Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, kështu ka thënë ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.
Gërvalla bëri të ditur se me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, në Stamboll kanë zhvillua një takim bilateral në kuadër të takimit të dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin.
"Gjatë takimit me Ministrin Fidan theksova se Republika e Kosovës, përmes angazhimit të saj në këtë platformë, riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe përkushtimin ndaj paqes së qëndrueshme, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal. Po ashtu, vura në dukje rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt", ka shkruar ajo.
Tutje ministrja në detyrë u shpreh se: "Falënderova Ministrin Fidan për ftesën dhe mikpritjen, duke ritheksuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, si dhe rolin e saj në avancimin e dialogut, paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë". /Telegrafi/
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me ligjëratën e mbajtur në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë nga përfaqësues të Gjykatës Speciale dhe YIHR.
Siç thuhet në reagim SBASHK ka shprehur shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj mbajtjes së ligjëratës në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e realizuar nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).
Tutje thuhet se SBASHK e konsideron të papranueshme që institucionet arsimore të shfrytëzohen për promovimin e një narrative të njëanshme, me synimin që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi.
"Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa fakti që për më shumë se pesë vite mbahen në paraburgim luftëtarët e lirisë, bashkëpunëtorë të NATO-s, të cilët luftuan për të drejtat elementare të popullit të Kosovës – për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën për arsimim. Është e pamohueshme se gjatë viteve të represionit serb, Serbia kishte mbyllur të gjitha shkollat shqipe në Kosovë, përfshirë edhe Gjimnazin 'Xhevdet Doda'. Pikërisht në atë periudhë të errët, mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit, të organizuar edhe përmes SBASHK-ut, mbajtën gjallë arsimin shqip me sakrifica të jashtëzakonshme. Prandaj, është paradoksale, e padrejtë dhe moralisht e papranueshme që sot, në po ato ambiente shkollore, të promovohet një gjykatë që po gjykon njëanshëm luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke e barazuar viktimën me agresorin", thuhet në reagim.
SBASHK reagon gjithashtu edhe ndaj përfshirjes së organizatës Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR), e cila përmes këtij aktiviteti ka kontribuar në futjen e një agjende politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmërinë historike, kombëtare dhe arsimore të shoqërisë sonë. U bëjmë thirrje organeve përgjegjëse – Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” – që të marrin masa konkrete lidhur me këtë rast dhe të mos lejojnë që shkollat të shndërrohen në hapësira për promovimin e mekanizmave që cenojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës sonë çlirimtare.
"Njëkohësisht, SBASHK apelon te të gjithë anëtarët tanë, punëtorët e arsimit në Kosovë, që të tregojnë vigjilencë dhe përgjegjësi profesionale e kombëtare, duke mos lejuar organizimin e aktiviteteve të tilla në institucionet tona arsimore. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës riafirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në përkrahje të drejtuesve institucionalë të asaj lufte – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi – të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë, vetëm pse ishin në anën e drejtë të historisë. Liria e Kosovës nuk është krim. Lufta për arsim, liri dhe dinjitet nuk gjykohet", thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) konfirmuan për Telegrafin se zhvillojnë aktivitete informuese në Kosovë që nga viti 2018, si pjesë e Programit të Shtrirjes së Informacionit, duke përfshirë nxënës, komunitetin lokal, gazetarë dhe avokatë.
Zëdhënësja Angela Griep tha se këto takime diskutojnë mbi mandatin dhe procedurat e gjykatës, duke ofruar informacion publik të ngjashëm me atë që gjendet në faqen zyrtare të KSC-së. /Telegrafi/
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, sot është duke zhvilluar një operacion në rajonin e Prizrenit lidhur me dyshimet për keqpërdorim të votave.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmeti.
"Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij", ka thënë Mehmeti.
Edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti ka konfirmuar zhvillimin e këtij aksioni, por pa dhënë detaje.
"Mund ta konfirmoj se është duke u zhvilluar një aksion lidhur me dyshimet për manipulim me vota. Për momentin nuk mund të japim detaje tjera pasi rasti është në procedurë. Për zhvillime tjera, do të njoftoheni gjatë ditës", ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj të enjten Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
"Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda", thuhej në njoftim. /Telegrafi/
Një person (shtetas i Shqipërisë) është larguar nga fshati Jezercë të komunës së Ferizajt dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se kjo ka ndodhur më 21.01.2026 dhe rasti po hetohet.
