Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 January 2026Main stream

Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës, qytetarët të bllokuar për orë të tëra në trafik

By: V K
6 January 2026 at 12:37

Ditën e sotme, në autostradën Tiranë-Durrës, qarkullimi është vështirësuar prej disa orësh, për shkak të reshjeve intensive të shiut.

Duhet minimalisht 1 orë për të lëvizur nga kryeqyteti drejt zonës së Durrësit.

Mëngjesin e sotëm, Policia e Shtetit, paralajmëroi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm nëse do të lëvizin në këtë aks rrugor, i cili është mbuluar i gjithi nga uji.

 

 

Një furgon ka mbetur i bllokuar në anë të rrugës, në pamundësi të lëvizë dhe në pritje të karrotrecit, ndërkohë që edhe disa autoambulanca kanë mbetur në trafik.

Për shkak të rrezikut të lartë, ka një devijim të lëvizjes. Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë.

Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë.

The post Përmbytet autostrada Tiranë-Durrës, qytetarët të bllokuar për orë të tëra në trafik appeared first on Albeu.com.

PS bojkoton mbledhjen e Këshillit, Bardhi: Ballukut i dhanë 3 javë kohë, por afati skadoi

By: V K
6 January 2026 at 12:29

Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit i thirrur nga anëtarët e Partia Demokratike, është bojkotuar nga Partia Socialiste.

Në një komunikim për gazetarët, kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, u shpreh se afati 3 javë për ti dhënë kohë Ballukut ka skaduar.

Sipas tij kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, duhet të sqarojë se përse nuk po e mbledh Këshillin me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK që kërkon arrestimin e Belinda Ballukut.

“Me përgjegjshmëri të plotë që na dikton situatë dhe si anëtarë të këshillit të mandateve, 5 anëtarët të këtij këshilli kërkuan mbledhjen e këshillit për të vijuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Kërkesa jonë është e bazuar në rregulloren e Kuvendit që do të duhet të jetë i vetmi dokument ligjor.

Kryetari ka për detyrë të njoftojë mbledhjen e Këshillit dhe rendin e ditës. Sot mbushen tre javë kur SPAK ka kërkuar lejimin e arrestimit të Ballukut dhe po sot mbushen 3 javë kur anëtaret e PS fshihen si ata që kanë shkelur ligjin.

Ky është një akt i paprecedent, ku këshilli merr 3 javë kohë për të shqyrtuar një kërkesë.

E pandehura Balluku ka kërkuar 3 javë kohë për të shqyrtuar provat. Ndërkohë vetë Rama tha që avokati dhe Balluku nuk i kanë marrë materialet.

Nga njëra anë thoshte një pjesë se cfarë kishte USB-ja, nga ana tjetër thoshte se asnjë prej nesh nuk i ka tërhequr materialet. E pandehura kërkoi 3 javë kohë

Afati 3 javë që donin ti jepnin Ballukut kohë që të hante vitin e ri në shtëpi dhe jo në Burgun e Pojskës skadoi. Kryetari i Kuvendit duhet të shpjegojë pse nuk thërret këshillin e mandateve”, tha nder te tjera Gazment Bardhi.

The post PS bojkoton mbledhjen e Këshillit, Bardhi: Ballukut i dhanë 3 javë kohë, por afati skadoi appeared first on Albeu.com.

Situatë kritike nga moti i keq/ Përmbytet burgu i Durrësit, uji hyn në 8 qeli

By: V K
6 January 2026 at 11:56

Ditën e sotme, qyteti i Durrësit është pushtuar nga uji, për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar problematika në disa zona në qytetin bregdetar, i cili sot duket si Venecia.

Rrugë dhe lagje të tëra janë nën pushtetin e ujit, ndërkohë që duket se përmbytjet nuk i ka shpëtuar as burgu.

Prefekti Emiljan Jani, në një reagim për News24 ka deklaruar se janë përmbytur 8 qeli, ndërkohë që po dërgohen pompa për të larguar ujin.

