Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, theksoi se Serbia, përkundër refuzimit zyrtar për ta njohur Kosovën, e kupton më mirë se kurrë që vendi ynë është shtet i pavarur.
Kurti identifikoi gjithashtu Federatën Ruse si një kontribuues kryesor të destabilitetit në rajon përmes ndikimit të saj mbi Serbinë.
Ai theksoi se nga katër fqinj të Kosovës, tre e njohin shtetin, ndërsa Serbia mbetet e vetmja që nuk e ka bërë këtë.
“Realiteti ka ndryshuar shumë dhe ëndrra e Serbisë për kthim në Kosovë duhet të shuhet”, u shpreh Kurti.
Ai e përshkroi Kosovën si “krijim të improvizuar dhe të dështuar” që pretendon se nuk njihet nga më shumë se gjysma e botës.
Ndërkaq, Bahamet - vendi ishullor i Oqeanit Atlantik, u bë vendi 121-të i botës që e njeh Kosovën.
Deklaratat e Petkoviq pasqyrojnë një tendencë të vazhdueshme për të prodhuar narrativa negative mbi pavarësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet ndëretnike në veri, duke qenë pjesë e strategjisë së Beogradit për të mbajtur presion mbi institucionet e vendit dhe për të minuar integrimin e komunitetit serb në strukturat shtetërore.
Duhet theksuar se Serbia, në mënyrë të vazhdueshme, përdor deklarata të qëllimshme dhe të tendencioze kur bëhet fjalë për Kosovën.
Fushata e Serbisë për çnjohje
Që kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, Serbia e ka kundërshtuar atë dhe ka tentuar që të bindë shtetet që të mos e njohin Kosovën, ose të tërheqin njohjen.
Pavarësisht se Serbia shpesh ka njoftuar për tërheqjen e njohjes, ekspertët kanë thënë se sipas normave ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare nuk mund të tërhiqen njohjet.
Serbia ka nisur fushatën për çnjohje që nga viti 2017. Ndërkaq, që nga pavarësia, tenton të bllokojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.
Më herët, Serbia kishte pretenduar se Kosovën e kishin çnjohur këto shtete: Sao Tome dhe Principe, Surinami, Guinea Bisao, Burundi, Liberia, Papua Guineja e Re, Lesoto, Komonuelthi i Dominikës, Grenada, Unioni i Komoreve, Ishujt Solomon, Madagaskari, Palau, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone dhe Nauru.
Por, të gjitha këto pretendime ishin demantuar nga institucionet e Kosovës./Telegrafi.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit për pije në të gjithë vendin.
Sipas njoftimit të publikuar më 20 janar 2026, në disa zona uji nuk rekomandohet për pije, për shkak të rezultateve nga analizat laboratorike.
Zonat ku uji nuk rekomandohet për pije janë:
Rajoni i Prishtinës
Fabrika për trajtimin e ujit Badoc
Vragoli
Rajoni i Gjilanit
Kamenicë – Stacioni i pompimit nr. 2
Bahqja
Fshati Berivojcë
Rajoni i Pejës
Klinë – rrjeti nga puset
Klinë – rrjeti nga burimi Jarinë
Rajoni i Gjakovës
Burimet: Hoçë e Madhe, Opterushë dhe Zaqishtë
Rajoni i Prizrenit
Malishevë
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve në këto zona që të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të radhës dhe thekson se monitorimi i cilësisë së ujit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Ka ndërruar jetë gazetarja kosovare Qefsere Nishevci, një emër i njohur i gazetarisë në Kosovë, e cila me përkushtim dhe profesionalizëm kontribuoi në zhvillimin e këtij profesioni për dekada me radhë.
Nishevci i përkiste brezit të gazetarëve që lanë gjurmë të rëndësishme në informimin dhe edukimin e opinionit publik.
Ajo ishte e diplomuar në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ndërsa karrierën gazetareske e kishte nisur në vitin 1982 si gazetare në të përditshmen “Zëri i Rinisë”.
Gjatë angazhimit të saj profesional, ajo u shqua për seriozitet, etikë dhe përkushtim ndaj profesionit, duke ndikuar edhe në formimin e brezave të rinj të gazetarëve.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e saj, duke vlerësuar kontributin e Nishevcit në gazetarinë kosovare.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia B2 ka përfunduar me sukses procesin e sanimeve dhe ekzaminimeve të pajisjeve kryesore, në përputhje me planin dhe dinamikën e parashikuar.
Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia është startuar me sukses dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 20:26, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit dhe stabilitetin e sistemit.
“Ky rezultat dëshmon përkushtimin e KEK sh.a. për operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe aftësinë e ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të domosdoshme në kohë optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
KEK ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar se falë punës së tyre, rifillimi i operimit të Njësisë B2 u realizua pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.
Ndërkohë, të martën në mëngjes, një pjesë e vendit u përball me reduktime të energjisë elektrike.
