Në prokurorinë e Posaçme sot në orën 10:00 mbahet ceremonia e kalimit të detyrës nga Altin Dumani, te kryetari i ri Klodian Braho i zgjedhur me 7 vota të anëtarëve të KLP-së.
Për SPAK, ky cilësohet si një moment i rëndësishëm për sigurimin e vazhdimësisë dhe forcimin e mëtejshëm të punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kreu i SPAK e ka mandatin 3 vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën, të parin drejtues të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, tashmë do të jetë prokuror në SPAK, deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani e mbyll ciklin e drejtuesit mes kërkesave të vazhdueshme për t’i dhënë mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho u emërua prokuror më 14 nëntor 2007, duke filluar kështu një rrugëtim të gjatë profesional që e ka çuar në një nga pozicionet më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë shqiptare.
Deri në vitin 2012, Braho shërbeu si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, ndërsa për tre vite të tjera më pas, ushtroi funksionin e prokurorit pranë Prokurorisë së Vlorës, ku njëkohësisht mbajti edhe detyrën e zëvendës drejtuesit (2014–2015). Në Prokurorinë e Vlorës spikati me një dosje të bujshme, ajo ndaj ish kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Braho e hetoi dhe e çoi në gjyq kryebashkiakun e Vlorës për për shpërdorim detyre dhe falsifikimin e dokumenteve në dhënien e lejeve të ndërtimit.
Karriera e Klodian Brahos tij do të marrë një kthesë të rëndësishme në vitin 2015, me emërimin e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë katër viteve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, një prej dosjeve më të bujshme të Klodian Brahos ishte ajo për hetimin e ish- Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, një ndër çështjet e para që u bënë simbol për llogaridhënien në nivelet e larta të sistemit të drejtësisë.
Në punën e tij si prokuror i SPAK, Braho ka pasur në duar çështje me një ndikim të gjerë publik. Ai është prokurori që hetoi rastin e inceneratorit të Elbasanit, duke lëshuar urdhër-arrest për persona kyç si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si dhe duke veçuar hetimin për ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Dosja e inceneratorit të Elbasanit është e vetmja që tashmë ka një vendim të formës së prerë, me 9 të dënuar, mes të cilëve ish ministri i Mjedisit Lefter Koka që u dënua me 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, dënim të cilin Braho e kërkoi dhe e mori në Apelin e GJKKO.
Po ashtu, prokurori Braho ka udhëhequr hetimin e dosjes “5D”, ku në gjyq përfunduan ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Një tjetër çështje e rëndësishme e ndjekur prej tij është dosja “Toyota Auris”, e cila përfshin disa fraksione hetimore dhe persona të drejtësisë.
Braho është gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ndodhet nën proces gjyqësor për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën e Gërdecit./K.M
Emri i tij është ende sot legjendar: Jakobi quhej si ‘i pasuri’ që në të gjallë të tij. Por rëndësia e tij shkon përtej pasurisë. Tregtari dhe bankieri nga Augsburgu në Gjermaninë jugore vendosi shinat për ekonominë e kohës moderne. “Për Fugge-n mund të thuash se ishte njeriu i parë, që bëri tregti në shkallë globale”, thotë Greg Steinmetz në një intervistë për DW.
Në 2015 ish-korrespondenti gjerman i Wall Street Journal e përkujtoi Fugger-in me biografinë “The Richest Man Who Ever Lived” (Njeriu më i pasur që ka jetuar ndonjëherë). Përpara se Karli V, që ishte edhe perandor i Perandorisë së shenjtë romake të kombit gjerman dhe mbret i Spanjës, të vendoste nën kontrollin e tij Amerikën e Jugut, nuk bëhej shumë tregti me pjesët e tjera të botës. “Nga Evropa tregtia behej me Indinë, me Indonezinë e sotme dhe Kinën. Por udhëtimet për në perëndim u bënë të mundura vetëm pas Kolombit. Pra kur flasim për tregtinë ndërkombëtare, ajo ishte me shumicë. A kishte tregti globale? Jo, sepse vetëm gjysma e botës ishte zbuluar nga evropianët. Dhe Fugger u gjend në fillim të këtij fenomeni”, thotë biografi i tij.
Arsimimi në Itali
Jakob Fugger lindi në një familje të pasur në Augsburg, themelet e së cilës i kishte hedhur gjyshi i tij Hans Fugger si endës mjeshtër. Në Venecia ai mësoi tregtinë dhe zhvilloi preferencën e tij për Rilindjen. Venecia e njohu me një inovacion, i cili përshpejtoi ngritjen e tij: mbajtjen e kontabilitetit me dy hyrje.
“Në atë kohë nuk kishte shkolla biznesi. Familjet i dërgonin djemtë e tyre në praktikë dhe gjermanët bënin shumë tregti në Venecia. Fugger u dërgua nga familja e tij në Venecia për të punuar dhe për të mësuar gjithçka që mundej. Ai mori me vete në Gjermani të gjitha sekretet veneciane, përfshirë kontabilitetin me dy hyrje dhe ishte i pari në Gjermani, që zbatoi këto metoda moderne”, shpjegon Greg Steinmetz.
Kështu Fugger e dinte gjithmonë, se sa para kishte, ndryshe nga shumë konkurrentë që vepronin pa regjistrime të sakta. Fugger kuptoi gjithashtu vlerën e informacioneve. “Ai kishte agjentë në çdo qytet të madh evropian dhe madje edhe në çdo qytet të Gjermanisë. Dhe njerëzit e furnizonin me informacione, me korrier dhe kalë dhe çdo mënyrë tjetër që mund t’i çoheshin këto mesazhe Fugger-it. Informacioni është gjithçka sot dhe kështu ishte edhe atëherë”, thotë Steinmetz. ” Ai që ishte në dijeni më herët për zhvillimet dhe i përdorte ato për biznes, ishte në avantazh. Dhe Fugger e kishte kuptuar këtë”.
Financuesi i Perandorëve
Pas vdekjes së vëllezërve të tij Jakob Fugger mori kontrollin e plotë të biznesit familjar në vitin 1510 dhe vazhdoi politikën e sigurimit të kredive për familjen e Habsburgëve nën perandorët Maksimilian I dhe Karli V. Ai fitoi akses në minierat e argjendit dhe të bakrit, kryesisht në Tirol dhe në Hungarinë e atëhershme. Ai nuk i zotëronte vetë minierat, por mbante të drejta për kërkimin, aksione dhe të drejta parablerjeje për xehet, një garanci që do të rezultonte shumë fitimprurëse.
Evropa ofronte pak nga ajo që kërkohej në atë kohë në Azi. “Evropa nuk eksportonte teknologji si sot. Nuk eksportonte mallra luksi. Nuk eksportonte makina. Por ajo kishte metale si argjendi, ari dhe bakri. Dhe këtu hyri në lojë Jakob Fugger”, shpjegon biografi i Fugger-it.
Bakër për botën
“Një rastësi shumë fatlume për koncernin minierar Fugger ishte fakti që në Indinë e asaj kohe, shumë më superiore se Evropa në teknologji dhe ekonomi, mungonte bakri dhe kërkesa për të ishte shumë e lartë”, thotë Martin Kluger për DW. Ai drejton shtëpinë botuese Context në Augsburg dhe Nuremberg dhe është autor i disa librave mbi historinë e familjes Fugger. “Një rastësi tjetër ishte se Vasco da Gama në vitin 1498 zbuloi rrugën detare për në Indi, pak pasi familja Fugger hyri në biznesin e minierave të bakrit në Neusohl – sot Banská Bystrica – në vitin 1495. Pra në një kohë kur kërkesa për bakër ishte më e lartë se kurrë, familja Fugger kishte rezerva, që morën papritmas vlerë shumë të madhe”, thotë Kluger.
