Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 January 2026Main stream

Lakers zhgënjejnë në shtëpi/ Nuk mjaftojnë Donçiç dhe LeBron, Charlotte fiton në Los Angeles

By: Rovena
16 January 2026 at 12:43

Mbrëmja e fundit në Los Angeles ishte e errët, sidomos për Lakers që pësuan një humbje të thellë në shtëpinë e tyre, duke u dorëzuar përballë Charlotte me rezultatin 117-135.

Një tjetër zhgënjim që konfirmon momentin negativ të skuadrës kaliforniane, që ka regjistruar katër humbje në pesë ndeshjet e fundit.

Lakers kryesonin bindshëm deri në gjysmën e periodës së dytë, ndërsa më pas erdhi përmbysja e Hornets.

Protagonist absolut në triumfin e miqve ishte LaMelo Ball, i cili mbylli ndeshjen me 30 pikë.

Nga ana tjetër, për Los Angeles Lakers nuk mjaftuan LeBron James dhe sidomos Luka Donçiç me një tjetër paraqitje personale të shkëlqyer.

Basketbollisti slloven ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 39 pikë.

I njëjti diskutim edhe për LeBron James.

Edhe 29 pikët, të shoqëruara me 9 topa të kapur në tabelë dhe 6 asiste për “Mbretin” nuk arritën të evitonin humbjen e të zotëve të shtëpisë.

Me këtë ecuri negative në ndeshjet e fundit, Lakers kanë humbur terren në garën për titullin kampion në NBA, ndërsa mbajnë vendin e pestë në renditjen e Konferencës së Perëndimit, shumë larg kampionëve në fuqi dhe kryesuesëve të Oklahoma City Thunders.

Manaj “fluturon” në Kinë/ Sulmuesi siguron “kontratën e jetës” me skuadrën e Zhejiang

By: Rovena
16 January 2026 at 12:41

Pritet zyrtarizimi me firmën në kontratë, por Rey Manaj ka bërë një kthesë të papritur në karrierën e tij. Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë pritet të trransferohet në Kinë, ku sipas raportimeve mediatike ka siguruar një marrëveshje të rëndësishme financiare me klubin e Zhejiang Professional.

Bëhet fjalë për një kontratë 2 vjeçare me 4 milion euro në sezon, shifra më e lartë sa i përket futbollistëve kuqezi që janë në aktivitet.

Kjo duket edhe arsyeja që ka bindur Manaj të bëjë këtë zgjedhje surprizë, duke u larguar pas vetëm gjashtë muajsh nga Emiratet Arabe ku luante me Sharjah.

Te kjo skuadër, ai u transferua në merkaton e verës, pas një sezoni si protagonist me Sivaspor në Turqi.

Madje javët e fundit mediat turke folën për një rikthim të mundshëm të 28 vjeçarit shqiptar te ky ekip.

Por ndryshe nga sa pritej, ai ka vendosur të largohet akoma më shumë nga futbolli europian.

Nuk dihet se si do të ndikojë kjo zgjedhje në të ardhmen e Rey Manaj sidomos me kombëtaren e Shqipërisë, por në futboll ashtu si edhe në jetë ka disa oferta që nuk mund të refuzohen.

Milan bën “djallin/ Kuqezinjtë fituan me përmbysje 3-1 në Como, mbeten për titull

By: Rovena
16 January 2026 at 12:39

Që nuk do të ishte spektakolar, kjo u kuptua me zgjedhjen për të ulur në pankinë Masimiliano Alegrin. Por në futboll rëndësi kanë pikët dhe Milan ka kaluar çdo pritshmëri në këtë sezon të Serie A, ndërsa mbetet bindshëm në garën për titullin kampion pas fitores 3-1 në transfertën e Como.

Kuqezinjtë triumfuan me përmbysje dhe falë klasit të yjeve të tyre, si Mike Maignan që bëri disa pritje shpëtimtare dhe Adrien Rabiot, autor i dy golave.

Për pjesën tjetër, ishin vendasit e drejtuar nga Cesc Fabregas, ata që dominuan sfidën në të gjithë komponentët e lojës.

