Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 December 2025Main stream

‘Ku ka shqiptarë, ka shpirt kuqezi’, Spiropali viziton Komunën e Tetovës: Qendër dinamike arsimore dhe kulturore

By: Os De
23 December 2025 at 18:16

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali vijoi vizitën e saj zyrtare në Komunën e Tetovës të Maqedonisë së Veriut. Spiropali u prit fillimisht në Komunën e Tetovës nga Kryetari Bilall Kasami. 

Në fokus të takimit ishte zhvillimi lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon. 

Më tej, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës. 

“Një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët”, theksoi Spiropali nga shkolla e mesme mjekësore. 

Postimi i plotë: 

Ku ka shqiptarë, ka atdhedashuri, patriotizëm, shpirt kuqezi! 

Pritja në Komunën e Tetovës nga Kryetari Bilall Kasami ishte një ndalesë me shumë domethënie, ku folëm për zhvillimin lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon. 

Me emocione shijuam performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës, aty ku një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët. 

Rita Petro fiton çmimin “Poeti Laureat 2025-2027”

23 December 2025 at 16:25

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit vlerësoi Rita Petron me çmimin “Poeti Laureat 2025-2027”.

Petros iu dorëzua çmimi nga poeti e shkrimtari Primo Shllaku. Vlerësimi shkon përtej suksesit personal dhe shënon një moment të rëndësishëm për letërsinë shqipe bashkëkohore.

“Mendoj që kjo lloj poezie të shkojë sidomos tek të rinjtë, sepse duke qenë brenda programeve shkollore, unë e di që aty janë të kufizuara dhe në përgjithësi bëhet poezia e traditës. Kështu që kurset e hapura dhe punëtoritë me studentë dhe ata që duan të shkruajnë, por edhe kurset e hapura e leximet e hapura dhe për ata që duan të krijojnë bashkëbisedim, sepse në fund të fundit, poezia na zhvesh nga komplekset”, u shpreh poetja Rita Petro.

Misioni i çmimit “Poeti Laureat” është të nderojë autorë që, përmes fjalës poetike të pasurojnë gjuhën artistike dhe mbajnë gjallë dialogun mes letërsisë dhe shoqërisë. Ky çmim i jep poezisë një hapësirë më të madhe në vëmendjen publike dhe rikujton se fjala poetike mbetet një mjet i fuqishëm reflektimi dhe ndërgjegjësimi. /j.p/

The post Rita Petro fiton çmimin “Poeti Laureat 2025-2027” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

50-vjetori i animacionit shqiptar

23 December 2025 at 15:58

TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Animacioni shqiptar i ka fillesat e tij 50 vjet më parë.

Në një aktivitet përkujtimor në nderim të animacionit dhe atyre që kontribuan në realizimin e këtij arti, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ndihmoi me dokumente arkivore dhe pamje filmike.

Kreu i AQSHF, Eljan Tanini, e konsideroi këtë jubile të artit tonë pamor, jo vetëm si një përvjetor festiv, por një rikthim në rrënjët e krijimtarisë sonë filmike aty ku lindi vizioni, ironia, karakteri dhe poezia që solli animacionin shqiptar ndër dekada.

Në fondin e AQSHF-së, ruhet një pasuri me vlera e cila bën të mundur që kjo histori të kujtohet me autenticitet duke i dhënë frymë figurave që e ndërtuan me pasion dhe vizion këtë traditë.

Në aktivitet u vlerësuan dhe u shpreh mirënjohja për të gjithë krijuesit, animatorët, studiuesit dhe dashamirësit që vijojnë ta mbajnë të gjallë trashëgiminë e animacionit shqiptar.

/a.f/

The post 50-vjetori i animacionit shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Gjashtë javë në oborrin mbretëror për të realizuar portretin e Mbretit Zog I”

By: e xh
23 December 2025 at 13:42

Nga Aurenc Bebja

Gazeta norvegjeze “Morgenavisen” ka botuar, të shtunën e 8 gushtit 1931, në faqen n°10, rrëfimin e piktorit hungarez Márton Hosszú rreth vizitës së tij gjashtë javore asokohe në oborrin mbretëror të Shqipërisë.

Në oborrin e Mbretit të Shqipërisë.

Mbreti Zog është një mik i vërtetë i popullit të tij — Një mbretëri po modernizohet.

Burimi: Morgenavisen, e shtunë, 8 gusht 1931, f. 10

Një piktor i famshëm hungarez, Márton Hosszú, ka qenë mysafir i mbretit shqiptar për gjashtë javë në pallatin e Tiranës.

Mbreti Zog e ftoi Hosszún-ë, i cili ishte në një udhëtim studimor në Romë, të qëndronte në pallatin e tij sepse dëshironte që t’i pikturojë portretin e tij.

Hosszú është kthyer tashmë në shtëpi në Budapest dhe ka shkruajtur në një gazetë vjeneze rreth vizitës së tij në Shqipëri :

Udhëtimi nga Roma në Tiranë zgjati pesë ditë. Isha i përgatitur të njihesha me një bej, kultura e të cilit ishte në rënie. Aq më e madhe ishte habija ime kur zbulova se Tirana është një qytet plotësisht modern.

Lagje të tëra që më parë e kishin shpërfytyruar qytetin tani u shembën dhe në vend të ndërtesave të vjetra u ngritën ndërtesa banimi të bukura dhe moderne. Është pothuajse e pabesueshme se si është zhvilluar Tirana në dy vitet e fundit. Kudo që të shikosh, syri të has në bulevarde të reja, rrugë të gjera e të pastra. Dhe shumica e shtëpive të një qyteti të madh do ta kishin zili Tiranën e vogël.

Rindërtimi ende nuk ka përfunduar. Jo vetëm në Tiranë, por në të gjitha qytetet e vendit mbizotëron një ethe e vërtetë ndërtimi.

Rrugët kombëtare po shtrohen me makadam. Kudo sheh stacione elektrike të ndërtuara rishtazi, të cilat furnizojnë të gjithë vendin me energji elektrike. I gjithë sistemi telegrafik dhe telefonik po modernizohet.

Mjetet e transportit janë të përshtatshme dhe në përputhje me kërkesat moderne. Ky vend është mjaft i ri për të huajt. Kishte ende pak turistë. Rrjeti hekurudhor është zgjeruar ndjeshëm, janë hapur miniera të reja dhe së fundmi është zbuluar një burim, uji i të cilit thuhet se ka të njëjtat veti si uji i Karlovy Vary-t.

Gjatë gjashtë javëve që qëndrova në Shqipëri, u përuruan një spital i ri dhe tre shkolla. Mbreti Zog I ishte një sundimtar i vendosur dhe energjik, e gjithë jeta e të cilit ishte e orientuar drejt qëllimit për ta bërë Shqipërinë një shtet modern kulturor.

Mbreti, i cili është 37 vjeç, gëzon simpati të sinqertë në të gjitha rrethet. Të gjithë dinë ta vlerësojnë atë.

Ai është një njeri i arsimuar. Ai nuk është vetëm një sundimtar në kuptimin më fisnik të fjalës, por edhe një mik i vërtetë i popullit të tij.

Kur mbërrita në Tiranë, u takova me ministrin e oborrit Ekrem Bej Libohovën, i cili më priti me një mirësjellje të jashtëzakonshme dhe më shoqëroi deri në pallatin mbretëror.

