Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 December 2025Main stream

Aliu: Klinika e Gjinekologjisë është simbol i jetës së re, janë rinovuar dhe përmirësuar kushtet në Gjinekologji

29 December 2025 at 16:10


Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me Kryeministrin e Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot vizituan Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, ku është realizuar rinovimi i disa hapësirave që çdo ditë shfrytëzohen nga mijëra paciente. Investimi i përgjithshëm kap vlerën mbi 34 milionë denarë, thuhet në njoftimin Ministrisë së Shëndetësisë.

"Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës është vendi ku fillojnë jetë të reja, ku merren vendime të vështira dhe ku besimi në sistemin shëndetësor duhet të jetë absolut. Prandaj çdo investim këtu ka peshë dhe përgjegjësi të veçantë. Nga sipërfaqja e përgjithshme e klinikës, janë rinovuar 2 mijë metra katrorë, përkatësisht i gjithë kati përdhes, i cili përfshin hollin hyrës, pjesën poliklinike me ambulanca, laboratorin HPV, laboratorin biokimik si dhe ambulancën e urgjencës. Kjo do të thotë organizim më të mirë, shërbim më të shpejtë dhe kujdes më cilësor, pikërisht aty ku është më së shumti e nevojshme",- deklaroi ministri Aliu.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e strehes së re prej 420 metrash katrorë në plato­në e Klinikës, e cila mundëson pranimin më të sigurt dhe më dinjitoz të pacienteve që transportohen nga institucione të tjera shëndetësore. Ky investim dëshmon kujdes, siguri dhe respekt për çdo grua që vjen në klinikë në një moment të ndjeshëm.

"Ky investim është realizuar plotësisht me mjete të vetë Klinikës. Kjo flet për menaxhim të përgjegjshëm, vizion dhe përkushtim të udhëheqësisë dhe stafit. Si Ministri e Shëndetësisë, detyra jonë është të krijojmë kushte në të cilat punonjësit shëndetësorë mund të ofrojnë kujdesin më të mirë të mundshëm, ndërsa pacientët të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të përkujdesur", shtoi Aliu./Telegrafi/

Mickoski: Shkalla e varfërisë shënon ulje, ndërsa indeksi Gini për herë të parë është nën 30% në 30 vitet e fundit

29 December 2025 at 15:45


Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski njofton se shkalla e varfërisë ka shënuar ulje në vend, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai tha se edhe i ashtuquajturi indeks Gini në Maqedoni është më i miri në katër vitet e fundit.

“Sa i përket shkallës së varfërisë, dua të them se në vitin 2024 ajo është më e ulët se në vitin 2023 dhe është më e mira që nga viti 2020 e këndej. Nëse në vitin 2020 shkalla e varfërisë ka qenë 23%, në vitin 2023 ka qenë 22,2%, ndërsa në vitin 2024 është 21,9%.

Kur bëhet fjalë për pabarazinë e të ardhurave, përkatësisht të ashtuquajturin indeks Gini në Maqedoni edhe ai është më i miri në katër vitet e fundit në vitin 2024. Nga 33,3% tani ka rënë në 29,1% dhe është më i miri në rajon”, deklaroi kryeministri Mickoski, gjatë vizitës së sotme në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë – Shkup.

Ai theksoi se indeksi Gini për herë të parë është nën 30% në 30 vitet e fundit dhe është më i mirë se mesatarja evropiane dhe se të gjitha shtetet e rajonit, çka do të thotë se ka barazi më të madhe në shpërndarjen e të ardhurave ndërmjet popullsisë./Telegrafi/

MF-Maqedoni: Do të vendoset sistemi inteligjent transportues në Korridorin 10, marrëveshja e grantit u nënshkrua me Bankën Botërore

29 December 2025 at 14:26


Maqedonia siguroi 13.56 milionë euro grant mjete shtesë në kuadër të Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e grantit midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Botërore, e cila vepron si institucioni kryesor financiar për Kornizën e Investimeve në Ballkanin Perëndimor – Programi i transportit të sigurt dhe të qëndrueshëm, u nënshkrua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe drejtoresha e Bankës Botërore për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Carole Megevand, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

"Sot po nënshkruajmë marrëveshjen e grantit, me qëllim të përmirësimit të efikasitetit dhe parashikueshmërisë së transportit të Korridorit 10. Ky është një nga komponentët e Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, qëllimi përfundimtar i të cilit është rritja e efikasitetit të transportit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në rajon. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, me ç’rast ne si Qeveri e kemi prioritet të rëndësishëm, ndërsa vetë projekti do të mundësojë lehtësimin e tregtisë dhe do të ulë kostot për subjektet ekonomike", tha ministrja e Financave.
Aj theksoi se Qeveria po punon për përmirësimin e kushteve ekonomike në përgjithësi, me qëllim të arritjes së rritjes më të shpejtë ekonomike.