Ndërkohë, 2 zjarrfikëse po mbërrijnë nga Tirana për të ndihmuar në vënien e situatës nën kontroll.

“Situata është shumë e rëndë. Tetë familje janë evakuuar dhe janë strehuar në Kavalishencë. Ndërkohë janë përmbytur 8 qeli dhe po dërgohen pompat për largimine ujit pasi është përmbytur burgu”, shprehet ai.

Mësohet se niveli i ujit ka arritur në 10-15 centimetra në katin e parë, ndërsa të gjithë të dënuarit janë zhvendosur në katin e dytë.

 

The post Situatë kritike nga moti i keq/ Përmbytet burgu i Durrësit, uji hyn në 8 qeli appeared first on Albeu.com.

Gazeta “NZZ” zbulon takimet e fshehta të Bislimit me Gjuriqin në Solothurn të Zvicrës: Vite të tëra s’u mor vesh asgjë

By: V K
6 January 2026 at 11:47

Ditën e sotme, gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung” – NZZ, ka publikuar një artikull në të cilin zbulohet se shteti Zviceran, ka organizuar takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç shkruan gazeta zvicerane, në këto takime ka marrë pjesë zv.kryeministri dhe kreu i ekipit negociator, Besnik Bislimi, dhe kryediplomati serb, Marko Gjuriq, transmeton Gazeta Express.

NZZ, raporton se për vite me radhë nuk është zbuluar asgjë rreth këtyre bisedimeve joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë, ndonëse ka pasur disa raportime nga vetë NZZ në vitin 2022 për takime politikanësh në qytetin e Solothurn në Zvicër.

Gjithashtu, edhe gazeta “Blick” ka raportuar në nëntor 2025.

“Megjithatë, deri më tani nuk dihej publikisht në Zvicër se ministrat nga të dyja palët merrnin pjesë rregullisht. Sipas disa burimeve, midis tyre ishin zv.kryeministri kosovar Besnik Bislimi, i cili është përgjegjës për negociatat me Beogradin, dhe Ministri i Jashtëm serb dhe ish-ambasadori në SHBA, Marko Gjuriq”, raporton NZZ, transmeton Gazeta Express.

Se këto takime janë organizuar, e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme e Zvicrës. Roland Salvisberg nga MPJ e Zvicrës, ka treguar se këto takime organizohen dy tre herë në vit.

“Dialogu që nga fillimi ka pasur për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve midis figurave kryesore nga të gjitha partitë kryesore serbe dhe kosovare”, thotë Roland Salvisberg, kreu i seksionit përgjegjës në Divizionin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut të FDFA-së.

Ai ka sqaruar se në këto takime, secila palë vendos në mënyrë të pavarur se kë të dërgojë.

Në këto takime joformale në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka marrë pjesë edhe emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

Nga MPJ e Zvicrës, kanë thënë se këto janë negociata plotësuese të atyre që drejtohen nga Bashkimi Evropian./GazetaExpress

 

The post Gazeta “NZZ” zbulon takimet e fshehta të Bislimit me Gjuriqin në Solothurn të Zvicrës: Vite të tëra s’u mor vesh asgjë appeared first on Albeu.com.

Vjosa Osmani nën lupën e Antikorrupsionit? Kupina: Presidentja mirëpret çfarëdo verifikimi, jo fushata njollosjesh

By: V K
6 January 2026 at 11:36

Pas raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit, ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga Presidenca kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione të tilla.

Megjithatë, siç tha Bekim Kupina, këshilltari i Osmanit, e mirëpresin çfarëdo verifikimi.

“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhi”, tha Kupina per rtv21.

Pas raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga Presidenca për rtv21.tv kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione të tilla./Gazeta Express

The post Vjosa Osmani nën lupën e Antikorrupsionit? Kupina: Presidentja mirëpret çfarëdo verifikimi, jo fushata njollosjesh appeared first on Albeu.com.