Pallati është një ndërtesë njëkatëshe me dritare të larta, të gjera dhe të harkuara. Nga jashtë, nuk të jep përshtypjen e një rezidence mbretërore. Pallati është dekoruar në mënyrë madhështore. Mobilje të çmuara antike janë të ndërthurura me orendi moderne.

Madhëria e Tij më doli menjëherë përpara. Mbreti lë një përshtypje shumë dinjitoze dhe fisnike. Lëvizjet e tij të qeta e të matura, i gjithë paraqitja e tij e jashtme, nuk mund të mos lënë një përshtypje të fortë tek ai që qëndron përballë tij.

Mbreti Zog është një burrë i pashëm dhe interesant. Fytyra e tij rrezaton inteligjencë të lartë. Njëkohësisht tiparet e tij janë të mbushura me energji.

Ai flet rrjedhshëm gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Biseda e tij është rrezatuese.

Pothuajse çdo ditë mbreti pozonte për mua, shpesh për orë të tëra, por ai kurrë nuk e humbi durimin.

Ndërsa pikturoja, bisedonim për probleme nga më të ndryshmet. Është karakteristike për shijen e mirë të këtij sundimtari që ai nuk dëshironte të pikturohej me uniformë ushtarake dhe me dekorata.

Madhëria e Tij fliste me dashuri për temat artistike. Ai më tregoi se kishte njohuri të thella për thesaret artistike të shumicës së muzeve evropiane.

Portreti im i mbretit fitoi miratimin e tij të plotë dhe ai më dha detyrën të pikturoja edhe nënën e tij.

Nëna Mbretëreshë jeton në një shtëpi, shumë të zakonshme dhe të mobiluar thjesht, me pesë vajzat e saj dhe nipin e saj shtatëvjeçar.

Motrat e mbretit janë janë bukuri tipike me prejardhje të pastër shqiptare, të cilat kanë marrë një arsim të plotë.

Shqiptarët janë gjithashtu një popull i mrekullueshëm, mikpritës dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.

Qëndrimi im në Tiranë nuk do të më dalë kurrë nga kujtesa.

https://www.darsiani.com/la-gazette/morgenavisen-1931-rrefimi-i-piktorit-hungarez-marton-hosszu-gjashte-jave-ne-oborrin-mbreteror-te-shqiperise-per-te-realizuar-portretin-e-mbretit-zog-i/

“Nuk shkoni në kërkim të justifikimeve por në kërkim të suksesit”, Rama i jep medaljen e artë gjimnazistit nga Pogradeci

By: Fax Web
23 December 2025 at 14:29

Kryeministri Edi Rama ndau sot “Medaljet e Arta” për gjimnastët, të cilët kanë përfunduar ciklin shkollor pa asnjë 9.

Gjatë fjalës së dhe ndarjes së medaljes, kryeministri Rama nuk i kurseu as batuta me një djalë nga Pogradeci, i cili ka një vëlla tjetër binjak, por që sipas Ramës nuk e merr dot medaljen sepse ka një 9.

“Nuk shkoni në kërkim të justifikimeve por në kërkim të suksesit. Për këtë arsye ju jeni shembull frymëzues edhe për mua dhe unë ju falenderoj për këtë.

Më thanë që këtu ka një djalë që vjen nga Pogradeci dhe është vëllai binjak i një djali tjetër dhe nuk e merr medaljen e artë sepse ka marrë një 9. Kjo 9 bën që në atë shtëpi të shkojë vetëm një medalje

Nuk dua t’i them djalit që do marrë medaljen asgjë, por dua ti them atë që nuk do ta marrë medaljen që ajo 9 nuk e ben aspak që të ndihet i dyti pas vëllait.

Unë kam bindjen që ajo 9 në pjesën tjetër të rrugës ta kalojë vëllain.

Nuk i japim dot medaljen se nuk na takon, por do ta gjejmë një zgjidhje që ai të mos mjaftohet me fjalët e tua, por ta ketë një shenjë për ta lënë në shtëpi” tha Rama.

Ibrahimaj: Paqja fiskale mundëson norma tatimore më të favorshme për biznesin

By: Fax Web
23 December 2025 at 13:27

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në takimin e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj, me komunitetin e biznesit, mbi Paketën Fiskale dhe politikën e Paqes Fiskale.

Ministrja Ibrahimaj sqaroi se Paqja Fiskale mbështetet në dy shtylla kryesore: kontratën fiskale me biznesin, e cila synon planifikim më të mirë të detyrimeve tatimore, nxitje të deklarimit dhe rritje të sigurisë juridike; si dhe mundësinë e rishikimit të bilanceve të së kaluarës, me norma tatimore më të favorshme, për të mbyllur paqartësitë e së shkuarës dhe për të hyrë në vitet e ardhshme me stabilitet dhe besim të ndërsjellë.

“Synimi ynë është të hyjmë në vitin 2026 me biznese të formalizuara, konkurruese dhe me marrëdhënie të besueshme me administratën tatimore e doganore. Vetëm kështu mund të kalojmë nga një ekonomi e mbështetur te konsumi në një ekonomi të mbështetur te prodhimi dhe eksportet”, theksoi ministrja.

Ministrja Ibrahimaj rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për politika fiskale të qëndrueshme dhe afatgjata, pa rritje taksash, që nxisin investimet, formalizimin dhe konkurrencën e ndershme, duke e konsideruar Paqen Fiskale si një instrument kyç për forcimin e ekonomisë dhe për afrimin e saj me standardet europiane.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se duke iu referuar të dhënave ekonomike të viteve të fundit, ministrja nënvizoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme falë politikave të ndërmarra dhe bashkëpunimit me sektorin privat.

Ministrja nënvizoi se, numri i bizneseve është rritur me më shumë se 25% në 10-vjeçarin e fundit, ndërsa numri i të punësuarve është rritur me mbi 300 mijë persona. Po ashtu, theksoi ajo, janë shënuar rritje të ndjeshme të eksporteve, ulje të papunësisë, si dhe dyfishim të të ardhurave dhe fitimeve të bizneseve.

“Këto nuk janë shifra për narrativë politike, por tregues konkretë se klima ekonomike është përmirësuar vit pas viti. Qëllimi ynë është që ky trend pozitiv të vijojë përmes një mjedisi ekonomik stabël, të parashikueshëm dhe me rregulla të qarta për biznesin”, u shpreh Ibrahimaj.

Yesterday — 22 December 2025Main stream

Shemi i grupit “Ilirët” dyshohet se vdiq pas një sulmi në zemër

22 December 2025 at 17:58

Shemsi Krasniqi, solisti i grupit të rock-folk-ut vendor “Ilirët”, i njohur më shumë si Shemi, ka vdekur në moshën 64-vjeçare.

Burime nga Emergjenca thanë se ai u gjet pa shenja jete sot rreth orës 15:00, dyshohet pas një sulmi në zemër.

Shemi ishte pjesë e grupit “Ilirët” që u formua më 1981. Po atë vit grupi solli këngën e parë të titulluar “Merita”.

Ai ishte një nga zërat më ikonik të muzikës shqiptare, njeriu që i dha shpirt këngës që u kthye në simbol kombëtar, me këngën “Xhamadani vija vija”.

Shemi njihet edhe për këngën “Rini Thuaja Këngës”, me të cilën grupi mori pjesë në Netët e Klipit Shqiptar 13, në vitin 2014.

Në vitin 2012, “Ilirët” publikuan albumin “Moj Kosovë”.

