Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, gjatë ditës së sotme, ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Në njoftimin e Policisë thuhet se operacioni policor ndërlidhet me një rast të vjedhjes së rëndë që kishte ndodhur më 28.12.2025 në Prishtinë.
Personi i dyshuar, G.P., mashkull, 42 vjeç, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/
Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit ka shqiptuar gjobë ndaj një personi, pasi i njëjti është hasur duke hedhur mbeturina nga vetura në rrugë.
Pas identifikimit të personit, ndaj tij janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastërtisë dhe mjedisit, duke shmangur veprime të tilla. /Telegrafi/
Me 31 vota për, 14 kundër dhe asnjë abstenim ka kaluar në kuvendin komunal të Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme, lista e veçantë për pronat e paluajtshme të dhëna në shfrytëzim për 2026, ani pse kishte diskutime të shumta rreth saj si mangësi si dokumentacion.
Drejtori i Pronës në komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj tha se ky dokument është i rëndësishëm për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës së Prishtinës, i cili sipas tij është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimin e transparencës së interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit.
“Një dokument i rëndësisë së veçantë për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës sonë. Kjo listë është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe me parimin e transparencës, interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit. Qëllimi kryesor është që pronat komunale të mos mbesin të pashfrytëzuara, por të vie në funksion të zhvillimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së të hyrave për kryeqytetin. Pronat e përfshira në këtë listë janë analizuar me kujdes në aspektin juridik, urbanistik dhe ekonomik. Shfrytëzimi i tyre do të bëhet përmes procedurave të hapura, konkurruese dhe transparente duke garantuar ruajtjen e pronësisë dhe interesit publik”, tha Mehmetaj, raporton Kp.
Asamblistja nga Lëvizja Vetëvendosje, Nora Kelmendi kishte kritika për listën e veçantë e cila sipas saj është e mangët dhe gjithashtu ka nene të gabuara.
Në dokumentacionin e dërguar Kelmendi tha se mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga Kuvendi komunal.
“Kemi një listë siç po shihet problemi nuk është ideja e shfrytëzimit, por tek mënyra, procedura dhe mungesa e dokumentacionit të domosdoshëm ligjor. Në dokumentacionin e dërguar nga ekzekutivi përmes postës elektronike mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga kuvendi komunal. Para vetës kemi vetëm një listë të veçantë, e cila në vetvete është e mangët. Keni përshkruar edhe nene të gabuara që nuk po çuditem fare sepse edhe pas katër viteve ju ende bëni gabime të tilla amatereske”, tha Kelmendi.
Shefja e grupit të asamblistëve të PSD-së, Besa Shahini kishte pesë kërkesa për kryetarin e komunës, Përparim Rama si parakusht për të votuar listën e dërguar.
“Pesë kërkesa konkrete të cilat janë parakusht për të votuar këtë listë që e keni dërguar. E para është dhënia në qira ose shfrytëzimin e pronave publike, një arsyetim për ekonominë dhe qëllimin pse po i jepni këto prona. Kryetari është i obliguar të raportoj çdo gjashtë muaj për pronat që janë dhënë në shfrytëzim. E treta komuna e Prishtinës nuk e ka rregulloren që i kërkohet për dhënien në shfrytëzim në periudhë më pak se një vit. E katërta plani i veprimit për të adresuar komentet e auditorit dhe e pesta Prishtina e ka një problem shumë serioz me mbrojtjen e pronës publike çdo ditë zaptohen dhe është e pamundur për ta mbrojtur nëse refuzoni për ta ndërtuar regjistrin e përgjithshëm për të ditur se ku janë pronat publike të komunës”, shtoi Shahini.
Edhe Gëzim Sveçla nga LVV-ja tha se në një listë me 5 mijë e 288 prona pa kompletim të dokumentacionit, nuk dihet se kush është pronari, kush i shfrytëzon e as destinimi i tyre.
“Na sjell një listë me 5 mijë e 288 prona, në një seancë të jashtëzakonshme dhe me kërkua me votu të njëjtin pa kompletim të dokumentacionit paraprak nuk është në rregull. Asamblistët nuk janë makineri votash, nuk mundem me votu prona që nuk dihet kush është pronari, kush i shfrytëzon as cili është destinimi i tyre. Kjo mund të shërbej pastaj për shumë veprime tjera të jashtëligjshme, mund të ketë qytetarë qe këto prona tashmë i kanë në shfrytëzim dhe miratimi i një liste të tillë është një lloj shantazhi ndaj tyre”, tha Sveçla.