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KESCO) njoftoi se reduktimet u rikthyen për shkak të kushteve të vështira dimërore, temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsiderueshme të konsumit të energjisë për ngrohje.
Rreth orës 20:00, të së martës një veturë është përfshirë nga flakët në rrugën “Papa Klementi” në Pejë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Sonte rreth orës 20:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Papa Klementi’ një veturë ishte kapluar nga zjarri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale,” tha Gashi.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori i shtetit dhe eksperti i zjarrit për të hetuar shkaqet e incidentit.
Sipas tij, vetura ishte private dhe në pronësi të një pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit janë në vazhdim.
Kosova dhe Bahamet kanë nënshkruar një marrëveshje për heqjen reciproke të vizave, duke mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve.
Kjo u bë e ditur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Facebook.
Ajo theksoi se pas njohjes së Kosovës nga Bahamet dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në dhjetor, ky ishte hapi i radhës për forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve.
“Marrëveshja dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin”, tha Osmani.
Marrëveshja do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe Bahamasit, duke përforcuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe diplomatike mes dy vendeve.
Bahamet - vendi ishullor i Oqeanit Atlantik – u bënë vendi 121-të i botës që e njeh Kosovën.
Ky vend në Karaibe deri tani ka qenë në mesin e 106 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë para se të udhëtojnë për ta vizituar.
Tani, Bahamet janë vendi i 53-të në botë ku kosovarë mund të udhëtojnë lirshëm./Telegrafi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ka theksuar lidhjet e forta midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke i cilësuar si një komb të vetëm.
Ai shtoi se, megjithëse ekzistojnë dy shtete dhe dy pasaporta, nuk ka dy kombe të ndryshme.
Duke komentuar krahasimet me Moldavinë dhe rrezikun rus, Kurti tha se situata nuk është e njëjtë për Kosovën dhe Serbinë, pasi nuk ekziston një kanton serb që kërcënon sovranitetin, siç ndodh me Transnistrinë.
"Në Kosovë, një gjë e tillë mund të kishte pasur rëndësi në pjesën veriore pesë ose dhjetë vite më parë, por tani kjo nuk ekziston", u shpreh Kurti.
Qytetari nga Gjilani, Arianit Sllamniku, është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se u ofronte fëmijëve me autizëm “terapi” me pretendimin se i shëronte, në vlerë mijëra euro.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në pronat e Sllamnikut janë sekuestruar dy armë zjarri të gjata dhe dy të shkurtra (të gjitha me leje), municion, disa karikatorë, medikamente të ndryshme, libra protokolli dhe pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë, telefona dhe microçipa.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë thirrje për qytetarët që kanë pranuar shërbime shëndetësore ose konsulta nga Sllamniku të paraqiten për intervistim, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të rastit.
“Në kuadër të hetimeve, ftojmë të gjithë qytetarët që kanë përdorur ndonjë terapi apo medikament nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar, qoftë materialisht apo shëndetësisht, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Hetimet janë në vazhdim dhe policia paralajmëron marrjen e masave të mëtejshme sipas zhvillimeve./Telegrafi.
Mëngjesi i 4 tetorit 2024 e gjeti Vlorën të zhytur nën ujë. Shiu i rrëmbyer mbuloi lagje të tëra, aq sa nga dronët e mediave qyteti i ngjante “Venezias”, ku në vend të gondolave lundronin makinat.
Vlora u gjunjëzua nga reshjet për disa ditë, duke nxjerrë në pah dobësitë e një sistemi kullimi të amortizuar dhe mungesën e reagimit institucional. Mirëpo, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër shpjegim për përmbytjen masive të qytetit bregdetar.
“E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz… Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve,”tha ai.
Kryeministri e vendosi theksin tek intensiteti i reshjeve, duke sugjeruar se edhe një infrastrukturë “ekselente” nuk do të përballonte goditjen e parë pa organizim dhe trajnim të strukturave. Auditimet nxorrën në pah të kundërtën.
Përmbytja ishte e parandalueshme
Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet masive të vitit 2024 në Vlorë, i publikuar së fundmi, ka gjetje të cilat rrëzojnë narrativën e “formacionit të reshjeve”.
Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas KLSH-së lidhet me mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese prej dekadash, të cilat janë arteriet kryesore të kullimit të reshjeve për relievin e qytetit.
“Kanalet kulluese KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultuan më shumë se 15 vjet të pa pastruara, ndërsa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite”- KLSH.
Pastrimi i kanaleve dhe rehabilitimi i sistemit kullues është një detyrë urgjente thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse në të kundërt, qyteti është i rrezikuar gjithmonë nga përmbytjet.
Një tjetër problematikë sipas KLSH-së ka qënë mosfunksionimi në kapacitet të plotë të Hidrovorit të Akërnisë. Në ditën e përmbytjes ky hidrovor punoi vetëm me 45% të kapacitetit, pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me tension elektrik të ulët. KLSH shton se Këshilli i Qarkut nuk e shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndërkohë që Bashkia nuk kërkoi kryerjen e vlerësimit të dëmeve për banesat.
