Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 4 January 2026Main stream

Trump publikon të dhënat, 41.3% e familjeve shqiptare me ndihmë sociale në SHBA

By: Fax Web
4 January 2026 at 20:06

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka publikuar në rrjetin e tij social Truth Social një tabelë me të dhëna mbi përqindjen e familjeve emigrante që përfitojnë ndihmë sociale në SHBA, të ndara sipas vendeve të origjinës.

Në listë bien në sy edhe familjet shqiptare, ku sipas tabelës së publikuar, 41.3% e familjeve shqiptare që jetojnë në SHBA përfitojnë ndihmë sociale. Po ashtu, në renditje përfshihet edhe Kosova, e cila rezulton me një përqindje edhe më të lartë, ku 46% e familjeve kosovare marrin asistencë nga shteti amerikan.

Tabelat e shpërndara nga Trump paraqesin një panoramë të përgjithshme të përfitimit të ndihmës sociale nga familjet emigrante dhe janë përdorur nga presidenti amerikan në kuadër të debatit mbi politikat e emigracionit dhe sistemin e asistencës sociale në SHBA.

Publikimi ka nxitur reagime dhe diskutime të shumta në rrjetet sociale, veçanërisht në komunitetet emigrante, përfshirë edhe ato shqiptare, lidhur me integrimin ekonomik dhe rolin e ndihmës shtetërore në jetën e familjeve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.

Aksident i rëndë në Durrës, humb jetën këmbësori 68-vjeçar

By: Fax Web
4 January 2026 at 20:03

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 18:44, në rrugën e re të Portit, në vendin e quajtur “Marfish”, një automjet tip Benz, i drejtuar nga shtetasi L. K., 28 vjeç, ka aksidentuar një këmbësor.

Si pasojë e përplasjes, këmbësori R. M., 68 vjeç, ka ndërruar jetë në vendngjarje, për shkak të plagëve të marra.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Policia ndërkohë po vijon hetimet.

Nicolas Maduro burgoset në New York, Trump: SHBA-të do të drejtojnë Venezuelën! Festime dhe protesta në të gjithë botën

By: Fax Web
4 January 2026 at 18:26

Presidenti Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Zonja e Parë Cilia Flores, po mbahen në një qendër paraburgimi në New York pas kapjes së tyre në sulmet ajrore amerikane ndaj Venezuelës të shtunën.

Ata u dërguan nga kryeqyteti Karakas në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn për t’u përballur me akuza të lidhura me trafikimin e drogës. Maduro ka mohuar të jetë udhëheqësi i një karteli droge.

Venezuela ndërkohë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe denoncon atë që e quan “agresionin ushtarak”.

Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të do ta “drejtojnë” Venezuelën “deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur”. Kompanitë amerikane të naftës do të riparojnë gjithashtu “infrastrukturën e prishur” të Venezuelës, thotë Trump.

Venezuelianët në mbarë botën kanë festuar pasi qeveria amerikane kapi dhe rrëzoi presidentin autoritar, Nicolás Maduro . Gjatë viteve të fundit, miliona venezuelianë janë larguar nga vendi, të dëbuar nga një përzierje e mungesave të përhapura dhe represionit të fortë politik.

Pasi dëgjuan lajmin e sulmit amerikan, turma njerëzish u mblodhën në vende si Argjentina, Kili dhe Kolumbia, për të valëvitur flamuj, për të kënduar këngë dhe për të kërcyer në shenjë gëzimi, ndërsa të tjerë u mblodhën për të dënuar sulmet e qeverisë amerikane ndaj Venezuelës dhe shprehën kundërshtimin ndaj veprimeve ushtarake.

 

Papa Leone XIV: Të garantohet sovraniteti i Venezuelës dhe të sigurohet forca e ligjit

By: Fax Web
4 January 2026 at 17:10

Papa Leone XIV ka shprehur shqetësimin e thellë për situatën aktuale në Venezuelë, gjatë lutjes së Angelus në Sheshin Shën Pjetri.

Ai theksoi nevojën që populli venezuelan të vendoset në qendër të çdo zgjidhjeje dhe të merren masa për të siguruar paqen dhe drejtësinë.