Ky detaj nuk e prishi festën e Milan, që ngushton sërish në tre pikë diferencën me kryesuesit dhe rivalët e përjetshëm të Inter, në një garë për titull që për momentin duket e gjitha milaneze.

Kjo edhe për faktin se favoritët e tjerë si Napoli apo Juventus kanë humbur terren në klasifikim.

Për t’u kthyer sërish te Milan, a mund të mjaftojë vetëm cinizmi për të shkuar te titulli kampion.

Kjo mbetet për t’u parë në gjysmën e dytë të sezonit, ndërsa ndryshe nga rivalët, kuqezinjtë kanë edhe një tjetër detaj të rëndësishëm në krahun e tyre.

Jashtë Kupave të Europës dhe çdo kompeticioni tjetër në këtë sezon, Milan mund të menaxhojë më me lehtësi forcat dhe të fokusohet në vetëm një objektiv.

Pra, megjithë kritikat e mediave dhe pakënaqësinë e tifozëve për lojën, kuqezinjtë mund të ëndërrojnë për titullin. Në fund qëllimi justifikon mjetet.

Stambolli “thërret” Hoxhën/ Mediat turke dhe kroate shkruajnë për transferim të mundshëm

By: Rovena
16 January 2026 at 12:37

Mund të jetë edhe një “shashkë” janari.

Në futbollin profesionist është e vështirë të dallosh të vërtetën nga gënjeshtra, por gjithsesi duket se Arbër Hoxha është kthyer në një objekt të rëndësishëm transferimi.

Mediat turke dhe kroate shkruajnë se lojtari I kombëtares shqiptare mund të veshë fanelën e Fenerbahçes, nëse klubi nga Stambolli realizon një shkëmbim me Dinamon e Zagrebit.

Për çfarë bëhet fjalë?

Të përditshmet “Fotomaç” nga Turqia dhe “Jutarnji List” nga Kroacia shkruajnë se drejtuesit e Dinamos duan portierin Dominik Livakoviç.

Numri 1 I kombëtares kroate ka qenë më parë në klubin më të madh në vend, por u largua për në Stamboll për më shumë se 6.5 milionë euro.

Në Zagreb shpresojnë ta marrin përsëri, por Fenerbahçe paska kërkuar Hoxhën si shkëmbim, e besohet se mund të paguhen edhe para të tjera.

Më herët, mediat turke kanë shkruar për interesim të Gallatasarajit për yllin kuqezi, veçse drejtuesit e Dinamos kanë pritur për një marrëveshje me klubin tjetër stambolli.

Arbër Hoxha ka luajtur 17 ndeshje në Ligën e Parë të Kroacisë këtë sezon, me 6 gola e 3 asistë, dhe “Jutarnji List” e cilëson si një nga futbollistët më të mirë të ekipit dhe të gjithë kampionatit.

Barcelona nuk “është” Real/ Katalanasit kualifikohen me vështirësi në Kupën e Mbretit

By: Rovena
16 January 2026 at 12:35

Nuk u kursyen aspak.

Barcelona nuk ndoqi shembullin e Realit në Kupën e Mbretit, luajti me yjet dhe arriti kualifikimin.

Vetëm koha do ta tregojë nëse trajneri Hansi Flik bëri gjënë e duhur, veçse fakt është se tekniku gjerman pati titullarë në ndeshjen në Santander shumicën e lojtarëve më të mirë.

Lamin Jamal, Ferran Torres, Olmo, Kubarsi, Balde, Kunde dhe portieri Zhoan Garsia.

Pas pushimit hynë edhe Pedri, Levandovski apo Rafinja.

Katalanasit e patën tepër të vështirë, edhe pse zotëruan lojën, mbajtën topin 74 për qind dhe bënë shumë më tepër gjuajtje sesa Rasingu vendas.

Gjithsesi, epërsia ishte vetëm 1-0 deri në sekondat e fundit.

Ferran Torres kaloi “blaugranët” në epërsi në 66’, ndërsa Santanderit iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje.

Barça u shpëtua nga portieri Garsia në fund, ndërsa Lamin Jamal më pas mbylli llogaritë.