Drejtoresha e Bankës Botërore për RMV-në, Carole Megevand tha se investimi në infrastrukturën moderne rrugore dhe korridoret e tranzitit është jetik për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

"Investimi në infrastrukturën moderne rrugore dhe korridoret e tranzitit është jetik për rritjen ekonomike të Maqedonisë së Veriut në përforcimin e zinxhirëve të vlerës, hapjen e tregjeve, uljen e kostove të bizneseve dhe tërheqjen e investimeve të huaja. Këto përmirësime do t’i ndihmojnë vendit si në krijimin e vendeve të reja të punës po ashtu edhe në krijimin e ekonomisë konkurruese dhe rezistente. Kjo iniciativë është kruciale për reformat e vendit për qasjen në BE dhe në pajtim me legjislacionin e BE-së dhe Strategjinë e qëndrueshmërisë dhe mobilitetit të mençur për Ballkanin Perëndimor”, tha Carole Megevand.

Njëkohësisht, mjetet e destinuara për vendosjen e Sistemit të Transportit Inteligjent (STI) të Korridorit 10, në vendkalimin kufitar Tabanocë, deri te nyja jugore Veles, që përfshin përkrahjen për vendosjen dhe pajisjen e qendrës nacionale për menaxhimin e trafikut me zgjidhjet e nevojshme të sistemit STI gjatë gjithë Korridorit 8 dhe 10, duke përfshirë edhe Korridorin 10D. Më konkretisht, do të vendoset sistemi për mbledhjen e të dhënave për qarkullimin e trafikut; sistemi për monitorimin e ngarkesës së lëvizjes (WIM), elementët për kontrollin e lartësisë së automjeteve që futen në autostradë, sistemi për mbledhjen e të dhënave për kushtet atmosferike gjatë gjithë gjatësisë së autostradës, si dhe sistemi për monitorimin e transportit të materialeve të rrezikshme (HAZMAT).

Aktivitet po realizohen në kuadër të Projektit për lehtësimin e tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor, me vlerë të përgjithshme prej 26.2 milionë eurove. Vlera investuese e këtij komponenti është 29.9 milionë euro, nga të cilat 13.56 milionë euro janë mjete grant, ku është nënshkruar marrëveshje dhe 16.4 milionë euro janë hua e marrë nga Banka Botërore. Projekti po zbatohet nga Ministria e Transportit./Telegrafi/

Mickoski: Si qeveri, jemi pro rritjes së pagës minimale në vend

29 December 2025 at 13:58


Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski thotë se si qeveri janë "pro" rritjes së pagës minimale në vend.

"Si qeveri, jemi pro rritjes së pagës minimale sepse do të kemi të ardhura më të mëdha brenda buxhetit. Ne jemi një punëdhënës me 100 mijë punonjës, dhe shteti ka 705 mijë punonjës. Ata 600 mijë do të vijnë tek ne. Nëse shikojmë me egoizëm, atëherë mund të themi se duhet të rritet nga nesër, por ne themi se jemi një qeveri që ndërmjetëson midis punëdhënësve dhe punëtorëve. Çdo marrëveshje që ata arrijnë, ne si qeveri do ta mbështesim", tha kryeministri Hristijan Mickoski në lidhje me një rritje të mundshme të pagës minimale në vend.

Duke folur gjatë një vizite në GAK në Qendrën Klinike "Nënë Tereza", Mickoski iu referua përsëri raportit të fundit të Eurostat.

