Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën
TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Aplikacioni TEA (Tourism Events of Albania) gjatë këtij viti që po mbyllet ka ofruar një përvojë të përmirësuar dhe më gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që kanë eksploruar bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë.
Falë TEA-s turistët kanë shijuar krahas natyrës, maleve, detit e kulinarisë, edhe eventet kulturore e artistike.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela bën të ditur për ATSH-në se “TEA, guida digjitale e eventeve është shkarkuar 170 mijë herë, në krahasim me 2024 kur është shkarkuar 90 mijë herë”.
“Ky aplikacion në krahasim me vitin 2024 ka pësuar rritje. Në 2024 në TEA janë përfshirë 2144 aktivitete, ndërsa në 2025, 3331 aktivitete, ku vendin kryesor e zënë ato të Agroturizmit, Art Fest, Festivale Muzikore, Artet Pamore, Trashëgimi Kulturore dhe Teatër”, tha Çela.
AKT promovon Shqipërinë globalisht si një destinacion autentik, të sigurt dhe mikpritës, me një ofertë të larmishme.
“Agjencia zbaton një paketë të integruar promovimi; përveç prezantimit të Shqipërisë në panaire të rëndësishme ndërkombëtare, promovimi digjital ka qenë shumë i rëndësishëm për suksesin. Promovimi digjital dhe marketingu tradicional ecin krah për krah, duke përdorur teknologjitë e reja dhe duke krijuar aplikacione digjitale, si aplikacioni TEA, TEA Digital Tourism App”, theksoi Çela.
Sipas saj, aplikacioni TEA është një zgjidhje inovative e zhvilluar nga AKT-ja, që vendos teknologjinë digjitale në qendër të promovimit të turizmit.
“TEA shërben si një asistent personal për udhëtarët, duke ofruar aktivitete kulturore, artistike dhe sportive, si dhe shërbime praktike”, tha Çela.
Disa nga vendet ku është shkarkuar ky aplikacion janë Shqipëria, Italia, SHBA, Anglia, Franca, Spanja, Turqia, Holanda, Kosova etj.
Aplikacioni TEA, i vetmi udhërrëfyes digjital i Shqipërisë turistike është një shembull i shkëlqyer sesi teknologjia mund të përdoret për të përmirësuar dhe modernizuar përvojën turistike, duke ofruar informacion të shpejtë, të saktë dhe të përshtatur për turistët.
Me TEA, turistët navigojnë nëpër destinacione të ndryshme turistike të Shqipërisë. Ata njihen me monumentet historike, aktivitetet kulturore dhe artistike, por edhe informacion mbi shërbimet utilitare në nevojë të turistëve, si: hotele, bare e restorante, kontakte, etj.
/k.s/j.p/
The post Çela për ATSH-në: Aplikacioni TEA, 170 mijë shkarkime në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.