U siguruan çerekfinalet e Kupës së Mbretit, dhe skuadra e Hansi Flikut është në garë për të gjitha trofetë e sezonit.

Është favorite thuajse për gjithçka, por jo në Champions ku është paraqitur dobët deri tani.

“Integrimi në BE, takime çdo muaj…”/ Rama: Ndryshime në administratën e Kuvendit, më shumë modernizim

By: Rovena
16 January 2026 at 12:17

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste hapi sot vitin e ri kuvendor me një mbledhje të drejtuar nga Kryeministri dhe njëkohësisht Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili vuri theksin te procesi i integrimit europian dhe nevoja për rritjen e informimit dhe përfshirjes së deputetëve.

Rama njoftoi se diskutimet për negociatat me Bashkimin Europian do të zhvillohen çdo muaj, ndërsa paralelisht paralajmëroi ndryshime në procesin legjislativ, përfshirë transformimin dhe modernizimin teknologjik të administratës së Kuvendit, si dhe vendosjen e një kalendari të qartë parlamentar.

“Ata që janë bërë pjesë të anëtarësimit, ka pasur më pak kushte nga sa kemi ne sot. Ka diçka e kam theksuar në fjalën time në Asamblenë Kombëtare kur nisëm këtë mandat që duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e Grupit Parlamentar dhe të qeverisë, kjo është pjesa që lidhet me fazën përpara lidhjes së negociatës. Duhet shumë më tepër punë, për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar nga grupi. Duhet më shumë informacionin.

Të gjithë deputetët për shkak të eksperiencës së tyre të jenë të informuar dhe të mirëpritur që të kontribuojnë. Pika e përbashkët për pjesën e negociatave, do ta zhvillojmë çdo muaj. Dua të prek një tjetër aspekt për të cilin kam folur edhe në fjalën përpara të asamblesë. Aspektin e ndryshimeve të procesit legjislativ, e filluam me komisionet, duhet të vazhdojmë me administratën e Kuvendit e cila kemi kohë që themi se duhet të transformohet dhe të modernizohet nga një transformim të tërësishëm teknologjik dhe nga ana tjetër duhet të vendosim piketat për një kalendar parlamentar”, tha kryeministri Rama.

Witkoff tregon çfarë zgjidhje kërkon SHBA-ja për Iranin

By: Rovena
16 January 2026 at 10:43

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përpiqet të zgjidhë tensionet me Iranin përmes dialogut diplomatik, jo me forcë ushtarake, ka deklaruar të martën i dërguari special amerikan, Steve Witkoff.

Ai theksoi se administrata amerikane synon të arrijë marrëveshje për çështje kyçe si programi bërthamor i Iranit, raketat dhe materialet bërthamore, duke shmangur përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit, raportojnë mediat.

“Dialogu mbetet opsioni ynë kryesor”, tha ai, duke nënvizuar rrezikun e pasojave serioze nëse situata do të përshkallëzohej ushtarakisht.

Deklarata vjen në një kohë kur SHBA dhe Irani kanë intensifikuar kontaktet indirekte përmes negociatave dhe ndërmjetësimit të vendeve të treta, me qëllim uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Zyrtarët amerikanë përsërisin se rruga diplomatike është prioriteti për të shmangur një përplasje të hapur.

Ndryshe, qytetarët po protestojnë në shtetin iranian për shkaqe ekonomike dhe sociale.

Dinamika e aksidentit tragjik në Durrës/ Makina “fluturoi” nga mbikalimi, me shpejtësi “skëterrë”, ra te biznesi i luleve

By: Rovena
16 January 2026 at 10:09

Gazetari i ABC News, Leonidha Musaj ka ndarë detaje të tjera për aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Durrës. Makina me shpejtësi 120-130 kilometra në orë, “fluturoi” nga ura e Dajlanit dhe ra nga mbikalimi.

Nga ky aksident humbi tragjikisht jetën 18-vjeçarja Vikena Greku, ndërkohë që ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën 26-vjeçari Arberi Xhaxhaj, dhe dy pasagjerë të tjerë.