"Dua të them disa fakte. Eurostat tha ditën tjetër se shporta e konsumatorit në Maqedoni krahasuar me një mesatare të përcaktuar si 100% është më e lira në Evropë, 72-73%. Të gjithë në rajon, fjalë për fjalë, kanë një shportë konsumatori më të shtrenjtë se e jona. Ne kemi një zgjedhje, t'i besojmë Eurostatit apo shportës së krijuar nga Branimir Jovanoviq, Dragan Tevdovski dhe Nikolla Poposki. Qytetarët janë ata që duhet të vendosin. Unë vetëm citoj Eurostatin dhe unë i besoj Eurostatit", tha Mickoski./Telegrafi/

Rriten çmimet e derivateve të naftës në Maqedoni

29 December 2025 at 13:28


Komisioni Rregullator për Shërbimet e Energjisë, Ujit dhe Menaxhimit të Mbeturinave Komunale i Republikës së Maqedonisë së Veriut (KRRE) ka miratuar Vendim për rritjen e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës me një mesatare prej 1.23% krahasuar me vendimin e datës 22.12.2025.

Çmimet me pakicë të benzinave EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98, si dhe EURODIZEL (D-E V) dhe Vajit Ekstra të Lehtë (EL-1) rriten me 0.50 den/litër. Çmimi me pakicë i vajit të karburantit M-1 NS rritet me 1.042 den/kg dhe tani do të arrijë në 33.649 den/kg.

Nga data 30.12.2025, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

Benzinë motorike EUROSUPER BS - 95 do të shiten për 70.50 (denarë/litër)

Benzinë motorike EUROSUPER BS - 98 do të shiten për 72.50 (denarë/litër)

Naftë EURODIESL BS (D-E V) do të shiten për 65.00 (denarë/litër)

Vaj ekstra i lehtë për karburant 1 (EL-1) do të shiten për 64.00 (denarë/litër)

Vaj për ngrohje M-1 NS do të shiten për 33.649 (denarë/kilogram)./Telegrafi/

Banka Popullore: Borxhi i jashtëm neto i vendit është ulur për 106 milionë euro në kuartalin e tretë të vitit 2025

29 December 2025 at 13:07


Banka Popullore i publikoi informatat për ndryshimet më të rëndësishme në borxhin e jashtëm, kërkesat e jashtme dhe pozicionin ndërkombëtare të investimeve për fundin e kuartalit të tretë të vitit 2025.

“Në datën 30.09.2025, borxhi i jashtëm neto arrin 4.494 milionë euro (ose 27,1% e BPV-së së projektuar). Neto borxhi i jashtëm i vendit, në kuartalin e tretë të vitit 2025, është ulur për 106 milionë euro, ose për 2,3%.

Nga aspekti i strukturës, neto-borxhi privat edhe më tutje ka pjesëmarrje më të madhe në neto borxhin e përgjithshëm me 67%”, citohet në kumtesën e Bankës Popullore.

Gjatë kuartalit të tretë të vitit 2025, pozicioni negativ i intestimeve ndërkombëtare neto (PNI) është ulur për 250 milionë euro dhe arrin 8.738 milionë euro, që paraqet 52,7% e PBB-së së projektuar për vitin 2025.

Janevska: Nga marsi mësuesit do të marrin paga më të larta

29 December 2025 at 12:42


Mësuesit e shkollave fillore dhe të mesme do të marrin rritje page nga marsi i vitit të ardhshëm, njoftoi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Sipas njoftimeve të saj, rritja do të jetë midis 7.5 dhe 10 përqind, varësisht nga llogaritjet përfundimtare.

Ministrja theksoi se kjo është një masë kyçe për motivimin e edukatorëve, e përforcuar më tej nga konkurrenca në karrierë.

"Ajo që nuk ka qenë e mundur të bëhet deri më tani, ne e kemi bërë. Jam krenare për suksesin që kemi arritur, i cili u vu re në raportin e Komisionit Evropian", tha Janevska në konferencën e sotme për shtyp./Telegrafi/

BDI: Balancuesi solli përfaqësim, VLEN po sjell përjashtim

29 December 2025 at 12:18


BDI sot akuzon VLEN-in se po përpiqet të paraqesë një realitet të rremë përmes statistikave të manipuluara dhe triumfalizmit artificial, ndërkohë që në terren po ndodh e kundërta: përjashtim i shqiptarëve nga institucionet shtetërore.

