Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Pas publikimit në Saranda Web, dy fëmijët rikthehen pas 6 muajsh në bankat e shkollës

By: Uesli
16 January 2026 at 17:54

Pas publikimit në Saranda Web, dy fëmijët rikthehen pas 6 muajsh në bankat e shkollës    Një ankesë e mbërritur në redaksinë e Saranda Web bëri publike historinë e dy fëmijëve që prej rreth gjashtë muajsh nuk ndiqnin shkollën, duke mbetur jashtë procesit mësimor për shkak të mosregjistrimit në shkollën “Adem Sheme”.     Bëhet […]

The post Pas publikimit në Saranda Web, dy fëmijët rikthehen pas 6 muajsh në bankat e shkollës appeared first on Saranda Web.

Kumbaro me Rektorët: 11.2 milardë lekë grant për Insitucionet e Arsimit të Lartë. Kërkimi shkencor t’i prijë sfidave të kohës

By: xhir jeta
15 January 2026 at 14:51

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro mori pjesë në Konferencën e Rektorëve, në mbledhjen e saj të parë për vitin 2026, e cila u përshëndet edhe nga kryeministri Edi Rama. Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro njoftoi se janë miratuar grantet për IAL-të publike përmes vendimit të bordit të Agjencisë Kombëtare të Financimit të Arsimit të Lartë, por duke kërkuar edhe një raport më transparent për sa i përket mënyrës se si menaxhohen këto fonde.

“Është një mbështetje prej rreth 11,2 miliardë lekë, ose 115 milionë euro, si grant për mësimdhënien, që ndahet në Fond Institucional dhe Fond për Mbështetjen Studentore duke mbështetur me paga rreth 5,800 personel akademik dhe administrative në 14 universitetet publike dhe mbi 12,000 studentë ekselentë apo me nevoja sociale, përmes skemës së bursave. Por po shfrytëzoj këtë komunikim, për të nisur edhe një marrëdhënie të re në formën si komunikojmë dhe shkëmbejmë informacion, pasi Ministria e Arsimit, duhet të dijë saktësisht se sa fonde trashëgoni, në mënyrë që të kemi një shpërndarje më të drejtë. Nga ana tjetër, përmes Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor, qeveria vë në dispozicion 7 milionë euro për kërkim shkencor dhe për infrastrukturë shkencore”, tha ministrja Kumbaro.

Më tej, gjatë fjalës së saj, u ndal tek problematikat lidhur me kërkimin shkencor.
“Në të dhënat që kam marrë në tre vitet e fundit, mes projekteve të miratuara dhe projekteve të realizuara përmes mbështetjes së AKKSHI ku ju ftoheni të aplikoni, kemi një hendek shumë të madh. Norma e realizimit të projekteve është shumë e ulët. Kjo na shtyn që nga ana jonë të gjejmë mënyra të tjera më efikase, në përputhje edhe me praktikat më të mira që kemi hulumtuar në Bashkimin Europian, të shpërndarjes së buxhetit; gjithashtu duke përfshirë edhe mekanizma si angazhimi shumëvjeçar i fondeve për projekte dhe pajisje duke mos mbetur peng i vitit fiskal – pasi universitetet funksionojnë me vit akademik; mundësi transferimi të fondeve nga një vit në tjetrin dhe auditim të bazuar në risk dhe justifikim shkencor. Pasi shpesh herë na rezulton që edhe vetë nga IAL-të, për shkak të vonesave burokratike, bllokohen proceset duke kryer investime kërkimore të fragmentarizuara. Dhe nga ana tjetër, do të duhet të kemi një ristrukturim të Agjencisë së Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, për t’u përgjigjur trendeve të reja. Shqipëria po përgatitet në mënyrë të qëndrueshme për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke u fokusuar fort te ndërkombëtarizimi i universiteteve dhe përfshirja e tyre në projekte dhe rrjete akademike europiane. Kapitulli 25 dhe 26 që drejtohen nga Ministria e Arsimit kanë një avancim shumë të kënaqshëm dhe mendojmë se do jenë kapitujt e parë që do të mbyllen! Në këtë kontekst, kërkimi shkencor duhet të ecë me hapin e kohës, të jetë konkurrues, i orientuar drejt inovacionit dhe i lidhur ngushtë me nevojat e tregut dhe sfidat bashkëkohore prandaj këtu e shohim njëri-tjetrin në të njëjtën barkë! Vetëm kështu, institucionet e arsimit të lartë mund të kontribuojnë realisht në zhvillimin ekonomik, social dhe teknologjik të vendit”, vijoi ministrja.

Gjithashtu, gjatë fjalës, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro kërkoi nga universitetet që të jenë një zë aktiv në ligjin e ri për arsimin e lartë, në mënyrë që të reflektojë një realitet të përmirësuar për të gjithë aktorët.