“Në përfundim, nëse e gjithë infrastruktura dhe sistemi i kanaleve kulluese do të kishin qenë funksionale dhe do të operonin me kapacitet të plotë, rreziku që qyteti i Vlorës të pësonte përmbytje, si ajo e datës 04.10.2024, do të ishte i ulët”, argumenton Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Si pasojë e përmbytjeve, Bashkia e Vlorës evidentoi 375 familje të dëmtuara, për të cilat ndau një fond dëmshpërblimi prej 54 milionë lekësh.
Përgjegjësia është institucionale
Përmbytjet e Vlorës në tetor 2024 nxorën në pah jo vetëm dobësitë teknike të sistemit të kullimit, por edhe problemet e thella të qeverisjes.
Agron Haxhimali thekson se ato ishin “pasojë e dështimeve të akumuluara në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit nëntoksore dhe mbitokësore dhe jo thjesht e reshjeve intensive”. “Përmbytja u përshkallëzua nga pastrimi i pamjaftueshëm i kanaleve dhe kapaciteti i kufizuar i hidrovorit”, shton ai.
Në të njëjtën linjë kritike, Zef Preçi e sheh konstatimin e KLSH-së si dëshmi të mënyrës se si qeveriset vendi. “Kanalet kulluese kanë më shumë se 15 vjet që nuk janë pastruar, një tregues i paqartësisë së kompetencave, korrupsionit dhe klientelizmit në rritje”, thotë ai.
Preçi akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe për tendera të dyshimtë.
“Qershia mbi tortë’ qeveria që nuk mban asnjë përgjegjësi por ‘e kthen dhimbjen në forcë’ duke kryer tendera të rinj, edhe këta shumica të dyshuar si korruptivë”, thekson Preçi.
Të dy ekspertët bien dakord se rrënja e problemit është neglizhenca institucionale dhe mungesa e mirëmbajtjes, duke kërkuar një reformë të thellë në menaxhimin e ujërave dhe një ndarje të qartë përgjegjësish mes institucioneve.
Përfundim
Përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë ishte e parandalueshme dhe nuk mund të justifikohet me reshje të pazakonta, por sepse sistemi i kullimit mungon. Dhe ky fakt e bën narrativën e qeverisë jo vetëm të pasaktë, por edhe të rrezikshme, sepse fsheh përgjegjësinë dhe vonon zgjidhjet që nevojiten me urgjencë në Vlorë.
Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se përmbytja e Vlorës në tetor të 2024 ishte pasojë e “formacionit të reshjeve” e kategorizojmë të pavërtetë./Faktoje.
Në fjalimin e tij vjetor “Condition of the Guard 2026”, Gjeneral Major Stephen Osborn, Adjutant Gjeneral i Ajovës, vlerësoi mysafirët e veçantë që përfaqësojnë partneritetin mes Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në ngjarje ishin të pranishëm Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Komandant i FSK-së, Komandant Rreshter Major Bedri Zuka, udhëheqësi më i lartë nënoficer, si dhe Drilon Zogaj, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Des Moines.
Njoftimi i Gardës Kombëtare të Ajovës thekson se ky bashkëpunim ka ndërtuar ndër vite kapacitete dhe besueshmëri të ndërsjellë, duke forcuar ndërveprimin dhe gatishmërinë e të dy forcave. Për më shumë se 15 vjet, ushtarët dhe aviatorët e Ajovës kanë bashkëpunuar ngushtë me FSK-në në fusha si manovrat, mjekësia ushtarake, logjistika, mbrojtja kibernetike dhe zhvillimi profesional.
Vetëm gjatë vitit 2025, partneriteti përfshiu 26 shkëmbime bilaterale me mbi 500 pjesëmarrës. Një moment i veçantë ishte përfshirja e një kompanie këmbësorie të FSK-së në Brigadën e 2-të Luftarake të Divizionit të 34-të të Këmbësorisë së Ajovës gjatë rotacionit në “Joint Readiness Training Center”, duke shënuar pjesëmarrjen e parë të Kosovës në një stërvitje të përmasave të mëdha jashtë vendit.
Po ashtu, në vitin 2025, Garda Kombëtare e Ajovës rekrutoi qytetarin e parë nga Kosova, Andren Gashi, i cili iu bashkua Krahut të 132-të të Gardës Ajrore të Ajovës si pjesëtar i Forcave të Sigurisë.
Ky partneritet tregon vazhdimësinë e bashkëpunimit mes dy forcave dhe përpjekjet për të rritur gatishmërinë dhe kapacitetet e tyre operacionale./Telegrafi.
Ushtarët letonezë nga Komanda Rajonale e KFOR-it të udhëhequr nga NATO (RC-E) po zhvillojnë patrulla të rregullta në veri të Kosovës dhe përgjatë Vijës Kufitare Administrative (ABL).
