Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

Moti i keq krijon problematika në Kosovë

PRISHTINË, 10 janar /ATSH/ Moti i keq me reshje të shumta shiu e bore ka përfshirë edhe territorin e Kosovës, duke shkaktuar problematika të ndryshme.

Ministria e Infrastrukturës e Kosovës njoftoi se në disa rrugë të Kosovës ka probleme për shkak të reshjeve të shiut. Ndërkaq, Agjencia për Menaxhim Emergjent dha detaje të tjera për rrugët që janë vërshuar pas reshjeve të shiut.

Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll sot për qarkullim për automjete, për një kohë të caktuar për shkak të ujit të madh në rrugë, tha Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës.

Ka rrëshqitur një pjesë e dheut në rrugën Mitrovicë–Bajgorë, përkatësisht në fshatin Stan Tërg. Pavarësisht rrëshqitjes dhe rrezikut permanent, rruga mbetet e hapur dhe e qarkullueshme për automjete, raporton KosovaPress.

Në vendngjarje është vendosur sinjalizim i përkohshëm për paralajmërimin e drejtuesve të mjeteve, ndërsa rreziku mbetet i pranishëm për shkak të reshjejeve të fundit.

Në fshatin Gadime e Epërme në Lipjan është shembur një urë si pasojë e vërshimeve, e cila ka pamundësuar qarkullimin e banorëve të këtij fshati. Si pasojë e kësaj, qytetarët janë të detyruar të përdorin rrugë alternative dhe të bëjnë devijime të gjata për të arritur në destinacionet e tyre, raporton KosovaPress.

Sipas banorëve të zonës, gjendja e urës ka qenë e rënduar prej kohësh dhe rreziku i shembjes ka qenë i pritshëm, megjithatë, pavarësisht kësaj, sipas tyre nuk janë ndërmarrë masa parandaluese nga institucionet përgjegjëse.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se, si pasojë e vërshimeve të fundit dhe bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit (24/7), është konstatuar se uji në fshatin Miradi e Poshtme aktualisht nuk rekomandohet për përdorim për pije dhe përgatitje ushqimi.

Sipas njoftimit, deri në një njoftim të dytë, banorët këshillohen që ujin ta përdorin vetëm për nevoja të higjienës shtëpiake, si larje dhe pastrim, duke shmangur përdorimin e tij për konsum njerëzor.

KRU “Prishtina” bën të ditur se ekipet përgjegjëse po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së ujit.

“Sapo të konfirmohet se uji është i sigurt për përdorim për pije, do t’ju njoftojmë menjëherë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë udhëzimet dhe sinjalistikën për ndalim qarkullimi në disa rrugë, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe rrezikut në infrastrukturë.

Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos kalojnë nga “Ura e Senikëve”, në drejtimin që lidh fshatrat Korroticë e Poshtme dhe Shtrubullovë, pasi baza e urës është gërryer nga ujërat dhe rruga është dëmtuar.

Sipas tij, “Ura e Senikëve” nuk është e sigurt dhe paraqet rrezik, prandaj qytetarëve u rekomandohet të shfrytëzojnë rrugën alternative në drejtim:

Llapushnik – Krajkovë – Damanek – Baicë – Çikatovë e Re.

Ai ka bërë të ditur se rruga Drenas – Komoran aktualisht kalohet me vështirësi, ndërsa disa rrugë mbesin të pakalueshme.

Aktualisht të pakalueshme janë këto rrugë: Drenas – Guri i Plakës, Drenas – Kroi i Mbretit, Shtrubullovë – Korroticë e Ulët dhe Rruga që lidh Komorani 1 me Komoranin 3.

/KosovaPress/

The post Moti i keq krijon problematika në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kupa e Shqipërisë, përcaktohen ekipet çerekfinaliste

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Sot u luajtën të gjitha ndeshjet e fazës së 1/8-ave të Kupës së Shqipërisë, ku u përcaktuan edhe ekipet çerekfinaliste që do të vazhdojnë garën për këtë trofe të rëndësishëm të futbollit shqiptar.