Kënga “Qaj Mirvete” erdhi më pas, duke u bërë gjithashtu një prej më të dëgjuarave.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Shemi i grupit “Ilirët” dyshohet se vdiq pas një sulmi në zemër appeared first on Sinjali.

Ndërron jetë Shemi i grupit “Ilirët”

22 December 2025 at 19:00

PRISHTINË, 22 dhjetor/ATSH/ Sot, këngëtari i njohur Shemsi Krasniqi  – Shemi i grupit “Ilirët”, raportohet se është gjetur i vdekur. Ende nuk dihen arsyet e arsyet e vdekjes.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për KosovaPress se sot rreth orës 15:00 kanë pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë.

“Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Në koorsinim me prokurorin e shtetit po ndërmerren veprimet e nevojshme policore”, tha ajo për KosovaPress.

Një prej këngëve që ka qenë hit nga Shemi, ishte ajo ‘Xhamadani vija-vija”. /Kosovapress/

The post Ndërron jetë Shemi i grupit “Ilirët” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzika në zi! Ndërron jetë solisti i grupit “Ilirët”

By: Fax Web
22 December 2025 at 17:40

Shemsi Krasniqi, i njohur si “Shemi”, ka vdekur në mënyrë të papritur.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, trupi i solistit të grupit “Ilirët”, u gjet i pajetë në shtëpinë e tij në Dragodan, në mesnatë.

Dyshohet se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë një atak kardiak.

Krasniqi ishte 64 vjeç.

12:40 Një jetë mes dritës dhe hijes, film i ri për Nënë Terezën! Analiza: Ikonë me plasaritje

By: Klara
22 December 2025 at 12:40

Tereza ishte 19 vjeç, kur shkoi si novice (fillestare) në Indi, ku u përball me mjerimin, urinë dhe sëmundjen. Ajo jetoi si murgeshë dhe mësuese në Kalkuta, në urdhërin katolik Loreto, i cili i kushtohej arsimit dhe punës misionare në Indi. Kalkuta ishte e mbipopulluar, shërbimet shtetërore ishin të mbingarkuara dhe sistemi shëndetësor pothuajse inekzistent. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë nga Britania e Madhe, pas rreth 200 vjetësh sundimi kolonial, India përballej me sfida të mëdha. Në vend kishte trazira, mijëra njerëz humbën jetën në incidente të dhunshme.

Në këtë kaos na çon filmi “Tereza – Një jetë mes dritës dhe hijes”, pa zbukurime estetike, në një qytet me zhurma, ngushtësi dhe dyndje njerëzish. Tereza, e lindur në vitin 1910 si Anjezë Gonxhe Bojaxhiu në Shkupin e sotëm, shfaqet aty si një grua, që misionin e saj e kërkon mes rrënojave dhe vështirësive. Gjatë një udhëtimi me tren ajo duhet të ketë përjetuar “vokacionin e saj”: jo për të jetuar më vetëm për Zotin, por në mes të më varfërve ndër të varfërit.

Një grua që rebelohet kundër kishës së saj

Filmi tregon Terezën (të luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme nga Noomi Rapace) jo si një figurë të mbinatyrshme të dritës, por si një grua që përplaset me kishën e saj. Sepse projekti i saj ishte revolucionar: të linte manastirin, të themelonte urdhërin e saj, të zhvendosej në mes të lagjeve të varfëra, të ndihmonte njerëzit e sëmurë dhe ata që po vdisnin – si një murgeshë urdhëri jashtë urdhërit. Kisha e frenoi, sepse dëshira e Terezës nënkuptonte largim nga traditat e vjetra dhe mosbindje. Por ajo mbeti kokëfortë. Vetëm në vitin 1948 Vatikani u dorëzua dhe në vitin 1950 ajo themeloi më në fund urdhërin global të “Misionareve të Bamirësisë”.

I pasur nga ana vizuale, por i kursyer nga ana gjuhësore, i shoqëruar nga kitarat elektrike, filmi tregon lagjet e varfëra të Kalkutës me njerëz të vrarë nga varfëria dhe sëmundjet, botën ideale të shkollës së vajzave, ku nxënëset veshin fustane rozë dhe dhomat spartane të murgeshave në muret e manastirit, ku Tereza drejtonte me autoritet si nënë superiore.

Vanitet apo bamirësi?

Filmi i qaset Terezës në mënyrë kritike, por me respekt, kështu që disa polemika lihen më tepër të nënkuptohen. Në një skenë të qetë ajo pyet veten, nëse angazhimi i saj vjen vërtet nga bamirësia e pastër apo vaniteti, një moment që e lë shkurtimisht mënjanë mitin dhe tregon një Terezë, që pyet veten. Më vonë ajo diskuton me priftin, që drejton manastirin, në lidhje me abortin. Ai i kujton asaj që të mos i gjykojë gratë, por të marrë parasysh arsyet, që i shtyjnë gratë të ndërmarrin këtë hap. Dhe befas lind pyetja: nëse të kuptuarit e tjetrit lejon edhe kundërshtimin ndaj institucionit të kishës, që dënon abortin.

Ana e errët e mitit

Megjithë adhurimin imazhi i Terezës së vërtetë, e shenjtëruar nga Papa Françesku në vitin 2016, ishte plasaritur shumë kohë më parë. Që në të gjallë të saj ajo qe një figurë e diskutueshme. Organizatat e të drejtave të njeriut e akuzonin për mungesën e qetësuesve dhe higjienës në strehimoret e saj dhe se ato ishin më shumë si bujtina sesa spitale. Se ajo merrte qindra miliona dollarë donacione nga burime ndonjëherë të dyshimta, por standardet mjekësore të objekteve të saj ishin të mjera.

Gazetari britanik Christopher Hitchens shprehej: “Ajo donte varfërinë, jo të varfërit”. U pajtua me «vuajtjen si dhuratë nga Zoti» dhe nuk bëri asgjë për t’i dhënë fund vuajtjes. Ajo e barazoi mjerimin e të varfërve me vuajtjen e Krishtit; asaj i atribuohet të ketë thënë: “Është një gjë e bukur të shohësh të varfërit, që pranojnë fatin e tyre dhe ta vuajnë atë si Krishti”.

Tereza qe e ashpër në çështjen e abortit. Në fjalimin e saj në marrjen e çmimit Nobel (1979) ajo e përshkroi abortin si “vrasje” dhe “shkatërruesin më të madh të paqes”. Si rezultat ajo u bë një udhëheqëse morale e lëvizjeve konservatore dhe në të njëjtën kohë objektiv i kritikës feministe, që e akuzoi atë se ia nënshtronte të drejtat e grave idealit të gatishmërisë për të bërë sakrifica.

Megjithatë për regjisoren e filmit, Teona Strugar Mitevska, Tereza kishte tipare feministe: “Ajo ia dha vetes lirinë, për të qenë ajo që ishte, për të arritur qëllimin e saj. Kjo e bën atë për mendimin tim një figurë jashtëzakonisht feministe”, u shpreh Mitevska në një intervistë për revistën kinematografike filmdienst.

Sa feministe ishte Tereza?