Jeta Rafuna nga LDK-ja ka kërkuar që ta votojnë këtë listë sepse sipas saj krijon mundësi për ekonomi, mbështetje e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës.
“Lista që po shqyrtojmë sot janë rezultat i procesit funksional, me qëllim që këto prona të bien në funksion të interesit publik që të mos mbesin të pashfrytëzuara. Krijon mundësi për qëllim ekonomik, për mbështetjen e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës, të cilat më pas kthehen në shërbime për qytetarët tanë. Miratimi i këtij vendimi sot i hap rrugë planifikimit me kohë për 2026 dhe siguron një proces të rregullt të barabartë dhe transparent”, shtoi Rafuna.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën e Veteranit ka thënë se veteranët me veprën dhe luftën e tyre kanë bërë historinë e çlirimit të Kosovës.
Kurti në një postim në Facebook ka uruar luftëtarët e lirisë për Ditën e Veteranit, ndërkaq ka kujtuar rezistencën e familjes Jashari.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Urime Dita e Veteranëve të gjithë luftëtarëve të lirisë, atyre që me armë në duar dhe me guxim në shpirt, vullnetin për çlirimin e Kosovës e jetësuan në realitet historik.
Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zuri vend në ditën e parafundit të vitit kalendarik, sepse në një ditë si kjo, më 30 dhjetor 1991, forcat policore serbe e kryen aksionin e parë ndaj familjes Jashari në Prekaz. Kishin kaluar vetëm tre javë prej kur Adem Jashari dhe gjysma e grupit të dytë të vullnetarëve që ishin stërvitur në Shqipëri, ishin kthyer nëpër shtëpitë e tyre. Të dekonspiruar ndërkohë, policia shkoi ta arrestonte komandantin e togut të dytë të atij grupi vullnetarësh, Adem Jasharin, atë kohë 36 vjeçar.
Por policia nuk e kishte parashikuar që do të haste në rezistencë të armatosur nga tre bijtë e Shaban Jasharit, Rifati, Hamza dhe Ademi, të cilëve iu bashkuan në luftime kushërinjë e bashkëfshatarë, si dhe miq, shokë e luftëtarë të tjerë të organizuar bashkë me ta. Gjatë ditës së hënë të 30 dhjetorit 1991, Prekazi u shndërrua në arenë të përballjeve të shumëfishta dhe presioneve mes policisë serbe dhe mbi 200 personave nga Prekazi e fshatrat përreth që u mobilizuan ta ndihmonin familjen Jashari. Dy persona u plagosën, 14 familje u bastisën, 50 persona u ndaluan gjithë ditën kurse 27 prej tyre u arrestuan, mes të cilëve edhe Shaban Jashari.
Rifati, Hamza dhe Ademi arritën të dilnin nga rrethimi policor, duke e nxjerrë jashtë tij edhe projektin e kahmotshëm kombëtar për çlirimin e Kosovës. Shpirti lëvizës i familjes Jashari, baci Rifat, arriti të kthehej në Gjermani, kurse Hamza dhe Ademi kaluan në ilegalitet duke jetuar mes aksionesh e organizimesh luftarake gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Familja Jashari do të vihej sërish para një sprove të këtillë mëngjesin e 22 janarit 1998, kur u sulmua sërish nga policia serbe dhe kur rezistoi sërish me luftë të armatosur. Kjo ngjau vetëm gjashtë javë para aktit final të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, kur pas një rezistence të paepur bashkë me dhjetëra të tjerë, Ademi dhe Hamza ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.
Veteranët e luftës çlirimtare, janë shokët bashkudhëtarë dhe luftëtarët dëshmitarë të dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës. Ju lumtë pushka luftëtarë, ju zgjatë jeta veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Me veprën dhe luftën tuaj, ju e keni bërë historinë e çlirimit të Kosovës, rrugë kjo në të cilën udhëtojnë të gjithë ata që angazhohen për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës dhe faktorizimin e kombit tonë. /Telegrafi/
Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit ka folur edhe lidhur me kërkesën e pezullimit të ministres, Belinda Balluku. Rama shprehet se kërkesa është skandaloze dhe se nuk ka ndodhur kurrë një rast i tillë në botë ku kërkohet pezullimi i një ministreje.
Ai shtoi se morën një vendim institucional duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, raporton euronews.al.