Sipas njoftimit zyrtar, patrullimet kryhen në mënyrë të paanshme dhe të vazhdueshme, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit situativ dhe mbështetjen e stabilitetit në zonë.
“Në këtë mënyrë, ata kontribuojnë në sigurimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë”, thekson njoftimi i KFOR-it.
Patrullimet e tilla konsiderohen thelbësore për të ruajtur një prani të dukshme ushtarake dhe për të mbështetur sigurinë përgjatë fushës së përgjegjësisë së RC-E.
Një fotografi e realizuar nga fotografi i Telegrafit, Ridvan Slivova, ka rikthyer në vëmendje protestën e fundit studentore të mbajtur më 30 prill 1998 pranë fakulteteve teknike në Prishtinë, një nga momentet më domethënëse të rezistencës paqësore studentore në Kosovë.
Në fotografi shihen, Albin Kurti, Muhamet Mavraj,j Driton Lajçi dhe aktivistë të tjerë të lëvizjes studentore të asaj kohe.
Kjo protestë ishte zhvilluar në ditën kur, sipas aneks-marrëveshjes për normalizimin e arsimit shqip në Kosovë, ishte paraparë të niste kthimi i studentëve shqiptarë në objektet universitare.
Sipas marrëveshjes, studentët e tri fakulteteve teknike – Ndërtimtari dhe Arkitekturë, Makineri dhe Elektroteknikë – duhej të hynin në objektet e tyre përkatëse, bazuar në përzgjedhjen e dakorduar nga palët negociuese.
Por, forcat të shumta policore serbe kishin bllokuar të gjitha rrugët që çonin drejt fakulteteve dhe nuk lejuan hyrjen e studentëve, po ashtu kishin vendosur kordone në të gjitha hyrjet duke i mbajtur studentët të shpërndarë në disa pika, 200–300 metra larg objekteve universitare.
Protesta ishte mbyllur me brohoritje dhe thirrje “UÇK, UÇK”, që shënuan edhe momentin e fundit të kësaj lëvizjeje studentore.
Studentët dhe profesorët shqiptarë ishin shpërndarë në mënyrë paqësore, pavarësisht provokimeve, ofendimeve dhe gjuajtjeve me gurë nga studentë dhe civilë serbë.
Pas pengimit të hyrjes në fakultete, studentët, mësimdhënësit dhe punonjësit e fakulteteve teknike ishin ndaluar nga forca të mëdha policore serbe të hynin në objektet e tyre, pikërisht në ditën kur duhej të liroheshin ato.
Pavarësisht provokimeve, studentët treguan vendosmëri për të vazhduar aktivitetin e tyre paqësor deri në realizimin e plotë të kërkesave./Telegrafi.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Polonia pasi është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (HPAI–H5N1).
AUV ka njoftuar se do ta monitorojë situatën në vazhdim dhe masa mbetet në fuqi deri në vlerësimin e mëtejmë.
AUV ka përjashtuar nga vendimi produkte që origjinë kanë fermat e paprekura nga sëmundja dhe që gjenden 50km larg zonave të prekura.
“Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura. Përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, familjare dhe te shpezët e egra në regjionet Lubuskie, Ëielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.
Një sulm me thikë i regjistruar këtë të hënë ka lënë të vdekur 49-vjeçarin shqiptar, Jani Aliaj.
Viktima humbi jetën teksa vuante dënimin në burgun e Koridhallos, në Greqi.
Autori është një grek 28-vjeçar, i cili me një thikë të improvizuar vrau shqiptarin brenda Krahut të 3-të të burgut më të madh të vendit.
Sipas informacioneve nga mediat greke, oficerët e policisë që po merren me çështjen besojnë se kjo është një “kontratë vdekjeje” ndaj 49-vjeçarit pasi dyshohet se 28-vjeçari e ka kryer vrasjen me urdhër të një tjetër krimineli shqiptar.
Sipas të njëjtave burime, trafiku i drogës në Athinë është një tjetër pistë e mundshme. 49-vjeçari kishte kryer dy vrasje në Shqipëri, për të cilat ishin lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare. E para ndodhi në qytetin e tij të lindjes, Tepelenë, në vitin 2005 dhe e dyta u krye në vitin 2016.
Ai ishte anëtar i një bande të fortë në jug të Shqipërisë të përfshirë në trafikun e drogës. Nga ana tjetët edhe 28-vjeçari grek ka kryer dy vrasje.
E para disa muaj më parë në Agios Panteleimonas, kur qëlloi me gjakftohtësi në kokë një burrë nga Shqipëria, i cili kishte qenë në shënjestër të policisë për grabitje dhe vjedhje me thyerje, raporton Euronewsal.
Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka reaguar pas padisë së parashtruar ndaj saj nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), duke e cilësuar atë si tentativë frikësimi dhe përndjekje politike.
Në reagimin e saj publik, Ymeri fillimisht ka sqaruar pozicionin nga aspekti ligjor, duke theksuar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar apo ftesë nga Gjykata.
