Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Main stream

Pas Hanit të Hotit, bllokohet edhe qarkullimi i mallrave në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut

By: Elva
25 January 2026 at 11:37

Pas bllokimit të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në Han të Hotit për shkak të protestës së kamionistëve në Malin e Zi, kufizime të ngjashme do të aplikohen edhe në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut. Autoritetet kanë njoftuar se për shkak të një proteste të paralajmëruar nga një shoqatë e transportit të […]

The post Pas Hanit të Hotit, bllokohet edhe qarkullimi i mallrave në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut appeared first on BoldNews.al.

Yesterday — 24 January 2026Main stream

Edhe pak ditë vendi duhet të dorëzojë raportin në UNESCO për zonat në mbrojtjen e kësaj organizate

24 January 2026 at 18:06


Deri më 1 shkurt, Shkupi dhe Tirana kanë kohë që në UNESCO të dorëzojë raport që duhet të tregojë se çfarë kanë bërë në 8 muajt e fundit, për të siguruar që rajoni rreth Liqenit të Ohrit të mos jetë në listën e zonave të rrezikuara nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, në vend që të japë sqarime për zbatimin e rekomandimeve dhe vërejtjeve të UNESCO-s për vite me radhë, justifikim kërkon nga pala shqiptare.

“Një nga problemet më të mëdha në të gjithë këtë proces është se që nga viti 2016 pala shqiptare ka hyrë në të gjithë këtë proces dhe kjo e bën komunikimin pak më të vështirë. Ata kishin zgjedhje më parë, ndryshim të qeverisë, dhe ne kishim zgjedhje gjithashtu, dhe kështu që për një periudhë të gjatë asgjë nuk ndodhi në 6-7 vitet e fundit. Komunikimi është shumë i rëndësishëm në të gjithë procesin. Ne mund të plotësojmë një pjesë të madhe të rekomandimeve tona që kemi si Ministri e Kulturës, por nëse në anën tjetër nuk plotësohet, ka kritika nga komisioni i UNESCO-s”, tha Zoran Lutkov – Ministër i Kulturës.

Lutkov tha se raporti është duke u përgatitur dhe muajin e kaluar u ngrit një shtab krize për të punuar mbi rekomandimet. Ai pretendon se shumë gjëra janë bërë deri më tani, pa specifikuar se cilat janë ato.

“Shumë gjëra janë bërë, nuk mund të them se nuk janë bërë, shpresoj se në bazë të asaj që kemi bërë deri tani dhe asaj që do të bëjmë këto ditë, do të kemi një vlerësim pozitiv dhe nuk do të futemi në listën e rrezikut”, shtoi Zoran Lutkov – Ministër i Kulturës.
Konstantin Georgievski, aktivist civil thotë se nuk ka aktivitete serioze, sistematike dhe të koordinuara që mund të përmirësojnë realisht situatën në mbrojtjen e rajonit të Ohrit.

“Do të kemi pasoja në të ardhmen dhe gjeneratat e ardhshme do të na urrejnë për të njëjtën arsye pse nuk kemi ndërmarrë asgjë më shumë. UNESCO nuk është një armik i zhvillimit ekonomik, UNESCO nuk është një eliminator i zhvillimit ekonomik, UNESCO është një organizatë në të cilën ne u bashkuam vullnetarisht në vitet 1980, dhe është e jona të ndjekim rregullat siç bëjnë shumë vende të tjera”, u shpreh Konstantin Zdraveski – Shoqata Ekologjike EKOMENLOG.

Një nga vërejtjet më të mëdha është urbanizimi i tepërt dhe problemi i ndërtimeve të paligjshme. /Alsat.mk

ASH: Maqedonia nuk u ftua tek "Bordi i Paqes", tregues për mungesën e diplomacisë dhe peshës politike në nismat globale

24 January 2026 at 17:20


Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin e saj për faktin se Maqedonia e Veriut nuk është përfshirë në nismën ndërkombëtare “Bordi i Paqes”, të inicuar nga presidenti amerikan Donald Trump, ku tashmë janë përcaktuar vendet pjesëmarrëse në rajonin e Ballkanit.

Nga ASH thonë se ky përjashtium nuk mund të jetë rastësi duke reflektuar mungesën e peshës politike të Qeverisë aktuale.

"Fakti që Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Turqia janë ftuar të jenë pjesë e kësaj platforme, ndërsa Maqedonia e Veriut renditet në listën e vendeve që as nuk janë ftuar, përbën një sinjal serioz alarmi për pozitën ndërkombëtare dhe kredibilitetin diplomatik të shtetit tonë. Ky përjashtim nuk mund të shihet si rastësi. Ai reflekton qartë mungesën e peshës politike dhe të ndikimit diplomatik të qeverisë aktuale në skenën ndërkombëtare, si dhe dështimin për ta pozicionuar Maqedoninë e Veriut si faktor stabiliteti dhe partner të besueshëm në nismat rajonale dhe globale të sigurisë", thuhet në njoftimin e ASH-së.