“Kam pritur dhe ende pres opinionet tuaja, duke nisur një proces jo nga lart – poshtë, pra jo nga aparati administrativ i Ministrisë dhe më pas t’ju vijë si produkt i gatshëm, por përkundrazi, të jeni ju që jepni inputin e parë në ndryshimet që ju mendoni se duhen bërë për të përmirësuar jetën dhe përvojën e të gjithë aktorëve”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Në Konferencen e Rektorëve ishin pjesëmarrës 40 rektorë të universiteteve publike dhe jopublike, kryesuar nga Rektori i Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Artan Hoxha.

Nis Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta

12 January 2026 at 18:42

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë sot në shkollën “Avni Rustemi” në nisjen e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, i cili zhvillohet njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë për nxënësit e klasave IX.

Gjatë takimit me konkurrentët e parë, ministrja Kumbaro u uroi suksese të gjithë nxënësve, duke e cilësuar këtë garë si një konkurs të veçantë që ushqehet nga dashuria për gjuhën shqipe dhe që po kthehet në një traditë të rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare.

“Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe është një nismë e përvitshme, e cila këtë vit ka nisur më 12 janar dhe do të përfshijë të gjitha klasat IX në shkallë vendi. Ky konkurs nuk ka vlerë vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, pasi garanton që gjuha shqipe të jetë në “duar të sigurta” dhe të mësohet me cilësi ndër breza”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e cilësoi konkursin si një proces njëkohësisht zbavitës dhe sfidues, që nxjerr në pah talentet e reja dhe që do të vijojë me fazat e kualifikimit në nivel shkolle, bashkie dhe qarku, për të përfunduar në finalen kombëtare, e cila do të transmetohet në Televizionin Publik Shqiptar.

“Kjo nuk është thjesht një garë shkollash, por një konkurs kombëtar i gjuhës shqipe, që synon të lartësojë përdorimin korrekt dhe të bukur të shqipes”, u shpreh ministrja.

Në përfundim, Kumbaro u bëri thirrje nxënësve të jenë kreativë dhe origjinalë edhe në botën digjitale, duke theksuar se të qenit inovativ do të thotë, mbi të gjitha, të flasësh bukur shqip.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Nis Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zhvillohet faza e dytë e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë

10 January 2026 at 15:18

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Kjo e shtunë i gjen në banka nxënësit olimpiadistë të Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë, të cilët po marrin pjesë në fazën e dytë të këtij konkurrimi kombëtar, që zhvillohet njëkohësisht në Tiranë, Vlorë, Berat, Shkodër dhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro e cilësoi këtë aktivitet si një moment të rëndësishëm për nxitjen e dijes dhe pasionit për shkencën, veçanërisht për Biologjinë.

Sipas saj, kjo fazë e olimpiadës përfaqëson një hap të rëndësishëm në evidentimin e talenteve të reja dhe potencialeve akademike të nxënësve shqiptarë.

“Është një ditë në të cilën investimi në dije dhe pasioni për shkencën e Biologjisë do të përkthehen në rezultate konkrete, që zbulojnë potencialet e nxënësve”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi se aktivitetet shkencore do të vijojnë edhe në javët në vijim, me Festivalin e Shkencës, ku idetë më të mira të nxënësve do të kenë mundësinë të transformohen në produkte dhe projekte frymëzuese.

Sipas ministres, këto iniciativa kontribuojnë në konsolidimin e një modeli suksesi në shkollat shqiptare, duke nxitur mendimin kritik, kërkimin shkencor dhe inovacionin që në moshë të hershme.

Olimpiada Kombëtare e Biologjisë synon të identifikojë dhe mbështesë nxënësit më të talentuar në këtë fushë, si dhe të promovojë interesin për shkencat natyrore në sistemin arsimor shqiptar.

/e.xh/r.e/

The post Zhvillohet faza e dytë e Olimpiadës Kombëtare të Biologjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Mësimi i ndërprerë në 54 shkolla, nuk ka dëmtime në objektet arsimore

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka paraqitur situatën në sistemin arsimor parauniversitar gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, ku theksoi se “në total kemi 54 shkolla ku sot është ndërprerë mësimi, nga 1510 shkolla në gjithë vendin”.

Kumbaro raportoi se edhe në rastet ku është pezulluar mësimi, nuk ka pasur dëmtime të objekteve arsimore, por është bërë për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe mësuesve gjatë transportit.

“Kemi qenë në kontakt në çdo orë në mënyrë kapilare me 1510 shkollat e Shqipërisë në sistemin parauniversitar. Në raportimin e fundit mes orës 07:00-08:00 sot, situata është: Në Qarkun e Tiranës mësimi ka vijuar normalisht, në Qarkun e Durrësit kemi një ndërprerje në 12 shkolla. Po ashtu në qarqet Dibër, Lezhë, Shkodër mësimi ka nisur normalisht në të gjitha shkollat”, tha Kumbaro.

Sipas saj, situata më problematike është në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier ku kemi ndërprerje të kontrolluar të mësimit në 10 shkolla.

