Alarmi i rremë, Shqipëria në titujt e mediave si shënjestër e Iranit
Nga Patris Pustina
Më 2 mars 2026, peizazhi mediatik shqiptar u përfshi nga paniku. “Irani mund të sulmojë bazën e muxhahedinëve,” alarmonin titujt e portaleve duke cituar herë “mediat e huaja” herë “mediat botërore” herë “mediat azere” e herë pa cituar fare.
Lajmi mori jehonë edhe në parlament, kur deputetja e qarkut Durrës e Partisë Demokratike, Manjola Luku, foli për mundësinë e një sulmi nga Irani duke thënë se banorët e Manzës janë të shqetësuar nga një sulm iranian.
E gjithë kjo fushatë paniku duket se e ka zanafillën në një artikull të vetëm të botuar më 2 mars në portalin azer Caliber.az, me titullin “IRGC e Iranit mund të sulmojë bazën e Muxhahedinëve në Shqipëri”.
Pjesa më e madhe e artikullit të medias azere konsiston në një përshkrim dhe historik të organizatës së muxhahedinëve, i cili paraprihet nga vetëm tre fjali:
“Mes tensioneve në rritje rajonale, thuhet se po shqyrtohet mundësia e një sulmi iranian ndaj selisë së “Monafeqin” — Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (MEK) — që ndodhet në bazën Ashraf-3 në Shqipëri. Shërbimi për shtyp i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha në Telegram se veprimet e mundshme thuhet se kanë të bëjnë me një strukturë që Teherani e konsideron të lidhur me ‘aktivitete armiqësore’. Disa burime, duke iu referuar sulmeve të fundit të Iranit ndaj objektivave në Qipro, pohojnë se Irani nuk po e kufizon më veten në një gjeografi specifike kur synon qendrat e lidhura me kundërshtarët e tij dhe po zgjeron fushëveprimin e aftësive të tij operacionale përtej rajonit”
Artikulli pretendon se “thuhet se po shqyrtohet mundësia” e një sulmi iranian pa treguar se kush po e thotë këtë.
Ai parafrazon një deklaratë të pretenduar të IRCG ku nuk përmendet Shqipëria por një strukturë që Irani e konsideron të lidhur me aktivitete armiqësore, një përkufizim që do ta përmbushte çfarëdo baze ushtarake amerikane, si ato që janë goditur tashmë nga Irani në Lindjen e Mesme, apo ato britanike në Qipro.
As burimet anonime të cituara në artikull nuk duket se përmendin Shqipërinë, por thjesht deklarojnë se, duke parë goditjen e bazave ushtarake britanike në Qipro, sulmet e Iranit duket se nuk po kufizohen më gjeografikisht në Lindjen e Mesme.
Pretendimi se Shqipëria mund të jetë në shënjestër të sulmeve iraniane duket se është një përfundim në të cilin ka dalë vetëm autori i artikullit, zoti Khagan Isayev.
Faktoje ka pyetur z. Isayev mbi burimet ku bazohet ky pretendim, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk ka marrë ende përgjigje.
Burimi
Burimi i vetëm i verifikueshëm në këtë artikull është deklarata që pretendohet se është botuar në Telegram nga IRGC. Lidhja që referon autori të dërgon vërtet në një kanal Telegrami të quajtur @sepah_pasdaran.
Megjithatë, deklarata e pretenduar duket se nuk ekziston, ose të paktën nuk ekziston më.

Një shqyrtim i vetë kanalit të Telegramit zbulon një detaj interesant. Megjithëse ai mban emrin Sepah Pasdaran, një emër alternativ për IRGC, dhe logon e Gardës Revolucionare, në përshkrimin e kanalit deklarohet: “Kjo është personale dhe përditësohet nga mbështetësit”

Në fakt, ky kanal, ndër të tjerë, është përshkruar nga BBC në 2025 si “kanale jozyrtare të lidhura me IRGC” që “duket se drejtohen nga mbështetës dhe administratorë të lidhur me IRGC, të cilët ndajnë lajme dhe propagandë rreth Gardës”
Në fakt, në Gusht 2025, agjensia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se Departamenti i Marrëdhënieve me Publikun i (IRGC) njoftoi se kishte hapur llogari zyrtare në mediat sociale për herë të parë.