Aleanca për Shqiptarët kërkon sqarim urgjent nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Jashtme se pse Maqedonia e Veriut nuk është ftuar në këtë nismë?

"A ka pasur komunikim zyrtar dhe përpjekje diplomatike për përfshirje, dhe cilat mund të jenë pasojat politike dhe strategjike të këtij përjashtimi për vendin? Në një kohë kur “Board of Peace” synon ndërtimin e një platforme bashkëpunimi politik dhe sigurie, përjashtimi i Maqedonisë së Veriut – së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor – po lexohet gjerësisht si një mesazh i qartë gjeopolitik për rolin periferik ku po shtyhet vendi ynë. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Maqedonia e Veriut ka kapacitete, përvojë dhe përgjegjësi për të qenë pjesë e çdo mekanizmi serioz për paqe dhe siguri në rajon. Por kjo kërkon diplomaci aktive, politikë të jashtme të qartë dhe qeverisje kredibile – jo improvizime, heshtje dhe izolim. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë transparencë, përgjegjësi institucionale dhe një orientim të qartë euro-atlantik që garanton se Maqedonia e Veriut nuk do të mbetet jashtë proceseve të rëndësishme ndërkombëtare", thonë nga ASH.

Before yesterdayMain stream

Sela: Kamerat nga "Safe City" janë vendosur në komunat me shumicë shqiptare, po ndodh zhvatje e qytetarëve

23 January 2026 at 19:47


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kritikuar vendosjen në funksion të sistemit "Safe City", informon Telegrafi Maqedoni.

Ai thotë se ky sistem ka për qëllim zhvatjen e qytetarëve, pasi nëpër rrugët ku janë vendosur kamerat e sigurisë në komunikacion, nuk ka as semaforë e as parkingje dhe sipas tij janë vendosur në lagjet ku banojnë shumicë shqiptare.

"Është për të ardhur keq kur sheh që edhe projektet që promovohen për të mirën e përgjithshme, sigurinë e qytetarëve siç ka qejf ta thot qeveria, për qëllim ka zhvatjen e një kategorie qytetarësh! Nqs keni dlieme se në xhepin e kujt synohet të goditet është më se e qartë. -Shihni ku implementohet projekti “Safe City”-Shkupi, Kumanova, Tetova?!-Shihni shpërndarjen e kamerave te Safe City në Shkup,ku janë më shumë të koncentruara në numër? Në Çair, Saraj, Butel?! Janë komunat me shumicë shqiptare. Janë hyrje daljet e shqiptarëve për në Shkup.Janë vendet me (pa) infrasktrukturë të komunkacionit dhe rrugor më të vjetër. Pa semaforë por me kamera për te zhvat! Pa parkingje por me gjoba! Pa sinjalistik rrugore por me denime të majme… E pra të dashur shqiptar, EKSPLOATIMI ska brina, kështu ngjan", shkruan Sela.

Sela ka përmendur dhe faktin se Maqedonia e Veriut do të duhet të kthejë edhe kredinë prej dy miliardë eurove, e që sipas tij, ajo kredi do të kthehet nga gjobat që do të paguajnë qytetarët nga sistemi i MPB-së.

"Meqë ra fjala Maqedonia e Veriut këtë vit duhet të kthej rreth 2 miliard euro kredi! Do i kthejme ne ku më pak është investuar, edhe nga projekti “Safe City”. Kështu pra ngjan Eksploatimi…P.S. Jam i vetëdijshëm që do më akuzojnë se gjithckaje i jap konotacion etnik. Jo unë për hir të së vërtetës, asnjëherë unë dhe Aleanca për Shqiptarët, por ata që na drejtojnë gishtin. Po është e vërtetë ne skemi hesht dhe sdo të heshtim kurrë…", shkruan Sela.

Kujtojmë se ligji për aktivizimin e kamerave të sigurisë nga "Safe City" u miratua në Kuvend sot me 81 vota.

Për këtë ligj votuan, OBRM-PDUKM, VLEN, E Majta, Bejxhan Iljaz si dhe deputeti i pavarur Ilir Demiri. /Telegrafi/

Protesta e transportuesve në Maqedoninë e Veriut pritet të shkaktojë kolona në Kosovë

23 January 2026 at 17:35


Shoqata e Transportuesve MAKAM-TRANS ka njoftuar se do të organizojë protestë më 26.01.2026, me fillim nga ora 12:00, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Si pasojë e kësaj proteste, do të mbyllet qarkullimi për transportuesit e mallrave në territorin e këtij shteti.

Për shkak të ndalimit të qarkullimit, pritet që edhe në territorin e Republikës së Kosovës të krijohen kolona të gjata kamionësh, të cilët do të presin për të kaluar drejt Maqedonisë së Veriut.

Autoritetet u bëjnë thirrje transportuesve dhe operatorëve ekonomikë që të marrin parasysh këtë njoftim dhe të planifikojnë me kohë lëvizjen e tyre, me qëllim shmangien e vonesave dhe vështirësive në qarkullim. /Telegrafi/


Ageler: SHBA-të do të qëndrojnë gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut, besoj në guximin e këtij populli

22 January 2026 at 20:03


Ambasada e SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, ka publikuar një mesazh nga ambasadorja Angela Ageler.