Trump pozon me Çmimin Nobel për Paqen që ia dhuroi Machado: Ky është një vlerësim për punën që kam bërë

By: Rovena
16 January 2026 at 10:02

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se është takuar me lideren opozitare venezueliane María Corina Machado, duke e cilësuar takimin si një “nder të madh”.

Në një deklaratë publike, Trump tha se Machado i kishte dhuruar atij Çmimin e saj Nobel për Paqen, si shenjë vlerësimi për punën që ai ka bërë.

“Ishte një nder i madh për mua të takoja sot María Corina Machado-n nga Venezuela. Ajo është një grua e jashtëzakonshme që ka kaluar shumë sfida. María më dhuroi Çmimin e saj Nobel për Paqen si vlerësim për punën që kam bërë. Një gjest i bukur dhe domethënës respekti të ndërsjellë”, u shpreh Trump, duke e falënderuar publikisht Machadon.

Në një reagim të shkurtër, e pyetur pse ia kishte dhënë Çmimin Nobel Trumpit, Machado u përgjigj “sepse e meriton”.

Deklarata ka ngjallur reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa nuk ka pasur ende sqarime zyrtare lidhur me natyrën simbolike apo reale të këtij gjesti.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme politike në Venezuelë, ku SHBA-ja ka kapur presidentin Nicolas Maduro.

NATO shqyrton krijimin e “Rojës së Arktikut” për t’i zbutur tensionet SHBA–Danimarkë për Grenlandën

By: Rovena
16 January 2026 at 09:52

Një nga mënyrat e mundshme për t’i ulur tensionet e tanishme politike mes Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara lidhur me të ardhmen e Grenlandës mund të jetë themelimi i një misioni të udhëhequr nga NATO-ja, i quajtur “Roja e Arktikut”.

Kjo ide lindi kur ambasadorët e aleancës ushtarake u mblodhën në Bruksel më 8 janar për të biseduar për çështjen e Grenlandës, ishullit danez, pasi Shtëpia e Bardhë shprehu interesim që Shtetet e Bashkuara ta përvetësojnë atë, madje duke mos e përjashtuar as ndërhyrjen ushtarake për ta arritur këtë qëllim.

NATO-ja veçse themeloi dy misione të ngjashme më 2025: fillimisht “Roja e Baltikut”, si përgjigje ndaj sabotimeve të shumta nënujore në Evropën Veriore, dhe më pas “Roja e Lindjes”, e cila u krijua pak pasi një inkursion i madh me dronë rusë ndodhi në Poloni.

Këto dy “roje” janë ende në vazhdim. Ato cilësohen gjithashtu si suksese të mëdha, sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë (REL), në kushte anonimiteti.

Por, a mund të përsëritet diçka e ngjashme përreth dhe ndoshta brenda Grenlandës?

Ministri i Mbrojtjes i Belgjikës, Theo Francken, e ka mbështetur publikisht idenë, ndërsa Londra dhe Berlini po tregohen gjithnjë e më të hapur ndaj saj. Në takimin në Bruksel, pati njëzëshmëri se NATO-ja duhet ta rrisë angazhimin në rajonin e Arktikut.

“Kanadaja ka vite që bërtet për nevojën e rritjes së përpjekjeve në Veriun e Lartë, prandaj nuk mund të themi se Uashingtoni është i pari që e sjell këtë në tryezë”, u shpreh një diplomat evropian.

Shtatë nga tetë të ashtuquajturat vende arktike janë anëtare të NATO-s, duke përjashtuar Rusinë. Dhe, megjithëse ujërat përreth Grenlandës tani për tani nuk janë të mbushura me anije ruse dhe kineze, kjo mund të ndryshojë pasi akulli i Arktikut po shkrihet me shpejtësi dhe po hapen rrugë të reja detare.

Komandanti suprem i aleatëve të NATO-s (SACEUR) dhe gjenerali i lartë amerikan në Evropë, Alexus Grynkewich, theksoi së fundmi në një konferencë ushtarake në Suedi se anijet ruse dhe kineze “nuk janë duke studiuar fokat dhe arinjtë polarë”.

