Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 January 2026Main stream

Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ndotja mjedisore dhe problemet e sigurisë teknike të mjeteve mbeten shqetësime kryesore në qarkullimin rrugor.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga mbi 338 mijë testime të kryera gjatë vitit, 81.065 automjete u refuzuan, duke përbërë 23,5 për qind të totalit. Arsyet kryesore të refuzimit lidhen me shkarkimin e gazrave mbi normat e lejuara, defektet vizuale, problemet në sistemin e frenimit, si dhe mangësitë në drejtim dhe pezullim.

Konkretisht, 37,6 për qind e refuzimeve erdhën për shkak të ndotjes nga gazrat, 34,4 për qind për defekte vizuale, 15,2 për qind për probleme me frenat dhe 12,8 për qind për defekte në drejtim dhe pezullim.

DPSHTRR bën të ditur se, pas ndërhyrjeve dhe riparimeve, 73.230 automjete u ritestuan dhe kaluan me sukses kontrollin teknik, ndërsa 7502 mjete vijojnë të jenë ende në pritje të riparimit. Ndërkohë, 333 automjete u refuzuan përfundimisht gjatë vitit 2025, pasi u konstatua manipulim i odometrit, një shkelje që cenon drejtpërdrejt sigurinë rrugore.

DPSHTRR thekson se kontrolli teknik mbetet një element kyç për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe reduktimin e ndotjes mjedisore, teksa i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë standardet e kërkuara për qarkullim të sigurt.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Paketë dëmshpërblimi për banesat dhe bujqësinë

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka inspektuar sot në terren situatën e rënduar nga përmbytjet në zonën e Urës së Mifolit (Fier) shkaktuar nga reshjet intensive.

Balluku bëri të ditur se prioritet është shpëtimi i gjësë së gjallë, ndërsa informoi se Kryeministri po përgatit një paketë dëmshpërblimi që do të përfshijë si banesat, ashtu edhe pasuritë bujqësore.

Ajo njoftoi gjithashtu se nesër do të zhvillohet një mbledhje e Komitetit të Emergjencave, ku Kryeministri do të bëjë një adresim për masat urgjente dhe ndërhyrjet e nevojshme.

“U bëjmë thirrje qytetarëve t’u përgjigjen thirrjeve të Emergjencave Civile dhe të marrin masat e nevojshme për të shmangur rreziqet, pasi situata mund të agravojë”, tha ministrja Balluku.

Ajo shtoi se pritet një rënie graduale e nivelit të Vjosës – ndikuar edhe nga reshjet në Greqi – dhe situata do të monitorohet në orët dhe ditët në vijim.

“Kemi të gjithë angazhimin e duhur për mbrojtjen dhe për shpëtimin e gjësë së gjallë në këtë moment. Duhet të jeni në dijeni se Kryeministri bashkë me Ministrinë e Financave është duke dizenjuar një paketë që do të garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore, dhe për banesat”, tha Balluku.

“Nesër në mëngjes, – shtoi ajo, – do ketë një mbledhje të komitetit të emergjencave ndërqeveritare, ku do të bëhet edhe një adresim nga Kryeministri, jo vetëm për zgjidhjen e situatës, por edhe për përballimin e të gjithë kësaj situate, por edhe për aspekte të tjera të rëndësishme që duhen bërë të ditura. Në këtë moment u bëj thirrje dhe u kërkojmë qytetarëve t’u përgjigjen thirrjeve të emergjencave civile.”

“Kemi shpresë për një rënie të nivelit të Vjosës që ndikohet edhe nga reshjet në vendin tonë, por edhe në Greqi në këto momente, por shpresojmë që në orët e ardhshme do të përmirësohet situata”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja informoi se sistemi energjetik ka funksionuar shumë mirë, pavarësisht kushteve të vështira të motit, pa ndërprerje të gjata të energjisë, qoftë nga linjat e transmetimit të OST, qoftë nga OSHEE.

Ndërsa theksoi se, gjatë 24 orëve të ardhshme priten erëra të fuqishme në disa zona, që mund të arrijnë deri në 17 m/s, ndërsa më vonë shpejtësia e erës pritet të arrijë deri në 25 m/s, teksa reshjet e borës kanë nisur në rajonet veriore dhe juglindore, duke krijuar një situatë kritike, ndaj ekipet janë në terren për ta përballuar.

“Situata është e ndjeshme edhe për furnizimin me ujë: në Fier, katër pompa ndodhen nën ujë, por qyteti po furnizohet normalisht, dhe do të ketë vëmendje maksimale për menaxhimin e energjisë dhe ujësjellësve”, deklaroi ajo.

