Normal view

Dokumentet që zbulojnë kush po e merr në kontroll Zvërnecin dhe Sazanin

8 June 2026 at 13:10

Ndërsa protestat e “Revolucionit të Flamingove” vijojnë, në prapaskenë po ndodhin lëvizje të rëndësishme që hedhin më shumë dritë mbi aktorët që qëndrojnë pas projekteve të diskutueshme në Zvërnec dhe Sazan.

Dokumente të reja të botuara në regjistrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) tregojnë një proces të vazhdueshëm konsolidimi, ku kompanitë ndërmjetëse po tërhiqen gradualisht nga struktura e pronësisë, ndërsa grupi i vëllezërve Mohamed dhe Ramez Al-Khayyat po shfaqet gjithnjë e më drejtpërdrejt në kontrollin e aseteve dhe projekteve.

Zhdukja e ndërmjetësve

Më 3 qershor, sistemi i QKB-së reflektoi në ekstraktet e aktivitetit të kompanisë Zvërnec South Adriatic Development (ZSAD) – kompania që ka aplikuar për zhvillimin e projektit të resorteve në Zvërnec – një marrëveshje të firmosur më 7 maj.

Sipas dokumenteve, aksionet e Universal Properties Projects B.V., pronarit zyrtar të ZSAD, kaluan në pronësi të Sazan Development Holding (SDH), kompani me seli në Doha të Katarit dhe pjesë e grupit të vëllezërve Al-Khayyat.

Operacioni kushtoi 306 mijë euro, një shumë modeste krahasuar me 4 miliardë euro investime që qeveria ka deklaruar se pritet të realizohen në Zvërnec.

Vetëm dy ditë më herët, kapitali i ZSAD ishte rritur nga 50 mijë në 250 mijë euro përmes një deklarimi për derdhje fondesh në bankë.

Infografikë: Pronësia reale e zhvilluesve të projektit në Zvërnec

I parë më vete, ky mund të dukej si veprim rutinë sipërmarrjeje. Por i vendosur në kontekstin e lëvizjeve të tjera të muajve të fundit, ai sugjeron një proces më të gjerë konsolidimi të kompanive dhe projekteve.

Në nëntor 2025, Albania Land Development (ALD) – kompania që zotëron rreth 120 hektarë troje dhe marrëveshje me persona që pretendojnë pronat në Zvërnec – kaloi në pronësi të Sazan Operations Holding (SOH) për vetëm 10 mijë euro.

SOH ka të njëjtën seli në Doha si SDH dhe administrohet nga persona që lidhen me të njëjtin grup biznesi të vëllezërve Al-Khayyat: Assets Group dhe Power International Holding.

Në praktikë, kjo do të thotë se i njëjti grup po merr gradualisht kontroll si mbi kompaninë që disponon asetet dhe marrëveshjet e pronësisë, ashtu edhe mbi kompaninë që do të zhvillojë projektin.

Për më shumë se një vit, projekti i Zvërnecit nuk kishte asnjë informacion konkret mbi pronësinë, muajt e fundit u prezantua publikisht përmes një rrjeti kompanish me emra të panjohur.

Në dokumente shfaqeshin Dutch Trust Management B.V., Universal Properties Projects dhe Blue Investment Holding, kompani të strukturuara dhe administruara me mbështetjen e zyrës holandeze të konsulencës, Strik.

Zoya Georgieva Gyurova dhe Nikita Vinogradov, partnerë drejtues të kësaj zyre, figuronin administratorë dhe jo investitorë të zinxhirit të kompanive pas projektit të Zvërnecit.

Më vonë, si pronarë kryesorë përfitues u identifikuan vëllezërit Al-Khayyat, ndërsa pjesa tjetër e ortakëve nuk është bërë publike për shkak të kufijve ligjorë të raportimit: kanë më pak se 25% të aksioneve.

Lëvizjet e fundit sugjerojnë se kjo strukturë po thjeshtohet, pasi emrat ndërmjetës të zyrës Strik, po tërhiqen nga skena, ndërsa pronarët realë po shfaqen më drejtpërdrejt.

Megjithatë vullneti i qeverisë për të mos e zbardhur plotësisht skemën e investimit e shtyn më tej këtë paqartësi.

Lidhjet e mundshme me sipërmarrësit shqiptarë

Infografikë: Skema e kalimit të truallit dhe lidhjet me kompanitë shqiptare

Kjo histori me Zvërnecin dhe Sazani përmban edhe elementë të tjerë që tërheqin vëmendje.

Përfaqësuesit e Strik figurojnë në regjistrat e QKB-së si përfaqësues ose pronarë përfitues në të paktën 13 kompani të tjera që operojnë në Shqipëri në sektorë si hoteleria, farmaceutika, shëndetësia dhe energjetika.

Strukturat offshore përdoren shpesh për të ndarë kontrollin real të aseteve nga pronësia formale, por përdorimi i tyre nuk përbën në vetvete shkelje ligjore.

Po ashtu, nuk ka asnjë provë që kompani të tjera që kanë përdorur shërbimet e Strik, si Spitali Amerikan, Equos Resort, Farmacom apo Adriavolt Ecopower, të kenë lidhje me projektet në Sazan dhe Zvërnec.

Megjithatë, aktiviteti i shtuar i kësaj zyre në Shqipëri dhe roli i saj në strukturat e kompanive të projektit lënë vend për pikëpyetje mbi interesat që ajo përfaqëson dhe nëse pas investimit qëndrojnë edhe aktorë që nuk shfaqen drejtpërdrejt në dokumentet publike.

Disa elementë të dokumentuar kanë tërhequr vëmendjen veçanërisht për shkak të afërsisë së tyre me grupin Kastrati.

Përveç pranisë publike të përfaqësuesve të këtij grupi në takime me Ivanka Trump gjatë muajit janar, të paktën tre kompani të lidhura me strukturat e Strik kanë përdorur adresa që lidhen me asetet e grupit Kastrati.

Dutch Global Maintenance dhe Dutch Warehouse Services u krijuan në Shqipëri gjatë viteve 2024 dhe 2025 nga Gyurova dhe Vinogradov me “trust”-in holandez.

Sipas dokumenteve të regjistrimit, ato operojnë në fusha si tregtia duty-free, konsulenca për ndërtime dhe menaxhimi i projekteve dhe janë administruar nga persona me histori pune në Aeroportin e Tiranës (TIA).

Kompanitë fillimisht kishin adresë në MAK Albania Hotel dhe më pas u zhvendosën në TIA, dy sipërmarrje të kontrolluara nga grupi Kastrati.

Ngjashëm, edhe kompania Sazan Operations – që mendohet të drejtojë operacionet e zhvillimeve në Shqipëri –  e regjistruar në Tiranë më 21 prill 2026 nga grupi Al-Khayyat, ka deklaruar adresë në MAK Albania Hotel.

Sigurisht, vetë ekzistenca e një adrese të përbashkët nuk provon pronësi, kontroll apo përfshirje direkte në investim.

Megjithatë, në analizat financiare, adresat e përbashkëta konsiderohen shpesh elementë që tregojnë afërsi ose marrëdhënie biznesi mes subjekteve.

Botime të ndryshme në media muajt e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi lidhjet e mundshme të personave dhe kompanive të mëdha të biznesit në Shqipëri, përfshirë Kastratin dhe grupin Balfin.

Deri tani, asnjë prej këtyre grupeve nuk ka konfirmuar përfshirje zyrtare në projektet e Zvërnecit dhe Sazanit.

Po ashtu, nuk ekzistojnë prova publike që t’i identifikojnë ato si pronarë përfitues të këtyre zhvillimeve.

Megjithatë, afërsitë në adresa, lëvizjet e kompanive dhe marrëdhëniet e biznesit vazhdojnë të ushqejnë pikëpyetje mbi ekzistencën e një arkitekture më të gjerë interesash pas projekteve, të cilat duket se gëzojnë përkrahjen e qeverisë për të qenë në prapavijë.

A ishte vërtet Sazani një ofertë e pakërkuar?

Vetë emërtimi i kompanive Sazan Development Holding dhe Sazan Operations Holding sugjeron se grupi Al-Khayyat synon të ketë rol edhe në zhvillimin e projektit të ishullit.

Zyrtarisht, qeveria e Kryeministrit Edi Rama ka deklaruar se ka vetëm një projekt të paraqitur, ai për Sazanin dhe që buron nga një ofertë e pakërkuar e Affinity Partners, fondi investimesh ky i drejtuar nga Jared Kushner.

Në dhjetor 2024, projekti përfitoi edhe statusin e investitorit strategjik dhe qeveria deklaroi se ishte në negociata për formulën e zhvillimit.

Mbetet e paqartë sesi do të kalojë projekti i Sazanit në zotërimin e grupit nga Katari dhe po ashtu sesi do të përfitojë ai lehtësirat që ofron statusi i investitorit strategjik.

Raportimet e fundit tregojnë se qeveria po përgatitet të transferojë asetet e ishullit drejt Ministrisë së Financave, me synim përfundimtar Korporatën Shqiptare të Investimeve.

Vetë Kushner ka deklaruar publikisht se interesi për Shqipërinë lindi pas një takimi privat me Kryeministrin Edi Rama në jahtin e biznesmenit Matt Rothschild gjatë vitit 2021.

Sipas tij, deri në atë moment dinte shumë pak për Shqipërinë, por i la mbresa vizioni që i paraqiti Rama.

Nga ana tjetër, Rama ka deklaruar publikisht se nisma për investimin në Sazan dhe Zvërnec ka ardhur nga vetë Kushner.

Sigurisht, asnjë prej këtyre deklaratave nuk provon shkelje ligjore, megjithatë, ato ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si qeveria i ka ndërtuar dhe i aplikon mekanizmat e investimeve strategjike.

Në rrethana normale, projekte të kësaj shkalle do të duhej të kalonin përmes proceseve të hapura të konkurrimit, shpalljeve të interesit, kritereve të qarta të vlerësimit dhe transparencës institucionale në vendimmarrje.

Por projekti i Sazanit, me një vlerë të deklaruar prej rreth 1.5 miliardë eurosh, duket se ka lindur nga kontakte private mes aktorëve politikë dhe investitorëve, përpara se të mbështetej nga një strukturë kompanish dhe instrumentet që ofronte ligji për investimet strategjike.

Nga kjo të krijohet përshtypja se procedurat ndoqën investitorin dhe jo e kundërta, investitori procedurat.

Kështu, ndërsa protestat vazhdojnë, dokumentet e pakta të bëra publike, tregojnë se në prapaskenë po konsolidohet një strukturë e re kontrolli mbi projektet e Zvërnecit dhe Sazanit.

Kush përfiton realisht prej saj dhe sa transparente janë këto marrëdhënie mbetet ende pa përgjigje të plotë.

The post Dokumentet që zbulojnë kush po e merr në kontroll Zvërnecin dhe Sazanin appeared first on Citizens.al.

“Bukë e Zemër”, në shtëpinë e qelqtë të Edi Ramës

3 June 2026 at 15:30

Më 3 qershor, në të njëjtën kohë kur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mijëra qytetarë shqiptarë dhe aktivistë do të protestojnë për herë të katërt kundër dhënies së zonës së mbrojtur të Zvërnecit për resorte turistike, në katin e parë të Kryeministrisë, hapet edicioni i dytë i festivalit të arkitekturës “Bukë dhe Zemër” (Bread & Heart).

Dy anë të Shqipërisë do të përballen në pak metra, njëra do të bërtasë për peizazhin që po humbet, tjetra do të kremtojë peizazhin që po projektohet.

Njëra do të kërkojë llogari për mënyrën se si po zhvillohet territori, tjetra do të lavdërojë dorën që i ka dhënë këto mundësi.

Kjo nuk është thjesht një rastësi kalendarike, është ndoshta fotografia më e qartë e Shqipërisë së vitit 2026, ndasive të krijuara nga qasja e qeverisë.

Pas ekspozitës së Gaetano Pesce në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), pjesëmarrësit do të zhvendosen drejt Vilës No. Red (Vila e Kuqe/Vila qeveritare Nr.5) në Sauk për një festë private.

Të nesërmen aktivitetet do të vazhdojnë në “Book Building,” me një agjendë disi më të hapur për publikun, edhe pse me bileta, ndërsa vetë festivali i arkitekturës do të mbyllet në “Kengo Art Park” në Petrelë më 5 qershor.

Por, secili prej këtyre vendeve të përzgjedhura për festivalin përfaqëson një histori më vete.

COD është simboli i transformimit të Kryeministrisë nga selia e pushtetit apo nga një institucion administrativ në një hapësirë ekspozimi.

Lexo: “Bukë, zemër dhe beton”

Mjafton të kujtojmë se konferencat për shtyp me gazetarët, pas mbledhjeve të qeverisë, mbahen jashtë në rrugicën anësore të Kryeministrisë për të kuptuar se sa mirë dhe për çfarë qëllimi shfrytëzohen realisht hapësirat e kësaj godine.

“Vila No. Red” është simboli i një teke për arkitekturë pushteti që vepron larg syrit publik. Në një seri procedurash të dyshimta të raportuara më parë nga Citizens.al dhe me një kosto mbi 6 milionë euro, kjo vilë qeveritare u kthye në selinë e asaj që ende sot nuk ka transparencë: Fondacionit “Bread & Heart”.

Lexo: Sekret shtetëror me para publike; Si u ndërtua Vila “No. Red”?

“Book Building” përfaqëson një prej ndërhyrjeve më agresive urbane në zemër të Tiranës, e cila ende sot, një vit pas edicionit të parë të festivalit nuk ka mbaruar.

“Kengo Art Park” mbetet një projekt i mbështjellë nga paqartësi, renderë dhe premtime të pambajtura. Nisi si një park artistik me emrin “Tirana Art Garden” që do “rijetëzonte” një ish-bazë ushtarake në destinacion kulturor, por që pavarësisht 3.5 milionë eurove ende nuk ka mbaruar: parashikohet t’i mbyllë punimet në shtator 2026.

Lexo: Mes renderëve dhe realitetit, në kërkim të Parkut të Besimit në Petrelë

Por kur këto projekte vendosen bashkë në një agjendë aktivitetesh, ato tregojnë një histori edhe më të madhe, historinë e një sistemi ku arkitektura nuk paraqitet më si proces publik, por si spektakël që duket se ka si qëllim projektimin edhe më fort të rolit të Kryeministrit në këtë zhvillim.

Në demokraci, arkitektura është debat, por në Shqipëri, ajo prezantohet gjithnjë e më shumë si performancë me një protagonist: Kryeministrin Edi Rama.

Lexo: Kulla që mbulon Zotin me beton

Në dy dekadat e fundit, ka gjasa që asnjë politikan në Evropë nuk e ka lidhur identitetin e tij politik me arkitekturën aq fort sa Rama.

Kullat, sheshet, konkurset ndërkombëtare, festivalet, ekspozitat, bienalet, librat, prezantimet publike dhe narrativat e zhvillimit urban janë ndërtuar gradualisht si pjesë e të njëjtit përshkrim rreth tij.

Një përshkrim ku qyteti nuk paraqitet si produkt i proceseve institucionale, por si rezultat i vizionit të liderit. Në këtë kuptim, “Bread & Heart” nuk është më thjesht një festival arkitekture.

Ai është një lloj manifestimi kulturor i modelit të qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama, një model ku kufijtë mes shtetit, politikës, kulturës dhe promovimit personal janë bërë gjithnjë e më të paqartë.

Paradoksi fillon pikërisht aty ku festivali pretendon se promovon dialogun.

Për më shumë se një vit, kërkesat për informacion drejtuar Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare kanë prodhuar dhjetëra faqe justifikimesh, por thuajse asnjë dokument.

Citizens.al, prej qershorit 2025, ka kërkuar marrëveshjet mes institucioneve dhe agjencive për realizimin e këtij festivali, por kërkesat janë refuzuar.

Kemi kërkuar për fondet e përdorura. Nuk na janë bërë me dije.

Kemi kërkuar kontratat, subjektet private që janë përfshirë dhe mënyrën e përzgjedhjes së tyre. Nuk na janë dhënë.

Në vend të transparencës me dokumenteve dhe llogari zyrtare na është ofruar “marketing institucional” të festivalit dhe kjo është ndoshta ironia më e madhe e “Bread & Heart.”

Lexo: Si iu dha projekti i Bibliotekës një kompanie private

Një festival që pretendon të promovojë dialogun e hapur është shoqëruar nga një prej proceseve më të mbyllura të komunikimit institucional që mund të imagjinohet.

Po aq domethënëse është mungesa e botës akademike në këtë event.

Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) në Universitetin e Tiranës ka konfirmuar për Citizens.al se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për pjesëmarrje as në edicionin e dytë të festivalit.

Ky fakt mund të duket dytësor, por në realitet është thelbësor, sepse tregon se festivali nuk synon të krijojë një debat mbi arkitekturën.

Ai synon të krijojë një rrjet dhe rrjeti nuk është e njëjta gjë me komunitetin akademik.

Komuniteti akademik ngre pyetje, krijon kritikë duke vënë në diskutim modelin, ndërsa rrjeti ndërton konsensus me synimin për të krijuar një marrëdhënie, një lloj rreshti bindjeje.

Në një vend normal, një festival ndërkombëtar i arkitekturës do të kishte një hapësirë të dedikuar edhe për universitetet, studentët, studiuesit dhe profesionistët vendas.

Por në këtë rast, në festivalin e Ramës, ndodh e kundërta. Institucionet akademike mbeten në periferi dhe vendin e tyre e zënë dy agjenci të qeverisë si AZHT dhe AKPT.

Paralelisht, qendra ndahet me figurat ndërkombëtare, studiot prestigjioze dhe rrjetet që dukshëm po afrohen gjithmonë e më shumë me pushtetin personal të Kryeministrit.

Nuk është rastësi që ky proces ndodh paralelisht me transformimin e festivalit në “Bread & Heart Foundation”. As nuk është rastësi që selia e këtij fondacioni të lidhet me “Vilën No. Red”.

Po kështu, që institucionet kanë refuzuar prej tetorit 2025 të bëjnë publike dokumentet që lidhen me këtë transformim.

Në sistemet e shëndetshme demokratike, institucionet publike krijojnë ngjarje. Ndërsa në pushtetet e centralizuara dhe që kanë prirje drejt autokracisë, ngjarjet prodhojnë institucione.

Ky është një dallim i madh, pasi është e qartë se “Bread & Heart” nuk po ndërton një forum publik mbi arkitekturën shqiptare dhe atë ndërkombëtare në hapësirat e saj.

Ai po ndërton një sistem ku zhvillimi urban, prestigji ndërkombëtar, pushteti politik dhe kapitali privat takohen nën të njëjtën çati dhe udhëhiqen nga vetëm një njeri, të cilit i adresohen lavda dhe duartrokitje.

Një lloj republike paralele, një republikë e vogël arkitektësh, kuratorësh, investitorësh dhe zyrtarësh, të cilët të shkëputur nga realiteti flasin vazhdimisht për të ardhmen, por rrallëherë japin llogari për të tashmen.

Ndoshta pyetja më e rëndësishme nuk është sa kushtojnë festivalet e Ramës, as se kush paguan për të, apo se kush morën pjesë.

Pyetja mund të jetë më e thjeshtë, çfarë interesi dhe kulture publike po kultivohet nga ky investim?

Nuk ka ndonjë diskutim për ndarjen e vendimmarrjes me publikun, por vetëm ftesa (madje edhe me bileta të kripura) për të adhuruar vendimmarrjen e udhëheqësit.

Por arkitektura nuk është thjesht çështje ndërtesash dhe kullash, por në thelb është çështje pushteti. Ajo tregon kush vendos dhe kush përfiton.

Në këtë kuptim, historia e “Bread & Heart” nuk duket dhe aq histori për arkitekturën se sa për vetë sistemin politik që udhëheq Shqipërinë, për mënyrën se si, pak nga pak, debati publik është zëvendësuar nga spektakolarizimi publik.

Por, shoqëritë dhe qytetet nuk ndërtohen vetëm nga betoni, por edhe nga institucionet dhe kur institucionet zëvendësohen nga spektakli, mbetet gjithmonë e njëjta pyetje: A po ndërtohen qytete për qytetarët, apo thjesht skena për pushtetin?

Lexoni gjithashtu:

The post “Bukë e Zemër”, në shtëpinë e qelqtë të Edi Ramës appeared first on Citizens.al.

Negocim pa garë: Si iu dha projekti i Bibliotekës një kompanie private

5 May 2026 at 14:53

Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) negocionte direkt me kompaninë “X-One”, ndërkohë që thirrjet publike për ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare dështonin njëra pas tjetrës.

Në janar 2025, Korporata shpalli thirrjen për zhvillimin të Bibliotekës me partner privat. Incentiva ishte e qartë, kush merrte përsipër ndërtimin fitonte të drejtën për të ndërtuar një kullë me sipërfaqe deri në 60,000 m² te zona e ish-vilave gjermane.

Por, asnjë ofertë nuk u paraqit. Edhe thirrja e dytë, e hapur në mars, dështoi.

Ndërkohë që këto thirrje vazhdonin, dokumentet e siguruara nga Citizens.al tregojnë se Korporata kishte nisur komunikimet për negocim të drejtpërdrejtë me “X-One,” e cila njihet për faktin se jo shumë larg vendit ku pritet të ngrihet Biblioteka, do të ndërtojë tre kulla deri në 71 kate.

Më 30 korrik 2025 palët nënshkruan një kontratë, pa garë, pa konkurrencë dhe me hije favorizimi.

“Copëzat”: Mekanizmi që siguroi fshehtësinë

Kontrata e nënshkruar mes KISH dhe X-One, një kopje të së cilës Citizens.al e disponon, quhet “Copëzat,” një titull teknik që mund të të shpërqendrojë vëmendjen, por që fsheh brenda një marrëveshje me ndikim të konsiderueshëm urban.

“Copëzat” është emri i projektit me të cilin qeveria i dha Korporatës hapësirat mes pallateve në rrugën “Adem Jashari”, të pashfrytëzueshme si pasuri të veçuara, por që si duket i bënin punë kompanisë X-One.

Një pjesë të gjurmës së projektit me tre kulla “Grand Park Skyline” që X-One planifikon të ndërtojë, bie pikërisht te këto copëza dhe është e paqartë sesi kompania përfitoi lejen e zhvillimit duke mos pasur në zotërim të gjithë gjurmën e pronës.

KISH i tha Citizens.al se për këtë procedurë të drejtpërdrejtë i referohej rregullores së procedurave (e cila nuk qasej online) dhe VKM-së 137/2024, e cila sipas institutcionit parashikon se kur prona shtetërore është më e vogël se prona e partnerit privat, Korporata mund të negociojë direkt, pa procedurë konkurruese.

Citizens.al i kërkoi Korporatës kopje të rregullores së cituar, dhe një shpjegim më të hollësishëm pasi nga shqyrtimi plotë i VKM-së në fjalë krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një ri-interpretim pasi kjo qasje nuk citohet shprehimisht në akt.