Edhe në Evropë u rrit kërkesa për bakër në ndërtimin e anijeve, topave, për enët e kuzhinës, çatitë e pallateve të qyteteve dhe ndërtesave fetare. Sipas Kluger familja Fugger u “detyrua” si të thuash të hynte në biznesin e minierave: Habsburgët dhe mbreti i Hungarisë mezi i shlyenin borxhet, kështu që ata i dhanë asaj të drejta mbi minierat. “Fakti që aristokracia e lartë nuk ishte aq e aftë në biznes, shkonte në avantazh të familjes Fugger”, thotë Kluger.
Sipas Greg Steinmetz arsyeja pse Fugger nuk u shfuqizua nga huamarrësit e tij të fuqishëm, ose përse ata nuk refuzuan t`ia shlyenin atij kreditë, ishte “talenti i madh i Fugger: Ai e dinte se duhej të bëhej i domosdoshëm për të mbijetuar. Ai duhej të ishte personi i vetëm, tek i cili mund të drejtoheshin perandorët dhe princat, kur kishin nevojë urgjente për para. Perandori Maksimilian bënte vazhdimisht luftëra. Atij i duhej të paguante mercenarët, të cilët përndryshe do të ktheheshin në fshatrat e tyre dhe nuk do të luftonin për të”, thotë Steinmetz. “Dhe i vetmi, që mund t’i siguronte Maksimilianit shpejt paratë kur i nevojiteshin, ishte Fugger”.
Trashëgimia e Fugger-it
Si bankier Fugger revolucionarizoi kredinë, duke e bindur Papën të lehtësonte ndalimin nga kisha të fajdesë. Marrja e interesit nga të krishterët nuk u sanksionua më automatikisht. Arsyeja ishte e thjeshtë: “Nëse lexoni burimet përfshirë ato nga Vatikani, nuk është sekret që edhe Papa preferonte të nxirrte fitimet më të larta të mundshme”, u shpreh historiani i ekonomisë Lars Bërner në radion Deutschlandfunk.
Në këmbim Fugger mori një pjesë të të ardhurave të klerit, përfshirë shitjen kontroverse të indulgjencave, të cilat financuan kishën e shën Pjetrit në Romë dhe e shtynë Martin Luterin të ndërmerrte veprime. “Mund të debatojmë rreth asaj se si i modernizoi financat, si u mundësoi njerëzve të merrnin para hua me kamatë, si i ndihmoi Habsburgët të pushtonin gjysmën e botës, si e shkaktoi pa qëllim Reformacionin, duke zemëruar Martin Luterin. Por ajo që mbahet mend natyrisht, është projekti i tij i strehimit në Augsburg: Pa Fuggerei ( një lagje me ndërtesa sociale në Augsburg) askush përveç historianëve nuk do të fliste për Fugger, sepse ky ishte projekti i parë i strehimit social në botë”, thekson Steinmetz.
Fuggerei ekziston edhe sot. Banorët paguajnë nominalisht të njëjtën qira si para 500 vjetësh dhe apartamentet konsiderohen si model i strehimit social. Njerëz nga e gjithë bota vizitojnë kompleksin, ndoshta simboli më i dukshëm i trashëgimisë së Fugger.
Pasurinë e Fugger historianët e vlerësojnë të ketë qenë ndërmjet 300 deri në 400 miliardë dollarë amerikanë. Në varësi të llogaritjes ajo përbënte ndërmjet dy dhe dhjetë përqind të prodhimit ekonomik të Evropës të asaj kohe duke qenë kështu më shumë se pasuria e super të pasurve të sotëm si Elon Musk apo Jeff Bezos në raport me prodhimin ekonomik të SHBA. Për më tepër pasuria e tyre luhatet ndjeshëm në varësi të çmimit të aksioneve të kompanive të tyre në bursa. Ngjashëm me Jakob Fugger, Bill Gates, që dikur ishte vetë personi më i pasur në botë, po punon për trashëgiminë e tij me një fondacion. Megjithatë, thotë historiani i biznesit Boris Gehlen në intervistë me DW, miliarderët e sotëm kanë më pak rëndësi historike afatgjatë: “Trashëgimia e tyre nuk do të jetë aq e madhe sa ajo e Fugger”./K.M
Roja Bregdetare e SHBA-ve është në “ndjekje aktive” të një tjetër anijeje në ujërat ndërkombëtare pranë Venezuelës, teksa tensionet në rajon vazhdojnë të përshkallëzohen.
Autoritetet amerikane kanë sekuestruar tashmë dy cisterna nafte vetëm këtë muaj, njërën prej tyre të shtunën.
Ndjekja e së dielës lidhet me një “anije të flotës së errët të sanksionuar, që është pjesë e shmangies së paligjshme të sanksioneve nga Venezuela”, tha një zyrtar amerikan, citon BBC. “Ajo po lundron nën një flamur të rremë dhe është nën urdhër gjyqësor sekuestrimi.”
Washingtoni e ka akuzuar Venezuelën se përdor paratë e naftës për të financuar krimin e lidhur me drogën, ndërsa Venezuela i ka përshkruar sekuestrimet e cisternave si “vjedhje dhe rrëmbim”.
Presidenti amerikan Donald Trump javën e kaluar urdhëroi një “bllokadë” të cisternave të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Venezuela, shtëpia e rezervave më të mëdha të provuara të naftës në botë, ka akuzuar administratën Trump se po përpiqet të vjedhë burimet e saj.
Autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht ndjekjen e së dielës, dhe vendndodhja e saktë si dhe emri i cisternës së përfshirë nuk dihen ende.
Që nga java e kaluar, më shumë se 30 nga 80 anijet në ujërat venezueliane ose që po i afroheshin vendit ishin nën sanksione amerikane, sipas të dhënave të mbledhura nga TankerTrackers.com.
“Këto akte nuk do të mbeten të pandëshkuara,” tha qeveria venezueliane në përgjigje të incidentit të së shtunë, ku u sekuestrua një anije pranë brigjeve të Venezuelës/kb
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se ka emëruar guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, si të dërguar special në Groenlandë.
“Jeff e kupton sa thelbësore është Groenlanda për Sigurinë tonë Kombëtare dhe do të përparojë fuqishëm interesat e vendit tonë për sigurinë, mbrojtjen dhe mbijetesën e aleatëve tanë, dhe në fakt, të botës”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Shtëpia e Bardhë, Zyra e Kryeministrit të Groenlandës dhe përfaqësuesit e Landry nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Trump ka thënë disa herë gjatë viteve se Groenlanda, një territor danez që kryesisht qeveris veten, duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke përmendur arsye sigurie dhe një interes në burimet minerale të ishullit./K.M
Analiza gjenetike ka qenë një mjet kyç në diagnostikimin e shumë sëmundjeve për vite me radhë. Megjithatë, deri më tani, edhe kur identifikohej një mutacion gjenetik, nuk ishte gjithmonë e qartë se çfarë do të thoshte saktësisht për shëndetin e pacientit. Një zhvillim i ri në inteligjencën artificiale (IA) po vjen për të mbushur këtë boshllëk kritik.
