbën një shembull të organizimit të mirë, procesit demokratik dhe një dite zgjedhore pa incidente serioze që do ta cenonin integritetin e procesit.
Por, çfarë sollën rezultatet e djeshme dhe cila është situata politike?
Qytetarët ia dhanë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje edhe një mandat për të qeverisur.
Me 56 deputetë nga LVV, GUXO, Alternativa dhe PShDK, Kurtit i duhen vetëm edhe 5 vota nga komunitetet jo-shumicë për të formuar qeverinë. Nëse këto vota sigurohen pa Duda Baljen dhe Adem Hoxhën, si në të kaluarën, Kurti mund të arrijë deri në 64 vota, duke krijuar qeverinë pa partitë opozitare të deritashme, PDK, LDK dhe AAK.
Në muajin shkurt, Kurti kishte 42% dhe 48 deputetë, ndërsa sipas rezultateve të së dielës, që ende nuk janë finale, ai del me 56 deputetë, pra 6 më shumë.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila në shkurt kishte 24 deputetë, tani pritet të ketë 23, me Bedri Hamzën në krye të partisë.
LDK-ja, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, shënon një rënie të konsiderueshme nga 20 deputetë në shkurt, tani pritet të ketë 15.
Ndërkohë, AAK, e cila në shkurt kishte 8 deputetë së bashku me NISMA-n e Fatmir Limajt, tani pritet të ketë 6 deputetë, dy më pak, dhe pa NISMA-n në Kuvend.
Tani, pas një bllokade njëvjeçare, çfarë na pret?
Është koha për përgjegjësi, punë dhe përkushtim. Kosovën e presin shumë tema të rëndësishme, por fokusi kryesor në vitin 2026 duhet të jetë ekonomia – ekonomia dhe ekonomia.
Kur flasim për ekonomi, flasim për Buxhetin 2026, i cili duhet të miratohet urgjentisht; për ligjet e reja që e presin Kuvendin e Kosovës; dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që presin miratim dhe zbatim praktik.
Një tjetër test real për Qeverinë Kurti 3 do të jetë zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës në pranverë. Ky proces nuk duhet ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Kërkohen marrëveshje, kompromis dhe pjekuri politike.
Kosova nuk ka më nevojë për “sallta politike”. Është koha për përgjegjësi dhe pjekuri politike.
Koha për qeverisje të mirë në arsim, shëndetësi, ekonomi, politikë të jashtme, e jo për ankesa dhe bllokada.
Pavarësisht pasigurive dhe luhatjeve në tregjet financiare globale, Trusti Pensional i Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2025 në pozitivisht.
Kështu ka deklaruar Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Trustit, në “Përballje Podcast”, duke theksuar se fondi është ndërtuar për t’i përballuar pikërisht periudhat e paqëndrueshme në tregje.
Bajra sqaroi se fondi pensional nuk duhet parë si investim afatshkurtër dhe se rëniet ditore apo mujore nuk e përcaktojnë të ardhmen financiare të kontribuuesve.
“Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet e sotme nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, tha ai shkruan Telegrafi.
Sipas Bajrës, gjatë vitit 2025 Trusti është përballur me disa luhatje në tregje, por falë menaxhimit aktiv dhe diversifikimit të investimeve ka arritur t’i absorbojë goditjet pa rrezikuar stabilitetin e fondit.
“Ne i kemi përballuar luhatjet shumë mirë. Kemi alokuar dhe rialokuar kapitalin aty ku kemi parë rënie dhe aty ku kemi parë mundësi për kthim”, theksoi Bajra.
Ai shtoi se strategjia e investimeve është ndërtuar mbi parimin e sigurisë maksimale për kontribuuesit, duke mos e ekspozuar fondin ndaj rrezikut të panevojshëm, por duke shfrytëzuar mundësitë që krijohen në tregjet globale.
“Natyra e fondeve pensionale nuk është si e investitorëve privatë. Ajo kërkon durim dhe planifikim afatgjatë”, u shpreh ai.
Bajra theksoi se Trusti ka investuar në mënyrë të diversifikuar, përfshirë edhe në sektorin e mbrojtjes, me qëllim të ruajtjes së vlerës dhe rritjes graduale të kthimit.