Korporata saktësoi se baza ligjore që kishte përdorur ishte pika 3, gërma “k” e VKM 137/2024, ku “procedura e negocimit të drejtpërdrejtë” përkufizohet si përzgjedhje direkte e partnerit kur ekziston “raporti i posaçëm i tij me projektin e investimit apo me cilësitë e lidhura me pronën” ose kur projekti “përbën një inovacion/është risi në tregun vendas apo rrit në mënyrë të dukshme dhe të drejtpërdrejtë vlerën e pronës”.

Ajo shtoi gjithashtu duke i konsideruar si autorizime të posaçme VKM-të 12/2025 dhe 326/2025. Por nga verifikimet e Citizens.al nuk rezultoi të ketë pasur as autorizim të posaçëm nga qeveria dhe as rrethana specifike të raportuara nga KISH.

Ilustrim i projektit të V.Olgiatit për Grand Park Skyline/Citizens.al

Në përgjigjen e fundit, Korporata referoi një link publik ku sipas saj gjendej “Rregullorja e Procedurave Konkurruese”, megjithëse më herët ajo nuk ishte e aksesueshme në faqen zyrtare.

Kjo është hapësira ligjore përmes së cilës u legjitimua negociimi me X-One, që drejtohet nga sipërmarrësi Ylli Ujka në ortakëri me Çesk Ivanaj dhe Ilir Trebicka.

Negocim mbi prona që nuk zotëroheshin

Korporata tha fillimisht për Citizens.al se në këtë marrëveshje kontribuoi me 12 “copëza toke shtetërore” me sipërfaqe totale prej 2,702 m²,“nga 5 deri 1,114 m² secila.” 

Por verifikimet tregojnë një problem serioz. Në momentin kur nisën negociatat me “X-One” (prill 2025), KISH nuk ishte ende pronare e të paktën 9 prej këtyre pronave: 4/112, 4/113, 4/114, 4/119, 4/443, 4/450, 4/855, 4/860 dhe 4/861.

Në përgjigjen e saj të mëvonshme, Korporata sqaroi se VKM-ja 326/2025 ka transferuar fillimisht 9 prona, por njëra prej tyre (4/119) është ndarë më pas në tre pasuri të reja (4/979; 4/980; 4/981), duke e çuar numrin në 11, ndërsa pasuria e 12-të (4/869) tha se ishte transferuar veçmas përmes VKM 12/2025.

Njëmbëdhjetë nga 12 pronat janë “bishta” parcelash toke që janë të lira mes trotuareve dhe pallateve në rrugën “Adem Jashari”. Ato iu transferuan Korporatës vetëm më 11 qershor 2025 përmes VKM-së 326/2025, teksa negociatat kishin filluar që më 22 prill.

Pra, Korporata ka hyrë në negociim për prona që nuk i kishte ende në pronësi.

Ajo e kundërshtoi këtë përfundim të Citizens.al, duke theksuar në një përgjigje të mëvonshme me shkrim se “procedura e negocimit e nisur në datën 23.04.2025 i referohet vetëm pasurisë nr. 4/869”, ndërsa për pronat e tjera negocimi ka vijuar pas transferimit me VKM 326/2025.

Sipas saj, “në asnjë rast nuk është zhvilluar negociim mbi pasuri që nuk ishin ende në pronësi të Korporatës, por vetëm veprime përgatitore dhe bashkërenduese”.

Në këmbim, Korporata pretendon se do të përfitojë 40% të sipërfaqes së ndërtimit total të kompleksit: rreth 25,963 m2, me vlerë të deklaruar prej 65.7 milionë euro.

Në përgjigjen e saj, Korporata sqaron se kjo vlerë është përllogaritur mbi bazën e sipërfaqes që përfiton nga marrëveshja dhe “çmimeve të referencës zyrtare të zonës ku do të zhvillohet projekti”, si rezultat i përfshirjes së 2,702.88 m² pronë shtetërore në projekt.

Kjo vlerë që realisht është thjesht ende imagjinare, sipas kontratës, do të përdoret për të financuar ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare nga “X-One”.

Në pamje të parë, skema duket funksionale, shteti jep tokë dhe merr në këmbim financimin e një objekti të rëndësishëm publik. Por kronologjia e zhvillimeve e përmbys këtë logjikë.

  • Më 14 shkurt 2025, “X-One” paraqet kërkesën për bashkëpunim numër protokolli 128.
  • Më 13 mars, Korporata hap thirrjen e dytë publike për partnerë privatë për Bibliotekën.
  • Më 17 mars, vetëm katër ditë më pas, Korporata i dërgon “X-One” ftesë për propozim me numër protokolli 178.
  • Më 7 prill, thirrja publike për Bibliotekën mbyllet pa oferta.
  • Më 23 prill, nis zyrtarisht negocimi me kompaninë “X-One”.
  • Më 30 korrik palët nënshkruan kontratën.

Ilustrim i projektit të XDGA për Bibliotekën Kombëtare/Citizens.al

Kronologjia tregon se procesi konkurrues dhe negocimi i drejtpërdrejtë kanë ecur paralelisht. De facto, partneri duket se ishte përzgjedhur paraprakisht.

Korporata nuk ka sqaruar pse nuk hapi procedurë të re konkurruese pas prillit 2025 dhe as pse nisi korrespondencën me X-One ndërkohë që thirrja publike e dytë për bibliotekën ishte ende e hapur.

Prej janarit 2025, Citizens.al ka ndjekur me vëmendje punën e Korporatës dhe po ashtu projektet madhore të ndërtimeve në kuadër të rubrikës “Tirana Vertikale”.

Pjesë e këtij raportimi të vazhdueshëm ka qenë dhe projekti ambicioz i kompanisë X-One, Grand Park Skyline me tre kulla 40, 51 dhe 71 kate, konceptuar nga arkitekti zviceran Valerio Olgiati, të cilat pritet të ngrihen në hyrje të parkut të liqenit dhe gjurma e saj bie mbi katër pallate dhe ndërtesa private ekzistuese në rrugën “Adem Jashari”.

Nëse shqyrtojmë rrethanat me kontekstin e zhvillimeve të sotme, vëmë re se X-One e kishte marrë lejen e zhvillimit për projektin në fjalë që më 31 korrik 2024, pra plot gjashtë muaj para se të fillonte negociatat me Korporatën për “copëzat e tokave” shtetërore (2,702.88 m²) që janë pjesë e gjurmës së projektit. 

Ndaj mund të themi se kontrata me Korporatën nuk ishte parakushti i lejes së zhvillimit, por pasojë e saj.

Projekti i Bibliotekës Kombëtare, pra, nuk u shfaq si qëllim që nxiti kompaninë “X-One” të investonte, por si instrumenti për të përfituar pronën publike brenda projektit të saj tashmë të miratuar për zhvillim.

Kjo kuptohet nga fakti se pas arritjes së dakordësisë me Korporatën, “X-One” ka kërkuar marrjen e lejes së ndërtimit, kërkesë që figuron në rendin e ditës së KKTU-së për datën 29 shtator 2025.

Qeveria e paraqet marrëveshjen si rast suksesi: “X-One do të marrë përsipër koston e financimit të Bibliotekës Kombëtare.” Por procedurat e ndjekura për këtë marrëveshje janë të dyshimta dhe tregojnë edhe njëherë dinamikën se ku kanë përfunduar parimet e konkurrencës, transparencës dhe vendimmarrjes për publiken.

Çfarë mungon në kontratë?

Kontrata noteriale e 30 korrikut 2025 është një dokument i përpunuar me kujdes ligjor. Por pikërisht kujdesi i saj zbret disa pyetje të rëndësishme.

Korporata pretendon se zhvillimi i mundshëm prej 25,963 m² mbi “copëzat e tokës” që ka negociuar, vlen 65.7 milionë euro. Por kjo vlerë duhet të burojë nga “çmimi i referencës” sipas VKM-së, pra si logjikë do të duhej të ishte një çmim administrativ, jo çmim tregu.

Kontrata e firmosur nuk e tregon se kush e ka bërë vlerësimin e pavarur. Edhe në përgjigjen e fundit, dërguar në rrugë elektronike më 5 maj, Korporata nuk referoi një raport të pavarur vlerësimi, por tha se vlera është rezultat i përllogaritjes mbi parametrat e marrëveshjes dhe çmimet e referencës.

Ndërkohë, projekti i Bibliotekës mbetej në fazën konceptuale, dhe vetë Korporata e theksonte në thirrjet e bëra gjatë periudhës janar-prill 2025, se cilido nga privatët që do të shpallej fitues do të merrte përsipër edhe kostot e zhvillimit të projektit të detajuar.

Gjurma e projektit “Grand Park Skyline” në hyrje të Parkut të Liqenit/Citizens.al.

Korporata argumenton se vlerësimi i kostos është bërë mbi “metodologji standarde të analizës paraprake”, duke përfshirë krahasime me projekte të ngjashme, kosto mesatare për metër katrorë dhe parametra urbanistike, dhe se ky është një vlerësim “paraprak dhe indikativ”.

Pra për Korporatën nuk kishte problem se projekti i Bibliotekës ishte ende pa pjesën e detajuar të saj. Ndërkohë kompania X-One nuk iu përgjigjën kërkesave për komente në lidhje me këto pika.

Por pjesa që ngre më shumë pikëpyetje në këtë marrëveshje është fakti se garancia e lënë përsipër është vetëm 2%.

Korporata shprehet se niveli i garancisë është përcaktuar “në bazë të praktikave më të mira ndërkombëtare” dhe në zbatim të rregullores së saj të brendshme.

Pra nëse X-One dështon të ndërtojë Bibliotekën, Korporata mund të ekzekutojë garancitë bankare, të barabarta me vetëm 2 përqind të vlerës totale të investimit rreth 1.5-2 milionë euro. Por në raport me rëndësinë që ka Biblioteka dhe fakti se ky projekt është zvarritur prej 5-6 vitesh, nuk ofron aspak mbrojtje.

Kompania “X-One” është e regjistruar me adresë në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë, me administrator Ylli Ujka nga Lezha.

Ortakë të Ujkës janë dy sipërmarrësit Çesk Ivanaj dhe Ilir Trebicka, ky i fundit me kompaninë “Trema Tech,” fitoi konkursin për zhvillimin e “Pallatit të Sportit Asllan Rusi” në një top betoni me funksione mikse tregtare dhe rezidenciale që vlerësohet të kërkojë rreth 109 milionë euro investim.

Por pikërisht kapacitetit financiar dhe aftësia reale e këtij grupi investitorësh për të investuar rreth 400 milionë euro në tre kullat e “Grand Park Skyline” dhe po kështu rreth 55 milionë euro për Bibliotekën, nuk është vlerësuar publikisht nga asnjë autoritet.

Grupi i investitorëve dhe vetë Korporata nuk iu përgjigjën kërkesave të Citizens.al për koment.

Modeli që përsëritet

Historia e projektit të Bibliotekës Kombëtare ka paralele të qarta me histori të tjera zhvillimi veprash publike në Tiranë si Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Piramida, Teatri Kombëtar etj.

Vetë teatri u shemb nën justifikimin se një investitor privat si kompania Fusha – e cila dhuronte projektin e ri të konceptuar nga arkitekti danez Bjarke Ingels, pa ia kërkuar njeri – do ta rindërtonte me financim të saj, duke fituar të drejtën për të ngritur kulla përreth, madje edhe mbi një pjesë trualli publik. 

Ai model u kritikua dhe kundërshtua ashpër. Kuvendi miratoi edhe një ligj special për ta favorizuar këtë ujdi, pavarësisht se hasi akuza për shkelje kushtetuese dhe pazare në kurriz të publikes.

Të gjithë e dimë sesi shkoi ajo histori. Teatri i ri aktualisht nuk është ndërtuar edhe pse u shemb me dhunë në mes të pandemisë më 17 maj 2020.

Pronat e Korporatës dhe gjurma e projektit Grand Park Skyline/Citizens.al

Biblioteka Kombëtare ndjek një rrugë të ngjashme, por me një ndryshim strukturor: nuk ka ligj special, vetëm vendime qeverie përmes së cilave ujdia arrihet dhe nënshkruhet administrativisht pa qenë nevoja për të kaluar nër Kuvend, pra pa debat parlamentar, madje edhe pa debat publik.

Ky është ndoshta ndryshimi më shqetësues, jo se modeli është fiks i njëjtë me teatrin, por sepse filtrat e transparencës dhe vendimmarrjes janë tkurrur aq shumë sa çdo gjë vendoset në prapaskenë.

Ndërkohë, zona e ish-Gardës së Republikës, ku premtimi i vitit 2018 i kryebashkiakut Erion Veliaj ishte për “park të gjelbërt, pa kulla” po kthehet me shpejtësi në një park kullash: Grand Park Skyline i X-One, Platinum Tower i Nova Construction dhe Garda Tower i Artech Group-El-Prom.

Në vitin 2020, kur arkitekti belg Xavier De Geyter prezantoi konceptin e tij për Bibliotekën e re Kombëtare, imazhet ishin frymëzuese: një ndërtesë e pastër, moderne, e vendosur pranë Liqenit Artificial, e hapur ndaj qytetit dhe qytetarëve.

Pesë vite e gjysmë më vonë, Biblioteka ekziston ende vetëm si shtojcë e një kontrate 36-faqeshe noteriale, midis dy palësh që kanë interesa shumë të ndryshme.

Nëse qëllimi ka qenë që Shqipëria të ketë një bibliotekë kombëtare të denjë, pyetja e parë dhe e thjeshtë është se pse një projekt i tillë nuk financohet nga buxheti i shtetit? 

Shqipëria shpenzon çdo vit miliarda lekë në konçesione dhe partneritete publike-private të llojeve të ndryshme. Një institucion kulture prej 60-80 milionë eurosh nuk është i pamundur të financohet drejtpërsëdrejt.

Përvoja e Teatrit Kombëtar, i nisur si PPP, dhe i përfunduar në financim direkt me para publike, na ka mësuar se kur vullneti politik ekziston, mënyrat gjenden.

Ndaj pyetja që mbetet është se cili është vullneti real në lidhje me bibliotekën dhe kujt i shërben ai?

Lexoni gjithashtu:

The post Negocim pa garë: Si iu dha projekti i Bibliotekës një kompanie private appeared first on Citizens.al.

Një liqen, dy narrativa, përshkallëzon kriza e mbetjeve në Kukës

28 April 2026 at 14:06

Moti i mirë ka hapur zyrtarisht sezonin turistik, dhe Kukësi, një nga portat natyrore drejt veriut dhe Kosovës, duhej të hynte në këtë periudhë me një nga asetet e tij më të rëndësishëm, liqenin. Por në vend të kësaj, sezoni i këtij viti po vijon me një krizë të përsëritur mjedisore.

Sipërfaqe të tëra të liqenit janë mbuluar nga mbetje plastike, në një panoramë që bie ndesh drejtpërdrejt me imazhin turistik që zona përpiqet të ndërtojë. Pikërisht në momentin kur vizitorët shtohen dhe vëmendja ndaj territorit rritet, ndotja bëhet më e dukshme, dhe më e pakontestueshme.

Megjithatë, edhe në këtë situatë, për të njëjtin liqen qarkullojnë dy narrativa që nuk përputhen.

Nga njëra anë, kanalet zyrtare të bashkisë Kukës, pamjet e fundit të publikuara prej saj (datë 24 prill) dhe kryetarit Albert Halilaj paraqesin një situatë të menaxhuar dhe nën kontroll sa i përket mbeturinave në liqenin e Fierzës.

Fotografi me një sipërfaqe ujore relativisht e pastër, ndërhyrje me varkë dhe mbishkrime që sugjerojnë për reagim në kohë. Por, nga ana tjetër, raportimet mediatike dhe publikimet e aktivistëve mjedisorë tregojnë një realitet tjetër.

Situata e ndotjes, ana perëndimore e qytetit, poshtë “Urës së Kukësit/Turizmit”/Bashkia Kukës.

Masa të dendura plastike që mbulojnë sipërfaqe të konsiderueshme të liqenit, veçanërisht në zonat ku derdhen përrenj dhe degë të lumenjve që e furnizojnë liqenin e Fierzës.

Ky kontrast nuk është thjesht estetik, por është thelbi për mënyrën se si duhet kuptuar kriza e mbetjeve në këtë liqen, raportuar vazhdimisht edhe me materiale të zgjeruara nga Citizens.al

Një liqen, dy pamje të papajtueshme

Raportimet e fundit dokumentojnë një “panoramë të rëndë mjedisore në Kukës”, ku liqeni shfaqet si një vendgrumbullim ujor i mbetjeve që vijnë nga rrjedha e sipërme dy degëve të Drinit.

Në pamjet e qarkulluara në media dhe rrjetet sociale, plastika krijon shtresa të vazhdueshme, duke bllokuar sipërfaqen dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në ekosistem.

Komunikimi publik i institucioneve duket sikur e shmang këtë panoramë të plotë. Ai zgjedh fragmente të realitetit që janë më të menaxhueshme vizualisht dhe politikisht. Një strategji komunikimi e njohur kjo në Shqipëri ku krizat edhe kur nuk mund të mohohen dot, kornizohen për t’u minimizuar.

Por raportimet e bëra nga aktivisti Arben Trota, kanë përmbysur qartësisht këtë kornizë. Përmes disa videosh të botuara në Facebook ai ka denoncuar për një situatë tejet të rëndë në Gostil, Shtiqën dhe anën e lumit Luma ku një valë e madhe mbetjesh janë grumbulluar në breg.

“S’është vetëm Ramhasi [zona qendrore përballë liqenit] i ndotur” bëri thirrjeTrota ndaj Bashkisë Kukës.

Ky denoncim u shoqërua së fundmi nga apeli publik i aktivistit mjedisor Lulzim Baumann, i cili operon në liqen përmes nismës së organizatës së tij Recycling Albania, në bashkëpunim edhe me bashkinë, duke përdorur një varkë për grumbullimin e mbetjeve në ujë.

Në një thirrje drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij në Kosovë, Albin Kurti, ai e ka përkufizuar situatën si një emergjencë rajonale.

Situata e ndotjes, ana lindore e qytetit, lugina e Lumit Luma/L.Baumann.

Megjithatë, në një vlerësim më të detajuar që Baumann bëri përmes telefonit për Citizens.al ai bëri një dallim të rëndësishëm: zyrtarisht nuk ka një përshkallëzim dramatik të situatës në të gjithë liqenin, por ndotja është përqendruar dhe intensifikuar në zona specifike, veçanërisht në Përbgreg, në luginën e Lumës.

Sipas tij, kjo është një dinamikë e përsëritur, e lidhur drejtpërdrejt me shtimin e hedhjeve të mbeturinave dhe kushtet natyrore.

Pas reshjeve të mëdha dhe fryrjes së Drini i Bardhë, masa të mëdha mbetjesh transportohen dhe depozitohen në këto zona, duke krijuar grumbullime të dendura.

Edhe pse ndërhyrjet me varkë kanë qenë të vazhdueshme, jo vetëm në pjesën qendrore të liqenit, por edhe në zona të tjera, përfshirë segmentet e Drini i Zi, ai pranoi kufizimet që ka kjo veprimtari mjedisore.

Luhatjet e nivelit të ujit e bëjnë shpesh të pamundur ndërhyrjen aty ku mbetjet i afrohen bregut nga era.

“Edhe sikur 10 varka të jenë aty, s’kemi çfarë t’u bëjmë pastaj,” theksoi Baumann, duke përshkruar një situatë ku kapacitetet aktuale përplasen me përmasën reale të problemit.

Në thelb, sipas tij, kjo nuk është më një çështje që mund të menaxhohet në nivel lokal. Edhe me përfshirjen e organizatave mjedisore dhe bashkisë, kapacitetet mbeten të pamjaftueshme përballë një fenomeni që ushqehet nga i gjithë pellgu i Drinit.

Problemi duket se qëndron te mungesa e një mekanizmi të koordinuar në nivel qeveritar dhe ndërkufitar, kryesisht me Kosovën.

Sepse, siç nënvizon Baumann, një bashki, apo një komunë në anën tjetër të kufirit, nuk mundet ta përballojë një krizë që prodhohet nga një sistem i tërë.

“Ne pastrojmë, ndërsa mbetje të reja vazhdojnë të vijnë,” mbetet përkufizimi më i thjeshtë dhe më i saktë i një cikli që, pa ndërhyrje strukturore, vazhdon të përsëritet.

Sipas tij, rreth 20 tonë mbetje në vit janë larguar nga liqeni përmes ndërhyrjeve të organizuara. Por kjo është vetëm një përpjekje për të menaxhuar pasojën, jo për të ndalur burimin.

Kërkesat janë të qarta, ndërhyrje e përbashkët Shqipëri-Kosovë, ndalim i hedhjeve dhe rrjedhjes së mbetjeve në lumenjtë e Drinit të Bardhë dhe po kështu të Drinit të Zi dhe zbatim real i ligjit për mjedisin.

Për aktivisten e mjedisit, Besjana Guri, e cila drejton qendrën “Lumi”, problemi nuk është i momentit, por problem strukturor.

“Kjo nuk është rastësi, por një dështim sistematik,” thotë ajo teksa e zgjeron hartën e krizës përtej Kukësit, duke përfshirë deltën e lumenjve kryesorë në Shqipëri: Ishëm, Drin, Vjosë, e Seman.

Sipas saj fenomeni përsëritet me të njëjtën logjikë, mbetje që i merr rrjedha, grumbullohen dhe zhvendosen, pa u ndalur kurrë në burim. Në këtë kuptim, liqeni i Fierzës dhe vetë kaskada e Drinit – që vijon në Koman, Vaun e Dejës e përtej – nuk janë përjashtime, por vetëm pika ku problemi bëhet i dukshëm.

Kriza që po përjeton Kukësi me liqenin buzë tij, është paralajmëruar vazhdimisht. Në disa raportime ndërkufitare, Citizens.al ka treguar sesi Drini i Bardhë dhe degët e tij funksionojnë si një sistem transporti për mbetjet në rajon.

Mbetjet e hedhura në Kosovë dhe Shqipëri përfundojnë në të njëjtin “vendgrumbullim” liqenin e Fierzës. Mungesa e koordinimit mes shteteve e bën të pamundur ndërhyrjen efektive.

Projektet pilote dhe aksionet sporadike nuk kanë arritur të krijojnë një mekanizëm të qëndrueshëm parandalimi.

Në këtë kontekst, çdo “foto e pastër” nga liqeni është, në rastin më të mirë, një moment i izoluar në një cikël të pandërprerë ndotjeje. Në rastin më të keq, propagandë e qartë që përpiqet të manipulojë realitetin.

Në këtë cikël, narrativa zyrtare rrezikon të bëhet pjesë e problemit, duke e paraqitur krizën si të menaxhueshme, në një kohë kur ajo dukshëm është jashtë kontrollit.