“Këtë e bëjmë për arsye sigurie, në radhë të parë për nxënësit, por edhe për ata mësues që duhet të bëjnë rrugë në zona më të thella. Në Bashkinë e Gjirokastrës, ditën e mërkurë kemi pasur një ndërprerje të mësimit jo sepse shkollat kishin probleme si objekte, por sepse prurjet e inerteve ishin kaq masive në rrugët e bashkisë, por situata u kthye në normalitet brenda pak orësh”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “në qarqet Elbasan, Korçë, Berat janë rreth 32 shkolla ku sot është pezulluar mësimi, ku për shkak të ngricës kemi menduar të mos rrezikojmë as nxënësit dhe as mësuesit”.

“Po e ndjekim në vazhdimësi situatën dhe raportimin e kemi çdo një orë”, tha Kumbaro.

/k.s/a.f/

The post Kumbaro: Mësimi i ndërprerë në 54 shkolla, nuk ka dëmtime në objektet arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmbytjet/ Kumbaro: Kemi ndërprerje të mësimit në 54 shkolla, kryesisht në zonat malore

By: xhir jeta
9 January 2026 at 09:12

Për shkak të situatës së krijuar nga përkeqësimi i kushteve atmosferike, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u shpreh se mësimi është ndërprerë përkohësisht në 54 shkolla të vendit, kryesisht në zonat malore.

Kumbaro garantoi se studentët në universitetin e Durrësit do të rikthehen në auditore ditën e hënë, ndërsa shtoi se janë në kontakt me drejtues të shkollave në të gjithë vendin lidhur me situatën.

“Kemi qenë në kontakt cdo orë me cdo drejtor shkolle, mësues, në 1510 shkollat e Shqipërisë në sistemin parauniversitar. Në raportimin e fundit sot, në të gjithë qarkun mësimi ka nisur rregullisht në të gjitha shkollat, kemi në Durrës një ndërprerje të përkohshme këto tre ditë në 12 shkolla. Të hënën nis mësimi normalisht në universitetin e Durrës.

Në Vlorë, Gjirokastër kemi ndërprerë të pjessshme të kontrolluar, kryesisht në shkollat në zona të thella.  Edhe në bashkinë Gjirokastër, ku kemi patur ndërprerje për arsye sigurie ndërpremë dje procesin mësimor. Në Korcë, Berat dhe Elbasan janë rreth 32 zona në zonat malore të thella ku për shkak të ngricës kemi menduar të mos rrezikojmë mësuesit dhe nxënesit. 54 kanë ndërprerje të mësimit sot.” tha Kumbaro./ abcnews.al

Rama: Punohet me të gjitha kapacitetet njerëzore për të rikthyer normalitetin në Gjirokastër

8 January 2026 at 18:14

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Në çdo cep të qarkut të Gjirokastrës, ekipet e bashkisë dhe emergjencave civile po punojnë me të gjitha mjetet dhe kapacitetet njerëzore për të rikthyer normalitetin në këto orë të vështira për qytetin pas reshjeve të dendura që sollën daljen e përroit nga shtrati.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga puna që po kryhet në qytet për minimizimin e pasojave ndërsa në terren ishin edhe ministrja e Arsimit, njëherësh drejtuese politike e Partisë Socialiste në këtë qark, Mirela Kumbaro si dhe kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Qarku i Gjirokastrës u përball ditët e fundit me problematika të shumta si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive të shiut. Gjatë mbrëmjes të së martës përroi i Ficos në qytetin e Gjirokastrës doli nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje dhe sjellje të sasive të mëdha të inerteve në rrugë dhe zona të ndryshme të qytetit

/gj.m/j.p/

The post Rama: Punohet me të gjitha kapacitetet njerëzore për të rikthyer normalitetin në Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Organizohet për herë të parë Festivali i Shkencës për gjimnazistët

7 January 2026 at 14:43

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro bëri me dije sot, se për herë të parë në Shqipëri do të organizohet Festivali i Shkencës.

Gjatë një takimi maratonë me drejtuesit e shkollave të DRAP Tiranë në Ministrinë e Arsimit, Kumbaro tha se ka nisur puna për të sjellë një event krejt të ri, një festival kombëtar kushtuar teknologjisë, shkencës dhe inovacionit për të gjitha shkollat e mesme publike.

“Faza e parë nis shumë shpejt, ndaj përgatituni të shihni nga afër gjeni të vegjël, eksperimente, ide të bukura dhe projekte që tregojnë sa shumë talent ka në bankat e shkollave tona”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shtoi se puna në Ministrinë e Arsimit, në Agjencinë e Kurrikulave dhe Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar ka filluar që në muajin nëntor.

“E kemi gati programin. Po fillon një garë shumë e bukur në shkencat natyrore: fizikë, kimi, teknologji, informacion, ku praktikisht kemi parë që kemi shumë talente dhe të rinj që janë gati për të marrë pjesë në një garë të nivelit kombëtar. Në këtë garë duam të përfshijmë universitetet, sektorin privat që të na mbështesë në një aktivitet ku garuesit do të jenë gjimnazistët tanë”, tha Kumbaro.