Ai shtoi se anijet “janë duke kryer studime batimetrike dhe duke u përpjekur të kuptojnë si mund t’i luftojnë kapacitetet e NATO-s mbi dhe nën det. Kjo është diçka që mund të rritet shumë shpejt, dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të gatshëm”.

Në të njëjtën kohë, Grynkewich shtoi se çdo mision i NATO-s në këtë kohë është “i parakohshëm”.

Duke folur në Berlin në fillim të kësaj jave për një mision të mundshëm si “Roja e Arktikut”, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, theksoi gjithashtu se një nismë e tillë merr me muaj kohë.

Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, është i angazhuar në bisedime me Uashingtonin për atë se si aleanca mund ta rrisë angazhimin, në një mënyrë ose tjetër.

Diplomatë evropianë i kanë thënë REL-it se nisma “Roja e Arktikut” mbase do ta hidhte poshtë argumentin se Grenlanda duhet të jetë e Shteteve të Bashkuara dhe se do të dëshmonte se Evropa mund t’i përballojë dy fronte njëkohësisht: Rusinë në lindje dhe Rusinë dhe Kinën në Arktik.

“Në shumë aspekte, këtu bëhet fjalë edhe për ndarjen e barrës”, tha njëri prej tyre, duke shtuar se një skenar i mundshëm mund të përfshijë mbikëqyrjen ajrore dhe detare nga evropianët, dhe rritjen e pranisë së trupave amerikane në Grenlandë.

Shtetet e Bashkuara i kanë një personel prej 200 vetash në një bazë në Grenlandë, të angazhuar në paralajmërimin e hershëm për raketat balistike dhe mbikëqyrjen hapësinore. Gjatë Luftës së Ftohtë, megjithatë, në ishull kishte deri në 10.000 trupa amerikane të shpërndara në 17 baza.

Një “pushkë e mbushur”

Kjo u bazua në një marrëveshje të vitit 1951 midis Kopenhagës dhe Uashingtonit, e cila ua lejon Shteteve të Bashkuara të kenë mjete ushtarake, përfshirë baza, për aq kohë sa ekziston NATO-ja. Ky traktat mbetet në fuqi dhe nuk vendos kufizime mbi praninë ushtarake amerikane, megjithëse kërkohet pëlqimi i Danimarkës prapëseprapë, e cila me gjasë do ta jepte.

Kjo do të hapte gjithashtu rrugën që SHBA-ja ta përdorë Grenlandën në programin e saj të mbrojtjes raketore “Kupola e Artë”, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e ka përmendur kur ka folur për ishullin gjigant.

Ajo që do të bënin vendet evropiane do të ishte përqendrimi në mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe rrugëve detare të asaj që njihet si “hendeku GIUK”, që nënkupton zonën e gjerë midis Grenlandës nga njëra anë dhe Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar nga ana tjetër.

Ky hendek është përshkruar si një “pushkë e mbushur” përballë Shteteve të Bashkuara, sepse është një pikë hyrëse për aktorë si Moska dhe Pekini për të kryer veprime të ndryshme, nga sabotimet nënujore deri te pushtimi i tokave, sipas një burimi.

Vendet që ka gjasa të kontribuojnë janë kryesisht Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, por edhe vende si Danimarka, Italia, Norvegjia, Holanda dhe Spanja, pasi të gjitha kanë mjete detare.

Kjo, natyrisht, do të kërkonte disa lloje anijesh, veçanërisht kryqëzorë dhe fregata, por edhe nëndetëse dhe sidomos akullthyese. Së bashku, aleanca ka vetëm rreth 40 të tilla, më pak se Rusia, edhe pse ka përpjekje për të prodhuar më shumë.

Pritet që shefat e Mbrojtjes së aleancës ta diskutojnë këtë më në hollësi kur të mblidhen në Bruksel më 21–22 janar, dhe më pas sërish kur ministrat e Mbrojtjes së NATO-s të mblidhen në kryeqytetin belg më 12 shkurt.