Ajo ka bërë të ditur se, derisa të njoftohet formalisht sipas procedurave ligjore, do të përmbahet nga përgjigjet juridike, por se ndihet e obliguar të reagojë publikisht, pasi padia tashmë është bërë publike.
“Sipas Ligjit, unë nuk jam njoftuar ende zyrtarisht. Megjithatë, kjo padi është publikuar për të më frikësuar dhe për këtë arsye po reagoj publikisht”, ka deklaruar Ymeri.
Ajo ka theksuar se, bazuar në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, autoritetet publike ndalohen shprehimisht të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje.
Sipas saj, KEK-u është një ndërmarrje 100 për qind shtetërore dhe juristët e kësaj korporate e dinë, ose do të duhej ta dinin, këtë dispozitë ligjore.
Ymeri ka akuzuar KEK-un se padia është dorëzuar me qëllim frikësimi dhe përndjekjeje, duke shtuar se kjo dëshmohet edhe nga publikimi i qëllimshëm i adresës së saj të banimit, të cilin ajo e ka cilësuar si shkelje flagrante të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Duke e cilësuar KEK-un si një ndërmarrje të menaxhuar nga të emëruar politikë, Ymeri ka deklaruar se padia përbën një akt përndjekjeje politike të orkestruar nga kryeministri Albin Kurti dhe, siç është shprehur ajo, “sejmenët e tij në KEK”.
Ajo ka theksuar se analizat dhe deklaratat e saj publike janë të bazuara në fakte që mund të verifikohen lehtësisht dhe që, sipas saj, qytetarët i kanë përjetuar drejtpërdrejt përmes ndërprerjeve të energjisë dhe rritjes së çmimit të rrymës.
“Nuk po flasim për akuza të pabazuara. Po flasim për një korporatë, ish-kryeshefi i së cilës, Nagip Krasniqi, aktualisht po gjykohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Po flasim për ‘dështime teknike’ të çuditshme që ndodhin pikërisht kur çmimet e importit janë në kulm. Të ngresh zërin për këtë nuk është shpifje, është detyrë”, u shpreh Ymeri./Telegrafi.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka parashtruar padi ndaj Janina Ymerit, anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke pretenduar se kjo është bërë për të ndaluar përhapjen e informatave të rrejshme dhe propagandës lidhur me sektorin e energjisë.
Menjëherë pas kësaj, ka reaguar Hykmete Bajrami nga LDK, e cila ka kritikuar ashpër Qeverinë për mënyrën se si po trajton rastin.
Sipas saj, Qeveria nuk po lufton mafinë energjetike, por po e përqendron fuqinë e saj kundër Janina Ymerit.
Bajrami ka kujtuar se Bordi i ZRRE-së, i zgjedhur nga kryeministri Albin Kurti, ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviçit dhe kompaninë e njohur NOA, të cilat sipas saj janë pjesë e problemeve në sektorin energjetik.
“Albin Kurti në vitin 2019 thoshte se nuk je lider shqiptar nëse nuk e lufton mafinë energjetike. Sot, pas pesë vitesh qeverisje, ai nuk po e lufton mafinë energjetike. Përkundrazi, përmes veglave të tij, ka vendosur ta luftojë Janina Ymerin".
"Për rikujtim: Bordi i ZRRE-së, i zgjedhur nga Albin Kurti, e ka licencuar EFT-në e Vuk Hamoviçit dhe superkompaninë NOA. Këtu jemi! Pavarësisht rezultatit të 28 dhjetorit, nuk heshtim”, ka thënë Bajrami.
Korporata Energjetike e Kosovës ka parashtruar padi ndaj deputetes së zgjedhur nga radhët e LDK-së, Janina Ymeri.
Sipas njoftimit të KEK-ut, Ymeri “në mënyrë të vazhdueshme, ka shpërndarë informata të pasakta, propaganduese dhe të pavërtetuara lidhur me prodhimin e energjisë elektrike, duke krijuar konfuzion te opinioni publik dhe duke tentuar t’i atribuojë KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin.”
“Në mënyrë të papranueshme, në paraqitjet e saj të fundit, ajo ka denigruar edhe punonjësit dhe përfaqësuesit e KEK sh.a., duke shkelur standardet profesionale dhe etike të komunikimit publik. Kjo sjellje është e dëmshme për imazhin institucional të Korporatës dhe nuk mund të tolerohet.
I bindur në korrektësinë e plotë të njoftimeve të bazuara në të dhëna zyrtare, dhe duke besuar në funksionimin e shtetit ligjor, KEK sh.a. ka parashtruar këtë padi dhe është e vendosur që, edhe në të ardhmen, në çdo rast të keqinformimit tendencioz të parashtrojë padi pranë organeve kompetente të drejtësisë, për të përcaktuar qartë se kush po çorienton opinionin publik dhe për çfarë qëllimesh.”