/e.i/r.e/a.f/

The post Organizohet për herë të parë Festivali i Shkencës për gjimnazistët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SMIAL platforma kombëtare për menaxhimin e arsimit të lartë

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se, me vendimin e Këshillit të Ministrave, SMIAL – Sistemi i Menaxhimit të Informacionit në Arsimin e Lartë është bërë zyrtarisht platforma kombëtare për menaxhimin e arsimit të lartë.

Sipas ministres, sistemi modernizon menaxhimin e arsimit të lartë duke siguruar të dhëna të unifikuara, transparencë dhe siguri të informacionit për studentët dhe universitetet.

SMIAL synon të ofrojë një qasje më të integruar dhe efikase ndaj të dhënave, duke përmirësuar planifikimin, monitorimin dhe raportimin në nivel kombëtar, si dhe duke mundësuar marrjen e vendimeve të bazuara në informacion të saktë dhe të përditësuar.

Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e këtij sistemi për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe për sigurimin e një administrimi më transparent dhe efektiv të resurseve dhe të dhënave universitare.

Sistemi SMIAL ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile; Sistemin e Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara; Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë; Regjistrin Tregtar dhe Sistemin e Tatimit Elektronik.

The post SMIAL platforma kombëtare për menaxhimin e arsimit të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro paralajmëron çlirimin e hapësirave publike në mbështetje të programeve jashtë kurrikulës mësimore

29 December 2025 at 17:23


TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro vizitoi sot kantierin e shkollës “Urani Rumbo”, një prej institucioneve arsimore në zonën historike të qytetit të Gjirokastrës, e cila i është nënshtruar rikonstruksionit.

“Disa muaj më parë premtuam që do të mbështesim me financim bashkinë Gjirokastër për rindërtimin dhe rinovimin e projektit të shkollës “Urani Rumbo” dhe sot jemi në kantier. Po ribëhet e gjithë infrastruktura e brendshme dhe garantimi i efiçiencës energjitike që na kursen para dhe na përmirëson parametrat”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro theksoi gjatë këtij inspektimi, nevojën e ndërhyrjeve për t’i rikthyer shkollës hapësirat e zëna.

“Mungojnë hapësirat për programet jashtë kurrikulës mësimore dhe terrene sportive. Interesi i fëmijëve dhe prona publike kanë prioritet. Kur prindërit kërkojnë kushte më të mira për fëmijët dhe që hapësirat të vihen në shërbim të shkollës, patjetër që do t’i lirojmë. Është një aksion që ka nisur në të gjithë Shqipërinë dhe s’ka pse Gjirokastra të bëjë përjashtim. Shkollat janë edhe qendra komunitare dhe ne duam të zhvillojmë programe jashtë orarit mësimor, janë po aq në interes të familjeve”, tha ministrja Kumbaro, duke nënvizuar gjithashtu se shkolla në shtator duhet të jetë gati për të hapur dyert për nxënësit, krejtësisht e riparuar.

“Në këtë shkollë që ka më shumë se 300 nxënës, projekt i përbashkët me UNICEF, po kujdesemi që punimet të jenë në harmoni me peizazhin e zonës Historike të Gjirokastrës”, informoi kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

Ndërhyrjet në këtë shkollë parashikojnë ndërtimin e një çatie të re, sistem kapot, rikonstruksion dhe infrastrukturë të re, si dhe përmirësim të eficiencës energjetike.

/r.e/

The post Kumbaro paralajmëron çlirimin e hapësirave publike në mbështetje të programeve jashtë kurrikulës mësimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Medalje Ari për 190 nxënës ekselentë

23 December 2025 at 14:26

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e nderimit me Medalje Ari të 190 nxënësve të shkollave të të gjithë vendit, që kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera ciklin e arsimit të mesëm të lartë.

Në ceremoninë e organizuar në Kryeministri, gjatë së cilës u dhanë medaljet nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Në fjalën e saj ministrja Kumbaro tha se “jeni 190 nxënës ekselentë nga i gjithë vendi, që keni shkëlqyer me rezultatet tuaja të gjimnazit e të Maturës Shtetërore. Jeni këtu sepse nuk jeni dorëzuar! Dhe për këtë arsye, sot nuk kam ndërmend t’ju mësoj asgjë. As nuk do të guxoja, sepse më të mirëve nuk mund t’u japim leksione, por vetëm besim”.

“Medalja e Artë që merrni sot është një simbol i karakterit, sepse është dëshmia më e mirë dhe prova e qartë se suksesi nuk të vjen nga rastësia, por nga zgjedhjet e përditshme dhe ju më mirë se kushdo e dini, por nëse ma lejoni, unë do t’ju kërkoja që këtë t’ua tregonit sa më shumë prej bashkëmoshatarëve tuaj apo vëllezërve e motrave më të vegjël”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro tha se “suksesi juaj i vërtetë do të matet me ndikimin që do të keni tek të tjerët, se si do ta përdorni gjeniun brenda jush për të ndërtuar, për të përmirësuar jetën e të tjerëve, për t’i bërë gjërat edhe më mirë. Kjo medalje që ju do të merrni sot është një kujtesë e fortë se sukseset nuk kanë ardhur tek ju, por keni shkuar ju pas çdo suksesi të arritur deri më sot”.