Papa bëri thirrje që të respektohet sovraniteti i Venezuelës, si dhe sundimi i ligjit, sipas Kushtetutës së vendit.

Ai kërkoi gjithashtu që të ruhen të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Një tjetër theks i rëndësishëm ishte kujdesi për të varfrit dhe ata që vuajnë nga kriza ekonomike, duke sugjeruar se çdo zgjidhje politike duhet të përqendrohet mbi mirëqenien e popullit.

Papa gjithashtu bëri thirrje përpjekje për për pajtimin dhe bashkëpunimin brenda vendit, duke shmangur dhunën dhe konfliktet.
Fjala e Papës vjen pas një operacioni ndërkombëtar në Venezuelë, ku Presidenti Nicolás Maduro u kap nga forcat amerikane dhe u dërgua jashtë vendit për akuza të rënda. Pas kësaj, Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez u shpall presidente në detyrë nga autoritetet vendase

Në përfundim, Papa Leone XIV bëri apel që çdo vendim politik të marrë parasysh interesin e popullit, të respektojë sovranitetin dhe të drejtat e qytetarëve, dhe të punojë për një të ardhme paqësore dhe të drejtë për Venezuelën.

Vrasja në Shkodër, detaje të reja nga hetimet/ Zbardhen rolet e të dyshuarve

By: Fax Web
4 January 2026 at 16:38

Teksa katër personat e arrestuar në Shkodër si autor të dyshuar për vrasjen me tritol të 67-vjeçarit Hysni Ymeri, pritet të dalin të hënën në gjykatë për caktim mase sigurie.

Njëri prej të arrestuarve, Gerti Bushati dyshohet të jetë paguar 1 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse në paketën elektrike të pallatit ku banonte Ymeri, më datë 27 dhjetor, dy ditë para se të bëhej shpërthimi i telekomanduar.

Shuma e parave është gjetur dhe sekuestruar në banesën e tij. Nuk dihet nëse të riut i ishin premtuar para të tjera ose jo. Burime nga grupi hetimor konfimojnë se Bushati u tradhtua nga kamerat e sigurisë teksa është fiksuar duke kaluar në zonë, por edhe gjatë kohës që ka ndërruar rrobat pasi vendosi lëndën plasëse.

27-vjeçari Bushati shfaqet i veshur me kominoshe të cilat i kishte veshur sipër rrobave të tjera dhe pasi largohet nga zona, heq kominoshet dhe i hedh në anë të lumit. E gjithë skena është fiksuar nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty pranë, ndërsa rrobat e përdorura prej tij tashmë janë sekuestruar nga hetuesit.

Në sajë të hetimeve të kryera, hetuesit zbuluan se ditën e ngjarjes, në lagjen “Manush Alimani”, ndodheshin edhe dy të arrestuarit Ergys Ibrahimi dhe Edison Hasaj. Grupi hetimor ka dyshime të forta se shpërthimi i telekomanduar të jetë bërë nga Ergys Ibrahimi, sapo 67-vjeçari Hysni Ymeri ishte duke u ngjitur për në banesë.

Fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, deklaratë që më pas u kundërshtua nga OSHEE.

Pas ngjarjes, të dyshuarit u shoqëruan në polici dhe u mbajtën në përgjim ambiental nga policia. Por pa e ditur këtë detaj, të dyshuarit kishin nisur të komunikonin me njëri-tjetrin.

Të arrestuarit nuk kanë konflikte direkte me viktimën, ndërsa hetuesit nuk kanë ende të qartë se kush është porositësi i vërtetë i krimit, apo edhe motivi i vrasjes së 67-vjeçarit.

Të arrestuarit do të përballen në hënën në gjykatë për një sërë veprash penale, si “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; armëmbajtje pa leje, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Moti i keq shkakton probleme ne Britaninë e Madhe

By: Fax Web
4 January 2026 at 16:06

Paralajmërimet e verdha për dëborë dhe akull mbeten në fuqi për disa pjesë të Britanisë së Madhe ndërsa veriu i Skocisë po përgatitet për ndërprerje të mëtejshme të udhëtimeve për shkak të motit të keq.

