UASHINGTON, 4 janar /ATSH/ – Për muaj të tërë, spiunët amerikanë kishin monitoruar çdo lëvizje të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, sipas BBC.
Një ekip i vogël, që përfshinte edhe një burim brenda qeverisë venezuelase, kishte vëzhguar se ku flinte 63-vjeçari, çfarë hante, çfarë vishte dhe madje, sipas zyrtarëve të lartë ushtarakë, edhe “kafshët e tij shtëpiake”.
Më pas, në fillim të dhjetorit, u finalizua një mision i planifikuar me emrin “Absolute Resolve Operation”. Ai ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe provash të imtësishme, që përfshinin edhe ndërtimin nga trupat elitare amerikane të një kopjeje të saktë, në madhësi reale, të shtëpisë së sigurt të Maduros në Karakas, për të praktikuar rrugët e hyrjes.
Plani, që përbënte një ndërhyrje të jashtëzakonshme ushtarake amerikane në Amerikën Latine, të paprecedent që nga Lufta e Ftohtë, u mbajt rreptësisht sekret.
Kongresi nuk u informua dhe nuk u konsultua paraprakisht. Me detajet e sakta të përcaktuara, zyrtarëve të lartë ushtarakë u mbeti vetëm të prisnin kushtet optimale për nisjen e operacionit.
Ata donin të maksimizonin elementin e befasisë, thanë zyrtarët.
Kishte pasur një nisje të rreme katër ditë më parë, kur presidenti Trump kishte dhënë miratimin, por u vendos të pritej për mot më të mirë dhe më pak mbulim me re.
“Gjatë javëve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, burrat dhe gratë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara qëndruan gati, duke pritur me durim që të plotësoheshin kushtet e duhura dhe presidenti të na urdhëronte të vepronim”, tha shefi më i lartë ushtarak i vendit, gjenerali Dan Caine, në një konferencë shtypi.
“Fat të mbarë dhe Zoti ju ndihmoftë”
Urdhri nga presidenti për të nisur misionin erdhi më në fund në orën 22:46 EDT të së premtes.
“Do ta bënim këtë katër ditë më parë, tre ditë më parë, dy ditë më parë, dhe pastaj papritur u hap mundësia. Dhe thamë: Shkoni”, tha vetë Trump për Fox & Friends dje pak orë pas operacionit të natës.
“Ai na tha, dhe ne e vlerësojmë këtë… fat të mbarë dhe Zoti ju ndihmoftë”, tha gjenerali Caine.
Urdhri i Trump erdhi pak para mesnatës në Karakas, duke i dhënë ushtrisë pjesën më të madhe të natës për të operuar në errësirë.
Ajo që pasoi ishte një mision dy orë e njëzet minuta nga ajri, toka dhe deti, që befasoi shumëkënd në Uashington dhe në mbarë botën.
Për nga shkalla dhe saktësia, ai ishte praktikisht i paprecedentë. Dhe shkaktoi menjëherë dënime nga disa fuqi rajonale, me presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, që tha se kapja e dhunshme e udhëheqësit të Venezuelës vendoste “edhe një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për të gjithë komunitetin ndërkombëtar”.
Trump nuk e ndoqi misionin nga salla e situatave në Shtëpinë e Bardhë. Në vend të kësaj, ai ishte i rrethuar nga këshilltarët e tij në klubin Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, ku ndoqi një transmetim të drejtpërdrejtë të operacionit, i shoqëruar nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
“Ishte diçka e pabesueshme për t’u parë”, tha dje Trump. “Nëse do ta kishit parë çfarë ndodhi… e pashë fjalë për fjalë sikur po shikoja një shfaqje televizive. Dhe nëse do të kishit parë shpejtësinë, dhunën… ishte thjesht diçka e jashtëzakonshme, një punë e mrekullueshme që bënë këta njerëz”.
Në muajt e fundit, mijëra trupa amerikane janë dislokuar në rajon, duke iu bashkuar një aeroplanmbajtëseje dhe dhjetëra anijeve luftarake në grumbullimin më të madh ushtarak në dekada, ndërsa presidenti Trump ka akuzuar Maduron për trafik droge dhe narko-terrorizëm, si dhe ka shkatërruar dhjetëra varka të vogla të akuzuara për transport droge në rajon.
Por shenjat e para të operacionit u shfaqën në qiell. Sipas zyrtarëve amerikanë, më shumë se 150 avionë përfshirë bombardues, avionë luftarakë dhe mjete zbulimi u angazhuan gjatë natës.
“Ishte shumë komplekse, jashtëzakonisht komplekse, e gjithë manovra, uljet, numri i avionëve”, tha Trump për Fox News. “Kishim një avion luftarak për çdo situatë të mundshme”.
Shpërthime të forta u dëgjuan në Karakas rreth orës 02:00 me orën lokale, dhe re tymi u panë duke u ngritur mbi qytet.
“Dëgjova një zhurmë të madhe, një shpërthim të fortë”, tha një gazetare, Ana Vanessa Herrero. “I lëvizi të gjitha dritaret. Menjëherë pas kësaj pashë një re të madhe tymi që pothuajse bllokoi të gjithë pamjen”.
“Avionë dhe helikopterë po fluturonin kudo mbi qytet”, tha ajo.
Së shpejti, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin gjerësisht video që tregonin avionë të shumtë në qiell dhe të tjera që tregonin pasojat e dukshme të shpërthimeve.
Njëra tregonte një kolonë helikopterësh që fluturonin në lartësi të ulët mbi Karakas, ndërsa tymi ngrihej nga shpërthime të dukshme.