Kumbaro ndau gjithashtu me nxënësit një lexim nga autorja Maya Angelou.

“Je shumatorja e gjithçkaje që ke parë, dëgjuar, ngrënë, nuhatur, të është thënë apo ke harruar – të gjitha janë aty. Çdo gjë ndikon te secili prej nesh, dhe për këtë arsye përpiqem të sigurohem që përvojat e mia të jenë sa më të mira”, citoi Kumbaro autoren Maya Angelou.

/k.s/a.f/

 

The post Medalje Ari për 190 nxënës ekselentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Universitetet t’i përgjigjen tregut dhe të hapen drejt Europës

20 December 2025 at 11:04

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Kumbaro, vuri theksin te roli i universiteteve si motorë zhvillimi dhe domosdoshmëria e profilizimit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit të lartë shqiptar.

“Universitetet nuk janë ishuj. Ato marrin identitet nga territori dhe i japin territorit vizion. Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ është shembull i një rritjeje të përbashkët me qytetin e Durrësit dhe me ekonominë e tij”, u shpreh ministrja.

Kumbaro theksoi se viti 2026 do të jetë viti me buxhetin më të lartë historik për arsimin, ndërsa për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor janë parashikuar 185 milionë euro, duke përfshirë edhe të ardhurat e vetë universiteteve publike.

“UAMD hyn në një fazë të re zhvillimi me buxhetin më të lartë historik për arsimin në 2026, me investime konkrete në Fakultetin e Studimeve Profesionale, me projektimin e kampusit të ri universitar përmes një konkursi ndërkombëtar dhe me një strategji të qartë profilizimi përmes ndërkombëtarizimit 2025–2030”, tha Kumbaro.

Rektori i UAMD-së, Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi, u ndal te rrugëtimi 20-vjeçar i universitetit, zgjerimi i programeve të studimit dhe projektet strategjike në proces, duke theksuar vizionin për një universitet modern, të hapur dhe konkurrues në hapësirën europiane të arsimit të lartë.

Ceremonia shërbeu si moment reflektimi për arritjet, por edhe si pikënisje për fazën e re të zhvillimit të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në shërbim të studentëve, qytetit të Durrësit dhe vendit.

/k.s/a.f/

The post Kumbaro: Universitetet t’i përgjigjen tregut dhe të hapen drejt Europës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtohet me 44 mësues të rinj regjistri shtetëror i Diasporës

18 December 2025 at 19:09

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Regjistri shtetëror i Diasporës, është shtuar sot me 44 mësues të rinj, duke konsoliduar një trupë arsimtarësh prej 134 mësuesish në shkollat shqipe.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se këta mësues kanë rol të jashtëzakonshëm jo vetëm në mësimin e shqipes, por si urë lidhëse mes kulturash, rrënjësh, përcjelljen e trashëgimisë ndër breza dhe në ndërtimin e një komuniteti shqiptar të qëndrueshëm e aktiv kudo në botë.

Ruajtja dhe transmetimi i gjuhës shqipe dhe e kulturës shqiptare tek brezat e rinj në diasporë është thelbësore për forcimin e identitetit kombëtar, lidhjen me rrënjët kulturore dhe ndërtimin e një komuniteti shqiptar të qëndrueshëm e aktiv kudo në botë.

Në këtë proces, roli i mësuesve është i pazëvendësueshëm, pasi ata janë ura që lidh traditën, gjuhën dhe vlerat shqiptare me brezat e ardhshëm.

Ky regjistër përmban listën e mësuesve, të cilët kanë të drejtë të japin mësim për programin e gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë.

/e.i/r.e/a.f/

The post Shtohet me 44 mësues të rinj regjistri shtetëror i Diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekspertizë amerikane për kurrikulat e reja në sigurinë kibernetike dhe kriminologji

16 December 2025 at 20:40

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn zhvilloi sot një takim me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Gjatë takimit, siç edhe njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale Ambasada amerikane, VanHorn diskutoi me Kumbaron “mbi mënyrat e shumta se si Ambasada e Shteteve të Bashkuara mund të ndajë ekselencën dhe ekspertizën amerikane me Shqipërinë”.

“Nga partneritetet afatgjata me Korpusin e Paqes dhe Akademinë e Sigurisë, te kurrikulat e reja në fushën e sigurisë kibernetike dhe kriminologjisë, programet tona po zhvillohen vazhdimisht për të forcuar bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë mbi qëllimet e përbashkëta”, njoftoi Ambasada amerikane në Tiranë.