Si një grua, që fitoi autoritet në një kishë patriarkale, themeloi një vepër të saj dhe u dëgjua në mbarë botën, Tereza me siguri mund të lexohet si një figurë e fortë femërore. Ajo kundërshtoi direktivat, u largua nga manastiri, drejtoi mijëra murgesha – një formë fuqie për të vepruar, e cila nuk ishte e vetëkuptueshme. Në të njëjtën kohë ajo përfaqësoi një imazh të gruas, që fokusohej te amësia, sakrifica dhe bindja. Puna e saj i dedikohej atyre që vuanin, jo ndryshimit të strukturave. Feministe në kuptimin emancipues vështirë se ishte, por në kuptimin e prezencës dhe lidershipit femëror absolutisht që po.

Në vitet e saj të fundit vuajti nga dyshime të rënda. Letrat dhe shënimet në ditarin e saj, që u botuan në vitin 2007, përmbajnë shumë vetmi dhe pyetjen e përsëritur, nëse Zoti ekziston. Gruaja, që personifikonte shpresën në mbarë botën, shkruante se brenda saj ishte “ftohtësi akulli” dhe se qielli nuk do të thoshte më asgjë për të: “Më duket si një vend bosh”. Ndoshta  është kjo ajo që e bën figurën e saj kaq njerëzore.

Përse filmi vjen në kohën e duhur

Debatet për abortin, varfëria, konfliktet fetare, autoriteti femëror në kishë, shumë gjëra janë jashtëzakonisht aktuale. Filmi konfrontohet me pyetjen: A mund të jetë një grua e shenjtë, dhe në të njëjtën kohë politikisht problematike? Ajo tregon Terezën si një personazh me kufizime. Ndoshta këtu qëndron rëndësia e saj sot: jo si një figurë e shenjtë e ndriçuar, por si një figurë që ngre pikëpyetje. Pra ky film, i cili nuk shpjegon asgjë, por vetëm vëzhgon, është ndoshta një arsye e mirë për të folur për Terezën në një mënyrë të re./KM

Xhanfise Keko, regjisorja që bëri histori me filmat për fëmijë

22 December 2025 at 12:59

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH/ 18 vjet më parë, u nda nga jeta regjisorja aq e dashur për publikun, Xhanfise Keko.

E njohur si regjisorja që ngriti në një nivel të lartë filmin për fëmijë, Xhanfise Keko u nderua dhe vlerësua jo vetëm nga spektatori. Ajo mban titullin “Nderi i Kombit” dhe mbetet një emër i paharruar i kinematografisë shqiptare dhe një zë i rrallë me ndjeshmëri artistike.

Xhanfise Çipi Keko lindi më 27 janar të 1928, në Gjirokastër. I kreu studimet në Moskë për montazh kinomatografik. Një suport në karrierën e saj ishte edhe bashkëshorti, regjisori dokumentarist Endri Keko.

Pionierja e filmit shqiptar për fëmijë e nisi rrugëtimin e saj artistik që në vitin 1952, si montazhiere dhe dokumentariste. Në karrierën e saj, realizoi 12 filma artistike të metrazhit të gjatë të cilët u vlerësuan edhe jashtë vendit. Filmat e saj nuk ishin thjesht histori në ekran, por edhe mësime njerëzore dhe kujtime që vijojnë të jetojnë me publikun.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, në këtë përvjetor të humbjes së saj, u shpreh se, Xhanfisja i dha fëmijërisë sonë fytyrë, zë dhe ëndërr, duke e parë botën me sy të pastër e zemër të madhe.

/a.f/

The post Xhanfise Keko, regjisorja që bëri histori me filmat për fëmijë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Selimi: Të jetosh mes dy kulturave përbën një pasuri të madhe

22 December 2025 at 12:23

SOFJE, 22 dhjetor /ATSH-BTA/ – Të jesh një person i formuar nga dy kultura, ajo shqiptare dhe bullgare, është një pasuri e madhe, thotë përkthyesja e lindur në Tiranë, Milena Selimi.

Për punën e saj si shkrimtare, gazetare dhe përkthyese nga bullgarishtja në shqip, Selimi u nderua si Ambasadore Bullgare e Kulturës për vitin 2024 në një ceremoni të mbajtur në Radion Kombëtare Bullgare.

Milena Selimi u lind në Tiranë në një familje me rrënjë të thella në kulturë dhe arte.

Nëna e saj, Yanka Trifonova-Selimi, me origjinë nga Dobriçi, Bullgaria Verilindore, është përkthyese nga bullgarishtja në shqip dhe gazetare, ndërsa babai i saj, Skënder Selimi, është themelues i shkollës shqiptare të baletit, koreograf dhe mjeshtër baleti.

Nëna e Milena Selimit ishte e para që përktheu Georgi Gospodinov në shqip, duke filluar me ”Natural novel”.

Vetë Milena Selimi ka përkthyer disa nga veprat kryesore të Gospodinovit në shqip, duke përfshirë ”The Physics of Sorrow, Time Shelter”, për të cilën mori çmimin për Përkthimin më të Mirë në Panairin e Librit të Tiranës në vitin 2024, si edhe ”Death and the Gardener”.

Ndër librat bullgarë që ajo ka përkthyer në shqip janë ”Mission London” nga Alek Popov, ”Beans” nga Elin Rahnev, ”Summit” nga Milen Ruskov, ”Is There Anyone Who Loves You” nga Kalin Terziyski dhe ”Hagabula” nga Todor P. Todorov.

Për tezën e saj të diplomimit mbi poezinë bullgare, ajo përktheu edhe poezi nga Peyo Yavorov, Elisaveta Bagryana, Blaga Dimitrova, Dora Gabe dhe Nikola Vaptsarov.

Përveç kësaj, Milena Selimi është përfaqësuese e pakicës kombëtare bullgare në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Shqipërisë, i njohur zyrtarisht në Shqipëri në vitin 2017.

Në intervistën e saj me BTA-në, Selimi foli për pasurinë e përkatësisë në dy kultura – bullgare dhe shqipe, për atë që ka marrë dhe mësuar nga nëna e saj, për atë që është e papërkthyeshme midis shqipes dhe bullgarishtes, për rolin e përkthyeses si “roje kufitare” dhe për detyrën e përbashkët bashkëkohore të prezantimit të letërsive të Bullgarisë dhe Shqipërisë përtej kufijve kombëtarë.

E pyetur se cila është gjëja më e rëndësishme që ka trashëguar nga nëna e saj, një bullgare që e bëri jetën e saj në Tiranë, përtej vetë përkthimit dhe në lidhje me identitetin bullgar, Selimi reflektoi mbi rrugën e saj personale si përkthyese dhe ndjenjën e ekzistencës midis dy kulturave dhe dy gjuhëve.

”Përkthimi më erdhi si një domosdoshmëri për mbijetesën e rrënjëve të mia bullgare. Dhe kjo vjen nga nëna ime, sepse prej saj gjithmonë kam marrë këmbëngulje dhe dashuri. Kur jeton jashtë Bullgarisë, është shumë e vështirë të dish vërtet se çfarë po ndodh në vend. Nostalgjia mbetet, iluzionet mbeten. Ndoshta ne bullgarët që jetojmë jashtë vendit, si unë ashtu edhe nëna ime, e shohim Bullgarinë në një mënyrë tjetër. Nuk e di nëse kjo është mirë apo jo, por dua ta falënderoj nënën time për këtë. Sepse vërtet, të jesh person i të dy kulturave, shqipe dhe bullgare, është një pasuri e madhe”, tha Selimi.

E pyetur nëse ka diçka të papërkthyeshme midis shqipes dhe bullgarishtes, Selimi vuri në dukje se ndërsa punonte në përkthimin e saj më të fundit ”Death and the Gardener” ajo ”luftoi” me përkthimin e frazës bullgare “nyama strashno” (“nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”), e cila është me rëndësi kyçe në roman.

