RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën
MOSKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha gjatë një konference për shtyp se ka përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Në procesin negociues për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ku kam parasysh procesin negociues me Shtetet e Bashkuara, mund të vërehet përparim i ngadaltë, por i sigurt,” u citua të ketë thënë Zakharova.
Vetë Ukraina u përmend pak, pavarësisht se po i reziston pushtimit rus prej gati katër vitesh.
Në vend të kësaj, Zakharova kërkoi të thellojë përçarjen mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë të përfshirë në përpjekjet për paqe.
Ajo u bëri thirrje homologëve amerikanë që “t’i kundërshtojnë në mënyrë aktive përpjekjet e vendeve të Evropës Perëndimore për të sabotuar dhe zhbërë përparimin e arritur në procesin negociues për Ukrainën”.
Pas shpalljes së një plani paqeje me 28 pika, i cili u kritikua gjerësisht si një “listë dëshirash ruse”, udhëheqësit evropianë iu bashkuan Ukrainës në procesin negociues, me synimin për të parandaluar rezultate që mund të minonin rëndë stabilitetin e ardhshëm të Kievit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paraqitur më pas publikisht një kundërpropozim me 20 pika, i cili aktualisht është në diskutim.
Megjithatë, Rusia ende nuk ka paraqitur një qëndrim zyrtar dhe nuk është tërhequr nga kërkesat e saj maksimaliste.
Sa i përket një plani të mundshëm paqeje, Zakharova përsëriti gatishmërinë e pretenduar të Moskës për të negociuar një marrëveshje mossulmimi me një vend evropian ose me NATO-n.
“Rusia është e gatshme të formulojë angazhime përkatëse në formën e një dokumenti të shkruar, juridikisht detyrues”, tha Zakharova.
Presidenti rus Vladimir Putin e kishte ofruar më parë një marrëveshje të tillë dhe kishte hedhur poshtë pretendimet se Rusia mund të sulmonte një vend të NATO-s si “të pakuptimta”./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.