Ekipet e emergjencave dhe institucionet lokale vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e banorëve të prekur.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Balluku: Paketë dëmshpërblimi për banesat dhe bujqësinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dollari amerikan forcon pozitat ndaj lekut

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Në tregun e brendshëm valutor, të enjten leku ka humbur terren ndaj dollarit amerikan, ndërsa është forcuar lehtë me euron, krahasuar me një ditë më parë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha amerikane u forcua me 0,10 lekë dhe këmbehet me 82,68 lekë, ndërsa euroja humbi 0,01 lekë dhe këmbehet me 96,56 lekë.
Paundi britanik krahasuar me një ditë më parë, u zhvlerësuar me 0,37 lekë dhe zbriti në kuotën e 111,11 lekëve. Edhe franga zvicerane humbi terren duke zhvlerësuar me 0,03 lekë dhe këmbehet me 103,77 lekë.
Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar amerikan USD 82.68 +0.10
Euro EUR 96.56 -0.01
Poundi Britanik GBP 111.11 -0.37
Franga Zvicerane CHF 103.77 -0.03
Jeni Japonez (100) JPY 52.77 -0.01
Dollari Australian AUD 55.35 -0.28
Dollari Kanadez CAD 59.58 -0.22
Korona Suedeze SEK 8.98 -0.01
Korona Norvegjeze NOK 8.18 -0.04
Korona Daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.07 +0.05
Ari (OZ 1) XAU 366436.54 -2,178.66
Argjendi (OZ 1) XAG 6269.29 -276.17
Juani Kinez (onshore) CNY 11.82 +0.01
Juani Kinez (offshore) CNH 11.84 +0.03
Lira Turke TRY 1.92 0.00

/a.f/r.e/

The post Dollari amerikan forcon pozitat ndaj lekut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla në Fier: Ekipet në terren për mbështetjen e banorëve dhe evakuimin e bagëtive

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi sot se të gjithë strukturat e ministrisë, bashkë me bordet e kullimit dhe veterinarinë, janë angazhuar në terren për evakuimin e bagëtive të rrezikuara nga përmbytjet, me qëllim parandalimin e dëmeve në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë nga moti me reshje intensive të shiut.

Gjatë monitorimit në terren të situatës, në urën e Mifolit në Fier, Salla tha për mediet, se disa banorë nuk kanë pranuar të evakuohen, ndaj ndërhyrja po bëhet në bashkëpunim me Emergjencat Civile.

“Bordi i Kullimit në këtë qark është në terren me 16 ekskavatorë, duke punuar për riparimin e argjinaturave dhe ndërhyrje të shpejta me mjete të rënda për parandalimin e përmbytjeve”, tha ministri.

Ai shtoi se hidrovoret funksionojnë me kapacitet të plotë për të përballuar situatën e krijuar nga reshjet e dendura dhe po monitorohet çdo zhvillim për të mbrojtur banorët dhe pronat e tyre.

“Jemi pranë banorëve bashkë me ekipet e bashkive për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga situata në sektorin e blegtorisë dhe bujqësisë, dhe për të mbështetur çdo familje të prekur me dëmshpërblim të dëmeve nga kjo situatë”, theksoi Salla.

Ministri bëri thirrje që banorët të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të bashkëpunojnë gjatë evakuimit për të shmangur rreziqet e mundshme. Ekipet e Ministrisë dhe të Emergjencave Civile do të vazhdojnë të jenë në terren deri në normalizimin e plotë të situatës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Salla në Fier: Ekipet në terren për mbështetjen e banorëve dhe evakuimin e bagëtive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Borë në zonat malore, ARRSH: Përdorni gomat dimërore

TIRANË, 8 janar /ATSH/ Moti i keq me reshje bore që ka përfshirë në zonat veriore dhe juglindore të vendit ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën të ditur se kontraktorët janë në terren në mënyrë të pandërprerë në të gjitha akset rrugore, teksa rekomandon për drejtuesit e mjeteve, që në akset me prezencë bore të përdoren gomat dimërore.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë natës kanë vijuar reshjet e shiut, ndërsa në shumë zona malore ka nisur dëbora. Reshje dëbore janë evidentuar në disa segmente rrugore të Rajonit Verior, ku përfshihen akset Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Bujan–Qafë Morinë (doganë), Sopot–Kërrnajë, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj, Bulqizë, Qafë Bualli–Peshkopi, Peshkopi–Maqellarë, Hani i Hotit–Dogana Vermosh, Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Pukë–Fushë-Arrëz, Bogë–Theth si dhe Qafë Mali–Fushë Dukagjin.

Në Rajonin Qendror, reshje dëbore janë regjistruar në akset Surrel–Qafë Priskë–Qafë Mollë, Elbasan–Gjinar dhe Ibë–Kërrabë–Elbasan.

