TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë persona të përfshirë në skemat e mashtrimit lidhur me bursën “Forex”.
Konkretisht për gjykim u dërguan shtetasit B.B., K.D., J.J., A.Ll., E.A., Gj.R., dhe L.Sh., për veprën penale të “Mashtrimit”.
Në përfundim të hetimeve mbi subjektet e licensuara dhe të palicensuara në lidhje me veprimtarinë “Forex”, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë realizuar veprimtari mashtruese në ambientet e shoqërisë ‘OZAR’ sh.p.k., nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar, e realizuar në formën e një call center-i.
Brenda kësaj veprimtarie, të pandehurit në fjalë, kanë marrë pjesë në realizimin e skemës mashtruese të drejtuar ndaj shtetasve të huaj, mes tyre shtetasit italianë L.C. dhe S.S., duke kontribuar në funksionimin normal të mekanizmit të mashtrimit dhe në sigurimin e vijimit të tij.
Nga ky procedim janë veçuar aktet dhe vijojnë hetimet në një procedim të ri për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, si dhe për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale, ndaj viktimave të tjera në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Nga këqyrja e aplikacionit “WhatsApp” të telefonave të sekuestruar, u konstatuan biseda me persona të ndryshëm, shtetas të regjistruar me emra italianë, të cilët kanë dërguar foto të kartave të identitetit, të kërkuara nga përdoruesi i telefonit.
Nga bisedat rezultoi se këtyre shtetasve u kërkoheshin shuma të ndryshe monetare për t’i investuar në bursën Forex, me qëllim përfitimin e vlerave më të mëdhaja në këmbim.
Konkretisht, shtetasi i cili ishte i regjistruar si L.C. komunikon në aplikacionin ‘WhatsApp’, duke i thënë përdoruesit se ka kryer transfertën prej 8,700 euro. Kjo pagesë rezulton se është kryer pasi ai ka firmosur një kontratë, e cila parashikonte një vlerë prej 100,000 euro prej tij dhe për këtë shkak në datë 29 nëntor 2023, ai ka kryer transfertën bankare, e cila në përshkrim ka, se kryhet në formë huaje.
Në vijim të bisedave të këqyrura rezulton se ky shtetas i ka shprehur shqetësimin se e gjitha kjo është një mashtrim i madh. Në datë 13 dhjetor 2023 i kërkohet sërish që ky shtetas të kryejë një transaksion në vlerën prej 3,500 euro, me justifikimin se është penalitet për shkak se transferta e parë ka shkuar me vonesë.
Në rastin konkret të aktivitetit mashtrues të zhvilluar në ambientet e call center-it, rezulton se të pandehurit kanë vepruar me dashje të drejtpërdrejtë dhe me qëllim përfitimi pasuror.
Ata kanë qenë plotësisht të vetëdijshëm për natyrën mashtruese të veprimtarisë, që konsistonte në kontaktimin e klientëve të huaj për investime të rreme në Forex dhe kanë ndjekur në mënyrë të përsëritur të njëjtin mekanizëm për të përfituar shuma parash pa qëllim kthimi.
Shtetasi Gj.R i punësuar në “Ozar” shpk ka qenë i përfshirë në mënyrë aktive në ndjekjen e klientëve dhe në koordinimin e punës së operatorëve. Ndërsa shtetasi L.Sh, ka pasur një rol të lartë funksional në strukturën e brendshme të aktivitetit, duke dhënë udhëzime, ndarë detyra, etj.
Në këtë skemë, shtetasi E.A., figuron si administrator ligjor i shoqërisë “OZAR” sh.p.k. dhe përgjegjësia e tij lidhet me mosveprimin e tij si administrator, me faktin që ai ka pranuar të figurojë si drejtues i shoqërisë pa marrë masat e nevojshme për të parandaluar përdorimin e shoqërisë për veprimtari të paligjshme.
Shtetasi A.Ll ka marrë pjesë drejtpërdrejt në veprimet mashtruese dhe në mbështetjen e operatorëve që ushtronin këtë veprimtari. Ndërsa shtetasit B.B., dhe K.D. kanë qenë në momentin e ndërhyrjes së policisë pranë “Ozar” me dijeni të plotë mbi natyrën mashtruese të aktivitetit që zhvillohej në këto ambiente dhe J.J. personi kryesor i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zgjidhjen e problemeve teknike të operatorëve dhe supervizorëve.
Nga sa më sipër, rezulton e provuar se të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe më shumë se një herë, kanë konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Mashtrimit”.
/m.m/a.f/
The post Mashtronin shtetas të huaj, dërgohen në gjyq 7 persona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.