*Artikulli u përditësua me një koment të shtuar nga L.Baumann.

Lexoni gjithashtu:

The post Një liqen, dy narrativa, përshkallëzon kriza e mbetjeve në Kukës appeared first on Citizens.al.

Turizëm me tuba, hidrocentralet kërcënojnë lumin e Cemit

24 April 2026 at 18:12

Lumi i Cemit, një prej lumenjve më të çmuar të Alpeve, uji i të cilit ka ushqyer jetën dhe shpresën e banorëve për zhvillimin e turizmit, rrezikon të devijohet dhe të futet në tuba nga disa projekte hidrocentralesh.

Aktualisht, tre projekte janë konkretizuar përgjatë viteve 2017-2022. Një i katërt është kundërshtuar nga banorët, ndërsa në tavolinë po diskutohen edhe gjashtë të tjerë. Përballë këtij presioni, komuniteti lokal vuan mungesën e energjisë elektrike, rrugë të pakalueshme dhe një zhvillim që duket se po e shpërfill.

Dy realitete përgjatë të njëjtit lumë

Temperaturat në luginën e Cemit ishin rritur që mesin e muajit prill dhe grupet e para të turistëve kishin nisur të kërkonin freskinë e maleve. Por në Tamarë dhe përtej – rreth 170 kilometra në veri të Tiranës – banorët tregojnë se energjia elektrike ndërpritet shpesh, madje edhe në mes të sezonit.

Ndërprerjet ndodhin pa paralajmërim, në disa raste për orë të tëra. Një zonë që prej vitesh promovohet si destinacion me veçanësi turistike nuk ka ende furnizim të rregullt me energji elektrike. Zgjidhja mbetet gjeneratori.

Megjithatë, optimizmi i banorëve vijon të jetë njësoj. Në restorantin ku bujtëm në qendër të Tamarës, tavolina ishte plot, megjithëse, sipas një prej vajzave që shërbenin, shumica e produkteve ishin konsumuar gjatë fundjavës së Pashkëve.

Por rreth 10 kilometra më tutje, në drejtim të Vuklit dhe Nikçit, atmosfera ndryshonte krejtësisht. Kjo zonë me një peizazh fantastik, ndahet vetëm nga një mal prej luginës së Thethit, njohur ndërkombëtarisht, bashkë me Valbonën si dy nga pikat kryesore të turizmit në Alpe.

Asfalti përfundonte menjëherë pas kthesës së parë. Gurë, gropa, rrëshqitje masive dhe asnjë makinë në horizont. Në disa segmente, kalimi bëhej i pamundur për veturat. Gurë të mëdhenj, çakull dhe ndërhyrje të papërfunduara e kthenin udhëtimin në një sprovë të rrezikshme.

Një projekt prej 1.5 milionë eurosh, i nisur në maj 2024 dhe i marrë përsipër nga kompania “Vëllezërit Hysa”, dukej i braktisur. Ai parashikohej të përfundonte në nëntor 2024, por sot, rreth dy vite nga ajo periudhë, kantieri nuk ka më asnjë gjurmë aktiviteti.

Lumi i Cemit, Selcë/A. Guri.

Mes këtyre dy realiteteve, errësirës në një zonë me hidrocentrale dhe izolimit në një zonë që pret zhvillim, rrjedhin pikërisht dy degët e Lumit të Cemit.

Dy “rrjedha” konfliktesh

Cemi buron në lartësitë alpine të Kelmendit në Malësi të Madhe dhe bashkohet në Tamarë, aty ku Cemi i Vuklit dhe ai i Selcës formojnë një rrjedhë të vetme që vazhdon drejt Malit të Zi.

Për dekada, izolimi i zonës e ka mbrojtur lumin nga ndërhyrjet e mëdha urbane dhe industriale. Por pas vitit 2017, kjo paprekshmëri është vënë seriozisht në diskutim.

Vetëm 1.5 kilometra larg Tamarës, në drejtim të Selcës në veri, lumi zhdukej nga syri për shkak të hidrocentralit “HEC Murasi”. Rreth 6 kilometra më tutje, “HEC Dobrinjë” dhe “HEC Selca” e devijonin një pjesë të rrjedhës në tuba.

Besjana Guri, drejtuese e qendrës LUMI dhe fituese e çmimit mjedisor “Goldman” për fushatën e mbrojtjes së Vjosës, tregoi se 5 kilometra përtej, mes fshatrave Mreg dhe Ostriç, banorët kanë qenë kundër “HEC Vriela,” por nuk përjashtohet mundësia për ta zhvilluar edhe këtë projekt.

Në letër, këto katër hidrocentrale kanë një kapacitet të vogël, rreth 7-8 MW. Megjithatë, ato lidhen me një rrjet më të gjerë interesash, pasi sipërmarrësit e tyre, janë të përfshirë në ortakëri me ndërmarrje të tjera energjetike si “United Energji” dhe “Miculi Energji”.

Ndërkohë, në degën e Vuklit në jug të Kelmendit, projektet mund të ndalen ende.

Tre hidrocentrale të tjera, pjesë e kompleksit “Ura e Tamarës”, janë propozuar nga kompania “Tamara Hydro Energy” – pjesë e grupit “Albavia,” e njohur si kontraktore e madhe e veprave publike në infrastrukturë – mes Kozhinjës dhe Vuklit. Projekti parashikon një kapacitet prodhues prej rreth 19 MW dhe devijimin e rreth 14.4 m³ ujë në sekondë, duke lënë më pak se 2 m³ ujë si rrjedhë ekologjike.

Në praktikë, sipas aktivistes mjedisore Besjana Guri, kjo do të thotë se segmente të tëra të lumit do të mbeten thuajse të thata gjatë periudhave pa reshje.

Sipas saj projekti është problematik pasi zona e Vuklit është pjesë edhe e Parkut Kombëtar të Alpeve. Ndërsa së fundmi kompania “Tamara Hydro Energy” ka marrë lejen mjedisore dhe duket se ështe e vendosur për ta zhvilluar këtë projekt.

Lumi i Cemit, diga Dobrinjë/A. Guri.

Procesi i konsultimit publik ngre gjithashtu pikëpyetje. Një dëgjesë e zhvilluar vitin e kaluar nga “Tamara Hydro Energy,” kishte vetëm 8 pjesëmarrës. Por për banorët, kjo nuk është një çështje abstrakte.

“Uji dhe mali janë gjithçka këtu,” na tha një banor i Vuklit, i cili na priti në shtëpinë e tij që e kishte kthyer në lokal dhe bujtinë. “Lumi dhe kjo klimë na mbajnë gjallë tokën, bagëtinë e tanimë edhe turistët.”

Sipas tij, problem kryesor për banorët mbeten rruga, mungesa e shërbimeve komunale për heqjen e mbeturinave dhe energjia elektrike.

“Nga rruga e keqe, s’vjen njeri t’i marrë mbeturinat, një pjesë e të cilave përfundojnë në lumë,” tha ai.

“S’duam gjë tjetër, të gjitha i bëjmë vetë, siç i kemi bërë ndër shekuj denbabaden,” theksoi më pas duke kujtuar me krenari periudhat e shkuara të zonës së Kelmendit dhe lidhjet e forta të komunitetit.

Projektet e tjera si “HEC Brojë”; “HEC Grabom” dhe “HEC Peshtan” mbeten në letër. Ato kanë lënë pas një seri lëvizjesh ortakërie të kompanisë “Seman Sunpower,” e cila deri në vitin 2017 njihej si “Hydro Valbona” dhe interesohej për zhvillim hidrocentralesh edhe në Valbonë.

Dy drejtime ekonomike

Në një zonë ku operojnë hidrocentrale dhe planifikohen të ndërtohen edhe të tjerë, paradoksi më i madh mbetet ndërprerja e energjisë elektrike.

Zyrtarisht, problemi lidhet me rrjetin e amortizuar. Por për banorët, realiteti është konkret, pamundësi shërbimi, biznese që mbyllen dhe turistë që largohen.

Sipas aktivistes së mjedisit, Besjana Guri, kjo ka krijuar një perceptim të rrezikshëm, sipas së cilit furnizimi i rregullt me energji për këto zona mund të sigurohet vetëm përmes ndërtimit të hidrocentraleve të reja.

Nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta për një politikë të tillë, por balanca e investimeve, më shumë në prodhim sesa në shpërndarje, ngre dyshime mbi prioritetet.

Në terma ekonomikë, diferenca është e qartë, përmirësimi i rrjetit nuk gjeneron të ardhura direkte për operatorët privatë në të njëjtën mënyrë sa prodhimi i energjisë.

I njëjti model shfaqet edhe në infrastrukturë. Rruga prej 10 kilometrash, Tamarë-Vukël mbetet e papërfunduar, duke zhgënjyer banorët, disa prej të cilëve janë kthyer edhe nga emigrimi për të investuar në turizëm pas premtimeve se zona do kishte të njëjtin bum zhvillimi si Thethi.

Pas pandemisë, Kelmendi ka njohur vërtetë një rritje të konsiderueshme duke u shndërruar në një destinacion në rritje. Shtëpi pritëse, guida lokale dhe biznese të vogla janë shtuar. Uji i pastër i Cemit, shpellat, kanionet dhe ujëvarat janë kthyer në aset turistik. Por kjo ekonomi mbetet e brishtë.

Për një zonë që mbështetet kryesisht në bujqësi, blegtori dhe së fundmi në turizëm, një bum edhe hidrocentralesh rrezikon të dëmtojë atë.

Cemi është gjithashtu edhe një arterie ekologjike. Dhjetëra specie shpendësh dhe peshqish janë identifikuar përgjatë tij, përfshirë troftën e mermertë.

Malësia e Kelmendit nga Vukli/A. Guri.

Në këtë pikë, sipas aktivistes mjedisore Besjana Guri, ndërhyrjet nuk prekin vetëm rrjedhën e ujit, por gjithë zinxhirin ekologjik. Ajo paralajmëroi se devijimi i ujit, sidomos në tuba nëntokësorë, fragmenton habitatet dhe ul kapacitetin e vetë-rigjenerimit të ekosistemit.

Por, Cemi vazhdon edhe drejt Malit të Zi, ku kanioni i tij është shpallur monument natyror. Kjo e ka bërë çështjen e hidrocentraleve një çështje ndërkufitare, ku gjatë viteve 2018-2019 ka pasur dhe protesta.

Si Mali Zi, edhe Shqipëria është pjesë e Konventës së Espoo-s, që kërkon vlerësim të ndikimit ndërkufitar. Megjithatë, për rastin e këtyre 10 hidrocentraleve mungon ende një analizë e plotë dhe e koordinuar.

Në thelb, rreziku në lumin e Cemit nuk është thjesht mes interesave për energji dhe atyre që duan ta mbrojnë natyrën, por për modelin e zhvillimit. Zhvillimi i përqendruar te interesat e kompanive të hidrocentraleve është afatshkurtër, krahasuar te zhvillimi i përqendruar te një shpërndarje të gjerë te komuniteti përreth.

Por, nëse lumi do të vazhdojë të devijohet, humbja nuk do të jetë vetëm ekologjike, ajo do të prekë drejtpërdrejt ekonominë lokale të Kelmendit, që sapo ka nisur të marrë frymë përmes turizmit.

Lexoni gjithashtu:

The post Turizëm me tuba, hidrocentralet kërcënojnë lumin e Cemit appeared first on Citizens.al.

Zjarret përsëriten në landfille, Bushati i bashkohet Vlorës dhe Elbasanit

21 April 2026 at 13:27

Zjarri që përfshiu vendgrumbullimin e mbetjeve të Bushatit në Vaun e Dejës duket se është vënë nën kontroll. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe reshjet lokale të regjistruara gjatë paradites së sotme duket se kanë qetësuar situatën shqetësuese që u regjistrua fillimisht mesditën e së dielës. Por dinamika që ajo ka lënë pas tregon qartë se menaxhimi i mbetjeve vijon të jetë problem edhe për bashkitë e veriut.

Në operacionin për mbulimin e vatrave u angazhuan struktura nga disa bashki, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Kamzën dhe Tiranën. Megjithëse nën kontroll, situata mbetet problematike.

Përhapja e flakëve qe favorizuar nga era e fortë, teksa nënkryetari i Bashkisë Vau i Dejës, Elvis Preçi, në disa dalje për mediat këmbënguli se banesat përreth nuk rrezikoheshin dhe se nga verifikimet e bëra nga kamerat e sigurisë nuk dyshohej për zjarr-vënie të qëllimshme.

Por pavarësisht dyshimeve fillestare për shkaqe aksidentale, ekspertë të mjedisit dhe urbanistikës si Imeldi Sokoli, janë shprehur hapur se ngjarja kërkon hetim të thelluar pasi landfilli në fjalë operon me kapacitete të kufizuara dhe ndodhet pranë pikës kritike të mbushjes, çka rrit rrezikun për incidente të tilla.

“Praktikat e mira të djegies së venddepozitimeve të mbetjeve erdhën edhe në Shkodër, Bushati është drejt mbushjes si venddepozitim, në një moment lind nevoja për t’i rënë shkurt [me djegie] dhe për të ulur sasinë e mbetjeve në të,” ironizoi në Facebook Sokoli.

Në Bushat nuk depozitohen mbetje të rrezikshme si ato spitalore apo të ndërtimit, por ndotja e shkaktuar nga djegia e ditëve të fundit ka pasur ndikim të lartë në mjedis, pas tymit të madh që shoqëroi për rreth tre ditë zonat përreth.

Ky episod rikthen në qendër të vëmendjes jo vetëm menaxhimin e landfillit të Bushatit, por edhe mënyrën se si funksionon i gjithë sistemi i mbetjeve në Shqipëri.

Në letër, ky landfill u ndërtua për të zëvendësuar vend-depozitimet e vjetra dhe për të ofruar një standard më të avancuar menaxhimi. Atje depozitohen edhe mbetjet e Bashkisë Shkodër, e cila ka pasur vështirësi për të mbyllur plagët e vjetra të depozitimeve të paligjshme, përfshirë fushën e mbetjeve pranë lumit Kir.

Në një korrespoendencë të mëparshme për Citizens.al kjo bashki ka konfirmuar se zona e ish-landfillit pranë Kirit është jashtë funksionit prej rreth 15 vitesh, por rehabilitimi i saj mbetet ende i parealizuar për shkak të kostove të larta.

Ky tranzicion drejt Bushatit, në letër, duhej të shënonte kalimin drejt një menaxhimi më modern të mbetjeve dhe rehabilitim të zonave të vjetra. Por në praktikë, ai duket se thjesht ka zhvendosur problemin, duke mos e zgjidhur atë.

Zjarri në Bushat pason një seri episodesh të ngjashme në vend. Zjarret në landfillin e Elbasanit dhe ato në Vlorë vitin e shkuar ekspozuan të njëjtat dobësi ku sistemi i menaxhimit të mbetjeve mbështetet thuajse tërësisht te depozitimi. Trajtimi dhe riciklimi mbetet thuajse minimal, ndërsa kapacitetet për përpunim apo incenerim janë të kufizuara ose jo funksionale – siç u provua nga hetimet për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Zgjidhja që u pa e arsyeshme vjet në Elbasan ishte thjesht zgjerimi i landfillit me një hapësirë tjetër toke. Ngjashëm kjo zgjidhje është parë vitet e fundit edhe në Tiranë, për landfillin e Sharrës, pavarësisht se prej vitesh ka pasur debate në lidhje me politikën e zgjedhur të incenerimit të mbetjeve, e cila pas hetimeve nga SPAK rezultoi në skemë mashtrimi, pasi mbetjet vetëm depozitoheshin. Në parim, incenerimi do të duhej ta lehtësonte nevojën për zgjerim dhe hapësira të reja landfilli.

Në këtë kontekst, në një editorial për Citizens.al gazetari i pavarur i mjedisit Artan Rama ka argumentuar se sistemi i menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri ka dështuar dhe kërkon një rikonceptim të plotë. Sipas tij, problemet nuk lidhen vetëm me kapacitetet teknike, por me mungesën e një politike të qëndrueshme dhe me ndikimin e interesave që kanë orientuar zhvillimin e sektorit.

Ndërkohë, përpjekjet ligjore për të reformuar këtë fushë nuk kanë prodhuar ndryshime të dukshme në praktikë. Projektligjet e miratuara apo në proces janë shoqëruar me kritika për mungesë transparence dhe rrezik për favorizim të interesave private, ndërsa mekanizmat e monitorimit mbeten të dobët.

Në këtë sfond, fakti që zjarri në Bushat u vu nën kontroll nuk e zbeh domethënien e tij. Përkundrazi, ai e bën më të qartë natyrën ciklike të krizës. Një sistem që arrin kufijtë e tij, prodhon incidente dhe më pas “përgjumet” a thua u rikthye në funksion, por pa adresuar shkaqet themelore.

Por për sa kohë nuk ka reflektime për ndryshime rrënjësore politikash në lidhje me menaxhimin e mbetjeve, episodet e zjarreve si në Bushat, apo dhe Elbasan, Vlorë e gjetkë, duket se do të vijojnë të ndodhin.

Lexoni gjithashtu:

The post Zjarret përsëriten në landfille, Bushati i bashkohet Vlorës dhe Elbasanit appeared first on Citizens.al.

“Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner?

8 April 2026 at 12:33

Rasti i projektit të Jared Kushner për ishullin e Sazanit po konsolidohet gjithmonë e më shumë si precedent i qartë për mënyrën sesi qeveria rishkruan ligjet dhe procedurat në shërbim të një investitori privat.

Deklaratat e fundit të deputetes socialiste të Vlorës, Zamira Sinaj, në Komisionin Parlamentar për Turizmin e bëjnë këtë realitet të pamohueshëm.

Ajo pranoi hapur se ndryshimet ligjore të propozuara prej saj, më 6 shkurt, në ligjin për portet turistike ishin në fakt një lloj “ligji me porosi” që favorizojnë investimin e Kushnerit. Sipas saj, nëse ky ligj nuk ndryshohej ashtu siç e kishte propozuar, dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump do të tërhiqej nga Sazani.

Në të njëjtën kohë, Sinaj tha se qeveria po shqyrton shtyrjen për herë të shtatë të ligjit për investimet strategjike – një instrument që në vitin 2015 u tha se do të ishte i përkohshëm, por që dhjetë vite më pas po rezulton të jetë një mekanizëm i përhershëm favorizimi.

Këto dy zhvillime, dhe fakti i bërë më herët publik nga Citizens.al se negociatat për Sazanin duhej të ishin përmbyllur më 13 nëntor 2025 dhe kanë vijuar përtej çdo afati formal, pa transparencë dhe pa konkurrencë, tregojnë për një politikë favorizuese për Jared Kushner, por edhe betonizuesit e tjerë të mëdhenj të bregdetit.

Nga mungesa e garës te eliminimi i saj me ligj

Që pasi Kushner e prezantoi publikisht projektin pranverën e vitit 2024, propozimi i tij është karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe konkurrencës. Për ishullin nuk u hap asnjë thirrje ndërkombëtare dhe nuk pati asnjë garë alternative.

Por zhvillimi i fundit shënon përthellim të mëtejshëm.

Propozimi i Sinajt – ish-dekane e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Ismail Qemali, Vlorë – synon që, në rastet kur një investim ka status “strategjik”, portet turistike që janë pjesë e tij të mos kalojnë më në procedura konkurruese, apo koncesioni, por të ndërtohen dhe operohen drejtpërdrejt nga investitori.

Pra investitori strategjik të marrë automatikisht të drejtën dhe pronësinë e porteve dhe madje kushtet e kontratave për to të mos përcaktohen më me ligj, por me vendime qeverie (VKM).

Në thelb, kemi një zhvendosje nga mungesa e konkurrencës në praktikë te eliminimi i konkurrencës me ligj.

Relacioni shpjegues i projektligjit të Sinajt e bën të qartë natyrën e këtij ndryshimi.

Së pari, ajo pranon se ky propozim nuk synon përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Me këtë nënkuptohet se synon shmangien e standardeve dhe procedurave ligjore që garantojnë konkurrencën dhe menaxhimin transparent të aseteve publike.

Së dyti, ish-dekania e Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Vlorës thotë në relacion se ndryshimet e propozuara nuk sjellin asnjë të ardhur shtesë për buxhetin e shtetit.

Nga procedurat sesi e parashikon ligji aktual, dhënia e porteve përfshin tarifa, koncesione ose ndarje fitimi me formula ortakërie, dhënie me qira apo përdorim të përkohshëm. Këtu, këto mekanizma zhduken dhe praktikisht portet falen.

Së treti, vetë relacioni e pranon që synimi është krijimi i një “trajtimi të veçantë” për investitorin. Pra, kemi një model ku hiqet konkurrenca, hiqet përfitimi për shtetin dhe legjitimohet privatizimi me trajtim preferencial.

Në praktikë, këto ndryshime i japin investitorëve jo vetëm tokën dhe plazhin, por tashmë edhe detin.

Ku mendohet se përfiton Kushner?

Përmes ndryshimit të kërkuar “privatët strategjik” marrin automatikisht edhe detin. Në rastin e propozimit të Kushnerit, ai do të përfitojë portin e vetëm që ka Sazani, atë në Gjirin e Shënkollës, i cili ka mbajtur rëndësi ushtarake.

Pamje nga porti ushtarak në Gjirin e Shënkollës, Sazan/Citizens.al

Nëse projekti do të shtrihet edhe në Zvërnec, sipas ideve të bëra publike më herët (edhe pse zyrtarisht nuk ka asnjë aplikim dhe status për të) ndryshimet ligjore të propozuara do t’i mundësonin Kushnerit ndërtimin e një porti të dytë, duke krijuar një linjë kontrolli mbi aksesin detar në veri të Gjirit të Vlorës.

Kjo përkthehet në kontroll mbi infrastrukturën turistike portuale, aksesin në vijën bregdetare dhe në praktikë, privatizim të hapësirës detare.

Kjo është një praktikë e qartë e kapjes së procedurave. Nuk bëhet më fjalë për interpretime të favorshme të ligjeve ekzistues, por për rishkrime të shoqëruara me zgjatjen e ligjit për investimet strategjike.

Ky ligj u prezantua si instrument i përkohshëm në vitin 2015. Por në praktikë, gjatë kësaj dekade ai është përdorur për të krijuar një regjim të qëndrueshëm “investitorësh të përzgjedhur” kryesisht nga afërsia me qeverinë.

Rasti i Sazanit nuk është i izoluar, por tregon edhe një herë marrëdhëniet selektive të shtetit shqiptar me investitorët, me procedura që anashkalohen, ligje që tjetërsohen dhe asete që privatizohen pa garë, transparencë dhe konsensus publik.

Lexoni gjithashtu:

The post “Ligj me porosi” edhe për Jared Kushner? appeared first on Citizens.al.

Lift Tower, s’ngjit sërish: A po “digjen” me kast thirrjet e Korporatës?