Në fund, Bajra e cilësoi fondin pensional të Kosovës si një arritje institucionale, duke vënë në pah disiplinën e kontribuuesve dhe menaxhimin profesional ndër vite.
“Kosova sot ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra./Telegrafi/.
Viti 2025 ka shënuar një ndryshim të thellë në rendin gjeopolitik dhe ekonomik global, veçanërisht pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu tha në “Përballje Podcast”, eksperti i tregjeve financiare ndërkombëtare, Emanuel Bajra, i cili vlerëson se nuk ka pasur vetëm ndryshim administrate, por edhe ndryshim doktrine politike dhe ekonomike.
“Me ardhjen e presidentit Trump, u ndryshua doktrina politike dhe ekonomike e Shteteve të Bashkuara. Brenda një kohe shumë të shkurtër u nënshkruan qindra urdhra ekzekutivë që krijuan perceptimin e një Amerike që po ndryshon rrënjësisht”, tha Bajra, shkruan Telegrafi.
Sipas tij, këto zhvillime janë reflektuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet transatlantike dhe në fragmentimin e tregut evropian, i cili mbetet tregu më i madh dhe më i lakmueshëm konsumator në botë.
“Amerikës nuk i konvenon një Evropë e bashkuar si njësi e vetme tregtare. Kostoja e rikthimit të Amerikës si superfuqi e vetme po paguhet kryesisht nga Evropa”, theksoi ai.
Katër luhatjet kryesore në tregjet globale financiare gjatë 2025-së
Bajra thotë se kanë ndodhur katër luhatje të mëdha që kanë goditur tregjet financiare globale gjatë vitit 2025, me theks të veçantë në sektorin teknologjik dhe politikat tarifore amerikane.
“Kemi pasur katër luhatje serioze në tregjet globale. Ato erdhën si kombinim i gjeopolitikës, tarifave amerikane dhe goditjes së sektorit të teknologjisë”, shpjegoi ai.
Foto: Floriana Alija
Sipas tij, rënia e besimit në kompanitë e mëdha teknologjike, frika nga inteligjenca artificiale dhe reagimet emocionale të investitorëve krijuan pasiguri të theksuar, por pa shkaktuar kolaps sistemik.
“Investitorët reagojnë shumë shpejt. Kur kapitali tërhiqet, bie konfidenca dhe krijohet panik, por tregjet kanë treguar rikuperim gradual”, tha Bajra në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
2026- vit më i nxehtë dhe pritjet për Trustin Pensional të Kosovës
Duke folur për vitin 2026, Bajra paralajmëron se pritet të jetë edhe më i tensionuar, si në aspektin gjeopolitik ashtu edhe në tregjet financiare, për shkak të konsolidimit të pushtetit të Trumpit dhe vendimeve ekonomike që priten nga administrata amerikane.
“Viti 2026 do të jetë edhe më i nxehtë. Amerika është superfuqi dhe çdo vendim i saj reflektohet globalisht”, tha ai.
Sa i përket Trustit Pensional të Kosovës, ku Bajra është kryesues i bordit, thotë se pavarësisht luhatjeve të tregut, fondi mbetet stabil dhe me kthim pozitiv.
“Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet afatshkurtra nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, theksoi ai.
Sipas Bajrës, viti 2025 pritet të mbyllet pozitivisht për fondin, ndërsa diversifikimi i investimeve dhe menaxhimi profesional kanë garantuar siguri dhe rritje afatgjatë.
“Kosova ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra. /Telegrafi/
Dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë po bëhet gjithnjë e më i sofistikuar, ndërsa rrjetet sociale dhe inteligjenca artificiale po e vështirësojnë dallimin mes lajmit të verifikuar dhe përmbajtjeve të rreme.
Kështu u tha në episodin e pestë të “Përballje Podcast”, ku Getoarbë Mulliqi nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Festim Rizanaj nga HIBRID.info folën për rreziqet që dezinformimi paraqet për integritetin medial dhe proceset demokratike.
Mulliqi theksoi se, pavarësisht përgatitjes së gazetarëve, qytetarët mbeten të cenueshëm për shkak të mungesës së edukimit medial.