Reshje të dendura dëbore pritet të shkaktojnë vonesa në rrugë dhe në transportin publik gjatë ditës së sotme dhe deri të hënën. Edhe pse paralajmërimet më serioze të nivelit portokalli për veriun e Skocisë skaduan të dje në mbrëmje, paralajmërimi i verdhë mbetet në fuqi deri të hënën në mesditë.
Paralajmërime të veçanta për dëborë dhe ngrica janë në fuqi për Uellsin, Greater Manchester dhe Anglinë Jugperëndimore, ndërsa një pjesë e madhe e bregdetit lindor të Anglisë mbulohet nga një paralajmërim i verdhë për akull.
Moti i keq bëri që “ScotRail” të njoftonte disa anulime trenash në veri të Skocisë.

Rrugë në verilindje të Skocisë u mbyllën gjithashtu, duke shkakuar vonesa në lëvizje, të raportuara në autostradën A90 midis Brechin dhe Stonehaven për shkak të grumbullimit të dëborës nga era.

Policia u këshilloi  banorëve banorëve të Orkney të shmangnin udhëtimet për shkak të kushteve të rrezikshme në rrugë.

Zonar përreth Badenoch dhe Strathspey në rajonin Highland u prekën më rëndë, me policinë që këshilloi të shmangej çdo udhëtim përveç atyre me të rëndëshishme

Zyra Meteorologjike britanike (Met Office) paralajmëroi se reshjet e dendura të dëborës mund të izolojnë disa komunitete rurale, si edhe të rrisin rrezikun për ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.

Ajri arktik e ka zhytur një pjesë të madhe të Britanisë së Madhe në temperatura nën zero në ditët e para të janarit, me pothuajse minus 6 gradë Celsius të regjistruara dje në mëngjes në Loch Ness, ndërsa reshjet e dëborës pritet të fillojnë të pakësohen gradualisht gjatë të hënës.

Tragjedia në resortin e skive në Zvicër, identifikohen trupat e 16 viktimave të tjerë, më e reja 14 vjeç

By: Fax Web
4 January 2026 at 14:39

Tragjedia në Zvicër. Janë identifikuar trupat e 16 viktimave të tjerë pas një zjarri që ra në një club në resortin zviceran të skive Crans-Montana.

Sipas BBC, viktima më e re është një vajzë zvicerane 14 vjeç, ndërsa nëntë të tjerë ishin nën 18 vjeç. Grupi përfshin persona me kombësi zvicerane, italiane, rumune, turke dhe franceze, tha policia.

Numri i personave të identifikuar që janë vrarë si pasojë e zjarrit ka shkuar në 24, thanë autoritetet në një deklaratë. Ndërkohë tetë shtetas zviceranë u identifikuan dy ditë më parë.

Moti i keq në Vlorë/ Pezullohet lundrimi i peshkarexhave dhe trageteve drejt Barit

By: Fax Web
4 January 2026 at 14:32

Qyteti i Vlorës është prekur nga moti i përkeqësuar. Era e fortë bregdetare vazhdon edhe këtë të dielë me shpejtësi rreth 15 metër për sekondë. Era bregdetare ka bërë që deti të jetë me dallgë të larta që shkojnë deri në 1.5 metra.

Kjo bën që mjetet e peshkimit dhe ato lundruese të mos dalin dot në det për këtë arsye lundrimi i tyre vazhdon i pezulluar. Ndërkohë trageti i linjës me Brindisin edhe ai nuk do të lundrojë pasi forca e detit është në rritje çka ka bërë që të pezullohet edhe lundrimi i tij.

Ky traget po qëndron në radë, në det të hapur për të shmangur përplasjet që mund të shkaktohen me kalatat e portit detar.

Moti i keq, reshje me intensitet të lartë në veri dhe jug të vendit

By: Fax Web
4 January 2026 at 14:13

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka publikuar parashikimin më të fundit mbi rrezikun nga përmbytjet dhe kushtet hidrometeorologjike, duke paralajmëruar reshje intensive dhe situata potencialisht problematike në disa zona të vendit.

Sipas njoftimit zyrtar, sot pasdite dhe nesër priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe jug të Shqipërisë. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër paraqiten si më të rrezikuarat, ku mund të shfaqen vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë si dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane të këtyre qarqeve, përmbytjet e lokalizuara mbeten të mundshme, veçanërisht në rast të mbingarkesës së rrjeteve të kanalizimeve.