Katër ndeshjet e para të luajtura në orën 13:00 dhanë këto rezultate:

Dinamo City-Besa 3-0

Partizani-Burreli 3-0

Tirana-Skënderbeu 2-1

Bylis-Laçi 3-2

Ndërsa katër ndeshjet e tjera, të luajtura në orën 16:00, dhanë këto rezultate:

Egnatia-Apolonia 1-0

Vllaznia-Pogradeci 1-0

Teuta-Vora 2-0

AF Elbasani-Flamurtari 2-1

Egnatia është kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Kampionët fituan 1 me 0 përballë Apolonisë në stadiumin “Arena Egnatia”. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Buriç pas një gjuajtje me kokë në minutën e 19-të. Për shortin e çerekfinales së Kupës, Egnatia është pjesë e vazos 1.

Dueli Teuta-Vora përfundoi me fitoren e bregdetarëve me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Jurguens 16’ dhe Toli 52′. Teuta bën pjesë në vazon 2 të shortit të ¼.

Vllaznia e Edi Martinit mposhti në “Loro Boriçi” Pogradecin me rezultat minimal. Golin e vetëm të fitores e shënoi Gjini në minutën e 84-t. Vllaznia për shortin e ¼ ndodhet në vazon 1.

Ndeshja AF Elbasani-Flamurtari përfundoi me rezultatin 2-1, pas kohës shtesë. Golat u shënuan nga Lajthia (24′) dhe Ibraimi (114′) për AF Elbasanin, ndërsa Oshafi (59′) shënoi golin për vlonjatët. Elbasani e mbylli lojën me 10 futbollistë, ndërkohë që Flamurtari humbi një 11-metërsh me Trashin në minutën e 104-t, e cila u prit nga portieri elbasanas Totoshi. AF Elbasani bën pjesë në vazon 2 të shortit të çerekfinaleve.

The post Kupa e Shqipërisë, përcaktohen ekipet çerekfinaliste appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Përfunduan katër ndeshjet e luajtura në orën 13:00 të vlefshme për fazën e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë.

Dinamo ka mposhtur Besën me rezultatin 3-0 në stadiumin “Air Albania”. Ekipi i Ilir Dajës siguroi kështu çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Golin e parë e realizoi Bernard Berisha në minutën e 12-të, kur përfitoi nga gabimi i prapavijës së Besës. Bregu dyfishoi shifrat në minutën e 80-të, ndërsa Hekuran Berisha vulosi rezultatin në kohën shtesë. Për çerekfinalet do të ketë short, ndërsa Dinamo është pjesë e vazos së parë.

Të kuqtë e Partizanit mposhtën Burrelin me rezultatin 3-0 në “Arenën e Demave” duke siguruar fazën çerekfinale. Golin e parë e realizoi Rouen Hjumen (19’). Mesfushori goditi një top që përshëndeti rrjetën nga distanca 25 metra. Më pas takimi u vulos nga golat e Kontreras (44’) dhe Skukës (85’). Tashmë për çerekfinalet do të ketë short dhe Partizani është pjesë e vazos së parë.

Tirana ka siguruar biletën për çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pasi ka mundur me vuajtje në kohën shtesë Skënderbeun në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë e riformatuar thuajse plotësisht në merkaton e janarit, kanë dominuar pjesën e parë të sfidës dhe gjetën golin me Mysloviç. Por në të dytën, Skënderbeu kishte një ritëm tjetër dhe kërkoi e gjeti golin e barazimit me Janaqin në shtesën e ndeshjes.

Sfida shkoi me kohë shtesë, ku kishte realisht pak emocione të prodhuara nga të dy skuadrat. Por në fund, një shpërthim i Ernest dhe finalizimi i Tares bënë diferencën për golin e rezultatit përfundimtar 2-1 që siguroi biletën e Tiranës për turin tjetër të turneut.

Bylisi skualifikoi 3-2 ekipin e Laçit, me një lojtar më pak dhe me kohë shtesë. Golat u shënuan nga: 15′ Muktar, 61′(p) Mustafa, 107′ Rabiu për Bylisin, ndërsa për Laçin shënuan 45+1′ Umar, 90+4′ Jiakpona.