“Është raportuar se viktima mashkull shtetas i Shqipërisë është larguar nga lokacioni i lartcekur dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një grua ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person.
Sipas raportit të policisë bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:00, në Obiliq.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë kundër institucionit të Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe prokurorit Ols Dado, shkruan A2 CNN. Në këtë padi, Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Dados si prokuror.
Sipas Veliajt, emërimi i Ols Dados në vitin 2008 është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi ai, sipas pretendimeve, është emëruar prokuror pa kryer Shkollën e Magjistraturës, një kriter i domosdoshëm ligjor për ushtrimin e këtij funksioni. Veliaj thekson se Dado ka kaluar nga statusi i noterit direkt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi në atë kohë.
Në padi thuhet se ky emërim i paligjshëm ka sjellë pasoja të rënda institucionale dhe administrative, jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, por edhe për Republikën e Shqipërisë në tërësi. Sipas kryebashkiakut, veprimet e ndërmarra nga Dado në ushtrimin e funksionit të tij si prokuror kanë ndikuar drejtpërdrejt në procese që lidhen me administrimin vendor dhe interesin publik. (A2 Televizion)
Psikologia dhe kriminologia Dita Makasqi, gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, ka folur gjerësisht për rëndësinë e risocializimit, veçanërisht tek të rinjtë që shfaqin sjellje devijante apo kanë kryer vepra penale në një fazë të hershme të jetës.
Sipas Makasqit përgjatë viteve, shoqëria shpesh ka paragjykuar të rinjtë për veprime të caktuara të bëra në moshë të re, pa marrë parasysh se koha, edukimi dhe mbështetja mund t’i ndryshojnë rrënjësisht.
“Ka raste kur të rinjtë, të cilët janë paragjykuar për vepra të kryera në rini, pas një periudhe dhjetëvjeçare janë kthyer në një pikë që askush nuk do ta kishte imagjinuar", shprehet Makasqi.
Sipas saj, kjo është dëshmi e qartë se një person ka vlera dhe ka potencial për t’u risocializuar, nëse i jepet mundësia e duhur.
Ajo thekson se edhe një person që ka kryer një krim dhe e ka vuajtur dënimin, nuk duhet të mbetet i etiketuar përgjithmonë.
Përkundrazi, siç tha ajo me punë profesionale gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, ai mund të shndërrohet në një individ funksional dhe efektiv për shoqërinë në të ardhmen.
Makasqi vë theks të veçantë tek ndërhyrjet e hershme për të rinjtë që janë në fazën e rritjes dhe që shfaqin shenja të sjelljeve devijante.
Ajo thekson se në Kosovë ka me qindra psikologë – shkollorë dhe klinikë – të cilët janë të përgatitur profesionalisht për të punuar me këtë kategori të rinjsh.
Sipas saj, krijimi i programeve rehabilituese është thelbësor dhe duhet të ndodhë para se situata të përshkallëzohet në forma më të rënda.
Një rol kyç në këtë proces, sipas Makasqit, e kanë familjet.
Ajo thekson se familjet duhet të ndërtojnë një dialog të hapur dhe të vazhdueshëm me fëmijët e tyre dhe të mos i lënë ata të izolohen në “botën e tyre”.
Në ditët e sotme, sipas saj, fëmijët dhe të rinjtë janë tepër të preokupuar me telefonat, aplikacionet dhe përmbajtje të kota, të cilat shpesh i shtyjnë drejt modelimit të sjelljeve devijante.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, sot është mbajtur një ligjëratë nga zyrtarë të Gjykatës Speciale, e organizuar për nxënësit e kësaj shkolle.
Kjo ngjarje ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht në rrafshin politik.
Në lidhje me këtë ligjëratë ka reaguar deputeti i zgjedhur, Artan Behrami, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për përmbajtjen e prezantimit të mbajtur para nxënësve.
Sipas Behramit, gjatë ligjëratës Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është cilësuar si “organizatë e përbashkët kriminale”, pretendim që ai e ka quajtur të papranueshëm dhe tejet shqetësues.
Mirëpo, në lidhje me këtë ligjëratë ka reaguar deputeti i zgjedhur, Artan Behrami duke thënë se në këtë ligjëratë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është quajtur si ‘organizatë e përbashkët kriminale”.