IGJEO thekson se për periudhën 4–8 janar 2026 priten reshje intensive të vazhdueshme, të cilat mund të sjellin rritje të ndjeshme dhe të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve ujore në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës, Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Parashikimi meteorologjik parashikon reshje shumë intensive në qarkun Shkodër, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në Lezhë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.

Në qarqet e tjera të vendit priten reshje me intensitet mesatar, të shoqëruara me shtrëngata.

Temperaturat për ditën e hënë pritet të luhaten nga 12 deri në 16°C në bregdet, 12–15°C në zonat e ulëta dhe 5–10°C në zonat malore. Era do të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në veri të vendit.

Autoritetet u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe qytetarëve të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare, të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve dhe përrenjve, si dhe të marrin masa parandaluese për minimizimin e pasojave të mundshme nga përmbytjet.

IGJEO bën të ditur se, përditësime të mëtejshme do të publikohen në varësi të zhvillimit të situatës.

“Imperializëm i zhveshur”, si ndërhyrja e Trump në Venezuelë është një kthim në formë për SHBA-në

By: Fax Web
4 January 2026 at 14:07

Bombardimi amerikan i Venezuelës dhe kapja e presidentit Nicolás Maduro shënojnë një moment të paprecedentë në historinë moderne të Amerikës Latine, duke qenë sulmi i parë i drejtpërdrejtë ushtarak i Shteteve të Bashkuara ndaj një vendi të Amerikës së Jugut.

Presidenti Donald Trump në një konferencë për shtyp pas operacionit, deklaroi se “dominimi amerikan në hemisferën perëndimore nuk do të vihet kurrë më në dyshim”, duke e paraqitur ndërhyrjen si një demonstrim force dhe rikthim të ndikimit amerikan në rajon.

Veprimi vjen pas një historie dy shekullore ndërhyrjesh amerikane në Amerikën Qendrore, Jugore dhe Karaibe, që kanë përfshirë presion ekonomik, operacione të fshehta dhe pushtime ushtarake. Megjithatë, ndryshe nga e kaluara, operacionet e hapura ushtarake amerikane kanë qenë tradicionalisht të kufizuara në Karaibe dhe Amerikën Qendrore.

Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare, sulmi ndaj Venezuelës sinjalizon një ndryshim të madh në politikën e jashtme dhe të mbrojtjes së SHBA-së, në përputhje me strategjinë e re të sigurisë kombëtare të administratës Trump, e cila parashikon zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në rajon. Kjo qasje shihet si një version modern i doktrinës Monroe të vitit 1823, e njohur për parimin “Amerika për amerikanët”.

Në të kaluarën, veprimet e fshehta të SHBA-së kanë ndihmuar në rrëzimin e qeverive të zgjedhura demokratikisht dhe në vendosjen e diktaturave ushtarake në vende si Brazili, Kili dhe Argjentina. Ndërhyrja më e ngjashme me situatën aktuale mbetet pushtimi i Panamasë në vitin 1989, kur trupat amerikane kapën diktatorin Manuel Noriega.

Analistët paralajmërojnë se ndërhyrjet amerikane në rajon rrallë sjellin paqe dhe stabilitet afatgjatë. “Ndërhyrjet pothuajse gjithmonë krijojnë probleme të trashëgimisë politike dhe shoqërore që zgjasin për dekada”, theksojnë ekspertët.

Për Venezuelën, mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë pas largimit të Maduros. Presidenti Trump ka deklaruar se SHBA do të mbikëqyrë vendin deri në realizimin e një “tranzicioni të duhur”, një proces që pritet të ketë ndikim të thellë jo vetëm për Venezuelën, por për të gjithë rajonin.

 

“Të shqetësuar për armatimin e Kosovës dhe bashkëpunimin Shqipëri-Kroaci”- Vuçiç: E drejta ndërkombëtare nuk ekziston më

By: Fax Web
4 January 2026 at 13:16

Në Beograd u mbajt mbledhja e Këshillit për Sigurinë Kombëtare të Serbisë, e kryesuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç. Mbledhja u zhvillua në ndërtesën e Presidencës dhe morën pjesë kryeministri i vendit, disa ministra, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviç, si dhe drejtori i BIA-s, Vladimir Orliç.