Hulumtuesit kanë zhvilluar një mjet të ri të inteligjencës artificiale, të quajtur V2P (Variant to Phenotype), i cili nuk kufizohet vetëm në shfaqjen nëse një mutacion gjenetik është i dëmshëm, por gjithashtu mund të parashikojë llojin e sëmundjes që ka të ngjarë të shkaktojë. Thënë thjesht, mjeti përpiqet të përgjigjet jo vetëm “a ka ndonjë problem?”, por edhe “çfarë problemi mund të lindë?”.
Çfarë është e ndryshme nga mjetet ekzistuese
Shumica e sistemeve të analizës gjenetike sot mund të vlerësojnë nëse një mutacion në ADN është potencialisht patogjen. Megjithatë, kjo shpesh i lë mjekët dhe pacientët përballë mijëra varianteve të mundshme, pa një pamje të qartë se cili prej tyre lidhet në të vërtetë me simptomat.
V2P shfrytëzon teknikat e avancuara të të mësuarit automatik për të lidhur variantet gjenetike me sëmundjet ose tiparet që ato mund të shkaktojnë. Duke vepruar kështu, ai i jep përparësi mutacioneve më të “dyshuara” dhe i ndihmon ekspertët të përqendrohen në ato me rëndësinë më të madhe klinike.
Si u trajnua sistemi i IA-së
Mjeti u trajnua në një bazë të dhënash të gjerë që përfshinte variante gjenetike të dëmshme dhe beninje. Ndryshe nga qasjet e mëparshme, V2P përfshinte informacionin mbi sëmundjet që nga fillimi, kështu që “mëson” jo vetëm nëse një mutacion është i rrezikshëm, por edhe se si shoqërohet me probleme specifike shëndetësore./CNA/kb
Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri janë në rënie gjatë vitit 2025, pas katër vitesh radhazi në rritje. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e tretë të vitit 2025, të ardhurat e investitorëve të huaj kishin vlerën e 253 milionë eurove, në rënie me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shuma e të ardhurave nga investimi përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në vendin tonë.
Për të gjithë 9-mujorin 2025, ato arritën vlerën e 802 milionë eurove, në rënie me 3.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është hera e parë që prej vitit 2020 që fitimet nga investimet e huaja në Shqipëri janë në rënie. Në vitet e fundit, rritja e fitimeve është mbështetur nga rimëkëmbja e shpejtë ekonomike pas pandemisë dhe nga rritja e vazhdueshme e investimeve të reja.
Megjithatë, pjesërisht ajo është ndikuar edhe nga ecuria e kursit të këmbimit. Forcimi i Lekut në kursin e këmbimit me Euron nga ndikuar pozitivisht të ardhurat e investitorëve të huaj, të shprehura në monedhën europiane. Gjatë 2025, ecuria e kursit të këmbimit Euro-Lek është më e stabilizuar, me një ndryshim vjetor pranë nivelit të 2%, gjithmonë në kahun rënës. Stabilizimi i kursit po e redukton efektin e tij statistikor në ecurinë e të ardhurave nga investimet për investitorët e huaj në Shqipëri.
Në kahun e kundërt, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për 9-mujorin 2025 ranë në 228 milionë euro, 2.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Bilanci neto i të ardhurave nga investimet për ekonominë shqiptare ngelet gjerësisht negativ, në vlerën e 575 milionë eurove. Megjithatë, deficiti në këtë zë u tkurr lehtë me 3.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit dhe për këtë arsye bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.
Të dhënat progresive tregojnë se, edhe për vitin 2025, investimet e huaja direkte vazhdojnë të regjistrojnë nivelet më të larta historike. Për 9-mujorin, vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 1.208 miliardë euro, shifër kjo 4.4% më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshë gjithnjë e më të rëndësishme në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për 9-mujorin 2025, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 632 milionë euro, 0.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Fitimet e riinvestuara përbënin 52% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 9-mujorin 2025./Marrë nga Monitor.al/kb
Anëtarësimi në NATO është më shumë se një dëshirë politike për Kosovën – është nevojë urgjente. Ky është pozicioni që mbajnë jo vetëm autoritetet e vendit, por edhe disa aleatë të rëndësishëm, në kohën kur paralajmërimet për rrezikun në rritje nga Rusia nuk ndalen.
NATO-ja premton se angazhimi i saj për stabilitetin e rajonit do të mbetet i palëkundur, por a mjafton kjo për një vend që ndodhet në vijën e parë të sfidave strategjike?
Qeveria në detyrë e Kosovës konfirmon se anëtarësimi në aleancën ushtarake të Perëndimit mbetet synim i Republikës, por thekson se rruga drejt këtij objektivi “varet edhe nga rrethanat dhe zhvillimet gjeopolitike”.
Zyrtarët nuk i dhanë një përgjigje të drejtpërdrejtë Radios Evropa e Lirë nëse ka plane për një aplikim formal për anëtarësim, por vunë në pah angazhimin e vazhdueshëm të vendit në këtë drejtim.
“Gjatë viteve të fundit i kemi rritur ndjeshëm investimet e dedikuara për mbrojtje. Në vitin 2024, Republika e Kosovës, përkatësisht Kuvendi i Kosovës, e ka avancuar statusin e tij në Asamblenë Parlamentare të NATO-s nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar. Ndërkaq, tri herë, më 2021, 2023 dhe 2025, kemi qenë vend pjesëmarrës dhe mikpritës i ushtrimeve ushtarake Defender Europe”, tha zëdhënësi Përparim Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë tashmë anëtare të NATO-s. Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Partneritetit për Paqe, ndërsa Kosova mbetet jashtë edhe këtij kuadri bashkëpunimi, për arsye politike.
Në NATO-n 32-anëtarëshe janë katër vende – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa për shumicën e aleatëve, normalizimi i marrëdhënieve të saj me Serbinë mbetet kusht kyç për çdo hap përpara drejt anëtarësimit.
Serbia, nga perspektiva e Kosovës, përbën rrezikun kryesor të sigurisë, ndërsa Rusia shihet si aktori që e ushqen dhe e shfrytëzon këtë tension për të zgjeruar ndikimin e saj destabilizues në Ballkan.
Ndaj, zgjerimi i NATO-s me Kosovën do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, sipas presidentes Vjosa Osmani.
“Për ne, të jemi në NATO nënkupton të jemi të sigurt. Mendoj se Rusia ka interes afatgjatë për ta destabilizuar Ballkanin Perëndimor, e përmes tij gjithë kontinentin evropian. Dhe nuk do të heqë dorë nga ky synim”, tha Osmani në një intervistë për Politico-n.
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ngriti alarmin më 11 dhjetor, duke paralajmëruar se aleatët e Aleancës janë shënjestra e radhës e Rusisë.
“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë, dhe Evropa duhet të jetë e përgatitur”, sipas tij.
Qysh prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, para gati katër vjetësh, Kosova ka kërkuar disa herë anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
Radio Evropa e Lirë pyeti në këtë aleancë nëse ka plane për të thelluar angazhimin me Kosovën, përtej misionit paqeruajtës KFOR, apo nëse po shqyrtohen mekanizma që do t’i ofronin Kosovës garanci më të fuqishme sigurie.