Në mesazhin e saj, ajo kujton se në Shkup ka mbërritur si ambasadorja e dhjetë e Shteteve të Bashkuara dhe që nga fillimi ka pasur një besim të fortë në “forcën dhe guximin e popullit të Maqedonisë së Veriut”, besim që me kalimin e kohës është konfirmuar shumë herë.

'Viti 2025 shënoi 30-vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe SHBA-Maqedoni, megjithëse partneriteti ynë daton më tej. Për më shumë se tre dekada, i kemi treguar botës - së bashku - se çfarë mund të arrijë forca, kompromisi dhe vendosmëria e duruar. Dhe gjatë tre viteve të fundit, ne kemi treguar rezultatet shumë reale dhe të prekshme të asaj se si duken miqësia e vërtetë dhe partneriteti konstruktiv", thotë Ageler.

Ajo thekson se gjatë mandatit të saj janë ndërmarrë hapa konkretë në disa fusha, përfshirë rritjen ekonomike dhe pavarësinë energjetike, reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, arsimin, kulturën dhe integrimin euroatlantik, si dhe modernizimin e kapaciteteve të sigurisë dhe projekte strategjike infrastrukturore që forcojnë sigurinë rajonale dhe tregtinë.

“Gjatë tre viteve të fundit, partneriteti ynë është shndërruar në një miqësi të vërtetë, takova qytetarët në mbarë vendin, bisedat e hapura dhe shpresat, vizionet dhe sfidat e përbashkëta", shkruan Ageler.

Ambasadorja porosit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të qëndrojnë gjithmonë pranë Maqedonisë së Veriut” në realizimin e vizionit për një shtet më të fortë, më të sigurt dhe plotësisht të integruar euroatlantik.

Kujtojmë se Ageler nuk do të jetë më ambasadore në RMV, pasi më 22 dhjetor, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tërhoqi nga pozitat e tyre 29 ambasadorë, e në mesin e tyre dhe Angela Ageler.

RMV-ja e dyta në Evropë për planin e veprimit për barazi gjinore

22 January 2026 at 18:01


Kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, Zhaklina Peshevska, ka takuar grupin e punës për ndjekjen e zbatimit të Planit të Veprimit për Avancimin e Barazisë midis Femrave dhe Meshkujve në Kuvend, ku ka konstatuar se nga vendet të cilat kanë planin e tretë të veprimit, RMV-ja është vendi i dytë në Evropë, edhe atë pas Suedisë.

Qëllimi i këtij takimi, sipas kryetares së Kuvendit, ishte që të vlerësohet progresi i deritanishëm, të identifikohen sfidat në zbatim dhe të koordinohen hapat e ardhshëm për forcimin e politikave dhe masave që promovojnë barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta në institucionet shtetërore.

“Atë të cilën mund ta them është se si plan të tretë të veprimit jemi vendi i dytë në Evropë pas Suedisë. Ajo që është shumë më e rëndësishme është fakti se gjatë kësaj kohe kemi shënuar progres në realizimin e planit të veprimit. Atë të cilën e kishim planifikuar, ishte që ta rrisim rolin mbikëqyrës të Kuvendit mbi institucionet", deklaroi kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta, Zhaklina Peshevska.

Plani i Veprimit për Avancimin e Barazisë midis Femrave dhe Meshkujve në Maqedoni ka për qëllim promovimin e mundësive të barabarta për femrat dhe meshkujt në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, parandalimin dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, si dhe fuqizimin institucional, përmes koordinimit të institucioneve shtetërore dhe monitorimit të zbatimit të masave. Të gjitha këto në praktikë nuk po realizohen me dinamikën e dëshiruar.

“Ne në të kaluarën si grup i deputeteve dhe si Komision kemi sjellë disa përfundime për zmadhimin e përfaqësimit të grave në politikë, si: 50 për qind të jenë gra në listat e deputetëve dhe këshilltarëve komunalë; 40 për qind të jenë të përfaqësuara në Qeveri dhe 30 për qind në kryetare të komunave, por kjo nuk po implementohet. Ne sado të jemi progresive, akoma po ballafaqohemi me disa mendime dhe stereotipe në shoqëri se gratë duhet të jenë amvise në shtëpi, se më shumë do të votonin për burra sesa për gra dhe se këtë luftë të gladiatorëve gratë pak i rreken punës që ta bëjnë këtë betejë.”, – theksoi kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta, Zhaklina Peshevska.

Sipas Peshevskës, nëse analizohen edhe komisionet dhe delegacionet e Kuvendit dhe të Qeverisë, gratë nuk janë të përfaqësuara sa duhet.

Plani i Veprimit shoqëron Strategjinë Kombëtare për Barazi Gjinore dhe përfshin afate kohore, institucione përgjegjëse dhe tregues për matjen e progresit, duke siguruar që barazia gjinore të mos mbetet vetëm parim ligjor, por të zbatohet në praktikë.