“Gazetarët dinë t’i demantojnë dezinformatat, por qytetarët mbesin të pambrojtur pa edukim medial,” tha ajo shkruan Telegrafi.
Të dy panelistët bënë thirrje për orientim drejt mediave kredibile, verifikim të informatave dhe institucionalizim të edukimit medial si zgjidhje afatgjate kundër dezinformimit./Telegrafi/.
Mediat sociale po e dëmtojnë autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”, ku qytetarët përballen çdo ditë me përmbajtje të pakontrolluara, përfshirë dezinformata që intensifikohen sidomos gjatë fushatave zgjedhore.
Kështu u shpreh Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.info, në episodin e pestë të “Përballje Podcast”, duke folur për gjetjet nga monitorimi i dezinformimit në periudha zgjedhore.
Sipas Rizanajt, me shfaqjen e mediave sociale, secili ka mundësi të hapë faqe apo llogari dhe të shpërndajë informacione, shpesh të emërtuara me prapashtesa si “info” apo “gazeta”, duke krijuar përshtypjen e rreme të burimeve mediatike.
“Kjo ia ka marrë autoritetin medias kredibile dhe gazetarisë profesionale, duke krijuar mjegull informativ në rrjete sociale,” tha Rizanaj shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se sot shumica e qytetarëve informohen kryesisht përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata, gjë që e ka rritur nevojën për platforma të verifikimit të fakteve dhe për media profesionale e kredibile.
Dezinformimi gjatë fushatave dhe përdorimi i AI
Rizanaj tha se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe, kanale dhe llogari të reja që shpërndajnë përmbajtje manipuluese, duke filluar nga deklarata të vjetra të ripublikuara, imazhe të edituara e video të prera, deri te përmbajtje të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi identifikuar video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, të cilat improvizohen si intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme", tha ai, transmeton Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas Rizanajt, këto përmbajtje synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e audiencës dhe të votuesve, duke e bërë verifikimin e informacionit edhe më të domosdoshëm.
Duke folur për gjetjet e raportit të fundit të HIBRID.info, Rizanaj tha se mediat ruse, si Russia Today dhe Sputnik, operojnë në Ballkanin Perëndimor kryesisht në gjuhën serbe, me synim arritjen e një audience sa më të gjerë.
“Narrativat e këtyre mediave amplifikohen nga tabloidet dhe mediat e afërta me pushtetin në Serbi dhe më pas arrijnë te komuniteti serb në Kosovë”, tha ai.
Sipas Rizanajt, target audienca e këtyre mediave mbetet komuniteti serb, i cili vazhdon të informohet kryesisht nga tabloidet serbe, duke mos pasur alternativa të tjera të besueshme.
“Këto narrativa riciklohen vazhdimisht dhe shpërndahen si informacione të besueshme, ndonëse kanë agjendë të qartë politike,” theksoi ai. /Telegrafi/
Mungesa e edukimit medial dhe ndryshimi i shpejtë i mënyrës se si qytetarët informohen po e bëjnë shoqërinë kosovare gjithnjë e më të cenueshme ndaj dezinformimit, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore.
Kështu u tha në episodin e pestë të “Përballje Podcast”( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë) ku Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), foli për rolin e organizatës, sfidat aktuale të mjedisit informativ dhe nevojën për edukim medial të qëndrueshëm.
Mulliqi theksoi se roli i AGK-së është zgjeruar përtej mbrojtjes së gazetarëve, duke përfshirë edhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit.
“AGK-ja është themeluar si organizatë që i mbron të drejtat e gazetarëve, por roli ynë është zgjeruar edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe luftimin e fenomeneve që e dëmtojnë integritetin e profesionit,” tha Mulliqi shkruan Telegrafi.
Ajo përmendi trajnime, akademi, punëtori dhe vizita studimore si pjesë të aktiviteteve të vazhdueshme të AGK-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale të gazetarëve.
Foto: Ridvan Slivova
Ajo shtoi se ciklet e shpeshta zgjedhore e kanë bërë dezinformimin një fenomen të vazhdueshëm në diskursin publik.