Dinamo City-Besa 3-0

Partizani-Burreli 3-0

Tirana-Skënderbeu 2-1

Bylis-Laçi 3-2

Po sot, në orën 16:00, luhen katër ndeshjet e tjera:

Egnatia-Apolonia

Vllaznia-Pogradeci

AF Elbasani-Flamurtari

Teuta-Vora

The post Tirana, Partizani, Dinamo e Bylisi sigurojnë çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IGJEO: Pritet rritje e prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë të dielën

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) informoi se pasditen e sotme (e shtunë) dhe të dielën mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave  në qarqet Shkodër Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve të rëna me intensitet të lartë ditën e sotme, pritet që nesër të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë.

Rrezik të shtuar për përmbytje lokale, në vazhdim të ditës së sotme dhe nesër, do të kenë lumenjtë Ishëm, Erzen, Mat, lumi Vjosa. Lumi Drin-Buna dhe liqeni i Shkodrës do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve dhe rrezik të shtimit të sipërfaqeve të përmbytura në zonën e Nënshkodrës.

Gjithashtu priten reshje dëbore në zonat në veri, lindje dhe juglindje në territorit. Reshjet e dëborës do të pasohen nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugore.

Sot pasdite (e shtunë, dt. 10) dhe nesër (e diel, dt. 11) priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër dhe Elbasan, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.

Në lartësitë mbi 600 m mbi nivelin e detit në veri, lindje dhe juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë, në bregdet: 9/10 °C; në vendet e ulëta: 8/9 °C dhe në vendet malore: -2/0 °C.

Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.

The post IGJEO: Pritet rritje e prurjeve dhe niveleve në të gjithë lumenjtë të dielën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje shiu në të gjithë vendin, stuhi bore në Alpe

TIRANË, 10 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se vendi ynë do të ndikohet sot nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti i vranët dhe me reshje shiu me intensitet mesatar do të përfshijë pjesën më të madhe të territorit, ndërsa në mënyrë të izoluar priten shtrëngata afatshkurtra shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në zonën e Alpeve priten reshje bore në formën e stuhive të dëborës, në veri-verilindje në lartësitë mbi 100 metra dhe jug-juglindje në lartësinë mbi 200-300 metra parashikohet reshje dëbore me intensitet deri mesatar.

Në pjesën tjetër të vendit në orët e pasdites, parashikohet reshje bore me intensitet të ulët (flokë bore).

Gjithashtu, parashikohet mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim-jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era fitoi shpejtësi deri në 24 m/s, me valëzimin në dete të forcës 4 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 0/13 Re shi
Kukës -1/5 Re borë/shi
Lezhë 1/12 Re shi
Dibër -3/5 Re borë/shi
Durrës 5/13 Re shi
Tiranë 5/14 Re shi
Elbasan 0/12 Re shi/borë
Berat 0/14 Re shi
Vlorë 4/16 Re shi
Korçë -1/5 Re shi
Gjirokastër 0/9 Re borë/shi
Sarandë 7/15 Re shi/borë

 

The post Reshje shiu në të gjithë vendin, stuhi bore në Alpe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 9 January 2026Main stream

Rrëzohet kërkesa e PDK-së për shfuqizimin e votave me postë

PRISHTINË, 9 janar /ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) njoftoi të premten vonë se e ka hedhur poshtë si jashtë afatit kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për shfuqizimin e rreth 20.000 votave të dërguara në vend përmes postës nga mërgata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

PDK – e cila doli e dyta në zgjedhje – kërkoi nga PZAP-ja të enjten t’i shpallë të pavlefshme votat në fjalë, duke thënë se ato ishin dërguar me postë nga jashtë vendit me vonesë, pas afatit të lejuar ligjor.

Në një njoftim të premten, PZAP-ja tha se partia e udhëhequr nga Bedri Hamza bëri ankesë pas afatit të paraparë ligjor prej 48 orësh për paraqitjen e ankesës, prandaj paneli nuk do ta shqyrtojë atë.