Maqedonia paralajmëron rikthimin e projekteve të vjetra energjetike “Çebren” dhe “Galishtë”

22 January 2026 at 17:00


Kërkesa globale në rritje për energjinë elektrike e vendos sektorin energjetik në fokusin e zhvillimeve të ardhshme. Maqedonia paralajmëron rikthimin e projekteve të vjetra si “Çebren” dhe “Galishtë”. Nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri Hristijan Mickoski tha se shteti duhet të bëhet faktor aktiv në prodhimin e energjisë elektrike dhe të hapë potencialin energjetik për investime të reja.

“Duhet sërish t’i ristartojmë të gjitha ato projekte energjetike ndoshta të harruara në të kaluarën, si Çebren dhe Galishtë, ura e Boshkut dhe të tjerat, dhe ta ofrojmë potencialin për investime në burime të ripërtëritshme të energjisë për një numër të madh investitorësh, të cilët treguan interes të padiskutueshëm në diskutimet pas përfundimit të panelit”, tha Hristijan Mickoski – kryeministër.

Kryeministri theksoi se kishte edhe një takim me pronarin e kompanisë “4IG”– operatori i tretë mobil që vjen në vend, i cili paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të investojë më shumë se 100 milionë euro.

“Qytetarët fitojnë kompani të re që do të ofrojë shërbime mobile dhe kompani që jam i sigurt se do të ndikojë pozitivisht në uljen e çmimeve të shërbimeve që operatorët mobilë i ofrojnë për qytetarët në Maqedoni”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër.

Në një panel të mbajtur në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, iu kushtua vëmendje sfidave të ardhshme me të cilat do të përballet bota, ku një nga temat kyçe ishte inteligjenca artificiale. U theksua se përdorimi më i gjerë dhe serioz i saj nuk është i mundur pa furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, për shkak të nevojave të mëdha të qendrave të të dhënave, si dhe pa një numër të mjaftueshëm inxhinierësh IT të kualifikuar. /Alsat/

Regjistrohen mbi dy mijë raste të reja me grip në Maqedoni

22 January 2026 at 15:36


Gjatë javës së tretë të vitit 2026 – prej 12 deri më 18 janar – në vend janë paraqitur 2.062 raste të të sëmurëve nga gripi – sëmundje të ngjashme me gripin, 11,2 për qind më pak në karahasim me javën e kaluar. Numri i personave të paraqitur këtë javë, në krahasim me javën e tretë të stinës së kaluar është rritur për 46,0 për qind, ndërkaq në krahasim me numrin për javën e tretë nga kurba tipike epidemike e modeluar nga 15 stinët e fundit është ulur për 6,9 për qind.

Gjatë javës së tretë incidenca e paraqitur është mbi kufirin javor për aktivitet mesatar, informuan sot nga Instituti për shëndet publik.

Lidhur me distribuimin e moshës, 1.274 persona ishin të moshës prej 15 deri 64 vjeç. Gjithsej 279 ishin fëmijë të moshës deri katër vjeç, mbi 65 vjeç ishin 266 persona, ndërsa 243 fëmijë të moshës prej 5 deri 14 vjeç. Incidenca më e madhe është regjistruar tek fëmijët e moshës deri katër vjeç.

Personat e paraqitur janë nga 29 QSHP/NJR: Shkup – 556, Tetovë – 146, Ohër – 142, Manastir – 139, Kumanovë – 137, Prilep – 115, Shtip – 110, Kavadar – 102, Veles – 96, Strumicë – 85, Dibër – 75, Sveti Nikole – 59, Gostivar – 52, Radovish – 33, Negotinë – 30, ndërsa në Gjevgjeli, Vinicë, Strugë, Resnjë, Kërçovë, Krushevë, Kratovë, Makedonski Brod, Probishtip, Dellçevë, Kriva Pallankë, Koçan, Demir Hisar dhe Berovë, numri i të sëmurëve është më i vogël se 30, tregojnë të dhënat e ISHP.

Në katër QSHP/NJR: Dibër, Ohër, Sveti Nikole dhe Kavadar vërehet aktivitet shumë i lartë, në tre: Kratovë, Shtip dhe Vinicë – aktivitet i lartë, aktivitet mesatar është regjistruar në 11 QPSH/NJR, në nëntë vërehet aktivitet stinor, ndërsa në dy njësi vërehet aktivitet i ulur i virusit të gripit.

Në vitin 2025/2026 numri i përgjithshëm i rasteve të gripit – sëmundje të ngjashme me gripin – është 8.209 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit së kaluar, numri i rasteve të paraqitura është rritur për 2,1 herë, ndërsa në raport me modelin e 15 viteve të fundit është regjistruar rritje prej 16,3 për qind.