“U zgjuam rreth orës 01:55 nga gjëmimi i shpërthimeve dhe zhurma e avionëve që fluturonin mbi Karakas”, tha një dëshmitare, Daniela. “Gjithçka u zhyt në errësirë të plotë, e ndriçuar vetëm nga shkëndijat e shpërthimeve aty pranë”.
“Fqinjët po shkruanin në grupin e bisedave të pallatit, të gjithë të hutuar dhe të pavetëdijshëm se çfarë po ndodhte, [dhe] të frikësuar nga shpërthimet”, shtoi ajo.
Një numër videosh tregojnë shpërthime, zjarr dhe tym në zona të ndryshme të Karakasit.
Deri tani janē konfirmuar pesë lokacione, të goditura gjatë sulmeve, përfshirë Bazën Ajrore “Generalissimo Francisco de Miranda”, një fushë ajrore të njohur si “La Carlota:, dhe portin La Guaira, korridori kryesor i Karakasit drejt Detit Karaibe.
Disa nga goditjet amerikane kishin në shënjestër sisteme të mbrojtjes ajrore dhe objektiva të tjera ushtarake, thanë zyrtarët.
Presidenti Trump sugjeroi gjithashtu se SHBA-ja i ndërpreu energjinë elektrike Karakasit përpara nisjes së misionit, megjithëse nuk specifikoi se si.
“Dritat e Karakasit u fikën kryesisht falë një ekspertize të caktuar që ne kemi”, tha ai. “Ishte errësirë dhe ishte vdekjeprurëse.”
“Ata e dinin se po vinim”
Ndërsa goditjet tronditnin Karakasin, forcat amerikane u futën në qytet. Ato përfshinin anëtarë të njësisë elitare “Delta Force,” njësia më e lartë e misioneve speciale të ushtrisë amerikane. Ata ishin të armatosur rëndë dhe mbanin edhe një pishtar prerës, në rast se do t’u duhej të prisnin dyert metalike të shtëpisë së sigurt të Maduros.
Sipas gjeneralit Caine, trupat mbërritën në vendndodhjen e Maduros pak pasi nisën goditjet, në orën 02:01 me orën lokale.
Trump e përshkroi shtëpinë e sigurt si një “fortesë” ushtarake në zemër të Karakasit.
“Ata ishin në pozicion gati duke na pritur. E dinin që po vinim”, tha ai.
Trupat u qëlluan sapo mbërritën, dhe një nga helikopterët amerikanë u godit, por arriti të vazhdonte fluturimin.
“Forcat amerikane zbritë në kompleksin e Maduros dhe vepruan me shpejtësi, saktësi dhe disiplinë”, tha gjenerali Caine.
“Ata thjesht hynë me forcë, dhe hynë në vende që realisht nuk ishin menduar të hapeshin, dyer çeliku të vendosura pikërisht për këtë arsye”, tha Trump.
Vetëm ndërsa operacioni po zhvillohej dhe që përfshiu edhe kapjen e bashkëshortes së Maduros, Cilia Flores sekretari i Shtetit Rubio filloi të njoftonte ligjvënësit për veprimin, një vendim që ka shkaktuar zemërim te disa anëtarë të Kongresit.
“Le të jem i qartë; Nicolas Maduro është një diktator i paligjshëm. Por nisja e një veprimi ushtarak pa autorizimin e Kongresit dhe pa një plan të besueshëm për atë që vjen më pas është e pamatur”, tha demokrati kryesor Chuck Schumer, udhëheqësi i partisë në Senat.
Njoftimi paraprak i Kongresit do ta kishte rrezikuar misionin, u tha gazetarëve Rubio gjatë konferencës për shtyp të së shtunës.
“Kongresi ka një prirje për të rrjedhur informacione”, shtoi Trump. “Kjo nuk do të ishte gjë e mirë”.
Në kompleksin e Maduros, ndërsa trupat elitare amerikane po hynin me shpejtësi, Trump tha se presidenti venezuelia, i cili thuhet se në muajt e fundit ka rritur mbështetjen te truprojat kubane, u përpoq të arratisej drejt një dhome të sigurt.
“Ai po përpiqej të shkonte në një vend të sigurt, i cili nuk ishte i sigurt, sepse do ta kishim hedhur në erë derën për rreth 47 sekonda”, tha ai.
“Ai arriti te dera. Nuk arriti ta mbyllte”, tha Trump. “U sulmua aq shpejt sa nuk arriti të futej në atë dhomë”.
Kur u pyet nëse SHBA-ja mund ta kishte vrarë Maduron, një udhëheqës autoritar që mori presidencën në vitin 2013, nëse ai do t’i kishte rezistuar arrestimit, Trump tha se kjo “mund të kishte ndodhur”.
Nga pala amerikane, “disa djem u plagosën”, tha ai, por asnjë ushtar amerikan nuk u vra.
Autoritetet venezueliane nuk kanë konfirmuar viktima.
SHBA-ja kishte ofruar më parë një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në arrestimin e Maduros. Por deri në orën 04:20 me orën lokale të së shtunës, helikopterët po largoheshin nga territori venezuelian me Maduron dhe bashkëshorten e tij në bord, nën kujdesin e Departamentit të Drejtësisë dhe në rrugë drejt Nju Jorkut, ku pritet të përballen me akuza penale.
Pothuajse saktësisht një orë më vonë, Trump njoftoi botën për kapjen e tij.
“Maduro dhe gruaja e tij së shpejti do të përballen me gjithë fuqinë e drejtësisë amerikane”, përfundoi ai. /Ad.Ab./
The post ANALIZË – Spiunë, dronë dhe pishtarë prerës: si e kapi SHBA presidentin Maduro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.