"Avokati i Popullit e konfirmon qartë se rritja e përfaqësimit të shqiptarëve ka ndodhur deri në tetor të vitit 2024, pra përderisa ishte në fuqi mekanizmi i balancuesit. Çdo shifër pozitive në raportin për vitin 2024 është rezultat direkt i këtij mekanizmi kushtetues, i ndërtuar dhe i mbrojtur nga BDI, e jo i ndonjë politike apo angazhimi të VLEN-it.

Ndërkohë, pas shfuqizimit të balancuesit, realiteti në institucione flet ndryshe.

Vetëm para një jave, shtatë shqiptarë me vendime të përhershme pune janë larguar pa asnjë arsye ligjore, nën përgjegjësinë direkte të ministrit Stoillkoviq, ndërsa VLEN hesht. Edhe më alarmante është se në mesin e të larguarve ka edhe invalid të luftës, çka përbën një padrejtësi të rëndë ligjore, morale dhe kombëtare.

VLEN premtoi se do t’i “mbronte administratorët shqiptarë. Sot është e qartë se nuk ka as zë, as guxim dhe as vullnet politik për t’u dalë në mbrojtje. Heshtja e tyre përballë këtyre largimeve arbitrare është bashkëfajësi politike.

Ironia politike arrin kulmin kur VLEN, bashkë me OBRM-PDUKM-në, sulmonte balancuesin, ndërsa sot përfitimet e tij i paraqet si sukses të vetin. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit në tetor të vitit 2024, që ata e shpallin si “fitore”, nuk është gjë tjetër veçse realizim i drejtpërdrejtë i programit parazgjedhor të OBRM-PDUKM-së, i kopjuar fjalë për fjalë edhe në programin qeveritar të dorëzuar në Kuvend në vitin 2024", thonë nga BDI.

Nga BDI thonë se “Ligj për përfaqësim të drejtë” nuk garanton përfaqësim të shqiptarëve.

"Sa i përket të ashtuquajturit “Ligj për përfaqësim të drejtë” të Karakamishevës, BDI e bën të qartë se ky ligj, në formën aktuale, jo vetëm që nuk garanton përfaqësim, por e minon tërësisht atë. Ai: nuk parasheh kuota etnike; nuk parasheh identifikim etnik të qytetarëve; nuk ka mekanizma zbatimi për realizimin e vlerës kushtetuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat; dhe nuk përmban asnjë dispozitë sanksionuese, duke e bërë ligjin të pazbatueshëm dhe vetëm dekor politik", shtojnë nga BDI./Telegrafi/

Uji në Shkup është i sigurt për pije

29 December 2025 at 11:55


Uji në Shkup është i sigurt për t’u pirë, sipas të dhënave nga analizat e 185 mostrave nga 41 pika matëse.

"Sektori i Kontrollit Sanitar në periudhën nga 22.12.2025 deri më 26.12.2025 mori 185 mostra për analiza fiziko-kimike dhe 185 mostra për analiza mikrobiologjike të ujit të pijshëm nga 41 pika matëse në Qytetin e Shkupit", thuhet në njoftimin e NP "Ujësjellësi dhe Kanalizime".

Nga ndërmarrja publike, siç thuhet atje, me qëllim informimin më të mirë të qytetarëve të Qytetit të Shkupit, i publikon këto të dhëna në raportin javor mbi cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm, të marra nga analizat e kryera në Sektorin e Kontrollit Sanitar.

Pronarit të diskotekës "Pulse" i është gjetur një telefon në qeli

29 December 2025 at 11:29



Gjykimi për zjarrin në diskotekën "Pulse" në Koçan vazhdon sot në sallën e gjyqit në Idrizovë të Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Seanca e sotme dëgjimore është planifikuar të përfshijë dëshmi nga përfaqësuesit ligjorë të palëve të dëmtuara në këtë rast.

Para fillimit të seancës dëgjimore, gjykata njoftoi se në qelinë e Dejan Jovanov - Dekos, pronar i diskotekës "Pulse", është gjetur një telefon celular.

Gjyqtarja Dijana Gruevska-Ilievska e paralajmëroi Jovanovin dhe tregoi se nëse një incident i tillë do të ndodhte përsëri, do të vendoseshin masa më të rrepta, përfshirë ndalimin e vizitave.