“Zyrtarë të Gjykatës Speciale me aprovimin e menaxhmentit të Gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, shkojnë dhe u mbajnë ligjërata nxënësve të kryeqytetit. E pabesueshme! Ligjëratë qysh UÇK-ja qenka organizatë e përbashkët kriminale a? Qysh, UÇK-ja ka bërë spastrim etnik në Kosovë a? E frikshme! Ftoj të gjithë prindërit që të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në këto ligjërata! Ftoj të gjitha institucionet e Arsimit të Ulët dhe të Lartë që të refuzojnë çfarëdo bashkëpunimi me këtë gjykatë”, ka shkruar Behrami. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit E.I., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri E.I. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.
"Veprimi dyshohet se është kryer ndaj ish-bashkëshortes së tij, dhe paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale".
Paraburgimi i është caktuar nga data 20.01.2026, ora 13:50, dhe do të zgjasë deri më 19.02.2026, ora 16:00. /Telegrafi/
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) rikujton se Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve me aktivitet këmbimi, si hap i parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në Republikën e Kosovës, ka hyrë në fuqi më 29 nëntor 2025.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me hyrjen në fuqi të saj, subjektet që janë objekt i licencimit obligohen që, brenda një afati prej 90 ditësh (deri më 1 mars 2026), të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara në këtë Rregullore.
BQK rikujton se afati i mbetur deri më 1 mars 2026, për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe për përmbushjen e kërkesave të Rregullores gjatë kësaj periudhe kalimtare, është afati i fundit brenda se cilës të gjithë aplikantët duhet të kenë aplikuar, në pajtim me kërkesat e kësaj Rregulloreje. Pas përfundimit të këtij afati, ushtrimi i veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së ose në mospërputhje me kërkesat rregullative do të konsiderohet shkelje e dispozitave të Rregullores dhe do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në njoftim.
BQK inkurajon të gjitha palët e interesuara që t’i përmbushin këto detyrime brenda afateve të përcaktuara, me qëllim të sigurimit të një zbatimi të plotë dhe efektiv të kornizës rregullative, si dhe të funksionimit të qëndrueshëm dhe transparent të këtij sektori.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore, në lidhje me rastin e koduar “Bregdeti” me datën 21.01.2026 rreth orës 23:00 afër pikëkalimit kufitar në Merdare është ndaluar i dyshuari H. S. i cili ishte duke e drejtuar një kamion me targa vendore dhe gjatë kontrollit në kamion janë gjetur të fshehura 68 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 76 kilogramë e 800 gramë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se është realizuar edhe urdhër kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, në asistencë të njësisë së NJRSH-së, dhe gjatë kontrollit janë gjetur: 1 armë zjarri me 5 fishekë të kalibrit 9.9 mm, 2 vetura, 1 kamion, 1 telefon celular dhe para të gatshme 2.950 euro.
"Në vazhdimësi të operacionit, me datën 22.01.2026, është realizuar bastisje edhe në dy lokacione, shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatin Godishnjak – Podujevë dhe gjatë kontrollit të tyre janë gjetur: 4 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë, 2 vetura, 2 telefona celularë, thasë najloni të zbrazur ngjyrë të zezë dhe ngjitës, që kanë shërbyer për paketimin narkotikëve".
Siç thuhet në njoftim janë gjetur një armë zjarri me gaz e modelit Signasauser.
Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore.
Prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme me qëllim ndriçimit të veprave penale dhe vendosjen e kryerësve të tyre para organeve kompetente, me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të sigurtë për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë duke qëndruar sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut me të cilin nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Kjo u konfirmua për Telegrafin nga Yuliya Matsyk, zyrtare shtypi për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, fqinjësinë dhe zgjerimin.
“Mund të konfirmojmë se EUSR Sorensen po organizon sot në Bruksel një takim të rregullt të Kryenegociatorëve mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Më shumë informacion mund të ndahet pas takimit”, tha Matsyk.
Ndërkaq, këto takime zakonisht zhvillohen së pari ndaras mes lehtësuesit të BE-së me palët e pastaj, nëse palët bien dakord zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh. /Telegrafi/
Kosova tashmë është bërë pjesë e Bordit të Paqes, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Marrëveshja u nënshkrua në Davos, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke shënuar një moment domethënës për rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ajo që ra veçanërisht në sy gjatë kësaj ngjarjeje ishte edhe shtrëngimi i duarve mes presidentes Osmani dhe presidentit Trump, në mesin e shumë përfaqësuesve dhe liderëve nga shtete të ndryshme të botës, edhe pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit.