Autor i tre grabitjeve me armë në Fushë-Krujë, shpallet në kërkim 30-vjeçari (Emri)

By: V K
6 January 2026 at 10:59

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Ends”, policia ka zbardhur tre grabitje të ndodhur një ditë më parë në Fushë-Krujë nga një i ri, i cili është shpallur në kërkim.

Policia ka identifikuar autorin e dyshuar, shtetasin Emiliano Nikolli 30-vjeç, banues në Mamurras.

Gjatë mëngjesit të ditës së djeshme, Emiliano Nikolli, fillimisht ndaloi një taksist dhe i kërkoi që ta shoqëronte drejt Fushë-Krujës.

Nën kërcënimin e armës i ka marrë taksistit automjetin, celularin dhe një shumë parash e më pas e ka lënë në afërsi të Tapizës dhe është larguar.

Të radhës 30-vjeçari ka grabitur dy pika karburanti, gjithashtu nën kërcënimin e armës ka arritur të marrë xhiron ditore nga të dy subjektet si dhe sende personale të punonjësve.

Automjeti taksi i grabitur është gjetur në afërsi të një xhamie në Fushë-Krujë dhe tashmë është sekuestruar. Sakaq, policia po vijon kërkimet për arrestimin e 30-vjeçarit.

The post Autor i tre grabitjeve me armë në Fushë-Krujë, shpallet në kërkim 30-vjeçari (Emri) appeared first on Albeu.com.

VIDEO/ Nisin shkarkimet e kontrolluara në kaskadën e Drinit

By: V K
6 January 2026 at 10:34

Kryeministri i vendit  Edi Rama, ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të shiut dhe rritjes së prurjeve në Kaskadën e Drinit, kanë nisur shkarkimet e kontorlluara në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës.

Kreu i qeverisë thotë se aktualisht situata është nën monitorim, ndërsa thekson se Bashkia Shkodër, është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë.

“Në kaskadën e Drinit si pasojë e rritjes së prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, ku aktualisht po shkarkohet një sasi prej 700 m³/sekondë, përveç prodhimit, shkarkime këto të monitoruara dhe të menaxhuara nga specialistët e hidrocentraleve.

Bashkia Shkodër është në koordinim të vazhdueshëm me KESH për menaxhimin e situatës dhe minimizimin e çdo rreziku të mundshëm për zonat e territorit të bashkisë, ndërsa deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë problematikë”, shkruan Rama.

 

The post VIDEO/ Nisin shkarkimet e kontrolluara në kaskadën e Drinit appeared first on Albeu.com.

Rrugët e qytetit të përmbytura, pezullohet mësimi në shkollat dhe Universitetin e Durrësit (VIDEO)

By: V K
6 January 2026 at 10:15

Ditën e sotme, e gjithë Shqipëria është mberthyer nga moti i keq. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në disa qarqe ku janë përmbytur rrugët kryesore, e më problematike situata paraqitet në Durrës, për shkak të situatës së rënduar është pezulluar edhe mësimi.

Burime zyrtare nga ZVA Durrës, bëjnë me dije se janë njoftuar të gjitha shkollat publike e jopublike për moslëvizje deri në qetësimin e situatës.

Reshjet intensive që kanë përfshirë Durrësin dhe mbarë vendin prej disa orësh, kanë shkaktuar përmbytje të rrugëve në shumë zona të qytetit, duke paralizuar lëvizjen e këmbësorëve dhe mjeteve.

Rrugët pranë stadiumit të qytetit dhe te zona e ‘Vollgës’ janë nën ‘pushetin’ e ujit, duke i bërë të pakalueshme për këmbësorët dhe duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e makinave.

 

Në disa lagje, uji ka depërtuar në hyrjet e pallateve dhe bizneseve buzë rrugës, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim për banorët.

Situatë problematike regjistrohet edhe në godinat e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Spitallë.