30 March 2026 at 12:44

Pas pesë thirrjeve radhazi dhe uljes me 5% të pjesës së kërkuar nga shteti, projekti “Lift Tower” është tërhequr sërish pa oferta reale. Godina që parashikohet të zhvillohet nga privati kundrejt ndërtimit edhe të mjediseve të reja të Kadastrës dhe Agjencisë së Shpronësimeve.

Një dështim i përsëritur ky që nuk mund të lexohet më si rastësi apo si “mungesë interesi”, por si simptomë e një qasjeje më të thellë të sektorit të ndërtimit në marrëdhënie me qeverinë.

Në heshtje, pa një komunikim publik me shpjegime shteruese, Korporata e Investimeve Shqiptare ka anuluar procedurën e pestë. Ky anulim vjen pasi edhe pas shtyrjes së afateve nuk u paraqit asnjë ofertë.

Në vitin 2025 pati sinjale interesi. Kompani si DK Construction, në bashkëpunim me One Corp dhe Edil AL IT, hynë në fazën paraprake, por procesi u ndërpre pasi nuk u konkretizua asnjë ofertë.

Gati dy vite nga thirrja e parë, nëntor 2024, projekti “Lift Tower” dhe ai për Kadastrën dhe Agjencinë e Shpronësimeve mbeten në vendnumëro.

Kulla 39-katëshe me 7 kate parkimi nëntokë nuk ka gjetur zhvillues dhe ngërçi nuk duket se nuk qëndron realisht te mungesa e ofertave se sa te modeli dhe qasja që po shfaq tregu.

Problemi i kullës, modelit apo një “loje” në grup e sektorit?

Në shumicën e thirrjeve që Korporata ka ofruar ndërtim kullash në Tiranë, ka pasur oferta konkrete, përveç rastit të Lift Tower.

Citizens.al/Projekti i Civic Land Center ku do të vendosen zyrat e Kadastrës.

Në përpjekjen e fundit, për ta bërë projektin “tërheqës,” Korporata uli pjesën që do t’i takonte shtetit pas përfundimit të ndërtimit, nga 45% në 40% të sipërfaqes së objektit. Një sinjal i qartë ky i një dorëzimi, apo lëshimi, të Korporatës ndaj kërkesave të tregut.

Në logjikën e ndjekur, kjo duhet të kishte prodhuar një reagim, por në praktikë, nuk solli asgjë.

Në këtë paradoks, ose projekti është i paqëndrueshëm ekonomikisht, ose tregu po refuzon të hyjë në këto kushte – me vetëdije.

Në të dy rastet, problemi nuk duket teknik, por strukturor, pasi nëse rastit të thirrjeve për “Lift Tower,” i fusim edhe thirrjet e anuluara për stadiumet në Korçë, Vlorë dhe Durrës lind një dyshim më i fortë: a po i bojkoton me kast sektori i ndërtimit këto gara?

Një lexim i mundshëm i kësaj situate është se zhvilluesit privatë po ndjekin një strategji të heshtur presioni duke mos paraqitur oferta, me pritshmërinë se Korporata do të vijojë t’i ulë gradualisht kërkesat për pjesët që do të marrë si hapësira publike nga projektet.

Nëse kjo hipotezë qëndron, atëherë kemi të bëjmë me një deformim serioz të mekanizmit të partneritetit publik-privat aq shumë të mbrojtur nga qeveria si zgjidhja e duhur për të zhvilluar këto prona.

Në vend që shteti të negociojë nga pozita rregullatore, ai po shtyhet drejt një loje të kontrolluar nga sektori për të bërë koncesione gjithnjë e më të mëdha.

Në rastin e stadiumeve, për ndërtimin e projektit të stadiumit të Korçës, kërkesa e Korporatës ka zbritur në 38%, dhe sërish nuk ka pasur oferta.

Korporata e Investimeve Shqiptare u konceptua si një instrument për të aktivizuar asetet publike dhe për të krijuar partneritete strategjike me sektorin privat. Por rasti i “Lift Tower” dhe thirrjeve të tjera të dështuara sugjeron të kundërtën, Korporata nuk ka një “Plan B”.

Projektet duket se nuk janë të kalibruara me realitetin e tregut, struktura e riskut mbetet e paqartë, procesi i ofertimit nuk po prodhon konkurrencë reale dhe publiku duket se nuk ka garanci për sipërfaqet që do të marrë në këmbim, të cilat duket se po kthehen plaçka e radhës për t’iu falur privatëve.

Në vend që të funksionojë si ndërmjetës efektiv, Korporata po shfaqet si një aktor që ndjek tregun, dhe jo e kundërta, që ta orientojë atë.

Nëse projekti rikthehet për herë të gjashtë (apo të shtatë), pyetja nuk do të jetë më nëse do të ketë oferta, por sa do të jetë ulur pjesa që kërkon shteti.

Dhe ky do të jetë thelbi i problemit, i cili zor se do të fshihet më. Sepse në këtë pikë, “Lift Tower” nuk është më thjesht një kullë që nuk ndërtohet, por një tregues i mënyrës sesi qeveria po negocion pronat publike.

Lexoni gjithashtu:

The post Lift Tower, s’ngjit sërish: A po “digjen” me kast thirrjet e Korporatës? appeared first on Citizens.al.

“Parku i Besimit” mbetet letër: Asnjë aplikim në Institutin e Trashëgimisë

23 March 2026 at 15:01

Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se projekti i “Parkut të Besimit” në Petrelë, i prezantuar publikisht si një hapësirë publike që do të mishërojë harmoninë fetare në Shqipëri, lidhet drejtpërdrejt me një territor që përfshin një monument kulture të kategorisë së parë: muret e qytetit antik të Persqopit.

Projekti u shpall fitues në tetor 2025 nga konkursi i çuar përpara prej Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Turizmit, Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT). Por procedurat për shqyrtimin e ndërhyrjeve në këtë zonë nuk rezultojnë të kenë nisur ende.

Ky kontrast mes promovimit publik të projektit dhe fazës në të cilën ai ndodhet në koordinimin me institucionet e trashëgimisë kulturore lë vend për diskutim se si është konceptuar dhe planifikuar zhvillimi i këtij projekti.

Çfarë thonë institucionet e kulturës

Projekti i “Parkut të Besimit,” konceptuar nga një grup arkitektësh të kryesuar nga Bjarke Ingels, parashikon kthimin në park publik të rreth 210,000m² troje kodrinore (21% e të cilave private) të Petrelës.

Koncepti nuk përfshinte aspekte teknike si koeficentët e shfrytëzimit të truallit, volumetria e ndërtimeve dhe sipërfaqet e sakta. Por nga propozimi kuptohet se ai do të ketë 10 struktura kryesore (1 muze dhe 9 pavijone fetare), të cilat do të shoqërohen me gjelbërim, shtigje të reja, struktura akomoduese, bare, restorante dhe një hotel. 

Sipas preventivit paraprak, e gjitha do të kërkojë rreth 23.5 milionë euro investim. Nuk është e qartë se çfarë formule do të përdoret për zhvillimin e këtij projekti, por me gjasë do të jetë një tjetër thirrje nga Korporata për partneritet publik-privat.

Megjithatë, vlen të theksohet se projekti zhvillohet në perimetrin e mbrojtur të rrënojave të qytetit antik të Persqopit, një vendbanim i hershëm që ngrihet mbi kodra.

Renderë të propozimit të BIG për Parkun e Besimit/Citizens.al

Studiues të ndryshëm e kanë lidhur Persqopin me një vendbanim të rëndësishëm të periudhës ilire dhe helene, ndërsa mbetjet arkeologjike të zonës përfshijnë struktura mbrojtëse dhe një varr monumental. 

Për shkak të vlerës historike, ky sit është vendosur në listat e monumenteve të kulturës së shtetit shqiptar që prej vitit 1948.

Sipas dokumenteve zyrtare, “Muret antike dhe varri i Persqopit” gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës së Kategorisë së Parë, një nga nivelet më të larta të mbrojtjes në legjislacionin shqiptar për trashëgiminë kulturore. 

Për këtë monument, në vitin 2015 është përcaktuar gjithashtu edhe një zonë mbrojtëse, ku ndërhyrjet zhvillimore janë të kufizuara sipas një rregulloreje të posaçme.

Çfarë tregojnë dokumentet

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka konfirmuar për Citizens.al se projekti “Parku i Besimit” është përmendur në komunikimet institucionale në prill të vitit 2025.

Sipas dokumenteve, AKPT i është drejtuar IKTK-së me një kërkesë për informacion lidhur me zonën e mbrojtur të Persqopit në kuadër të këtij projekti: kërkesa për informacion me Nr.662 mban datën 16 prill 2025.

Përmes saj AKPT kërkonte të dhëna mbi aktet ligjore që rregullojnë zonën, kufijtë dhe rregullat që duhen respektuar për ndërhyrje të mundshme zhvillimi pranë monumentit. Por ka një problem.

Kjo kërkesë është bërë rreth 4 javë pasi Korporata kishte hapur thirrjen për zhvillimin e zonës (21 mars 2025) duke lënë të kuptohet se për këtë thirrje nuk janë respektuar të gjitha hapat e nevojshme.

Paralelisht, mos-përfshirja në organizim të Ministrisë së Kulturës (Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit MEKI; ristrukturuar pas shtatorit 2025 në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit MTKS) ngre pikëpyetje të tjera.

IKTK sqaroi për Citizens.al se Persqopi nuk klasifikohet si zonë arkeologjike, por si monument kulture i kategorisë së parë me perimetër të mbrojtur të përcaktuar me urdhër të ish-Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro Nr. 44 datë 2 shkurt 2015.

Një tjetër element i rëndësishëm që ITKT dha në përgjigjje ishte se deri më tani – pesë muaj pas konkursit – nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë aplikim formal për projektin pranë sportelit unik të IKTK-së.

Një projekt publik pa projekt teknik

Legjislacioni shqiptar për trashëgiminë kulturore parashikon procedura të detajuara për çdo ndërhyrje në zonat e mbrojtura të monumenteve.

Në rastin e monumenteve të kategorisë së parë, çdo projekt që parashikon ndërhyrje në zonën e mbrotjur duhet të paraqitet me dokumentacion të plotë teknik dhe të shqyrtohet nga këshillat përkatës të trashëgimisë kulturore.

Varri monumental i Persqopit/KISH

Dokumentacioni përfshin, ndër të tjera, projektet arkitekturore, koordinatat gjeografike të ndërhyrjeve, studimet teknike dhe specifikimet edetajuara të punimeve. Në shumë raste kërkohet gjithashtu kryerja e survejimeve arkeologjike paraprake ose monitorimi arkeologjik gjatë punimeve.

Pa ndjekjen e këtyre procedurave, institucionet e trashëgimisë nuk mund të shqyrtojnë dhe miratojnë ndërhyrjet në zona të tilla.

Nga dokumentet e publikuara rezulton se, ndonëse projekti është prezantuar publikisht dhe është zhvilluar një konkurs ndërkombëtar për masterplanin, në institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore nuk është depozituar ende një projekt teknik për shqyrtim.

Kjo do të thotë se faza aktuale e projektit mbetet në nivel konceptual dhe nuk ka hyrë ende në procesin formal të autorizimit për ndërhyrje në zonën e mbrojtur të Persqopit.

Kjo krijon një diferencë të dukshme mes mënyrës se si projekti është komunikuar publikisht dhe fazës në të cilën ai ndodhet në procedurat institucionale.

“Parku i Besimit” u përmend si projekt madhor nga kuratorja Vanessa Norwood, në intervistën me Kryeministrin Edi Rama, që përgatiti për gazetën e Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanik (RIBA) me rastin e përfshirjes së tij në listën e nderit për vititn 2026.

Petrela është një nga zonat ku historia e hershme dhe zhvillimi urban i dekadave të fundit po ndërthuren gjithnjë e më shumë. Afërsia me Tiranën dhe potenciali turistik i zonës kanë nxitur interesin për projekte të reja zhvillimi.

Megjithatë, paralelisht këtyre ambicieve qëndron trashëgimia historike e ndjeshme, e cila kërkon studim dhe trajtim të kujdesshëm sipas procedurave që parashikon ligji.

Projekte si “Parku i Besimit” mund të sjellin vizitorë dhe investime në zonë, por mënyra se si ato ndërthuren me trashëgiminë kulturore mbetet çështje që kërkon transparencë, përfshirjen e komunitetit lokal, vlerësim profesional dhe debat të hapur publik.

Lexoni gjithashtu:

The post “Parku i Besimit” mbetet letër: Asnjë aplikim në Institutin e Trashëgimisë appeared first on Citizens.al.

Patronazhi politik motor korrupsioni, thotë raporti

19 March 2026 at 16:26

Patronazhi politik është shndërruar në mekanizmin kryesor që po ushqen korrupsionin dhe po deformon qeverisjen në Ballkanin Perëndimor. Ky është përfundimi qendror i një raporti rajonal, i cili argumenton se skema e dikurshme “një votë për vend pune”, është shndërruar në një sistem kompleks varësie dhe kontrollesh politike që ka kapur shtetet.

Raporti, i titulluar “Patronazhi politik, një katalizator për korrupsionin dhe keqqeverisjen në Ballkanin Perëndimor,” vjen në një moment kur vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, janë angazhuar në reforma anti-korrupsion në kuadër të proceseve të integrimit europian, por që po kanë rezultate të kufizuara.

Analiza vjen nga “Southeast European Leadership for Development and Integrity” (SELDI) dhe sugjeron se arsyeja e këtij stanjacioni lidhet pikërisht me rolin e patronazhit politik, i cili vazhdon të funksionojë si një infrastrukturë paralele pushteti.

SELDI është një rrjet me mbi 30 organizata të shoqërisë civile në Evropën Juglindore, i cili prej më shumë se dy dekadash monitoron korrupsionin dhe politikat e qeverisjes në rajon. 

Përmes instrumenteve të standardizuara, si “Corruption Monitoring System” dhe “State Capture Diagnostics,” ky rrjet ka ndërtuar një bazë të dhënash mbi mënyrën si funksionojnë institucionet dhe marrëdhëniet mes politikës dhe ekonomisë. 

Raporti i fundit përfaqëson një vazhdimësi të këtyre analizave, por me fokus të drejtpërdrejtë te patronazhi politik si faktor kyç.

Në këtë kontekst, patronazhi nuk trajtohet si një fenomen periferik, i kufizuar në nepotizëm apo punësime partiake. Ai përkufizohet si një sistem marrëdhëniesh ku burimet publike – nga vendet e punës te shërbimet, lejet e ndërtimit, licencat, tenderët, koncesionet dhe kontratat – shpërndahen jo mbi bazën e garës dhe meritokracisë por “bindjes dhe besnikërisë politike.”

Kjo krijon një rrjet varësie, ku qytetarët dhe punonjësit e administratës lidhen me pushtetin jo përmes marrëdhënieve ligjore, por përmes marrëdhënieve informale. Raporti argumenton se pikërisht ky sistem po e kthen korrupsionin në një praktikë të organizuar dhe të qëndrueshme. 

Kështu, në vend që të jetë një devijim nga rregullat, korrupsioni po bëhet pjesë e funksionimit të përditshëm të institucioneve. Në këtë kuptim, “patronazhi politik” po shfaqet si “katalizator” që lidh mes tyre abuzimin me burimet publike, kapjen e institucioneve dhe manipulimin e proceseve demokratike.

Në nivel rajonal, gjetjet e raportit tregojnë një model të përsëritur në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Administrata publike rezulton e politizuar, me ndryshime të shpeshta në varësi të proceseve zgjedhore, ndërsa burimet shtetërore përdoren për të siguruar avantazh elektoral.

Skema e patronazhit dhe nivelet e tij në rajon/Seldi; Citizens.al

Institucionet e kontrollit, si auditimet, Kontrolli i Lartë i Shtetit, apo drejtësia, thuhet se mbeten të ekspozuara ndaj ndikimit politik, duke kufizuar efektivitetin e tyre. Por, një element thelbësor që vë në pah raporti është normalizimi i këtyre praktikave në perceptimin publik, çka e bën sistemin më të qëndrueshëm dhe më të vështirë për t’u goditur.

Brenda kësaj panorame, Shqipëria paraqitet si një rast tipik i këtij modeli. Raporti evidenton se administrata publike në vend mbetet e lidhur ngushtë me partitë politike – partinë në pushtet, – ndërsa rotacionet shoqërohen me zëvendësime të gjera të stafit apo bordet drejtuese të kompanive shtetërore.

Kjo ka krijuar një strukturë ku karriera në sektorin publik varet më shumë nga lidhjet politike sesa nga meritokracia.

“[…] skenar praktik është manipulimi i proceseve të prokurimit: vendosja e kritereve të ngushta, përjashtimi i operatorëve konkurrues ose përdorimi i negociatave të drejtpërdrejta në favor të subjekteve të preferuara,” thuhet në raport.

“Këto praktika zbatohen përmes dokumentacionit teknik dhe procedurave që duken të ligjshme, por që në thelb synojnë të zvogëlojnë konkurrencën dhe të favorizojnë fituesit e lidhur politikisht,” vijon raporti.

Por, një nga aspektet më të ndjeshme lidhet me proceset zgjedhore. Përdorimi i burimeve shtetërore për mobilizim elektoral dhe presioni, shpesh indirekt, mbi punonjësit publikë për të mbështetur forca të caktuara politike, identifikohen si praktika që deformojnë edhe sistemin demokratik.

Në këtë mënyrë, patronazhi nuk shërben vetëm për shpërndarje përfitimesh, por edhe për mbajtjen dhe riprodhimin e pushtetit politik.

Po ashtu, raporti sugjeron se institucionet e pavarura në Shqipëri mbeten të brishta përballë ndikimit politik. Edhe pse në letër ekzistojnë mekanizma kontrolli, në praktikë autonomia e tyre kufizohet nga ndërhyrjet dhe presionet politike. Kjo situatë krijon një hendek të dukshëm mes kuadrit ligjor dhe zbatimit real.

Një nga gjetjet më të forta të raportit është dimensioni social i fenomenit. Në Shqipëri, si në pjesën tjetër të rajonit, patronazhi shpesh perceptohet si një mënyrë e zakonshme për të siguruar akses në shërbime apo mundësi punësimi. Kjo e bën sistemin vetë-riprodhues, pasi qytetarët, përballë mungesës së besimit te institucionet, i drejtohen rrjeteve informale si zgjidhje praktike.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, raporti sugjeron se Shqipëria ndan të njëjtat karakteristika strukturore, por me një theks të veçantë te lidhja e patronazhit me ciklet elektorale.

Kjo e bën sistemin më dinamik, por jo më pak të rrënjosur. Në vende si Serbia apo Mali i Zi, patronazhi paraqitet më i konsoliduar dhe i centralizuar, ndërsa në Shqipëri ai thuhet se “mbetet më fleksibël, por njësoj efektiv në ruajtjen e kontrollit politik”.

Në këtë kuadër, raporti ofron edhe një shpjegim për “dështimin relativ” të reformave anti-korrupsion.

Sipas analizës, shumica e reformave janë fokusuar te ndërtimi i institucioneve dhe përmirësimi i kuadrit ligjor, ndërsa kanë anashkaluar rrjetet informale të patronazhit që në fakt përcaktojnë mënyrën si funksionon pushteti.

Për këtë arsye, edhe ndërhyrjet e mbështetura nga Bashkimi Europian kanë prodhuar shpesh rezultate të kufizuara.

Në këtë kontekst raporti i SELDI-t sugjeron se korrupsioni në Ballkanin Perëndimor nuk është thjesht një problem i zbatimit të ligjit, por një model qeverisjeje i ndërtuar “mbi marrëdhënie patronazhi” dhe për Shqipërinë, kjo nënkupton se sfida nuk qëndron vetëm te forcimi i institucioneve formale, por te çmontimi i rrjeteve informale që vazhdojnë të përcaktojnë funksionimin real të shtetit.

Precedenti shqiptar me patronazhistët

Rasti më konkret që ilustron praktikën e patronazhit politik në Shqipëri doli në dritë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, kur në media qarkulloi një databazë e madhe në format Microsoft Access me të dhëna të detajuara për qindra mijëra qytetarë.

Edi Rama pas suksesit në zgjedhjet e vitit 2021/Citizens.al

Publikimet raportuan se databaza përmbante rreth 910 mijë votues në Tiranë dhe zona të tjera, një shifër që përfshinte praktikisht pjesën dërrmuese të elektoratit aktiv në kryeqytet.

Dokumenti përmbante jo vetëm të dhëna bazë identifikimi – si emri, numri personal, adresa, vendi i punës dhe kontaktet – por edhe informacione politike të strukturuara si preferenca partiake, kategorizimin si votues “i sigurt”, apo “jo”, si dhe shënime të tjera që në disa raste përfshinin problematika personale apo në marrëdhënie me institucionet shtetërore.

Një element kyç i databazës ishte kolona që identifikonte për secilin qytetar një person përgjegjës – të ashtuquajturin “patronazhist”. Ky individ, zakonisht i lidhur me strukturat partiake në terren, kishte për detyrë të ndiqte, përditësonte dhe ndikonte sjelljen elektorale të votuesve të caktuar. 

Kjo e bënte databazën jo thjesht një listë, por një instrument operativ për mobilizim politik.

Rasti u bë publikisht i njohur si “lista e patronazhistëve” dhe ngriti shqetësime të forta për përdorimin e të dhënave personale, përfshirë dyshimet se një pjesë e tyre mund të ishin marrë nga sisteme shtetërore, si tatimet, regjistrat e gjendjes civile apo dhe vetë kompanitë.

Institucionet e mbrojtjes së të dhënave dhe organet e drejtësisë nisën hetime, ndërsa çështja u shoqërua me debat të gjerë publik dhe politik, pasi fillimisht u ndoqën gazetarët dhe media që e botoi e para si skandal: Lapsi.al

Nga ana tjetër, reagimi i Kryeministrit Edi Rama ishte si “patronazhist” ndaj praktikës. Ai e relativizoi fenomenin duke e paraqitur si një metodë organizimi politik të përdorur edhe nga partitë dhe vendet e tjera, duke mohuar shkeljet sistemike. Sipas tij të dhënat ishin gjeneruar nga vetë anëtarët e partisë.

Megjithatë, përtej debatit politik, rasti i vitit 2021 mbetet ilustrimi më konkret i funksionimit të patronazhit politik në Shqipëri në formë të strukturuar dhe të dokumentuar. 

Ai dëshmoi se marrëdhënia mes partive dhe votuesve nuk ndërtohet vetëm mbi programe apo bindje ideologjike, por edhe mbi një sistem monitorimi dhe ndikimi të drejtpërdrejtë, i cili ndërthuret me aksesin në burime dhe informacione.

Në këtë kuptim, “skandali i patronazhistëve” përbën një precedent kyç për të kuptuar se si koncepti i patronazhit, i trajtuar në raportin e SELDI-t në nivel teorik dhe rajonal, ka marrë në Shqipëri një formë konkrete, të integruar në praktikën elektorale, por jo vetëm.