Deklarata renditi llogaritë zyrtare në Telegram (@sepahnewsir403) dhe X, si dhe në platformat vendase iraniane. Ç’është më domethënëse për rastin tonë, ajo konfirmoi se asnjë nga kanalet e tjera të mediave sociale me titullin ‘Sepah’ ose tituj të ngjashëm nuk janë media zyrtare të IRGC dhe nuk mund të citohen për të pasqyruar qëndrimet e Gardës.

Kanali zyrtar i IRGC në Telegram, @sepahnewsir403
Sipas BBC, “disa media ndërkombëtare dhe vendase i kanë cituar gabimisht këto [kanale Telegrami jo-zyrtare me emra që përmbajnë ‘Sepah’] si “zyrtare” në disa raste në të kaluarën. Shumë besonin se Korpusi kishte mbajtur qëllimisht një re paqartësie rreth komunikimeve dhe propagandës së tij”
Pra, kanali i Telegramit që citohet si “shërbimi për shtyp” i IRGC nga artikuli azer në fakt është një kanal jo-zyrtar.
Alarm i përsëritur
Alarmi i kërcënimit të raketave iraniane zgjohet herë pas herë në median shqiptare, jo gjithmonë mbi baza të qenësishme.
Në verën e vitit 2022, Faktoje përgënjeshtroi një pretendim të ngjashëm për sulme me raketa dhe dronë nga Irani drejt kampit të MEK në Manëz.
Më herët, në 2020, vetë Ali Khamenei, lideri suprem i Iranit, i është referuar Shqipërisë, si “një vend shumë i vogël, por shumë djallëzor europian, ku elementë amerikanë bashkëpunojnë me tradhtarë iranianë dhe planifikojnë kundër Republikës Islamike”
Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO)
Shpërthimi i konflikteve në botë pasohet menjëherë nga alarme për raketa e luftë në Shqipëri nëpër mediat shqiptare.
Megjithatë, siç Faktoje ka theksuar dhe më parë, një skenar i tillë nuk ka shumë gjasa të ndodhë në Shqipëri, kryesisht sepse kjo e fundit është anëtare e NATO.

Vendet anëtare të NATO tregohen në këtë hartë me ngjyrë blu të thellë
Neni 5 i Traktatit Atlantiko-Verior parashikon:
“Palët bien dakord se një sulm i armatosur kundër një apo më shumë prej tyre në Evropë apo në Amerikën e Veriut do të quhet si sulm kundër të gjitha atyre dhe si pasojë bien dakord që, nëse ndodh një sulm i tillë, secila nga ato, në ushtrim të së drejtës së vetëmbrojtjes kolektive apo individuale të njohur nga Neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojë Palën apo Palët e sulmuara në këtë mënyrë duke ndërmarrë menjëherë, individualisht dhe në bashkërendim me palët e tjera, ato veprime që i vlerëson si të nevojshme, përfshirë këtu përdorimin e forcave të armatosura, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në zonën e Atlantikut të Veriut.
Çfarëdo sulmi i tillë i armatosur dhe të gjitha masat e marra si rrjedhojë e tij do t’i njoftohen menjëherë Këshillit të Sigurimit. Masa të tilla do të përfundojnë kur Këshilli i Sigurimit të ketë marrë masat e nevojshme për të rivendosur dhe ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”
Parimi i vetëmbrojtjes kolektive, si parandalim i zgjerimit të Bashkimit Sovjetik në Europën Lindore, ishte nga qëllimet kryesore për krijimin e NATO-s në 1949. Neni 5 i Traktatit u citua për herë të parë pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në ShBA. Pasi Këshilli i Atlantikut të Veriut u informua se sulmi ishte i drejtuar nga jashtë, pati konsultime mes aleatëve dhe Këshilli vendosi për veprim kolektiv.