Ndërkohë, në Rajonin Jugor, situata me dëborë është konstatuar në Llogora, Qafë Thanë, Korçë–Voskopojë, Boboshticë–Dardhë, Korçë–Ersekë dhe Ersekë–Leskovik.

ARRSH bën me dije se kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore janë në terren pa ndërprerje, 24 orë në 7 ditët e javës, me mjete dhe punëtorë, për pastrimin e akseve nga dëbora dhe garantimin e qarkullimit.

Autoriteti Rrugor u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme dhe të kryejnë udhëtime vetëm për nevoja esenciale, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe lehtësimin e punës së ekipeve të mirëmbajtjes.

Po ashtu, ARRSH thekson se përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore ose aty ku është njoftuar për prani dëbore dhe ngricash, pasi ato sigurojnë drejtim më të sigurt, frenim dhe kontroll më të mirë të mjetit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon që drejtuesit e mjeteve të ndjekin paralajmërimet e strukturave përgjegjëse, të mos nënvlerësojnë rrezikun nga ndryshimet e motit dhe të informohen vazhdimisht për gjendjen e rrugëve, përmes komunikatave zyrtare.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Borë në zonat malore, ARRSH: Përdorni gomat dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Rrëshqitje të tokës në Vlorë, Allushi: Strukturat në gatishmëri të plotë

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale edhe në Qarkun e Vlorës, ku situata më problematike paraqitet në bashkinë e Selenicës. Si pasojë e shkarjes së dherave në aksin rrugor Kotë–Sevaster, pranë fshatit Vajzë, janë shembur tri banesa.

Prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi, së bashku me kryetarin e bashkisë Selenicë, inspektuan nga afër situatën në terren, për të vlerësuar dëmet dhe për të ndjekur ndërhyrjet e nevojshme nga strukturat përkatëse.

“Banorët po përballen me një situatë të vështirë. Iu bashkova shqetësimit të tyre dhe kërkova nga bashkia dhe të gjitha strukturat përgjegjëse që të jenë në shërbim të pandërprerë të komunitetit, duke i siguruar për mbështetjen e plotë të prefekturës”, u shpreh prefektja Allushi.

Më herët, prefektja e Qarkut të Vlorës, në koordinim me kryetarin e njësisë administrative Novoselë, zhvilloi një takim me kryetarët e fshatrave të kësaj njësie, ku u diskutua mbi masat parandaluese dhe informimi i banorëve për rrezikun e daljes së lumit nga shtrati.

“Prefektura është në terren dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës, me qëllim koordinimin në kohë reale të strukturave përkatëse dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të çdo problematike që mund të lindë”, theksoi prefektja Allushi.

Aktualisht në qarkun e Vlorës situata e krijuar nga reshjet paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.

1 nga 5

/e.xh/r.e/a.f/

The post Rrëshqitje të tokës në Vlorë, Allushi: Strukturat në gatishmëri të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohen lehtë euroja dhe dollari në raport me lekun

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën dollari amerikan dhe euroja fituan lehtë terren në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot me 82,58 lekë, ose 0,16 lekë më shumë.

Një euro u ble me 96,57 lekë, ose 0,02 lekë më tepër se ditën e martë, ndërsa paundi britanik u këmbye me 111,48 lekë, ose 0,08 lekë më pak.

Franga zvicerane këmbehet sot me 103,80 lekë, ose 0,23 lekë më pak se ditën e martë.

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.58 +0.16
Euro EUR 96.57 +0.02
Poundi Britanik GBP 111.48 -0.08
Franga Zvicerane CHF 103.80 -0.23
Jeni Japonez (100) JPY 52.78 +0.07
Dollari Australian AUD 55.63 +0.25
Dollari Kanadez CAD 59.80 -0.10
Korona Suedeze SEK 8.99 +0.02
Korona Norvegjeze NOK 8.22 -0.01
Korona Daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.02 +0.35
Ari(OZ 1) XAU 368615.20 +1,413.49
Argjend(OZ 1) XAG 6545.46 +117.52
Juani Kinez (onshore) CNY 11.81 +0.01
Juani Kinez (offshore) CNH 11.81 0.00
Lira Turke TRY 1.92 +0.01

The post Forcohen lehtë euroja dhe dollari në raport me lekun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Golemi: Situata më e vështirë në Gjirokastër ka kaluar, vijon pastrimi i inerteve

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Gjirokastra është një nga qytetet që u përball me problematika të shumta si pasojë e motit të keq dhe reshjeve intensive të shiut. Gjatë mbrëmjes të së martës përroi doli nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje dhe sjellje të sasive të mëdha të inerteve në rrugë dhe zona të ndryshme të qytetit.

Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, deklaroi se po vijon puna për largimin e inerteve nga rrugët. Golemi bëri të ditur se, të gjitha forcat vendore me mjete janë në terren deri në normalizimin e plotë të situatës.

“Kemi kaluar orë të vështira gjatë gjithë ditës së djeshme. Fillimisht patëm problematika në njësinë administrative Odrije, por gjatë mbrëmjes situata u përkeqësua shumë për shkak të reshjeve intensive, të papara prej vitesh, siç na kanë konfirmuar edhe specialistët. Nuk ishin thjesht reshje shiu, por rënie materialesh të shumta të ardhura nga Mali i Gjerë në lagjet kryesore të qytetit”, u shpreh Golemi.

Sipas kryebashkiakut, situata më e keqe tashmë ka kaluar dhe nuk ka pasur rrezik për jetën e qytetarëve. “Nuk kemi pasur jetë njerëzish të rrezikuara. Kemi kryer edhe disa evakuime për arsye sigurie dhe sot mund të themi se situata më e vështirë ka kaluar”, tha ai.

Golemi theksoi se puna për pastrimin e rrugëve ka nisur që mbrëmjen e djeshme. “Sa i përket rrugëve të qytetit, kemi filluar menjëherë me pastrimin e inerteve. Janë tonelata materialesh që po largohen nga rrugët kryesore, fillimisht në aksin ‘18 Shtatori’, dhe puna do të vijojë edhe në lagjet e tjera të qytetit. Kemi mbështetjen e Forcave të Armatosura, Drejtorisë së Rrugëve dhe strukturave të tjera ndihmëse”, tha kryebashkiaku.

Ai shtoi se vëmendja nuk është përqendruar vetëm në qendrën e qytetit.

“Jemi fokusuar në akset kryesore, por nuk kemi lënë pas edhe njësitë administrative. Kemi pasur bllokim në fshatin Lazarat, në njësinë administrative Lunxhëri, ndërsa aktualisht rrugët rurale janë zhbllokuar, me përjashtim të fshatit Dhoksat, ku lumi ka përmbytur rreth 50 metra rrugë dhe po punohet për normalizimin e situatës”, u shpreh Golemi.

Sipas kryetarit të bashkisë, për momentin në Gjirokastër mbeten vetëm dy vatra problematike.

“Njëra është pranë Kishës së Vjetër dhe tjetra në zonën e Cfakës. Specialistët kanë vlerësuar se familjet nuk rrezikohen, por situata po monitorohet për të shmangur probleme të mundshme nga rrëshqitjet e dherave”, tha ai.

Golemi bëri të ditur se nuk janë konstatuar dëme të mëdha në banesa, ndërsa për çdo rast janë vënë në dispozicion konviktet për strehim të përkohshëm. “Me zjarrfikëset dhe grupet e punës po punojmë për largimin e ujit nga banesat dhe bizneset në periferi të qytetit”, shtoi ai.

Sa i përket dëmeve në biznese, kryebashkiaku theksoi se vlerësimi do të kryhet në një fazë të dytë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Golemi: Situata më e vështirë në Gjirokastër ka kaluar, vijon pastrimi i inerteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shiten 1,73 miliardë lekë obligacione 20-vjeçare me normë interesi 6,72%

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Banka e Shqipërisë bën të ditur se u shitën 1,73 miliardë lekë obligacione 20-vjeçare në ankandin e së martës, me yield (normë interesi) 6,72%, nga 6,88% që kishte qenë në ankandin e fundit në shtator të vitit të kaluar.

Ulja e yield-it u përcaktua kryesisht nga kërkesa e lartë e investitorëve, ndërsa vlera totale e ofruar në ankandin për obligacionet 20-vjeçare arriti në 2,92 miliardë lekë.

Obligacionet 20-vjeçare janë instrumentet më afatgjata të borxhit që ofron aktualisht tregu i brendshëm financiar. Ato janë një alternativë e mirë sidomos për investitorët institucionalë.

Banka e Shqipërisë çerli ankandin e parë për obligacionet 20-vjeçare në fillim të 2025. Ky instrument u prit me interes nga investitorët, duke nxitur organizimin edhe të tre ankande të tjera gjatë vitit 2025.

Gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, parashikohet që huamarrja e qeverisë shqiptare në tregun e brendshëm financiar të rritet lehtë. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave, huamarrja e planifikuar do të ketë vlerën e 134 miliardë lekëve, në rritje me 1,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Shiten 1,73 miliardë lekë obligacione 20-vjeçare me normë interesi 6,72% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hasanaj: Në Gjirokastër po punohet për pastrimin e rrugëve nga inertet 

TIRANË, 7 janar /ATSH/ Prefektja e Qarkut Gjirokastër, Albana Hasanaj, deklaroi për ATSH-në se, pavarësisht reshjeve intensive të shiut, të gjitha akset rrugore nacionale në territorin e qarkut janë të kalueshme, ndërsa po vijon puna për pastrimin e rrugëve urbane të qytetit të Gjirokastrës nga inertët dhe rrëshqitjet e dherave.

Sipas prefektes, aktualisht janë konstatuar rrëshqitje dherash kryesisht në akset rrugore rurale, ku grupet e punës dhe ekipet e kompanive kontraktore po punojnë intensivisht për të garantuar qarkullim normal dhe siguri për përdoruesit e rrugëve.

Problematika më e theksuar paraqitet në Bashkinë Gjirokastër, ku sasia e madhe e reshjeve ka sjellë prani inertësh në disa segmente të rrugëve të qytetit. Për normalizimin e situatës janë angazhuar të gjitha strukturat përkatëse, përfshirë Policinë e Shtetit, Bashkinë Gjirokastër, Forcat e Armatosura dhe ekipet e mirëmbajtjes së rrugëve.

Prefektja Hasanaj bëri të ditur se furnizimi me energji elektrike po vijon normalisht në të gjithë qarkun, me përjashtim të dy njësive administrative, ku energjia është stakuar për arsye sigurie, pasi kabinat elektrike ndodhen në zona me prurje të shtuar të ujit. Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon normalisht.

Sa i përket bashkive të tjera të qarkut, Përmet, Këlcyrë dhe Tepelenë, situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll, krahasuar me Bashkinë Gjirokastër.

Prefektja theksoi se situata mbetet dinamike dhe varet nga intensiteti i reshjeve.

“Aktualisht po monitorohen nga afër prurjet në lumenj, të cilat regjistrohen në nivelin 6.5 metra në Memaliaj dhe 4.4 metra në Përmet. Sipas saj, monitorimi i vazhdueshëm është i domosdoshëm, pasi prurjet e shtuara mund të krijojnë problematika edhe për qarqet Fier dhe Vlorë”, tha Hasanaj, teksa bëri të ditur se, “strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin 24-orësh të situatës dhe janë në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike”.

/e.xh/a.f/

The post Hasanaj: Në Gjirokastër po punohet për pastrimin e rrugëve nga inertet  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Hidrovori i Spitallës në funksion të plotë

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla së bashku me Kryetaren e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, prefektin e qarkut dhe drejtorin e Ujitjes dhe Kullimit Durrës, zhvilloi sot një inspektim në hidrovorin Spitallë për të monitoruar nga afër situatën e krijuar si pasojë e reshjeve intensive që kanë përfshirë zonën.

Gjatë inspektimit, ministri Salla theksoi se Durrësi është përballur me një intensitet shumë të lartë reshjesh gjatë orëve të fundit, çka ka sjellë disa problematika të lidhura me përmbytjet dhe prurjet e shtuara.

“Jemi në rezervuarin e Spitallës për të monitoruar nga afër situatën në të cilën ndodhet Durrësi sot, me reshje të rrëmbyeshme dhe problematika të evidentuara gjatë orëve të fundit”, u shpreh ministri.

Ai nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm mes institucioneve, duke theksuar se bashkëpunimi mes bashkisë, emergjencave civile, bordeve të kullimit, prefekturës dhe strukturave teknike është thelbësor për menaxhimin e situatës.

“Duhet të vijojmë me të gjitha ndërhyrjet e nevojshme, sidomos duke pasur parasysh se, sipas parashikimit të motit, reshjet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, tha Salla.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur se strukturat janë në gatishmëri për të ndjekur situatën në kohë reale dhe për të ndërhyrë sipas nevojës, me qëllim mbajtjen nën kontroll të prurjeve dhe parandalimin e përmbytjeve të mëtejshme.

Institucionet përkatëse do të vijojnë monitorimin e situatës në orët dhe ditët në vijim, në funksion të mbrojtjes së tokës bujqësore, infrastrukturës dhe sigurisë së qytetarëve.

1 nga 4

e.xh/

The post Salla: Hidrovori i Spitallës në funksion të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Në Lezhë e Durrës problematika nga përmbytja e tokave bujqësore

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, u mblodhën sot në mjediset e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të raportuar mbi situatën aktuale në vend, si pasojë e motit të keq që ka prekur Shqipërinë gjatë ditës së sotme.

Në mbledhje ishin të pranishëm edhe prefektët e qarqeve, ndërsa ministrat garantuan gatishmërinë e plotë institucionale për përballimin e situatës. Gjatë mbledhjes, ministrat u bënë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe shmangie të zonave me risk.

Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë janë në ndjekje të vazhdueshme të situatës në terren. “Sa i përket Ministrisë së Bujqësisë, i gjithë ekipi i drejtorive të ujitjes dhe kullimit, si dhe drejtoritë në varësi, janë në dispozicion të situatës. Aktualisht, në qarkun e Shkodrës kemi prurje më të lehta, ndërsa në Lezhë dhe Durrës ka problematika që lidhen me përmbytjen e disa zonave të tokës bujqësore”, u shpreh ministri.

Ai sqaroi se deri në këto momente bëhet fjalë për disa hektarë tokë bujqësore të përmbytura, kryesisht në zonën e Durrësit dhe Lezhës.

Salla i bëri thirrje prefektëve për koordinim të ngushtë me bashkitë, duke theksuar se drejtoritë e bordeve të kullimit janë në bashkëpunim të plotë me pushtetin vendor, por se nevojitet edhe koordinim i vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile.

Sipas tij, problematikat lidhen kryesisht me disa kanale kryesore që rrezikojnë të dalin nga shtrati, çka mund të sjellë përmbytje të mëtejshme. “Qëllimi ynë është të parandalojmë përmbytjet, të cilat aktualisht prekin kryesisht tokat bujqësore, dhe të shmangim çdo rrezik për banesat e qytetarëve”, theksoi ai.

Në përfundim, ministri i Bujqësisë bëri të ditur se do të jenë edhe në terren, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, për të koordinuar nga afër veprimet dhe për të monitoruar situatën në zonat e prekura, duke ndërhyrë me mjete dhe masa shtesë nëse do të jetë e nevojshme.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Salla: Në Lezhë e Durrës problematika nga përmbytja e tokave bujqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKU vijon fushatën për etiketime të sakta ushqimore dhe siguri për konsumatorët

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) vijon edhe në fillim të këtij viti të jetë në terren për të mbështetur dhe këshilluar operatorët e biznesit ushqimor, në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorit.

Qarku Lezhë ishte ndalesa e radhës për zhvillimin e fushatës ndërgjegjësuese të AKU-së, e cila është fokusuar në etiketimin e produkteve ushqimore të paketuara. Gjatë takimeve në terren, specialistët e AKU-së informuan subjektet mbi kërkesat ligjore që duhet të plotësohen në etiketim në gjuhën shqipe, duke theksuar rëndësinë e informacionit të saktë dhe të plotë për konsumatorin.

Sipas AKU-së, etiketimi në përputhje me legjislacionin në fuqi nuk është vetëm një detyrim ligjor për bizneset ushqimore, por një garanci për sigurinë dhe shëndetin e konsumatorit, duke i mundësuar atij të bëjë zgjedhje të informuara mbi produktet që konsumon.

“Këto janë fushata ndërgjegjësuese që zhvillohen tek bizneset, të cilat shërbejnë si hallka ndërmjet prodhuesve ose distributorëve dhe konsumatorëve. Qëllimi është të nxisin operatorët të lexojnë dhe respektojnë etiketat e produkteve, duke informuar konsumatorin mbi përmbajtjen dhe karakteristikat e ushqimit që tregtojnë. Edhe pse produktet mund të kenë etiketa në nivel prodhuesi, kur ato copëtohen ose paketohen sipas kërkesave të konsumatorit, shpesh mungon etiketimi, ndaj dhe ndërgjegjësimi i bizneseve bëhet i domosdoshëm për garantimin e informacionit të saktë për konsumatorin”, thekson AKU në njoftimin e saj.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën të ditur se fushata ndërgjegjësuese do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, paralelisht me kontrollet rutinë, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë ushqimore dhe forcimin e bashkëpunimit me operatorët e biznesit ushqimor.

/e.xh/r.e/a.f/

The post AKU vijon fushatën për etiketime të sakta ushqimore dhe siguri për konsumatorët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Leku forcon lehtë pozitat ndaj euros dhe dollarit

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të martën dollari amerikan dhe euroja, humbën pikë në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar u këmbye sot me 82,42 lekë, ose 0,29 lekë më pak se ditën e hënë.

Një euro u ble me 96,55 lekë, ose 0,09 lekë më pak se dje dhe franga zvicerane u ngjit në kuotën e 104,03 lekëve duke u këmbyer me 0,12 lekë më shumë se në fillim të javës.

Ndërsa paundi britanik u këmbye me 111,56 lekë, ose 0,31 lekë më shumë se ditën e hënë.