1 nga 4

/m.q/r.e/a.f/

The post Ekspertizë amerikane për kurrikulat e reja në sigurinë kibernetike dhe kriminologji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn me ministren Kumbaro, ambasada e SHBA: Forcim i bashkëpunimit me Shqipërinë në arsim dhe siguri

By: redi
16 December 2025 at 17:33

Ambasada e Amerikës në Tiranë thotë se e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, ka zhvilluar një takim me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, ku është diskutuar mbi mënyrat e shumta të bashkëpunimit mes dy vendeve. Sipas njoftimit të publikuar në rrjetet sociale, biseda është fokusuar në ndarjen e ekselencës dhe ekspertizës amerikane me Shqipërinë, përmes programeve dhe partneriteteve të ndryshme.

Source

Kumbaro: Forcim i mekanizmave të komunikimit mes institucioneve arsimore dhe prindërve

16 December 2025 at 11:24

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim këshillues me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Prindërve me qëllim forcimin e mekanizmave të komunikimit mes institucioneve arsimore dhe prindërve.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro u shpreh se sa më të mëdha të jenë përpjekjet e përbashkëta për të përmirësuar këtë komunikim, aq më e lartë do të jetë mirëqenia e fëmijëve dhe aq më e madhe do të jetë siguria e tyre.

“Ky është fillimi i një zinxhiri takimesh, që e gjithë skuadra e Ministrisë së Arsimit, deri në qelizë duhet të intensifikojë me prindërit, për sa i përket rolit të jashtëzakonshëm si prind, por edhe roli që ka komunikimi me institucionet arsimore. Është detyra jonë, por edhe ju si prindër mund të na mbështesni për të gjetur bashkë të tjera rrugë, mënyra se si mund ta ndërtojmë këtë komunikim, në mënyrë që ashtu siç bëjmë me trajnimin e mësuesve, kurrikulat e reja, rishikimin e proceseve, përmirësimin e kushteve nëpër shkolla, ta forcojmë atë edhe me prindërit në nivel rajonal, deri në nivel shkollash”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “është e rëndësishme të ndërtojmë një komunitet aktorësh të ndërgjegjësuar se sa i rëndësishëm është ky komunikim, që fëmijët të jenë të rrethuar prej tij dhe të flasim të njëjtën gjuhë. Ditën që mësuesi dhe prindi do flasin të njëjtën gjuhë, është dita kur fëmijët do të jenë në duart më të sigurta”.

Ministrja e Arsimit ka marrë pjesë në disa tryeza për sigurinë e fëmijëve, mbrojtjen nga dhuna online, certifikimin e oficerëve të rinj të sigurisë, ku vazhdimisht ka theksuar rëndësinë e komuniteteve të ndërgjegjësuara të prindërve me qëllim që incidentet dhe rastet e dhunës të mundet të parandalohen.

1 nga 2

/k.s/j.p/

The post Kumbaro: Forcim i mekanizmave të komunikimit mes institucioneve arsimore dhe prindërve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ristani: Tirana, standarde edukimi të krahasueshme me qytetet evropiane

15 December 2025 at 17:12

TIRANË, 15 dhjetor /ATSH/ Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, tha sot se fëmijët janë në qendër të politikave të Bashkisë së Kryeqytetit.

E pranishme në ceremoninë e zhvilluar sot në Tiranë, ku Shkolla e Drejtorëve certifikoi 334 kandidatë për drejtues shkollash, të cilët iu nënshtruan programit të trajnimit përgatitor, ajo u shpreh se Bashkia e Kryeqytetit i vlerëson fëmijët si një aset të çmuar për të ardhmen.

Ristani, evidentoi investimet në infrastrukturë gjatë dhjetë viteve të fundit të realizuara nga Bashkia e Tiranës, për të ofruar standarde edukimi për fëmijët të krahasueshme me çdo qytet tjetër evropian.

Ristani tha se Bashkia e Tiranës i ka kushtuar rëndësi infrastrukturës, por edhe mirërritjes së fëmijëve, duke krijuar kushtet që ata të jenë qytetarë të denjë të së ardhmes, si një një aset i rëndësishëm i shoqërisë.

“Ne i vëmë fëmijët të parët, i vëmë në shtëpitë tona, në kulturën tonë, në mjediset tona, në buxhetin tonë në fund të ditës dhe kjo do të reflektojë jo vetëm në investimet, ato që janë të rënda, por edhe në investimet e buta, pra në infrastrukturën e butë, atë të edukimit, jo vetëm në kushtet në të cilat operojnë kopshtet apo çerdhet tona, pra i gjithë sistemi i arsimit parashkollor por edhe mënyrën se si qasemi ndaj arsimit parashkollor, mënyrën se si sillemi me fëmijët, ambientin që u krijojmë atyre”, tha ajo.

Në ceremoni morën pjesë dhe mbajtën fjalë përshëndetëse ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bashkëdrejtuesi i AADF, Martin Mata, si dhe drejtuesja e Shkollës së Drejtorëve, Jola Kepi.

Në përfundim të aktivitetit, u ndanë edhe çmime për pjesëmarrësit me rezultatet më të larta në procesin e certifikimit.