The post Rrugët e qytetit të përmbytura, pezullohet mësimi në shkollat dhe Universitetin e Durrësit (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ Anëtarët e Grupit Parlamentar të PD mbledhin sot Këshillin e Mandateve

By: V K
6 January 2026 at 10:09

Ditën e sotme, anëtarët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, do të mblidhen në Kryesinë e Kuvendit për mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve dhe të Mandatave, sa i takon kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Mbledhja është njoftuar në orën 11:00.

Me anë të një shkrese, grupi parlamentar i PD-së i ka kërkuar mbledhje kryeparlamentarit Niko Peleshi, ndërsa nuk pati reagim nga ky i fundit.

Kujtojmë se anëtarët e PD-së kanë njoftuar mbledhjen e Këshillit disa herë, por pa arritur rezultate, pasi socialistët nuk kanë qenë të pranishëm.

The post SPAK kërkon arrestimin e Ballukut/ Anëtarët e Grupit Parlamentar të PD mbledhin sot Këshillin e Mandateve appeared first on Albeu.com.

Berisha publikon pamjet nga Durrësi: Rrugët kthehen në lumenj, makinat “zhyten” në ujë (VIDEO)

By: V K
6 January 2026 at 10:02

Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar pamje nga Durrësi, ku reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të rënda në zona të banuara dhe akse kryesore rrugore.

Rrugët shihen tërësisht të mbuluara nga uji, automjete të bllokuara dhe qytetarë të detyruar të lëvizin në kushte të vështira.

Sipas Berishës, përmbytjet janë rezultat i politikave urbanistike dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë dhe sistemin e kanalizimeve, përgjegjësi që i atribuohen qeverisë dhe pushtetit lokal.

“Durrësi i Betonit apo Gjushit dhe Ramaduros!”, shkruan Berisha.

 

The post Berisha publikon pamjet nga Durrësi: Rrugët kthehen në lumenj, makinat “zhyten” në ujë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Reshjet e dendura të shiut, problematika në disa lagje në Lezhë

By: V K
6 January 2026 at 08:31

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës, kanë sjellë problematika në disa zona të qytetit të Lezhës.

Më problematike paraqitet situata në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra, duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.

Grumbullimi i ujit është pasojë e reshjeve intensive, ndërkohë që nuk raportohen dëme. Megjithatë, situata ka krijuar shqetësime për banorët dhe prindërit e nxënësve.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se kjo problematikë, pritet të marrë zgjidhje përfundimtare me përmbylljen e projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, i cili po zbatohet prej disa muajsh në qytetin e Lezhës dhe synon përmirësimin e menaxhimit të përmbytjeve në raste reshjesh intensive.

The post Reshjet e dendura të shiut, problematika në disa lagje në Lezhë appeared first on Albeu.com.

Sigurimi i makinës, çmimi këtë vit rritet me 15% për ata që kanë shkaktuar dëme

By: V K
6 January 2026 at 07:49

Që nga fillimi i këtij viti, ka hyrë në fuqi aplikimi i sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm të mjeteve për përgjegjësitë motorike ndaj palëve të treta (TPL).

Ky sistem nënkupton se drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dëme gjatë vitit paraardhës do të paguajnë prime më të larta sigurimi, ndërsa ata që nuk kanë shkaktuar dëme do të paguajnë prime më të ulëta.

Sipas llogaritjeve të kryera me aplikacionet automatike që ofrohen nga kompanitë e sigurimit në faqet e tyre të internetit, malusi apo penalizimi për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme do të jetë ndjeshëm më i lartë se bonusi për ata drejtues mjeteve që nuk kanë shkaktuar dëme.

Vitin e kaluar, çmimi minimal i sigurimit të detyrueshëm, i llogaritur me parametrat më të ulëta të riskut (makina me fuqi motorike më të ulët se 1300 cm3, me vjetërsi deri në pesë vjet, me drejtues me përvojë më shumë se dy vite, individë dhe të regjistruar në një nga qarqet me shpeshtësinë më të ulët të dëmeve) ishte afërsisht 15500 lekë.