Bazuar në këtë nen, një sulm iranian me raketa kundër kampit MEK në truallin e shtetit shqiptar do të quhej një sulm kundër 30 shteteve anëtare të NATO-s dhe do të ftonte një kundërpërgjigje nga organizata më e mirë-armatosur në histori.
A mund të godasë Irani Shqipërinë?
Ledion Krisafi, studiues i çështjeve ndërkombëtare, tha për Faktoje se, megjithëse Shqipëria është në rrezen e raketave më të përparuara iraniane, do të ishte thuajse e pamundur që një raketë iraniane të arrinte në vend.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore të ShBA, Izraelit dhe vendeve të tjera do ta kapnin një raketë të tillë që në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, sistemi i mbrojtjes që ka Greqia është shumë i mirë dhe nëse [raketa] do të arrinte të kalonte Lindjen e Mesme sistemi mbrojtës grek do e kishte kapur,” sqaroi ai. “Mendoj që raketa është diçka e padiskutueshme. është e pamundur që të vijë një raketë iraniane në Shqipëri”
Eksperti i sigurisë Faik Basha bie dakord. “Greqia ka filluar të aktivizojë sistemin e mbrojtjes kundër-ajrore. Italia po ashtu e ka të aktivizuar. Turqia e ka të aktivizuar,” tha Basha për Faktoje.
Ai shton se, duke qenë se pjesa perëndimore e Iranit është nën sulmin e forcave izraelite dhe amerikane, që kanë prishur një pjesë të sistemit iranian të lëshimit të raketave, mendohet se një pjesë e raketave iraniane lëshohen nga Irani lindor. Kjo e rrit distancën që raketat duhet të përshkojnë për të arritur Manzën.
Basha mendon gjithashtu se, si pasojë e valës së sulmeve drejt bazave amerikane në Lindjen e Mesme, Irani është hapur përtej kapaciteteve të tij për të mbajtur gjallë sulme në disa drejtime të ndryshme.
Një tjetër opsion sulmi iranian janë dronët, të cilët sipas Krisafit mund të nisen nga Libani, si distanca më e afërt e mundshme. “Por edhe për dronët, distanca është shumë e largët për të arritur një dron nga Libani në Shqipëri”
E vetmja mënyrë e qenësishme që Krisafi sheh për një sulm hipotetik iranian në Shqipëri do të ishte “një element i [Iranit] brenda Shqipërisë, i cili mund të modifikonte ndonjë dron të vogël për të bërë një goditje të tillë“
A do ta godiste Irani Shqipërinë?
Pasi pyetëm se si do mund ta godiste Irani Shqipërinë, vlen të pyetet pse do ta godiste Irani Shqipërinë. Kampi muxhahedin i vendosur në Shqipëri që nga viti 2018 del në pah si përgjigjia vetë-evidente.
Megjithatë, Krisafi shpjegon se muxhahedinët e Shqipërisë nuk janë një opozitë e mirëfilltë, por një opozitë e mbajtur në këmbë me zor nga ShBA. Ata nuk kanë mbështetje popullore në Iran, dhe nuk duket se ka gjasa që kjo ‘opozitë’ të shihet si kandidate e mundshme për marrjen e pushtetit në Iran.
Megjithëse strehimi i muxhahedinëve në Shqipëri mund ta bëjë atë teorikisht një shënjestër, Krisafi mendon se i biri i Shahut të fundit të Iranit, i cili ndodhet në ShBA, mund të ishte një objektiv shumë më i rëndësishëm eleminimi se muxhahedinët.
Përfundim
Pasditen dhe mbrëmjen e 2 marsit 2026, bazuar në një deklaratë që nuk ekziston më, të lëshuar nga një kanal jo-zyrtar, mediat shqiptare nisën një fushatë alarmi që shtoi ankthin dhe pasigurinë në kohëra të pasigurta.
The post Alarmi i rremë, Shqipëria në titujt e mediave si shënjestër e Iranit appeared first on Faktoje.al.