“Paneli ka vlerësuar se ankesa është parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e ankesës, sipas nenit 119, paragrafi 1 të LZP-së, ku afati për dorëzimin e ankesës është 48 orë nga ndodhja e shkeljes së supozuar, dhe se ankesa është dorëzuar në PZAP më datë 08.01.2026, ndërsa shkelja e supozuar sipas ankuesit ka ndodhur me datën 02.01.2026 dhe 05.01.2026”, thuhet në njoftim.

PDK-ja u ankua se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i pranoi rreth 20.000 fletëvotime më 2 dhe 5 janar, pra disa ditë pas afatit të lejuar ligjor për pranimin e votave të dërguara me postë nga jashtë vendit për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas Ligjit të Kosovës për Zgjedhjet, fletëvotimet e dërguara me postë nga jashtë vendit mund të pranohen nga KQZ-ja jo më larg se deri të nesërmen e ditës së zgjedhjeve në orën 16:00.

Ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tregoi për Radion Evropa e Lirë se komisioni – i cili mbikëqyr procesin zgjedhor në vend – i kishte pranuar rreth 20.000 fletëvotime të dërguara me postë nga diapora më 2 dhe 5 janar.

Rreth 51.000 qytetarë të Kosovës në diasporë ishin regjistruar për të votuar përmes postës në këto zgjedhje.

Vetëvendosja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, fitoi shumicën dërrmuese të votave me postë, 33.556, duke e lënë PDK-në mbrapa me vetëm 4.611 vota të fituara.

Para fillimit të numërimit të votave me postë, PDK-ja ishte në rrugë për t’i fituar 23 vende në Kuvendin e Kosovës, por tani ajo ka humbur një vend.

Vetëvendosja, ndërkohë, ka fituar 57 vende dhe Kurti pritet të themelojë qeverinë e re të vendit sapo të verifikohen rezultatet e zgjedhjeve.

KQZ-ja njoftoi të premten se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave dhe tani ajo pritet të shpallë rezultatin përfundimtar.

The post Rrëzohet kërkesa e PDK-së për shfuqizimin e votave me postë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

E diel 4 janar, reshje në të gjithë territorin

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura me këto të fundit të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Në zonën e veriperëndimit, kryesisht qarku Shkodër, priten reshje të herëpashershme dhe lokalisht të vazhdueshme me intensitet mesatar deri të lartë. Gjithashtu reshje me intensitet deri mesatar edhe në qarqet Vlorë e Gjirokastër.

Në majat e maleve të zonës së Alpeve priten reshje dëbore me intensitet të ulët.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi mesatare 12 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe bregdet, era pritet të arrijë deri në 22 m/s, me valëzimin në dete të forcës 4-6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat Siglat
Shkodër 11/12 Re shi
Kukës 7/11 Re shi
Lezhë 12/13 Re shi
Dibër 7/10 Re shi
Durrës 12/16 Re shi
Tiranë 11/14 Re shi
Elbasan 5/10 Re shi
Berat 10/18 Re shi
Vlorë 15/17 Re shi
Korçë 3/10 Re shi
Gjirokastër 13/14 Re shi
Sarandë 10/16 Re shi

 

The post E diel 4 janar, reshje në të gjithë territorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë, përfundon numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

PRISHTINË, 3 janar /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës bën të ditur se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit në 40 vendvotime të përfaqësive diplomatike.

Nga ky proces në përfaqësi diplomatike, Vetëvendosje ka fituar 13 mijë e 297 vota ose 86.92 për qind, PDK ka fituar 905 vota ose 5.92 për qind, LDK me 726 vota ose 4.75 për qind dhe AAK me 243 vota ose 1.59 për qind.

Sipas KQZ-së, votimi u zhvillua në 29 përfaqësi diplomatike, në 18 shtete të ndryshme. Nga 19 187 shtetas të regjistruar, kanë votuar 16 165, apo 84.24%.

Po ashtu, gjatë ditës së shtunë, në QNR ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit përmes postës që deri më tani janë sjellë në Kosovë.

Ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 500 pako me fletëvotime, të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së, bëhet e ditur në njoftim.

Nga më shumë se 28 000 pako të pranuara, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27 600, ndërkaq janë refuzuar mbi 950. Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit në pakon me fletëvotim.

Në procesin e numërimit do të përfshihen 27 600 zarfe të supozuara me fletëvotime, njofton KQZ.