Rrjeti SELDI beson se kapërcimi i sfidave të paraqitura nga patronazhistët kërkon një qasje komplekse dhe shumëdimensionale.

“Kjo qasje duhet të përqendrohet kryesisht në profesionalizimin e mëtejshëm të sektorit publik, masa më të forta për të luftuar kapjen e shtetit dhe transparencë të përmirësuar në qeverisje,” thuhet në raport,

Objektivi është që, krahas krijimit dhe promovimit të një shërbimi publik të bazuar në meritokraci dhe llogaridhënie në prokurimet publike të garantohet gara, transparenca duke rritur kështu besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Lexoni gjithashtu:

The post Patronazhi politik motor korrupsioni, thotë raporti appeared first on Citizens.al.

Rama në RIBA: Çmim për vizionin apo për betonin?

17 March 2026 at 14:49

Kur një institucion prestigjioz arkitekture vlerëson dikë, zakonisht nënkupton konfirmimin e një vizioni të suksesshëm, apo një arritje të rëndësishme për të cilin ai ka kontribuar. Ky duket të jetë edhe rasti i Kryeministrit Edi Rama, i cili së fundmi është përfshirë në listën e nderit (Honorary Fellows) të Institutit Mbretëror të Arkitektëve Britanik (Royal Institute of British Architects, RIBA).

Por, a është modeli i zhvillimit urban të Tiranës dhe Shqipërisë një arritje që meriton të studiohet dhe të përkrahet ndërkombëtarisht? Apo kemi të bëjmë me çmim që vjen nga një keqkuptim “lost in translation”, ose nëse e çojmë më tej, një vlerësim i ndikuar nga influenca politike e Kryeministrit dhe sektorit të ndërtimit që e mbështet? 

Kontrasti mes imazhit ndërkombëtar dhe përvojës së përditshme urbane në vend më bën të them se është më shumë kjo e dyta.

Çfarë është lista e RIBA dhe paradoksi me Ramën

Instituti britanik, RIBA, njoftoi të enjten, datë 12 mars, se kishte përfshirë Ramën – dhe 26 të tjerë – në listën e anëtarëve të nderit.

RIBA, themeluar në vitin 1834, është një organizatë e vjetër me ndikim të gjerë ndërkombëtar në fushën e arkitekturës. Ky institut cilëson shpesh si anëtarë nderi individë që mund të mos jenë arkitektë, por që me punën e tyre kanë ndikuar në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e arkitekturës apo edukimit arkitektonik.

Në teori, një vlerësim i tillë nënkupton se personi ka ndikuar pozitivisht në mënyrën se si projektohen dhe zhvillohen qytetet. 

Por pikërisht këtu nis dhe paradoksi me rastin e Kryeministrit Rama. Çfarë është pozitive në zhvillimin që ai ka shtyrë përpara? Vertikaliteti? Xhentrifikimi? Zhdukja e hapësirave publike dhe identitetit historik?

Në diskursin ndërkombëtar, Rama e ka paraqitur veten si figurë e pazakontë politike: artisti që u bë ministër Kulture, pastaj kryetar i Bashkisë Tiranë, udhëheqës i Partisë Socialiste e më tej Kryeministër i vendit.

Rama u (ri)shfaq në politikën shqiptare në fundvitet ’90 si artisti dhe intelektuali i pavarur që kthehej nga mërgimi për të kontribuuar në vend. Projekti i parë publik i tij ishte ai për “të kthyer në identitet” vlerat arkitektonike të ndërtesave të ministrive në qendër të Tiranës, trashëgimi e arkitekturës fashiste.

Në fillim të viteve 2000, ndërhyrjet e tij urbane si kryebashkiak u bënë të njohura ndërkombëtarisht. Projekti i ngjyrosjes së fasadave të pallateve komuniste, hapja e shtratit të lumit Lana nga ndërtimet pa leje dhe krijimi i disa hapësirave të reja publike – “Parku Rinia”; “7 Xhuxhat” etj. – u interpretuan si përpjekje kreative për të ngjallur kryeqytetin nga tranzicioni i vështirë.

Kjo histori u përhap gjerësisht në mediat ndërkombëtare dhe në qarqet e arkitekturës si një shembull i një qasjeje të re urbane të një kryeqyteti post-komunist.

Por ndërsa ky imazh u konsolidua ndjeshëm jashtë vendit, prirja e zhvillimit urban në Tiranë, dhe më gjerë në Shqipëri, mori drejtim tjetër.

“Kumbari i kullave”

Në vitet që pasuan mandatin e parë si kryebashkiak të Ramës, zhvillimi urban në Tiranë u karakterizua nga një valë ndërtimesh. Pas pamjes prej çlirimtari vizionar dhe të rijetëzimit të hapësirave publike, Rama konformoi vrullshëm një bum të madh ndërtimi, të cilin e ushqeu me leje edhe për dy mandate si kryebashkiak i kryeqytetit.

Kryeministri Rama në festivalin B&H/Citizens.al

Ai e amplifikoi këtë prirje pasi kapërceu pushtetin, drejt qeverisë. Kjo kuptohet nga fakti se në një dekadë si Kryeministër, Rama ka shqyrtuar ose miratuar rreth 140 projekte kullash në Tiranë, shumë prej tyre në zona me rëndësi historike dhe në shkelje me planet urbanistike.

Rezultati është një tjetërsim i katërciptë i siluetës urbane të Tiranës, ku kullat shumëkatëshe janë tashmë elementi dominues i peizazhit të saj. 

Si për ironi, vetë tjetërsimi politik që ka ndërmarrë Rama mund të tregohet përmes gjymtimit që ai i ka bërë pikërisht projektit të parë që mori përsipër: ruajtjen e identitetit arkitektonik të Tiranës së vjetër.

Rama përçmoi dhe shembi me gjithë fuqinë e pushtetit të tij si Kryeministër godinën e Teatrit Kombëtar (2020) – trashëgimi e arkitekturës fashiste – vetëm e vetëm që t’i hapte rrugë projektit 34 katësh “Pixel Tower” (Bjarke Ingels/Fusha shpk) mbi një pjesë të pronës së teatrit.

Ngjashëm, për pallate e kulla, u rrafshuan shtëpi të vjetra tiranase rreth zonës historike të kryeqytetit, disa edhe pse kishin status monument kulture.

Ky transformim vertikal, vijoi duke bërë kurban edhe hapësirat publike. Nisi me stadiumin kombëtar “Qemal Stafa,” që u bë i pari stadium me kullë në Evropë (Archea Associati/Albstar shpk) përmes një skeme partneriteti me privatin ku në fund, publike mbeti vetëm fusha e futbollit.

Ndryshimi në qasjen urbane të Ramës vihet re te transformimi e hapësirave që dikur përfaqësonin filozofinë e hershme të tij, si për shembull parku “7 Xhuxhat”, që dikur mbante me krenari një pllakë me mbishkrimin: “U çel […] me nismën dhe mbështetjen e […], Edi Ramës”.

Sot ai park është betonizuar nga projekti i një parkingu nëntokësor dhe kullës 40-katëshe Downtown One (MVRDV/Kastrati shpk), të cilës Rama ia dha lejen “symbullur” përballë shkeljeve që u bënë aty apo edhe te ish-Sheratoni, gjatë ndërtimit.

“Starkitektët” që legjitimojnë qasjen urbane

Nëse do të kërkonim një element karakteristik të modelit të zhvillimit që ka prodhuar Rama, ai është roli i studiove ndërkombëtare të arkitekturës. 

Shumica e kullave të reja në Tiranë mbajnë firmën e arkitektëve të njohur botëror (“starkitektë”), ndërsa arkitektët vendas kanë mbetur dytësor në këtë zhvillim – me përjashtim të dy-tre studiove të afërta me qeverinë.

Sigurisht, është gjë e mirë t’i hapesh një ekspertize ndërkombëtare. Por në këtë rast duket se modeli është kthyer në një skemë abuzive ku “starkitektët” sugjerohen nga Rama dhe lejet kushtëzohen vetëm nëse përfshihen ata që ai do.

“Starkitektët,” që në vendet e tyre të origjinës do ta kishin thuajse të pamundur të ndërtonin përbindsha betoni pa u vënë seriozisht nën trysni, përfitojnë dorë të lirë përimagjinatën e tyre dhe dëshirën e investitorëve për të kapur qiellin.

Duket si marrëdhënie “win-win,” Rama përfiton një “ushtri yjesh,” që i shërbejnë për diplomaci publike (askush prej starkitektëve nuk e ka kritikuar ndonjëherë Ramën për qasjen e tij të zhvillimit!), investitorët përfitojnë lirshëm projektet e tyre, pavarësisht se të gjitha shkelin planet urbanistike.

Në spektaklin politik që drejton Kryeministri, kjo marrëdhënie paraqitet si një lloj integrimi i Shqipërisë në arkitekturën botërore. 

“Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se Evropa,” tha Rama vjet në festivalin e parë të arkitekturës, “Bukë dhe zemër,” (Bread & Heart), që qeveria organizoi me rreth 150 arkitektë nga e gjithë bota. 

Ndërkohë, në shkurt, në themelimin e të ashtuquajturit “Bordi i Paqes,” në Washington, ai tha se Shqipëria mund të ofrojë, “përveç parave, edhe arkitektë” me qëllimin e përbashkët, zhvillimin e një “oazi shprese ku e ardhmja të ngrihet dhe të formohet për brezat e ardhshëm të Palestinës”.

Nuk është e qartë çfarë ka nënkuptuar Rama me ofrimin e arkitektëve. Mbase e ka pasur fjalën për grupin e “starkitektëve” të festivalit “Bread & Heart”, që pas tetorit 2025, janë organizuar në fondacion dhe në janar të këtij viti “iu ofruan” në një takim konsultues Ivanka Trump-it kur ajo ishte për vizitë në Vlorë, si pjesë e takimeve për të diskutuar zhvillimin e Sazanit në një ishull turistik privat.

Kryeministri Rama duke diskutuar me arkitektë në festivalin B&H/Citizens.al

Kështu prirja për të përdorur “starkitektët,” mund të themi se krijon një formë legjitimiteti për projekte që në planin lokal janë shumë më të diskutueshme se zakonisht.

Emrat prestigjiozë të arkitekturës botërore krijojnë atë narrativën estetike të pakontestueshme, që shpesh e zhvendos debatin nga pyetjet më thelbësore: Kush përfiton nga këto ndërtime, sa të nevojshme janë, sa i shërbejnë ato qytetit, kush i merr përsipër risqet dhe sa transparente janë burimet e financimit të tyre?

Në një vend ku sektori i ndërtimit mbetet nën ujërat e turbullta të ekonomisë informale dhe rrjedhës së parave të krimit, këto pyetje do të duhet të bëheshin permanente.

Rama dhe qeveria e tij mund t’i shmangen sa të duan, madje dhe me vlerësime “alla-RIBA,” por trashëgimia që po lë pas në këtë drejtim, do ta përndjekë gjithmonë.

Një çmim edhe për betonizimin e bregdetit

Nëse Tirana ka qenë laboratori i modelit arkitektonik Rama, bregdeti shqiptar rrezikon të bëhet kapitulli i tij më i pakthyeshëm.

Në vitet e fundit, lejet për resorte turistike dhe komplekse të mëdha janë shtuar në mënyrë të ndjeshme. Në festivalin “Bread & Heart” kishte një kat plot me kësi projektesh vetëm për resortet.

Shpesh projektet po jepen edhe në territore me vlera të larta mjedisore, ose pranë zonave të mbrojtura. Organizatat e mjedisit kanë paralajmëruar prej kohësh shqetësimin se ky zhvillim pa kriter rrezikon të shkatërrojë asetet kryesore të natyrës shqiptare, ku ndër më të mëdhatë mbetet peizazhi bregdetar.

Çështjet më të nxehta aktualisht janë zonat portuale të kthyera në projekte madhore imobiliare: Marina e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Porto Palermo etj.

Ato që nuk janë përtypur ende, janë resortet masive në zonën e Rivierës, nga Karaburuni në Himarë, të cilat po hasin vështirësi të kenë furnizim me ujë të pijshëm dhe për këtë qeveria Rama po ushqen idenë që këtë ujë t’ia marrë fshatrave si Tragjasi, Dukati, Kuçi etj.

Paralelisht, projekti madhor “Blue Borgo” (Stefano Boeri/Gener 2 shpk), që parashikon gjysmë milioni metra katrorë ndërtim pranë zonës ligatinore të Vilunit në Velipojë, është hapi i radhës që rrezikon ta kthejë edhe bregdetin e veriut me të njëjtën masivitet ndërtimi.

Lehtësirat fiskale që ka ofruar qeveria për “investitorët strategjikë” që janë pas këtyre ndërtimeve, i ka zhveshur ata nga taksa mbi ingrastrukturën duke rritur kështu kostot dhe barrën publike për t’i shërbyer këtyre projekteve.

Sigurisht, vlerësimi nga RIBA nuk është i parëndësishëm. Ai konfirmon se Shqipëria është bërë pjesë e një diskutimi ndërkombëtar për arkitekturën dhe transformimin urban.

Por pikërisht për këtë arsye, ai e bën edhe më të dukshëm kontrastin mes dy realiteteve: narrativës së jashtme për një lider që ka sjellë arkitekturën në politikë dhe përvojës së ne vendasve, që e jetojmë realitetin jo si turistë përballë një vendi që po ndryshon me ritme të shpejta por rrallë me transparencë dhe konsensus publik.

Në këtë kuptim, përfshirja e Ramës në listën e RIBA mund të interpretohet në dy mënyra: si një medalje për një vizion personal urban, por edhe si një pasqyrë që reflekton kontradiktat e thella të transformimit që ai ka udhëhequr në Shqipëri.

Lexoni gjithashtu:

The post Rama në RIBA: Çmim për vizionin apo për betonin? appeared first on Citizens.al.

“Parku i kullave”: Nis tjetër projekt te ish-Garda

13 March 2026 at 15:51

Zona e ish-Gardës së Republikës në hyrje të Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës po shndërrohet gradualisht në një “park kullash.” Zhvillimi më i fundit duket se po rëndon edhe një problem urbanistik të mbetur pezull prej vitesh: rrugën.

Në këtë hapësirë, që fillimisht u premtua se do të ishte park për qytetarët, prej vitit 2020 ishte parashikuar hapja e një lidhjeje rrugore mes rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”. Kjo ndërhyrje do të krijonte një korridor qarkullimi dhe do të lehtësonte trafikun në një nga hyrjet më të ngarkuara të parkut.

Por, në vend të rrugës, sot gjashtë vite më vonë, po hapet një tjetër kantier ndërtimi për një kullë të re.

Projekti quhet “Garda Tower” dhe parashikon ndërtimin e një godine 33 kate mbi tokë dhe 5 kate nëntokë, me lartësi rreth 120 metra. Ai po zhvillohet nga Artech Group në bashkëpunim me kompaninë El-Prom, e cila së fundmi ka ndryshuar emrin në Hasalami.

Koncepti arkitektonik është realizuar në bashkëpunim me studion gjermane Kuehn Malvezzi, ndërsa maketi i projektit u prezantua publikisht në festivalin e arkitekturës “Bread & Heart” në qershor 2025 (foto).

Projekti 3D i “Garda Tower”/Facebook.

Por për banorët e zonës, zhvillimi i ri ka ndikim të menjëhershëm: hapësira për të kaluar në rrugën “Adem Jashari” po u ngushtohet.

Rrethimi i kantierit ka lënë vetëm një anë trotuari, edhe ai tepër i ngushtë – rreth 40 deri në 50 centimetra – duke e bërë kalimin e këmbësorëve thuajse simbolik. Hapësira në krahun ku po ndërtohet, përdorej kryesisht për parkim makinash, por sidoqoftë linte vend për të kaluar.

Si u krijua parcela për kullën

Sipas planvendosjes së miratuar, projekti ndërtohet mbi bashkimin e nëntë parcelave të ndryshme, të siguruara përmes marrëveshjeve me pronarët e ndërtesave ekzistuese 1-3 kate në zonë – pjesa ku parashikohet të bashkohet rruga “Ibrahim Rugova” me “Dora d’Istria”.

Por zhvillimi nuk përfshin pesë parcela të tjera, ku ndodhen tre ndërtesa 2-6 kate (foto: harta topografike dhe planvendosja). Këto prona mbeten jashtë projektit dhe do të vazhdojnë të bllokojnë realizimin e korridorit rrugor që ishte parashikuar nga plani urbanistik (PDV) TR/169.

Kjo krijon një situatë paradoksale: një kullë mund të ndërtohet menjëherë, ndërsa rruga që justifikonte hapjen dhe zhvillimin e zonës mbetet pezull.

Kur Bashkia e Tiranës hartoi PDV-në TR/169, zona e ish-Gardës së Republikës u prezantua si një hapësirë që do t’i kthehej qytetit. Ideja ishte që kjo zonë të shërbente si zgjatim i Parkut të Liqenit Artificial.

Për këtë arsye, disa nga parcelat që ndodheshin mbi gjurmën e rrugës u klasifikuan si “nën-njësi për transferim”.

Në praktikën e planifikimit urban kjo do të thotë se pronarët mund të kompensohen duke zhvilluar një pronë tjetër në një zonë tjetër të qytetit.

Ndërtesat që pengojnë bashkimin e rrugëve “Ibrahim Rugova” dhe “Dora d’Istria”/Citizens.al

Ky mekanizëm përdoret shpesh për të shmangur kostot e larta të shpronësimit nga shteti.

Në shumë raste, autoritetet publike presin që zhvilluesit privatë të përfshijnë këto parcela në projektet e tyre dhe të kontribuojnë në krijimin e infrastrukturës publike – si rrugë apo hapësira publike – në këmbim të rritjes së intensitetit të ndërtimit.

Pra, më shumë kate, në këmbim të një hapësire për qytetin. Por në rastin në fjalë, intensiteti nuk po sjell infrastrukturë të re publike.

Për “Garda Tower” – por jo vetëm – mekanizmi duket se funksionon vetëm në një drejtim.

Duke përfshirë në zhvillim disa nga parcelat që ndodheshin mbi rrugën e projektuar, zhvilluesit kanë arritur të përfitojnë intensitet të lartë ndërtimi.

Gjurma e ndërtesës parashikohet të zërë një sipërfaqe prej 487.6 m2 – nga 1,220.71 m2 të shpërndarë në disa parcela – projekti parashikon një volum ndërtimi prej rreth 20,300 m2.

Por 5 parcelat e tjera që janë gjithashtu mbi gjurmën e rrugës kanë mbetur jashtë marrëveshjeve me zhvilluesit. Kjo do të thotë se korridori rrugor nuk mund të realizohet pa shpronësime publike ose negociata të reja zhvillimi.

Megjithatë, mënyra si po zhvillohet projekti nuk lidhet vetëm me zgjedhjet e zhvilluesit privat.

Leja e ndërtimit për “Garda Tower” është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, pra qeveria, duke lejuar zhvillimin vetëm mbi parcelat e bashkuara nga investitori dhe duke anashkaluar logjikën e PDV-së së hartuar nga Bashkia e Tiranës, i cili parashikonte mekanizma transferimi për parcelat që binin mbi projekt-rrugën.

Në këtë mënyrë, instrumentet e planifikimit që synonin hapjen e korridorit rrugor u lanë në letër, ndërsa zhvillimi u lejua të ecë përpara edhe pa zgjidhur problemin urbanistik të zonës.

Me fjalë të tjera, një pjesë e kostos që do të duhej të zgjidhej në kuadër të zhvillimit privat mund të përfundojë duke u paguar nga buxheti publik dhe kjo nënkupton edhe më shumë kohë për t’u materializuar.

Planifikimi urban po i përshtatet projekteve

Organizimi i kantierit sugjeron se për një periudhë të gjatë, pjesa e rrugës që do të duhej të hapej për t’u bashkuar me “Dora d’Istrian,” do të mbetet e bllokuar.

Kompania ka shtrirë zonën e rrethimit deri pranë mesit të rrugës ekzistuese – që përkon dhe me kufinjtë e pronave të marra për zhvillim, por – duke e ngushtuar më tej hapësirën e qarkullimit. Nga zyra e saj, na u tha se kjo shtrirje do të jetë provizore “sa të bëhen shembjet” dhe më pas “kantieri do të tërhiqet deri në pjesën ku do të bëhen punimet e ndërtesës duke liruar dhe hapësirën për ndërtimin e rrugës”.

Kantieri i “Garda Tower” që zë ish-parkingun krah rrugës “Adem Jashari’/Citizens.al

Në planvendosje shihet gjithashtu se kulla e re ndërtohet shumë pranë një pallati ekzistues pesëkatësh, ndërsa korridori rrugor mbetet i paplotë.

Kjo do të thotë se edhe pas përfundimit të ndërtesës, realizimi i rrugës mbetet një çështje e hapur për të ardhmen.

Por, “Garda Tower” nuk është një projekt i izoluar. Zona e ish-Gardës së Republikës është kthyer tashmë në një nga nyjet më intensive të zhvillimit vertikal në Tiranë.

Aktualisht aty po ndërtohet “Platinum Tower”, një kullë rreth 35 kate, si dhe Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë.

Në të njëjtën zonë është planifikuar edhe një ndërtesë e re për Bibliotekën Kombëtare, rreth 18 kate.

Procesi për gjetjen e investitorëve për këtë projekt është shpallur dy herë nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe ka dështuar, ndërsa zhvillimi i tij mbetet i paqartë – është thënë se ai do të ndërtohet nga kompania X-One.

Në krah të këtyre projekteve është propozuar edhe kompleksi “Grand Park Skyline”, një zhvillim me tre kulla që arrijnë deri në 71 kate, një nga projektet më të larta të planifikuara në kryeqytet, që pritet të ndërtohet mbi disa prej pallateve ekzistuese nga e njëjta kompani: X-One.

Së bashku, këto ndërtime po krijojnë një korridor vertikal përgjatë një prej hyrjeve kryesore të parkut të liqenit.

Projektet e kullave dhe QKKF-së në zonën e ish-Gardës/Citizens.al

Në planifikimet urbane, infrastruktura duhet të paraprijë zhvillimin. Rrugët, transporti, hapësirat publike dhe rrjetet e kanaleve të ujërave, energjisë elektrike dhe telekomunikacionit krijojnë bazën funksionale të qytetit, mbi të cilin më pas zhvillohet dhe densiteti urban.

Ky parim garanton që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm dhe të mos prodhojë probleme. Por në Tiranë ka ndodhur gjithmonë e kundërta.

Densiteti ndërtohet i pari, ndërsa infrastruktura lihet të zgjidhet më vonë dhe në disa raste, intensiteti i ndërtimit përdoret si mjet negocimi për të zhvilluar edhe infrastrukturën publike.