Monedha kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 82.42 -0.29
Euroja EUR 96.55 -0.09
Paundi britanik GBP 111.56 +0.31
Franga zvicerane CHF 104.03 +0.12
Jeni japonez (100) JPY 52.71 -0.06
Dollari australian AUD 55.38 +0.11
Dollari kanadez CAD 59.90 -0.15
Korona suedeze SEK 8.97 0.00
Korona norvegjeze NOK 8.23 +0.03
Korona daneze DKK 12.92 -0.02
SDR SDR 112.67 -0.51
Ari (OZ 1) XAU 367201.71 +285.11
Argjendi (OZ 1) XAG 6427.94 +120.29
Juani kinez (onshore) CNY 11.80 -0.02
Juani kinez (offshore) CNH 11.81 -0.04
Lira turke TRY 1.91 -0.01

/e.xh/a.f/r.e/

The post Leku forcon lehtë pozitat ndaj euros dhe dollarit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshjet në qarkun Kukës, Baji: Akset nacionale të kalueshme, probleme me energjinë në Tropojë të Vjetër

TIRANË, 6 janar /ATSH/ Prefekti i Qarkut Kukës, Dritan Baji deklaroi për ATSH-në se, pavarësisht reshjeve intensive të shiut që kanë përfshirë të gjithë territorin, situata në qark paraqitet e qëndrueshme deri në orën 08:10, të datës 6 janar 2026, ndërsa strukturat përkatëse ndodhen në terren dhe janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo situatë të mundshme.

Sipas Bajit, si pasojë e kushteve të motit, akset rrugore nacionale janë nën ndikimin e rënies së gurëve dhe inerteve në segmente të veçanta, por subjektet kontraktore kanë vijuar punën pa ndërprerje për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve, duke ndërhyrë menjëherë aty ku janë shfaqur problematika.

“Aktualisht, të gjitha akset rrugore nacionale në Qarkun Kukës janë të qarkullueshme”, theksoi prefekti.

Ai bëri të ditur gjithashtu se nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për situata emergjente apo problematika që kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, Baji informoi se i gjithë qarku furnizohet normalisht, me përjashtim të 16 abonentëve në njësinë administrative Tropojë e Vjetër, në bashkinë Tropojë, ku po punohet për rikthimin e energjisë.

Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Kukës.

Prefekti Baji theksoi se strukturat përkatëse janë në gatishmëri të plotë dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, duke qëndruar në kontakt të përhershëm me institucionet vendore dhe shërbimet emergjente.

1 nga 2

/k.s/e.xh/a.f/r.e/

The post Reshjet në qarkun Kukës, Baji: Akset nacionale të kalueshme, probleme me energjinë në Tropojë të Vjetër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SMIAL platforma kombëtare për menaxhimin e arsimit të lartë

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se, me vendimin e Këshillit të Ministrave, SMIAL – Sistemi i Menaxhimit të Informacionit në Arsimin e Lartë është bërë zyrtarisht platforma kombëtare për menaxhimin e arsimit të lartë.

Sipas ministres, sistemi modernizon menaxhimin e arsimit të lartë duke siguruar të dhëna të unifikuara, transparencë dhe siguri të informacionit për studentët dhe universitetet.

SMIAL synon të ofrojë një qasje më të integruar dhe efikase ndaj të dhënave, duke përmirësuar planifikimin, monitorimin dhe raportimin në nivel kombëtar, si dhe duke mundësuar marrjen e vendimeve të bazuara në informacion të saktë dhe të përditësuar.

Ministrja Kumbaro theksoi rëndësinë e këtij sistemi për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe për sigurimin e një administrimi më transparent dhe efektiv të resurseve dhe të dhënave universitare.

Sistemi SMIAL ndërvepron me bazën e të dhënave shtetërore të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile; Sistemin e Provimit të Shtetit dhe provimeve të tjera të digjitalizuara; Regjistrin Elektronik Kombëtar për të Huajt në Republikën e Shqipërisë; Regjistrin Tregtar dhe Sistemin e Tatimit Elektronik.

The post SMIAL platforma kombëtare për menaxhimin e arsimit të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AZHBR: Kësti i dytë për 65 mijë fermerë përfitues të skemës kombëtare kaloi më 31 dhjetor

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) informon fermerët se kësti i dytë i pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2025, është kryer brenda datës 31 dhjetor 2025, në përputhje me procedurat financiare në fuqi.

Fondet përkatëse tashmë janë transferuar në bankat e nivelit të dytë dhe po kalohen gradualisht në llogaritë bankare të fermerëve përfitues.

Me miratimin e Aktit Normativ, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Për buxhetin e vitit 2025, të ndryshuar”, botuar në Fletoren Zyrtare, buxhetit të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i është shtuar fondi prej 1,960,406,000 lekësh.