Ish-ambasadori serb Sreçko Dukiq ka vlerësuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e përfshin vendin e tij në konflikte globale përmes deklaratave të fundit lidhur me aktivitetin e shërbimeve të inteligjencës në Iran.
Vuçiq kishte pohuar se CIA dhe Mossadi janë aktivë në Iran, gjë që sipas Dukiq, mund të perceptohet si një mesazh politik nga Uashingtoni dhe Tel Avivi.
“Këto deklarata mund t’i shkaktojnë dëme politikës së jashtme Serbisë. Ajo nuk është aktore në konfliktet e Lindjes së Mesme, as nuk ka interes të përfshihet në interpretimet që akuzojnë dy shërbimet më me ndikim të inteligjencës perëndimore”, tha Dukiq në një intervistë për gazetën Nova.
Ai shtoi se pretendime të tilla publike “objektivisht mund të kuptohen si një narrativë armiqësore ndaj SHBA-së dhe Izraelit, duke e përfshirë kështu Serbinë në konflikte globale dhe luftëra inteligjence që e tejkalojnë atë shumë herë”.
Ish-ambasadori përmendi gjithashtu krahasimin që Vuçiq kishte bërë me vitin 1953 dhe përmbysjen e Kryeministrit iranian Muhamed Mossadegh, duke e cilësuar këtë si një “kornizë klasike propagandistike e diskutimit antiamerikan dhe antiperëndimor”, e cila mund të perceptohet si një mesazh politik në Uashington dhe Tel Aviv.
Ai paralajmëroi se “deklarata të tilla e ndërlikojnë më tej pozicionin e Serbisë dhe sjellin konfuzion në politikën e jashtme”.
Refuzimi për të takuar delegacionin e Parlamentit Evropian
Pak ditë më pas, gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi, Vuçiq deklaroi se nuk dëshiron të takohet me një delegacion të Parlamentit Evropian që vizitoi Beogradin, duke i cilësuar ata si “të paftuar”.
Ai u shpreh se nuk do të jetë në Serbi gjatë ardhjes së tyre, pasi ka angazhime të tjera të planifikuara, por shtoi se “nëse do të isha në Beograd, nuk do të takohesha me ta gjithsesi”.
“Urrejtësit e Serbisë u ulën dhe ranë dakord që do të vinin në Beograd dhe nuk na pyetën dhe as nuk na informuan. Ne nuk i thirrëm. Ata erdhën të paftuar (...) Kam edhe angazhime të tjera të planifikuara në Davos. Nuk po i shmang, por edhe nëse do të isha në Beograd, nuk do të takohesha me ta”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
Ai shtoi se dëshiron të takohet “vetëm me njerëz që i dëshirojnë të mirën Serbisë dhe se do ta bëjë këtë në Davos”. I pyetur për pasojat e mundshme të refuzimit të tij, Vuçiq tha se ato “do të jenë të tmerrshme” dhe se delegacioni do të mund të sjellë një deklaratë ose rezolutë tjetër.
Akuza ndaj Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë
Në një zhvillim tjetër, Vuçiq akuzoi të hënën Kroacinë për bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë me qëllim “shkatërrimin e Serbisë” dhe e përshkroi këtë bashkëpunim si një kërcënim ushtarak.
Ai bëri këto deklarata gjatë një vizite në Trebinje, Bosnjë e Hercegovinë, ku mori pjesë në hapjen e një spitali të ri, por fokusi i tij në fjalim ishte më shumë në analizat gjeostrategjike sesa në kujdesin shëndetësor.
Sipas Vuçiq, shqetësimi i tij i veçantë është Kroacia dhe bashkëpunimi i saj në mbrojtje me Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai theksoi se kjo aleancë nuk është kundër Austrisë, por sipas tij është drejtuar kundër popullit serb.
“Në Beograd, ne e kuptojmë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb”, tha ai.
Presidenti serb njoftoi gjithashtu për një forcim të ndjeshëm të kapaciteteve ushtarake të vendit.
“Ne jemi të dytët në botë për sa i përket përparimit të kapaciteteve tona ushtarake dhe brenda dy vjetësh do t’i dyfishojmë kapacitetet tona ushtarake”.
Ai akuzoi Kroacinë se po përpiqet të ndikojë në proceset në Mal të Zi, duke e cilësuar këtë si një komplot anti-serb.
Po ashtu, Vuçiq i lidh teoritë e tij të konspiracionit me protestat që zhvilloheshin në Serbi gjatë vitit të kaluar dhe kritikoi përpjekjet për rrëzimin e tij nga pushteti.
“Ata që mendojnë se ne jemi naivë dhe do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra si në vitin 1941 dhe shumë herë në histori, le ta dinë: ju bëtë gjithçka vitin e kaluar për të më rrëzuar nga pushteti, me një miliard euro të investuara, dhe dështuat... Unë nuk jam Slobodan Millosheviqi, as naiv dhe as budalla që t’ju besoj”, deklaroi Vuçiq.