Pas mbledhjes, Vuçiç iu drejtua publikut, duke deklaruar se temat kryesore të diskutimit ishin siguria ushtarake dhe politike në rajon dhe në botë, siguria energjetike e Serbisë dhe veprimi amerikan në Venezuelë.

Presidenti serb theksoi se rendi i vjetër botëror po shpërbëhet dhe se rregullat ndërkombëtare nuk respektohen më.

“E drejta ndërkombëtare publike nuk ekziston më. Rendi i OKB-së ekziston vetëm në letër. Pas asaj që ndodhi në Venezuelë, është e qartë se Karta e OKB-së nuk funksionon,” deklaroi Vuçiç.

Sipas tij, në botë sot sundon “ligji i forcës”, ndërsa reagimet evropiane ndaj zhvillimeve në Venezuelë i cilësoi hipokrite dhe të udhëhequra nga interesa të ngushta.

Shqetësim për armatosjen e Kosovës

Vuçiç shprehu shqetësim të veçantë për, siç tha, armatosjen e vazhdueshme të Prishtinës dhe bashkëpunimin e saj me Kroacinë dhe Shqipërinë.

“Ne jo vetëm që i ndjekim këto zhvillime, por po përgatitemi seriozisht për mbrojtjen e vendit,” tha ai, duke theksuar se prioriteti i Serbisë mbetet ruajtja e paqes.

Dyfishim i kapaciteteve ushtarake

Presidenti paralajmëroi forcim të ndjeshëm të kapaciteteve ushtarake të Serbisë në periudhën e ardhshme.

“Në një vit e gjysmë do ta dyfishojmë fuqinë ushtarake, jo në numra, por në fuqi zjarri dhe teknologji,” deklaroi Vuçiç, duke shtuar se Serbia duhet të mbështetet vetëm tek vetja për sigurinë e saj.

Energjia dhe roli i SHBA-së

Vuçiç foli edhe për ndryshimet globale në sektorin e energjisë, duke akuzuar SHBA-në për përpjekje për dominim energjetik botëror. Ai theksoi se Serbia dëshiron marrëdhënie të mira me Uashingtonin, por nuk mund të injorojë shkeljen e së drejtës ndërkombëtare.

Në fund, Vuçiç deklaroi se Serbia nuk ka ndërmend të ikë nga sfidat dhe se askush nuk do ta mbrojë vendin përveç vetë qytetarëve të saj.

“Askush nuk do të luftojë për Serbinë, përveç nesh. Paqe do të ruajmë, por vetëm duke qenë të fortë,” përfundoi ai.

 

Protesta para Kryeministrisë, Lapaj: Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë

By: Fax Web
4 January 2026 at 13:10

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka zhvilluar sot një tjetër protestë përpara Kryeministrisë, duke vijuar qëndresën e saj prej 27 netësh radhazi.

Protesta drejtohet nga kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, i cili ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë për korrupsion dhe keqqeverisje.

Gjatë fjalës së tij, para mbështetësve, Lapaj deklaroi se protesta ka për qëllim kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit. Sipas tij, mazhoranca aktuale ka humbur legjitimitetin moral për të qeverisur, pavarësisht numrit të mandateve të fituara në zgjedhje.

“Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e një qeverie që ka tradhtuar besimin e qytetarëve. Mandatet nuk kanë vlerë kur përdoren për të vjedhur dhe jo për të shërbyer”, u shpreh Lapaj, duke shtuar se protestuesit janë qytetarë të lirë që kërkojnë dinjitet dhe drejtësi.

Ai akuzoi qeverinë për shpërfillje ndaj protestës, duke theksuar se gjatë 27 netëve të qëndrimit në shesh nuk ka pasur asnjë reagim institucional apo mbështetje minimale, përfshirë edhe shërbimet shëndetësore.

Lapaj solli gjithashtu shembuj që, sipas tij, dëshmojnë keqmenaxhimin e fondeve publike, duke përmendur shpenzime të mëdha për luks, ndërkohë që sektorë jetikë si shëndetësia dhe arsimi përballen me mungesa serioze.