Drejtoresha e AGK-së vlerësoi se gazetarët, falë trajnimeve, janë më të përgatitur për të demantuar dezinformatat, por problemi kryesor mbetet mungesa e edukimit medial te publiku.
“Gazetarët kanë ditur si t’i përgënjeshtrojnë dezinformatat, por kur përballen me qytetarët, shihet qartë mungesa e edukimit mediatik,” tha Mulliqi.
Sipas saj, qytetarët shpesh nuk arrijnë të dallojnë mes një lajmi të verifikuar dhe përmbajtjeve mashtruese që qarkullojnë në rrjete sociale.
Mulliqi theksoi se lufta kundër dezinformimit nuk mund të fitohet pa e bërë edukimin medial pjesë të sistemit arsimor.
“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur këtë problem. Edukimi medial duhet të institucionalizohet dhe të fillojë që në moshë të hershme,” tha ajo.
Ajo theksoi se zhvillimi i të menduarit kritik është mburoja më e fortë ndaj dezinformimit, sidomos në një kohë kur inteligjenca artificiale e ka vështirësuar edhe më shumë dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës./Telegrafi/
Dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë mbetet një rrezik serioz për integritetin medial dhe proceset demokratike, ndërsa format e tij po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, veçanërisht përmes mediave sociale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Kështu u tha në episodin e pestë të serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), ku u diskutua roli i organizatave të shoqërisë civile në luftën kundër dezinformimit, me fokus të veçantë periudhën zgjedhore.
Në këtë episod të ftuar ishin Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), dhe Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.
Ajo nënvizoi se AGK-ja, përveç mbrojtjes së gazetarëve, ka zgjeruar rolin e saj edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit, përmes trajnimeve, akademive dhe bashkëpunimit me platforma të verifikimit të fakteve.
Foto: Ridvan Slivova
“Gazetarët kanë qenë të përgatitur për t’i demantuar dezinformatat, por problemi kryesor është mungesa e edukimit mediatik te qytetarët,” theksoi ajo.
Sipas Mulliqit, mungesa e edukimit medial në sistemin arsimor dhe shfaqja e portaleve të përkohshme gjatë fushatave e bëjnë mjedisin informativ edhe më të brishtë.
Ndërsa hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj, tha se mediat sociale kanë ulur autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”.
“Sot shumica e njerëzve informohen përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata,” tha Rizanaj në “Përballje Podcast” me kreyredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai paralajmëroi se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe dhe llogari që shpërndajnë përmbajtje të rreme, përfshirë deklarata të vjetra, imazhe të manipuluara dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi edhe video të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat imitojnë intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme,” shtoi ai.
Narrativa nga mediat ruse dhe serbe
Rizanaj prezantoi edhe gjetjet e hulumtimeve të fundit të HIBRID.info, duke theksuar ndikimin e mediave ruse dhe serbe në hapësirën informative të Ballkanit Perëndimor.
“Narrativat e Russia Today dhe Sputnik në gjuhën serbe amplifikohen nga tabloidet në Serbi dhe arrijnë te komuniteti serb në Kosovë,” tha ai.
Sipas tij, këto narrativa shpesh e paraqesin Listën Serbe si të vetmen alternativë politike për serbët në Kosovë, ndërsa institucionet e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë si kërcënim për mbijetesën e tyre.
Foto: Ridvan Slivova
Thirrje për edukim medial
Të dy panelistët u pajtuan se zgjidhja afatgjate nuk qëndron vetëm te demantimi i dezinformatave, por te edukimi medial i qytetarëve.
“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur problemin, por edukimi medial duhet të institucionalizohet,” tha Mulliqi.
Ndërsa Rizanaj theksoi rëndësinë e orientimit të publikut drejt mediave kredibile.
“Media serioze kanë ekipe, burime dhe verifikim. Faqet në rrjete sociale me prapashtesa ‘info’ apo ‘gazeta’ nuk janë domosdoshmërish media,” tha ai.
Diskutimi u mbyll me thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet mediave tradicionale, organizatave të shoqërisë civile dhe platformave të fakt-checking-ut, për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe proceset demokratike në Kosovë./Telegrafi/.
Ky është episodi i pestë i serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/