Për këtë vit, një drejtues mjeti me të njëjtat parametra dhe që nuk ka shkaktuar asnjë dëm gjatë vitit 2024, do të paguajë afërsisht 15000 lekë.

Për qarqet e tjera, duke përfshirë Tiranën, vitin e kaluar çmimi minimal i siguracionit TPL ishte afërsisht 16 mijë lekë, ndërsa këtë vit do të jetë rreth 15400 lekë, në rastin kur drejtuesi i mjetit nuk ka shkaktuar dëme.

Bonusi që përfitojnë drejtuesit e mjeteve pa historik dëmesh do të jetë rrjedhimisht në intervalin 3-4%, me ndryshime të vogla midis kompanive.

Ndërkohë, malusi apo penalizimi që do të kenë drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar të paktën një dëm vitin e kaluar do të jetë më i lartë.

Komponenti malus ka një ndryshim pak më të madh mes kompanive të ndryshme.

Shtrenjtimi për drejtuesit që kanë shkaktuar një dëm vitin e kaluar, krahasuar me tarifat e aplikuara gjatë 2025, do të jetë në intervalin 15%-20%, në varësi të kompanisë së sigurimit.

Për drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme vitin e kaluar, shtrenjtimi, në varësi të kompanisë, do të jetë në intervalin 33%-38%, krahasuar me tarifat e aplikuara vitin e kaluar.

Nëse krahasojmë çmimet e këtij viti mes drejtuesve që nuk kanë shkaktuar asnjë dëm dhe atyre që kanë shkaktuar një dëm, ndryshimi fillon nga 19% deri në 27%, në varësi të kompanive.

Ndërsa drejtuesit e mjeteve që kanë shkaktuar dy ose më shumë dëme, do të paguajnë një prim sigurimi më të lartë në intervalin 37% deri në 42%, krahasuar me ata drejtues mjetesh që nuk kanë shkaktuar dëme.

Aplikimi i sistemit bonus-malus është i parashikuar në ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, që ka hyrë në fuqi qysh në vitin 2021.

Megjithatë, ligji e parashikon si të drejtë të kompanive të sigurimit, por jo një detyrim.

Zbatimi i parimit bonus-malus u bë i mundur vetëm pas miratimit të rregullores “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Kjo rregullore hyri në fuqi në fillim të vitit 2025, por pa përfshirë elementin bonus-malus, që ka nisur të aplikohet prej 1 janarit të këtij viti./Monitor

The post Sigurimi i makinës, çmimi këtë vit rritet me 15% për ata që kanë shkaktuar dëme appeared first on Albeu.com.

Tërmet i fortë në Japoni, magnituda dhe epiqendra

By: V K
6 January 2026 at 07:47

Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë të Rihterit, goditi Japoninë perëndimore. Epiqendra e tërmetit ndodhej në Prefekturën Shimane në Japoninë perëndimore, në një thellësi prej 10 kilometrash.

Nuk ka raportime për viktima apo dëme materiale, dhe u lëshua një paralajmërim për cunami, por paralajmërimi u anulua disa minuta pas dridhjeve.

The post Tërmet i fortë në Japoni, magnituda dhe epiqendra appeared first on Albeu.com.

Anketa: 53% e shqiptarëve presin përkeqësim të financave në 12 muajt në vijim

By: V K
6 January 2026 at 07:41

Perceptimi i shqiptarëve për situatën financiare, rezulton dukshëm më negativ krahasuar me një vit më parë, duke sinjalizuar një rritje të fortë të pakënaqësisë, sipas të dhënave nga Barometri i Ballkanit.

Sipas të dhënave, 53% e të anketuarve në Shqipëri vlerësojnë se gjendja financiare pritet ë “më keq” ose “shumë më keq” në 12 muajt në vijim, një nivel që e bën pesimizmin dominues.