/e.xh/a.f/

The post Ristani: Tirana, standarde edukimi të krahasueshme me qytetet evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vizitë në “Osman Myderizi”, nderohet mësuesja Tola

12 December 2025 at 10:35

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizitoi shkollën “Osman Myderizi” në Tiranë, ku i shprehu mirënjohjen mësuese Mimoza Tolës, e cila pas 4 dekadash përfundon rrugëtimin në arsim për të hyrë në pension.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga vizita, duke theksuar se pas rritjes së merituar të pagave dhe skemës së re të pensioneve, mësuesit që hyjnë në këtë cikël do të përfitojnë pensione më dinjitoze, ndërsa rritja progresive do të vazhdojë edhe në vitin 2026.

Gjatë vizitës, ministrja Kumbaro u shpreh: “Tola do të mbetet mësuesja e dashur e letërsisë, autorja e tregimeve dhe teksteve të këngëve për fëmijë. Ju falënderoj për kontributin që keni dhënë gjatë 39 viteve në arsim. Profesioni i mësuesit është një nga ato ku njeriu nuk harrohet dhe lë gjurmë të qëndrueshme.”

Mimoza Tola nisi karrierën e saj në vitin 1986 si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Maqellarë të Dibrës, për të vijuar më pas në shkollën “Nazmi Rushiti” në Peshkopi dhe “Demir Gashi”. Që nga viti 1995 ka dhënë mësim në shkollën 9-vjeçare “Osman Myderizi”, duke edukuar breza nxënësish. Ajo ka një krijimtari letrare të pasur, me poezi dhe prozë për fëmijë dhe të rritur, duke nisur që nga periudha studentore.

/k.s/r.e/a.f/

The post Vizitë në “Osman Myderizi”, nderohet mësuesja Tola appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tafa: Nevojitet kuadër i ri ligjor ndaj kërcënimeve online për fëmijët

9 December 2025 at 14:49

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Drejtuesi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa u shpreh sot se është i nevojshëm një kuadër të ri ligjor ndaj të gjitha masave që duhet të merren mbi kërcënimet online ndaj fëmijëve.

Tafa e bëri këtë deklaratë gjatë tryezës së zhvilluar me temë “Mbrojtja e Fëmijëve Online” organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Në këtë tryezë e pranishme ishte edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila tha se MA ka nxjerrë urdhrin i cili ndalon përdorimin e telefonëve celularë gjatë orarit të mësimit, ndërsa bëhet një punë e vazhdueshme që ky urdhër të vijojë të zbatohet.

“Ministria e Arsimit këtë shtator ka nxjerrë një udhëzim i cili ndalon futjen e celularëve në klasë, në të gjitha shkollat e Shqipërisë. Nga ky shtator, janë ndërtuar nëpër klasa kutitë e vogla dhe mësuesit dhe drejtorët e shkollës janë përgjegjës që të gjithë nxënësit që nxënësit t’i fusin celularët në mëngjes në ato kuti dhe i marrin kur dalin. Është tentuar disa herë, por këtë vit është bërë taksative, po zbatohet me rreptësi dhe nuk po them që u zgjidh, por vazhdojmë rregullisht t’iu kërkojmë mësuesve dhe drejtorëve ta zbatojnë me rreptësi. Nga ana tjetër, fëmija në shkollë kalon nga 4-6 orë dhe po marrim një tjetër iniciativë që ta zgjasim kohën e qëndrimit të tij në shkollë për të ekuilibruar atë hapësirë të kohës me një program më të madh që e kemi quajtur program passhkollor duke futur dhe aktivitete të tjera, si programi “Art dhe Zeje””, tha ministrja Kumbaro.

Më tej, në diskutimin e saj, ministrja e Arsimit nënvizoi se është futur përdorimi i teknologjisë në shkolla që në klasat fillore dhe mësuesit trajnohen intensivisht, për të krijuar një ekuilibër të shëndetshëm mes përdorimit të saj, por edhe aktiviteteve kreative, edukative dhe socializuese, ndërsa bashkëpunimi me prindërit është kyç në arritjen e një suksesi të përbashkët.

“Ne kemi futur lëndën e TIK (teknologji informacioni dhe komunikimi), kemi futur SmartLab-et, ndërsa brenda dy viteve të ardhshme do të pajisim një mijë shkolla me SmartLabe, me laboratorë inteligjentë që për klasat fillore deri tek gjimnazistët, me të gjithë tabelat inteligjente dhe 5500 laptopë me të cilët do të pajisen 5500 mësues të gjimnazeve, është një investim i madh teknologjik që shoqërohet me gjithë kurrikulën dhe një paketë trajnimi shumë intensiv nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar për mësuesit”, tha Kumbaro.