1 nga 2

/KosovaPress/

The post Kosovë, përfundon numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurohen katër kisha monument kulture në Vithkuq e Voskopojë

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Katër kisha monument kulture, në Vithkuq e Voskopojë, kanë përfundur procesin e restaurimit.

Kryeministri Edi Rama ndau mbrëmjen e së shtunës pamje nga kishat e rilindura pas një restaurimi të bukur për të mikpritur me hijeshi besimtarë, vizitorë e turistë.

Bëhet fjalë për kishat e “Shën Mërisë” dhe “Shën Mhillit”, si dhe manastiret e “Shën Prodhromit” dhe “Shën Pjetrit”, në qarkun e Korçës, objekte të cilat për shkak të gjendjes së tyre po shkonin drejt rrënimit.

Procesi i restaurimit zgjati dy vite dhe krahas punimeve ndërtimore janë kryer edhe punime në pikturat murale të kishave dhe manastireve.

Në dy prej kishave, në kishën e “Shën Mërisë” dhe “Shën Mhillit” është përfshirë edhe restaurimi i pikturës murale.

Projekti total i katër objekteve përfshiu gjithashtu dhe ndriçimin e brendshëm dhe të jashtëm të kishave, për të nxjerrë më në pah vlerat e tyre arkitektonike e religjioze.

Voskopoja dhe Vithkuqi kulmin e lulëzimit e kanë pasur në fillim të shekullit XVII dhe janë të njohura pasi gjatë kësaj periudhe kanë pasur së bashku 48 kisha dhe manastire, një pjesë e të cilave ekzistojnë edhe sot.

The post Restaurohen katër kisha monument kulture në Vithkuq e Voskopojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qyteti Evropian i Sportit, nga Shkodra 2025 te Korça 2026

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Shkodra e mbylli vitin 2025 si Qyteti Europian i Sportit.

Gjatë vitit 2025 Shkodra u shndërrua në një arenë të gjallë sportive: me mbi 20 aktivitete sportive, më shumë se 2600 sportistë pjesëmarrës dhe mbi 14 000 tifozë, qyteti konfirmoi rolin e tij si identitet kombëtar i sportit.

“Nga aktivitetet kombëtare tek ato evropiane, Shkodra dëshmoi se sporti nuk është thjesht event, por mënyrë jetese, një binom i pandarë i qytetit, i komunitetit dhe i vizionit për të ardhmen. Shkodra, qyteti që jeton me sportin”, shprehet kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci.

Ndërkohë, Korça është shpallur zyrtarisht “Qyteti Europian i Sportit 2026”.

Në Parlamentin Europian në Bruksel, ACES Europe i akordoi Korçës, në muajin dhjetor, titullin prestigjioz European City of Sport 2026, duke e renditur mes 21 qyteteve më të vlerësuara në Europë.

Ky vlerësim historik nderon traditën sportive të Korçës dhe angazhimin e saj për zhvillimin e komunitetit, infrastrukturës dhe aktiviteteve sportive.

Pas Tiranës, Vlorës dhe Shkodrës, Korça bëhet qyteti i katërt shqiptar i certifikuar nga ACES Europe. Kjo shënon një arritje të madhe dhe një mundësi e jashtëzakonshme për promovimin ndërkombëtar të sportit, turizmit dhe kulturës së qytetit juglindor.

The post Qyteti Evropian i Sportit, nga Shkodra 2025 te Korça 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Colturi, e gjashta në garën e sllallomit gjigant në Kranjska Gora

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Skiatorja Lara Colturi u rendit në vendin e gjashtë sot në garën e sllallomit gjigant në Kranjska Gora të Sllovenisë.

Skiatorja italiane që garon për Shqipërinë, bëri një zbritje të parë mjaft të mirë, teksa e mbylli në vendin e tretë, me kohën 1 minutë 1 sekondë e 75 të mijtat.

