Qytetarët në protestë, Mersini: Riparohet së shpejti defekti, ka nisur furnizimi me ujë në disa lagje të Vlorës
TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Qytetarët e Vlorës po protestojnë sërish sot përpara bashkisë së qytetit, pasi prej 4 ditësh qyteti nuk furnizohet me ujë për shkak të një defekti në linjën kryesore.
Ata kërkuan një takim me kryetaren e bashkisë, Brunilda Mersini për zgjidhjen e problemit, ndërsa deklaruan për mediet se “mungesa e ujit po u vështirëson jetën e përditshme”.
Kryetarja e bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini në një prononcim për mediet tha se ujësjellësi nuk është në varësi të bashkisë, por, sipas saj, “është momenti të menaxhojmë këtë fatkeqësi”.
“Lajmi i mirë është se sot testimi ka rezultuar pozitiv dhe pjesa e Lungomares po furnizohet me ujë me një presion minimal. Ka filluar furnizimi edhe në një pjesë të lagjeve, pastaj ngadalë do të furnizohen edhe lagjet e tjera”, u shpreh Mersini.
Mersini u shpreh se në qytet operojnë prej 3 ditësh mbi 15 bote uji, por i është dhënë prioritet institucioneve.
Kryebashkiakja Mersini, po ashtu, njoftoi se pjesa që duhet për riparimin e defektit në linjën kryesore është gjendur dhe është duke mbërritur në aeroportin e Rinasit.
Sipas saj, protesta organizohet nga opozita dhe nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozitës, por theksoi Mersini “nuk është momenti që të bëjnë opozitë”.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve Flauers Shoshi, vuri në dukje se një shkarje e dheut dhe depërtimi i ujit kanë shkaktuar defektin.
“Tubi aktual është plastik dhe aktualisht nuk përdoret më. Tani, për këtë diametër përdoren tuba gize dhe çeliku. Gjithsesi, kjo është ndërhyrja e tretë riparuese që bëhet. Këtë herë jemi më të kujdesshëm dhe nuk po e hapim deri në fund linjën, për shkak se pamë që presioni i lartë mund ta dëmtojë”, u shpreh ai.
Shoshi tha se punonjësit e ujësjellësit dhe inxhinierët janë në krye të detyrës.
Duke shprehur mirënjohjen për punonjësit që kanë qëndruar 72 orë në ujë dhe në kushte brutale atmosferike për t’i sjellë ujë qytetit Shoshi i kërkoi ndjesë të gjithë qytetarëve që nuk po marrin furnizim.
“Jemi në detyrë ditë e natë, deri sa ta kthejmë furnizimin me ujë të Vlorës në normalitet”, tha Shoshi.
Defekti në ujësjellës ka ndodhur në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra, duke sjellë edhe mungesën e furnizimit me ujë. Kjo linjë është një investim i vitit 2009-2010.
Qytetarët nisën protestën që prej mbrëmjes së djeshme.
/k.s/j.p/
The post Qytetarët në protestë, Mersini: Riparohet së shpejti defekti, ka nisur furnizimi me ujë në disa lagje të Vlorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.