Protesta u zhvillua pa incidente dhe nën praninë e forcave të rendit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë aksionin e tyre deri në përmbushjen e kërkesave.

Protesta para Kryeministrisë, Lapaj: Një diktator përtej oqeanit ka rënë, ne kemi përballë një autokrat! Rama të dorëhiqet

By: Fax Web
4 January 2026 at 13:08

Kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, mbajti sot një fjalim para Kryeministrisë gjatë protestës kundër qeverisë, ku theksoi se kjo shënon ditën e 28-të të qëndresës qytetare kundër korrupsionit dhe vjedhjes.

Lapaj u shpreh se edhe qëndrimi i vetëm një qytetari përballë padrejtësisë përbën një rrugë të drejtë, ndërsa akuzoi qeverinë për dështim në realizimin e premtimeve kryesore me të cilat erdhi në pushtet.

“Sot jemi në ditën e 28-të të qëndresës qytetare kundër hajdutërisë. Sot bota është më e lirë, sepse një diktator përtej oqeanit ka rënë, ndërsa ne kemi përballë një autokrat. Kjo është një përballje me hajdutët dhe edhe nëse qëndron vetëm një njeri, ajo është një rrugë e drejtë. Jemi përballë atij që erdhi në pushtet për të sjellë ujë, për të vendosur rend dhe ligj. A kemi sot rend dhe ligj? Jemi përballë atij që premtoi luftë kundër krimit dhe drogës. A kemi sot krim dhe drogë? Erdhi në pushtet për të luftuar korrupsionin. A jemi sot vendi më i korruptuar apo jo? Jemi këtu për të kërkuar dorëheqjen e njeriut më të korruptuar në Evropë”, deklaroi Lapaj.

Shembet rruga në Prekal nga moti i keq, mungesë energjie në disa fshatra në Vaun e Dejës

By: Fax Web
4 January 2026 at 12:23

Në qarkun e Shkodrës po punohet për pastrimin e rrugëve kombëtare dhe rurale pas motit të keq me reshje dëbore që përfshiu veriun e vendit.

Sipas Prefekturës së Shkodrës si pasojë e reshjeve, është evidentuar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”. Është vendosur sinjalistikë dhe aksi është bllokuar për të shmangur çdo rrezik.

Po ashtu po punohet për vlerësimin e dëmtimit dhe normalizimin e qarkullimit.

Ndërkohë borëpastrueset kanë qenë gjatë gjithë natës në punë për mbajtjen e hapur të aksit Qafë Thore–Theth.

Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe kanë pushuar reshjet dhe tre borëpastruese ndodhen në aksin Tamarë- Vermosh ku ka vende me ngrica dhe po bëhet kriposja dhe mirëmbajtja për të vijuar qarkullimin.

Në bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut kanë pushuar. Në disa njësi ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, ndaj grupet e punës janë në terren për zgjidhjen e situatës.

Në bashkinë Fushë-Arrëz po vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë. Ka rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, por akset janë të kalueshme dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Në bashkinë Pukë vijojnë reshjet shiut dhe fryn erë e fortë, por momentalisht nuk raportohen problematika.

Ndërsa në Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu.

Prefektura e Shkodrës raporton se nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura, dhe digën e Rezervuarit të Shkodrës.

“Nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe të Rezervuarit të Shkodrës janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës (Vilun dhe Ças) janë në funksion të plotë dhe në gatishmëri për të punuar me kapacitet të plotë nëse nevojitet”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Kaos në aeroportet e Greqisë, mbyllet hapësira ajrore! Ja arsyeja

By: Fax Web
4 January 2026 at 11:29

Një problem serioz me radio-frekuencat po ndikon në të gjithë hapësirën ajrore të Greqisë, ndërsa Shërbimi i Aviacionit Civil ka lëshuar një udhëzim zyrtar për fluturimet.

Sipas njoftimeve të publikuar nga Shërbimi i Aviacionit Civil, pezullimi i fluturimeve për shkak të problemeve teknike në frekuencat e komunikimit do të vazhdojë “deri në njoftim të mëtejshëm”.