Rasti i “Garda Tower” dhe projekteve të tjera te ish-Garda e ilustron këtë logjikë. Projektet shtojnë volume të mëdha ndërtimi në një nyje urbane tashmë të ngarkuar, pa zgjidhur një nga problemet kryesore të zonës: lidhjen rrugore.

Në vend që të krijojë hapësira të reja publike apo të përmirësojë qarkullimin, projektet e shtojnë presionin mbi infrastrukturën ekzistuese. Në këtë mënyrë, zhvillimi që po i ofrohet zonës nuk jep zgjidhje urbane, por përthellon problemin kryesor të saj: mungesën e hapësirave.

*Informacioni për pjesën e gjurmës së projektit dhe shtrirjes së kantierit u saktësua pas komunikimit me kompaninë.

Lexoni gjithashtu:

The post “Parku i kullave”: Nis tjetër projekt te ish-Garda appeared first on Citizens.al.

82 vota kundër: PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut

12 March 2026 at 12:01

Ashtu sikurse njoftoi në fillim të javës, shumica socialiste vendosi me forcën e kartonit të refuzojë në Kuvend kërkesën e Prokurorisë së Posacme (SPAK) për të autorizuar arrestimin e deputetes Belinda Balluku duke e kthyer çështjen e hetimit penal ndaj saj në një krizë edhe më të fortë politike.

Kërkesa e SPAK mori 47 vota “pro,” 82 “kundër” dhe asnjë “abstenim” duke i kursyer ish-zëvendëskryeministres një masë më të rëndë sigurie.

Seanca u zhvillua në klimë të tensionuar pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren e Kuvendit në shenjë proteste, ndërsa shumica socialiste vijoi direkt në votim me procedurë të përshpejtuar dhe pa diskutime.

Vendimi konfirmon qëndrimin e mazhorancës të artikuluar prej ditësh se Partia Socialiste nuk do ta lejonte arrestimin e Ballukut, duke e konsideruar kërkesën e SPAK të pajustifikuar në kushtet aktuale politike dhe institucionale.

Argumenti i mazhorancës: “Balluku s’ka më funksion ekzekutiv”

Në emër të shumicës parlamentare, deputeti socialist Ulsi Manja argumentoi në seancë se “kërkesa e SPAK kishte humbur logjikën e saj juridike” pasi “Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive.”

Sipas tij, prokuroria e kishte ndërtuar kërkesën mbi argumentin e pezullimit nga detyra, por kjo masë nuk prodhon më efekt praktik pasi ajo tashmë është vetëm deputete.

“Deputetja në fjalë [Balluku] nuk ushtron më funksione ekzekutive. Për rrjedhojë masa e pezullimit nga detyra nuk prodhon asnjë efekt real juridik”, theksoi Manja në Kuvend.

Ai shtoi se çështja e drejtësisë ishte transformuar në një “gjyq publik në sytë e qytetarëve”, duke nënkuptuar se debati politik kishte deformuar natyrën juridike të procesit.

Shumica socialiste e paraqiti vendimin si një vlerësim procedural dhe jo si mbrojtje politike të një prej ish-anëtareve kryesore të qeverisë, duke theksuar se “parlamenti nuk mund të autorizojë masa që nuk kanë më efekt praktik.”

Votimi s’pati prani të plotë

Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte kërkuar mobilizimin e plotë të grupit parlamentar socialist për këtë votim, tre deputetë të shumicës munguan në seancë.

Mes tyre ishin ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhe dhe deputeti Fatmir Xhafaj.

Xhafaj raportohet se ndodhej jashtë vendit dhe kishte qenë i pamundur të merrte pjesë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të zhvilluar disa ditë më parë.

Megjithatë mungesat nuk ndryshuan rezultatin final, pasi shumica parlamentare siguroi votat e nevojshme për të rrëzuar kërkesën e SPAK.

Çështja e Ballukut është kthyer në një nga episodet më të ndjeshme të marrëdhënies mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.

Në teori, reforma në drejtësi synonte pikërisht reduktimin e ndikimit politik në hetimet penale ndaj zyrtarëve të lartë. Por procedurat kushtetuese për arrestimin e deputetëve kërkon ende autorizim nga Kuvendi.

Ndërsa drejtësia deklarohet të jetë e pavarur për të hetuar, parlamenti mbetet filtri politik për masat ndaj deputetëve dhe rasti i Ballukut e ka ekspozuar edhe më qartë këtë tension.

Lexoni gjithashtu:

The post 82 vota kundër: PS rrëzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut appeared first on Citizens.al.

Monopatinat në Kushtetuese, kërkohet shfuqizimi i udhëzimit të ministrisë

11 March 2026 at 12:29

Aktivistë të shoqërisë civile iu drejtuan sot Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar ndalimin pa afat të monopatinave elektrike, një vendim i marrë nga Ministria e Brendshme në tetor të vitit 2025 dhe që prej atëherë ka shkaktuar debat publik për lirinë e lëvizjes dhe mënyrën e përdorimit të rrugëve.

Dy organizata të shoqërisë civile, “Qëndresa Qytetare” dhe “Drejtësi Sociale,” depozituan sot kërkesën për shfuqizimin e Udhëzimit nr. 169, datë 13.10.2025, të firmosur nga ish-ministrja e Brendshme Albana Koçiu. Aktivistët argumentuan se udhëzimi për ndalimin e monopatinave elektrike cenon disa të drejta kushtetuese, përfshirë lirinë e lëvizjes, lirinë e veprimtarisë ekonomike dhe të drejtën e pronës.

Sipas tyre, masa administrative që pasoi udhëzimin – përfshirë sekuestrimin e monopatinave nga policia – ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset që operojnë në këtë sektor.

Avokati Gentian Sejrani, nga Drejtësi Sociale, i cili përfaqëson aktivistët në këtë proces, tha se vendimi për t’iu drejtuar Kushtetueses erdhi pas disa muajsh paqartësie dhe mungese reagimi nga institucionet.

Ai argumentoi se aktualisht mbi 1,000 monopatina elektrike mbeten të bllokuara nga policia, edhe pse fillimisht autoritetet kishin deklaruar se sekuestrimi i tyre do të ishte i përkohshëm dhe nuk do të zgjaste më shumë se 30 ditë.

“Po përballemi me cenim të së drejtës së pronës dhe të lirisë ekonomike,” tha Sejrani pas depozitimit të kërkesës. “Biznese që operojnë me monopatina janë prekur drejtpërdrejt nga ky udhëzim dhe disa prej tyre po shkojnë drejt falimentimit.”

Sipas tij, vetë udhëzimi ka paqartësi për kohëzgjatjen e zbatimit dhe nuk përcakton qartë një afat për ndalimin e këtyre mjeteve.

Për këtë arsye, aktivistët kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese edhe pezullimin e menjëhershëm të udhëzimit, deri në momentin që gjykata të marrë një vendim përfundimtar mbi çështjen.

“Kjo do t’u mundësonte qytetarëve të rimarrin mjetet e tyre dhe do të shmangte një dëm të mëtejshëm,” shtoi Sejrani.

Rigels Xhemollari, nga organizata Qëndresa Qytetare, tha se aktivistët dhe përdoruesit e monopatinave kishin kërkuar për muaj me radhë një zgjidhje përmes dialogut institucional, por sipas tij përpjekjet nuk kishin marrë përgjigje.

“Aksioni i policisë ka qenë disproporcional dhe i palogjikshëm,” tha Xhemollari. “Monopatinat janë mjete që ndihmojnë në reduktimin e trafikut, ndërsa ndalimi i tyre e rëndon edhe më shumë menaxhimin e trafikut në qytet.”

Debati për monopatinat elektrike shpërtheu në tetor 2025, pasi policia nisi një aksion të gjerë në Tiranë dhe disa qytete të tjera për sekuestrimin e tyre, duke argumentuar se përdorimi i këtyre mjeteve ishte i parregulluar dhe përbënte rrezik për sigurinë rrugore.

Vendimi u mor në një kohë kur monopatinat elektrike po përdoreshin gjithnjë e më shumë në kryeqytet si alternativë transporti për distanca të shkurtra, veçanërisht mes të rinjve.

Sipas aktivistëve, ndalimi i monopatinave nuk merr parasysh problemet strukturore të transportit urban në qytetet shqiptare.

Ata argumentojnë se sistemi i transportit publik mbetet i amortizuar, ndërsa mungesa e parkingjeve dhe kostot në rritje të karburantit e bëjnë gjithnjë e më të vështirë përdorimin e automjeteve private.

Në këtë kontekst, monopatinat elektrike shihen si alternativë transporti me kosto të ulët dhe ndikim më të vogël në trafik dhe ndotje.

Xhemollari tha se janë rreth 10 mijë përdorues të këtyre mjetesh vetëm në Tiranë duke shtuar se vendimi i qeverisë nuk merr parasysh nevojat reale të qytetarëve.

Ai krahasoi situatën në Shqipëri me praktikat në kryeqytetet europiane.

“Parisi, Roma apo Berlini nuk i kanë ndaluar monopatinat,” tha ai. “Ato i kanë rregulluar përmes ligjit. Pikërisht këtë kërkojmë edhe ne: rregullim përmes parlamentit dhe jo një ndalim administrativ.”

Çështja e monopatinave mund të shënojë edhe një precedent juridik pasi kjo është hera e parë që një udhëzim ministri dërgohet drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese.

Zakonisht, aktet administrative të këtij lloji kontestohen fillimisht në Gjykatën Administrative dhe vetëm më pas, nëse lind një çështje kushtetuese, ajo kalon në Gjykatën Kushtetuese.

Në këtë rast, sipas Sejranit, aktivistët vendosën të kalojnë direkt në Kushtetuese, sepse argumenti kryesor lidhet me shkeljen e të drejtave themelore.

“Konstatimet tona kanë të bëjnë me të drejta kushtetuese,” tha ai për Citizens.al. “Për sa kohë që kemi të bëjmë me cenim të lirisë së lëvizjes, të drejtës së pronës dhe lirisë ekonomike, gjykata që duhet ta shqyrtojë është Gjykata Kushtetuese.”

Ai pranoi se kjo qasje nuk është ndjekur më parë, por shtoi se mund të krijojë një precedent për mënyrën se si aktet administrative që prekin drejtpërdrejt të drejtat themelore mund të sfidohen në të ardhmen.

“Është hera e parë që ndodh, por le të jetë një precedent,” tha Sejrani.

Ndërsa çështja kalon në Gjykatën Kushtetuese, debati për monopatinat ka nxjerrë në pah një problem më të gjerë për mënyrën se si rregullohet lëvizja urbane në Shqipëri.

Nga njëra anë, autoritetet argumentojnë se mungesa e rregullave të qarta për përdorimin e monopatinave përbën rrezik për sigurinë rrugore. Nga ana tjetër, aktivistët dhe përdoruesit e tyre thonë se ndalimi total nuk është zgjidhje dhe se vendi ka nevojë për një kuadër ligjor që të përcaktojë qartë mënyrën e përdorimit të këtyre mjeteve.

Vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese në muajt në vijim pritet të jetë vendimtar jo vetëm për fatin e monopatinave elektrike, por edhe për mënyrën se si institucionet shqiptare mund të ndërhyjnë në rregullimin e formave të reja të mobilitetit urban.

Lexoni gjithashtu:

The post Monopatinat në Kushtetuese, kërkohet shfuqizimi i udhëzimit të ministrisë appeared first on Citizens.al.

10 pika pa përgjigje për projektin “Blue Borgo”

4 March 2026 at 19:53

Kompania “Gener 2” publikoi të martën një tekst me titull “10 fakte mbi statusin ligjor dhe administrativ të projektit në Velipojë”, ku pretendoi se projekti “Blue Borgo” është në përputhje me ligjin dhe se debati mbi pretendimet për pronat, bazohet në “keqinformime”.

Por dokumentet zyrtare të marra nga Citizens.al përmes institucioneve dhe raportimet në terren tregojnë se rreth projektit mbeten plot çështje pa përgjigje. Më poshtë janë dhjetë prej tyre.

Na takon të theksojmë se redaksia jonë iu drejtua në të paktën dy raste me kërkesa për koment, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati përgjigje.

1- A ishin të ligjshme punimet e një viti më parë?

Në mars 2025 banorët e Rrjollit u përplasën me grupin e punonjësve që nisën zhvillimin e projektit “Blue Borgo”. Situata përshkallëzoi pas ndërhyrjes së policisë teksa banorët denoncuan pretendimet e tyre se kompania “Gener 2” po përpiqej t’u merrte tokat.

Kompania reagoi me një njoftim prej gjashtë rreshtash. Ajo konfirmoi se projekti kishte nisur të zhvillohej, por hodhi poshtë pretendimet duke këmbëngulur se gjithçka ishte konformë ligjit.

“Gener 2” rezulton se fitoi licencë zbatimi për projektin (NZ.4586/34) më 16 shtator 2025. Ndërsa vendimi i lejes së ndërtimit u firmos më 8 gusht 2025 dhe leja u zbardh nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) vetëm më 15 janar 2026 (Leje ndërtimi Nr.360/1).

Kjo nënkupton se punimet paraprake të vitit 2025 ishin para përmbylljes së plotë të procedurave ligjore.

2- A është verifikuar plotësisht statusi i pronësisë?

“Gener 2” thotë se ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me “palën që figuron si mbajtëse e të drejtave të pronësisë” dhe se ajo nuk ka cenuar të drejtat e askujt.

“[…] projekti është mbështetur vetëm në vendime të formës së prerë, të certifikuara në të gjitha shkallët e gjyqësorit,” thuhej në një nga reagimet.

Pamje e zonës që parashikohet të merret për shfrytëzim nga resorti Blue Borgo.

Megjithatë, “Gener 2” nuk ka treguar përmbledhje të këtyre vendimeve, titullin bazë të pronësisë, zinxhirin e kalimeve të pronës, apo dokumentet që provojnë sigurinë juridike të transaksioneve.

Në planvendosjen e lejes së ndërtimit “Gener 2” shfaqet si projektues bashkë me studion arkitekturore të Stefano Boerit, ndërsa si zhvillues kompania tjetër e zotëruar nga familja Ulaj “ABA Blue Borgo,” çka lë të nënkuptohet se pala e tretë është po një sipërmarrje e Ulajve.

Në një projekt të kësaj përmase, transparenca mbi pronësinë është element kyç për besueshmërinë e investimit.

3- Për çfarë heton Prokuroria e Shkodrës?

Sipas “Gener 2” nuk rezulton të ekzistojë as edhe një akt pezullues ndaj vijimit të projektit.

“Prona dhe procesi përkatës kanë kaluar fazat e shqyrtimit të nevojshëm sipas kuadrit përkatës, dhe mbi këtë bazë nuk rezulton ndonjë pengesë ligjore për vijimin normal të punimeve,” thuhet nga kompania.

Por, Prokuroria e Shkodrës ka konfirmuar për Citizens.al se ekziston një procedim penal i hapur mbi këtë çështje, bazuar në materialet e referuara nga SPAK (Procedimi Nr.390/2025 referuar nga Prokuroria e Posaçme më 21 mars 2025) mbi bazën e kallëzimit të bërë nga banorët për pretendime falsifikimesh të titujve të pronësisë.

Edhe pse hetimet janë ende në zhvillim, fakti që ekziston një procedim penal tregon se disa aspekte të projektit janë ende nën verifikim nga organet e drejtësisë.

4- Pse nuk ka tabelë me lejen e zbardhur në kantier?

Pas përplasjeve dhe sinjalizimeve të banorëve, buzë rrugës Shëngjin-Velipojë u vu një tabelë, e cila pavarësisht se fliste për projektin, nuk shoqërohej me lejen e zbardhur dhe firmosur të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Tabela tregon se investimi përllogaritet në vlerën prej rreth 26.8 miliardë lekë (280 milionë euro), se punimet pritet të zgjasin 5 vite (60 muaj) dhe se kur ka marrë licencën e zbatimit kompania “Gener 2”.

Tabela në kantier e “Blue Borgo”/Citizens.al

Tabela nuk ka informacion për pozicionet kadastrale, pamjet 3-D të projektit, vendosjes së strukturave që do të ndërtohen, hartën topografike, treguesit teknik për parcelat e pasurive kufitare, distancave të pronës, intensitetin e ndërtimit, koeficientin e shfrytëzimit të truallit, etj.

5- Sa i informuar ishte komuniteti lokal?

Kompania thotë se projekti është prezantuar në konsultime publike dhe se nuk ka pasur kundërshtime.

Sipas Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), për projektin qe zhvilluar konsultim në shtator 2024, në kuadër të procedurave për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis (VNM).

Konsultimi është pasqyruar në përmbledhjen jo-teknike të raportit mjedisor, ku projekti prezantohet si zhvillim turistik “me ndikim të menaxhueshëm në mjedis”.

Por banorët e zonës kanë deklaruar publikisht se u njohën me projektin vetëm kur filluan punimet në terren.

Kjo krijon një kontradiktë mes narrativës zyrtare dhe perceptimit të komunitetit lokal për sa kohë nuk ka pasur asnjë reagim tjetër sqarues nga institucionet publike.

6- Si u përjashtua projekti nga taksa e ndikimit në infrastrukturë?

Bashkia Shkodër ka konfirmuar për Citizens.al se projekti rezulton i përjashtuar nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publik akti konkret administrativ që e vendos këtë përjashtim për projektin “Blue Borgo”, as baza e detajuar ligjore që e justifikon atë.

Sipas skemës së taksave vendore, për një investim turistik të kësaj përmase në Velipojë norma e taksës së ndikimit në infrastrukturë është rreth 3% e vlerës së investimit.

Projekti i resortit “Blue Borgo”.

Nëse merret si referencë vlera e projektit që është përmendur publikisht – rreth 280 milionë euro – atëherë taksa potenciale e ndikimit në infrastrukturë do të arrinte në rreth 8.4 milionë euro.

Derisa të publikohet dokumenti që justifikon përjashtimin, mbetet e paqartë si dhe mbi çfarë baze u fal një detyrim fiskal i kësaj përmase.

7- A e plotëson projekti kriterin “brand name” për përjashtim nga taksa?

Ligji për taksat vendore parashikon një përjashtim të veçantë nga taksa e infrastrukturës për strukturat akomoduese me 5 yje, status special, por vetëm nëse ato operohen nga një markë hotelerie ndërkombëtare “brand name”.

Deri tani, as në komunikimet publike të “Gener 2” dhe as në dokumentet e bëra publike nga institucionet nuk është përmendur ndonjë markë ndërkombëtare hotelerie që do të operojë resortin “Blue Borgo”.

Në mungesë të këtij elementi, pyetja që mbetet është nëse projekti i plotësonte vërtetë kushtet ligjore për përjashtim nga taksa e infrastrukturës apo jo.

8- Pse projekti nuk figuron si investim strategjik?

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) konfirmoi dy herë për Citizens.al se për projektin “Blue Borgo” nuk rezulton asnjë vendim i Komitetit të Investimeve Strategjike.

Kjo do të thotë se projekti nuk ka statusin formal të investitorit strategjik, një status që shpesh përdoret për të justifikuar lehtësi fiskale apo procedura të përshpejtuara.

Në këtë kontekst, mbetet e paqartë mbi çfarë mekanizmi tjetër ligjor është mbështetur përjashtimi nga taksa e infrastrukturës.

9- A cenon projekti zonë të mbrojtur?

Zona ku po ndërtohet resorti “Blue Borgo” ka qenë pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Lumi i Bunës-Velipojë, konkretisht në nënzonën 1b, ku zbatohej shkalla e dytë e mbrojtjes mjedisore. Kjo kategori synonte ruajtjen e biodiversitetit dhe peizazhit natyror, duke lejuar vetëm aktivitete ekonomike dhe turistike që nuk cenonin objektivat e mbrojtjes.

Megjithatë, ndryshimet e miratuara në vitin 2024 (kur u konceptua dhe projekti) në Ligjin për Zonat e Mbrojtura përfshinë konceptin e “turizmit të ekselencës”, që lejon ndërtimin e strukturave akomoduese turistike me standarde të larta edhe brenda zonave të mbrojtura.

Zona 1b e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë/Citizens.al

Organizata si, Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) kanë paralajmëruar se kjo qasje mund të hapë rrugën për zhvillime intensive turistike në territore që më parë ishin të destinuara kryesisht për konservim.

Vetë “Gener 2” nuk ka folur për këtë pjesë dhe nuk ka garantuar qartësisht se çfarë masash ka parashikuar për të reduktuar impaktin në mjedisin e zonës.

Në këtë kuptim, konflikti në Rrjoll nuk lidhet vetëm me një resort të vetëm, por edhe me një debat më të gjerë: nëse zonat e mbrojtura duhet të mbeten hapësira prioritare për ruajtjen e natyrës apo të shndërrohen në zona zhvillimi turistik

10. Nëse dokumentet janë kaq të qarta, pse nuk publikohen të gjitha?

Në reagimin e saj publik, “Gener 2” deklaron se është e gatshme të vërë në dispozicion dokumentacionin përkatës.

Megjithatë, pavarësisht edhe kërkesave në rrugë elektronike të Citizens.al, deri më tani nga investitori nuk është mbajtur asnjë konferencë për shtyp dhe nuk është bërë publik asnjë dosje e plotë që të përfshijë: aktin e përjashtimit nga taksa e infrastrukturës, provën e ortakërisë “brand name” si hotelier ndërkombëtar, listën e kushteve të vendosura nga KKT, dhe dokumentet që provojnë përmbushjen e tyre.

Derisa këto dokumente të bëhen publike, projekti “Blue Borgo” do të vazhdojë të mbetet jo vetëm një investim i madh turistik, por edhe një histori me shumë pyetje të hapura.

Lexoni gjithashtu:

The post 10 pika pa përgjigje për projektin “Blue Borgo” appeared first on Citizens.al.

Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan

3 March 2026 at 16:48

Kryeministri Edi Rama po negocion Sazanin, një pasuri të Shqipërisë, përmes një qasjeje arbitrare të mbështetur kryesisht në marrëdhënie personale për hir të pushtetit, duke anashkaluar standardet ligjore dhe institucionale.

Që prej vitit 2024, kur Jared Kushner – dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump – shpalli interesin për ta kthyer ishullin në një resort luksoz privat, narrativa publike për Sazanin është mbushur me premtime për zhvillim ekonomik, investime elitare dhe rritje të imazhit të vendit.

Por pas dy vitesh, bilanci është ky: Kushner ka fituar marketing falas për portofolin e tij ndërkombëtar imobiliar. Rama ka fituar simpati dhe afërsi me familjen Trump, duke forcuar pozitat politike në planin e brendshëm. Ndërsa shqiptarët dhe vetë shteti shqiptar nuk kanë fituar asgjë konkrete.

Përkundrazi. Është shënuar një tjetër precedent i rrezikshëm ku një njësi territoriale e vendit po ofrohet për zhvillim në mungesë gare, transparence dhe pa garanci të qarta ligjore dhe ekonomike.