Ajo shtoi se gjithmonë ka një mënyrë për të përkthyer fjalët dhe se mundësia për të folur me autoren mund të jetë e paçmuar.

“Kam qenë shumë me fat që përkthej autorë bashkëkohorë, gjë që më ka lejuar të flas drejtpërdrejt me ta”, tha ajo.

Sipas Selimit, përkthyesi është një “roje kufitare” që përcakton kufijtë e përkthimit dhe mbart misionin jetësor të “transportimit të fjalës në bregun tjetër”.

Ajo shtoi se si përkthyese profesioniste, përgjegjësia e saj është të sigurojë që çdo fjalë të jetë në vendin e duhur dhe të mbartë kuptimin e saj, sepse librat që ajo përkthen do të mbeten në raftin e librave të dikujt.

E pyetur se çfarë do t’u thoshte bullgarëve për letërsinë shqipe, duke pasur parasysh se letërsitë ballkanike shpesh nuk kërkojnë njëra-tjetrën dhe kanë tendencë të orientohen më shumë drejt Perëndimit, Selimi shpjegoi se kjo është pjesërisht për shkak të burimeve të kufizuara financiare.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për rrjetin ”Traduki”, i cili gjatë dekadës së fundit ka mbështetur përkthimin e autorëve bullgarë në gjuhën shqipe dhe të autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera, si gjermanishtja.

Selimi vuri në dukje gjithashtu se ka një interes në rritje për autorët shqiptarë në Bullgari, duke kujtuar titujt e fundit si “Gjithkush çmendet sipas mënyrës së tij” nga Stefan Capaliku, “Këmbanat e së dielës” nga Anna Kove dhe veprat e Grigor Banushit, përfshirë “Simfoninë e papërfunduar” si dhe autorë të tjerë që janë përkthyer tashmë ose janë duke u përkthyer aktualisht.

Selimi shprehu shpresën se këta shkrimtarë do të vazhdojnë të lexohen jo vetëm në bullgarisht, por edhe në gjuhë të tjera, pasi ata janë autorë me rëndësi të madhe në letërsinë shqipe./  a.jor.

The post FOKUS – Selimi: Të jetosh mes dy kulturave përbën një pasuri të madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Meri Popins”, muzikali i shumëpritur përfshin fëmijët në një botë me ëndrra

22 December 2025 at 11:45

TIRANË, 22 dhjetor/ATSH- Edlira Ruzi/ Katër herë zbriti Meri Popins nga oxhaku i familjes Benks, në 4 shfaqjet e vëna në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë.

Premiera absolute e muzikalit aq të dashur botërisht, u duartrokit gjatë edhe nga fëmijët e kryeqytetit dhe prindërit që i shoqëronin. Çadra fluturuese, çanta magjike, zëri i ëmbël i Venera Lumanit si edhe loja e natyrshme e dy fëmijëve protagonistë, sollën në sallë një frymë përralle duke i përhumbur në ëndërrime.

Ashtu si në Broadway, Meri zbriti plot sharm e magji edhe në Teatrin e Kukullave duke sjell gëzim, por edhe rregull e këshilla. Misheli Kadeli e Luana Thomai, dy fëmijët nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, që interpretuan Majkëll Benks dhe Xhejn Benks, u argëtuan me dadon e tyre speciale, por edhe mësuan një nga një fjalët magjike.

Siç ndryshoi dhoma e tyre, që u bë e rregullt dhe e bukur kur misioni i Merit mbaroi, edhe jeta e fëmijëve mori një udhë tjetër.  Bashkë me Majkëllin dhe Xhejnin, edhe spektatorët e vegjël mësuan se është e rëndësishme të thuash “të lutem” apo “faleminderit”.

E veçanta e shfaqjes ishte bashkëpunimi mes Teatrit të Kukullave dhe QKKF. Përveç Mishelit e Luanës, në shfaqje morën pjesë edhe 10 balerinë të vegjël të cilët shoqërojnë Merin në disa prej 8 pjesëve të kënduara të shfaqjes. Prania e aktorëve të vegjël, bëri që edhe bashkëmoshatarët e tyre spektatorë të përfshiheshin më shumë në historinë e Merit.

“Meri Popins” ishte muzikali i shumëpritur në mbyllje të këtij viti, me regji të Endri Çelës. Interesi i publikut ishte i madh dhe kjo u vu re edhe nga radha e gjatë në biletarinë e Teatrit të Kukullave.

Meri do të shfaqet sërish fundjavën e ardhshme në teatër, në datat 27 dhe 28 dhjetor.

1 nga 13
Meri Popin në Teatrin e Kukullave, Foto: Edlira Ruzi

/a.f/

The post “Meri Popins”, muzikali i shumëpritur përfshin fëmijët në një botë me ëndrra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

11:00 Ekstravagante, e tërbuar dhe plot shpresë: CMAT është zëri i vitit 2025

By: Leonard
22 December 2025 at 11:00

Kantautorja irlandeze bën atë që bëjnë muzikantët më të mirë: kristalizon në mënyrë perfekte kohën e saj, ndërsa në mënyrë frymëzuese mban një qëndrim kundër saj.

Nga John Harris

Si është ndjerë njeriu të jetë gjallë në vitin 2025? Përgjigjja bazë ndoshta prek disa aspekte të përvojës së shekullit të 21-të. Njëri është tmerri dhe konflikti që duket se përcaktojnë lajmet pothuajse çdo ditë. Një tjetër qendërzohet rreth presioneve materiale që mbërthejnë gjithnjë e më shumë vendet gjoja paqësore: kriza e pafundme e kostos së jetesës dhe pamundësia për miliona njerëz për të pasur një punë të sigurt, një shtëpi të besueshme dhe një ide disi të qëndrueshme për të ardhmen.

Diçka tjetër kërkon vëmendje: përzierja gjithëpërfshirëse e absurditetit, ligësisë dhe zemërimit të ushqyer nga interneti. Bigotizmi lulëzon kudo. Ajo që ne ende e quajmë në mënyrë qesharake “media sociale” tani duket se operon mbi bazën se historia ideale përzien elemente jashtëzakonisht të pabesueshme me nxitjen e indinjatës morale. Mund të kontrolloni profilin tuaj në një gjendje kureshtjeje të lehtë, por e gjeni veten menjëherë të tërhequr në atë që rezulton prej saj: stuhi të mëdha talljeje, urrejtjeje dhe bërtitjeje të polarizuar.

Çmimet më të mëdha duket se u shkojnë figurave publike që arrijnë ta kthejnë gjithë këtë në avantazhin e tyre me cinizëm – që është historia thelbësore e kujtdo, nga yjet moderne të pornografisë, te “influencuesit” ekstremistë, e deri te presidenti aktual i SHBA-së. Zhurma që rezulton duket se vetëm shton ndjenjën e anomisë dhe çorientimit, veçanërisht tek brezi që lindi në një botë të rimodeluar nga interneti. Marr email tri ose katër herë në javë që pikturojnë këtë tablo, të përmbledhur qartë në një deklaratë për shtyp nga Shoqata Britanike për Këshillim dhe Psikoterapi: “Të rinjtë po mbijetojnë, nuk po lulëzojnë; shumë prej tyre ndihen të shkëputur dhe pesimistë për të ardhmen e tyre.”