Pengesa praktike

Megjithatë, ka edhe hezitim brenda aleancës nëse misioni “Roja e Arktikut” është i realizueshëm. Ka shumë pengesa praktike. Për shembull, do të duheshin qindra anije për ta mbuluar një zonë kaq të madhe, përfshirë mjete që furnizojnë anijet ushtarake.

Përveç vendeve nordike dhe Kanadasë, ka pak trupa që kanë përvojë në veprimin në kushte të ashpra arktike. Prandaj, në operacionin e tanishëm të udhëhequr nga Danimarka, “Operacioni Qëndrueshmëria e Arktikut”, në dhe rreth Grenlandës, marrin pjesë trupa nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Holanda dhe Norvegjia.

Dhe, ndonëse jo të gjithë duhet të kontribuojnë, të gjithë duhet ta japin pëlqimin për të nisur një mision të tillë.

Po amerikanët, do të pajtohen me këtë?

Në takimin e ambasadorëve të NATO-s më 8 janar, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara u pajtuan se kjo është çështje dypalëshe, tani për tani.

Kjo e nxiti një takim në Uashington më 14 janar mes ministrave të Jashtëm të Danimarkës, Grenlandës dhe Shteteve të Bashkuara, i organizuar nga nënpresidenti amerikan JD Vance.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, theksoi pas takimit se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin ndryshuar qëndrimin e tyre për Grenlandën, por gjithashtu shtoi se do të ngrihet një grup punues i nivelit të lartë me zyrtarë amerikanë dhe danezë për t’i shtjelluar çështjet në javët në vijim.

Në Bruksel, kjo shihet si një shenjë se mund të ketë “marrëveshje” që i përshtatet të gjithëve, me një rol të zgjeruar të NATO-s.

Derisa ekziston frika për një ndërhyrje ushtarake, shumica e atyre me të cilët ka folur REL-i ende e shohin këtë si “të pamundur” dhe besojnë se presidenti amerikan po përdor të njëjtën taktikë të fortë negociuese që përdori kur siguroi angazhimin për shpenzime në mbrojtje prej 5 për qind nga të gjithë aleatët në samitin e Hagës vitin e kaluar.

Tani bëhet fjalë që evropianët të shpenzojnë më shumë dhe më shpejt, dhe të mos përqendrohen vetëm në krahun e tyre lindor./REL

 

Trump kërcënon të përdorë ushtrinë për të shuar protestat në Minnesota

By: Rovena
16 January 2026 at 08:38

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi se mund të aktivizojë Aktin e Kryengritjes për të dërguar ushtrinë në Minnesota, pas protestave të dhunshme në Minneapolis kundër rritjes së pranisë së agjentëve të emigracionit (ICE). Tensionet u përshkallëzuan pas vrasjes së qytetares amerikane Renee Good nga një agjent i ICE-së dhe plagosjes së një shtetasi venezuelian gjatë një ndalimi nga oficerët federalë. Trump akuzoi autoritetet lokale për moszbatim të ligjit dhe paralajmëroi ndërhyrje ushtarake nëse protestat vazhdojnë.

Administrata federale ka dërguar rreth 3 mijë oficerë të armatosur në zonë, çka ka nxitur reagime të forta nga banorët dhe drejtuesit lokalë. Kryetari i Bashkisë së Minneapolisit, Jacob Frey, e quajti praninë e ICE-së “pushtim” dhe sjelljen e agjentëve “të neveritshme dhe të patolerueshme”. Ndërkohë, DHS pretendon se të shtënat e fundit ndodhën në vetëmbrojtje, por versioni zyrtar nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Kërcënimi i Trump-it ka hapur përplasje ligjore me shtetin e Minnesota-s, i cili ka paditur administratën federale për shkelje të të drejtave civile. Ndërkohë, opinioni brenda elektoratit republikan mbetet i ndarë mbi ashpërsinë e zbatimit të ligjit të emigracionit, ndërsa një gjykatë federale pritet të vendosë në ditët në vijim mbi kërkesën për ndalimin e përkohshëm të operacioneve të ICE-së.