Kallëzim penal ndaj 14 pjesëtarëve të Ushtrisë, dyshohen për bashkim kriminal dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare

22 January 2026 at 10:32


Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionalë njoftoi se më 20 janar 2026, ka dorëzuar kallëzim penal në institucionet kompetente kundër 14 pjesëtarëve të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit të sindikatës, kallëzimi ka të bëjë me dyshimet për kryerjen e veprave penale "keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar" (neni 353 i Kodit Penal), "bashkimit kriminal" (neni 394) dhe "punës së pakujdesshme në shërbim" (neni 353-c).
Siç thnë nga sindikata, personat e raportuar janë 11 oficerë dhe tre nënoficerë, të punësuar në njësi të ndryshme të Ushtrisë. Midis tyre janë komandanti i Brigadës së 1-rë të Këmbësorisë, komandanti i Batalionit të 2-të të Këmbësorisë, tre punonjës në Petrovec, tre punonjës në Shtip, si dhe gjashtë anëtarë të komisioneve disiplinore në Shtip.

Sindikata thekson se ankesa i referohet dëmit të supozuar material të shkaktuar ndaj anëtarëve të Ushtrisë dhe buxhetit të shtetit.
Në deklaratë thuhet se sindikata ka apeluar në të kaluarën për respektimin e të drejtave të ushtarëve profesionistë dhe për zbatimin konsistent të Ligjit për Shërbimin në Ushtri, por, sipas tyre, pa sukses.

Sindikata gjithashtu informon se, siç pretendojnë ata, katër gjeneralë aktualisht po veprojnë kundër tyre dhe anëtarëve të saj, për të cilët njoftojnë se do të paraqesin raporte përkatëse në periudhën e ardhshme.

Për më tepër, Sindikata e Pavarur e Ushtarëve Profesionistë i bëri thirrje presidentes së vendit dhe komandantit suprem të Ushtrisë, Gordana Siljanovska-Davkova, të rishikojë vendimet për promovime dhe emërime në pozicione ushtarake përgjegjëse.

Siç deklarojnë ata, kjo është kallëzimi i pestë penal që sindikata ka ngritur kundër punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë, dhe ata i bëjnë apel Prokurorisë Themelore Publike të veprojë mbi raportet e paraqitura.

Në Gjermani jetojnë mbi 160 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut

21 January 2026 at 12:04


Gjermania ka qenë prej kohësh një nga destinacionet kryesore për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kërkojnë kushte më të mira jetese dhe pune. Sipas të dhënave të fundit nga Regjistri Qendror i të Huajve (AZR), 161,044 shtetas të RMV-së jetojnë në këtë vend evropian, duke e bërë Maqedoninë një nga 25 vendet me diasporën më të madhe në Gjermani.

Në një vend me mbi 14 milionë të huaj, shtetasit e Maqedonisë janë të 22-tët në numër, menjëherë pas Kinës dhe Iranit, dhe përpara Vietnamit. Të dhënat konfirmojnë migrimin e gjatë nga Maqedonia, por edhe praninë e qëndrueshme të komunitetit nga Maqedonia në tregun gjerman të punës. Ajo që nuk përfshihet në këtë shifër janë shtetasit e RMV-së që u larguan për në Gjermani me pasaporta bullgare.

Vendet e Ballkanit tradicionalisht kanë pasur prani të fortë në Gjermani. Shtetasit e RMV-së janë pjesë e një vale më të gjerë të migrimit të fuqisë punëtore së bashku me qytetarët nga Bullgaria, Kroacia, Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Greqia.
Numri i shtetasve të vendeve të rajonit që jetojnë në Gjermani janë:

Bullgaria – 422,787

Kroacia – 414,555
Greqia – 347,486
Kosova – 322,571
Serbia – 262,479
Bosnja dhe Hercegovina – 246,724
Maqedonia – 161,044.

Ukrainasit kalojnë Turqinë

Turqit mbeten në krye të listës, me rreth 1.52 milion banorë, por dominimi i tyre është nën kërcënim. Për shkak të luftës në shkurt 2022, numri i ukrainasve në Gjermani është rritur në mënyrë dramatike dhe tani tejkalon 1.4 milion, duke i bërë ata grupin e dytë më të madh të të huajve. Për krahasim, në fund të vitit 2020, vetëm rreth 135 mijë ukrainas jetonin në Gjermani.

Në total, 14,077,867 të huaj jetojnë në Gjermani, ose 16.8 përqind e popullsisë. Nëse përfshihen edhe njerëzit me prejardhje migrante – fëmijët e të huajve të lindur në Gjermani, personat e natyralizuar dhe emigrantët e vonë – shifra arrin në 25.2 milionë, ose mbi 30 përqind të popullsisë.

Kosova ekstradon për në Maqedoninë e Veriut një të kërkuar me urdhër ndërkombëtar

19 January 2026 at 21:50


Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në koordinim me njësitet dhe institucionet relevante, ka realizuar ekstradimin e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut drejt vendit të tij.

Personi i ekstraduar ishte arrestuar më herët nga njësitet e Policisë së Kosovës, pasi i njëjti kërkohej me urdhër arresti ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut. I dyshuari ishte i arratisur nga burgu, ku po vuante dënimin për veprën penale “Grabitje”.