Në përgjigjen e marrë nga një zëdhënës thuhet vetëm se “Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbetet lart në agjendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e tij është i palëkundur dhe ne nuk do të lejojmë që të ketë vakum të sigurisë”.
Ndërsa pranoi se shtetet autoritare, si Rusia, përpiqen të ndërhyjnë dhe të minojnë demokracitë, zëdhënësi i NATO-s nënvizoi gjithashtu situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, duke e cilësuar dialogun me Serbinë si thelbësor për zgjidhjen e çështjeve të hapura.
NATO-ja u zgjerua për herë të fundit vitin e kaluar me Suedinë. Pushtimi rus i Ukrainës e nxiti atë dhe Finlandën një vit më herët t’u jepnin fund dekadave të neutralitetit ushtarak dhe të kërkonin siguri kolektive.
Këtë javë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se vendi është i gatshëm të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, në këmbim të garancive të sigurisë. Pavarësisht kësaj, anëtarësimi i Ukrainës në aleancë – anëtaret e së cilës janë të detyruara ta mbrojnë njëra-tjetrën – ka qenë gjithmonë thuajse i pamundur, për shkak të kundërshtimit të Rusisë.
Ish-zyrtari i lartë i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kosova ndoshta mund të përfitojë nga kjo situatë, sepse NATO-ja nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se Rusia ka të drejtë vetoje mbi vendimmarrjen e saj.
“NATO-ja është krenuar gjithmonë me autonominë e vendimeve të saj. Dhe, nëse për momentin i duhet të heqë dorë nga anëtarësimi i Ukrainës, ajo mund të dëshirojë ta kompensojë këtë duke u zgjeruar drejt dy vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor – Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës – për të treguar se dyert e Aleancës mbeten të hapura”, thotë Shea për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Neni 10 i Traktatit të NATO-s përcakton kushtet e zgjerimit, duke theksuar se anëtarësimi u ofrohet të gjitha shteteve evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës dhe kanë kapacitetin të kontribuojnë në sigurinë e Atlantikut të Veriut.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu, i cili ka marrë pjesë në negociatat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, argumenton se Kosova ka përparuar në aspektin ushtarak, por vë në pah pengesat në funksionimin e brendshëm të shtetit. Për pjesën më të madhe të këtij viti, Kosova ka qenë me qeveri në detyrë dhe pa kuvend funksional.
Mediu nënvizon rëndësinë e unitetit politik, duke përmendur edhe përvojën e Shqipërisë, ku pushteti dhe opozita kanë pasur qëndrim të përbashkët gjatë procesit të anëtarësimit.
“Pa këtë, është e pamundur të avancohet në NATO. NATO-ja nuk është vetëm një dëshirë. Është një proces i angazhimeve politike, institucionale, juridike, i luftës kundër krimit, kundër korrupsionit… Kjo është paketa politike. E, pastaj, vjen reforma në forca të armatosura, ku Kosova nuk ka ecur me hapa të ngadaltë, por me hapa pozitivë”, thotë Mediu për Exposenë.
Sipas Mediut, integrimi i Kosovës në NATO nuk vjen vetëm duke u pozicionuar kundër Serbisë apo Rusisë – ai kërkon ofertë konkrete strategjike ndaj aleatëve, veçanërisht SHBA-së.
Marrëdhëniet me SHBA-në, thotë ai, nuk mund të merren si të mirëqena; duhet të jetë e qartë se çfarë ofron Kosova dhe faktori shqiptar në rajon në këmbim.
Ai sheh zgjidhje në integrim gradual de facto: bashkëpunim ushtarak rajonal dhe kapacitete të përbashkëta operative.
“Kjo do të ishte një platformë shumë pozitive për ta përshpejtuar procesin. Nëse Kosova do të përfshihej me vendet tjera të NATO-s në rajonin e Ballkanit, në krijimin e niveleve të përbashkëta operacionale, që kanë të bëjnë me forca të gatshme për të vepruar, me vëzhgimin e hapësirës ajrore, detare, tokësore etj., Kosova, de facto, do të ishte e kyçur në një marrëdhënie me NATO-n”, thotë Mediu.
Në të njëjtën linjë, Shea thotë se Kosova duhet ta thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe Kroacinë, me të cilat tashmë ka partneritet në fushën e mbrojtjes, për të demonstruar kontributin e saj në stabilitetin rajonal.
Paralelisht, sipas tij, vendi duhet t’i avancojë reformat e brendshme dhe angazhimin diplomatik.
“Mendoj se, së pari, duhet të kemi një marrëdhënie më të mirë pune mes Qeverisë së Albin Kurtit dhe Shteteve të Bashkuara dhe fuqive kryesore evropiane. Të flasim hapur, këto marrëdhënie nuk kanë qenë të lehta gjatë viteve të fundit, dhe Kurti është përballuar me kritika të drejtpërdrejta nga SHBA-ja dhe disa aleatë evropianë. Gjendja e brendshme në Kosovë, me bllokadat në Parlament, dështimin për të zgjedhur kryetar, dhe fakti që tani kemi sërish zgjedhje më 28 dhjetor, ka ndikuar gjithashtu që jostabiliteti politik të mos shkojë në favor të Kosovës”, thotë Shea.
Ai shton se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të sillte kryesisht përfitime politike, pasi KFOR-i e mbron vendin me vite tashmë. Anëtarësimi do t’i siguronte njohje të plotë, vend në tryezën e NATO-s, kredibilitet ndërkombëtar dhe rol më të fuqishëm në sigurinë rajonale dhe evropiane.
Megjithatë, Shea paralajmëron se çdo reduktim apo ripozicionim i forcave amerikane në Evropë do ta detyronte kontinentin të merrte më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale, përfshirë edhe Kosovën.
Këtë vjeshtë, SHBA-ja ka njoftuar për një reduktim të forcave rotative amerikane në Rumani. Radio Evropa e Lirë ka pyetur Departamentin amerikan të Mbrojtjes më 31 tetor dhe më 16 dhjetor nëse këto ndryshime do të kenë ndonjë ndikim në pozicionimin ushtarak të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, por nuk ka marrë përgjigje.
Në fillim të këtij muaji, në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së u diskutua për situatën në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësuesi republikan, Keith Self, e përshkroi rajonin si një “shkrepëse” dhe theksoi se udhëheqja e SHBA-së duhet të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit atje.
“Vendet e NATO-s në Ballkan duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar mbrojtje ushtarake dhe politike. Kosova është veçanërisht e ekspozuar pa anëtarësim në NATO – proces që mbetet i bllokuar për shkak të refuzimit të Spanjës, Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë për ta njohur pavarësinë e saj”, tha Self.
Edhe pse konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm, vendet mosnjohëse nuk kanë lëvizur, por ngjashëm as Kosova nuk ka bërë ndonjë hap të madh, përveçse nga një cikël i rregullt zgjedhor në fillim të vitit në një tjetër të parakohshëm tani në fund.
E, nga këndvështrimi i sigurisë, ky ritëm mund të shihet si një shembull i kuptimit të vonuar të urgjencës strategjike./K.M
Sot, Polonia nuk po feston thjesht fitoren e një njeriu, por fundin e një epoke dhe lindjen e një demokracie të vërtetë në zemër të Europës Lindore. Les Valesës, elektricisti që dikur kërceu mbi muret e kantierit detar të Gdanskut për të sfiduar një regjim të tërë, është betuar si Presidenti i parë i zgjedhur lirisht nga populli polak.