46% shprehen se situata është përmirësuar, ndërsa një pjesë minimale mendon se ka mbetur e pandryshuar.

Një vit më parë, në 2024 pakënaqësia ishte e kufizuar në 14%, ndërsa gati gjysma e shqiptarëve mendonin se situata financiare do të mbetej e njëjtë dhe 38% prisnin përmirësim.

Vihet re një kalim nga një klimë neutrale pritshmërie, në një gjykim masiv negativ brenda vetëm një viti, çka tregon se një pjesë e madhe e familjeve kanë përjetuar përkeqësim real të kushteve ekonomike, ose të paktën një zhgënjim të fortë nga pritshmëritë e mëparshme.

Ky ndryshim reflekton presionet e vazhdueshme mbi buxhetet familjare, veçanërisht rritjen e kostos së jetesës dhe pasigurinë ekonomike, të cilat duket se kanë gërryer besimin e qytetarëve.

Edhe pse inflacioni zyrtar është zbutur krahasuar me kulmin e viteve të mëparshme, çmimet e ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve bazë kanë mbetur të larta, duke ulur fuqinë blerëse të pagave dhe pensioneve.

Për shumë familje, normalizimi i inflacionit nuk është përkthyer në lehtësim real të shpenzimeve mujore.

Një arsye tjetër lidhet me mospërputhjen mes rritjes ekonomike dhe të ardhurave reale. Rritja e PBB-së dhe e pagës mesatare nuk është ndjerë njësoj në të gjitha shtresat, veçanërisht te punonjësit me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Pakënaqësia ushqehet edhe nga pasiguria në tregun e punës, sidomos për të rinjtë dhe punësimin cilësor.

Edhe pse punësimi në terma sasiorë është rritur, shumë vende pune mbeten me paga të ulëta ose pa stabilitet afatgjatë, duke forcuar perceptimin e pasigurisë financiare dhe mungesës së perspektivës.

Rritja e emigrimit dhe krahasimi i vazhdueshëm me të ardhurat dhe standardin e jetesës në vendet e BE-së e thellojnë ndjesinë e pakënaqësisë, edhe kur treguesit makroekonomikë paraqiten relativisht të qëndrueshëm.

Ndryshe nga 2024, kur dominonte ideja e stabilitetit, 2025 shënoi një kthesë drejt pakënaqësisë, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet e rajonit me rritjen më të fortë të perceptimit negativ për ekonominë për muajt në vijim./ Monitor

The post Anketa: 53% e shqiptarëve presin përkeqësim të financave në 12 muajt në vijim appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor 6 Janar 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

By: V K
6 January 2026 at 07:32

Ditën e sotme dollari amerikan, në blerje do të këmbehet me 81.8 lekë, në shitje me 83 lekë.

Euro, do të blihet me 95.8 lekë, do të shitet me 96.9 lekë.

Franga zvicerane, blihet me 102.8 lekë dhe shitet me 104 lekë.

Ndërsa paundi britanik, blihet me 109.8 lekë dhe shitet me 111 lekë.

Dollari kanadez, këmbehet me 59.3 lekë në blerje dhe me 60.5 lekë në shitje.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor 6 Janar 2026/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit/ Reshje të dendura shiu në pjesën më të madhe të vendit, ja zonat dhe qarqet ku priten përmbytje

By: V K
6 January 2026 at 07:22

Ditën e sotme, Shqipëria pritet të përfshihet nga mot i paqëndrueshëm, me reshje të shumta shiu në pjesën më të madhe të territorit.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.

Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e Enjte dt.08 Janar, do të ketë rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.

Lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës, do të kenë rrezik të shtuar për përmbytje me prurje dhe nivele të larta në vazhdim të ditës së sotme dhe të nesërme.

Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, priten reshje intensive deri lokalisht shume intensive.

