Rama: Jo të gjitha rastet e hetuara nga SPAK janë korrupsion
TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga Prokuroria Speciale ka bërë korrupsion, ndërsa solli në vëmendje rastin e ish-kryetarit të bashkisë së Fushë-Arrëzit që ka kryer dënimin për prerje pemësh.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama theksoi se duhet të ndahet qartësisht graviteti i veprës penale, ndërsa e konsideroi këtë një dënim skandaloz.
Sipas tij, kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë dhe ka bërë burg për prerje pemësh.
“Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi procese shumë të zvarritura dhe kemi ndërkohë edhe Strasburgun që ka evidentuar gjëra shumë të rënda kur dikush ka vajtur atje, pasi ka kaluar këtë kalvar”, tha Rama.
Ndaj kryeministri kujtoi se jo çdo gjë që mendohet edhe nga dëshira e mirë për të luftuar me këto fenomene korrupsionin, shkon në atë drejtim.
“Nuk mundet dot të bëhet Shqipëria si në kohën e pleniumit të katërt, kap edhe përplas njerëz nga një mur në tjetrin, çorodit dynjanë me llafe”, shtoi Rama.
Rama kujtoi se ka edhe vepra të tjera si shpërdorimi i detyrës, të cilës i është kthyer edhe vetë BE së fundi sepse është një term ku futen njerëzit kollaj fare.
“Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion dhe për ta specifikuar sepse Kushtetuta thotë janë 3 pushtete të pavarura nga njeri-tjetri. Drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi por edhe anasjelltas. Cila është pavarësia ime apo e një ministri apo funksionari të lartë? Është pavarësia për të marrë vendime. Tek marrja e vendimeve nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu. Kjo është katastrofë dhe ka ndodhur”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se vetëm nëse vendimi ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm në mënyrë të vetëdijshme këtu është pavarësia e drejtësisë që vendos.
“Që kur mesazhet janë prova dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediet? Që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave. Patjetër që mesazhesh dhe çdo gjë tjetër që lidhen me ‘çfarë tha, kush tha’ janë pjesë e një procesi. Por për çfarë i duhet pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja. Kush ja kthen atij njeriu mbrapsht jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufi dhe në drejtësinë demokratike nuk lejohen shumë nga ato gjëra që ndodhin këtu”, shtoi Rama. /j.p/
The post Rama: Jo të gjitha rastet e hetuara nga SPAK janë korrupsion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.