Ndërsa në zbritjen e dytë, Lara Colturi bëri disa gabime dhe humbi shumë kohë duke e përshkuar pistën me kohën 59.42 sekonda e duke u renditur e 10-ta për këtë zbritje, ndërkohë që koha totale e pozicionoi përfundimisht në vendin e gjashtë. Në përfundim të dy zbritjeve Colturi grumbulloi kohën 2 minuta 1 sekondë e 17 të qindtat.

Gara e sllallomit gjigant që është etapa e radhës e Kupës së Botës në garat e skive për femra në Kranjska Gora të Sllovenisë, u mbyll me fitoren e zviceranes Kamil Rast.

Aktualisht, Kolturi mban vendin e 6-të edhe në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, ku ka siguruar 402 pikë, 341 të tilla larg kryesueses Mikaela Shifrin, e cila është pretendentja kryesore për fitoren edhe në këtë sezon të Kupës së Botës në Ski për femra.

Nesër (e diel) Colturi do të garojë në sllallomin special po në Kranjska Gora të Sllovenisë.

The post Colturi, e gjashta në garën e sllallomit gjigant në Kranjska Gora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfundon numërimi i votave për deputetë

PRISHTINË, 3 janar /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Kosovës bën të ditur se gjatë ditës së sotme (e shtunë), ora 14:00, në QKN e Prishtinës përfundoi verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularë e plotësuar në 262 vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga ato vendvotime.

Njëkohësisht, me këtë janë përmbyllur aktivitetet në të gjitha komunat e Kosovës, proces i cili kishte filluar më 29 dhjetor 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi theksoi për KosovaPress se në vazhdim, aktivitetet e KQZ-së janë përqëndruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ku nga data 2 janar janë duke u numëruar më shumë se 16 mijë fletëvotimet nga votimi i zhvilluar më 27 dhjetor në 29 përfaqësitë diplomatike dhe pasditen e së shtunës do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me aktivitetet, të cilat kanë për qëllim të shpallen në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025”, thotë ai.

Ndryshe, ditë më parë, nga dy kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit. Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime.

Në votimin me postë, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë dhe pas përfundimit të tërheqjes së fletëvotimeve nga të gjitha kutitë postare, do të dihet se sa prej votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës.

Sipas planifikimeve, tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026.

Gjithashtu, në numërim do të përfshihen edhe fletëvotimet nga votimi me kusht dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta.

Sipas të dhënave paraprake, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9900 votues të regjistruar për të votuar me kusht.

Numri i votuesve të regjistruar në programin e votimit të personave me nevoja të veçanta ka qenë 2860.

/KosovaPress/

The post Përfundon numërimi i votave për deputetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova mbështet veprimet e SHBA-së në Venezuelë

PRISHTINË, 3 janar /ATSH/ Udhëheqësit e Kosovës kanë shprehur mbështetjen e vendit të tyre për Shtetet e Bashkuara dhe presidentin amerikan, Donald Trump, pas arrestimit të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, që pasoi sulme ajrore në kryeqytetin Karakas të shtunën.

Trumpi njoftoi më herët se SHBA-ja kreu sulme kundër Venezuelës dhe se e kapi Maduron dhe bashkëshorten e tij.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi në X se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump në mbështetje të veprimeve të tij kundër “regjimit narko-terrorist” të Venezuelës.

“Presidenti Trump qëndroi pranë popullit të Venezuelës dhe iu kundërvu shtetit narko të Maduros, duke mbrojtur Amerikën dhe pjesën tjetër të botës nga kartelët dhe krimi i organizuar”, shkroi Osmani.

Ajo theksoi se Kosova e “kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane; çlirimi ynë është një dëshmi e saj”.

SHBA-ja është ndër mbështetesit dhe aleatët kryesorë të Kosovës. Ajo e ndihmoi vendin të çlirohet nga regjimi serb më 1999 dhe ta shpallë pavarësinë më vonë në vitin 2008.

“Në këtë çast kur SHBA-ja po përballet me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta forcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur është i bashkuar pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta”, shtoi Osmani.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosovës e mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë.

“Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie”, shkroi Kurti në Facebook.

“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, tha ai. /REL/

The post Kosova mbështet veprimet e SHBA-së në Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E shtunë 3 janar, mot i paqëndrueshëm

TIRANË, 3 janar /ATSH/ Ditën e sotme vendi ynë pritet të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike, me vranësira dhe reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët deri mesatar, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak.

