Kryeprokurori Kryeziu: Keqpërdorime mbi 1 milion euro në BKS, hetimet nisën që në mars 2025
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në një konferencë për media ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar sot për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Ai bëri të ditur se hetimet për këtë rast kanë nisur që në mars të vitit 2025, ndërsa aksionit të sotëm i kanë paraprirë një sërë veprimesh hetimore intensive.
“Aksionit të sotëm i kanë paraprirë aksione të shumta dhe me këtë rast jemi ngarkuar që nga marsi i vitit 2025. Duke e pa ndërlikueshmërinë faktike, juridike dhe procedurale si kryeprokuror kam nxjerr vendim dhe t’i angazhojë dy prokurorë që të punojnë intensivisht me këtë çështje. Po flasim për një rast ku ne sot kemi marrë urdhëresa të Gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve të 47 personave, në mesin e tyre një person juridik dhe po ashtu këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore", ka thënë ai, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, bëhet fjalë për keqpërdorimet dhe dëmet që janë bërë në Byronë Kosovare të Sigurimeve në vlerë prej mbi 1 milion euro.
"Cak në mesin e hetimeve janë ish drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish drejtori i departamentit financiarë të hetimeve po ashtu të BKS-së, të cilët duke keqpërdorur autorizimet që iu kanë besuar nga BKS-ja ju kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të barten transaksione të ndryshme ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete, duke i shkaktuar dëm të madh BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro, po ashtu kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara”, ka thënë Kryeziu.
Kryeziu po ashtu tregoi se gjatë aksionit kanë arritur të sigurojnë 166 transaksione të dyshimta.
“Për me qenë më të qartë deri në këtë fazë kemi arritur të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta. Në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtë gjyqësore kinse për përfaqësim për të autorizuar përfaqësuar të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022-23 përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar qysh në vitet e më hershme në vitin 2016-17. Po ashtu kanë aplikuar edhe 143 transaksione tjera te personat e ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm. Shuma më e vogël e transaksionit ka qenë mbi 6 mijë euro derisa më e larta ka qenë 68 mijë euro. 46 persona i kemi pas target dhe 39 persona kanë përfunduar të arrestuar për të cilët prokuroria ka lëshuar vendim për ndalim. Po ashtu aksioni i sotëm ka përfshirë gjithë territorin e Kosovës".
Kryeprokurori theksoi se kanë sekuestruar para kesh në vlerë prej 23 mijë euro, ar, armë dhe pajisje të tjera.
Gjithashtu Kryeziu potencoi se kanë arritur të bllokojnë të holla në vlerë prej mbi një milion euro, përcjell Telegrafi.
"Sa i përket sekuestrimeve kemi sekuestruar të holla kesh në vlerë prej 23 mijë 700 euro, kemi sekuestruar ar, aksesor, orë dore të ndryshme, armë, pajisje elektronike dhe gjithashtu kemi pas bashkëpunim të ngushtë me njësinë e inteligjencës financiare dhe kemi arritur që të bllokojmë të holla në vlerë prej 1 milion e 300 mijë e 86 euro. Në terren kemi qenë 7 prokurorë së bashku me mua 8 dhe kemi pas njësite policore rreth 400 zyrtarë policorë”, tha ndër të tjera Kryeziu. /Telegrafi/