Gazetaria ndoshta mund të gërvishtë vetëm sipërfaqen. Evokimi dhe eksplorimi i vërtetë i gjithë këtij lëmshi surreal është detyrë e romaneve, dramave, filmave dhe muzikës. Dhe kur vjen puna te muzika, ky vit ka sjellë një perlë të vërtetë: Euro-Country, albumi i tretë i kantautores irlandeze Ciara Mary-Alice Thompson, e njohur më mirë si CMAT.

Për të cituar krijuesen e tij 29-vjeçare: “Çdo këngë prek një detaj emocional të asaj se si është të rritesh në këtë epokë të kapitalizmit dhe çfarë na ka bërë ai të gjithëve.” Është një album plot me vizione njerëzish që bëhen gjithnjë e më të vetmuar dhe të tjetërsuar, por që gjithashtu mban qëndrim për humanizmin bazë: ai dhëmb, në thelb, dhe kombinon portretet e një bote gjithnjë e më të zymtë me një insistim të nënkuptuar se ne të gjithë mund të luajmë rolin tonë për diçka më të mirë.

Nuk është domosdoshmërisht e nevojshme t’i dini të gjitha këto për të vlerësuar gjenialitetin e CMAT. Shumë nga këngët e saj më të mira janë për çështje të zemrës. Kushdo që e ka parë atë live do ta dijë se ajo është një prezencë ekstravagante, qesharake dhe plot vetëbesim në skenë. Por pika kryesore mbetet: muzikantët më të mirë janë gjithmonë “rrufe-pritësit” e kohës së tyre, dhe ajo është padyshim shembulli më i mirë i vitit 2025.

Disa nga tekstet më depërtuese të albumit fokusohen në vendlindjen e saj. Kopertina e Euro-Country paraqet Thompson duke dalë nga një shatërvan në një zonë tregtare pranë qytetit të saj të lindjes, Dunboyne. Vendi prej nga vjen ajo, ka thënë ajo, po karakterizohet gjithnjë e më shumë nga “qendrat tregtare, çimentoja dhe rrugët”, ku “për vite me radhë nuk ka pasur pothuajse asnjë shërbim social… dhe të gjithë kanë qenë vetëm në Facebook, duke lundruar dhe duke u radikalizuar nga e djathta ekstreme.”

Nëse vërtet dëshironi të kuptoni se si ekonomia e ashpër mund të jetë një fyerje për shpirtin njerëzor, Irlanda mund të jetë prizmi i përsosur. Shtatë vjet më parë, pashë një vend ku, siç thuhej rreth e rrotull qytetit: “Familjet e pastreha qëndrojnë në hotele, dhe turistët qëndrojnë në shtëpi.”

Kjo është ajo për të cilën flet kënga titullare e Euro-Country. “Ishte normale,” këndon Thompson, “të ndërtoje shtëpi që qëndrojnë bosh edhe tani.” Ajo i referohet edhe asaj që u ndodhi njerëzve që besuan te ëndrra dhe mbetën të rrënuar: “Isha 12 vjeç kur baballarët filluan të vrisnin veten rreth meje.” Është një varg i fuqishëm për t’u shkruar dhe kënduar.

Ka këngë të tjera që shkrijnë personalen me politiken. Iceberg flet për pasigurinë – financiare dhe personale – që i thyen njerëzit. Por momenti kyç i triumfit të albumit është The Jamie Oliver Petrol Station, i cili kap në mënyrë perfekte rrotullimin e pështirë dhe të përshpejtuar të shekullit të 21-të. Ai portretizon Thompson duke ndaluar në autostradë për një sanduiç, duke gjetur një pikë shitjeje me emrin e kuzhinierit të famshëm dhe duke shpërthyer në një tërbim që as ajo vetë nuk e kupton. “Po e çoj dëm kohën duke vluar nga mërira,” këndon ajo. Telefoni i saj është një prezencë e nënkuptuar: vargjet më thumbuese mund të ishin postuar lehtësisht në internet. Teksti lë të kuptohet diçka e vërtetë: ndërsa ne shfryjmë kundër njerëzve të tjerë, shkaqet reale që na vendosin në atë gjendje – strehimi, punët dhe të tjerat – vazhdojnë të na bluajnë.

Thompson bën atë që bëjnë këngëtarët dhe tekstshkruesit më të mirë: kristalizon kohën e tyre duke mbajtur qëndrim kundër saj. Në shumë vepra të mëdha arti, ka gjithmonë një ndjenjë sfide. Arti i saj është plot me të, prandaj është një përcjellës aq brilant i diçkaje që ky vit ndonjëherë kërcënoi ta shuante: një lloj shprese shumë njerëzore.

Përgatiti për botim: L.Veizi

Before yesterdayMain stream

Eva Caca provonon në Sarandë librin “Anotomia e një vra’sëseje” – VIDEO

By: Uesli
21 December 2025 at 18:53

Eva Caca provonon në Sarandë librin “Anotomia e një vra’sëseje”   Sot në Sarandë u zhvillua promovimi i romanit intriguese “Anatomia e një vra’sëseje”, një vepër e autorës shqiptare Eva Caca që ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe kritikëve për tematikën e saj të fortë dhe stilin narrativ unik.     Aktiviteti u zhvillua në […]

The post Eva Caca provonon në Sarandë librin “Anotomia e një vra’sëseje” – VIDEO appeared first on Saranda Web.

Rama uron fituesin e Festivalit të Këngës në RTSH

21 December 2025 at 16:04

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Festivali i 64-t i Këngës në RTSH, uli siparin duke shpallur si fitues të këtij edicioni, Alis me këngën “Nan”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama uroi këngëtarin triumfues Alis Kallaçi, ndërsa ndau edhe disa momente përmbledhëse nga katër netët e Festivalit të Këngës.

Alis, me këtë fitore, bëhet automatikisht përfaqësues i Shqipërisë në edicionin e ardhshëm të Eurosong-ut, që do të mbahet në Vjenë të Austrisë. “Nan” mori 152 pikë, 68 prej të cilave nga juria, dhe të tjerat nga votimi i publikut përmes sms-ve.

Në vend të dytë dhe të tretë u renditen respektivisht: Inis Neziri dhe Sheila.

Në natën e katërt e njëkohësisht të fundit të festivalit konkurruan 23 këngëtarë. Por përveç tyre, performuan edhe të ftuarit specialë. Një prej tyre, ishte këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, Bleona Qerreti, e cila u ngjit në skenë me hitin e saj të paharruar “Lërmëni”.

Një moment emocionues i këtij festivali ishte dueti edhe mes dy të mëdhenjve të muzikës pop shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka. Të ftuarit e tjerë ishin këngëtarët e grupit “Shkodra elektronike” të cilët prezantuan krijimin e ri, “Fosforon”.

Ndërkohë një tjetër pikë kulminante e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, ishte prania e të ftuarit special Tommy Cash, këngëtari estonez, me këngën hit-botëror, “Espresso macchiato”, i cili elektrizoi skenën e Pallatit të Kongreseve.

/m.q/j.p/

The post Rama uron fituesin e Festivalit të Këngës në RTSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alis dhe kënga “Nan” fitues të Festivalit të Këngës në RTSH

By: dan iela
21 December 2025 at 13:46

Kënga “Nan” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të mbahet në Vjenë.

Ishte këngëtari shkodran, Alis, ai që fitoi Festivalin e 64 të Këngës në RTSH dhe në këtë mënyrë të drejtën për në Festivalin Europian.