Në veriperëndim hera-herës në intervale të shkurtra kohore priten reshje shiu me intensitet deri të lartë në formën e stuhive, ndërsa në zonën e Alpeve dhe relievet e larta malore reshjet e borës do të vijojnë me intensitet të ulët e lokalisht deri mesatar.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i jugut me shpejtësi 10 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe bregdet, sidomos në jug era pritet të arrijë deri 17 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 4-5 ballë.

Parashikimi i motit,e shtunë 3 janar
1 nga 2

The post E shtunë 3 janar, mot i paqëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kandidatët më të votuar për deputetë në Kosovë

PRISHTINË, 2 janar /ATSH/ Pesë ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush do të jenë 120 anëtarët e rinj të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i numëruar votat për kandidatët për deputetë qysh nga e hëna dhe deri më tani janë numëruar mbi 95 për qind të tyre.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Zgjedhjet i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Më poshtë mund të shihni se cilët janë pesë kandidatët më të votuar në secilën parti, kur numërimi po shkon drejt përfundimit.

Lëvizja Vetëvendosje:

  • Albin Kurti 333.411 vota
  • Glauk Konjufca 257.977 vota
  • Hekuran Murati 135.824 vota
  • Albulena Haxhiu 135.674 vota
  • Donika Gërvalla 120.991 vota

Partia Demokratike e Kosovës:

  • Bedri Hamza 147.791 vota
  • Arian Tahiri 65.111 vota
  • Përparim Gruda 59.613 vota
  • Uran Ismaili 49.645 vota
  • Sala Jashari 43.602 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës:

  • Lumir Abdixhiku 76.612 vota
  • Hykmete Bajrami 47.982 vota
  • Ukë Rugova 42.100 vota
  • Avdullah Hoti 37.914 vota
  • Doarsa Kica Xhelili 37.206 vota

Lista Serbe:

  • Sllavko Simiq 22.186 vota
  • Igor Simiq 21.041 vota
  • Liljana Stefanoviq 20.436 vota
  • Millan Kostiq 17.203 vota
  • Nemanja Bishevac 16.903 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës:

  • Ramush Haradinaj 39.488 vota
  • Daut Haradinaj 23.571 vota
  • Besnik Tahiri 23.441 vota
  • Bekë Berisha 17.245 vota
  • Agim Çeku 16.040 vota

Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 vende në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.

Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).

Mbetet të shihet nëse Kurti do ta forcojë këtë rekord apo jo. /REL/

The post Kandidatët më të votuar për deputetë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Iu dha lamtumira e fundit akademik Nexhat Dacit

PRISHTINË, 2 janar /ATSH/ Me nderime shtetërore iu dha sot lamtumira e fundit akademikut dhe njërit nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhat Daci.

Ai u varros në varrezat e Dragodanit në Prishtinë.

Para ceremonisë së varrimit është mbajtur akademi përkujtimore dhe homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Në akademi është nderuar jeta, vepra dhe kontributi që Daci dha për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Nga krerët e shtetit u vlerësua lart kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës, me ç’rast u tha se ka lënë gjurmë të pashlyeshme, me maturinë dhe qetësinë e tij karakteristike.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës iku nga kjo jetë në moshën 81-vjeçare. /KosovaPress/

The post Iu dha lamtumira e fundit akademik Nexhat Dacit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E martë 30 dhjetor, mot i paqëndrueshëm dhe i ftohtë

30 December 2025 at 07:30

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njoftoi se sot vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta.

Moti parashikohet i kthjellët dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura përqendruar në relievet malore kryesisht lindje të territorit, pas orëve të mesditës.

Reshje të dobëta e lokale shiu në lindje dhe përgjatë vijës bregdetare pas orëve të mesditës.

Në relievet malore në verilindje – lindje e juglindje priten reshje bore me intensitet kryesisht të ulët, në formën e flokëve të borës. Prezencë e ngricave në akset rrugore kryesisht në zonat malore.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era do të fitojë shpejtësi deri në 10 m/s.

