SHBA – Trump thirrje Maduro të largohet me dëshirë nga pushteti
UASHINGTON, 23 dhjetor /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të ishte e mençur që presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, të largohej nga pushteti dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund ta mbanin ose ta shisnin naftën që kishin konfiskuar në brigjet e Venezuelës në javët e fundit, sipas “Reuters”.
Presioni i Trump ndaj Maduro ka përfshirë një prani ushtarake të shtuar në rajon dhe më shumë se dy duzina sulme ushtarake ndaj anijeve që dyshohet se trafikojnë drogë në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve pranë kombit të Amerikës së Jugut.
Të paktën 100 persona janë vrarë në këto sulme.
“Mendoj se do të ishte e zgjuar nga ana e Maduro, nëse e bënte këtë,” u tha Trump gazetarëve në resortin e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, kur u pyet nëse qëllimi i tij ishte të detyronte presidentin e Venezuelës të largohej nga pushteti.
“Nëse ai luan ashpër, do të jetë hera e fundit që ai do të jetë në gjendje të luajë ashpër”, shtoi ai.
Trump konfirmoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndiqnin një anije cisternë të sanksionuar gjatë fundjavës.
Shumë media amerikane raportuan të dielën se Roja Bregdetare e SHBA-së “është në ndjekje aktive” të anijes cisternë “Bella 1” në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve të Venezuelës, ndërsa ajo ishte në rrugën drejt Venezuelës për të ngarkuar naftë.
“New York Times” raportoi dje se anija cisternë ishte arratisur në Oqeanin Atlantik.
Nëse kapet, kjo do të shënonte anijen cisternë të tretë të kapur me sukses nga SHBA-ja pranë Venezuelës në më pak se dy javë.
Javën e kaluar, Trump urdhëroi një “bllokim të plotë dhe total” të të gjitha anijeve cisternë të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela, duke e shpallur qeverinë e Maduro një organizatë të huaj terroriste.
Pentagoni ka vendosur rreth një duzinë anijesh luftarake, përfshirë “USS Gerald R. Ford”, një aeroplanmbajtëse e madhe, dhe rreth 15,000 trupa në Detin e Karaibeve – i cili ndan një pjesë të konsiderueshme të vijës bregdetare me Venezuelën.
Rajoni nuk ka parë një prani kaq masive ushtarake amerikane për të paktën tre dekada.//a.i/
The post SHBA – Trump thirrje Maduro të largohet me dëshirë nga pushteti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
