Nënkryetari i gjykatës së Tiranës: Po na cenohet siguria, na ka mbështetur AAPSK me pajisje
TIRANË, 22 janar /ATSH/ Nënkryetari i Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha ngriti shqetësime mbi mungesën e sigurisë dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet e institucionit, duke theksuar se kërkesat për ndërhyrje kanë mbetur pa përgjigje.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, Hoxha bëri të ditur se gjykata prej vitesh përballet me mungesë të theksuar pajisjesh dhe fondesh, duke nisur nga pajisjet bazë të sigurisë deri te infrastruktura e brendshme. Sipas tij, një skaner sigurie nuk funksionon prej disa vitesh, ndërsa kërkesat për pajisje shtesë janë plotësuar vetëm pjesërisht.
Ai theksoi se për vitin aktual, nga fondet e kërkuara për pajisje, është miratuar vetëm 7–10% e nevojës reale, ndërsa pjesa dërrmuese e buxhetit është dedikuar vetëm për pagat, sigurimet shoqërore dhe blerjen e një skaneri. “Nga 100% që kemi kërkuar për pajisje, kemi minus rreth 90%”, u shpreh Hoxha, duke e cilësuar situatën si alarmante për funksionimin normal të gjykatës.
Në këtë kuadër, ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesen e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, për mbështetjen e dhënë në sigurimin e disa pajisjeve të nevojshme për rritjen e sigurisë.
Një tjetër problem i ngritur nga nënkryetari i Gjykatës së Tiranës lidhet me ruajtjen fizike të godinës. Hoxha deklaroi se kërkesat për shtim të pranisë së policisë në ambientet e gjykatës kanë qenë të vazhdueshme, por deri më tani nuk kanë gjetur zbatim. “Do të mjaftonin rreth 60 punonjës policie vetëm për Gjykatën e Tiranës. Kërkojmë të paktën dy ose tre policë për çdo kat. Godinat e gjykatave, ku ruhen prova të rëndësishme, pasdite i ruan Zoti”, tha ai.
Sipas Hoxhës, mungesa e sigurisë dhe infrastruktura e pamjaftueshme përbëjnë rrezik jo vetëm për stafin dhe qytetarët, por edhe për integritetin e provave dhe procesin e drejtësisë në tërësi. /j.p/
The post Nënkryetari i gjykatës së Tiranës: Po na cenohet siguria, na ka mbështetur AAPSK me pajisje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.