Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Ndotja mjedisore dhe problemet e sigurisë teknike të mjeteve mbeten shqetësime kryesore në qarkullimin rrugor.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, nga mbi 338 mijë testime të kryera gjatë vitit, 81.065 automjete u refuzuan, duke përbërë 23,5 për qind të totalit. Arsyet kryesore të refuzimit lidhen me shkarkimin e gazrave mbi normat e lejuara, defektet vizuale, problemet në sistemin e frenimit, si dhe mangësitë në drejtim dhe pezullim.
Konkretisht, 37,6 për qind e refuzimeve erdhën për shkak të ndotjes nga gazrat, 34,4 për qind për defekte vizuale, 15,2 për qind për probleme me frenat dhe 12,8 për qind për defekte në drejtim dhe pezullim.
DPSHTRR bën të ditur se, pas ndërhyrjeve dhe riparimeve, 73.230 automjete u ritestuan dhe kaluan me sukses kontrollin teknik, ndërsa 7502 mjete vijojnë të jenë ende në pritje të riparimit. Ndërkohë, 333 automjete u refuzuan përfundimisht gjatë vitit 2025, pasi u konstatua manipulim i odometrit, një shkelje që cenon drejtpërdrejt sigurinë rrugore.
DPSHTRR thekson se kontrolli teknik mbetet një element kyç për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe reduktimin e ndotjes mjedisore, teksa i bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë standardet e kërkuara për qarkullim të sigurt.
/e.xh/r.e/a.f/
The post Mbi 81 mijë automjete nuk e kaluan kontrollin teknik gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.