Ish-presidenti i Koresë së Jugut dënohet me pesë vjet burg për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

By: Rovena
16 January 2026 at 08:22

Ish-presidenti i Koresë së Jugut është dënuar me pesë vjet burg për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Yoon Suk Yeol është shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës, pengim të drejtësisë dhe falsifikim të dokumenteve lidhur me përpjekjen e tij të dështuar për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme në vitin 2024.

Prokurorët kishin kërkuar një dënim prej 10 vjetësh, por gjykata vendosi të dënojë Yoon me 5 vjet burgim.

Kjo është e para nga katër gjyqet lidhur me dekretin e tij për ligj ushtarak, që shkaktoi trazira politike dhe protesta, dhe parlamenti e anuloi vendimin menjëherë.

Akuza më serioze për të, për kryengritje, për të cilën prokurorët po kërkojnë dënimin me vdekje, pritet të vendoset në muajin shkurt.

Ndryshe, gjatë përpjekjes për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ai përdorimi trupat e tij të sigurisë për të penguar arrestimin dhe për shkatërrimin e dokumenteve.

Aksident i rëndë në Durrës/ Automjeti bie nga mbikalimi, humb jetën e reja

By: Rovena
16 January 2026 at 08:08

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës. Rreth orës 22:15 te ura e Dajlanit, automjeti i drejtuar nga 26-vjeçari, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./abcnews.al

Fituesja e Nobelit për Paqe i dorëzon medaljen Trump/ A e pranoi Presidenti?!

By: Rovena
16 January 2026 at 07:46

Udhëheqësja e opozitës së Venezuelës, Maria Corina Machado, u tha gazetarëve jashtë Kapitolit të SHBA-së se ia dorëzoi Donald Trumpit medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqen.

Kishte pasur spekulime nëse ajo do t’ia jepte çmimin presidentit të SHBA-së gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë.

Por ajo tha se kjo u bë në “njohje të angazhimit të tij unik ndaj lirisë”, shkruan skynews.

Nuk është e qartë nëse Trump e ka pranuar medaljen.

Si kujtesë, Machado fitoi Çmimin Nobel për Paqen për vitin 2025 – një nder që vetë Trump e dëshironte qartë – për përpjekjet e saj në fushatën kundër regjimit shtypës të Nicolas Maduros në Venezuelë.

SHBA arrestoi Maduron për ta nxjerrë në gjyq për vepra penale të lidhura me drogën, në një bastisje të guximshme, në fillim të këtij muaji.

PS mbledh sot grupin parlamentar, çfarë do të diskutohet

By: Rovena
16 January 2026 at 07:35

Partia Socialiste mbledh këtë të premte, 16 janar, Grupin Parlamentar. Takimi nis në orën 10:00 të mëngjesit me fjalën e kryeministrit Edi Rama.

Sipas agjendës është parashikuar që të mbajë nga një fjalë edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Nga ana tjetër, deputetët e PS do të dëgjojnë edhe raportet e veprimtarive të Komisioneve Parlamentare. Është parashikuar që secili relator të ketë dhjetë minuta kohë për raportin ndërsa folësit do të kenë jo më shumë se dy minuta për të diskutuar.

Është parashikuar që mbledhja të zgjasë deri rreth orës 13:30. Më pas i është lënë radha konkluzioneve që do të mbyllet në fund me fjalën e kryeministrit Edi Rama.

Parashikimi i motit, 16 janar 2026

By: Rovena
16 January 2026 at 07:20

Ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të qëndrueshme. Moti parashikohet alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit, pas orëve të mesditës mot me kthjellime dhe vranësira kalimtare.

Në veriperëndim – perëndim, pjesërisht në qendër dhe në ekstremin jugor në orët e mëngjesit deri në orët e mesditës reshje shiu tëherëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal. Mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes.

Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 5 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 9 m/s.. Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

Horoskopi 16 janar 2026, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

By: Rovena
16 January 2026 at 07:12

Dashi-Keqkuptimet do t’ju prishin ditën sot dhe tensionet nuk do të mungojnë, njëlloj si ditët e kaluara. Do të ndjeni nevojën që të përqendroheni më shumë në rikuperimin e gjendjes psikologjike dhe fizike gjatë kësaj dite. Situata financiare po i kthehet gradualisht normalitetit.