Shkëndija që ndezi “Solidaritetin”
Historia e Valesës është ajo e një njeriu të thjeshtë që u bë zëri i miliona njerëzve të shtypur. Gjithçka nisi në gushtin e vitit 1980, kur pakënaqësia ndaj regjimit komunist arriti kulmin. Walesa, me mustaqet e tij karakteristike dhe karizmën e një udhëheqësi popullor, organizoi sindikatën e pavarur “Solidarnost” (Solidariteti).
Kjo lëvizje nuk ishte thjesht një organizatë punëtorësh; ajo ishte një valë masive shoqërore që kërkonte liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, “Çeliku” i diktaturës komuniste po thyhej nga vullneti i punëtorëve të thjeshtë.
Mes prangave dhe çmimit Nobel
Rruga drejt 21 dhjetorit të sotëm nuk ishte e shtruar me lule. Walesa u përball me burgosje, persekutim dhe shpalljen e ligjit të luftës në vitin 1981, kur regjimi tentoi të shtypte “Solidaritetin”.
Megjithatë, bota nuk i mbylli sytë. Në vitin 1983, Lech Walesa u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, një njohje ndërkombëtare që e shndërroi atë në një ikonë botërore të rezistencës paqësore. Edhe pse nën vëzhgim të rreptë, ai mbeti udhëheqësi shpirtëror i një Polonie që refuzonte të qëndronte në gjumë.
1990: Vullneti i popullit në kutitë e votimit
Zgjedhjet presidenciale të këtij viti shënuan kulmin e një procesi që nisi me “Tryezën e Rrumbullakët” në vitin 1989. Me mbi 74% të votave në raundin e dytë, Walesa mposhti rivalët e tij, duke marrë mandatin për të udhëhequr tranzicionin e vështirë të Polonisë drejt ekonomisë së tregut dhe integrimit perëndimor.
“Unë nuk jam një politikan i stërvitur, jam njëri nga ju,” – u shpreh ai gjatë fushatës, duke ruajtur lidhjen e fortë me rrënjët e tij si punëtor.
Një simbol për botën
Zgjedhja e Walesës nuk është vetëm një lajm për polakët. Ajo është një dëshmi se si një individ, i armatosur vetëm me guxim dhe besim, mund të rrëzojë muret e një prej sistemeve më të fuqishme të historisë.
Nga një elektricist që rregullonte qarqet elektrike në anijet e Gdanskut, sot ai mban në dorë “timonin” e shtetit polak. Mesazhi i tij për botën është i qartë: Liria nuk dhurohet, ajo fitohet.
Epilog
Gjatë ceremonisë së sotme, Valesa pranoi insigniet e presidencës polake nga duart e qeverisë polake në mërgim (me seli në Londër që nga viti 1939), duke krijuar kështu një urë legjitimiteti mes Polonisë së paraluftës dhe Republikës së re demokratike.
Partia Demokratike zhvillon sot, më 22 dhjetor, protestën shumë përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme.
Gjatë fundjavës që lamë pas, eksponentë të ndryshëm të PD-së, mes tyre Flamur Noka, Albana Vokshi, Jola Hysaj, Klevis Balliu dhe Elda Hoti, kanë zhvilluar takime të shumta me qytetarë në zona të ndryshme të vendit, duke i ftuar ata të marrin pjesë në protestën e sotme, e cila konsiderohet nga ata si një moment kyç në aksionin opozitar kundër qeverisë.
Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se kjo do të jetë vetëm fillimi i një rezistence më të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama. Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament.
Po ashtu, Berisha artikuloi akuza të forta për korrupsion ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke përmendur SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilat sipas tij janë vënë në shërbim të qeverisë. Ai foli për “zbulime të mëdha” gjatë ditëve të fundit dhe përsëriti akuzat për afera korruptive që përfshijnë zyrtarë të lartë të mazhorancës/kb
Opozita do të mbajë sot protestën kombëtare, duke e konsideruar si një reagim ndaj korrupsionit qeveritar që ka çuar në përkeqësimin e kushteve të jetesës, pasigurisë dhe mohimit të zgjedhjeve të lira e të barabarta.
Në qendër të protestës janë aferat e fundit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, emri i së cilës del i përfshirë në abuzim me tendera miliona euroshe në Unazën e Madhe dhe Tunelin e Llogarasë.
Opozita ka bërë thirrje për pjesëmarrje të lartë qytetare në protestën që do të organizohet në orën 18:00 para Kryeministrisë, ndërsa kreu i PD Sali Berisha akuzon Ballukun se ka në pronësi 300 apartamente dhe dy jahte.
Kujtojmë se veç faktit që Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, vijon ende procedura për heqjen e imunitetit pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, çka i hap rrugë arrestimit të numrit dy të qeverisë.
Një tjetër shqetësim madhor mbetet siguria. Sipas opozitës, raporte dhe media euro-amerikane kanë evidentuar se krimi ka akses në majat e pushtetit dhe ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Në thirrjen për protestë theksohet se asnjë shoqëri funksionale nuk mund të ndërtohet mbi korrupsionin e normalizuar. Opozita denoncon se qytetarët e thjeshtë përndiqen për çështje banale, ndërsa persona të lidhur me pushtetin mbrohen nga drejtësia dhe ligji.
Sipas opozitës, presioni ndaj administratës publike, kapja e mediave dhe shoqërisë civile synojnë mbylljen e gojës së qytetarëve dhe shtypjen e mendimit të lirë, duke rrezikuar funksionimin e institucioneve demokratike, ndarjen e pushteteve dhe llogaridhënien.
Protesta kombëtare do të mbahet sot më datë 22 Dhjetor, në orën 18:00 para kryeministrisë.
Mbrëmjen e 27 janarit 2021, shoferi i një kamioni që po transportonte kanabis drejt Turqisë njoftoi “shefin” e tij në Tiranë se kishte ngecur në kufi, në pikën e kalimit të Kapikules në Edirne.
“Jam në skaner,” shkroi ai përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp.
Pak minuta më vonë, ankthi u rrit, ndërsa shoferi i identifikuar si Tomi shkroi sërish: “Po bëjnë kontroll fizik, Ka dalë me njollë”.
Mesazhet u shpërndanë menjëherë në rrjetin e kriptuar Sky ECC, ku organizatorët dhe pronarët e drogës prisnin me padurim që kamioni ta kalonte kufirin. Kaq mjaftoi që i gjithë grupi, një dyzinë personash bashkë me djalin e një deputeti socialist të kohës, Rexhep Rraja, të përfshihej në kaos dhe në teori komploti për ‘tradhti’.
Sipas vendimit për masë sigurie të Gjykatës së Posaçme, anëtarët e grupit qëndruan për ditë me radhë të fiksuar para televizorit në pritje të lajmeve që konfirmonin kapjen ose jo të drogës, ndërsa komunikimet e tyre në Sky ECC u transformuan nga biseda miqësore prej ortakësh me terma vëllazërorë, në kërcënime dhe përplasje për paratë e humbura.
Komunikimet e SKY ECC rreth këtij episodi trafiku janë vetëm një fragment i dosjes voluminoze të SPAK, e cila çoi në caktimin e masave të sigurisë “arrest në burg” për 14 persona, përfshi Rexhep Rrajën, djali i ish-deputetit Rrahman Rraja, një figurë që për vite me radhë ka simbolizuar ndërthurjen e politikës me botën e krimit në zonën e Fushë-Krujës.