Një tjetër detaj interesant i kësaj ngjarjeje ishte fakti se Vjosa Osmani ishte e vetmja grua në mesin e liderëve botërorë të pranishëm, duke e bërë përfaqësimin e Kosovës edhe më të veçantë dhe simbolik në një tryezë të dominuar nga figura mashkullore. /Telegrafi/
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka autorizuar sot Kryeministrin Edi Rama për të nënshkruar marrëveshjen e aderimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare për promovimin e stabilitetit dhe paqes në zonat e konfliktit.
Bordi ndërkombëtar synon të promovojë stabilitetin, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura nga konflikti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në praninë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes në Davos.
Osmani u pa duke shkëmbyer edhe një bisedë të shkurtë me presidentin Trump, ku më pas nënshkroi marrëveshjen e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit e tjerë.
Por, çka është Bordi i Paqes?
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kontaktuar figura të ndryshme anembanë botës për t'u bërë pjesë e të ashtuquajturit "Bordi i Paqes" dhe në entitete të lidhura me të, të cilat synojnë të mbikëqyrin qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.
Shtëpia e Bardhë tha se do të ketë një bord kryesor, të kryesuar nga vetë Trump, një komitet palestinez teknokratësh, të cilët synojnë të qeverisin territorin e shkatërruar nga lufta, dhe një "bord ekzekutiv" të dytë që duket se është projektuar të ketë një rol më këshillues. /Telegrafi/
Në Gjykatën Kushtetuese ka filluar seanca lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, ku po shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama pas pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës.
Seanca, me relator gjyqtar Sandër Beci, u hap në orën 10:00 dhe po zhvillohet pa praninë e zv/kryeministres, pasi ajo nuk figuron si palë në proces.
Në këtë rast, Këshilli i Ministrave përballet me përfaqësuesit e SPAK-ut, prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Për më tepër, Presidenca dhe Kuvendi kanë dërguar përfaqësues të tyre si palë të interesuara.
Ndërkohë, GJKKO ka refuzuar pjesëmarrjen, duke argumentuar se një pjesëmarrje e tillë do të dëmtonte parimin e ndarjes së pushteteve.
Seanca ka nisur me relacionin e gjyqtarit Sandër Beci. /Euronews.al/
Ka nisur seanca plenare në Kuvend ku në rendin e ditës është votimi i projektligjit në lidhje me ftesën e presidentit të SHBA, Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes.
Deputeti Gazment Bardhi ka thënë se janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes duke kërkuar nga presidenti që të japë miratimin për hyrjen në fuqi.
"Kjo marrëveshje që ne miratojmë pas 12 orëve, hyn në fuqi pas 35 ditëve. Na thoni, ku e ke i urgjencën? Ndërkohë që kemi shansin të respektojmë Kushtetutën. Gjatë kësaj jave i kërkojmë miratimin Presidentit që të na japë autorizimin që ligji të hyjë në fuqi dhe e bëjmë efektive brenda një jave. Zbatoni Kushtetutën dhe e bëjmë efektive marrëveshjen brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren/ ne jemi kundër kërkesës për procedurë të përshpejtuar”, tha ai. /Tch/
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30 në një lokal në rrugën “UÇK” në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosoëvs për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Sipas tij, sektori i Hetimeve të Kryeqytetit në koordinim të plotë me Prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
“Sot rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një rast Vjedhje e rëndë, që ka ndodhur në një lokal në rrugën UÇK në Prishtinë. Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit në koordinim të plotë me Prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar”, ka thënë Pllana. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës, përmes Zyrës Doganore në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit doganor dhe menaxhimit të riskut, ka realizuar një kontroll të detajuar doganor ndaj një dërgese të ardhur nga Turqia.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se gjatë këtij kontrolli, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 237,000 copë/pako për ambalazhim të 20 cigareve, të cilat mbanin mbishkrimin “DRINA”.
"Malli nuk ishte i deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi dhe dyshohet se kishte për qëllim përdorimin për prodhim ose paketim të produkteve të duhanit në kundërshtim me dispozitat ligjore, me ç’rast efekti në parandalim nga humbjet potenciale fiskale është rreth 340,000 euro", thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se janë ndërmarrë menjëherë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtës dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e tregut dhe shëndetit publik, si dhe në garantimin e konkurrencës së ndershme për bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Ferizaj bën të ditur se ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
"Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda", thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit. /Telegrafi/