Procesi i ekstradimit është kryer në përputhje me procedurat ligjore në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor ka bërë të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në zbatimin e ligjit dhe forcimin e sigurisë, si në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar./Telegrafi/


Shkollat e zonave malore të Maqedonisë pa mësues: Të rinjtë refuzojnë terrenet e largët

18 January 2026 at 20:33


Mungesa e transportit, distanca e largët dhe pagat jo motivuese duket se po i lënë shkollat e zonave malore pa mësimdhënës adekuatë. Në fshatrat e brezit kufitar si Bllacë, Malinë, Tanushë e Brezë procesi mësimor po mbahet gjallë thuajse nga gjenerata e fundit e mësimdhënësve të profilizuar pasi të diplomuarit e rinj refuzojnë terrenet e vështira. Shabi Aki, drejtor i shkollës fillore “Mihaill Grameno” të fshatit Bllacë tha se në Entin e Punësimit figurojnë të diplomuar mirëpo distanca prej 70 kilometrash nga qyteti është shkak që të rinjtë ta refuzojnë punën.


“Ndodhë për ndonjë lëndë që te Enti për punësim ka edhe 10 të diplomuar mirëpo nga arsyeja që është larg vendi I punës nga qyteti refuzojnë të vijnë të punojnë. Kemi mar jo adekuat, për në Bllacë po flas janë me fakultet mirëpo problematikë më e madhe është në vendet Malinë, Tanushë, Brezë që është largësia prej qytetit afër 70 kilometra edhe atje duhet të qëndroj nga e hëna deri të premten. Të rinjtë sot nuk janë si më herët që pranonin të shkonin në këtë llojë pune, tani është e vështirë, me shkolla të mesme jemi detyru t’I pranojmë në punë”. U shpreh Shabi Aki, drejtor I sh.f “Mihaill Grameno”, Bllacë


Sipas drejtorit Aki, për momentin në fshatrat: Tanushë, Brezë dhe Malinë ka gjithsej 33 nxënës që mësojnë në paralele të kombinuara.Për mësuesin Jusuf Amati, tashmë katër dekada në arsim ky realitet është i dhimbshëm. Ai mban mend kohën kur diploma ishte e shenjtë. Sot, teksa po i afrohet fundit të karrierës, ai e sheh me pesimizëm të ardhmen e nxënësve që mbeten në duart e personave pa kualifikimin e duhur.


“Sot kemi mësues jo adekuat të matematikës, jo adekuat të gjeografisë, të edukatës fizike, biologjisë, kimisë, ka humb interesi I studimeve nga populli. Shkaqet janë rrogat, shkaqet janë punësimet, shkaqet janë të ndryshme. Ky kuafër jo adekuat a po e humb edhe cilësinë në arsim? Sigurisht, ndryshe është kur ulesh para profesorit akademik dhe jep promovimin, ndryshe është me shkollë të mesme. Në shkollë të mesme mëson kurse në fakultet studion”. Tha Jusuf Amati, mësues


Sipas tij, pa mësues të matematikës, pa bilog e pa gjeografë të diplomuar, nxënësit e këtyre zonave po ndëshkohen vetëm pse jetojnë larg qytetit. Ai shtoi se përderisa shteti nuk ofron zgjidhje për zëvendësimin e veteranëve që po pensionohen, ‘shkolla e mesme’ po mbetet alternativa e vetme por edhe fundi i shpresës për arsimim të barabartë.

Maqedoni, 54 sanksione për shpejtësi të tejkaluar në mbarë vendin

18 January 2026 at 20:10


Sot (18.01.2026) në periudhën nga ora 10:00 deri në orën 18:00, Sektori i Çështjeve të Komunikacionit në Departamentin e Policisë së Uniformuar dhe Njësiti Mobil i Sigurisë në Komunikacionin Rrugor realizuan një aksion kontrollues në territorin e të gjithë vendit, për sanksionimin e shoferëve të cilët drejtojnë automjetet me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, me ç’rast u sanksionuan 54 shoferë.

Prej tyre, pesë automjete lëviznin me një shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë nga e lejuara, ndërsa tre automjete lëviznin me madje mbi 70 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar. Në këtë rast, të gjithë 54 shoferët e sanksionuar tejkaluan kufirin e shpejtësisë jashtë vendbanimit.

U sanksionuan edhe tetë shoferë për lloje të tjera kundërvajtjesh komunikacioni. Kontrollet e komunikacionit vazhdojnë në ditët vijuese. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrsve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit dhe së bashku të kontribuojnë për rrugë më të sigurta.

Maqedoni, dukshmëria në disa rrugë është zvogëluar për shkak të mjegullës

18 January 2026 at 19:37


Trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet pa probleme në rrugë kryesisht me lagështi.
Për shkak të mjegullës, dukshmëria është zvogëluar në 100 metra në qafën malore Pletvar, 50 metra në Krushevë dhe Strazhë, 40 metra në Mavrovë, 50 metra në rrugën Shtip – Negotinë (afër Sertës) dhe 30 metra në rrugën Tetovë – fshati Lisec, njoftoi sonte LAMM.
Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare në anën maqedonase, nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Mjegull në qafat malore Strazhë, Pletvar dhe Krushevë


2022/12/mjegull-780x470-1-1.jpg

Zbulohen 350 mijë euro të murosura te shtëpia e një gjytari të Shkupit

18 January 2026 at 19:13


Siç njoftojnë nga Prokuroria Publike, janë gjetur 350 mijë euro në murosura në shtëpinë e prindërve të një gjyqtari të Gjykatës së Apelit në Shkup, i cili dyshohet për kriminalitetit.