Gjetja e një telefoni celular në njësitë e paraburgimit konsiderohet një shkelje e rëndë disiplinore, pasi lejon komunikim të papenguar me botën e jashtme, gjë që mund të ndikojë në rrjedhën e procedurave gjyqësore, hetimin ose dëshmitarët.
Gjyqi vazhdon me paraqitjen e provave dhe dëgjimin e palëve në procedurë./Telegrafi/

Mbyllet pika kufitare në mes Maqedonisë dhe Greqisë për automjetet e mallrave

29 December 2025 at 10:59


Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë njofton se pika kufitare në Mexhitli do të jetë e mbyllur për automjetet e mallrave.

"Pika kufitare Niki (Mexhitli) në kufirin Maqedoni e Veriut-Greqi do të jetë e mbyllur për trafikun e automjeteve mallrash sot nga ora 10:00 deri në orën 16:00.

Shoferët e automjeteve mallrash këshillohen të planifikojnë në përputhje me rrethanat dhe të përdorin pika alternative kalimi gjatë mbylljes", thonë nga LAMM./Telegrafi/

MPB: Nga fillimi i dhjetorit janë regjistruar 18.318 shkelje të rregullave të trafikut në Maqedoni

29 December 2025 at 10:34


Në periudhën nga 01.12.2025 deri më 28.12.2025, si rezultat i kontrolleve të rregullta të trafikut të kryera nga oficerët e policisë nga të gjitha sektorët e punëve të brendshme në rrugët në të gjithë vendin, Ministria e Brendshme informon se nga gjithsej 18.318 urdhërpagesa të lëshuara, 4.019 shkelje kanë të bëjnë me shoferë që nuk kanë respektuar kufizimin e shpejtësisë së përcaktuar.

"123 persona u ndaluan për drejtim të automjetit në mënyrë të pakujdesshme në përputhje me nenin 297-a të Kodit Penal, nga të cilët 100 për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit, 13 për tejkalim të shpejtësisë brenda vendbanimeve urbane, shtatë për tejkalim të shpejtësisë jashtë një vendbanimeve, tre për drejtim të automjetit në drejtim të ndaluar.

Për më tepër, sipas rishikimit statistikor të aktiviteteve policore, gjatë muajit dhjetor janë regjistruar 5.018 shkelje për parkim të papërshtatshëm, janë shqiptuar 1.843 masa ndaj shoferëve që drejtonin automjet pa patentë shofer, si dhe 679 sanksione për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Nga ana tjetër, dhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, 18 drejtues motoçikletash u sanksionuan për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, si dhe 415 këmbësorë. 1.046 shoferë u sanksionuan gjithashtu për mospërdorim të rripit të sigurisë. Në përputhje me Ligjin për Automjetet, 322 automjete u hoqën nga trafiku për shkak të paregjistrimit, dhe 172 për defekte teknike. 101 drejtues automjetesh u sanksionuan gjithashtu për mospërmbushje të kushteve të përcaktuara në lidhje me errësimin e xhamave të automjeteve (folive).

Kontrollet e trafikut do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. U bëjmë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut dhe të kontribuojnë së bashku për rrugë më të sigurta, njoftojnë nga MPB./Telegrafi/

OBRM-PDUKM: Opinioni ka të drejtë të dijë se sa para investoi Filipçe në Dubai për të marrë një vizë të artë dhe si e fitoi atë

29 December 2025 at 10:05


Pas dëshmisë së ish-bashkëpunëtorit të Zoran Zaevit, Toma Avramski, se ish-kryeministri po ndërton një ndërtesë 42-katëshe në Dubai, e njëjta gjë u konfirmua nga Venko Filipçe dhe LSD, akuzojnë sot nga OBRM-PDUKM.

"Si LSD ashtu edhe Filipçe konfirmuan se Zaev po ndërton një ndërtesë në Dubai, nga ku të dy kanë viza të arta, por thonë se Filipce nuk është partner në këtë projekt ndërtimi shumëmilionësh.

Ajo që duket si dilemë, dhe për të cilën Filipçe ende nuk jep përgjigje, është se si dhe mbi çfarë baze e mori vizën e artë për në Dubai?

Për njëfarë kohe, ai pretendonte se e mori vizën e artë për shkak të negociatave për një angazhim pune në një spital atje dhe se do t'i vërtetonte të gjitha këto me fakte dhe prova, por deri më sot publiku maqedonas nuk ka parë asnjë dokument.