Gjykata theksoi rrezikshmërinë e lartë shoqërore të të akuzuarve, duke vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg” për të gjithë listën e të dyshuarve. Përveç Rexhep Rrajës, janë lëshuar urdhra arresti edhe ndaj Islam Sefa (Xaka), Ervis Shuli, Bujar Sefa (Xaka), Agim Nina (Lorenc Selmani), Hajdar Sefa (Lala), Vidjan Baroka, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Zamir Aliaj (Çoku), Aldo Gjini (Lamandi), Sokol Qaja, Jani Çavo dhe Marvin Bushati.
Ata akuzohen për veprat penale të “trafikimit të narkotikëve” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Sipas dokumenteve të siguruara, SPAK ka rindërtuar skemën e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Gjermanisë, Holandës dhe Turqisë. Hetimi, i cili nisi pas një raporti të autoriteteve gjermane nga Braunshvajgu (Braunschëeig), zbuloi se grupi siguronte lëndën narkotike në territorin shqiptar, duke e kultivuar ose blerë, dhe e trafikonte atë përmes një logjistike të sofistikuar.
Rrajat, nga politika te krimi
Përfshirja e Rexhep Rrajës në këtë dosje shënon një kapitull të ri në historinë e trazuar të familjes së njohur nga Nikla. Për vite me radhë, mbiemri Rraja ka qenë sinonim i pushtetit politik dhe influencës në zonën e Krujës, shpesh duke u lakuar për ngjarje të dhunshme që sfiduan hapur ligjin.
Rexhep Rraja u bë fillimisht i njohur për publikun e gjerë pas denoncimit të ish-të dashurës së tij për dhunë në vitin 2018, një çështje që trazoi opinionin publik dhe politikën, por që u mbyll me një dënim minimal. Në nëntor 2019, një tjetër anëtar i fisit, Redjan Rraja u arrestua si një prej atutorëve në atentatin ndaj Aleksandër Lahos (njohur si Rrumi) dhe ish-prokurorit tani deputet Arjan Ndoja. Shoferi Andi Maloku mbeti i vrarë në atentat, ndërsa Rraja u dënua me burgim të përjetshëm.
Një vit më vonë, në dhjetor 2020, Ramazan Rraja, nipi i deputetit në atë kohë, Rrahman Rraja dhe një tjetër anëtar i fisit u arrestuan në Belgjikë, pas një operacioni ndërkomëbtar kundër trafikut të kokainës. Ramazan Rraja u gjet fajtor për akuzat e trafikut të drogës dhe është dënuar në Blegjikë. Ai po ashtu është dënuar në Shqipëri si bashkëpunëtorë në atentatin ndaj Lahos e Ndojës.
Pavarësisht goditjeve prej drejtësisë dhe arrestimit të disa anëtarëve të fisit, Rrajat vijuan të kishin kontroll në territor dhe u kthyen sërish në qendër të vëmendjes në korrik të vitit 2023, pas publikimit të një videoje brutale, ku anëtarë të fisit dhunuan barbarisht me shkopinj bejsbolli dy kushërinjtë e fisit Maja, të cilët ishin ankuar për guroren në pronësi të familjes.
Vetëm pas këtij skandali të rradhës, Rrahman Rraja dha dorëheqjen nga mandate i deputetit. Në atë kohë, policia shpalli në kërkim vëllanë e ish-deputetit, Xhelal Rraja. Ky i fundit u arrestua në korrik 2024, ndërsa përtej pjesëmarrjes në sulmin masiv të korrikut 2023, ai akuzohet si pjesë e një organizate kriminale.
Dosja e fundit e SPAK bazohet në komunikimet e SKY ECC dhe i vendos ngjarjet në fund të vitit 2020 dhe në fillim të 2021, ku grupi shfaqet mjaft aktiv në trafikun e narkotikëve duke organizuar ngarkesa thuajse çdo muaj pavarësisht goditjeve nga policia.
Nga tre episodet e dokumentuara në dosje, Rexhep Rraja, të cilit anëtarët e tjerë të përfshirë në trafik i referohen si “djali i deputetit”, luan rol aktiv organizatori e drejtuesi në njërin prej tyre. Megjithatë, ai përmendet edhe në të dy episodet e tjera në dijeni të trafikut.
Prokuroria thotë se nga analiza e fakteve, Rraja dhe personat e tjerë të akuzuar ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
“Gjatë analizës së 3 (tre) episodeve, vërehet se qëllimi i bashkëpunëtoreve është një dhe i përbashkët – trafikimi i lëndëve narkotike. Mënyra e kryerjes së këtij trafikimi, në formën e eksportimit respektivisht drejt Gjermanisë, Turqisë dhe Holandës mjetet e përdorura apo mënyra e organizmit të tij ku çdo bashkëpjesëmarrës ka një rol dhe një detyrë të përcaktuar qartë, tregojnë se ky bashkëpunim nuk është i rastësishëm”, thuhet në vendimin për caktimin e masës së sigurisë.
Në vendim vihet në dukje se një pjesë e të hetuarve për këtë dosje, ishin ose të dënuar për raste të ngjashme trafiku, ose në gjykim.
Episodet e trafikut
Të dhënat e nxjerra nga mesazhet mes anëtarëve të grupit tregojnë për një rrjet të organizuar të trafikut, por pa një strukturë të qartë komande dhe me besnikëri të brishtë.
Grupi vepronte i ndarë në degë të ndryshme. Nga të dhënat, Rrajat dalin në dy episode pronarë të kanabisit dhe blerës të kokainës. Ndërsa një grup që i përgjigjej Jani Çavos rezulton organizator i transportit të kanabisit. Sefajt po ashtu rezultojnë pronarë të narkotikut me lidhje me Rrajën, por me sasi të veçantë të drogës.
Për shkak se të tre episodet e dokumentuara tregojnë dështim të përpjekjeve për të trafikuar narkotikë, bisedat mes anëtarëve kthehen shpejt në sulme ndaj njëri tjetri, përpjekje për të zbuluar spiunë dhe frikë nga përgjimet.
Rasti më flagrant është dështimi për të kaluar në Tuqi i një sasie prej 236 kg kanabis. Bisedat në Sky ECC ilustrojnë thuajse të gjithë procedurën, nga gjetja e drogës, paketimi, ndarja sipas porositësve me ngjyra të ndryshme mbështjellësi dhe gjurmimi përmes GPS live i lëvizjeve të shoferit. Por ndërsa kontrolli duket i plotë, kur kamioni bllokohet nga autoritetet turke në doganë, i gjithë grupi përfshihet në kaos.
“A doli në m’nanjë portal në nanjë gjë ore, a u morr nanjë vesh nanjë gjë më?”, shkruan Gazmir Rraja pasi kamioni ishte bllokuar në doganë dhe shoferi ishte ndaluar. Pjesëmarrësit në trafik dyshonin te njëri-tjetri dhe nuk ishin të qartë se çfarë kishte ndodhur.
Konflikti kryesor është me organizatorët e transportit. Përgjimet tregojnë se përveç drogës nga Rraja dhe Sefa, transportuesi kishte marrë porosi edhe nga një grup tjetër. Përtej dyshimeve se ishin tradhëtuar, mes anëtarëve ka debate se grupi tjetër i paidentifikuar kishte qenë në përgjim dhe ishte shkak pse ngarkesa ishte bllokuar.