"Në kuadër hetimit të zgjeruar të Prokurorisë për Krim të Organizuar e iniciuar pas 14 dhjetorit, kur avokati i dyshuar për veprën penale pranim të dhuratës për ndikim të paligjshëm, në vazhdimësi janë marrë veprime që kanë rezultuar në zgjerim të procedurës edhe ndaj gjykatësit nga Gjykata e Apelit në Shkup", thonë nga Prokuroria.


Ata theksojnë me urdhër të prokurorit publik është kontrolluar një objekt në Negotinë, ku qëndrojnë prindërit të gjykatësit të dënuar dhe janë gjetur para në murosura me vlerë prej 350 mijë eurove. Këto para dyshohet se janë fituar paligjshëm, ndërkaq kontrollet vazhdojnë", thonë nga Prokuroria.


Ata theksojnë se ky është një nga hetimet më të gjera deri më sot mbi dyshimet për korrupsion të nivelit të lartë në vendin tonë, i cili, theksojnë ata, mbështetet nga informacionet dhe raportet nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.


" Veprimet e koordinuara nga prokurori publik po ndërmerren nga anëtarë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar në Ministrinë e Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë Financiare, përkushtimi dhe integriteti profesional i të cilëve kontribuan në zbulimin me sukses dhe sigurimin e provave për njërën nga format më të rënda dhe komplekse të krimit, njofton Prokuroria Publike./Telegrafi/

Një valë e ftohtë po përfshin Maqedoninë

18 January 2026 at 18:57


Një valë e re moti të ftohtë dhe reshjesh bore pritet drejt mesit të javës së ardhshme. Qendra Kombëtare Meteorologjike (QMK) thotë se nesër do të kemi një mëngjes të ftohtë, ndërsa gjatë ditës do të mbizotërojë mot me diell me vranësira mesatare dhe erë të lehtë verilindore.
Ndryshimi i vërtetë i motit vjen të martën.
“Të martën, vonë gjatë ditës, natës dhe të mërkurën, priten reshje të herëpashershme, kryesisht borë.” Gjatë kësaj periudhe, temperaturat do të variojnë nga një minimum prej -10°C deri në një maksimum prej 7°C të martën, ndërsa të mërkurën maksimumi ditor do të arrijë 6°C .
Stabilizim pritet nga e enjtja, por me kushte mjegulle në lugina. “Nga e enjtja do të mbizotërojë mot i ndryshueshëm me vranësira dhe periudha me diell. Do të ketë kushte për mjegull në lugina.” Temperaturat në gjysmën e dytë të javës do të rriten pak, me maksimume ditore deri në 10°C të shtunën.

Maqedoni, gripi sezonal përkeqësohet me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë

18 January 2026 at 18:29


Me fillimin e gjysmëvjetorit të dytë shkollor, mjekët presin përkeqësimin e situatës me gripin. Sipas drejtorit të Klinikës së Fëmijëve, Rexhep Memedi brenda 24 orëve, mbi 150 prindër trokasin në dyert e kësaj klinike me fëmijët në krahë. Gripi nuk kursen askënd, nga foshnjat e deri te fëmijët e moshës shkollore.

“Momentalisht kemi duku afër 30 fëmijë të cilët janë të hospitalizuar në Klinikën e Fëmijëve që kanë simptoma të gripit apo komplikime nga virusi i gripit dhe viruse të tjera sezonale sikur që është virusi respirator sensicial. Kemi pacientë të moshave nga foshnjat deri te fëmijët e moshave shkollore dhe kuptohet pjesa dërmuese e tyre janë me ndezje në mushkëri, pneumoni, bronhiolit. Kemi edhe pacientë që kanë komplikim apo ndezje në muskuj, miozit, ndonjëherë ndodhë që mund të kemi edhe komplikime edhe më serioze”, tha Rexhep Memedi, Drejtor i Klinikës së Fëmijëve.

Memedi tha për Alsat se grumbullimi në hapësira të mbyllura dhe klasa pritet të përshpejtojë transmetimin e virusit, i cili javëve të fundit ka mbushur plot institucionet shëndetësore. SIpas tij, një kollitje apo një bisedë e afërt në bankë është mjaftueshëm që virusi të udhëtojë nga një fëmijë te tjetri.