Si rezultat, kapaciteti i fluturimeve është reduktuar ndjeshëm. Ndërsa fillimisht vazhdonin fluturimet që tashmë ishin në ajër, tani janë bërë pothuajse të pamundura nisjet, kryesisht nga aeroporti më i madh i vendit, El. Venizelos, i cili ndikohet më shumë për shkak të volumit të lartë të fluturimeve, veçanërisht në këto ditë të ngarkuara.

Po ashtu, problemet po ndikojnë edhe në aeroportet rajonale, ndërsa disa fluturime që ishin në ajër po devijohen drejt aeroporteve të tjera.

 

Sherr me thika në Gjirokastër, plagoset një 24-vjeçar

By: Fax Web
4 January 2026 at 11:25

Një 19-vjeçar pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë një 24 vjeçar në Gjirokastër.

I dëmtuari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Po ashtu u procedua penalisht edhe një 18-vjeçar, banues në Gjirokastër.

Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka qenë i pranishëm gjatë konfliktit, por nuk ka kallëzuar ngjarjen në Polici.

Ndërron jetë 57-vjeçari në Tiranë, këmbësori u aksidentua nga autobusi

By: Fax Web
4 January 2026 at 10:50

Një 57-vjeçar ka ndërruar jetë në Tiranë pasi është përplasur nga një autobus në zonën e Mulletit.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Peshkatarit” teksa këmbësori me iniciale Z. I., është përplasur nga autobusi.

“-N. H., 56 vjeç, pasi mbrëmjen e djeshme, në afërsi të vendit të quajtur “Ura e Peshkatarit” autobuzi që drejtonte ka aksidentuar këmbësorin shtetasin Z. I., 46 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën”, njofton policia.

Protesta e “Shqiperia Bëhet” para kryeministrisë/ Policia publikon planin e masave: Ja ku do të bllokohet qarkullimi i automjeteve

By: Fax Web
4 January 2026 at 10:39

Në bazë dhe në zbatim të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 12:00.

Në këtë kuadër, do të ketë kufizime të lëvizjes;

-nga ora 11:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.

Policia e Tiranës apelon qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim shmangien e pengesave në qarkullim dhe garantimin e lëvizjes së lirë të pjesëmarrësve në tubim.

 

Franca dhe Britania e Madhe sulmojnë bazën e ISIS në Siri

By: Fax Web
4 January 2026 at 09:59

Avionët luftarakë Typhoon të Forcave Ajrore Mbretërore i janë bashkuar avionëve francezë në një sulm të përbashkët ndaj një depoje nëntokësore armësh në Siri, të përdorur nga grupi i Shtetit Islamik (ISIS).

Objekti, i identifikuar nga inteligjenca, besohet se ruante armë dhe eksplozivë dhe ndodhej në malet në veri të Palmirës, një vend i lashtë në Sirinë qendrore.

“Avionët tanë përdorën bomba të drejtuara Paveway IV për të synuar një numër tunelesh hyrëse deri në objekt… treguesit fillestarë janë se objektivi u qëllua me sukses”, tha Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

“Ky veprim tregon lidershipin tonë në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendosmërinë për të qëndruar krah për krah me aleatët tanë, për të shuar çdo ringjallje të ISIS-it dhe ideologjive të tyre të rrezikshme dhe të dhunshme në Lindjen e Mesme”, tha Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey.

“Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e forcave tona të armatosura të përfshira në këtë operacion për profesionalizmin dhe guximin e tyre”, shtoi ai.

Në dhjetor, ushtria amerikane kreu atë që e quajti një “sulm masiv” kundër objektivave të ISIS-it në Siri , pasi një pritë vrau dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil në Palmyra.

Kombet e Bashkuara thonë se ISIS-i ka ende midis 5,000 dhe 7,000 luftëtarë në Siri dhe Irak.

Tentoi të kalonte lumin dhe e mori rrjedha e ujit, humb jetën 66-vjeçari në Mat

By: Fax Web
4 January 2026 at 09:25

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në Klos të Matit. 66-vjeçari Xhemal Zhuku, teksa ka tentuar të kalojë lumin Mat, është marrë nga rrjedha e fortë e ujit.

Trupi i pajetë i tij është gjetur disa kilometra më larg, pa shenja jete, në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në kërkime morën pjesë shërbimet e Policisë, familjarët dhe banorë të zonës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.

❌
❌