FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së
ZAGREB, 30 janar /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz shprehu skepticizëm mbi realizueshmërinë e propozimeve të gjerë për reformimin e Bashkimit Evropian, të paraqitura nga lideri i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber.
Weber ka sugjeruar që dy pozicionet kryesore të BE-së të bashkohen për të rritur efektivitetin e bllokut në çështjet ndërkombëtare.
“Të arrish ndryshime traktatesh në këtë Bashkim Evropian me 27 vende është një detyrë mjaft e vështirë”, tha Merz në fillim të samitit të EPP-së në Zagreb.
Ai shtoi se duhet të përqendrohen kryesisht tek aftësia mbrojtëse dhe konkurrueshmëria ekonomike.
Liderët e EPP-së po diskutojnë në Zagreb për rolin e Evropës në një rend botëror ku fuqitë kryesore luajnë rol dominant.
Weber, i intervistuar nga revista gjermane “Der Spiegel”, propozoi që pas zgjedhjeve evropiane të vitit 2029, posti i presidentit të Komisionit Evropian të bashkohet me atë të presidentit të Këshillit Evropian.
”BE-ja nuk luajti rol udhëheqës në krizën e fundit për Ukrainën dhe Groenlandën”, theksoi ai.
Weber mbështeti gjithashtu krijimin e një ushtrie evropiane dhe vendosjen e forcave të përbashkëta paqeruajtëse në Ukrainë si bazë për këtë.
Merz nënvizoi se BE-ja ka hequr praktikisht dorë nga parimi i unanimitetit në tregun e brendshëm, ku përdoret gati kudo votimi me shumicë të kualifikuar, dhe se kjo qasje duhet të zgjerohen gradualisht edhe në politikën e jashtme dhe sigurinë.
Sot, BE-ja përfaqësohet në samitet ndërkombëtare nga dy figura: presidenti i Këshillit dhe presidenti i Komisionit, gjë që ndonjëherë e bën të paqartë se kujt duhet t’i drejtohen të huajt për çështje të caktuara.
Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, përgjigjet kryesisht për propozimet ligjore dhe respektimin e traktateve, ndërsa presidenti i Këshillit, António Costa, kryeson dhe përgatit samitet e BE-së./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Merz skeptik ndaj planeve për rimodelimin e lidershipit të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.