“Por mësuesit dhe shkollat, pa prindërit nuk mund të kenë sukses. Dhe me prindërit nuk funksionon as me urdhra, as me detyrim, as me ligj. Vetëm me komunikim. Ne nuk do të kemi asnjë betejë të fituar po nuk u ndërgjegjësuam të gjithë dhe ky ndërgjegjësim u ngjan rrathëve të ujit. Nëpër shkolla kemi futur TIK-un, por po fusim edhe “Art dhe Zeje”, që fëmijët të bëjnë sa më shumë aktivitete me duart e tyre, por në një mënyrë sa më atraktive. Ministria e Arsimit është në ndërtim të të gjitha mundësive për të ecur paralelisht me bashkëjetesën pa kushte dhe të domosdoshme me teknologjinë e cila është e sotmja dhe e ardhmja, por sa më shumë të jetë e mundur edhe me mbajtjen e kontakteve me disa aktivitete të tjera që janë edukative, por edhe njerëzore”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Nga ana tjetër, drejtori i përgjithshëm Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, u shpreh se është shumë i nevojshëm koordinimi institucional që do t’i shërbejë një kuadri të ri ligjor në Kodin e Ri Penal ndaj kërcënimeve online.

“Bota online, aq e nevojshme dhe e domosdoshme për të gjitha transformimet digjitale të ekonomisë së vendit, bëhet njëkohësisht edhe një ambient i rrezikshëm në raste të caktuara për fëmijët tanë. Sot jemi dëshmitarë që fëmijët tanë përballen me bullizmin online, shantazhimin online, por edhe me një teknologji tashmë të re siç është “Deep Fake”. E kemi shumë të nevojshëm mbledhjen, organizimin dhe koordinimin për atë që do të çojë në një kuadër të ri ligjor ndaj të gjitha masave që duhet të merren mbi kërcënimet online ndaj fëmijëve duke bërë bashkë të gjithë aktorët”, u shpreh ai.

1 nga 2

/e.i/r.e/a.f/

The post Tafa: Nevojitet kuadër i ri ligjor ndaj kërcënimeve online për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro dhe Vengu inspektojnë Kampusin e ri të Akademisë së FA: I shërben arsimit dhe sigurisë kombëtare

8 December 2025 at 12:40

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe Ministri i Mbrojtjes, Piro Vëngu, vizituan kampusin e ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, një investim modern prej 7 600 m² që ofron kushte bashkëkohore për formimin e profesionisteve të ardhshëm të FA.

Kampusi i ri përfshin klasa të teknologjisë së lartë, auditorë, laboratorë, poligon stërvitor, pishinë, ambiente sportive dhe hapësira funksionale të standardeve të NATO-s, duke krijuar një mjedis të kompletuar akademik dhe profesional.

Gjatë vizitës, ministrja Kumbaro theksoi se ky projekt, edhe pse nuk është pjesë direkte e buxhetit të Ministrisë së Arsimit, mbetet një investim publik në arsim, siç janë buxhetet e arsimit profesional, të Shkollës së Magjistraturës, apo të ardhurat e vetë universiteteve.
“Është një investim fantastik për një ndër degët tona të studimit që po merr më shumë e gjithnjë rëndësi, ndërsa uniformën ushtarake e kemi në kryefjalë të tavolinave ndërkombëtare, edhe për ccështje të sigurisë. Është një investim gjithashtu që i shtohet paketës së madhe të investimeve në arsim, aq më tepër që shikojmë që ka një kërkesë në rritje dhe duhet të zgjerojmë ofertën.
Modeli i masterit të kombinuar në marinë, aviacion dhe inxhinieri në Universitetin e Vlorës, është një iniciativë që krijon rrjetëzim të universiteteve dhe për të parë mundësitë e ndërkombëtarizimit për të siguruar jetëgjatësi dhe cilësi të arsimit të lartë”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Nga ana e tij, ministri Vengu nënvizoi rolin e kampusit të ri si qendër ekselence në formimin ushtarak dhe akademik, duke theksuar se standardet e reja infrastrukturore dhe pedagogjike do të përgatisin kuadro të afta për misione kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Jemi në kushtet kur 80 përqind e punës ka mbaruar dhe në një situatë ku kemi një numër shumë të madh regjistrimesh. Këtë vit kemi pasur një numër rekord: 1630 aplikime për vetëm 80 vende. Në muajin shkurt do të jetë gati për të nisur programet bachelor dhe master, sepse përvecc një akademie ushtarke të mirëfilltë përgatit edhe profesionistë të inxhinierisë apo ekonomisë që i shërbejnë kryqëzimit të jetës civile me aktivitetin e forcave të armatosura. Do të kemi një ofertë akademike e cila përveç kurseve akademike, do të ketë edhe kurse të specialiteteve, sicc është masteri në sigurinë kibernetike që po bëhet gjithnjë e më atraktiv, por për të mbështetur edhe sektorë të tjerë shtetërorë që kanë nevojë për kapacitete”, tha ministri Vengu.

Më tej në fjalën e tij, ministri Vengu shpjegoi se studentët e kësaj akademie trajtohen me pagesë gjatë periudhës së studimeve dhe kanë mundësinë e specializimit në akademi prestigjoze të Europës dhe Shteteve të Bashkuara.
Ky investim konsolidon rolin e FA në edukimin e sigurisë kombëtare dhe vendos një standard të ri për arsimimin ushtarak në Shqipëri, si pjesë e vizionit të integrimit euroatlantik dhe modernizimit të institucioneve të mbrojtjes.

❌
❌