Ky fond i shtuar është i destinuar për kryerjen e pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes, masat 1–8, për vitin 2025.

AZHBR bën të ditur se, ka punuar pa ndërprerje në ditët e fundit të vitit për të mundësuar kalimin e 50% të mbetur të pagesave, të cilat po shpërndahen aktualisht në llogaritë bankare të rreth 65,000 fermerëve përfitues, përmes bankave të nivelit të dytë.

AZHBR falënderon fermerët për bashkëpunimin dhe durimin e treguar dhe mbetet e angazhuar që edhe në vijim të garantojë mbështetje për sektorin bujqësor dhe zhvillimin rural. e.xh/j.p/

The post AZHBR: Kësti i dytë për 65 mijë fermerë përfitues të skemës kombëtare kaloi më 31 dhjetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryegjyshi i bektashinjve merr kryesimin e Bordit të Presidencës të Këshillit Ndërfetar

TIRANË, 5 janar /ATSh/ Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë (KNFSH) zhvilloi sot mbledhjen e parë të vitit në ambientet e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.

Sipas njoftimit të KNFSH-së, gjatë mbledhjes, Mons. Gjergj Meta, kryetar në detyrë i KNFSH-së, i dorëzoi detyrën Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili do të kryesojë Bordin e Presidencës për periudhën 1 janar 2026 – 1 janar 2027.

Sekretari i Përgjithshëm, Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, prezantoi fazën finale të Planit Strategjik të KNFSH-së për periudhën 2026-2028, i cili u miratua unanimisht. Plani ka fokus forcimin e dialogut ndërfetar, promovimin e bashkëjetesës paqësore përmes edukimit mbi vlerat universale, si dhe rritjen e rolit të të rinjve dhe grave në shoqëri.

Gjithashtu, Bordi miratoi buxhetin për vitin 2026, që do të mbështesë zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve të planifikuara sipas Planit Strategjik.

“Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe çështje aktuale shoqërore dhe roli i komuniteteve fetare në adresimin e sfidave sociale, edukative dhe kulturore. Vendimet e marra u firmosën dhe u konfirmua angazhimi i KNFSH-së për dialog, harmoni dhe bashkëjetesë ndërfetare në vend”, citon njoftimi i KNFSH-së. e.xh/j.p/

The post Kryegjyshi i bektashinjve merr kryesimin e Bordit të Presidencës të Këshillit Ndërfetar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Ndryshime në mënyrën se si operojnë bashkitë

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se Akademia e Vetëqeverisjes Vendore, Granti i Bazuar në Performancë dhe Paketa e Maleve janë instrumente konkrete që u japin bashkive më shumë kapacitete, transparencë dhe mbështetje financiare, me synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

Përmes një videomesazhi Demo tha se “Akademia e Vetëqeverisjes Vendore është konceptuar si një institucion që do të adresojë problematikat specifike të autoriteteve vendore dhe do të kontribuojë në rritjen e standardeve të qeverisjes lokale”.

“Këta 24 muaj që kemi përpara do të jenë 24 muaj me më shumë sfida për bashkitë. Ato janë tashmë të ndërgjegjësuara se duhet të jenë të përgatitura për një valë shumë të madhe ndryshimesh në mënyrën se si operojnë dhe në standardet që duhet të përmbushin”, deklaroi ministri.

Sipas tij, këto mekanizma synojnë të forcojnë performancën e pushtetit vendor dhe të garantojnë shërbime më cilësore dhe më efikase për qytetarët në të gjithë vendin. /j.p/

The post Demo: Ndryshime në mënyrën se si operojnë bashkitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjatë dhjetorit 3081 vendime të reja legalizimi

TIRANË, 5 janar  /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) bëri të ditur se, gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar 3,081 qytetarë janë pajisur me vendim legalizimi.

Lista e përfituesve të vendimeve të legalizimit, të ndarë sipas drejtorive vendore u publikua në faqen zyrtare, ndërkohë që Kadastra ftoi qytetarët të verifikojnë emrin e tyre përmes rubrikës së publikimeve në portalin zyrtar të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Sipas njoftimit zyrtar, pas kalimit të 30 ditëve nga data e marrjes së vendimit, përfituesit kanë të drejtë të aplikojnë përmes portalit e-Albania për regjistrimin e vendimit të legalizimit, si dhe për pajisjen me certifikatë pronësie, kartelë pasurie dhe hartë kadastrale.

Procesi i legalizimit vijon në mënyrë të pandërprerë në të gjithë territorin e vendit, me synim garantimin e transparencës dhe ofrimin e shërbimeve të standardizuara për qytetarët.

 

e.xh/j.p/

The post Gjatë dhjetorit 3081 vendime të reja legalizimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