Ferizaj mposht Drenicën në penallti dhe kalon në çerekfinale të Kupës së Kosovës
Ferizaj ka arritur të kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Kosovës, pasi ka mposhtur Drenicën me rezultat 4-3 në penallti, pasi 120 minuta lojë u mbyllen baras 0-0.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Liman Gegaj të Malishevës, e vlefshme për 1/8-tën e Kupës së Kosovës, ka sjell si fitues Ferizajn, e cila mposhti Drenicën vetëm pas ekzekutimit të penalltive.
Pjesa e parë dhe pjesa e dytë u zhvillua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat patën raste të pakta dhe nuk arritën ta gjejnë golin duke shkuar në pushim me rezultat 0-0.
Edhe në vazhdime ekipet nuk arritën ta gjejnë golin pasi ishin më të mbyllur mbrapa duke mos dashur të gabojnë dhe kështu ndeshja u mbyll 0-0, duke bërë që fituesi të vendoset nga penalltitë.
Pas ekzekutimit të penalltive, skuadra më e saktë ishte ajo e Ferizajt, e cila fitoi me rezultat 4-3 ndaj Drenicës, duke siguruar kështu kualifikimin në çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Ndryshe, më herët ishte Llapi që e siguroi kalimin në çerekfinale pasi eliminoi Dritën me një fitore 2-1 në Gjilan.
Gjatë ditës së nesërme do të luhen edhe ndeshje tjera si Dukagjini-Prishtina e Re, Prishtina-Ballkani, Gjilani-Liria, Vushtrria-Vëllaznimi dhe Trepça ’89-Malisheva, teksa të mërkurën e ardhshme luajnë Feronikeli-74’-Dinamo. /Telegrafi/