“16 mijë faqe janë një vandak me dokumente zyrtare. S’ka nevoje të shohësh. USB-ja e sjellë nga Prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputeti i PS, as ministrja, as avokati. Mos të krijojmë asnjë shteg se këto i kanë nxjerrë ato.
Nuk kemi të bëjmë me ndryshim qëndrimi, kemi të bëjmë me një qëndrim të duhur sepse rasti vjen ne Parlament. Përpara se të vinte në Parlament erdhi u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv brutalisht me një kërkesë skandaloze për pezullim e pandodhur në historinë e botës. E kemi kërkuar gjithandej nëse ka një të dytë, nuk ka.
Nuk ka ndodhur në asnjë vend të votës që të mblidhen bashkë një prokurori dhe një gjykatës që të pezullohet një ministër se duam ne. Ne mbajtëm një vendim institucional, shkuam në Gjykatën Kushtetuese dhe në Parlament do të bënim një qëndrim.
Shqipëria ka shumë gjera të tjera që ndodhin dhe bëhen, ndërkohë po ju them disa gjera që nuk i gjen në asnjë nga tenxhere mediatike dhe politike që njerëzit nuk i dëgjojnë. Po u them se Shqipëria është vendi me skandaloz i gjithë komunitetit të Këshillit te Evropës.
E thonë shifrat të cilat kanë alarmuar Komisionin për parandalimin e torturës në Këshillin e Evropës, dhe flasim për drejtësinë tonë. Jemi në fund të listës me një diferencë nga të tjerët për paraburgimin, burgosjen e njerëzve pa gjyq”, tha ai.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj S.A. për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
I pandehuri S.A., akuzohet se gjatë periudhës 1998-1999, në fshatin Llashticë, komuna e Gjilanit, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Sipas aktakuzës, më 30.04.1999, rreth orës 13:00, S.A, ka marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër personave të tjerë.
“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të neneve 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse i pandehuri S.A është i paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë konferencës vjetore me gazetarë foli edhe për ushtrinë dhe sistemin mbrojtës.
Ai u shpreh se Shqipëria ka raketa Javelin dhe tre anije patrulluese, raporton Top Channel.
Ndër të tjera kreu i qeverisë deklaroi se Shqipëria ka sot ushtrinë më të mirë-paguar në rajon.
“Kemi ushtrinë më të mirë paguar në rajon, përfshi edhe Serbinë. Ambicia jonë është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s sa i përket anës financiare. Ky vit na gjen me një sistem raketor Javelin, na gjen me tre anije patrulluese që I kemi dhuratë nga Italia, na gjen me radarë falë bashkëpunimit me Francën. Ajo që mbetet ambicia kryesore është Shqipëria një vend prodhues i industrisë ushtarake.
Do prodhojmë dronët luftarakë dhe sistemet antidron. Në 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të bërë kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, u shpreh kryeministri Rama.
Bekim Hamëz Jashari sot në Ditën e Veteranit ka kujtuar se 34 vjet më parë, në ora 05:15, në një mëngjes të ftohtë dhe me borë, forcat serbe kishin filluar sulmet drejtë kullave, brenda të cilave gjendej Kryekomandanti Adem Jashari, Hamëza Jashari e Rifat Jashari dhe që të gjithë bashkë pas shumë orë luftimesh arritën të zmbrapsnin forcat serbe.
Jashari në një postim në Facebook shkruan se nga 30 dhjetori i vitit 1991 kryekomandanti Legjendar Adem Jashari dhe shokët e tij vepruan e punuan pa u ndalur në male e fusha deri në rënien e tyre heroike.
Lexoni të plotë postimin:
30 DHJETOR 1991
Në këtë ditë të shënuar për vendin kujtojmë e nderojmë luftën tonë shekullore, sakrificën e popullit tonë për Liri, luftën e Kryekomandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë ushtarëve të UÇK-së.
34 vite me parë, në ora 05:15, në një mëngjes të ftohtë dhe me borë, forcat serbe kishin filluar sulmet drejtë kullave, brenda të cilave gjendej Kryekomandanti Adem Jashari, babushi Hamëza, mixha Rifat dhe që të gjithë bashkë pas shumë orë luftimesh arritën të zmbrapsnin forcat serbe.
Nga kjo datë Kryekomandanti Legjendar Adem Jashari dhe shokët e tij vepruan e punuan pa u ndalur në male e fusha deri në rënien e tyre heroike.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në Ditën e Veteranit të UÇK-së, kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati ka përmendur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhën në paraburgim në Hagë, pa të cilët tha se “kjo festë është e mangët pa njerëzit që luftuan për vendin tonë”.