Dokumente të siguruara nga Citizens.al tregojnë se negociatat po zhvillohen formalisht në institucione dhe janë shtyrë pa afat që prej 13 nëntorit 2025. Zyrtarisht, nuk ka plan për Zvërnecin, ndërsa planet tregojnë se i gjithë ishulli i Sazanit do të privatizohet – në kontrast me narrativën fillestare se do të prekej “vetëm 8% e sipërfaqes”.

Në fakt, 45.6 hektarë (8%) nga 570 hektarë tokë janë sipërfaqja që do zihet nga ndërtimi, ndërsa projekti tregon se Sazani kthehet në ishull privat.

Përmasat reale të projektit të propozuar

Deri më tani, publiku është njohur me vetëm tre imazhe të publikuara nga Jared Kushner më 15 mars 2024 në platformën “X”: vila të shpërndara në shpatet e Sazanit dhe një vizion ndërtimesh masive mbi zonën ligatinore të Zvërnecit. Ato kanë qarkulluar thuajse në të gjitha raportimet që flasin për projekt-propozimin.

Por harta e përmbledhjes fazore të projektit, të cilën Citizens.al e disponon, tregon një realitet të ndryshëm për fatin e ishullit.

Fazat e ndërtimeve sipas fazave në ishullin e Sazanit/Citizens.al

Sipas dokumentacionit të analizuar, Sazani është propozuar të ndahet në tre rajone të përgjithshme, të organizuara sipas fazave të zhvillimit me rreth 448,000 m² ndërtime për afërsisht 970 njësi rezidenciale/hotelerie. Ishulli konceptohet si një tërësi e integruar, ku i gjithë rrjeti i rrugëve dhe i qarkullimit do të jetë në funksion të ndërtimeve.

Me fazën e parë privatizohet zemra e ishullit: Porti dhe zona qendrore – pikërisht nyja funksionale të Sazanit ku aktualisht janë dhe godinat e vjetra të ish-reparteve ushtarake, dhe është e vetmja pikë hyrëse për në ishull.

Lexo: Nga vizitor në investitor strategjik, si e siguroi Sazanin Jared Kushner

Në zonën “Marina Area” parashikohen 1,000 m² ambiente shërbimi (amenities) dhe 18,000 m² hapësira shërbimesh. Rreth saj, në “North Valley” parashikohen 39,000 m² ndërtim me 56 vila dhe 11 apartamente (condo).

“South Valley” shton 22,000 m² me 144 vila hoteliere. Ndërsa në “Central Ridge” parashikohen 63,000 m² me 56 vila dhe 26 “condo”. “West Valley” përfshin 8,000 m² me 25 vila hoteliere dhe “West Estates” 5,000 m² me 8 rezidenca private.

Kjo fazë e parë nuk duket si fazë pilotimi, pasi vendos themelet e një infrastrukture të plotë rezidenciale dhe hoteliere që e shndërron qendrën e ishullit në një kompleks të mbyllur funksionalisht.

Faza e dytë përhapet te shpatet dhe skajet bregdetare. Zhvillimi zgjerohet në skajet veri-jug dhe në kodrat e ishullit me hapësira më të mëdha imobiliare që duket se ofrohen si rezidenca.

“North Point” përfshin 30,000 m² me 35 vila. “North Ridge Estate” shton 35,000 m² me 35 “estates”. “West Estates” parashikon 23,000 m² me 20 “estates”. “South Ridge Estates” 14,000 m² me 13 “estates”. “South Point” 18,000 m² me 16 vila.

Kjo fazë prek pikërisht zonat panoramike dhe shpatet me vlerën më të lartë të peizazhit. Nga një perspektivë zhvillimi, këto duket se janë segmentet “Premium” të projektit. Nga një perspektivë publike, ato janë pjesët që deri më sot kanë qenë hapësirë e lirë natyrore dhe të paprekura.

Projekti vijon me një fazë të tretë të lënë si mundësi zgjerimi në vijim. Ky është dhe aspekti më domethënës, pasi është zona e etiketuar si “Potential Future Phase” dhe përqendrohet me një zhvillim më masiv në në perëndim të zonës portuale.

Ajo parashikon 172,000 m² zhvillim me 525 njësi (që nënkupton apartamente).

Kjo shifër e vetme ndryshon përmasën e diskutimit. Nëse realizohet, faza e tretë do ta çojë ishullin drejt një densiteti ndërtimi që praktikisht e përmbyll të gjithë hapësirën e disponueshme për projekte të tjera.

Në terma planifikimi territorial, kjo nënkupton se Sazani propozohet si një zhvillim ekskluziv dhe i vetëm, pa hapësirë për iniciativa të tjera publike apo private jashtë këtij projekti.

Kështu, narrativa fillestare e “8% të sipërfaqes” që kishte krijuar perceptimin e një ndërhyrjeje të kufizuar është tjetër gjë kur qaset kjo hartë e propozuar. Projekti nuk është i izoluar në një cep të ishullit, por shtrihet në qendër, në kreshta dhe në skajet bregdetare.

Edhe nëse raporti i ndërtimit mbi sipërfaqen totale mbetet formal, dinamika e zhvillimit tregon se ishulli do të funksionojë si një kompleks i vetëm privat.

Kontrasti i ndërtimeve të propozuara dhe relievit që ka Sazani/Citizens.al

Me këtë plan, Sazani nuk është thjesht një resort. Ai është një territor i projektuar për një përdorim ekskluziv, të integruar dhe të centralizuar nën një operator të vetëm.

Dhe kjo presupozohet ta zhvendosë debatin nga “sa përqind ndërtohet” te pyetja se “çfarë mbetet realisht publike”?

Grupi negociator ekziston vetëm si “formalitet”

Citizens.al ka mësuar se grupi negociator që ka diskutuar dhe firmosur dokumente për Sazanin nga 13 janari deri më 27 tetor 2025 është mbledhur gjithsej 10 herë.

Grupi prej nëntë anëtarësh përbëhej nga:

  • Elira Kokona, drejtuese e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH);
  • Ermal Nufi (sot ministër i Mbrojtjes), atëherë përfaqësues i Kabinetit të Zëvendëskryeministrisë;
  • Sofjan Jaupaj (sot ministër i Mjedisit), atëherë zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit;
  • Ami Kozeli (sot drejtor i ARRSH), atëherë zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë;
  • Enkelejd Musabelliu, zëvendësministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit;
  • Eldi Çondi, drejtor kabineti në Ministrinë e Financave;
  • Aleks Marku, sekretar i Ministrisë së Mbrojtjes;
  • Alban Binaj, administrator i Albanian Seasports Development (ASD);
  • Fiona Beqiri, drejtuese projektesh nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Ky grup u ngrit si strukturë teknike pas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike në fund të vitit 2024, i cili i dha statusin e investitorit strategjik propozimit të Kushnerit.

Në teori, ky është mekanizmi standard: Shteti krijon një trup negociues dhe përmes tij diskuton kushtet me investitorin. Por në praktikë, dokumentet tregojnë tjetër gjë.

Lista e mbledhjeve përfshin prezantime, plane veprimi, diskutime mbi një memorandum mirëkuptimi dhe – në fund – diskutime për shtyrjen e afatit të negociatave.

Nuk ka të dhëna të qarta të botuara për takime të përbashkëta intensive me investitorin. Nuk ka procesverbale që dokumentojnë negociata konkrete mbi territorin, të drejtat e përdorimit apo detyrimet ekonomike.

Sipas AIDA-s, investitori është përfaqësuar “në rrugë zyrtare” nga Asher Abehsera si administrator. Por nuk sqarohet se cilin subjekt juridik ka përfaqësuar ai konkretisht, teksa nuk janë publikuar dokumentet e autorizimeve.

Kryeministri Rama dhe Ivanka Trump gjatë takimit në Vlorë, janar 2026/Citizens.al

Kjo lë të hapur mundësinë që negociatat të jenë zhvilluar kryesisht përmes shkresave apo ndërmjetësimeve të tjera informale, me gjasë edhe të një përfaqësuesi, apo bashkëpunëtori lokal, që mund të ketë parakontrata për t’u angazhuar si nënkontraktor në zhvillimin e projektit.

Ndërkohë, jashtë institucioneve, raportimet mediatike tregojnë një angazhim shumë më intensiv: vizita, dreka, darka dhe pritje të nivelit të lartë, ku projekti është diskutuar me praninë e drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama.

Lexo: Darka e Sazanit: Si u vu pasuria publike në tryezë

Në këtë dualitet, grupi teknik duket më shumë si një artificë procedurale sa për të përmbushur një detyrim ligjor, teksa vendimmarrja e vërtetë duket se është në varësi të qejfit dhe ecurisë së marrëdhënieve personale të Kryeministrit me familjarët e Trumpit.

Negociata pa afat dhe pa shpjegim

Negociatat për zhvillimin e Sazanit duhet të përfundonin më 13 nëntor 2025, por kjo datë nuk u respektua dhe u shty pa afat. AIDA pranoi për Citizens.al se shtyrja është bërë “me dakordësi të palëve”, por nuk dha arsye konkrete dhe asnjë datë përfundimtare të re, pavarësisht këmbënguljes së Citizens.

Në negociatat për investime strategjike, shtyrjet zakonisht lidhen me pengesa reale si statusi juridik i tokës, konfliktet e pronësisë, kushtet gjeologjike, mosdakordësitë financiare etj. Por asnjë prej këtyre arsyeve nuk është përmendur.

Ndërkohë, dihet se ishulli nuk ka infrastrukturë bazë – mungojnë uji dhe energjia elektrike – elemente thelbësore për një zhvillim të qëndrueshëm.

AIDA deklaron se detajet do të bëhen publike vetëm kur marrëveshja të përfundojë. Me fjalë të tjera, qytetarët do të informohen pasi Rama të ketë shërbyer darkën e radhës dhe vendimi të jetë praktikisht i pakthyeshëm.

Zyrtarisht, AIDA deklaron se projekti përfshin vetëm Sazanin dhe nuk ka asnjë aplikim për Zvërnecin. Megjithatë, gjatë janarit, delegacioni i lidhur me Ivanka Trump vizitoi edhe atë zonë dhe zhvilloi një takim me arkitektë dhe zyrtarë të lartë.

Lexo: “Shteti si agjent imobiliar”, nga Sazani te Zyber Hallulli

Pse një zonë që “nuk është pjesë e projektit” përfshihet në itinerarin e pritjeve atëherë? Ose Zvërneci përdoret për të zgjeruar narrativën e zhvillimit dhe për të forcuar jehonën e portofolit të Jared Kushner – pra si marketing, – ose ekziston një plan paralel që nuk është formalizuar ende.

Në të dy rastet, komunikimi publik nuk përputhet me dokumentet zyrtare dhe ata që humbin janë po qytetarët shqiptarë, institucionet dhe sundimi i ligjit.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) pranoi për Citizens.al se përfaqësuesit e saj kanë qenë të pranishëm në aktivitetet e zhvilluara gjatë vizitës së Ivanka Trump në Vlorë. Por kjo agjenci theksoi se roli i saj ka qenë “orientues institucional” se “nuk ka qenë organizatore” dhe as “nuk di kush e ka organizuar aktivitetin”.

Pamje nga ishulli i Sazanit/Citizens.al

Kjo krijon një situatë paradoksale. Një institucion shtetëror merr pjesë në një aktivitet që lidhet me një investim strategjik në territor, por nuk ka informacion bazë për organizatorin apo strukturën e tij.

Në praktikë, kjo sugjeron një model abuziv dhe tejet arbitrar vendimmarrjeje ku takimet private kanë praninë e shtetit, por jo përgjegjësinë administrative të tij.

Diplomacia e investimeve dhe “Shtëpia Trump”

Historia e Sazanit shkon përtej një projekti turistik. Ajo prek mënyrën se si Shqipëria – një vend kandidat për Bashkimin Evropian – administron pasuritë publike dhe ndërton marrëdhënie me aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë.

Një nga standardet themelore të BE-së është konkurrenca e hapur dhe transparenca në menaxhimin e pronës publike. Projekti i Sazanit nuk është rezultat i një gare ndërkombëtare, por i një negocimi të drejtpërdrejtë.

Në raste të tjera me oferta të pakërkuara, është hapur të paktën një garë formale. Me Sazanin, pas dy vitesh, ende negociohet pa përfundim.

Në një rajon ku mbështetja ndërkombëtare shihet si garanci sigurie politike, investimet mund të marrin edhe dimension diplomatik. Por kjo ngre një pyetje thelbësore: A po përdoret zhvillimi ekonomik si instrument për afërsi politike? Nëse po, me çfarë çmimi?

Sepse debati nuk është më vetëm për një resort. Është për mënyrën se si një shtet i vogël negocion me aktorë të mëdhenj: Përmes ndjekjes së ligjit, procedurave të hapura dhe konkurruese, apo përmes marrëdhënieve të privilegjuara që premtojnë jo vetëm kapital, por edhe afërsi me fuqinë e “Shtëpisë Trump”.

Në fund kush do ta gëzojë këtë afërsi politike dhe sa do të zgjasë ajo, do ta gëzojë shteti shqiptar apo kryeministri aktual.

Lexoni gjithashtu:

The post Një ishull tërësisht privat: Përmasat reale të projektit në Sazan appeared first on Citizens.al.

Mes renderëve dhe realitetit, në kërkim të Parkut të Besimit në Petrelë

22 January 2026 at 20:06

Ditëve të javës, kodrat e Petrelës vijojnë një përgjumje të gjatë e të heshtur, kryesisht për shkak të mungesës së vizitorëve. Kjo heshtje nis nga ullishtat, vazhdon mbi muret e kalasë dhe humbet në kthesat e rrugicave që lidhin qendrën e fshatit me rrugën kryesore drejt Tiranës.

Në një ditë të kthjellët, kryeqyteti duket pranë. Zhurmat e makinave në rrugën për në Elbasan dëgjohen deri lart. Një horizont vilash, pallatesh dhe kullash gri të kujton se metropoli është vetëm 15 minuta larg. Por në shtigjet e këtyre kodrave, ndjesia e afërsisë humbet shpejt.

Petrela mbetet një vend që duket sikur është gjithmonë pranë diçkaje, një zhvillimi të madh që mbetet në pritje prej kohësh, por që nuk ka ardhur kurrë.

Në hyrje të fshatit, pak pasi kalon restorantet e para, një tabelë e gjelbër e rrëzuar përtokë bën me shenjë për te “Faith Park” (Parku i Besimit). Sipër saj, një tabelë tjetër drejton për te “Kengo Art Park”. Më tutje, dy tabela të tjera të bëjnë konfuz (foto; foto).

Tabelat e rrugës për në Petrelë/Citizens.al

Ato duket se ngatërrojnë edhe vetë banorët, të cilët nuk dinë të thonë me siguri se cila është e saktë, ku është “Parku i Besimit” dhe ku “Kengo Art Park”.

Në fakt, “Parku i Besimit” nuk ekziston, së paku për momentin. Ndërsa “Kengo Art Park” është duke u ndërtuar. Por ka qenë një ditë kur të dy këto emra parqesh ishin i njëjti vend.

Ngjan si lojë fjalësh, por kjo është zanafilla e këtij reportazhi, dy projekte parqesh që ekzistojnë njëkohësisht si ide arkitekturore dhe si paqartësi lokale. Projekte që në prezantime shfaqen futuristike, ndërsa në terren ndeshin rrugë me gropa, mbetje urbane, ndërtime të braktisura dhe një komunitet që nuk ka informacion.

Konkursi ndërkombëtar në një ish-repart ushtarak

Më 11 tetor 2025, një varg makinash me zyrtarë dhe arkitektë të huaj u ngjit në anën perëndimore të Petrelës. Destinacioni nuk ishte kalaja, as restorantet e njohura buzë kodrës.

Ishin kapanonet e një ish-reparti ushtarak, poshtë rrugës “Sheh Mehmet Kuqi”, të cilat prej gushtit 2024 ishin kthyer në kantier ndërtimi për atë që zyrtarisht njihet si “Parku Tematik Kulturor Tirana Art Garden”.

Aty u prezantuan projektet finaliste për thirrjen e Korporatës së Investimeve Shqiptare për “Parkun e Besimit” (Faith Park), një koncept-ide që synon të materializohet në kodrat verilindore mes Petrelës dhe zonës së Përsqopit, një sit arkeologjik ilir.

Pamje nga kodrat e Petrelës/Citizens.al

Sipas konceptit fitues – nga studioja daneze e Bjarke Ingels – “Parku i Besimit” nuk është thjesht park rekreativ. Ai është menduar si hapësirë ndërfetare, një kompleks që përfaqëson bashkëjetesën mes besimeve, një ide që politika shqiptare e përdor shpesh për prezantim ndërkombëtar.

Ingels është një arkitekt i diskutueshëm për impaktin që projektet e tij kanë pasur mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, përfshirë debatin mbi Teatrin Kombëtar dhe kullën “Pixel”.

Lexo: Bjarke Ingels në Petrelë: “Parku i Besimit” mbi zonën antike të Përsqopit

Ai propozoi zhvillimin e kodrave me një sistem shtigjesh të gjarpëruara bimësie në formën e një “peme të jetës”, që përfshin besimet me vlerat, simbolet dhe konceptet e tyre. Zona, sipas tij, zhvillohet njëkohësisht si park, muze, vend pelegrinazhi, meditimi dhe rekreacioni.

“Një hartë e evolucionit të rrugëtimit shpirtëror të njerëzimit mbi topografinë e këtij shpati mali që përshkohet deri në qiell,” u shpreh Ingels gjatë prezantimit në tetor.

“Kremtojmë harmoninë e besimeve fetare,” vijoi ai teksa në renderë shfaqeshin pemë dhe shkurre tropikale si palma apo frangipani.

Krahas kësaj ideje disi utopike, parashikohen edhe një fshat ekologjik, hotel, bare dhe restorante për akomodim, pra zhvillim imobiliar me një total investimi që kërkon rreth 23.5 milionë euro.

“Kengo Art Park” në fazë ndërtimi, shkurt 2026/Citizens.al

Në renderët e prezantimit, Petrela dukej si një peizazh mesdhetar i kuruar: ndërtesa shumëngjyrëshe të shkrira në relievin e gjelbëruar kodrinor.

Por në terren, në të njëjtën ditë, pranë kapanonit ku zhvillohej konkursi, punëtorët e kompanisë “Salillari” vazhdonin punën për parkun artistik “Tirana Art Garden”, i cili pak javë më vonë kur atë e vizitoi sërish Kryeministri Rama, u prezantua zyrtarisht “Kengo Art Park”, pjesë e një investimi rreth 3.5 milionë euro për transformimin e ish-bazës ushtarake në destinacion kulturor.

Kështu, projekti i së ardhmes “Faith Park” u prezantua mbi një projekt të së tashmes “Kengo Art Park,” që ende nuk ishte realizuar dhe madje ndryshoi emrin pa u hapur – u quajt në nder të arkitektit japonez Kengo Kuma.

“Kengo Art Park” duhej të kishte përfunduar në shkurt, por punimet pritet të zgjasin deri në shtator 2026.

Një projekt që Petrela e mësoi nga televizioni

Në sheshin e vogël pranë kalasë, dy lokalet e vetme kanë punë kryesisht pasditeve, prej muajit të Ramazanit.

Teksa binte muzg, dy burra rreth të pesëdhjetave prisnin që e zonja e një prej lokaleve t’u sillte kafenë. Pasi u prezantuam, i pyeta nëse dinin gjë për “Parkun e Besimit” dhe nëse po, se ku do të zhvillohej.

“E morëm vesh vetëm nga televizori, që erdhi Rama andej poshtë,” tha njëri prej tyre. “Por se ku do bëhet dhe çfarë është fiks, nuk dimë.”

Pak më poshtë, një banor i zonës po krasiste pemët buzë rrugës. Edhe ai nuk e kishte të qartë për çfarë bëhej fjalë për “Parkun e Besimit”.

“Më kanë thënë [se do të bëhet] nga ana tjetër, poshtë, nga ullishtat, afër zip-line,” tregoi ai. “Por s’na ka pyetur njeri, s’dimë gjë.”

Sheshi “Mamica,” Petrelë/Citizens.al

Prej tetorit 2025, askush në qendrën e fshatit nuk kishte informacione të tjera për projektin veç faktit se zonën e kishte vizituar dy herë Rama dhe se vizitat e tij i kishin parë në televizor.

Ky është dhe paradoksi i zakonshëm i zhvillimeve të mëdha në vendin tonë ku komuniteti që preket nga projektet është shpesh i fundit që merr informacion.

Në dokumente, informimi nis pas studimeve të fizibilitetit dhe vijon me konsultimet publike. Në praktikë, ai nis vetëm pasi projekti bëhet lajm në media.

Turizmi që erdhi vetë

Ndryshe nga burrat e fshatit, Xhulio, një i ri në të tridhjetat, e sheh ndryshimin si mundësi. Ai është ndër të kthyerit nga emigracioni dhe prej një viti drejton një biznes turizmi aventuror me ture quadbike në kodrat përreth Petrelës.

“Zona është ideale, me terren të përshtatshëm dhe peizazh fantastik,” thotë ai. “Afër Tiranës, por duket si larg.”

Sipas Xhulios, vizitorët kërkojnë më shumë se një destinacion dhe Petrela mundet t’ua ofrojë atë, pra kalanë, shtigjet, restorantet, natyrën dhe ndjesinë e një përvoje të përzier në një vend të vetëm.

“Sa më shumë aktivitete të ketë, aq më mirë për të gjithë sepse rrit ofertën turistike dhe kohën e qëndrimit të vizitorëve,” thotë ai.

Edhe Xhulio tha se nuk kishte informacion të zgjeruar për projektin, por u shpreh optimist se nëse ndërhyrjet e zotuara bëhen pa dëmtuar mozaikun historik e kulturor të zonës, do të sjellin zhvillim ekonomik.

Sipërmarrja e Xhulios, e cila ndërthur edhe risitë e tekonologjisë me rezervimet online, është në kontrast me hotelet dhe restorantet e kodrave përtej, që kanë mbyllur aktivitetin prej vitesh dhe shfaqen si relike të një turizmi që nuk u konsolidua kurrë.

Rruga ku fillon projekti

Për të parë zonën ku parashikohet ndërtimi i “Parkut të Besimit” duhet të ndjekësh rrugën e Durishtit në verilindje të Petrelës.

Asfalt nuk ka. Segmenti është me çakull dhe në disa pjesë i dëmtuar nga rrëshqitjet e dheut (foto; foto; foto). Anash shfaqen ndërtesa gjysmë të braktisura: dy hotele dhe një tjetër i papërfunduar në majë të kodrës (foto).

Një nga shtigjet e devijuara prej rrëshqitjet e tokës/Citizens.al

Më tej shihen pirgje mbeturinash dhe inerte, ndërsa në thellësi një pjesë e kodrës është zhveshur nga bimësia. Kjo të sjell ndërmend zotimin që Ingels bëri gjatë prezantimit:

“Të gjitha ndërtimet do të bëhen në zona ku ka pasur gërmime. Nuk do të gërmojmë thuajse fare dhe nuk do të heqim asnjë pemë.”