Alis, mori 152 pikë nga votat e publikut dhe jurisë, ndërkohë që në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë dhe në vendin e tretë Sheila me 93 pikë.

Sipas vlerësimit të jurisë, Alis u rendit në vendin e parë, Sheila në vendin e dytë dhe Vedat Ademi në vendin e tretë.

13:35 Zbulime të reja nën teatrin romak të Sibarit

By: Leonard
21 December 2025 at 13:35

Dy tempuj arkaikë dhe një domus me mbetjet e një peshku të madh pa kokë, të prerë qëllimisht, janë zbuluar nën teatrin romak të Sibarit.

Zbulimet e fundit në Kalabri, në të ashtuquajturin Parco del Cavallo, hedhin dritë të re mbi historinë e rajonit të Sibaritidës dhe të gjithë Magna Graecia-s.

Fushata e fundit e gërmimeve në Sibari, në zemër të Magna Graecia, përfundoi vetëm dy javë më parë dhe solli në dritë një sekuencë stratigrafike komplekse dhe të papritur në zonën e teatrit gjysmërrethor të Copia Thurii-t të lashtë. Kur flasim për Sibarin, vështrimi shtrihet mbi të gjithë zonën e gjerë arkeologjike Sybaris–Thurii–Copiae: qytete që mbivendosen në kohë, kufijtë e të cilave ndërthuren dhe bashkohen, duke lënë gjurmë të dukshme të ndikimit të ndërsjellë.

Hetimet e reja u kryen në thellësi në Parco del Cavallo, ose më saktë në zonën qendrore të hapur për publikun, e cila ia detyron emrin zbulimit të këmbëve dhe bishtit të një kali prej bronzi. Përdorimi i metodave moderne të kërkimit në terren ka lejuar të gjurmohen mbi pesë shekuj histori: nga mbetjet e një kompleksi të madh arkitekturor që i atribuohet fazës arkaike të Sybaris, deri te teatri romak, duke kaluar përmes fazës urbane të Thuriit.

Zbulimet përbëjnë gjithashtu një kontribut të rëndësishëm në debatin mbi vendndodhjen dhe evolucionin e qyteteve të lashta të Magna Graecia-s, duke ofruar, mbi bazën e metodologjisë rigoroze arkeologjike, një përgjigje për pyetjen ironike që ka qarkulluar në debatet lokale: “Më falni, ku shkon Sybaris dhe ku Thurii?”.

Por arkeologjia nuk është vetëm gërmim. Puna në Parkun Arkeologjik të Sibarit shoqërohet me një proces të gjerë sistemimi të depozitave arkeologjike. Falë financimit të PNRR-së, po realizohet dixhitalizimi sistematik i rreth 22 mijë kutive me materiale, të grumbulluara gjatë më shumë se pesëdhjetë viteve kërkime. Këto objekte janë kryesisht të pabotuara, shpesh as të pastruara, dhe deri më tani kanë qenë pothuajse të panjohura jo vetëm për publikun, por edhe për komunitetin shkencor.

Aktualisht, njëmbëdhjetë arkeologë po punojnë në sit, si në fushën e gërmimeve ashtu edhe në atë të konservimit. Ata koordinohen nga profesorët Michele Silani dhe Giuseppina Renda të Universitetit Luigi Vanvitelli të Kampanias, dhe drejtohen nga profesor Carlo Rescigno i Shkollës Jugore të Studimeve të Avancuara dhe Filippo Demma, drejtor i Parqeve Arkeologjike të Sibarit dhe Krotonës. Projekti përfshin gjithashtu bashkëpunime me Fondazione Scuola del Patrimonio, Shkollën e Arkeologjisë IMT në Lucca, universitetet e Bochumit dhe Bernës, Akademinë Daneze në Romë, Universitetin Princeton dhe Universitetin Mount Allison në Kanada.

Rezultatet paraprake të këtij misioni të fundit arkeologjik do të prezantohen nga arkeologët Raffaele Palma dhe Marco Pallonetti, të cilët drejtuan punën e gërmimit dhe dokumentimit. Drejtori Demma foli ekskluzivisht për këto zbulime, duke shpjeguar se gërmimi, i përfunduar dy javë më parë, ka zbuluar një stratigrafi befasuese: blloqe të mëdha guri, të paprekura dhe të palatuara, në themelin e murit të jashtëm të teatrit, që i përkasin të paktën katër frizave të ndryshme dorike dhe jonike, të atribuueshme ndaj dy, ndoshta katër, ndërtesave monumentale të shkatërruara nga zjarri në mesin e shekullit VI p.e.s.

Në të njëjtën zonë, përgjatë një stenopòs-i (rrugë e ngushtë anësore e periudhës klasike), u identifikua një ambient që i përkiste një domus-i të fazës republikane të Copia-s. Në këtë dhomë u gjetën guaska dhe shtylla kurrizore e një peshku të madh – ndoshta ton apo amberjack – ende e lidhur, por pa kokë, e cila nuk u gjet kurrë. As peshku, as guaskat nuk tregojnë gjurmë gatimi apo përpunimi ushqimor, çka sugjeron një braktisje të menjëhershme dhe të dhunshme të ambientit.

Fillimi i Epokës Perandorake solli shkatërrimin e të gjitha strukturave të mëparshme dhe ndërtimin e teatrit romak, për të cilin u ripërdorën blloqe arkitektonike të ndërtesave arkaike. Fragmentet dekorative të prera u shfrytëzuan madje për krijimin e dyshemesë së kantierit të ndërtimit, mbi të cilën janë gjetur objekte që lejojnë rindërtimin e jetës së përditshme të punëtorëve: nga furra të vogla terrakote deri te monedha të humbura.

Në përmbledhje, këto zbulime ofrojnë për herë të parë një sekuencë të plotë stratigrafike që lejon interpretimin konkret të mbivendosjes urbane të Sybaris-it, Thurii-t dhe Copia-s. Ato hedhin dritë të re mbi organizimin monumental të qytetit arkaik, jetën e kolonëve latinë dhe transformimet urbane që shoqëruan historinë e këtij territori.

Siç thekson Demma, ky është thelbi i arkeologjisë: nga një detaj i vogël të rindërtosh një histori të madhe, për sa kohë që kërkimi mbështetet nga metodologjia shkencore dhe investimi afatgjatë.

Përgatiti për botim: L.Veizi

13:00 Pse librat klasikë po rikthehen në vëmendjen e lexuesve të rinj

By: Klara
21 December 2025 at 13:00

Në një kohë kur rrjetet sociale dhe përmbajtjet e shkurtra dominojnë vëmendjen e publikut, librat klasikë po përjetojnë një rikthim të papritur, veçanërisht mes të rinjve. Veprat e autorëve të mëdhenj botërorë dhe shqiptarë po lexohen sërish, jo vetëm si detyrime shkollore, por si burim reflektimi, identiteti dhe thellimi kulturor.

Studiuesit e letërsisë shpjegojnë se brezi i ri po kërkon tek klasikët përgjigje për pyetje që mbeten aktuale edhe sot: dashuria, morali, pushteti, liria dhe konflikti i brendshëm i njeriut. Ndryshe nga përmbajtjet e shpejta digjitale, librat klasikë ofrojnë kohë për reflektim dhe një lidhje më të thellë emocionale me tekstin.