Gucati pas homazheve ka kritikuar edhe institucionet sa i përket legjislacionit.
“Mu në këtë vend ku jemi sot para 34 viteve kanë qenë shkëndijat e para të lirisë, të luftës së parë frontale të bacës Shaban me dy djemtë, me Hamzën dhe Ademin dhe rrethi i tij i gjerë, Jasharit, u përballën me forcat çetnike paramilitare serbe që luftuan për ditën e sodit.
Dhe, ne sot si veteranë nuk e ndjejmë vetën aq të lirë për arsye se ende kemi problem me institucionet tona ku Ligji për Vlerat e Luftës nuk është bërë ende dhe ne këtë festë që e festojmë sot e kemi të mangët për arsye se ne i kemi njerëzit, të cilët e kanë udhëhequr luftën që janë në qendrën të paraburgimit në Hagë. Kjo festë sot është e mangët pa ata njerëz të cilët luftuan për vendin tonë, kështu që unë në emrin tim dhe në emrin e të gjithë këtyre shokëve këtu do t’ua uroj Ditën e Veteranit, familjen e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Gucati, raporton KP.
Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve për sjelljen e lirisë dhe pavarësisë për popullin e Kosovës.
Më 30 dhjetor 1991 filloi përballja e familjes Jashari me forcat ushtarake serbe në Prekaz, ku nga kjo filloi edhe rezistenca ushtarake e UÇK-së. Shënimi i kësaj dite është rregulluar sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Ekzaminimi i telefonave në procedurë penale”, i cili analizon bazën ligjore, kushtetuese në Republikën e Kosovës dhe standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) lidhur me sekuestrimin dhe ekzaminimin e pajisjeve telefonike në procedurën penale në Kosovë.
Në njoftim thuhet se raporti i përgjigjet debatit publik dhe profesional të hapur së fundmi lidhur me pyetjen nëse për ekzaminimin e të dhënave në telefonat e sekuestruar kërkohet vendim i posaçëm gjyqësor, apo nëse mjafton autorizimi i Prokurorit të Shtetit pas sekuestrimit të ligjshëm të pajisjes me vendim të gjykatës.
“Në këtë analizë, IKD shqyrton në mënyrë të detajuar dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK), veçanërisht dallimin ndërmjet përgjimit si masë e veçantë hetimore dhe ekzaminimit të provave të marra nga pajisjet e sekuestruara, si dhe përputhshmërinë e këtyre dispozitave me nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe me jurisprudencën relevante të GjEDNj-së.
Gjetjet kryesore të raportit tregojnë se, sipas KPPRK-së, kompetenca për autorizimin e ekzaminimit të pajisjeve telefonike të sekuestruara i takon ekskluzivisht Prokurorit të Shtetit, ndërsa gjykata ka kompetencë vetëm për sekuestrimin e pajisjeve dhe jo për ekzaminimin e tyre, pasi për këtë të fundit nuk ekziston bazë ligjore për nxjerrjen e një vendimi gjyqësor”, thuhet në njoftimin e IKD-së.
Raporti po ashtu konstaton se të dhënat e nxjerra nga një pajisje telefonike e sekuestruar ligjërisht nuk përbëjnë “përgjime”, pasi përgjimi lidhet me mbikëqyrjen e komunikimeve në kohë reale dhe rregullohet si masë e veçantë hetimore, e cila kërkon çdoherë vendim gjyqësor.
Në të kundërtën, IKD thekson se ekzaminimi i provave të sekuestruara rregullohet me dispozita të tjera ligjore dhe me standarde të ndryshme kushtetuese dhe ndërkombëtare.
IKD vlerëson se ndryshimi i praktikës gjyqësore mbi bazën e të njëjtit ligj krijon pasoja serioze në praktikë, duke rrezikuar dështimin e rasteve penale ku provat kyçe janë siguruar përmes ekzaminimit të pajisjeve kompjuterike dhe duke krijuar pasiguri juridike për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e ndjekjes penale.
“Në raport theksohet se, në rast dileme për kushtetutshmërinë e dispozitave të KPPRK-së, gjykatat duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, dhe jo të shmangin zbatimin e ligjit përmes interpretimeve të drejtpërdrejta kushtetuese.