Demi-Planet mund të ndryshojnë për shkak të zhvillimeve të papritura. Ndikimi i favorshëm i Hënës, Mërkurit dhe Saturnit në shenjën tuaj, do të thotë më shumë vëmendje lidhur me çështjet profesionale dhe paratë. Ndoshta një ndryshim i nisur, do të mund të përfundojë.

Binjakët-Jeni zgjuar shumë të lumtur sot dhe kjo do e bëjë të kënaqshme ditën tuaj. Në familje paraqiten disa situata të sikletshme që me ndikimin e kundërt të Venusit, rrezikoni që të humbni kohë, si dhe do t’ju duhet që të rishihni disa marrëveshje. Ndiqni rrjedhën dhe mos ecni kundër rrymës, pa qenë të bindur për veprimet tuaja.

Gaforrja-Do të jeni të detyruar të punoni vazhdimisht. Nuk duhet të mërziteni, nëse ndonjë nga këto ditë bëni më shumë për veten se për të tjerët. Ka ardhur momenti që të vlerësoni veten tuaj. Është mirë që të gjeni një marrëveshje lidhur me ndjenjat tuaja.

Luani-Sot do të përshkoheni nga dëshira e madhe për të dalë nga një sërë vështirësish. Mund të ndodhin vonesa apo keni mungesë vendosmërie, por asgjë më shumë. Kjo ditë favorizon fushën e ndjenjave, ku do të rigjeni emocionet e humbura ditët e fundit.

Virgjëresha-Rrezikoheni të përfshiheni në konflikte familjare për shkak të mendimeve ndryshe. Të lindurit e kësaj shenje janë të ndarë në dy grupe, ata që kanë një dashuri dhe nuk arrijnë që ta jetojnë siç duhet dhe ata që nuk kanë një ndjenjë të konsoliduar. Ballafaqimi me problemet sot mund të jetë me rrezik.

Peshorja-Mos e humbni durimin, pasi në fund do të dalë e vërteta. Nëse keni pësuar një zhgënjim në dashuri, ky është momenti për të reflektuar dhe për të lënë pas gjithçka. Kjo ditë do të jetë mjaft e rëndësishme, për të kuptuar drejtimin se nga ju çon zemra.

Akrepi-Do të ishte mirë që të mos gjykoni, pasi do të jeni të përhumbur dhe rrezikoni që të gaboni rëndë. Nuk do të jeni në formë perfekte, madje do të shfaqni nervozizëm. Personat që ju rrethojnë, mund të mendojnë se nuk jeni mirë. Jeni në një fazë rebelimi, ndaj bëni kujdes.

Shigjetari-Kjo është dita e duhur për të nisur një fazë të re në jetën tuaj, sidomos lidhur me anën profesionale. Hëna do t’i shqetësojë jo pak të lindurit e kësaj shenje, për shkak të ndikimit të kundërt të saj. Megjithatë duhet të rrini të qetë, pasi është situatë kalimtare. Ky muaj parashikon mundësi të mëdha sa u takon ndjenjave.

Bricjapi-Keni humbur humorin e zakonshëm dhe kërkoni të mbështeteni diku. Prisni rikuperim të shpejtë sa u takon çështjeve personale dhe atyre profesionale. Mos e shfryni mërzinë tuaj tek njerëzit më të dashur. Për emocionet, parashikohen mundësi të mëdha për të ardhmen.

Ujori-Kjo ditë është nën ritmet e duhura për të lindurit e kësaj shenje. Mundohuni që ta merrni çdo situatë me qetësi! E keni më të vështirë që të menaxhoni anën emocionale tuajën, ndaj mundohuni të mbani situatën nën kontroll.

Peshqit-Ka ardhur momenti të merrni në dorë jetën tuaj dhe të ndryshoni gjërat që nuk shkojnë. Dashuria për të lindurit e kësaj shenje pritet të jepet pa limit! Por kur ekzagjerohet, mund të kthehet kundër. Kjo ditë parashikon jo pak shqetësime sa i takon dashurisë dhe ndjenjave.

❌
❌