“Masat preventive janë shumë të rëndësishme në kuptimin që personat të cilët kanë simptoma të gripit të qëndrojnë në shtëpi në fillim tash të shkollës. Fëmijët të cilët kanë simptoma të gripit, kanë temperaturë të lartë trupore, kollitje, dhimbje në muskuj, skuqje të syve, rrjedhje të hundëve, dhimbje në fund, këta fëmijë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që ta mbrojnë veten dhe bashkëmoshatarët e tyre”, u shpreh Rexhep Memedi, Drejtor i Klinikës së Fëmijëve.
Drejtori Memedi u bën thirrje prindërve dhe institucioneve arsimore që deri sa kulmi i gripit të kalojë, higjiena personale, vitaminat dhe ajrosja e klasave mbeten mjetet e vetme për të mbajtur shkollat hapur dhe spitalet jashtë rrezikut të stërngarkimit me pacientë.

Maqedoni, Safe City me mangësi fillestare, priten përmirësime në 3 deri në 6 muajt e ardhshëm

18 January 2026 at 17:54



Numri një i ekzekutivit, Hristijan Mickoski deklaroi sot se duhet të rregullohet çështja e të dhënave të qytetarëve që mblidhen nga ana e sistemit Safe City, duke pranuar se ky sistem nuk është i përsosur dhe se për këtë është diskutuar edhe në takimin e fundit koordinativ me udhëheqësinë e MPB-së. Por, ai tha se do të duhet një periudhë e caktuar pas zbatimit të sistemit, për të rregulluar të gjithë mangësitë që do t’i vërejmë gjatë implementimit.
“Duhet të ketë protokolle, për shumë çështje duhet të kemi protokolle, e kemi biseduar dje. Gajtë implementimit, do të vërejmë se shumë gjëra mungojnë. Në të vërtetë, askush nuk ka qenë i përsosur 100% menjëherë kur ka zbatuar këtë projekt. Është logjike që në 3 deri 6 muajt e ardhshëm të kemi harmonizime të caktuara. Por, gjithashtu atë që do ta përsëris, mua më gëzon fakti që kemi arritur aspektin human të këtij projekti, ndërsa ai është më pak viktima si pasojë e aksidenteve në trafik”, u shpreh Mickoski.
Në lidhje me miratimin e ligjeve për shkelje në Kuvend, që kanë të bëjnë me sistemin Safe City, Mickoski tha se pavarësisht pasigurisë rreth mbështetjes nga LSDM, është e rëndësishme që ky sistem tashmë po i arrin qëllimet e tij themelore dhe po ndihmon në mbrojtjen e jetëve njerëzore.
“Kjo do të thotë që qytetarët e respektojnë këtë projekt dhe kjo është dëshmi se ligjet mund të respektohen. Jam i lumtur që kjo po ndodh dhe dua t’i falënderoj qytetarët, shoferët dhe t’u bëj thirrje të jenë të ndërgjegjshëm”, deklaroi Mickoski.
Kujtojmë se, lideri i LSDM-së, Venko Filipçe të shtunën duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për këtë temë, tha se mbështesin ligjet që lidhen me sigurinë në trafik, por se fillimisht duhet që në Kuvend të zhvillohet diskutim mbi lartësinë e dënimeve dhe të dhënat e qytetarëve që mbledh sistemi I ri në trafik.



Mickoski pret numër njëshifror të papunësisë

18 January 2026 at 17:18


Kryeministri Hristijan Mickoski pret që për herë të parë në vend të kemi një përqindje njëshifrore të papunësisë, si rezultat të aktiviteteve të ndërmarra me Agjendën e reformave. Numri i të papunëve, siç tha sot ai në përgjigje të pyetjes së gazetarit, tani mund të jetë nën 90 mijë, pasi në nëntor vitin e kaluar ishte 91 mijë, që ishte një rënie prej shtatë mijë krahasuar me nëntorin e vitit 2024.
“Tani mund të jetë nën 90 mijë. Me ndryshimet e reja ligjore, disa nga kërkuesit e punës do të fshihen sepse janë disi të pranishëm në ekonominë gjysmëformale dhe joformale. Për herë të parë, pres që të kemi numër njëshifror të papunësisë. Kjo është pjesë e Agjendës së reformave dhe harmonizimi me të dhe nuk është diçka që po e bëjmë në mënyrë të njëanshme”, tha Mickoski.
Qeveria këtë javë miratoi 10 mijë leje pune për të huajt për këtë vit, ndërsa kryeministri thekson se të dhëna të tilla janë të disponueshme çdo vit dhe se këto leje lëshohen për pozicione që janë në mungesë të tregut të punës pas koordinimit me punëdhënësit.
“Këto janë të dhëna që ndodhin çdo vit. Nuk janë të dhëna që nuk ndodhin çdo vit, kemi, për shembull, punëtorë që janë pjesë e projektit në Korridoret 8 dhe 10d, janë pjesë e këtyre lejeve të punës. Aty ka disa mijë, le të themi. Dhe nuk janë vetëm ata, mendoj, ka shumë profile të tilla punëtorësh që janë të kërkuar në tregun e punës nga odat ekonomike dhe punëdhënësit. Ky numër nuk devijon nëse krahasohet me numrat e viteve të kaluara”, tha Mickoski.

❌
❌