Nga ana tjetër, marrja e një vize të artë në Dubai kërkon një investim prej të paktën 500.000 dollarësh në biznes dhe pasuri të paluajtshme.
Prandaj, opinioni ka të drejtë të marrë një përgjigje të qartë nëse Venko Filipçe e mori vizën për shkak të një investimi prej të paktën 500.000 dollarësh, në pasuri të paluajtshme apo në biznes?", akuzojnë nga OBRM-PDUKM.

Lidhur me investimet në pasuri të paluajtshme në Dubai, në të njëjtën dëshmi publike, Avramski pretendon se si Zaev ashtu edhe Filipçe kanë apartamente atje dhe se ai ishte në ndërtesën ku të dy i blenë apartamentet./Telegrafi/

Politikanët shqiptarë në Maqedoni urojnë Kurtin për fitoren në zgjedhjet parlamentare

29 December 2025 at 09:35


Liderët e partive shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë uruar Albin Kurtin për fitoren e tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Mesazhe urimi kanë dërguar kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, liderët e koalicionit VLEN dhe lideri i ASH-së, Arbe, Taravari, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi në urimin e tij thotë se fitorja e fundit e Kurtit dëshmon besimin dhe mbështetjen për vizionin dhe përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

"Uroj veçanërisht Kryeministrin z. Albin Kurti për fitoren dinjitoze. Ky rezultat zgjedhor konfirmon besimin dhe mbështetjen qytetare për vizionin dhe përkushtimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Përgëzoj gjithashtu të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen konstruktive, si dhe qytetarët e Kosovës për kulturën dhe pjekurinë demokratike që kanë treguar", shkruan Gashi.
Liderët e VLEN-it poashtu i kanë dërguar mesazhe urimi Kurtit.

Mesazh urimi për Kurtin ka ardhur edhe nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

"I përgëzoj qytetarët e Republikës së Kosovës për procesin zgjedhor në të cilin dëshmuan maturi dhe pjekuri të lartë demokratike. U zhvillua një proces i lirë, i ndershëm dhe plotësisht demokratik, në përputhje me standardet evropiane, duke konfirmuar forcën e institucioneve dhe vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Urime Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e shënuar! Kosova ka nevojë për stabilitet, zhvillim dhe vizion të qartë shtetëror, në shërbim të qytetarëve të saj", shkruan Ahmeti.

Izet Mexhiti në urimin e tij shkruan se zgjedhjet demokratike të zhvilluara sot, e rikonfirmojnë që Kosova tashmë ka krijuar një traditë të mirëfilltë demokratike, ku ka garë ferr dhe të drejtë.

"I dashuri Albin, është kënaqësi e madhe të shoh fitoren tuaj të re, edhe më të madhe se në zgjedhjet e kaluara. Zgjedhjet demokratike të zhvilluara sot, e rikonfirmojnë që Kosova tashmë ka krijuar një traditë të mirëfilltë demokratike, ku ka garë fer dhe të drejtë", shkruan Mexhiti.

Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe njëri nga liderët e VLEN-it, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur fitore të jashtëzakonshme.

"Uroj që procesi i formimit të institucioneve të shkojë shpejt e mbarë, duke reflektuar vullnetin qytetar të shprehur sot. Mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin ndërshtetëror me Qeverinë Kurti 3", shkruan Kasami.

Fitoren e Kurtit e uruan edhe zv. kryeministrat Bekim Sali dhe Arben Fetai.

"I përgëzoj të gjitha subjektet politike për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë proces të rëndësishëm. Shpresojmë që institucionet e reja të konstituohen sa më shpejt, në frymë bashkëpunimi dhe uniteti, për t’u përballur me sfidat dhe për të vazhduar rrugën e zhvillimit, integrimit, stabilitetit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët", shkruan Sali.

Mesazhe urimi ka pasur edhe nga lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.