Në Liqenin e Ujmanit, është shënuar festa ortodokse e Bogojavlenjes përmes manifestimit tradicional të notimit për Kryqin.
Në këtë aktivitet, mbi 300 qytetarë serbë u hodhën në ujërat e ftohta të liqenit, pavarësisht temperaturave të ulëta, për të tentuar ta kapin kryqin, duke shënuar kështu një numër rekord pjesëmarrësish.
Manifestimi ka tërhequr një numër të madh të pjesëmarrësve dhe shikuesve, ndërsa gjatë organizimit janë vërejtur edhe flamuj me përmbajtje provokuese, përfshirë simbole shtetërore të Federatës Ruse.
Po ashtu janë parë të veshura bluza me fytyrat e terroristëve të Banjskës.
Kisha Ortodokse Serbe ka dalë me një deklaratë publike, duke bërë të ditur se për arsye sigurie dhe për shkak të kushteve të motit, nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për organizimin e kësaj ngjarjeje, ndonëse manifestimi është mbajtur sipas traditës së viteve të kaluara.
Të pranishëm gjatë kësaj feste kanë qenë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë monitoruar situatën dhe janë angazhuar për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë publike gjatë gjithë kohëzgjatjes së aktivitetit.
Notimi për Kryqin në Liqenin e Ujmanit organizohet tradicionalisht që nga viti 2011 dhe zhvillohet në një distancë simbolike prej 33 metrash nga bregu, distancë kjo që përfaqëson vitet e jetës së Jezu Krishtit.
Sipas traditës, pjesëmarrësi që arrin i pari te kryqi shpërblehet duke e marrë atë si simbol të besimit dhe festës së Bogojavlenjes, raporton KP.
Të gjithë personat që cenuan vullnetin e lirë të qytetarëve duke manipuluar me votat qofshin komisionerë apo edhe kandidatë për deputetë, të cilëve iu shtuan votat do të intervistohen nga prokuroritë përkatëse.
Kështu ka deklaruar koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, prokurorja, Laura Pula, e cila vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë e konsideron veprim të duhur.
Rinumërimi i plotë në dhjetë komuna, si dhe disa tjera me 10 përqin, zbuloi parregullësi në numërimin e votave. Aty u zbuluan “dallavere”, brenda votave të partive, ku disa kandidatëve u mungonin votat, e disa të tjerëve iu shtuan.
Kjo ka bërë që të ketë shumë reagime, madje u kërkua edhe rinumërim i plotë, gjë që edhe do të ndodh pas vendimin që sot mori Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në një intervistë për KosovaPress, prokurorja, Pula thotë se pas përfundimit të procesit të rinumërimit në shumicën e komunave lidhur me dyshimet për manipulim të votave pas zgjedhjeve ka urdhëruar grumbullimin e provave dhe nisjen e hetimeve penale.
Pula tha se procesi zgjedhor i 28 dhjetorit 2025 shkoi mirë, por pas rinumërimit u evidentuan mospërputhje të votave mes kandidatëve brenda të njëjtit subjekt politik, çka sipas saj përbën “manipulim brenda llojit”, pasi nuk janë prekur votat mes subjekteve politike, por votat për deputetë brenda një partie.
Ajo theksoi se bëhet fjalë për vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Kjo dukuri që ndodhi pas zgjedhjeve, të cilat zgjedhje shkuan shumë mirë, mirëpo pas numërimit të votave dhe evidentimit se ka mospërputhje mes kandidatëve të subjektit të njëjtë, çka nënkupton se votat mes subjekteve fare nuk janë prekur, janë prekur votat e deputetëve brenda një subjekti që është manipulim brenda llojit, kështu quhet. Atëherë, jemi vënë në lëvizje dhe në momentin kur kemi kuptuar se deri dje kanë përfunduar pothuajse një mori e komunave me rinumërimin e votave, atëherë sot unë si koordinatore nacionale e zgjedhjeve, kam udhëzuar të gjithë kryeprokurorët e prokurorive respektive që të merren me grumbullimin e provave dhe të fillojnë hetimet në ato vende ku ka elementet e veprës penale. Kemi të bëjmë me një vepër penale të falsifikimit të dokumentit të votave, dhe kjo është në kuadër të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe do të hetohen të gjithë ata persona të cilët kanë prekur në vullnetin e lirë të qytetarit për ta zgjedhur deputetin”, tha ajo.
Prokurorja Laura Pula tha se hetimi do të jetë i mirëfilltë dhe se do të intervistohen të gjithë komisionerët që kanë marrë pjesë në numërim, si dhe të gjithë kandidatët të cilëve u janë shtuar votat, për të sqaruar arsyet e mospërputhjeve dhe përgjegjësitë eventuale.