Bisedat tregojnë se grupi i transportuesve u vu menjëherë nën presion për të dëshmuar me prova se droga ishte kapur. Përfshirja e një avokati dhe komunikimet e shoferit me të shoqen nuk u konsideruan të besueshme dhe vetëm pasi rasti u transmetua në lajme, përplasjet u qetësuan.
Bisedat tregojnë se Rexhep Rraja, kishte njerëz që punonin për të në Turqi, persona që u vunë menjëherë në lëvizje për të monitoruar kamionin e bllokuar dhe për të gjetur avokat për shoferin e arrestuar. Bisedat po ashtu tregojnë se përtej organizimit kapilar dhe kontrollit, grupi kishte bërë gabime diletante, pasi pas kapjes së sasisë së kanabisit rezultoi që në pakot e drogës mund të kishte shenja të gishtërinjve.
“Na fikët mor burrë. Ç’janë këto muhabete”, shkruan Rexhep Rraja kur mëson se në thasët me narkotikë mund të kishin shenja gishtash. Në bisedë, Rraja shqetësohet se thasët ia ka marrë një personi që e identifikon si “xhaxhi”. “Pastroji se i ka prek xhaxhi me dor”, kur i tregon Jani Çavos bisedën me njërin nga personat që kishte bërë paketimin e ngarkesës.
Episodi i tretë po ashtu tregon se si palët e përfshira shkuan drejt përplasjes, pasi një sasi prej 475 kilogramë kokainë u bllokua në Holandë. Kokaina sipas prokurorisë nisej nga Ekuadori dhe personi që kishte siguruar ngarkesën identifikohet si Ervis Shuli.
Pasi droga kapet, Shuli gjendet përballë faktit se porositësit e saj nuk donin të paguanin. Bisedat e Shulit në dosje janë me një krah, pasi në to nuk citohet çfarë thonë bashkëbiseduesit.
Por bisedat tregojnë po ashtu se grupi nuk dekurajohej nga goditjet. Ndërsa njofton se droga e nisur ishte kapur, Shuli i vë në dukje ortakëve se po bëhej gati të niste njëkohësisht një sasi tjetër.
“Këtë ma kapën para 3 ditësh aty në Holland. Tani të shikoj se po nis një tjetër,” shkruan Shuli në një nga bisedat me Hajdar Sefën, po ashtu pjesë e të njëjtit rrjeti bashkëpunëtorësh./BIRN
Në tregun e këmbimit valutor sot, (22 dhjetor 2025) monedha evropiane euro do blihet me 96.1 lekë dhe do shitet me 96.8 lekë. Një dollar amerikan do të blihet sot me 81.9 lekë dhe do shitet me 82.9 lekë. Franga zvicerane do blihet me 102.9 lekë dhe do shitet me 103.9 lekë. Ndërsa paundi britanik […]
Mbrëmjen e 27 janarit 2021, shoferi i një kamioni që po transportonte kanabis drejt Turqisë njoftoi “shefin” e tij në Tiranë se kishte ngecur në kufi, në pikën e kalimit të Kapikules në Edirne. “Jam në skaner,” shkroi ai përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp. Pak minuta më vonë, ankthi u rrit, ndërsa shoferi i […]
Këtë të hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët e vranësira kalimtare. Mjegulla do të jetë prezente në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes kryesisht përgjatë zonave luginore. Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare 5 m/sek. Valëzimi në det do […]
Disa mijëra aktivistë nga e gjithë Serbia iu bashkuan protestave studentore në jugperëndim të vendit të dielën, duke u mbledhur kundër asaj që ata e përshkruajnë si presion qeveritar mbi universitetet shtetërore.
Demonstrata, pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që përballet me ndërhyrjen politike në arsimin e lartë, ishte e para e këtij lloji në Novi Pazar, një qytet me shumicë popullsie myslimane boshnjake.
Është ndër shumë protesta të organizuara pas shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor vitin e kaluar në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.
Studentët nga Novi Pazari janë bërë të famshëm në të gjithë vendin pasi ecën për ditë të tëra për t’u bashkuar me protestat masive në Novi Sad për të shënuar përvjetorin e parë të shembjes së çatisë më 1 nëntor.
Lëvizja protestuese, e udhëhequr nga studentë, akademikë dhe figura të opozitës, akuzon Presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij populiste nacionaliste për nxitjen e korrupsionit, shërbimeve të dobëta publike, nepotizmit dhe kufizimeve të lirisë së medias. Vuçiç dhe partia e tij i mohojnë akuzat./Kb
Presidenca franceze ka mirëpritur sot më 21 dhjetor, e diel deklaratën e presidentit rus Vladimir Putin, i cili ka shprehur gatishmërinë për të zhvilluar një bisedë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në lidhje me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Reagimi vjen pasi Macron theksoi se Evropa duhet të rihapë kanalet e komunikimit me Rusinë për të kontribuar në gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për konfliktin.
“Në mënyrë pozitive është pritur fakti që Kremlini ka rënë dakord publikisht me këtë qasje. Në ditët në vijim do të vendosim mënyrën më të përshtatshme për të ecur përpara”,thuhet në një deklaratë të Pallatit Élysée.
Presidenca franceze nënvizoi se çdo diskutim i mundshëm me Moskën do të zhvillohet në transparencë të plotë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe me aleatët evropianë, duke theksuar se qëllimi kryesor mbetet arritja e një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme për Ukrainën.
Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Vladimir Putin ka shprehur gatishmërinë për dialog me homologun e tij francez, në një intervistë të publikuar të dielën nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti.
Më herët gjatë javës, Emmanuel Macron deklaroi se beson që Evropa duhet të rivendosë kontaktet me Putinin, në vend që t’ia lërë vetëm Shteteve të Bashkuara rolin udhëheqës në negociatat për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
“Pushtimi i Ukrainës dhe këmbëngulja e presidentit Putin e kanë bërë të pamundur çdo dialog gjatë tre viteve të fundit”, thuhet në deklaratën e Élysée-së. Megjithatë, aty shtohet se sapo perspektiva e një armëpushimi dhe negociatave për paqe bëhet më e qartë, atëherë bëhet sërish e dobishme të flitet me Putinin.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po presin këtë fundjavë negociata të tjera që synojnë përfundimin e konfliktit, të cilat po zhvillohen në Florida. Bisedimet po ndërmjetësohen nga i dërguari special amerikan Steve Uitkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner. Në këto negociata, pala ukrainase dhe përfaqësuesit evropianë janë përballë delegacionit rus, të kryesuar nga Kirill Dmitriev.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Uashingtoni ka propozuar një format trepalësh, i cili do të shënonte takimin e parë ballë për ballë mes Moskës dhe Kievit pas rreth gjashtë muajsh. Megjithatë, Kremlini e ka mohuar të dielën se janë planifikuar negociata trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Lufta në Ukrainë, e nisur në vitin 2022, ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe ka tensionuar rëndë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit. Në muajt e fundit janë shtuar përpjekjet diplomatike për të gjetur një zgjidhje paqësore, ndërsa roli i Evropës në këto negociata mbetet një nga çështjet kyçe të debatit ndërkombëtar./kb
Një gropë balte prehistorike e ruajtur në mënyrë unike mund të mbajë gjurmët më të vjetra të këmbëve njerëzore ndonjëherë në Gadishullin Arabik, thonë shkencëtarët.