Lajmet nga Kosova flasin për fitore të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit të cilin populli i Kosovës i besoi sërish drejtimin e vendit! Urime Vetëvendosjes e Kurtit! I priftë vetëm e mira në punën e tyre!", shkruan Taravari./Telegrafi/

Vazhdon sot gjykimi për rastin "Pulse" në Koçan, dëshmon pronari i një kompanie

29 December 2025 at 08:31


Gjykimi për zjarrin në diskotekën "Pulse" në Koçan vazhdon sot në sallën e gjyqit në Idrizovë të Gjykatës Themelore Penale në Shkup. Seanca e sotme dëgjimore është planifikuar të përfshijë dëshmi nga përfaqësuesit ligjorë të palëve të dëmtuara në këtë rast.

Në seancën e mëparshme, me kërkesë të Prokurorisë, dëshmoi pronari i një kompanie pranë diskotekës. Ai foli për rinovimin e objektit nga perspektiva e tij si fqinj, si dhe për natën tragjike kur "Pulse" u përfshi nga zjarri.

Më parë, mbrojtja e të akuzuarit Aleksandar Nacev, në fjalën e tij hyrëse, tregoi se gjatë procedurës do të vërtetohej se "i akuzuari Aleksandar Nacev nuk ishte as person përgjegjës dhe as pronar i vërtetë i personit juridik 'Rubikon'".

Përveç kësaj, u tha se rojet e sigurisë natën e ngjarjes tragjike nuk ishin të detyruara dhe as nuk ishin të angazhuara të kontrollonin numrin e mysafirëve të pranishëm, të kontrollonin pajisjet e sigurisë dhe kushtet e sigurisë së objektit, si dhe se personi juridik i akuzuar nuk ishte i detyruar të paraqiste një plan sigurie.

Gjykata Themelore Penale në Shkup, në fillim të seancës së sotme dëgjimore, vendosi të bashkojë procedurën në këtë rast me procedurën kundër pronarit të objektit./Telegrafi/

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

29 December 2025 at 08:07


Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me periudha diellore dhe me temperatura të ulëta.

Në vend do të fryjë një erë e lehtë nga drejtimi verior.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga -9 deri -2, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 5 deri 12 gradë celsius.

Në ditët në vijim moti do të jetë i ftohtë dhe temperatura deri në -10 gradë celsius./Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Kostadinovski: 2026-ta, vit i ligjit të gjuhëve

26 December 2025 at 17:31


Pas gjashtë vitesh, viti 2026 do të jetë vendimtar për lëndën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Këtë e deklaroi sot kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në fjalimin e tij të fundvitit, duke theksuar se askush nuk duhet të frikësohet nga vendimi, pasi sipas tij në këtë mënyrë ligji i gjuhëve do të përmirësohet.

“Afati skadoi muajin e kaluar, gjykatësi raportues në mbledhje pune kërkoi edhe një muaj që ta përpunojë. Pritjet e mia janë që gjatë muajit janar unë do ta marr si kryetar. Sapo ta marr në takim pune do ta parashtroj pyetjen, a do të vazhdojmë me seancën përgatitore”. 15:29 “Se ajo lëndë do të zgjidhet vitin e ardhshëm, do të zgjidhet. Dhe sërish, askush të mos sheh në asnjë rrezik. As japim, as marrim diçka, bëjnë harmonizim të dispozitave ligjore me kushtetutën. Në fund, rezultati i asaj do të jetë ligj shumë më i mirë për përdorimin e gjuhëve sesa këtë që e kemi në këtë moment”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski komentoi edhe kërkesën e BDI-së që vendimmarrja në Gjykatën Kushtetuese të obligohet me Badinter, respektivisht shumicë të dyfishtë. Sipas tij, Badinteri duhet të shfrytëzohet vetëm për organet politike, por jo edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse ajo ndodh, në të njëjtin moment qytetarët mund ta harrojnë shtetin ligjor. Në të njëjtin moment lirisht mund të vendosin çelës dhe ta mbyllin këtë institucion. Nuk ka nevojë për ekzistimin e saj. Badinteri është mekanizëm shumë i dobishëm për shoqëritë siç është e jona, por ku? Në organet politike. Organ i tillë është Kuvendi”, u shpreh Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski në fjalimin vjetor porositi Këshillin Gjyqësor dhe Kuvendin që urgjentisht të zgjedhin dy gjykatësit kushtetues, ndërsa politikanët të mos bëjnë presion apo të përzihen në punën e tyre. Gjykatë Kushtetuese, sipas tij e ka përmbyllur me sukses vitin 2025, duke theksuar se janë zgjidhur gjithsej 230 lëndë./Alsat/