Raporti përfundon me rekomandime të qarta për gjyqësorin, duke kërkuar zbatim konsekuent të ligjit, dallim të qartë ndërmjet përgjimeve dhe ekzaminimit të provave digjitale, si dhe interpretim të dispozitave ligjore në harmoni me Kushtetutën dhe jurisprudencën e GjEDNj-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në Ditën e Veteranit theksoi se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë.
E para e shtetit theksoi se në Ditën e Veteranit të UÇK-së, përulen me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr.
“Sot, në Ditën e Veteranëve të UÇK-së, përulemi me respekt të thellë para burrave dhe grave që u ngritën kur liria ishte vetëm një ëndërr. Ata u bënë mburojë e popullit, zë i atdheut dhe shpresë në kohën më të errët.
Veteranët e UÇK-së janë dëshmia se liria nuk dhurohet, por fitohet me guxim dhe sakrificë. Rrugëtimi i tyre drejt lirisë u kurorëzua me dinjitet dhe fitore. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit. Nderim i përhershëm veteranëve të UÇK-së!”, shkruan ajo. /Telegrafi/
Një aksident me fatalitet ka ndodhur mëngjesin e së martës në Bresje të Fushë Kosovës, ku një këmbësor është goditur për vdekje.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 05:00, kemi pranuar informatën se në Bresje të Fushë Kosovës, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një automjet dhe një këmbësor. Si pasojë e aksidentit këmbësori ka mbetur i vdekur”, tha ajo.
Vdekja e viktimës (mashkull) është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Me rastin po merret Njësiti i trafikut rajonal. /Telegrafi/
Pas pesë ditësh pa ujë të pijshëm, defekti në tubacionin kryesor të furnizimit me ujë në qytetin e Vlorës është riparuar pas mesnate.
Rregullimi i tubit përfundoi rreth orës 04:00 të mëngjesit, moment kur nisi edhe furnizimi i depove të qytetit, raporton euronews.al
Aktualisht, një pjesë e zonave të Vlorës po furnizohen me ujë, ndërsa pjesa tjetër e qytetit pritet të marrë furnizim në mënyrë graduale gjatë orëve në vijim. Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi nuk po realizohet ende me kapacitet të plotë, pasi pajisja e re e montuar ndodhet në fazë testimi, për të garantuar funksionim të sigurt dhe të qëndrueshëm të sistemit.
Sipas burimeve zyrtare, pritet që gjatë pasdites furnizimi me ujë të normalizohet në të gjithë qytetin. Aktualisht po mbushen depot kryesore, proces që kërkon edhe disa orë kohë, ndërsa linja 24-orëshe që mbulon zonën e Lungomares ka nisur funksionimin.
Shqipëria të martën do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se moti parashikohet i kthjellët dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura përqendruar në relievet malore kryesisht lindje të territorit, pas orëve të mesditës.
SHMU njofton tutje se do të ketë reshje të dobëta e lokale shiu në lindje dhe përgjatë vijës bregdetare pas orëve të mesditës.
Në relievet malore verilindje - lindje e juglindje reshje bore me intensitet kryesisht të ulët, në formën e flokëve të borës, ndërkaq prezencë e ngricave në akset rrugore kryesisht në zonat malore.
Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 4 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era me shpejtësi deri në 10 m/s.
Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se kjo javë në Kosovë do të karakterizohet me mot kryesisht të vranët, me intervale të herëpashershme me diell.
IHK njofton se vranësirat vende-vende do të shoqërohen me fjolla të dobëta bore.
Temperaturat do të shënojnë rënie të ndjeshme, duke sjellë net dhe mëngjese me acar, ndërsa era do të fryjë nga drejtime të ndryshme.
Për të martën, IHK ka bërë të ditur se temperaturat minimale do të jenë -8 deri -4 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 1-3°C.
Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-8m/s. /Telegrafi/
Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, e vlerësoi punën e SPAK në vitin 2025, duke renditur të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur këtë vit. Por ai veçoi edhe akuzën ndaj ish-kryeministrit Berisha, duke e vënë në krye të ngjarjeve të rëndësishme.
“Sa u përket ngjarjeve më të rëndësishme të vitit 2025 të SPAK, ajo që është më e rëndësishme është që një kryetar bashkie hiqet zvarrë dhe ccohet në burg. Ka ndodhur edhe me Arben Ahmetajn që është tani në Zvicër dhe me Belinda Ballukun. Për nga rëndësia ajo që ka ndodhur në 2025 e që ka nisur nga 2024 është ajo që ndodhi me ish-kryeministrin Sali Berisha. Edi Rama është kryeministri më i korruptuar, por antikorrupsioni duhet të veprojë ndaj të gjithëve.