Shtatë gjurmët e këmbëve, të gjetura mes një grumbulli prej qindra gjurmësh kafshësh prehistorike, vlerësohet të jenë 115,000 vjeçare.
Shumë fosile dhe objekte të mbetura nga era kanë ardhur nga situata si ky shtrat i veçantë liqeni në Arabinë Saudite veriore. Arkeologët zbuluan vendin, thellë në shkretëtirën Nefud në një vend të quajtur “gjurma” në arabisht, në vitin 2017, pasi koha dhe moti fshinë sedimentin sipërfaqësor.
Është e lehtë të imagjinohet se një shtrat liqeni me baltë ishte një zonë me trafik të lartë në Gadishullin Arabik mbi 100,000 vjet më parë.
Kur popullatat lëvizin, këto gjurmë lihen pas derisa të mbulohen. Në ngjarjen shumë, shumë më të vjetër të Burgess Shale, disa nga organizmat më të vjetër të gjetur ndonjëherë u ruajtën të paprekur sepse ka të ngjarë të kenë rënë në një rrëshqitje balte dhe të jenë vrarë menjëherë./Kb
Në fund të seancës së “Shihemi në Gjyq”, Eni Çobani ka një lajm të bukur për ndjekësit e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Një vit më parë, rubrika vijoi në dy puntata. Bëhet fjalë për historinë e Erionës që fillimisht u përplas me babain e saj, Maliqin që s’e pranonte më në shtëpi pas martese, duke i qëndruar, siç thoshte ai, kanunit të Lekë Dukagjinit. Djali i Erionës po qëndronte me gjyshërit dhe ajo nuk arrinte dot ta shihte.
Seanca vijuese ishte mes Erionës, Maliqit dhe vjehrrit, Avniut, i cili pretendonte se kjo e fundit e kishte braktisur fëmijën. Megjithatë, në fund të asaj seance, pati një moment që përloti sepse Avniu e kishte sjellë djalin për të takuar të ëmën.
Eni Çobani:Unë i kam pasur herë pas here në zyrën time, telefonata të përhershme, dëshirë sigurisht për bashkim midis çiftit dhe sot, unë jam jo e lumtur, jam shumë e emocionuar, nuk e besoj akoma dhe vetë që dy familje të forta, njëri kuksian dhe tjetri matjan, kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe ka ndodhur çudia! Çudi të cilën unë dua ta bëj sot prezent, jam shumë e emocionuar.
Ardit Gjebrea:Nga do ta fillojmë?
Eni Çobani:Do ta fillojmë nga prindërit se besoj që ata kanë qenë një gur themeli për zgjidhjen e këtij konflikti dhe dua një duartrokitje të fortë për z. Avni dhe z. Maliq!
Tashmë gjërat po kthehen në rrugë të mbarë dhe duket se merita u takon dy prindërve.
Eni Çobani:Puna e këtyre dy burrave ka qenë jo e jashtëzakonshme, por urtërsia, mendimi, dëshira, dashuria, vullneti, ka burimin nga këta dy njerëz prandaj them që prindërit janë guri i themelit për fëmijët e tyre, ndaj dua t’i falënderoj nga zemra për ndihmën që më kanë dhënë për realizimin e një ëndrre, një ëndrre të Erionës që sot është këtu!
Avniu thotë se çifti, Eriona e Lorenci po bashkohen dhe uron më të mirat për ta. Ata hyjnë në studio dhe kjo është hera e parë që Lorenci shfaqet, kurse Eriona fluturon nga gëzimi.
“Eriona, edhe ditën kur ka ikur që këtej më thoshte znj. Eni, po Lorenci do të vijë? Dashuria e asaj vajze për këtë djalë, unë nuk e di sa e di Lorenci, por unë them që nuk ka dashuri më të madhe”, thotë Çobani para se t’i drejtojë disa pyetje.
Eni Çobani:Çfarë ishte për ty kjo eksperiencë?
Eriona:Për mua është dashuria e pafundme!
Eni Çobani:Luftoi shumë Eriona dhe ia arritëm! Ditën që më ka thënë znj. Eni, Lorenci erdhi, unë nuk e kam besuar, por kur fola me Lorencin dhe me prindërit, atëherë e besova. Lorenc, për ty çfarë ishte? Të kemi folur një çikë rëndë…
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sot më 21 dhjetor, e cila pritet të jetë telefonata e tyre e fundit për vitin 2025. Sipas Downing Street, telefonata u zhvillua të dielën pasdite dhe u përqendrua në luftën në Ukrainë, situatën humanitare në Gaza, si dhe në emërimin e ambasadorit të ri britanik në Uashington.
Një zëdhënëse e Kryeministrisë britanike bëri të ditur se dy liderët nisën bisedën duke reflektuar mbi zhvillimet e luftës në Ukrainë. Sir Keir Starmer e informoi presidentin Trump mbi punën e “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, i cili synon të mbështesë çdo marrëveshje të mundshme paqeje dhe të garantojë një përfundim të drejtë dhe të qëndrueshëm të luftrave.
Më pas, vëmendja u zhvendos drejt Lindjes së Mesme, ku dy liderët diskutuan situatën në terren në Gaza, në një kohë kur armëpushimi mbetet i brishtë dhe shqetësimet humanitare janë të mëdha. Sipas autoriteteve lokale në Gaza, qindra civilë, përfshirë edhe fëmijë, kanë humbur jetën që nga vendosja e armëpushimit, çka e bën situatën edhe më të ndërlikuar.
Gjatë bisedës, Kryeministri britanik e informoi gjithashtu presidentin amerikan për emërimin e Dr. Christian Turner si ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në SHBA. Dr. Turner, një diplomat me përvojë të gjatë dhe aktualisht përfaqësues i përhershëm i Britanisë së Madhe në OKB, do të zëvendësojë Lord Mandelson, i cili u shkarkua në shtator pas zbulimeve lidhur me marrëdhënien e tij me Jeffrey Epstein. Sipas Sir Keir Starmer, ky emërim pritet të forcojë më tej marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti Trump, i cili foli nga rezidenca e tij Mar-a-Lago në Florida, dhe kryeministri Starmer përfunduan bisedën duke i uruar njëri-tjetrit Krishtlindje të gëzuara.
Marrëdhëniet personale mes Starmer dhe Trump kanë qenë përgjithësisht të mira, me kryeministrin britanik që ka shmangur kritikat publike ndaj presidentit amerikan. Megjithatë, së fundmi ai ka shprehur pakënaqësi ndaj gjuhës fyese të përdorur nga Trump ndaj një gazetareje, duke deklaruar se nuk do të pranonte kurrë që dikush t’i drejtohej vajzës së tij në atë mënyrë.
Telefonata vjen në një moment kur SHBA-ja ka deklaruar se është e gatshme t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me ato të NATO-s, ndërsa vetë Trump ka pohuar se palët janë “më afër se kurrë” një marrëveshjeje paqeje. Nga ana tjetër, zyrtarë të Kremlinit kanë bërë të ditur se bisedimet për një plan paqeje me SHBA-në po ecin përpara në mënyrë “konstruktive”.
Lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë vendimtare, me përpjekje të shtuara diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa konflikti në Gaza vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda humanitare. Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara mbeten aktorë kyç në përpjekjet ndërkombëtare për stabilitet dhe siguri, si në Evropën Lindore ashtu edhe në Lindjen e Mesme. /The Independent/kb