“Atëherë, hetimi ka me qenë i mirëfilltë. Në momentin kur do të intervistohen të gjithë komisionerët të cilët janë përfaqësues të gjitha subjekteve politike në momentin kur kanë numëruar dhe kanë rinumëruar votat dhe votat nuk përputhen tashti me numërimin nga QNR-ja, ata do të intervistohen dhe do të tregojnë pse ia kanë shtuar votat një kandidati të caktuar, apo pse ia kanë munguar votën një kandidati të caktuar. Prandaj, kur themi hetim i mirëfilltë nënkuptojmë se hetimi do të vazhdojë dhe do të marrim informata për aq sa do të është e mundur që të marrim informata nga komisionerët, të cilët do të na udhëzojnë se a kanë qenë të shtyrë dhe arsyeja pse i kanë shtuar vota një kandidati të caktuar. Arsyet mund me qenë të ndryshme, të kuptohemi, prandaj vetëm me një hetim mund ta zbulojmë arsyen e saktë se pse ju kanë shtuar vota kandidatit të caktuar.. 03’11 Do të intervistohen të gjithë ata kandidatë të cilët ju kanë prekur votat dhe ju kanë shtuar votat. Nëse dikush del thotë që unë nuk jam fajtor për shtim të votave, atëherë duhet me dalë komisioneri i subjektit të tij konkretisht dhe të tregojë pse ja ka shtuar votat atij kandidati”, deklaroi prokurorja Pula për KP.
Sipas prokurores, Pula, një rast i ngjashëm me këtë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ndodhi në vitin 2010, kur pas zgjedhjeve u evidentuan mospërputhje të votave dhe u akuzuan rreth 1,500 persona, duke theksuar se raste të tilla dëmtojnë reputacionin e shtetit.
Ajo tha se rinumërimi në të gjitha komunat është i nevojshëm për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe për të sqaruar nëse është cenuar vullneti i tyre.
“Vetëm në vitin 2010 kemi pasur një rast të tillë, ku pas përfundimit të zgjedhjeve dhe pas certifikimit të tyre, kemi hasur në mospërputhje të numrit të votave të kandidatëve, për çka, sa më kujtohet, diku kanë qenë 1500 persona të akuzuar për këto, në ato zgjedhje…. Prandaj ato kanë qenë zgjedhjet unë konsideroj që e kanë prishur reputacionin e Republikës së Kosovës si shoqëri, mirëpo fatmirësisht ndër vite ne patëm evoluar shumë mirë duke u mburrur si shtet me zgjedhje demokratike. Mua më vjen keq se pas vërtet një procesi shumë të mirë që kaluam me 28 dhjetor, tani duhet të ballafaqohemi edhe me hetime të mirëfillta për të zbuluar të vërtetën…05’41 Konsideroj se me numërimin e përgjithshëm të të gjitha, në të gjitha komunat, 28 komunat, është shumë më mirë…me qëllim që mos të lihet ndonjë shkas që të mendohet se ka mundur që mos edhe në komuna të tjera ka, manipulim, me qëllimin e vetëm që të kthehet besimi i publikut te institucionet të cilat merren me drejtësisë dhe institucionet e tjera të sigurisë. E, nëse është cenuar tani më vullneti i qytetarëve ne duam ta themi haptas, është cenuar në një farë mënyre”, deklaroi ajo.
Koordinatorja nacionale e zgjedhjeve, Laura Pula bëri të ditur se për hetim janë të nevojshme procesverbalet e numërimit dhe rinumërimit, listat me nënshkrime të komisionerëve dhe dokumentet verifikuese, të cilat do të krahasohen për të identifikuar dallimet në vota.
“Neve na interesojnë lista e librave, ku janë nënshkruar të gjithë komisionerët. Na intereson procesverbali i verifikimit të numërimit të votave ku nënshkruhet nga të gjithë komisionerët e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe ndër të tjera na intereson tani procesverbali i ri i rinumërimit për ta bërë krahasimin se sa vota më kanë marrë ty dhe t'i kanë qit ty. Dhe kur këto janë prova relevante. Po, ndërkohë mund të kemi dhe prova të tjera, për të cilat prokurorët e rasteve në komunat, në shtatë komunat e Republikës së Kosovës, do të merren me këto raste, me, me verifikim. Për atë thashë, duhet të informohemi dhe të grumbullojmë prova e pastaj të vazhdojmë me hetime të tjera…09’10(Hetimi) Do të jetë në shtatë prokurori themelore, të cilat i mbulojnë edhe me kompetencë territoriale dhe komunat e tjera”, deklaroi koordinatorja nacionale e zgjedhjeve.
Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të rinumërohen votat për kandidatë në tërë Kosovën. Përveç rinumërimit edhe në 28 komuna tjera, u është ndërprerë mandati përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Prizrenit.
Ndërsa, më herët ishte marrë vendim për rinumërim në gjithsej 10 komuna, ku doli se në Prizren ishte bërë manipulim i madh i votave brenda listës zgjedhore të një partie.
Qytetarët e Kosovës më 28 dhjetor 2025 iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës e më pas edhe qeverinë e re.