Por të gjitha janë gjurmët e një optimizmi të vjetër, të asaj vale investimesh të viteve 2000-2010 kur Petrela shihej si periferia turistike e ardhshme e Tiranës, por që u tradhtua nga infrastruktura që nuk erdhi kurrë deri këtu.

Sot ato ndërtesa janë monumente të një zhvillimi që nuk u mbështet dhe nuk u materializua.

Dhe pikërisht mbi këtë terren planifikohet një projekt që entuziazmon edhe arkitektë me reputacion ndërkombëtar si Bjarke Ingels, i cili e quan gjendjen aktuale si “një plagë” që duhet shëruar.

Por projekti i parkut përfshin edhe të paktën tetë parcela pronash private, dhe këtu nisin pyetjet kryesore.

Zona e Përsqopit njihet edhe për gjurmë arkeologjike ilire dhe mbetet e paqartë nëse preket zona e mbrojtur apo dhe ajo buferike. Pyetjet për këto shqetësime drejtuar Ministrisë së Kulturës, Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Korporatës së Investimeve nuk morën përgjigje.

Heshtja institucionale shpesh është forma më konkrete e informimit në projekte të tilla.

“Parku i Besimit” është ende një ide. Por në Petrelë ideja duket se ka nisur të ndikojë realitetin përpara se të ekzistojë fizikisht: në biseda, pritshmëri, çmime toke dhe vilash që reklamohen për shitje, si dhe në mënyrën sesi banorët e imagjinojnë të ardhmen.

Mes këtyre dy kohësh, kohës së projektit dhe kohës fizike, do të vendoset nëse vërtetë “Parku i Besimit” do të bëhet zhvillim, apo thjesht një tjetër premtim në rrethinat e Tiranës.

Deri atëherë, tabela e rrugës në Petrelë do të vazhdojë të tregojë njëkohësisht edhe “Faith Park” edhe “Kengo Art Park”, por askush nuk do ta dijë se ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri.

Lexoni gjithashtu:

The post Mes renderëve dhe realitetit, në kërkim të Parkut të Besimit në Petrelë appeared first on Citizens.al.

Largimi i Ballukut, riorganizim kabineti apo menaxhim kostosh politike?

27 February 2026 at 12:35

Pasi i ofroi për rreth katër muaj mbrojtje politike ndaj kërkesave të SPAK-ut për ta arrestuar, Kryeministri Edi Rama vendosi të enjten të shkarkojë Belinda Ballukun si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ajo ishte e pezulluar me vendim të Gjykatës së Posaçme, vendim i cili mbeti në fuqi pavarësisht ankimit që qeveria i bëri në Gjykatën Kushtetuese.

A u tërhoq vërtetë Rama nga Balluku?

Largimi i Ballukut nga qeveria nuk erdhi si një lëvizje e zakonshme riorganizimi të kabinetit.

Njoftimi u bë pas një mbledhjeje të gjatë me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, të dominuar nga kritikat ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe sistemit të drejtësisë, çka e zhvendosi menjëherë këtë zhvillim nga një vendim administrativ në një zhvillim institucional.

Në të njëjtën mbrëmje, portofoli i Infrastrukturës dhe Energjisë nuk iu besua një figure të re politike apo teknike nga jashtë, por një vartësi të drejtpërdrejtë të Ballukut: Enea Karakaçi, i cili drejtonte Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSHE).

Ky detaj është ndoshta më domethënësi. Rama ndryshoi ministren (dhe ministri të tjera), por jo strukturën që drejton sektorin më të madh financiar të qeverisë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përqendron projektet më të mëdha publike: rrugët kombëtare, koncesionet, energjetikën, aeroportet dhe portet. Në praktikë, aty kalon pjesa më e madhe e investimeve kapitale të qeverisë, po ashtu edhe kostot politike.

Për këtë arsye, çdo ndryshim në drejtimin e saj zakonisht shoqërohet me ndryshim kursi, qasje të politikave, investimeve, ose rishikim kontratash. Por në rastin konkret, asnjë nga këto nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, Balluku lavdërohet edhe në ikje si ministrja më e suksesshme e qeverisë.

Ndaj, vendimi duket më shumë si distancim nga një figurë sesa si rishikim i politikave që drejtonte Balluku, pavarësisht se Rama nuk e shprehu qartësisht këtë gjë të enjten.

Qeveria ruajti aparatin administrativ dhe vazhdimësinë e projekteve, duke lënë të kuptohet se nuk kemi të bëjmë me një përgjegjësi politike për mënyrën e qeverisjes së sektorit, por me një menaxhim të kostos së saj publike.

Kjo përforcohet  nga ngritja në postin e ministrit të Mbrojtjes (në vend të Pirro Vengut) të Ermal Nufit, i cili më herët ka qenë drejtor kabineti për zëvendëskryeministren Balluku.

Konteksti i bën këto zhvillime edhe më të rëndësishme. Largimi i Ballukut bëhet në një moment tensioni të hapur mes ekzekutivit dhe SPAK-ut. Për herë të parë, kritikat ndaj drejtësisë nuk kanë qenë thjesht deklarata të izoluara politike, por pjesë e një komunikimi institucional qeveritar.

Në këtë kuptim, lëvizja duket më pak si një reagim ndaj performancës si ministre – vënë seriozisht në diskutim pas dëmtimeve serioze në disa rrugë kombëtare të vendit – dhe më shumë si një reagim ndaj rrezikut juridik që prodhon hetimi penal ndaj saj në nivele të larta.

Pak ditë më parë, qeveria propozoi ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që synojnë të kufizojnë pezullimin e zyrtarëve të lartë nga detyra gjatë hetimeve – një prej mjeteve kryesore që SPAK përdori për të parandaluar mundësinë e prishjes së provave nga Balluku.

Me rastin “Balluku”, reforma në drejtësi ka krijuar për herë të parë një rrezik real penal për qeveritarët, dhe politika duket se po përshtatet me këtë realitet të ri.

Ky “lëshim” i Ballukut nga qeveria nuk e zhvesh atë nga imuniteti si deputete. Pra SPAK nuk mund ta arrestojë gjithsesi.

Me këtë zhvillim, qeveria nënkupton se pezullimi apo largimi i saj nga postet e larta janë të mjaftueshme për të mos-penguar hetimet, megjithëse SPAK ka raportuar në Këshillin e Mandateve se dëshmitarë në çështje janë kërcënuar.

Lexoni gjithashtu:

The post Largimi i Ballukut, riorganizim kabineti apo menaxhim kostosh politike? appeared first on Citizens.al.

Alternativat që shmangin rrugën e bllokuar Elbasan-Qafë Thanë

25 February 2026 at 13:31

Bllokimi i aksit Elbasan-Qafë Thanë, pranë Dragostunjës në Librazhd, ka nxjerrë në pah varësinë e pothuajse gjithë juglindjes së vendit nga një korridor i vetëm rrugor.

Prej fundjavës, rrëshqitja e dherave dhe dëmtimi i urës në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës” ka ndërprerë lidhjen kryesore me Tiranën për Korçën, Pogradecin, Prrenjsin, Librazhdin dhe rrethinat e tij.

E njëjta zonë është edhe pjesë e punimeve të Korridorit VIII. Ndërhyrjet në shtratin e lumit Shkumbin kanë krijuar tension mjedisor dhe social, të raportuar më herët nga Citizens.al dhe organizatat mjedisore.

Por, si arrihet sot juglindja nga kryeqyteti dhe anasjelltas? Banorët e zonave pranë vendit ku ndodhi shembja, por dhe linjat e udhëtarëve dhe transportit të mallrave po përballen me kosto dhe kohë më të larta udhëtimi.

Më poshtë Citizens.al sjell disa nga alternativat që po përdoren aktualisht për të qasur juglindjen me Tiranën.

Duhet theksuar se shumica e rrugëve alternative janë në gjendje të vështirë, nuk përballojnë fluksin e shtuar dhe ofrojnë pak ose aspak siguri dhe mbështetje për: pika karburanti, vende pushimi apo shërbime bazë përgjatë udhëtimit.

Rruga juglindore dhe devijimi lokal

Korçë-Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan-Tiranë

Kjo është ndër rrugët më të përdorura aktualisht. Distanca është rreth 170 kilometra dhe mund të përshkohet për 3-5 orë udhëtim në varësi të fluksit të trafikut.

Segmentet malore dhe kthesat e shumta, sidomos në zonën e Moglicës, e bëjnë të lodhshme dhe të rrezikshme, veçanërisht gjatë natës.

Rruga nga Moglica dhe alternativa tjetër me devijimin nga fshatrat e zonës.

Ndërkohë po përdoret edhe një devijim përmes fshatrave lokal dhe vijimit përgjat një segmenti të ish-rrugës “Egnatia”.

Kjo rrugë devijon nga aksi kryesor për të shmangur Dragostunjën dhe urën e dëmtuar. Nis nga Librazhdi, kalon nga fshatrat si Spathari, Dardha dhe del në Hotolisht, me një gjatësi rreth 170 kilometra dhe kërkon rreth 4-6 orë udhëtim.

Pjesa e devijimit ka rrugë të ngushta, të paasfaltuara, me çakull e baltë dhe pjerrësi të forta. Përdoret kryesisht nga automjetet private, por tashmë po krijon radhë të gjata dhe trafik të rënduar.

Rruga jugore

Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Tepelenë-Fier-Durrës-Tiranë

Konsiderohet alternativa më e sigurt për të shmangur segmentin Qafë Thanë-Elbasan (dhe anasjelltas). Në praktikë është një “devijim kombëtar”: juglindja lidhet me Tiranën përmes jugut të vendit.

Ajo parashikon rreth 370 kilometra rrugë e cila mund të përshkohet për rreth 6-8 orë udhëtim.

Rruga nga jugu dhe me kalimet nga RMV.

Megjithëse relativisht e sigurt, distanca dhe koha është thuajse e dyfishtë duke e bërë pak të konsiderueshme për udhëtarët.

Ajo këshillohet për autobusët interurbanë, mjetet e rënda dhe udhëtimet jo urgjente.

Rruga ndërkufitare me Maqedoninë e Veriut

Korçë-Pogradec-Qafë Thanë/Tushemisht-Strugë/Ohër-Dibër-Bllatë-Rruga e Arbrit-Tiranë

Kjo rrugë prej rreth 220-240 kilometrash mund të përshkohet për 4-6 orë udhëtim.

Konsiderohet alternativë praktike, por njëkohësisht si një treguese e fortë e situatës: për të shkuar në Tiranë nga Korça duhet të dalësh jashtë Shqipërisë.

Kalimi bëhet nga pikat kufitare të Qafë Thanës ose Tushemishtit drejt Strugës apo Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe rikthimi në Shqipëri nga Bllata, për të vazhduar në Maqellarë dhe më pas në Rrugën e Arbrit.

Ia vlen vetëm nëse rrugët e tjera janë të mbingarkuara dhe udhëtarët kanë dokumentet e nevojshme. Në orët e pikut, pritjet në doganë e bëjnë kohën e mbërritjes të paparashikueshme.

Alternativat e rrugëve më sipër nuk janë thjesht një lajm për trafikun, por panoramë e qartë se planifikimi i zhvillimit të infrastrukturës në vend ka probleme serioze.

Një korridor kombëtar i shoqëruar me projekte strategjike të zgjerimit hasi dëmtime dhe rrëshqitje dherash aq sa të izolojë një rajon të tërë.

Lexoni gjithashtu:

The post Alternativat që shmangin rrugën e bllokuar Elbasan-Qafë Thanë appeared first on Citizens.al.

€450 milionë projekte të Korporatës “gati për leje” pa transparencë

19 February 2026 at 16:57

Sipas qeverisë shqiptare, një seri projektesh të ndërmjetësuara nga Korporata e Investimeve (KISH), me vlerë që i kalon 450 milionë euro, po i afrohen fazës së lejeve të ndërtimit.

Por ndërsa projektet e kullave shtohen, dokumentet që përcaktojnë detajet e marrëvesheve financiare mbi tjetërsimin e pronave publike mbeten të panjohura, duke lënë në hije transparencën dhe përfitimin real të publikut nga ky transformim.

Gati “për leje” nga hiçi

Në fund të janarit, në një nga sallat e ish-Hotel Dajtit, gjatë konkursit për projektin fitues të Shtëpisë së re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve, Drejtuesja e KISH, Elira Kokona dhe Kryeministri Edi Rama njoftuan diçka që kaloi pa debat publik: disa nga projektet e ndërmjetësuara nga Korporata ndodhen tashmë “në fazë të avancuar” dhe një pjesë e tyre “gati për të marrë lejet”.

Në ekranet e prezantimit u shfaqën projektet e ndërtesave të reja, shumica me kulla. Për herë të parë u shfaqën publikisht edhe shifra: një portofol investimesh që i afrohet 1 miliard eurove.

Por sërish u anashkalua një detaj thelbësor, shumica projekteve do të ndërtohen mbi prona publike dhe publiku di pak ose aspak për fatin e tokave aq të lakmuara nga sektori imobiliar.

“Shtatë objekte ndërtimore janë gati për të marrë lejen e ndërtimit,” tha Kokona para konkursit.

Ajo nënkuptoi se në këtë listë përfshinte edhe projektet e dy rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, që iu dhanë privatëve për t’u kthyer në hotele.

“Punët vijojnë me përfundimin, në ditët në vijim, të negocimit për dy hotelet […] të cilat gjithashtu fillojnë fazën e aplikimit për leje,” vijoi Kokona duke kërkuar mbështetjen nga Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT).

Lexo: Rezidencat qeveritare do jepen për hotele te privati

“[…projektet] janë tanimë në një fazë të avancuar dhe madje një pjesë e tyre janë gati për të marrë lejen e zhvillimit dhe për të filluar nga puna,” u shpreh Rama si për të saktësuar faktin se si fillim nevojiten lejet e zhvillimit dhe përpara ka ende procedura për t’u ndjekur.

Leja e zhvillimit është një nga dokumentet bazë për të vijuar implementimin e një projekti. Ajo jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), që drejtohet nga Kryeministri Rama dhe organizohet nga AZHT, që luan rolin e sekretariatit.

Leja e zhvillimit përcakton në parim kushtet se sa dhe si mund të ndërtohet në një truall: intensitetin, volumetrinë, numrin e kateve dhe distancat nga kufijtë. Ajo nuk të mundëson të drejtën për të nisur punimet.

E drejta për të ndërtuar mundësohet vetëm nga leja e ndërtimit, e cila jepet po nga KKTU-ja, që miraton edhe projektin teknik, arkitekturor dhe zbatimin konkret brenda kushteve të lejes së zhvillimit. Ajo i jepet ndërtuesve vetëm pas plotësimit të kushteve tekniko-ligjore si dhe pagesës së taksës së ndikimit mbi infrastrukturë.

Sidoqofshin projektet e ndërmjetësuara me KISH – pra, në pritje të lejes së zhvillimit, apo të ndërtimit – deklarata e 29 janarit, nënkupton se ato kanë tashmë një kontratë të nënshkruar dhe pronat publike janë dakordësuar të zhvillohen.

Transparenca, thjesht formalitet

Pas deklaratave të Kryeministrit dhe drejtueses së KISH, Citizens.al kërkoi zyrtarisht nga Korporata listën e projekteve “në fazë të avancuar”, statusin e negociatave me investitorët, përfitimin që do të marrë shteti prej tyre dhe kontratat paraprake mbi të cilat mbështeten këto zhvillime.

Lexo: Thirrjet “pa garë” dhe “pa llogari” të Korporatës së Investimeve

Përgjigjja ishte e shkurtër: informacioni gjendet në faqen zyrtare të KISH. Në pamje të parë kjo duket përgjigje administrative. Por verifikimi i publikimeve tregon krejt tjetër gjë.

Kontrolli i të gjitha njoftimeve të publikuara nga Korporata tregon një model të përsëritur. Ajo publikon konkurset arkitekturore, studiot fituese, vizualizimet “3D”, por jo studimet e fizibilitetit, verifikimet e bëra për kapacitetet e investimit, garancitë, apo dhe marrëveshjet financiare me ndërtuesin.

Mungojnë kontratat paraprake të negociuara, kushtet e dakordësuara dhe mbi të gjitha vlerat e përfitimit që do të marrë shteti nga shfrytëzimi i pronave publike për qëllime ndërtimi privat.

Me fjalë të tjera, publiku sheh ndërtesat që do të ndërtohen, por jo pazaret që qeveria finalizon me privatët.

Çfarë fitojmë ne nga këto? Kush janë mekanizmat që mbrojnë nga abuzimet?

KISH nuk është një zhvillues publik klasik dhe as investitor. Korporata funksionon si ndërmjetësuese ekonomike: identifikon prona shtetërore, organizon gara për investitorë dhe negocion zhvillimin e tyre.

Lexo: Shkëmbimi jetimore-kulla përplas qeverinë me pronën private

Deri më sot të gjitha thirrjet janë çuar para nga arkitektë të huaj, por asnjë prej tyre nuk ka thithur investitorë të huaj. Një e metë që qeveria dhe Korporata përpiqen ta mënjanojnë nga diskursi publik.

Në praktikë, mënyra përmes së cilës pronat publike po shndërrohen në marrëveshje ekonomike me ndërtuesit vendas është përmes përqindjeve të sipërfaqes që merr shteti në raport me vlerën e tokës.

Pikërisht ky element, çmimi real i pasurisë publike, është ai që nuk publikohet, madje në disa thirrje ku përqindja e kërkuar ka zbritur në rreth 40% nuk shoqërohet me shpjegime.

Një rast konkret: në thirrjen për Lift Tower, fillimisht Korporata kërkonte minimalisht 45% të sipërfaqes, por me thirrjen e rihapur, këtë muaj, kërkon 40%.

Projektet “gati për leje”

Në prezantimin e janarit u identifikuan 5 projekte që konsiderohen në prag të lejeve: kulla “Tirana Void Tower” (€79 milionë), Kompleksi Governativ (€37 milionë), stadiumi “Selman Stërmasi” (€172 milionë), Pallati i Sportit “Asllan Rusi” (€109 milionë) dhe Biblioteka Kombëtare (€55 milionë).

Vlera e investimeve të tyre arrin €452.5 milionë.

Lexo: Kulla, zyra dhe stadiumi i ri: Qeveria i jep privatëve 8 prona publike

Fituesi fillestar i garës për “Void Tower,” ofroi 46.1% (Aiba Company) të sipërfaqes për shtetin, por u tërhoq. Negociatat kaluan te oferta e dytë, 45% (Progeen). Në këtë thirrje, investitori do të ndërtojë për qeverinë Kompleksin Governativ.

Nga shtatori 2025, në faqen e Korporatës nuk ka pasur asnjë njoftim për nënshkrim kontrate. Megjithatë, sipas qeverisë, projekti rezulton sot ndër ata që konsiderohen si “gati për leje”.

Kjo tregon shumë për procedurat: një zhvillim mbi tokë publike i afrohet miratimit të lejeve, por marrëveshja mbi të cilën mbështetet nuk njoftohet publikisht.

Ngjashëm është vepruar edhe për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Asnjë njoftim për lidhje të mundshme kontrate. Investitori (Trema Tech) ofroi për këtë projekt 40.5% të sipërfaqes që do të zhvillohet.

Lexo: Hije konflikti interesi në konkurset e projekteve të tre stadiumeve

I vetmi projekt që ka pasur njoftim paraprak për kontratë të nënshkruar rezulton të jetë ai për Stadiumin “Selman Stërmasi”. Në këtë investim, privati (Albanian Investment Construction) ofroi 46.5% të sipërfaqes që do të zhvillohet mbi pronat publike të zonës.

Megjithatë nuk ka të dhëna për datën e nënshkrimit të kontratës, kushtet e vendosura në negocim dhe afatet e mundshme se kur mund të nisin dhe mbarojnë punimet.

Por, rasti më i paqartë dhe shqetësues është ai i Bibliotekës Kombëtare, një ndërtesë e rëndësishme publike, të cilën KISH e ofroi ta ndërtojë në partneritet me privatin. 

Dy thirrje të hapura, ku jepej si incentivë mundësia për të ndërtuar kulla te ish-Vilat Gjermane, u anuluan për mungesë ofertash.

Por, befas, projekti i Bibliotekës shfaqet në listën e projekteve “në pritje të lejes”. KISH nuk ka njoftuar asnjë procedurë të re konkurruese dhe për rrjedhojë asnjë marrëveshje publike me investitorin (X-One).

Lexo: Qeveria s’gjen dot investitorë për Bibliotekën Kombëtare

Bëhet fjalë për një institucion publik kombëtar, por mënyra se si do të financohet dhe formula se si do ta marrë shteti në dorëzim atë mbetet e panjohur.

Gjashtë thirrje të tjera të KISH me vlerë investimi €538 milionë cilësohen “në proces”: Expo Albania (€50 milionë); Lift Tower (€64 milionë); Godina e Kadastrës (€28 milionë); Stadiumi Skënderbeu (€56 milionë); Stadiumi Flamurtari (€200 milionë), Stadiumi Niko Dovana (€140 milionë).

Paralelisht, “në proces”, cilësohen edhe Durana Tech Park, Parku i Besimit dhe dy rezidencat qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, por që nuk shoqërohen me një kosto të përafërt investimi.

Thirrje si “Shtëpia e re e fëmijëve, Korpusi i Inspektorateve, Godina multifunksionale” dhe “Pallati i Kongreseve” janë në proces për përzgjedhjen e partnerëve privatë.

Ndërkohë që për të ardhmen pritet hapja e thirrjeve për zhvillimin e tre korpuseve “Drejtësisë”; “Sigurisë” dhe “Institucioneve të Pavarura” si dhe “Parkimet Publike”. Nga këto thirrje të njoftuara paraprakisht kuptohet se do të ofrohet mundësia e ndërtimit të së paktën një kulle te “Fusha e Aviacionit”.

Mënyra se si qeveria dhe KISH po e trajton këtë proces zhvillimi është më shumë se një çështje transparence.

Në mungesë të kontratave dhe kushteve të negociuara, publiku nuk mund të verifikojë nëse këto projekte përbëjnë investim publik, apo thjesht një “transferim” të pasurive shtetërore te privatët pa procedura të mirëfillta privatizimi dhe konkurrence.Prandaj çështja nuk është thjesht transparenca procedurale, por kontrolli mbi mënyrën se si po vendoset për përdorimin e pronës publike.

Pa llogaridhënie, zhvillimi urban rrezikon të mbetet një vendim i mbyllur që qytetarët e kuptojnë vetëm kur kantieret nisin të hapen, apo ndërtesat janë ngritur tashmë.

The post €450 milionë projekte të Korporatës “gati për leje” pa transparencë appeared first on Citizens.al.

❌