Në qarqet Lezhë, Berat dhe Korçë priten reshje mesatare deri lokalisht intensive. Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri mesatare.

Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata (siç tregohet në tabelë, respektivisht për secilin qark).

TEMPERATURAT

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 13/ 17 °C

në vendet e ulëta: 12 / 17 °C

në vendet malore: 5 / 11 °C

ERA

Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në veri.

The post Parashikimi i motit/ Reshje të dendura shiu në pjesën më të madhe të vendit, ja zonat dhe qarqet ku priten përmbytje appeared first on Albeu.com.

Yesterday — 5 January 2026Main stream

Largimi i Skerdi Drenovës, emërohet drejtori i ri i UKT (EMRI)

By: V K
5 January 2026 at 15:40

Flauers Shoshi është emëruar në krye të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë (UKT). Deri më tani, ai ka shërbyer si kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.

Shoshi zëvendëson në këtë detyrë ish-drejtorin Skerdi Drenova, i cili u shkarkua në ditët e fundit të vitit 2025.

Kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, u shkarkua pas problemeve të shumta dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Vendimi është marrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët prej muajsh raportojnë mungesë serioze të ujit në banesat e tyre.

Sipas banorëve të disa zonave të Tiranës, furnizimi me ujë është kufizuar në vetëm një orë në ditë, një sasi e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat më bazike të përditshmërisë, si higjiena personale, gatimi apo pastrimi.

Kjo situatë ka shkaktuar shqetësim të madh dhe pakënaqësi në masë, veçanërisht për familjet me fëmijë, të moshuar apo persona me nevoja të veçanta.

Problematika është thelluar me kalimin e kohës, ku sipas qytetarëve, nuk ka pësuar përmirësim as gjatë periudhës së dimrit, ndonëse në vend ka pasur reshje të shumta shiu.

Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta, sidomos duke marrë parasysh faktin se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitetin e tij.

The post Largimi i Skerdi Drenovës, emërohet drejtori i ri i UKT (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Mot i keq në vend, dëmtohet sinjalistika detare në portin e Durrësit

By: V K
5 January 2026 at 15:37

Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë ditët e fundit, ka dëmtuar sinjalistikën detare në portin e Durrësit.

Si pasojë e dallgëve të forta dhe erës së fuqishme, është shkëputur një nga fenerët hyrës në portin e Durrësit, duke përfunduar pranë bregdetit të Currilave.

Sakaq, për shkak të kohës së keqe, është ndryshuar itinerari i lundrimeve të trageteve Durrës-Bari.

Udhëtarët e prekur nga kjo situatë janë asistuar nga kompanitë përkatëse, të cilat kanë marrë masat për ridrejtimin e tyre me nisjet pasuese.

Autoriteti Portual Durrës, informon se do të vijoj monitorimi i situatës meteorologjike dhe lëvizjen e mjeteve detare.

Autoriteti Portual Durrës, vijon të monitorojë me vëmendje situatën meteorologjike dhe lëvizjen e mjeteve detare, në bashkëpunim të ngushtë me kompanitë lundruese dhe autoritetet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së operacioneve portuale.

The post Mot i keq në vend, dëmtohet sinjalistika detare në portin e Durrësit appeared first on Albeu.com.

Plagosi një person në Durrës, ekstradohet nga Greqia 32-vjeçari

By: V K
5 January 2026 at 14:47

Ditën e sotme, një 32-vjeçar është ekstraduar nga Greqia. Shtetasi me inicialet A. M., i lindur në Bulqizë, akuzohet se pas një sherri ka plagosur disa herë me thikë një person në Durrës.

Sipas uniformave blu,operacioni u finalizua në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, procedura për ekstradimin nga Greqia në Shqipëri, të shtetasit A. M., 32 vjeç, të lindur në Bulqizë.

NJOFTIMI:

Plagosi disa herë, me mjet prerës (thikë), një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në lagjen “Plazh”, Durrës, ekstradohet nga Greqia, 32-vjeçari.

Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të tyre në Athinë, u finalizua në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, procedura për ekstradimin nga Greqia në Shqipëri, të shtetasit A. M., 32-vjeç, të lindur në Bulqizë.

32-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2024, Gjykata e Durrësit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Shtetasi A. M. akuzohet se mbrëmjen e datës 06.10.2022, për motive të dobëta, ka plagosur disa herë, me mjet prerës (thikë), shtetasin B. F., në lagjen nr. 13, Durrës.

The post Plagosi një person në Durrës, ekstradohet nga Greqia 32-vjeçari appeared first on Albeu.com.

Me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie, Maduro transferohet nga qelia me helikopter drejt New York-ut

By: V K
5 January 2026 at 14:04

Një autokolonë që transporton udhëheqësin e rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, është parë duke u larguar nga Metropolitan Detention Center në Brooklyn, New York, ku ai është mbajtur i ndaluar gjatë dy ditëve të fundit, nën akuza për trafik droge dhe armësh.

Maduro, i cili do paraqitet në një gjykatë të Nju Jorkut, doli nga një automjet i blinduar që ishte pjesë e autokolonës, i veshur me uniformë kafe paraburgimi, dhe më pas u drejtua drejt një helikopteri.

 

 

Pranë tij, gjithashtu në paraburgim dhe i shoqëruar nga forcat e rendit, është një person që duket të jetë gruaja e tij.

 

 

Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, do dalin sot para një gjykate në Nju Jork, ku do të përballen me procedurat fillestare gjyqësore.

 

 

Burgu ku u transferua Maduro

Burgu MDC Brooklyn, është themeluar në vitin 1994 dhe aktualisht strehon rreth 1,300 të burgosur, burra dhe gra.

Ai është burgu kryesor federal në qytet për të mbajtur të paraburgosur që presin të dalin para gjykatave federale.

Në të kaluarën, ky burg ka strehuar figura të njohura si Ghislaine Maxwell, e dënuar për përfshirje në abuzime seksuale, këngëtarin e hip-hop Sean Combs, si dhe ish-presidentin e Hondurasit Juan Orlando Hernández, i cili ishte dënuar për trafik droge.

Po ashtu, aty mbahet dhe Luigi Mangione, i akuzuar për vrasjen e një drejtuesi të kompanisë UnitedHealth Group, në pritje të gjykimit.

 

 

Të burgosurit dhe avokatët e tyre kanë denoncuar kushtet e pahijshme dhe të ashpra të jetesës në këtë institucion.

Në vitin 2019, disa të burgosur mbetën në qeli të ngrira gjatë dimrit pas një zjarri që shkaktoi ndërprerje të energjisë dhe ngrohjes.

Në vitin 2024, dy të burgosur u vranë nga armë të improvizuar, sipas Ministrisë së Drejtësisë së SHBA-së, duke shtyrë autoritetet të ndërmarrin një operacion kundër dhunës dhe trafikut të paligjshëm brenda burgut.

Maxwell, që mbahej në MDC para dënimit të saj në 2021, kishte bërë të ditur praninë e mbeturinave dhe jashtëqitjes së brejtësve në qelinë e saj.

Megjithatë, Shërbimi Federal i Burgjeve raportoi në shtator 2025 se kushtet në burg janë përmirësuar, falë rritjes së personelit dhe reformave të tjera.

Mitchell Epner, ish-prokuror federal dhe tani avokat, vlerësoi se të gjithë të burgosurit në MDC Brooklyn janë në rrezik për dhunë nga njeri-tjetri, një rrezik që mund të jetë më i madh për dikë si Maduro, i cili mund të bëhet objektiv i bandave ose të burgosurve që kërkojnë famë.

The post Me pranga në duar dhe nën masa të rrepta sigurie, Maduro transferohet nga qelia me helikopter drejt New York-ut appeared first on Albeu.com.

❌
❌