Një rol të rëndësishëm në këtë rikthim po luajnë edhe botimet e reja, me përkthime të përditësuara dhe dizajn modern, të cilat i bëjnë veprat klasike më tërheqëse për lexuesin e sotëm. Gjithashtu, klubet e librit, diskutimet online dhe rekomandimet në rrjetet sociale kanë ndikuar në afrimin e të rinjve me letërsinë e vjetër.

Ekspertët theksojnë se ky interes nuk është thjesht një modë kalimtare, por një shenjë e nevojës për thellësi kulturore në një shoqëri gjithnjë e më të shpejtë. Rikthimi te librat klasikë shihet si një formë rezistence ndaj sipërfaqësisë dhe si një mënyrë për të ruajtur trashëgiminë letrare për brezat e ardhshëm./KM

11:15 Kylie Minogue merr – dhe Amazon gjithashtu – vendin e parë të Krishtlindjes për herë të parë, me “Xmas”

By: Leonard
21 December 2025 at 11:15

Kënga ekskluzive për shitësin online pengon një “hat-trick” të vendit të parë të Krishtlindjes për Wham!; ndërsa Kylie bëhet gruaja e parë që siguron single No 1 në Mbretërinë e Bashkuar në katër dekada të ndryshme

Ben Beaumont-Thomas

Kylie Minogue ka fituar vendin e saj të parë No 1 të Krishtlindjes në Mbretërinë e Bashkuar, dhe të tetin No 1 në total, me këngën Xmas.

Ajo mposhti konkurrencën nga Last Christmas e Wham!, super-hiti i transmetimeve, i cili ka qenë No 1 i Krishtlindjes për dy vitet e fundit: ishte kryesuesi i javës së kaluar, por këtë herë zbret në vendin e dytë. Në garë ishte edhe Lullaby nga fushata bamirëse Together for Palestine, që arriti në vendin e pestë.

“Është e vështirë ta shpreh me fjalë sa e veçantë ndihet kjo,” i tha Kylie Official Charts. “Të jesh No 1 i Krishtlindjes është vërtet dhurata më e mrekullueshme.”

Ky është No 1 i parë i Kylie-t pas 22 vitesh, që nga Slow në 2003, dhe vetëm hiti i saj i dytë solo në Top 10 që nga All the Lovers në 2010. Xmas e bën atë gruan e parë që siguron single No 1 në MB në katër dekada të ndryshme, dhe ajo është një nga të paktat australiane që kryesojnë listën e Krishtlindjes – e mëparshmja ishte Nicole Kidman, me duetin me Robbie Williams Somethin’ Stupid në 2001.

Në njëfarë mënyre, Kylie ka qenë edhe më parë pjesë e një No 1 të Krishtlindjes, por vetëm si një pjesë e vogël e versionit të vitit 1989 të Do They Know It’s Christmas? nga Band Aid, duke performuar përkrah Cliff Richard, Bananarama dhe shumë të tjerë – kënga nuk llogaritet si një hit zyrtar i Kylie-t në tabela. Një vit më parë ajo kishte qenë pranë majës me duetin tepër sentimental me Jason Donovan, Especially for You, por Cliff Richard i mbajti larg No 1 me Mistletoe and Wine, që sipas disa ishte edhe më sentimental.

Suksesi i Xmas u ndihmua nga shitjet e versioneve CD dhe vinil, por është edhe më i veçantë sepse nuk është i disponueshëm në shumicën e shërbimeve të transmetimit: Kylie e regjistroi atë si një këngë ekskluzive për Amazon Music.

Shitësi online e ka identifikuar muzikën e Krishtlindjes si një tërheqje të madhe për klientët vitet e fundit, duke përdorur këngë ekskluzive për t’i joshur ata të regjistrohen në shërbimin e tij të transmetimit muzikor (këngët mund të dëgjohen edhe në YouTube). Këto ekskluzive shpesh luhen edhe kur muzika e Krishtlindjes kërkohet në pajisjet Alexa të Amazon-it, duke ndihmuar në rritjen e suksesit të tyre në tabela.

Është hera e parë që një këngë e porositur nga Amazon arrin No 1 të Krishtlindjes, megjithëse përpjekje të mëparshme kanë qenë shumë pranë. Vitin e kaluar It Can’t Be Christmas e Tom Grennan arriti në vendin e tretë, dhe në 2023 It’s Christmas to Me e Sam Ryder arriti në vendin e dytë. Koveri ekskluziv për Amazon i Ellie Goulding i këngës River të Joni Mitchell, i publikuar në 2019, arriti No 1 menjëherë pas Krishtlindjes atë vit. Katy Perry, Olivia Dean, Laufey, Jorja Smith dhe George Ezra janë ndër artistët e tjerë që kanë regjistruar këngë Krishtlindjeje për Amazon.

Duke folur për Music Week ndërsa fushata e Kylie-t po niste, Alex Nutton nga Amazon Music theksoi “investime të konsiderueshme dhe mbështetje promovuese në porositjen e këngëve të reja të Krishtlindjes këto vitet e fundit… Një këngë e shkëlqyer Krishtlindjeje ka fuqinë t’i rezistojë kohës. Kur i porosisim këto këngë, synimi ynë është gjithmonë të krijojmë një të preferuar të re festive, tek e cila klientët do të kthehen vit pas viti.”

Sa i përket shitjeve të pastra, Together for Palestine doli në krye, por Lullaby u transmetua relativisht pak. Kënga është një përshtatje e ninullës palestineze Yamma Mwel El Hawa, me një përzierje të tekstit origjinal në arabisht dhe vargjeve të reja të shkruara nga Peter Gabriel. Ajo interpretohet nga artistë palestinezë si Nai Barghouti, së bashku me artistë britanikë përfshirë Neneh Cherry, Celeste, Leigh-Anne Pinnock dhe bashkë-krijuesin e Together for Palestine, Brian Eno.

Më herët këtë muaj, Eno i tha Guardian-it se “nuk do të zhgënjehej plotësisht” nëse kënga nuk do të arrinte No 1, sepse “singlet e Krishtlindjes janë një gjë më vete.” Të ardhurat nga kënga do t’u shpërndahen kauzave palestineze përmes bamirësisë Choose Love.

Pjesa tjetër e tabelës është, siç pritej, e mbushur me këngë Krishtlindjeje: gjithsej 27. All I Want for Christmas Is You e Mariah Carey dhe Rockin’ Around the Christmas Tree e Brenda Lee janë në vendet 3 dhe 4; ndërsa këngë festive nga Pogues, Kelly Clarkson, Elton John dhe Bobby Helms shfaqen të gjitha në Top 10 (me Raindance të Dave dhe Tems si përjashtim jo-festiv në vendin 7).

Në tabelën e albumeve, ribotimi i 50-vjetorit i Wish You Were Here të Pink Floyd është No 1, duke u siguruar atyre thyerjen e një rekordi të rrallë: koha më e gjatë mes paraqitjes së parë të një albumi në No 1 dhe rikthimit të tij më të fundit në majë. Më parë këtë rekord e mbante Abbey Road i Beatles, që kryesoi në 1969 dhe sërish në 2019, me një diferencë pak më të shkurtër prej 49 vitesh e 252 ditësh.

Wish You Were Here është albumi i dytë No 1 i Pink Floyd në MB këtë vit, pas albumit live Pink Floyd at Pompeii – MCMLXXII. Ata kanë pasur edhe më parë një single No 1 të Krishtlindjes, me Another Brick in the Wall në 1979.

Përgatiti për botim: L.Veizi

❌
❌