Ky është moment historik direkt pas atyre ngjarjeve të vitit 1991. Rreziku më i madh është se të pandehurit e sotëm po përdorin mediat dhe analistët kundër drejtësisë. Ne kemi nisur një fushatë me çadra për drejtësinë në të gjithë Shqipërinë për të mbledhur firma në mbështetje të drejtësisë duam të mbledhim 100 mijë firma nga qytetarët se janë me drejtësinë”- tha Shehaj./mxh
Diplomati i karrierës, Roland Bimo komentoi sot rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.
Bimo vlerësoi procesin zgjedhor si korrekt dhe në respekt të standardeve ndërkombëtare, por kritikoi triumfalizmin e tepruar pas rezultatit.
“Është një fitore për popullin e Kosovës për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet dhe për plotësimin e standardeve demokratike. Por të gëzohemi vetëm pse dimë të votojmë do të thotë ta vendosim stekën shumë ulët. Pas më shumë se tri dekadash demokraci, Kosova nuk duhet të kënaqet vetëm me zhvillimin korrekt të zgjedhjeve, ndërsa përdorimi i termave si “historike” e zhvlerëson procesin. Kjo ndjenjë triumfalizmi dhe përdorimi i fjalës historike vend e pa vend. Ishte elektorati ai që zgjidhi ngërçin, pasi politika kosovare nuk ishte në gjendje të binte dakord për asgjë. Rezultati dhe standardi zgjedhor mund të maskojnë problemin kryesor të politikës shqiptare: mungesën e kompromisit”,-tha Bimo./mxh
Kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani komentoi sot situatën në Bashkinë e Tiranës, teksa kryetari Erion Veliaj është i arrestuar dhe në qelinë e Burgut të Durrësit.
Në një studio televizive, Ristani u shpreh se çështja ndaj Veliajt ka një ndikimi sepse bëhet fjalë për një kryetar të zgjedhur.
Ristani shtoi se pavarësisht kontekstit politik e juridik, shërbimet ndaj qytetarëve nuk mund të ndalojnë në asnjë moment.
“Performanca e bashkisë ka qenë në ato standarde që ka qenë në të gjithë këto vite. Dua të jem shumë e sinqertë unë mendoj që jo vetëm në Bashkinë e Tiranës, por në të gjithë sendimentin e qytetit kalibrimi ynë nga një rend drejtësie që historikisht nuk e kishim parë të tillë, do kohën e vet. Patjetër që ndikon për më tepër kur bëhet fjalë për një kryetar të zgjedhur, vizioni i të cilit ka drejtuar qytetin për vite të tëra. Por shërbimet e qytetit janë shërbime nuk mund të ndalojnë në asnjë moment sido të jetë konteksti politik apo juridik për çdo lloj çështje. Qyteti duhet pastruar, kopshtet e shkollat do funksionojnë, janë shërbime bazike por të shumta të numër që nuk ta japin luksin për të ndalur. Ajo infrastrukturë punonjësish të Bashkisë Tiranë vijon të jap shërbimet e saj pasi janë të nevojshme dhe pa to nuk do mund të kalonim dot 24 orë”,-tha Ristani./mxh
Gjatë ndeshjes së fundit të Superiores mes Bylisit dhe Vorës, portieri Jeremy Vachoux u largua nga fusha në minutën e 42-të në shenjë proteste.
Sipas trajnerit Mirel Josa, ky veprim erdhi pasi kërkesa e lojtarit për zëvendësim nuk u realizua menjëherë nga stafi teknik.
Arbitri i ndeshjes, Ermis Çelaj, e ndëshkoi portierin me karton të verdhë për këtë veprim të paprecedentë në kampionat. Ky ndëshkim e çon Vachoux në kuotën e katër kartonëve të verdhë, duke sjellë pezullimin e tij automatik për ndeshjen e radhës.
Si rrjedhojë, pavarësisht ecurisë së marrëdhënies me klubin, portieri do të mungojë zyrtarisht në sfidën kundër Tiranës.
Mungesa e tij vlerësohet si një humbje për organikën e ekipit ballshiot, duke pasur parasysh rolin e tij si titullar.
Aktualisht, stafi teknik duhet të planifikojë ndryshimet në formacion për rifillimin e kampionatit. Deri më tani, klubi i Bylisit nuk ka lëshuar një njoftim zyrtar për masa disiplinore shtesë ndaj lojtarit./mxh