Valëzimi në dete do të jetë i forcës 1 ballë.

Parashikimi i motit, e martë, 30 dhjetor
1 nga 2

The post E martë 30 dhjetor, mot i paqëndrueshëm dhe i ftohtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së

29 December 2025 at 20:02

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka reaguar një ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, ku partia e tij doli e para nga ky proces.

Kryeministri në detyrë, Kurti theksoi se ardhmja e Kosovës është e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian (BE), raporton KosovaPress.

Kurti në platformën X, ka falënderuar të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe pa incidente.

“Dje, populli i Kosovës na dha edhe një herë një mandat të fuqishëm. Është gjithmonë një nder të fitosh besimin e popullit, veçanërisht kur kjo vjen pas kryerjes së mandatit të parë të plotë në historinë e vendit. Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë ata që ushtruan të drejtën e tyre për të votuar, si dhe të gjithë ata që kontribuan për të siguruar që procesi zgjedhor të ishte i lirë, i drejtë dhe i zhvilluar pa incidente. Jemi mirënjohës për mbështetjen ndërkombëtare gjatë gjithë këtij procesi, nga Bashkimi Evropian, vendet individuale dhe organizatat ndërkombëtare, të cilat vazhdojnë të mbështesin progresin demokratik të Kosovës. Një falënderim i veçantë për partitë tona simotra dhe lëvizjen më të gjerë progresive, ndërsa ne angazhohemi për të ndërtuar shoqëri ku dinjiteti dhe mirëqenia e popullit janë në qendër. E ardhmja e Kosovës është e begatë dhe e orientuar fort drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Kurti.

Pas procesimit të rezulateve paraprake në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave.

/KosovaPress/

The post Kurti: E ardhmja e Kosovës e orientuar drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori gjerman: Presim me padurim të bashkëpunojmë me institucionet e reja

29 December 2025 at 18:58

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph ka reaguar pas zgjedhjeve të zhvilluara të dielën në Kosovë.

Ambasadori Rudoplh e ka uruar Kosovën për zgjedhjet e qeta dhe demokratike.

“Urime Kosovë për zgjedhjet e qeta dhe demokratike. Presim me padurim të punojmë me institucionet e sapoformuara”, ka shkruar Rudolph në Facebook.

Pas procesimit të rezulateve paraprake në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave, e pasuar nga PDK me 21,01% dhe LDK me 13,59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marrë 5,68% të elektoratit.

/KosovaPress/

The post Ambasadori gjerman: Presim me padurim të bashkëpunojmë me institucionet e reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani synon mandat të dytë presidencial

29 December 2025 at 18:55

PRISHTINË, 29 dhjetor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se synon të kandidojë sërish për këtë post.

Vjosa Osmani e ka konfirmuar këtë në një intervistë për REL-in, duke theksuar se pret fillimisht formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

Osmani ka paralajmëruar se në periudhën në vijim do të zhvillojë bisedime me akterë të ndryshëm politikë për të siguruar mbështetjen e nevojshme për kandidaturën e saj.

Ajo ka theksuar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik edhe në rast se nuk zgjidhet presidente për një mandat të dytë, duke nënvizuar se mbetet e përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe interesave të shtetit.

Në intervistë, presidentja ka komentuar edhe raportet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, politikën e jashtme të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e presidentit Donald Trump, si dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Osmani ka folur gjithashtu për zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të tyre për stabilitetin rajonal dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Kosova, dje ka zhvilluar zgjedhjet e parakohshme dhe nga ky process, LVV ka dalë e para, PDK e dyta, LDK e treta dhe AAK e katërta.

Pas procesimit të rezulateve preliminare në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49,30% të votave, e pasuar nga PDK me 21,01% dhe LDK me 13,59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marr 5,68% të elektoratit. Në bazë të këtyre rezultateve fuqia e partive në Kuvendin e Kosovës do të jetë kështu:

LVV siguron 56 mandate, PDK me 23 mandate, LDK merr 15 mandate, AAK 6 mandate, Lista Serbe 10 mandate, komunitetet e tjera 10 mandate. /REL/

The post Osmani synon mandat të dytë presidencial appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