Ndalohet një polic në Shkup, dyshohet se ka marrë ryshfet një shumë prej 20.000 euro

26 December 2025 at 17:00


Pas një kallëzimi të mëparshëm nga një qytetar për veprën penale "zhvatje" të kryer nga oficeri i policisë H.Z. (48) në Departamentin e Çështjeve Penale të Gazi Babës, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Penale dhe Standarde Profesionale në kuadër të MPB-së ndërmori masa dhe aktivitete përkatëse për të sqaruar rastin, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"Konkretisht, qytetari ka raportuar se H.Z. së bashku me persona të tjerë në disa raste i kanë kërkuar 20.000 euro, para që dyshohet se djali i ankuesit ia ka marrë nga ai. Pas kësaj, janë marrë masa dhe është kryer përpunimi mjeko-ligjor i fondeve, dhe më 25.12.2025 në zonën e Qendrës, menjëherë pas dorëzimit, H.Z. është ndaluar dhe gjatë një kontrolli, ndërsa tek ai janë gjetur 20 prerje nga 50 euro.

Ai është ndaluar në një stacion policor, dhe Njësia kundër krimit në kuadër të SPB Shkup, ka ngritur kallëzim penal kundër H.Z. në Prokurorinë Publike të Shkupit për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale "zhvatje" sipas nenit 258 të Kodit Penal.
Departamenti i Kontrollit të Brendshëm kundër H.Z. do të paraqesë një propozim për të filluar procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore dhe do të shqiptojë një masë të detyrueshme largimi nga vendi i punës deri në përfundimin e procedurës disiplinore.

Ndërkohë, një gjyqtar në një procedurë paraprake ka urdhëruar masa paraprake për të akuzuarin", thuhet në njoftimin e MPB-së./Telegrafi/

MSH-Maqedoni: Komisioni konstatoi se procedura e reanimimit për foshnjën e ndjerë është zbatuar sipas protokollit

26 December 2025 at 16:37


Komisioni për mbikëqyrje profesionale për rastin së Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë konstatoi se procedura e reanimimit është zbatuar sipas protokollit, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

"Komisioni për mbikëqyrje profesionale për rastin e foshnjës së porsalindur të ndjerë në Klinikën e Gjinekologjisë, pas kryerjes së mbikëqyrjes, ka nxjerrë këto përfundime:

Në bazë të dokumentacionit të plotë mjekësor, deklaratave të personelit mjekësor dhe gjetjeve të autopsisë, Komisioni për mbikëqyrje profesionale konstatoi se bëhet fjalë për një foshnjë të lindur para kohe, me infeksion të rëndë kongjenital, distres respirator dhe funksion pulmonar të dëmtuar për shkak të mushkërive të paformuara dhe procesit inflamator në kuadër të infeksionit, me prani të pneumotoraksit spontan, parcial, të verifikuar radiologjikisht në orët e para pas lindjes.

Për shkak të seriozitetit të gjendjes dhe rreziqeve të theksuara, foshnja është vendosur në ventilim mekanik katër orë pas lindjes dhe për shkak të infeksionit kongjenital, menjëherë është vendosur në terapi antibiotike", thuhet në njoftim.

Gjatë trajtimit, shtojnë nga atje, është indikuar ndryshimi i terapisë antibiotike, duke marrë parasysh analizave laboratorike që tregonin për një gjendje septike./Telegrafi/

MBPEU-Maqedoni: Janë paguar mbi 39 milionë denarë për 663 prodhues të orizit

26 December 2025 at 16:11


Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU) njofton se sot është realizuar pagesa e mjeteve në vlerë prej 39.065.031 denarë për 663 prodhues të orizit.

"Pagesa ka të bëjë me mbështetje financiare prej 6 denarësh për kilogram oriz të papërpunuar të dorëzuar në qendrat grumbulluese, për periudhën nga 1 mars deri më 30 shtator 2025. Me këtë pagesë janë përfshirë të gjithë prodhuesit e orizit nga korrja e kaluar.

Qëllimi ynë mbetet forcimi i prodhimit vendor dhe mbështetja e vazhdueshme e fermerëve", thonë nga Ministria./Telegrafi/

❌
❌